Download as doc
Download as doc
You are on page 1of 2

Modestia

Virtyti i modestisë dhe ai i ndershmërisë, në një farë mënyre, e përkufizojnë


mjedisin e njeriut ...

Nga: Muhammed el-Kudri

Termi modesti ngërthen shumë kuptime në vete. Mirëpo, ne, në këtë kapitull, do ta përdorim e
do ta shtjellojmë në kuptim të druajtjes, turpit, mirësjelljes dhe të të mbajturit i thjeshtë e i
ndershëm në çdo rast. Ndershmëri do të thotë përmbajtje nga të gjitha marrëdhëniet intime
që janë jashtëmorale e jashtëligjore. Pra, virtyti i modestisë me atë të ndershmërisë janë
kuptimisht të ngjajshëm, e ne, në dashtë Allahu, do t'i shqyrtojmë që të dyja në këtë temë.

Të kundërtat me këto virtyte janë: paturpësia, sharja, pandershmëria etj. Virtyti i modestisë
dhe ai i ndershmërisë, në një farë mënyre, e përkufizojnë mjedisin e njeriut, respektivisht se a
është ai mjedis i kulturuar e i edukuar apo jo. Pra, nëse personi përkatës i posedon vlerat dhe
virtytet e sipërshtjelluara, atëherë për të mund të themi se ai është njeri i mirë, se vjen nga
një mjedis i mirë. Ndërkaq, nëse nuk i posedon, përfundimi logjik është se njeriu, po edhe
mjedisi i tij janë të ligë.

Në kodin e vet të parimeve morale, Islami i jep status të posaçëm modestisë dhe
ndershmërisë. Për më tepër, Kur`ani Famëlartë, po edhe Pejgamberi, alejhi selam, i kanë
urdhëruar besimtarët muslimanë që të jenë modestë dhe të ndershëm, të përmbahen nga
kurvëria, t'i shmangen përzierjes me gjininë e kundërt matanë kufijve të ndaluar, t'i shmangen
sharjeve e përdorimit të fjalëve të ndyta në rast të bisedimit apo në të folur dhe, si e fundit, i
kanë këshilluar dhe i kanë urdhëruar femrat që të vishen siç duhet.

Argumente nga Kur`ani

1) "Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është
një rrugë shumë e keqe!" (Kur`an, 17: 32).
2) "Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave
të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat
nuk janë të qortuar!" (Kur`an, 23: 5-6).
3) "Thuaju besimtarëve që t'i ndalin shikimet (prej haramit), t'i ruajnë pjesët e turpshme të
trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë
ata! Thuaju edhe besimtareve që t'i ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të
trupit të tyre, të mos i zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme...!" (Kur`an,
24: 30-31).
4) "E ata që nuk kanë mundësi martese, le të përmbahen derisa Allahu t'i begatojë me të
mirat e Veta...!" (Kur`an, 24: 33).
5) "E njëra prej tyre erdhi te ai, ecte e turpërueshme, e tha: "Babai im të thërret që të ta
paguajë shpërblimin për atë që i dhe (bagëtisë) ujë!" E kur shkoi (Musai) tek ai dhe ia tregoi
atij ngjarjen, ai tha: "Mos ki frikë, paske shpëtuar nga populli zullumqar!"!" (Kur`an, 28: 25).
6) "Edhe ata që janë ruajtur prej punëve të ndyra (amorale). Me përjashtim ndaj grave të veta
dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to!" (Kur`an, 70: 29-30).

Argumente nga Sunneti

1. Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Nuk
mund të ndodhë që paturpësia të jetë pjesë e një gjëje e që të mos e poshtërojë (çnderojë)
atë; gjithashtu, nuk mund të ndodhë që turpi të jetë pjesë e një gjëje e që të mos e zbukurojë
atë edhe më shumë!". [Transmeton Tirmidhiu]
2. Ebu Sejid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se Pejgamberi, alejhi selam, ka
qenë më i druajtur sesa virgjëresha në gjerdekun e saj. Sipas këtij, kur Pejgamberi, alejhi
selam, ka parë diçka që nuk i ka pëlqyer, ajo është kuptuar nga fytyra e tij. [Transmeton
Buhariu dhe Muslimi]
3. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se Pejgamberi, alejhi selam, kaloi pranë
një njeriu nga Ensarët dhe e pa se ai po ia tërheqte vërejtjen një tjetri për shkak të
modestisë, ndërsa Pejgamberi, alejhi selam, i kishte thënë: "Lëre të qetë, pasiqë modestia
është pjesë e fesë!". [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
4. Imran ibën Husejni (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka
thënë: "Prej modestisë nuk mund të dalë gjë, veçse mirësi!". [Transmeton Buhariu dhe
Muslimi]
5. Ibën Mes'udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë:
"Prej gjërave që njerëzit i kanë mësuar nga të thënat e të Dërguarve të mëparshëm është:
"Nëse nuk ke turp, bën çfarë të duash!" [Transmeton Buhariu]
6. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë:
"Modestia është pjesë e besimit e besimi është (shpie (sh.p.)) në Xhennet, ndërsa paturpësia
është pjesë e ngurtësimit të zemrës e ngurtisimi i saj (i zemrës, pra) është në Ferr!".
[Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu]
7. Zejd ibën Talha (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka
thënë: "Çdo fe ka nga një karakter, e karakteri i Islamit është modestia!" [Transmeton Maliku,
ibën Maxhe dhe Bejhakiu]
8. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë:
"Modestia dhe besimi janë shoqërues të njëri-tjetrit; nëse mënjanohet njëri, as tjetri nuk
mbetet!". [Transmeton Bejhakiu]
9. Ebu Derdaja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë:
"Gjëja që do të peshojë më së rëndi në Ditën e Gjykimit në peshojën e besimtarit do të jetë
karakteri i mirë. Sa për më tej, Zoti e urren të shthururin dhe të pacipin!". [Mishkat]

Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam


Autor: Muhammed el-Kudri
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI

You might also like