Download as doc
Download as doc
You are on page 1of 2

Xhehenemi i frikësuar

Xhehenemi e ka vetëm një frikë, një frikë që mos të shuhet. Një frikë që gjithmonë e
mban të këndellur e të ngritur flakë përpjetë ...

Shkruan: Zekerija Ibrahimi

E dini, apo? Xhehenemi e ka vetëm një frikë, një frikë që mos të shuhet. Një frikë që
gjithmonë e mban të këndellur e të ngritur flakë përpjetë, një frikë që sa herë që merr flakë të
reja dhe nuk ka frikë nga ujërat e lumenjtë që mund ta shuajnë, se aty apo nuk ka lumë, ai
megjithatë e ka vetëm një frikë.

Është frika nga një pikë loti që derdhet në errësirën e natës, në agun e mëngjesit ose në pikë
të drekës, një pikë loti të cilin nuk e sheh as lotuesi, ngase ajo pikë aq shpejt tretet, edhe pse
në zemër vazhdon ta ruajë freskinë e lotit.

Është ajo pikë loti që kur ty të kap malli për Atë, të vjen të qash, por duke mos dashur ta
tradhtosh zemrën tënde, i ul sytë e i shtrëngon dhëmbët, që askush mos ta shohë atë lot. Prej
atij loti frikohet xhehenemi.

Është ajo pikë loti që edhe kur ndeshet me Qaben e shenjtë, derdhet brenda syve tu, e nuk
del dot jashtë, nga frika se mos ta shohin të tjerët, është pikë loti që ti ia fal vetëm Atij...

Është ajo pikë loti që ty ta zbeh fytyrën kur qëndron pranë Hirasë dhe të vjen të dergjesh në
vaj, e ti e mban veten, ndonëse sytë desh të plasin nga vaji, ndërsa ti i ngulfat ato thellë në
zemrën tënde, që atë e bën të vuajë e të lëngojë edhe më, por edhe që i japin asaj freskinë që
e ka zili edhe zjarri i xhehenemit...

Është ajo pikë loti që edhe kur je fillikat vetëm në errësirën e plotë të natës, nën dritën e
hënës e në shoqërinë e yjeve, ti e adhuron Atë në heshtje e mallëngjim dhe, ndonëse e di se
askush nuk të sheh, se askush atë çast vetmie nuk t'i sheh lotët, ti edhe në atë çast nuk lejon
që ajo pikë loti të dalë prej syve tu. Jo që e ke dertin se po e shuan zjarrin e xhehenemit, por
ngase pikërisht atë çast të kap frika se a je ti i denjë të derdhësh lot për atë dashuri, a je ti
më meritori të qash për Atë...

Është lot që dashnori nuk arrin ta derdhë kurrë për Dashurinë, është lot që ngrihet pikërisht
nga dehja me dashurinë e Tij...

Nga loti i nënës për të birin, nga loti i atij që i bëhet padrejtësi, nga loti i atij të varfëri që
kurrë nuk e shtrin dorën, nga loti i talebes që natën falet e ditën studion, nga loti i atij
muxhahidi që natën lutet e ditën lufton, nga loti i atij që ditën agjëron e natën falet, nga loti i
atij që po dergjet nga malli për Atë, prej atij loti ka frikë xhehenemi...

Nga ajo pikë loti, që në botën tonë është vetëm çast në kohë dhe një grimë sasie e
papërfillshme në peshore, nga ai lot ka frikë xhehenemi...

Nga ai lot që as lotuesi nuk e sheh, nga ai lot i nxehtë valë, që më shumë djeg se shuan, nga
ai lot ka frikë xhehenemi...

Nga ai lot me shije të ëmbël, nga ai lot me ngjyrë fildishi, nga ai lot me erë trëndafili, nga ai
lot si kokërr tespihu, nga ai lot që kur nuk bëhet shtrat lumi, nga ai lot ka frikë xhehenemi...

Është ky loti që askush nuk e ka parë, ndërsa e ka ndjerë vetëm zemra e lotuesit dhe
xhehenemi i këndellur flakë..

Është ky loti i lotuesit që kur të vijë mbi Sirat, xhehenemi do t'i bërtasë: "O ti lotues, o ti që
kurrë matanë nuk t'u pa loti, por që këndej ma shove ymrin, o ti që më bëre të vuaj, të lutem
kalo më shpejt se ma shove zjarrin...."

Loti u ngri në sy, ndërsa xhehenemi u shtang prej frike.

You might also like