SHKOLLAT LETRARE SHQIPE/Albanian Literary Schools

You might also like

Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 14

Sabri Hamiti

SHKOLLAT LETRARE SHQIPE

A. SHKOLLAT

Letërsia shqipe, gjatë zhvillimit pesëshekullor, ka krijuar identitetin


artistik duke forcuar konstantat (përhershmëritë) dhe shndërrimet. Në vijimsi
të kohës, karakteristikat e saj strukturore kanë ndryshuar, qoftë si zhvillime
të mbrendshme letrare, qoftë nga marrëdhëniet e saj me kontekstet joletrare.
Shkollat (Mësimet, Doktrinat) letrare janë shfaqje strukturore e
kuptimore të kësaj letërsie, që bëhen zotëruese për shkrimet e veprat letrare
të autorëve më të mëdhenj të periudhave, e poashtu si vetëdije letrare.
Këto shkolla letrare njëjtësohen duke pasur për bazë disa veçanti e cilësi
të tekstit letrar:

1. Strukturën e ligjërimeve letrare, kodet tematike, format letrare,


funksionin e statusin e tekstit letrar;
2. Autorët e mëdhenj e veprat e tyre të rëndësishme, që kanë
karakteristikat e shkollës;
3. Autorët, që në shkallë teorie arrijnë të ligjësojnë karakteristikat e
shkollës; dhe
4. Figurën (figurat) retorike e poetike, që cilëson një tip shkrimi e
mund të bëhet amblemë e tij.

Në bazë të këtyre kërkimeve, në tekstin e letërsisë shqipe, nga fillimet


deri më tash, njohim këto shkolla letrare:

1. Shkolla filobiblike;
2. Shkolla romantike;
3. Shkolla kritike;
4. Shkolla moderne;
5. Shkolla socrealiste;
6. Shkolla disidente;
7. Shkolla moderne (Kosovë).

Karakteristikat e tyre do të duken të përmbledhura në vijim.


1. Shkolla filobiblike

Në këtë shkollë letrare, teksti letrar në shqip, në fakt, është derivim i


tekstit biblik, që është universal, prandaj edhe emërtimi karakterizues
filobiblike. Madje tekstet letrar zakonisht janë mbrenda librave doktrinarë të
krishterë, duke krijuar një shfaqje tjetër të doktrinës. Autori shenjohet,
mirëpo statusi i tij ndërron nga përkthyesi, te rikrijuesi e krijuesi.
Ligjërimi thuret simbas gjedhes së retorikës e të moralitetit biblik të
krishterë. Poashtu, tematikat zotëruese janë biblike (Besëlidhja e Vjetër e
Besëlidhja e Re). Edhe figurat (personat), si dhe figurat poetike kanë
parabazën biblike. Format letrare shfaqen në vargje, në trajtën e poezisë së
aplikuar e të poezisë së rastit (okazionale), dhe, në prozë, me karakter
didaktik e moral.
Origjinale këtu është pjesa autoriale, e cila në të vërtetë është plasje e
sistemit, ashtu siç është rebelimi i jashtëm i autorit kundërvënie dominimit të
huaj në botën shqiptare. Poashtu origjinale këtu janë disa derivime të rralla
të temave shqiptare, topika, e sidomos figura e tekstit, që domosdoshmërisht
kushtëzohet dhe lindet nga shprehja shqipe e moraliteti i saj. Këty hyn dhe
trajta e vargut, kur është tetërrokësh trokaik, zotërues në vargun tradicional
shqiptar.

Autorët më të mëdhenj të kësaj shkolle janë:

Pjetër Budi (1566-1622), që te veprat Doktrina e kërshtenë (1618) e


Pasqyra e të rrëfyemit (1621) ka hartuar mbi tremijë vargje tetërrokëshe, të
grupuara në katrena, me tema e figura biblike, por edhe me adresime
shqiptare dhe me një shqipe të vetëmësuar. Tetërrokëshi e katrena bëhen
normë shkrimore në poezinë e Budit, pos një rasti kur ky tetërrokësh duket i
dyzuar.

Pjetër Bogdani (1630-1689) te vepra e vet Cuneus Prophetarum (Çeta e


profetëve) (1685) ndërfut Kangët e Sibilave pagane, që parashikojnë ardhjen
e Krishtit (pra, poezia është në shërbim të doktrinës së krishterë) duke
krijuar vargun e kultivuar letrar, njëmbëdhjetërrokëshin, dhe formën e
Stances me skemë të rregullt rimash. Bogdani shqiptarëson sibilat nëpërmjet
emërtimit dhe figurat poetike nëpërmjet topikës shqipe dhe figurës
idiomatike shqipe. Te vepra e tij gjejmë dhe një vjershë të pastër
kosmogonike, Krijimi i Rruzullimit, që ka vlera antologjike.

2
Jul Variboba (1724-1788) harton veprën e parë të pastër letrare: Gjella e
Shën Mërisë Virgjër (1762). Vepra ka karakterin e përmbledhjes poetike.
Ndonëse bazën e veprës e bëjnë dy poemat për Shën Mërinë e Shën
Bambinin (Krishtin), aty ka vjersha që lidhen me zakone e festa nga jeta
arbëreshe. Rebelimi (origjinaliteti) autorial i Varibobës shkon aq larg sa
Marinë ta trajtojë si grua (nënë) arbëreshe, ndërsa vargu i tij krijohet në
variacione, nga vargu i lirë abëresh deri te vargu i kultivuar, i matur, madje
me rimë të mbrendshme.

Kodifikuesi teorik i shkollës filobiblike është Pjetër Bogdani. Ky në


traktatin e vet filozofik e teologjik Cuneus Prophetarum ngre një retorikë,
madje një poetikë, që mbështetet te autorët klasikë antikë, por e përshkuar
nga egzegetët e famshëm të krishterë. Te ky autor, për herë të parë, shfaqet
teoria mbi figurën, të folurit e figurshëm dhe ligjërimi biblik në shqip.

Figura përfaqësuese, ashtu dhe çelësi interpretues i kësaj shkolle është


Alegoria.

2. Shkolla romantike

Letërsia romantike shqiptare është e lidhur përgjithnjë me Rilindjen


Kombëtare si lëvizje kulturore për të krijuar kombin. Prandaj, edhe diskursi i
saj letrar thuret në dy rrafshe, në rrafshin personal e në rrafshin kolektiv.
Edhe më, ligjërimi i detyrohet shumë qëllimit dhe funksionit të tekstit.
Shkrimtarët romantikë religjionin e kanë si frymë personale, por jo
format biblike si model stilistik apo parabazë tematike, Në shkollën
romantike tematika kolektive nacionale zbulohet duke shkuar në histori, për
të zbuluar heroin nacional – Skënderbeun. Po kështu, paralelisht me këtë,
zhvillohen tematikat individuale, personale, gati në nivel të entuziazmit për
zbulimin e subjektivitetit. Në të dy degëzimet e mëdha tematike forcohet
kodi i letërsisë gojore në nivel figurash, temash e ligjërimesh.
Format zotëruese letrare janë lirika shumë e personalizuar, poema me
pretendime sintetizuese dhe poema me fuqi narrative e argument heroik, me
pretendim për t’u zhvilluar në epope nacionale.
Në këtë shkollë letrare teksti merr karakterin e himnizimit, qoftë për
shpërthimet personale, qoftë për projeksionet e mëdha nacionale.

3
Autorët e mëdhenj të shkollës romantike janë:

Jeronim De Rada (1814-1903), moshatar i romantikëve të mëdhenj


evropianë, i njohur me vepra të gjinive të ndryshme, nga të cilat shkëlqejnë
poema lirike Milosao (1836) dhe poema me pretendime epike Skënderbeu i
pafan (1872-1884). I mrekulluar e i mësuar me kangjelat arbëreshe, ai krijoi
një stil të ri, me figura të bukura, të habitshme te Milosao e me një varg të
lirë, kurse në ligjërim më të lidhur te Skënderbeu, për të krijuar pamje
fascinante të natyrës e të jetës së njeriut. De Rada futi përgjithnjë temën e
heroit nacional në letërsinë shqipe dhe modelin himnizues të literaturës, që u
ndoq nga autorë të tjerë.

Zef Serembe (1843-1901) është liriku i parë i madh shqiptar, i cili i ikën
modelit dominant të romantizmit shqiptar dhe krijon një lirikë brilante të
zotëruar nga hidhërimi. Lirika e tij e përsosur në formë, shpesh në trajtë të
tingëllimit, shpreh më vete mal du siècle dhe pasionet e tij për bredhje të
pafund, për të mbetur i pangushëlluar. Serembe është një romantik
perëndimor me teke të subjektivizuara.

Naim Frashëri (1846-1900), njësoj i rëndësishëm si apostull i kombit, si


poet e si krijues i gjuhës letrare shqipe, krijoi himnin për vendin me veprën
Bagëti e Bujqësi (1886), himnin e dashurisë me poemën Bukurija (1890) dhe
himnin për heroin nacional me epin Skënderbeu (1898). Sado me projekte të
ndërliqshme poetike, Naimi mbetet lirik, kurse teksti i tij i ngarkuar me
moralizime fetare e kombëtare, duke pasur qëllim edukimin e njeriut.

Kodifikuesi teorik i shkollës romantike shqipe është Jeronim De Rada me


Parime të estetikës (1861), ku dija klasike kryqohet me përvojën personale
për të krijuar fascinimin me gjininë e poezisë. Kurse kodifikuesi ideologjik-
nacional i kësaj shkolle është Sami Frashëri me veprën Shqipëria: ç’ka qenë,
ç’është e ç’do të bëhetë (1899), në të cilën sublimohen ëndrrat e realitetet
romantike për kombin e vendin.

Figurat dominante të shkollës romantike shqipe janë Epiteti e Krahasimi.

3. Shkolla kritike

Karakteristika themelore e kësaj shkolle është se lëshohet modeli


shkrimor e kulturor i himnizimit, për të kaluar në të kundërtën, në modelin
kritik, dhe nis të shfaqet diversiteti i stileve individuale e i ligjërimeve.

4
Përsoset gjuha poetike dhe vargënimi, forcohet kultura letrare e shkrimit.
Sado ruhen ende tematikat nacionale, edhe brenda vetë autorëve forcohen
tendencat kah temat sociale, duke u bërë më kritike.
Dalin në skenën letrare autorë me formim të madh kulturor e letrar, duke
njohur veçanërisht traditat letrare të Perëndimit.
Ndonëse ka ende autorë që donë ta kurorëzojnë mallin për epopenë
nacionale, format letrare janë të shumëllojshme, duke përfshirë lirikën,
epikën, dramën, format elementare e të zhvilluara në prozë, dhe, për herë të
parë, shfaqet gjykimi për letërsinë aktuale në trajtë të kritikës.

Autorët më të njohur të kësaj shkolle letrare janë:

Ndre Mjedja (1866-1937), mjeshtri i madh i vargut, i cili me veprën


Andrra e Jetës (1917) nuk krijon himn por dëshmi të jetës shqiptare, duke i
zhvilluar edhe temat e mëdha metafizike në një copë trualli konkret e duke
njohur jetën e gjallë. Mjeshtër i madh i tingëllimit, Lissus (1928).

Andon Zako Çajupi (1866-1930), shpirti më kritik i epokës, që me


tehun e ironisë e të satirës përmbys tematikat e diskurset biblike duke
inkuadruar zhargonin popullor dhe me veprën Baba Musa lakuriq (1905)
krijon formën e parodisë në shqip.

Gjergj Fishta (1871-1940), që derisa po shkruante për katër decenie epin


Lahuta e Malcis, paralelisht pra, kishte themeluar satirën shqiptare me Anzat
e Parnasit (1907) e Gomari i Babatasit (1923), të cilat rroken me çështjet
konkrete të jetës në botën shqiptare. Fishta në të vërtetë krijon stilin kritik e
përmbysës dhe shemb tabutë tematike.

Faik Konica (1875-1942), stilisti brilant i epokës, që me shkrimet


eseistike ashtu dhe me shkrimet letrare modelon stilin e vet kritik, duke
përmbysur mbivëniet në kulturën shqiptare për të gjetur autenticitetin. Vepra
e tij e pakryer, Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit (1924)
bën një kirurgji të jetës psiko-sociale të kohës.

Zef Skiroi (1865-1927) te vepra Te dheu i huaj (1900, 1940) qan


mjerimin e alteritetit (tjetërsimit) kolektiv duke thirrur shpëtimin, ndërsa me
poemën e fundit Mino (1923) vajton dhembjen personale dhe agresivitetin
vrasës, që ka pushuar të dijë për vlerat njerëzore. Një ndeshje dramatike e
heroizmit me qyqarësinë.

5
Fan S. Noli (1882-1965), me dramën Israelitë e Filistinë (1907) dhe me
poezitë e veta, idetë themelore shoqërore të kohës i kthen në ide letrare. Ai
zhvillon një ligjërim poetik e retorik, i cili mbështetet në figurat biblike, të
cilat don t’i provojë e t’i përkthejë në jetën reale. Stili i tij retorik me plot
ngjyrim emocional shpie kah polemika brilante.

Kodifikuesi teorik e kritik i kësaj shkolle është Faik Konica, kritiku i parë
e themeluesi i kritikës letrare shqipe. Me eseun Kohëtore e letrave shqipe
(1906) dhe të teksteve të tjera për bashkëkohësit, Konica ka vënë bazat
teorike të interpretimit të letërsisë. Teoria kapitale e Konicës, që përfaqëson
shkollën kritike, dhe vokacionin e tij, është që përfundimisht të dallohet
ç’është atdhesi e çka letërsi. Kjo ka shkaktuar, mandej, polemika të
pambaruara në letërsinë shqipe.

Figurat zotëruese e përfaqësuese të kësaj shkolle letrare janë Ironia e


Sarkazmi.

4. Shkolla moderne

Është shkollë kur letërsia shqipe përfundimisht nuk ka mision, por


bëhet qenësi më vete dhe e vetëmjaftueshme. Nuk ka stil unifikues të
epokës, sepse formohen e forcohen individualitetet krijuese dhe poetikat
individuale. Ligjërimi letrar përkthen gjithëçka në gjuhën e vet të veçantë.
Temat e përgjithshme apo kolektive u lënë vendin temave e fateve
individuale, nuk dominon më tema e nacionit apo e shoqërisë, po tema e
njeriut dhe e dilemave të tij fizike apo metafizike.
Ka një perfeksionim të poezisë e të vargut deri në nivelin e poezisë së
pastër, e poashtu zhvillime të reja poetike që shpiejnë kah vargu i lirë e
shprehja konkrete.
Shfaqen e perfeksionohen të gjitha format letrare: poezia e strukturuar
deri deri në nivel të librit; proza moderne, me tregime të lidhura tematikisht
e stilistikisht; shfaqet drama neoklasike deri në nivel të formës, kurse kritika
letrare rrok fushat e interpretimit letrar deri te krijimi i një teorie letrare.

Autorët dominantë të kësaj shkolle janë:

Lasgush Poradeci (1899-1987), princi i letrave moderne shqipe,


mjeshtri i metaforës dhe i vargut e formës së përsosur poetike, krijuesi i
madh gjuhësor, që me librat e vet poetikë Vallja e Yjve (1933) dhe Ylli i
Zemrës (1937) krijoi një sistem të veçantë poetik, në vështrimin formal-

6
strukturor e domethënës, të papërsëritshëm në letërsinë shqipe. Duke lidhur
bukurinë dhe llaftarinë, Lasgushi bëri të qartë sa është e veçantë “gjuha e
zjarrtë” poetike dhe sa është e thellë kënga autentike shqipe.

Ernest Koliqi (1903-1975) krijuesi i tregimit modern shqiptar, stilist i


papërsëritshëm. Një mjeshtër që rimerr temat tradicionale, duke lakuar fatin
e individit përballë normës, te libri Hija e Maleve (1929); shtron temat
urbane me reflektime të mbrendshme te libri Tregtar flamujsh (1935) dhe
shtron çështjen e artit të vetënjohjes te libri Pasqyrat e Narçizit (1936).

Ethem Haxhiademi (1902-1965), dramatisti i parë i madh shqiptar,


që ndërton strukturën e konvencën e dramës neoklasiciste në shqip, me
harmoni të brendshme gati me baraspeshë matematike. Në tragjeditë e tij
dalin tema e heronj biblikë e të antikitetit, si Abeli, Pirro e Akili, poashtu
edhe heronj shqiptarë: Skënderbeu (1935).

Mitrush Kuteli (1907-1967), një variant tjetër i tregimtarit modern


shqiptar, që bashkon fantazinë folklorike dhe skemën rrëfimore të saj me
kulturën shkrimore biblike e gogoliane. Që nga libri i parë Net shqiptare
(1938) deri te vepra e mbetur në dorëshkrim E madhe është gjëma e mëkatit
(1947), Kuteli ka zbuluar dhembjet e pasionet inidviduale të ndeshura
dramatikisht me normën e me vdekjen.

Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938), poeti i vdekur në rini që futi në


poezi gjuhën e përditshme dhe lartësoi vargun e lirë, në Vargjet e lira
(1936), dhe futi temën e vogël, të përditshme, në prozën e vet, Novela të
qytetit të veriut (1938).

Në këtë kohë dallohen disa individualitete kritike, mirëpo interpretuesi


e teoriku më i pastër i zhvillimeve moderne mbetet Mitrush Kuteli me
studimin Poetika e Lasgush Poradecit (1937) dhe librin Shënime letrare
(1944).

Figura përfaqësuese e zotëruese e kësaj shkolle letrare është Metafora.

7
5. Letërsia socrealiste

Ideologjia e majtë, e kthyer në konvencë shoqërore me pretendime të


kodifikimit të metodës letrare, e zyrtarizuar si metodë socrealiste. Natyrisht
si derivim satelitor i modelit sovjetik rus. Kthimi i sërishëm i misionit të
shkrimtarit në shoqëri dhe i rolit shërbyes të letërsisë, me një tematikë të re
kolektive, por tash jo nacionale, po ideologjike me premisa internacionale.
Artikulim i konflikteve shtresore shoqërore, të cilat i zgjidh heroi
pozitiv, si misionar i idesë së përparimit. Një neoromantizëm rreth projektit
të shoqërisë të së ardhmes, pra tepër larg kriterit të realitetit të deklaruar.
Letërsia si art i aplikuar për nevojat shoqërore e ideologjike.
Format letrare më të preferuar, poema socrealiste me subjekt, tregimi
dhe një zotërim i ngadalshëm i romanit në horizonitn e pritjes së lexuesit.
Mungon dramatika. Diksurset letrare subjektive të munguara përpara
vërshimës së diksursit të përgjithshëm skematizues.

Autorët më të qëndrueshëm të kësaj shkolle letrare mbeten:

Hivzi Sulejmani (1912-1976), në fillim veprimtar politik. Kërkues i


absolutit e i njeriut idealist, me primesa të drejtësisë e humanitetit. Krijues i
karakterit letrar të mbështetur në të dhëna autobiografike, sidomos te romani
Njerëzit (1952-1966) e te tregimet Era dhe kolona (1959). Krijues i heroit të
dëshpëruar, të cilit të dhënat e jetës ia prishin skemën ideolgjike.

Petro Marko (1913-1991), i magjepsur nga ideja internacionaliste, që


krijoi romanin kult të epokës lidhur me luftën civile të Spanjës, Hasta la
vista (1958). Më vonë i rebeluar, por gjithnjë mbrenda sistemit të vlerave e
të ideve të rinisë rreth shoqërisë e rreth letërsisë.

Jakov Xoxa (1923-1979), portretizuesi më i fuqishëm i katundit


shqiptar, mjeshtër i ndërtimit të karaktereve dhe i përshkrimit të natyrës.
Kryevepra e tij është Lumi i vdekur (1965), për shumëçka i krahasueshëm
me romanin Doni i qetë të Shollohovit. Ky roman i Xoxës është bërë i
dashur pse për herë të parë në letërsi lidh fatet e familjeve të Shqipërisë dhe
të Kosovës.

Ismail Kadare (1936), shkrimtari më i njohur i kësaj shkolle, me


talent të jashtëzakonshëm, ka arritur të bëhet i rebeluari i madh mbrenda
metodës, për të artikuluar projektimet personale dhe për të shtruar
pikëpyetjet asociative. Në fillim poet i fascinuar me Majakovskin, ai bëhet i

8
njohur me romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963), ku portretohet
karakteri negativ (heroi negativ), por këtë herë i armikut, pushtuesit.
Romanet e mëvonshme, qoftë si freska shoqërore, qoftë si reflektime
autobiografike, nuk e kanë arritur famën e romanit të parë. Kadare nuk ka
pushuar të pushtojë lexuesin e vet me një ekpresivitet të madh të shprehjes.

Dritëro Agolli (1931), nxënës letrar i shkollës sovjetike, si poet është


më autentik në lirikë intime sesa në ndërtimet programatike e
propagandistike. Në prozë suksesi i tij më i madh ka qenë romani Shkëlqimi
dhe rënia e shokut Zylo (1973). Një vepër humoristike që vë në lojë
karakteret e aparatit sundues komunist, gjithnjë duke u tallur, por pa arritur
në shkallën e përjashtimit.

Kodifikuesi kryesor i shkollës socrealiste është Dhimitër Shuteriqi. Ky


autor, që në vitet tridhjetë kishte nisur diskutimin publik Për një drejtim të ri
letrar. Si duket, teoria e tij e hershme për letërsi sociale dhe deklarimi i
pragmatizmit letrar, mbas luftës e ndërrimit të sistemit shoqëror, e çuan
lehtësisht kah kodifikimi i letërsisë ideologjike.

Figurat dominante e përfaqësuese të shkollës socrealiste janë


Kontrasti e Hiperbola.

6. Shkolla disidente

Kjo nuk është shkollë letrare e shpallur, por e rindërtuar aposteriori.


Në nismë është vetëm derivim i metodës dominante socrealiste. Kjo në
fillim kishte të bënte me “harrimin” e idesë së përparimit, braktisjes së idesë
së përgjithshme të entuziazmit e të absolutit, për t’u zhytur në dilemat
personale, thyerjen e modelit tematik e ligjërimor. Kjo do të thotë pranim i
formave ligjërimore moderne, duke ikur nga formar retorike të literaturës.
E quaj me tepër derivim se shkollë, ngase nuk është zhvilluar
normalisht, tekstet nuk kanë komunikuar me lexuesit, dhe cenzura ka krijuar
një rreth vicioz kur nuk është ditur a ndalohet shkrimtari për shkak të veprës
apo e pëson vepra letrare për shkak të rebelimit shoqëror e të ndalimit të
shkrimtarit.

Nga letërsia e disidencës, duke pasur parasysh vlerat, dallohen disa


autorë.

9
Kasëm Trebeshina (1926) me novelat Stina e stinëve (1991) dhe
romanin Kënga shqiptare (2001), që shkruan një prozë plot lirizëm, me stil
të kultivuar, dhe, në dukje, në hullitë e prozës moderne të Kutelit.

Bilal Xhaferri (1935-1987), veçanërisht me elegjitë e famshme për


Çamërinë dhe romanin Krastakraus (1993), ku shfaqet heroi në humbje dhe
ku ka faqe brilante të përshkrimit të natyrës, të krahasueshme me disponimet
e njerëzve, një gjuhë e prozës që do të bëhet poetike, qoftë kur shtron
probleme të identitetit.

Zef Zorba (1920-1993) me vetëm një libër të mbetur në dorëshkrim,


Buzë të ngrira në gaz (1994), një artikulim eliptik i poezisë, një kërkim i
vetëdijshëm i formës e i domethënies, një përpjekje e vetme për të ndërtuar
librin e poezisë si koncept strukturor e kuptimor. Pra, një alternativë
moderne poetike, korresponduese me literaturat e tjera bashkëkohore.

Artikuluesi, nëse jo kodifikuesi, më i qartë i letërsisë së disidencës


është shkrimtari Kasëm Trebeshina me një artikull problemor Promemoria
(1953) në fillim, dhe me një tekst problematizues, Skicë për historinë e
letërsisë shqipe (1993), në fund.

Figura përfaqësuese e shkollës së disidencës është Elipsa.

7. Shkolla moderne (Kosovë)

Ka të bëjë me autorë të Kosovës, dhe do të quhej moderne, por meqë


një e tillë dukej më parë, tani cilësimi moderne rimerr tendencën e një
kujtese letrare, që lidhet me letërsinë e një gjysmë shekulli më parë. Pra,
kërkon kontinuitet strukturor e letrar.
Kjo shkollë përpiqet të sintetizojë përvojat e përparshme letrare.
Përjashton ideologjinë e sundimit aktual (robërinë), ngre kultin e temës së
lirisë në vështrimin individual e nacional. Ndërton korrespondenca tematike
e ligjërimore me letërsinë moderne shqipe dhe letërsitë moderne të
Perëndimit.
Gjuha letrare e figuruar bëhet esencë e letërsisë e në të njëjtën kohë
mbrojtje e dyfishtë: nga censura dhe nga rrëshqitja në militantizëm. Kjo
procedurë letrare është e mbështetur edhe në rimarrjen dhe rindërtimin e
figurës e të tematikës popullore, njësoj si në fenomenet e modernitetit.

10
Për pasojë, shfaq forma të estetizuara letrare, në poezi, në prozë e në
dramë. Ndërsa në fushë të kritikës diskutohen problemet themelore të
interpretimit e të ligjërimit teorik të letërsisë bashkëkohore.

Ndër autorët më të njohur të kësaj shkolle letrare janë:

Martin Camaj (1925-1992), gjuhëtar e poet, autor që ka fatin të lidhë


letërsinë moderne shqipe në Shqipëri, në Kosovë e në diasporë. Është nisur
si lirik ambiental, por vepra e tij kryesore janë madrigalet, Dranja (1981), ku
kërkon rrënjët e identitetit personal e nacional, si dhe dhembjen e
dramatikën e ndryshimeve.

Anton Pashku (1937-1995), pa dyshim prijatari i letërsisë moderne


në Kosovë. Mjeshtër i madh letrar, që letërsinë e bën kult, besim, Antoni
rrok tema të rënda të njerëzimit, në të kaluarën e në aktualitet, duke zhvilluar
brenda veprës një dialog të kohëve. Në këtë vështrim, vepra e tij merr trajtën
e sintezës e të kujtesës historike. Ai krijon një ligjërim letrar të mbështetur
tërësisht në figurë, të ngjashëm në tregime, Tregime fantastike, në roman,
Oh, dhe në drama, Tragjedi moderne. Një autor i papërsëritshëm i letërsisë
shqipe.

Azem Shkreli (1938-1997) në poezi nis idilën e katundit, për të arritur


te poezia e meditimit, sidomos mbas librit Nga Bibla e heshtjes (1975). Në
prozë e krijoi karakterin vendës te romani në dy variante Karvani i bardhë
(1961 dhe 1997). Ai gjeti strehën letrare në formulën, moralitetin e
zhargonin e gjuhës popullore të vendit, të cilën e rikrijoi me pasion për ta
ngritur në vepër arti.

Ali Podrimja (1942) poet në fillim e në fund. Fillimisht poet me


ndjenjë të rebeluar, po me një shprehje më të drejtpërdrejtë të klithjes,
Thirrjet (1961), më vonë, e sidomos mbas librit Torzo (1971), poezia e tij
ndërtohet mbi dilema njerëzore, dhembje e kërkime të përhershme, me gjuhë
krejt të figuruar e formë eliptike, për të shpërthyer në fund prapë me
ndjenjën personale të fortë dhe elegjiake, Lum lumi (1982).

Beqir Musliu (1945-1996), shkrimtar me fantazi të pakufi, në kohë e


në hapësirë, që krijon një tekst letrar si pyll të simboleve, qoftë në poezi,
prozë apo dramë. Ai ka krijuar metaforat e rimave të shqetsueme (1965), të
lulëkuqeve të gjakut dhe bukurinë e zezë (1968), të krahasueshme me lulet e
ligësisë apo bukurinë llaftare të Lasgushit.

11
Zejnullah Rrahmani (1952), romansier i lindur. Qysh si njëzetvjeçar
është bërë i njohur për trajtime romansore të temës së lirisë, të vendit e të
kombit. Në romanet e tij më të njohura: Sheshi i Unazës (1978), Udhëtimi
arbdhetar (1992), e Romani për Kosovën (2000), dominon një ligjërim i
çuditshëm ku situatat dramatike artikulohen me gjuhë lirike dhe një shqipe
tepër të pasur e të studjuar.

Vetë autor, pretendues i ligjësimit kritik e teorik të kësaj shkolle


konsiderohet autori i këtyre rreshtave (Sabri Hamiti).

Figurat dominante të kësaj shkolle letrare janë Metafora e Metonimia.

B. MODELET

Përkundër shkollave letrare që, në kontinuitet të kohës, shënojnë


transformimet e letërsisë kombëtare shqipe, qoftë edhe kur korrespondojnë
me shkolla letrare të letërsive të tjera, Modelet krijuese të letërsisë shqipe
janë poashtu modele shkrimore universale. Ne dallojmë tri modele të tilla të
mëdha që i referohen gjithë letërsisë shqipe, që nga fillimet deri më sot, pa
njohur referenca të kohës e të konteksteve të tjera, thjesht si zhvillime të
mbrendshme autentike të krijimit letrar:

1. Modeli i letërsisë në shkallën zero ose modeli i Imitimit;


2. Modeli i letërsisë në shkallën e parë ose modeli i Krijimit;
3. Modeli i letërsisë në shkallën e dytë ose modeli i Rikrijimit.

Gjetja e referencave të këtyre modeleve në letërsinë shqipe, duke


pasur në konsideratë tematikat, ligjërimet, format letrare, autorët e veprat,
është një kërkim që pret të bëhet tjetër herë.

Letërsia shqipe, në vështrimin e zhvillimit e të komunikimit universal,


si dhe letërsitë e tjera kalon nëpër të tri shkallët, që po i quaj: 1. Letërsi në
shkallën Zero, 2. Letërsi në shkallën e parë dhe 3. Letërsi në shkallën e dytë.
Këto shkallë të letërsisë janë karakterizuese e jo vlerësuese, prandaj janë
njësoj të larguara nga qendra dhe duhet të vendosen në rreth e jo në rrafsh.
Shkallët e letërsisë nuk përfaqësojnë shkallë të zhvillimit: ato nuk lidhen me
stile të epokave; me mosha të krijuesit; as me kultura të veçanta.

12
Shkalla Zero e letërsisë (termi është analog me të Rolan Bartit: shkalla
Zero e shkrimit) karakterizohet nga imitimi (mimesis). Paramodeli i saj është
në Natyrë e në Jetë, shkrimi i saj don ta përkthejë këtë model në modelin
letrar. Mënyra e imitimit bazohet në krahasim e në vërtetdukshmëri. Suksesi
i saj matet me mundësinë që t’i afrohet modelit. E karakterizon gjuha e
dëftimit, format e shkrimit i afrohen të të folurit, që shpien kah shkrimi
veridik e asertiv. Qëllimi i saj është njohja. Me kontratën e vet të pashpallur
kjo letërsi jep Vendin e identifikuar, Ngjarjen të ndodhur e Kohën të
shpallur, Personazhin të njohur. Shembuj në shqip: Bardha e Temalit e
Pashko Vasës, Lumi i vdekur i Jakov Xoxës, Malësorja e Nazmi Rrahmanit.

Shkallën e parë të letërsisë e karakterizon krijimi (poiesis). Kjo letërsi


nuk ka model paraprak. Shkrim i saj është njëherësh fakt, esencë e
procedurë, që krijon modelin e parë, vetanak. E pushton subjektiviteti e
fantazia e pakufizuar, nuk do t’i ngjajë askujt, prandaj e ngrit në vete kultin e
autenticitetit e të origjinalitetit. Qëllim ka Vetënjohjen dhe zbulimin e
Esencës. Shkrimi i saj personal e pasional ngritet mbi trajta të reja, duke iu
shmangur formulave idiomatike. E zotëron shkrimi që çrëndomëson, shikimi
i parë i habitshëm, si i Adamit. Koha, Vendi, Ngjarja, Personazhi janë të
krijuara e të figuruara. Kjo letërsi ka një kontratë të pashpallur me vetëveten.
Shembuj: Kronikë në gur e Ismail Kadaresë, Oh e Anton Pashkut, Sheshi i
unazës e Zejnullah Rrahmanit.

Shkalla e dytë e letërsisë karakterizohet nga rikrijimi (metapoiesis).


Ajo njeh modelet e përparshme, që janë modele të letërsisë. Përpiqet të
rikrijojë modelet duke i transformuar nëpër sprova. Shkrimi i ri mbi
shkrimin e vjetër. Një palimpsest (të përdorim termin homolog të Zherar
Zhenetit). Kjo letërsi kërkon metoda e procedura dhe paragjykon një njohje
të madhe letrare. Dija e lidhur më tepër me kohët moderne, por jo: Homeri
rikrijon mite poashtu si Xhojsi rikrijon tekstin e Homerit. Shembuj në
letërsinë shqipe: Mitrush Kuteli, Tat Tanushi, Anton Pashku, Nën qarr po
rrinte vasha, Ismail Kadare, Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën.

Shembujt përkujtues po sillen nga proza, si zhanër referencial, për të


provuar shkallët e procedurave letrare. Në anën tjetër nuk po përmendim
shembuj nga poezia, e cila është personale e universale duke i ikur
referencialitetit, ashtu si dhe shembuj nga dramatika e cila e mban më vete
iluzionin e imitimit total të modelit jetësor.

13
LITERATURA

1. Sabri Hamiti, Kritika letrare, në Vepra letrare 6, Faik Konica,


Prishtinë, 2002;
2. Sabri Hamiti, Letërsia filobiblike,Letërsia romantike, në Vepra
letrare 7, Faik Konica, Prishtinë, 2002;
3. Sabri Hamiti, Letërsia moderne, në Vepra letrare 8, Faik Konica,
Prishtinë, 2002;
4. Sabri Hamiti, Letërsia bashkëkohore, në Vepra letrare, 9, 10, Faik
Konica, Prishtinë, 2002;
5. Eqrem Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM,
Tiranë, 1994;
6. Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi, I, II, III,
Rilindja, Prishtinë, 1990.
7. Roland Barthes, Le degré zéro de l’écriture, Seuil, Paris, 1953;
8. Gérard Genette, Palimpsestes, Seuil, Paris, 1982;
9. Northrop Frye, Le Grand Code, Seuil, Paris, 1984.

14

You might also like