Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 5

Vasil Premçi

Laku i dashurisë
-tregim-

Inxhinier Sibor Dërgata kaloi një natë të nxehtë me bukuroshen Rebeka Furia, mësuesen
e anglishtes, një vajzë kryeneçe, që rrezëllinte së largu nga hijeshia, si maja e një mali i mbuluar
nga dëbora e parë.
Por, meqënëse gjithçka kishte ndodhur vetëm në ëndërr, i dalldisur nga ajo dashuri e
çartur, pra, frut i egër i “përroit të nëndërgjegjes”, nisi të këshillohej vet më vete me mësimet e
plakushit Frojd për të përkthyer në një farë mënyre kuptimin enigmatik të asaj ëndërre erotike,
që i ishte shfaqur me formën dhe gjuhën e të pavetëdijshmes.
“Asnjë ëndërr nuk është deri në fund e pakuptimtë,- pat vërejtur në studimet e veta
psikologu i famshëm, -në secilën prej tyre shfaqet e vërteta më e lartë,… më e fshehta e
njeriut”.
Kësaj i thonë: I bie pragut, të dëgjojë dera. Kam rënë me të dyja këmbët brënda!- i pohoi
ai vetes, i zënë si në çark. Atë botë iu ravijëzua thënia e petagogut të dikurshëm të anglishtes,
vite më parë, në lidhje me zotërimin (në vend të saj më shumë i pëlqente fjala pushtimin) e
gjuhës së huaj: “Nëse flet në ëndërr në gjuhën e huaj, pra, kur sundon subkoshienca, atëherë or
mik, ke mbërritur në portat e saj!”.
Pasi lau duart me dishepujt e shkencës dhe kulturës, u përpoq të vinte rregull në
mendimet që vazhdonin t’i rridhnin në kokë, si prej një thesi të shqyer, por copëzat e ngjarjeve
të ditëve të fundit, iu ngatërruan më keq me ëndrrat, aq sa tanimë, nuk ishte në gjendje t’i ndante
dhe t’i dallonte nga njëra tjetra…
Me të vërtet e kishte të pamundur! Po cila pjesë e memories ia sillte të gjalla para syve,
me një egërsi që e mrekullonte, trupin e hajthëm, flokët dhe atë krelën e pashtruar mbi ballë të
Rebeka Furias, që, sëbashku me sjelljen krenare, formonin kryeneçsinë e njohur nga të gjithë
meshkujt që i vinin rrotull?! O Zot, sa joshëse ishte ecja e saj! Përballë asaj bukurie farfuritëse,
vështrimet e meshkujve, ishin po aq të pafajshëm, sa pyjet përballë zjarreve të rrufeve.
Askush nuk mund të frenonte dëshirën për t’i parë edhe një herë tjetër, dy kodrat e buta të
gjinjve që hovnin ngazëllueshëm poshtë bluzës së saj pranverore, si nga një tërmet i brendshëm!
Në përpjekjet për të kthjelluar mendimet e fermentuara nga enzimat e dashurisë që kishte
marrë valë, mbështeti kokën mbi pëllëmbët e duarve, me të njëjtin kujdes që tregojmë kur nuk
duam të na derdhet një enë e mbushur plot.

* * *
Kantieri të kujtonte një karvan plot zhumë e poterë të arixhinjve me shumë fëmijë e dajre, me cule
e lecka, qerre dhe kafshë të ngarkuara dingas, shkurt, plot jetë e gjallëri të patreguar, që nuk njeh ndalesë,
por sot qëndron në bregun e një lumi dhe nesër në bregun e një lumi tjetër atje larg... Sidoqoftë,
shtegëtimi drejt thellësive të maleve, i ngjashëm me një manovër ushtarake mashtruese, mbushte me
entusiazëm të përkohshëm popullin e zonës përreth që jetonte në skamje. Muajin e kaluar, punimet e
rrugës malore në fshatin Brisk u ndërprenë në pritje të çeljes së fondeve. Administratori i firmës
së ndërtimit, një burrë gjatosh e tullac, me një vështrim prej skifteri, shkak për të cilin njerëzit
nuk nguronin ta krahasanonin me një skile të vjetër, ua dinte fort mirë rradhën punëve, ndaj dhe
duke përfituar nga firmosja e kontratave një mujore me punëtorët, nuk e pati të vështirë tu
kumtonte ndërprerjen e marrëdhënieve të punës deri në çeljen e fondeve nga prefektura.Nga

1
kantieri zhurmues, tani kishte mbetur një numër aq i vogël njerëzish, sa mund të numërohej me
gishtat e njërës dorë; inxhinier Sibor Dërgata, magazinieri Bake Riza, shoferi Islam Ciku dhe roja
i kantierit Orhan Qysqia. Tablosë trishtuese të sheshit të zbrazur të kantierit, herë pas here i
pikturoheshin edhe dy-tri pula të vetmuara që çukisnin në qejfin e tyre farëra e krimba të vegjël,
aty ku pak orë më parë gëlonin hapat e rëndë dhe të vendosur të punëtorëve.

* * *
Ndërsa nisi të vishej instiktivisht, si një somnambul që ecën symbyllur në një shteg të
ngushtë e drithëroi kërkesa e papritur e Rebekës ditën e djeshme:
-Në se më dashuron, - i pati kërkuar ajo, -duke i hedhur një vështrim të zjarrtë,- të lutem
më sill si dhuratë një lëkurë dhelpre për pallton e re që do të vesh me rastin e...
Nuk e mbante mend rastin që priste të vishte pallton e re bukuroshja kryeneçe. Çfarë
rëndësie kishte në se bëhej fjalë për festën e mësuesit, të gruas. apo për një takim të zjarrtë
dashurie midis tyre? Ishte stepur një hop, sepse ishte inxhinier rrugësh dhe nuk e kishte mbajur
veten kurrë për ndonjë gjahtar të thekur, kushedi çfarë. Për gjueti shkonte kot, sa për qejf dhe
për të vrarë mërzinë në këtë fshat të humbur, ku fati, me sa dukej e kishte mbërthyer me ca
morseta të padukshme dhe po i gatuante të mirën ose të keqen e tij. Atë botë e pikasi se, në këtë
punë kishte gisht dëshmitari i vetëm i ngjarjes së gjuetisë, magazinieri i kantierit Bake Riza,
burimi i lajmit që kishte marrë dhenë, se dhelpra e rënë në lakun e ngritur prej tyre dy ditë më
parë, u kishte lënë shëndetin, duke kafshuar këmbën e saj në shkëmbim të lirisë.
Një mëndje tjetër i thoshte se, sido që të rridhnin ngjarjet, heret apo vonë, çdo dashurie i
duhet të kalojë provën e saj të zjarrit. Dhe ajo, Rebeka Furia, nuk i kishte kërkuar as qiellin dhe
as tokën, por vetëm një lëkurë dhelpre për të zbukuruar jakën e kapotës së saj ngjyrë vjeshte.
Thjeshtë, një kapriçio vajze të dashuruar!- i dha karar mendimeve që i gumëzhinin në kokë.
Ndoshta, dashuria e inxhinierit kishte qenë fryt i vetmisë dhe i papunësisë, por askush nuk mund të
vërë dorën në zjarr për këtë, sepse, cili prej nesh mund të thotë me siguri se, iks ose ypsilon vajzë, që na
ka drithëruar zemrën në dashurinë e pare, sot është bashkëshortja jonë?! Eh, misteret e dashurisë
ngjasojnë me fundin e një oqeani në të cilin nuk ka depërtuar kurrë rrezja e diellit! Por ethet e saj ama, i
vuan njeriu i gjorë gjithë jetën.
Ment ia tregoi Rebekës, pikë për pikë ndodhinë me dhelprën, por në çast e frenoi një thënie që i
vetëtiu në mendje: T’ia besosh fshehtësinë një gruaje është njësoj si t’i kesh fshehur paratë nën
xham. Përse duhej ta vinte veten në siklet? Po sikur të mos e vriste dot dhelprën?
...Hodhi çiften në krah dhe pa i bërë zë magazinierit Bake Riza, mori për nga shtegu që
të çon në pyllin që nxinte atje tej. Jetonte një gjendje shpirtërore të gëzueshme dhe të
mistershme, ndoshta edhe pse mëngjesi i asaj dite farfurinte me një dritë gazmore që të
mbushte plot dashuri për jetën. Por, ku i dihej, kjo dritë, ndoshta buronte nga brëndësia e
shpirtiti të tij të tronditur nga joshja dhe dashuria për mësuesen bukuroshe. Ndërsa ecte, me
armën hedhur krahqafë dhe me duart e rrasura thellë në xhepa, nisën t’i rrëshqisnin para syve
rrethanat e njohjes, muaj më parë, me Rebeka Furian, rrethana të cilat njeriu ka qejf t’i kujtojë
me nostalgji në çdo moshë të jetës.

* * *

Ndërsa solli ndërmend takimin e parë, nuk ishte në gjendje të përcaktonte magjinë që ajo
kishte bërë nga çasti kur e kishte parë atje, në anë të rrugës, duke pritur ndonjë automjet të rastit
për në qytet. Mos vallë kishte rënë në grepin e saj?

2
Instikti i brendshëm i vetmbrojtës e kishte paralajmëruar t’i shmangej sa më shumë asaj bukurie
të parrezistueshme, ndaj kishte bërë gjithçka mundej për t’iu shmanguar siluetës së asaj, që
fekste atje tej, si ai fari mbi mal që u tregon udhën anijeve në detin e hapur.Për të shkuar në
qytet, zgjodhi një rrugë dytësore dhe të paasfaltuar. Por as kjo manovër nuk i ndezi, sepse
mësuesja e anglishtes iu përgjigj me një dhelpëri femre duke i zënë pusi në kryqëzimin e vetëm
ku ndahen të dy rrugët. Me sa dukej, të gjithë lumenjtë derdhen në det…
Lëvizjet e saj, inxhinieri i kishte kuptuar si veprime të rastit, por që në të vërtetë, ato
kishin funksionuar si dhëmbëzat e një ingranazhi të vogël që vë në lëvizje një ingranazh edhe më
të madh, derisa çlirojnë nga frenimi dhe i japin shpejtësinë e duhur trupit të një makine.
Ç’rrjedhë do të merrte dashuria me Rebekën? Mos ajo do të vyshkej dalngadalë, si një
curril i pakët uji që, aty gurgullon dhe po aty humbet në një të çarë shkëmbi? Shkoi nëpërmend
fjalët që kishte shkëmbyer me atë dhe i erdhi keq që nuk ishte në gjendje të shquante cilat prej
tyre i sajonte parreshtur truri i tij i ndezur dhe cilat ia kishte thënë ai në të vërtetë.
Një ditë, në kërkim të zonave të përshtatshme për ngritjen e nyjeve për nxjerrjen e gurëve
për shtratin e rrugës, sëbashku me magazinierin Bake Driza, kishin hyrë në shpellën e Malit të
shiut. Në thellësinë e saj, kishin gjetur katër shishe që mbanin letra në formë tubi.
Ndonëse kishin kaluar shumë vite nga dita kur letrat ishin varrosur në errësirën e thellë
të shpellës, nën nxitjen e një kurreshtjeje përvëluese, inxhinieri u trondit nga përmbajtja e
tyre… Me sa dukej autorët e tyre ishin mësueset dhe ekonomistet e transferuara në këtë fshat të
largët malor fill pas përfundimit të studimeve…
Në të gjitha letrat e zverdhura nga koha, kërkohej me përgjërim ndihma e Zotit për t’i shpëtuar
nga vetmia dhe jeta pa asnjë rrugëdalje. Me një naivitet fëminor ato vinin në dukje moshën e tyre
në zgrip dhe sqaronin se, pa dorën dhe mëshirën e Zotit të pltfuqishëm, ishin të dënuara ta
ngrysnin jetën në këto gërxhe të egra, të vetmuara dhe pa familje…Një hije trishtimi dhe një
shije e hidhur për fatin e vajzave martire i depërtoi thellë në zemër. Për një çast, kujtoi disa prej
arsimtareve të pamartuara, me fytyra rrudhura dhe të plakura, që të kujtonin frutat e thara në
diell, që sot ngrysnin jetën të vetmuara në këtë fshat.
- Ky vend quhet nga vendasit i shenjtë, ndaj është zgjedhur nga vajzat e gjora për t’i
drejtuar lutjet e tyre Zotit!- kishte sqaruar magazinieri Bake Driza me një dritë të ligë gëzimi në
sy, që tashmë gëzonte privilegjin e një sekreti të rrallë njerëzor. Ndoshta kjo ndodhi e kishte
nxitur inxhinier Sibor Dërgatën t’i shihte në një dritë të re marrëdhëniet me mësuesen bukuroshe
të anglishtes Rebeka Furia.

* * *

Pranvera kishte veshur me rrobe të reja dhe një sqimë të veçantë çdo dru e bimë të pyllit,
a thua se prisnin fillimin e një balloje. Tek kundroi drurët e zhytur në një heshtje të paqtë, iu bë
sikur kishte përpara ca balerinë kërcimtarë që mezi prisnin veshngritur tingullin e parë të violinës
së një orkestre të fshehtë, për tu shkrirë në krahët e lakuriqtë të damave në ekstazën e vallëzimit
që gatitej të niste. Dhe, me të vërtet, në atë çast, trungjet e drejtë të drurëve, veshur me bisqe e
gjethe të reja, nisën të përkunden përballë njëri-tjetrit, majtas e djathats, me një hir e fisnikëri të
rrallë, në fillim fare lehtë, pastaj me një ritëm më të fortë, edhe më të fortë, sipas një vije
melodike, që tashmë ia kishte dalë të ngrinte në këmbë çdo degë e gjethe, në një shushurimë
shungulluese, por që nuk mund të bëhej më e ëmbël.
Duke shkelur me kujdes në një shteg të ngushtë përmes shkurreve, rrethuar nga një mori
trungjesh ahu, mbërriti në vendin ku pati ngritur lakun ditë më parë, të cilin e kishte sfiduar në një

3
mënyrë aq të papritur njëra prej dhelprave të pyllit që tani kishte mbetur me tre këmbë. Sa hap e
mbyll sytë, sajoi një plan fare të thjeshtë.Për ta shtënë në dorë gëzofin e saj, do të ndiqte njollat e
gjakut, që, me siguri do ta çonin drejt e tek strofka. I kërrusur dhe i përqëndruar, si të kërkonte
fatin e tij, me armën që e shtrëngonte fort me të dy duart, i gatshëm ta shkrehte në dukjen më të
parë, nisi kërkimin hap pas hapi …
Befas, pjesa pasive e syrit nga e majta e trupit të tij, shquajti hijen e një kafshe që lëvizi
me kujdes midis shkurreve. Me sa dukej, fati që dje e kishte përbuzur, sot po i buzëqeshte. Ngriti
menjëherë armën në sy. Atë çast ndjeu në kraharor një kënaqësi dhe gëzim të veçantë. Iu duk
sikur dhelpra bëri një manovër, si të donte t’i shmangej shenjestrës së tij, por shpejt doli sërish në dritë me të
gjithë trupin e saj, aq sa ai pati rastin t’ia shihte më afër se kurrë ndonjëherë, gëzofin e kuqërremtë, aq shumë
të lakmuar nga e dashura e tij, që, herë fekste atje tej dhe herë zhdukej në morinë e shkurreve të gjelbërta,
njësoj si shpina e një delfini që vezullon fare pak sekonda mbi sipërfaqen e ujit të detit dhe pastaj zhduket
poshtë valëve të tij. Ajo është! Ajo! - nisi të flasë me vete inxhinieri si të fliste me vete.
-Ja ku u takuam sërish, moj mikesha ime e vjetër! Por, sot nuk do të më ikësh më, sepse je me tre
këmbë! Në dylbinë që ia sillte fare pranë gjahun, duke mbajtur frymën pezull, vuri në një vijë shënjestrën
me trupin e saj. Ja, ky ishte dhe çasti më i favorshëm për të tërhiqur këmbëzën e shkrepjes. E ngrohu sërish
ajo ëndërra e nxehtë që kishte përjetuar mbremjen e kaluar me mësuesen bukuroshe... Sigurisht, tani gjithçka
i përkiste fitimtarit. Dhe, po të mos kishte dalluar trupin e një këlyshi të vogël dhelpre, që e ëma e mbante
ndër dhëmbë, ashtu kutullaç dhe të përgjumur, do ta kishte tërhequr këmbëzën e shkrepjes pa mëdyshjen më
të vogël.
Kjo skenë ndodhi në fare pak sekonda.
Dhelpra nënë, pasi u zhduk midis dy gurëve të mëdhenj, u kthye sërish në strofkën e vjetër, duke
mbajtur ndër dhëmbë një tjetër këlysh, i cili, si dhe i vëllai i tij, ngjasonte me një kukull fëmijësh. Këtë
veprim, dhelpra nënë e kreu plot kujdes edhe dy herë të tjera. Vetëtimthi, inxhinieri shkoi nëpërmend
gjithfarë njohurish që kishte mësuar për dhelprat.
…Kafshët barngrënëse dhe mishngrënëse dallohen midis të tjerave edhe nga numri i të
vegjëlve, i cili nuk i kalon asnjëherë dy për çdo pjellje në llojet që jetojnë vetëm me bimësi dhe
se shkon zakonisht përtej këtij numri tek kafshët mishngrënëse. Numëri i gjinjve është dy tek
femrat e kafshëve barngrënëse, ndërsa gjashtë e më shumë tek femrat e kafshëve mishngrënëse...
Atë çast, inxhinier Sibor Dërgata, u ndje si një fajtor i vërtetë. Me shpejtësinë e një vetëtime, nisi ta
kundrojë me një sy tjetër viktimën përballë, që po kryentë një akt të pashembullt amësie.
“Unë kam ardhur i armatosur t’i marr lëkurën kësaj kafshe e cila ditë më parë, këputi këmbën për hir
të vogëlushëve të saj! Detyra për kujdesjen ndaj tyre i dha asaj forcën për tu vetflijuar! Ah,-briti me
keqardhje, laku im, mend i dënoi me vdekje këto krijesa të pafajshme!”
Trimëria dhe dashuria e dhelprës nënë e çarmatosën plotësisht.
-Tani po ndërron strofkën për t’i strehuar në një vend më të sigurt,- pëshpëriti.
Ndjenja e dhimbsurisë e trashëguar qysh nga lindja e shoqërisë njerëzore, që rron brënda nesh,
njësoj si aftësia për tu ngritur, që fle midis dy këmbëve të njeriut, e detyroi inxhinierin të ulte kokën i
prekur thellë në shpirt dhe të fshinte me nxitim me shpinën e dorës një pikë loti që i rrëshqiti mbi mollëza
me shpejtësinë e një saçme mbi xham, përpara atyre krijesave që mend u kishte shkaktuar vdekjen. Tyta e
armës iu rrëzua pranë këmbëve si të peshonte dhjetëra kilogram.
Ndërsa kthehej në kantier i rënë në mendime, me një trazim të dhimbshëm që i pllakosi në
fytyrë, ndeshi në lakun e shkrehur dhe të spërkatur me gjakun e dhelprës nënë, të cilin e flaku tej me neveri.
-Ah,-tha shpirtrazuar, - gabimet e bëra me zemër mund të ndreqen me tru, por gabimet e
bëra me tru, nuk mund të ndreqen dot me zemër! Sa i hidhur qenke o lak i dashurisë! Dhe, pasi i

4
hodhi një sy vendit përreth, nisi të mbledhë nëpër shkurre e driza ca manushaqe të vogla erëkëndëshme, me
të cilat sajoi një tufë për bukuroshen Rebeka Furia.
-Ndoshta këto vlejnë më shumë se gëzofi i një dhelpre!- tha i rënë në ëndërrime.

You might also like