Download as doc, pdf, or txt
Download as doc, pdf, or txt
You are on page 1of 9

Duke shfletuar bllokun e shënimeve:

Dr.DIANA BAKALLI (SHIMA): NDERIM E DHIMBJE PËR JETËN


DHE VEPRIMTARINË E SAJ TË ÇMUAR

- Sipas bisedës së bërë, mbi 10 vjet më parë,


në qytetin Besançon të Francës
-Nekrologjia për të, nga një gazete franceze

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ


publicist e studiues-Tiranë

Dr. Diana Bakalli (Shima)


1.
Këto ditë të festave të fundvitit 2009 dhe Vitit të Ri 2010, pata
kënaqësinë të lidhesha me anën e Internetit dhe të bisedoja, plot
dashuri e mall, me bashkatdhetarin Marlen Bakalli.
Ndër të tjera, bashkërisht, kujtuam dy vizita të miat me
bashkëshorten, Katerinën, më 1998 e 1999, në qytetin Besançon të
Francës, ku jetonte djali ynë i vogël, Altini. Atje Marleni banonte me të
jatin, Hasanin e nënën, Dianën dhe vëllain, Bengun. U miqësuam e
kaluam disa ditë të bukura e të paharruara, duke na pritur bujarisht
dhe në shtëpinë e tyre. Veçanërisht, na lanë mbresa takimet e ngrohta
me Dianën, e cila në atë kohë vuante nga një sëmundje e
pashërueshme.
Në bisedën e bërë tani me Marlenin, mësova se në Besançon
jetojnë e punojnë përsëri i jati, Hasani dhe vëllai, Bengu. Kohët e
fundit, ky bëri dasmën e martesës atje, ku ishte i pranishëm dhe Altini,
me Lorin e Marçelon. Ndërsa vetë Marleni ka disa kohë që jeton e
punon në kryeqytetin Pekin të Kinës.
Përveç dhimbjes e nderimit për Dr. Diana Bakallin, shpreha
kënaqësinë time, kur mësova se i biri, Marleni dëshiron të
përkushtohet për të publikuar dy punime me interes të saj: Temën e
diseretacionit, të mbrojtur në Besançon (Francë) për veprat e
I.Kadaresë dhe një fjalor, ende të papërfunduar. Sigurisht, e
përgëzova për këtë gjë dhe i shpreha gatishëmrinë për të
bashkëpunuar, me mundësitë e mia.
Më poshtë po jap disa të dhëna për punën dhe veprimtarinë e
çmuar të Dr.Diana Bakallit, bazuar në shënimet e asaj periudhe, pra
mbi 10 vjet më parë.

2.
Pasi lemë prapa tokën e Italisë dhe kalojmë tunelin e gjatë të
Malit të njohur me borë të përhershme, "Mont Blan"(Mali i Bardhë),
përpara na shpaloset një pamje e bukur. Përveç gjelbërimit të pafund,
ndërtesave me shijë etj., shihen të stërgjatura rrugët e autostradat që
gjarpërojnë deri tutje në horizont. Udhëtojmë nëpër qytetin e madh e
të zhurmshëm te Lionit dhe pastaj rruga na çon në qytetin e Dizhonit, i
afërt për artistët tanë popullorë dhe i njohur nga publiku shqiptar për
fesivalet folklorike, që janë zhvilluar dikur aty.
Më në fund ndalojmë në një qytet tjetër piktoresk, me një shtrirje
relativisht të madhe e me një popullsi afër 200 mijë banorë. Ky është
Besançoni. Kur shkelëm për herë të parë aty, na u kujtuan fjalët e
ambasadorit francez në Tiranë, z. Patrik Krisman, i cili e sillte
ndërmend këtë qytet me dashuri dhe kujtonte borën, që e mbulon
gjelbërimin e tij mjaft shpejt, para fundit të vjeshtës.
Në Besançon nuk kishin shkuar shumë emigrantë shqiptarë, siç
ka ndodhur në ndonjë qytet të Italisë, p.sh. në Asti e gjetkë, ku si i
thonë fjalës, në çdo hap takon një bashkatdhetar. Megjithatë, gjatë
krizës kosovare edhe në Besançon kanë nisën të shtoheshin
shqiptarët. Pra, pas familjes së Diana e Hasan Bakallit, Altinit e Astrit
Kolës dhe ndonjë tjetri, aty gjetën strehë e jetuan disa të ikur nga lufta
në Kosovë. U interesuam të dinim se kush komunikonte me ta në
gjuhën amtare. Aty për aty, përgjigja ishte: "Me autoritetet franceze
ndërmjetëson dr. Diana Bakalli, që e njeh mirë frengjishten dhe na
ndihmon me çfarë mundet".

Nga e majta: Murati, Diana, Katerina e Hasani, Altini e Marleni


( Besançon-Francë, tetor 1998 )
3.
U takuam me Diana Bakallin në shtëpinë e saj, aty në katin e
parë të një ndërtese karakteristike të qytetit të Besançonit. Që jashtë
dëgjoheshin tingujt e violinës, të cilës nuk i binte aq bukur vetëm
bashkëshorti, Hasani, por dhe djemtë e saj, Bengu e Marleni. Ju lutëm
asaj të na fliste diçka rreth jetës së saj. Ndër të tjera, ajo tregoi:
"Kam lindur në Tiranë, më 11 maj 1953. Shkollën fillore e të
mesme i krevs në vendlindje. Pas mbarimit të maturës në Tiranë, më
dërguan një vit në Besançon, pra që të përgatitesha për shkollën e
lartë, në degën e letërsisë frënge. Iu përkushtova arritjes së këtij
objektivi dhe munda që ta fitoj të drejtën për t'i vazhduar studimet me
bursën e Francës, në Universitetin e Sorbonës".
Gjatë kësaj periudhe ajo e lidhi jetën me muzikantin e talentuar
Hasan Bakalli (biri i mjekut të dëgjuar, dr. Qazim Bakalli). Meqenëse
ky ishte "me biografi të keqe", Dianën e kthyen në Shqipëri. Këtu i
vazhdoi studimet e larta për degën e gjuhës frënge dhe u diplomua në
vitin 1977. Një vit e bëri stazhin në Peshkopi dhe më vonë e emëruan
mësuese të frëngjishtes në shkollën e mesme të ndërtimit, në
Elbasan. Atje e kishin dëguar me punë bashkëshortin e saj, Hasanin.
Gjashtë vjet dha mësim në Universitetin "A.Xhuvani". Ndërsa më
1987, duke parë përgatitjen e saj, Dianën e sollën me punë në
Institutin e Studimeve Pedagogjike, si specialiste për gjuhën frënge
dhe letërsinë për fëmijë. Me zell e aftësi përgatiti disa tekste të
frëngjishtes dhe iu fut punës për përgatitjen e disertacionit, me temë
nga letërsia për fëmijë. Atë e mbrojti me sukses në janar 1991 dhe
mori gradën "Kandidate e shkencave"(konvertuar më vonë në
"Doktore e shkencave").
Por ishin disa "plagë" të vjetra, të cilat e bënin të lëngonte pak
nga pak familjen e re Bakalli. Prandaj në prill 1991, ata ndërmorën një
hap të dhimbshëm: u larguan nga Shqipëria për një jetë më të qetë
dhe më të mirë. U vendosën në Besançon, ku Diana kishte kaluar një
vit të bukur të rinisë së saj. Këtu gjeti përkrahjen dhe mbështetjen e
organeve qeveritare vendëse. U regjistrua si pasuniversitare në
Fakultetin e Letërsisë e Filologjisë dhe aty përgatiti temën për doktore
e shkencave me temë: "Ismail Kadare, përçues i fjalës shqipe në
Evropë". Kështu, në vitin 1996 ajo mori në Francë gradën "Doktore e
shkencave në letërsi".
Gjatë këtyre viteve, siç pohonte vetë Diana, i lanë mbresa
sidomos takimet me mësueset e gjuhës frëngë, që kanë shkuar në
Besançon nga Shqipëria, në kuadrin e "Aleancës Franceze". Atyre u
ishte gjendur pranë dhe bashkëpunoi sipas mundësisë, që i paraqitej.
Gjithashtu, u aktivizua si përkthyese pranë Gjykatës së këtij qyteti dhe
në zyrën e emigracionit.
Në shtëpinë bujare të Diana Bakallit (ajo më këmbë),
Besançon (Francë), nëntor 1999
4.
Veçanërisht e dukshme ishte ndihmesa e Dianës gjatë luftës së
zhvilluar në Kosovë. Të përndjekur nga serbët, prej kampeve të
Maqedonisë shkruan në Besançn disa familje kosovare, afër 300 veta.
Aty gjetën përkrahje dhe kushte të mira për jetesë, në sajë të kujdesit
të autoriteteve franceze. Në njërën nga qendrat e emigrantëve
kosovarë, që nga marsi 1999, Diana u caktua punëtore sociale. Ajo u
tregua e palodhur, si motër apo nënë e vërtetë, që t'ua lehtësonte
dhimbjen sadopak fëmijëve dhe të moshuarve kosovarë. Kështu,
ndërmjetësonte për probleme të ndryshme familjare të tyre, për
plotësimin e dokumenteve të kërkuara, për gjendjen shëndetësore,
për sistemimin e fëmijëve në kopshte e shkolla etj. Ndërsa në dy
qendra me emigrantë kosovarë në qytet u mor me shpërndarjen e
ndihmave, të dhëna nga banorët ose shoqatat e ndryshme. Me
rëndësi ishin dhe shoqërimet, që u bënte emigrantëve kosovarë gjatë
organizimit dhe zhvillimit të veprimtarive të ndryshme. Kështu, bashkë
me ta shkoi në disa pika turistike, historike e kulturore, si në muze,
pishina, kinema etj. Bashkë ata bënë dhe një vizitë në Strasburg.
Kujdes të veçantë tregoi dr. Diana për shkollimin e fëmijëve të
emigrantëve kosovarë. Me kujdesin e saj, për ata, në shtator të atij viti
u blenë libra e fletore, çanta e pajisje të tjera shkollore dhe rroba etj.
Në këtë qytet vijuan 8 fëmijë shqiptarë kopshtin, 8 shkollën tetëvjeçarë
dhe 4 të mesmen. Për ata, u organizua një kurs intensiv për mësimin
e gjuhës frënge, ku ajo dha ndihmesën e saj të pakursyer.
Por Diana nuk e quante detyrën të kryer me kaq. Përkundrazi,
interesimi i saj nuk mungoi as për mbarëvajtjen e fëmijëve kosovarë
në mësime, për ushqimin e tyre gjatës ditës etj. Ndoqi nga afër
përparimin në mësime të nxënësve, sidomos në përvetësimin e
gjuhës frënge, ku ata hasin dhe vështirësi të natyrshme. Për këtë gjë,
ajo tregonte:
"Sidomos tri vajza të familjes Milazim Mehmeti: Edona, Besa e
Ardita kanë përparuar në mësime. Por dallohen edhe Jonxha Venhari,
Memedali Shabani etj. Interes në përvetësimin e frëngjishtes
paraqesin edhe të rriturit. Në këtë drejtim nuk mungon ndihma e
kujdesi që nga Prefektura dhe Departamenti Social i Besançonit. Tani
kemi në rend të ditës dhe shkollimin në gjuhën amtare të fëmijëve
shqiptarë. Ne do të përpiqemi të përfitojmë dhe nga përvoja, që është
grumbulluar në këtë drejtim nga Komuniteti Shqiptar në Nju Jork,
Bruksel etj. Kënaqësia jonë dhe e gjithë prindërve do të jetë atëherë,
kur fëmijët shqiptarë të mësojnë këtu edhe në gjuhën shqipe. Për këtë
gjë të gjithë janë optimistë, si prindërit dhe fëmijët e tyre".
5.
Në fund të këtyre shënimeve dëshirojmë të flasim diçka shkurt
dhe për punën, që ka bërë vite me radhë në Besançon, bashkëshorti i
Dianës, Hasan Bakalli. Ai ka dhënë mësime violine në shkollën e
muzikës së Vezulit dhe në qendrat muzikore të qytetit. Është dalluar
dhe si violinist, në veprimtaritë e ndryshme të orkestrës simfonike të
Besançonit e Mohbeliarit.
Por dhe të dy djemtë e tyre, Bengu e Marleni ndoqën me pasion
rrugën e të jatit, pra kanë qenë të pasionuar pas muzikës. I pari i bie
violinës dhe i dyti violinçelit. Së bashku kanë marrë pjesë në
veprimtaritë e ndryshme muzikore, që janë organizuar aty, larg
Atdheut.
Si Diana, Hasani dhe djemtë e tyre nuk i shkëputën asnjëherë
lidhjet me vendlindjen. Këtë e kanë realizuar përmes takimeve me
vizitorë të ndryshëm shqiptarë, me letra, telefonata etj. Gjithnjë kanë
qenë në dijeni të zhvillimeve demokratike në Shqipëri e në Kosovë
dhe kanë uruar nga zemra, që të përparojmë pandërprerë drejt
familjes së madhe evropiane.
X X X
Në mbrëmjen e datës 5 prill 2001, në familjen e njohur Bakalli,
te mjeku Qazim e mësuesja Meleqe, por dhe në familjen Shima të
kryeqytetit Tiranë, erdhi një lajm mjaft i trishtuar: Kishte ndërruar jetë,
nga një sëmundje shumë e rëndë, në qytetin Besançon të Francës,
njeriu i tyre shumë i dashur, mësuesja dhe intelektualja e palodhur,
Dr. Diana Bakalli (Shima).
Pra, puna e palodhur dhe planet e guximshme, Dianës iu prenë
në mes. Vdekja e saj pikëlloi pa masë bashkëshortin, Hasanin dhe dy
djemtë, Bengun e Marlenin, pjesëtarët e familjes Bakalli dhe asaj
Shima, me nënën Fatbardha e babain Neki, tri motrat e vëllain dhe
tërë të afërmit e të njohurit e shumtë, që e deshën dhe e respektuan
aq shumë. Por ajo la pas një emër të mirë dhe një veprimtari të
dobishme, në shërbim të Atdheut dhe edukimit të brezit të ri. Prandaj
do të jetë e paharruar për të gjithë.
Në ato ditë (më 18 prill 2001), u publikua për Diana Bakallin dhe
një shkrim nga unë, në gazetën javore “Mësuesi”, botim i Ministrisë së
Arsimit dhe Shkencës, në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, në atë
muaj shkrova një artikull tjetër në gazetën lokale, afë Gjakovës së
Kosovës, “Ylberi i Zogajve” (Tropojë) dhe në gazetën “Rilindja” të
Kosovës, që në atë periudhë dilte në Tiranë.
Por nuk e kaloi në heshtje këtë ngjarje të dhimbshme as shtypi
në Francë. Më poshtë po japim përmbajtjen e një shkrimi të botuar, në
kujtim e nderim të Dr.Diana Bakallit, në gazetën franceze “L’est
republikain” (Lindja Republikane), më 13 prill 2001. Autor i shkrimit
është Joël Mamet dhe është përkthyer nga vjehrri i saj, Dr.Qazim
Bakalli.
------------------------------------------------------
Nekrologji:
KUJTIM SHUMË I DHIMBSHËM PËR DIANA BAKALLLIN
(Sëmundja e pashërueshme e mori këtë shqiptare 47-
vjeçare, e cila kishte veçse miq, qyshë prej ardhjes së saj në
Besançon, para 10 vjetësh)
Grua shpirtmadhe dhe plot guxim, njëkohësisht letrare e
shkëlqyer, është kujtimi që la pas Diana Bakalli, e cila ndërroi jetë më
5 prill 2001, e prekur nga një sëmundje e pashërueshme. Do t’i
mbushte 48 vjet, më 11 maj të vitit të ardhshëm.
Shkrimi për Diana Bakallin, në gazetën franceze
të Besançonit, “L’est republicain” (Lindja Republikane)

Ka plot 10 vjet që kjo shqiptare, e etur për liri, kishte ikur prej
diktaturës, që kishte pushtuar Atdheun e saj dhe ishte strehuar në
Besançon, bashkë me dy djemtë. Mbas kalimit të shumë vështirësive,
burri i saj mundi të bashkohej me ta, dy vjet më vonë. Që nga ajo
kohë, kjo familje mikpritëse dhe e ngrohtë, nisi ta ndërtonte jetën e saj
në mënyrë të hijëshme në Francë, atdheu i dytë i saj.
Përkthyese e tregimeve për fëmijë, autore e një teze (punimi),
që i kushtohet shkrimtarit Kadare, Diana mbrojti shkëlqyeshëm
Doktoraturën, në Fakultetin e Letërsisë, në Magevand, më 1996.
Ishte përkthyese e besueshme për gjuhën e vendlindjes së saj,
pranë gjykatave franceze. Prandaj kishte luajtur rol shumë të
vlefshëm në pritjen e emigrantëve nga Kosova, në krahinën tonë, në
dy vitet e fundit.
E dalluar për aftësitë dhe humanizmin e madh të saj, ajo gjeti
punë pranë CADA (qendër e pranimit të kërkesave të emigrantëve për
azil), qyshë nga vera e kaluar, në Sanacotra të Besançonit.
Sëmundja e rëndë e kishte prekur, së pari, më 1998, duke e
lënë pastaj në një farë qetësie. Por iu shfaq përsëri, në shtatorin e vitit
të kaluar. Sëmundjes së pashërueshme, ajo i bëri ballë me shumë
dinjitet, duke vazhduar pandërprerje punët e saj profesionale dhe
duke duruar dhimbjet, gjithnjë e më të mëdha, të cilat më në fund e
morën.
ISHTE FLORI I GJALLË
“Ishte flori i gjallë. Një yll në qiell, që tashmë na ruan neve”,-
shkruan në mënyrë të dhimbshme njëri prej djemëve të saj, Marleni,
në një letër, që i drejtonte gazetës sonë.
Marleni është 23 vjeç dhe Bengu 20 vjeç, dy djemtë e saj. Në
sajë të punës e kulturës së tyre, ata e zotërojnë shkëlqyeshëm gjuhën
tonë frënge. Marleni vijon studimet për tregëti ndërkombëtare, pranë
IMEA të Besançonit, pa lënë në harresë violinçelin. Ndërsa Bengu
është student për violinë, në Konservatorin e Muzikës të qytetit të
Lionit. Violinën e luan aq mirë i jati, Hasani, muzikant në orkestërn e
Besançonit dhe është profesor, për këtë vegël, në shkollën e qytetit
Vesoul.
Gjatë ceremonisë mortore, që u krye të shtunën e kaluar në
faltoren e qytetit tonë, nga meshtarët u lexuan pjesë të Kur’anit e të
Biblës (sepse Diana ishte myslimane, në origjinën e saj). Me këtë
rast, të tre ata, pra Hasani, Marleni e Bengu, luajtën pjesë muzikore
për shpirtin e Dianës: një arie të Chostakovitch, të cilën e pëlqente
shumë e ndjera. Aty Hasani solli ndërmend vitet e rinisë së tyre dhe u
shpreh: “E kam dashur, që nga takimi ynë i parë, kur isha 19 vjeç...”.
Muzika do të mbetet mjet lidhjeje me këtë bashkëshorte të mirë
dhe këtë nënë aq të kujdesëshme. Hasani dhe Bengu do të mendojnë
shumë shpesh për atë, duke luajtur bashkë, të 44 duos të Bartok, më
18 majin e ardhshëm, në skenën e Teatrit Bacchus. Ndërsa Marleni
shkruan aq mirë, kur thotë: “Sikur harrohen problemet tona, në mesin
e tingujve dhe buzaqeshjeve...”.
(JOËL MAMET, nga gazeta “L’ est republicain” (Lindja
Republikane), Besançon-Francë, më 13 prill 2001)

You might also like