Professional Documents
Culture Documents
Ukshin Hoti Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare
Ukshin Hoti Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare
Ukshin HOTI
Recenzentë:
Shaban Sinani
Moikom Zeqo
Kopertina:
Lisian Zoto
Korrektura:
Flora Hasani
Shtëpia botuese
ROZAFA
Tiranë
U shtyp në
Tipografinë Ushtarake
Tiranë, 1995
______________________________________
Në vend të parathënies
Moikon Zeqo
Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën
dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit "Filozofia politike e çështjes shqiptare" të Ukshin
Hotit.
Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër.
Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal
dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind
të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e
përfaqëson denjësisht.
Dhe kam besuar akoma më shumë tek idetë e pavdekshme.
Kam shpresuar te forca e pamposhtur e njeriut shqiptar.
Kam parandjerë se historia nuk humb, nuk e asgjëson kurrë vetveten, nuk është vetëm një
vorbull e marrëzishme apo cikël i përjetshëm humbjesh absurde, nuk është aspak një
"perpetuum mobile" ekzistencial i një jete të rreme, i një kronologjie të rreme, i një statu
kuoje fatale.
Kam rigjallëruar vetëdijën time.
Kam luftuar dhe kam fituar mbi vetminë, mbi dëshpërimin, mbi degradimin e neveritshëm,
mbi kultet dhe mbi tabutë, mbi përçarjen e përbindshme, mbi mungesën e stimuluar të
perspektivës, mbi vdekjen e programuar dinakërisht dhe kafshërisht të kombit.
Kam besuar jo vetëm tek idetë e pavdekshme, po akoma më tepër, tek interesat dhe tek të
drejtat e pavdekshme dhe të patjetërsueshme të kombit.
Kam kuptuar se humbjet janë të përkohshme. Se disfatat potencialisht mund të kthehen në
fitore.
Kam analizuar edhe një herë rrethanat antishqiptare për të mësuar se si mund të kthehen në
shanse shqiptare.
Se filozofia politike e çështjes shqiptare buron nga filozofia e historisë shqiptare, e
pashkëputur nga filozofia e historisë botërore.
Se kënga funebre e mjellmës nuk mund të jetë edhe kënga e fluturimit të lirë të shqiponjës.
Se vonesat historike mund të jenë deri diku vonesa kalendarike po aspak edhe vonesa
shpirtërore e sidomos mendore.
Se në fundin e mijëvjeçarit të dytë ne shqiptarët nuk do të kemi asnjë apokalips.
Se mijëvjeçari i tretë është Shpresa e Madhe, me substancën e shenjtë dhe ndjellandritëse të
realitetit.
Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar.
Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga
dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të
çështjes shqiptare.
Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të
padobishme.
Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit
intelektual.
Duke e lexuar këtë libër m'u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar
Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: "Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe
diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, -shton ai, -do ta paraqesin
para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet
dhe të stoliset me fjalë të bukura."
350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të
historisë.
Ukshin Hoti e konsideron politikën si një modus operandi të pashkëputur nga moraliteti
historik dhe i perspektivës. Sipas Aristotelit, vërtetë njeriu është "kafshë politike" po në ato
kushte dhe rrethana që e realizojnë historinë, jo si një zoologji instinktive, po si një politikë
mbikafshore dhe tërësisht njerëzore, pra të kthimit të kafshës në njeri dhe jo të njeriut në
kafshë, rrjedhimisht, të politikës në histori dhe jo të historisë në thjesht politikë.
Politika si teori e një pozitivizmi shkencor, si art, si funksionalitet, si tërësi kategorishë
institucionale, është një gjë jashtëzakonisht serioze dhe e rëndësishme. Politika si
operacionalizim i teorisë është e suksesshme në raport të drejtë me vërtetësinë racionale dhe
vizionare të vetë teorisë, në përputhjen adekuate të teorisë me realitetin. Sociologjia politike
ka karakter progresiv, e kushtëzuar nga këndshikimi, nga premisat dhe thelbi i socialitetit e i
zhvillimit të saj. Bota si politikë e një hierarkie bizantine të elitës nuk mund të jetë edhe botë e
njeriut kolektiv si popull, sepse homo politikus-i nuk mund t'i kundërvihet e ta asgjësojë homo
homonis-in që e parakupton edhe homo etnikus-in.
Nocionet politike që shpesh janë shumë relative dhe aspak tabu të primitivitetit të së
kaluarës, nuk mund të jenë gjithmonë dhe in infinitus shtrat i Prokrustit.
Nocionet politike burojnë nga historia e vërtetë dhe jo nga historia e falsifikuar. Ato janë
instrumente të njeriut që merret me politikë, për ta "asgjësuar" një ditë vetë politikën, dmth.,
për ta bërë atë të panevojshme, mbasi kështu njeriu do ta realizojë vetveten si qenie e plotë
njerëzore, pa qenë nevoja që të jetë vetëm qenie politike. Ky kuptim filozofik i politikës është
i përjetshëm dhe i pakundërshtueshëm.
Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok,
dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar.
Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike
në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro-amerikane nuk duhet
t'i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga
luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë.
Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal,
ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të
drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një
barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e
brendshme e padeformueshme. Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e
dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë,
apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb
handikapat, ose një manekin i skenës.
Historia politike e fundit të shekullit XX me bipolarizimin, me prishjen e Murit të Berlinit,
me projektin e Evropës së Bashkuar etj., është në fakt një materie e gjallë përplot kontradikta.
Naiviteti në të kuptuarit e këtyre kontradiktave është i pafalshëm. Këto kontradikta duhet të na
e mprehin vetëdijen akoma më shumë ne shqiptarëve. Nuk mund të jetë dhe nuk ka liri
themelore të njeriut pa lirinë e tij etnike. Të drejtat civile nuk i mohojnë të drejtat që e
strukturojnë këtë liri etnike. Në këtë kuptim, demokracia e nënkupton atdhetarizmin dhe
atdhetarizmi është shprehje e demokracisë, në atë masë që lejon të realizohet liria e lirive të
njeriut dhe të kolektiviteteve etnike të secilit njeri në botë.
Kombi shqiptar është i pjesëtuar padrejtësisht në struktura shtetërore të huaja dhe të
ndryshme, duke qenë de facto një subjekt etnik i papjesëtueshëm dot.
Ky komb po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po
duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka
vetëm në imagjinatë.
Lufta e kombit shqiptar për liri nuk ka pse të instrumentalizohet si një luftë me terma fetarë
midis kristianizmit ortodoks serb dhe muslimanizmit fundamentalist shqiptar. Kjo gjë është
një absurditet.
Te shqiptarët, ku ekziston një pluralitet feshë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë një fetarizëm i
lidhur me qenien etnike. Fundamentalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje idiote dhe e
kotë. Nga ana tjetër, teoria e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën është e
papranueshme nga Karta e OKB-së, ku të paktën juridikisht nuk njihet asnjë formë e
kolonializmit, sepse nuk përputhet me parimet universale të të drejtave të njerëzve dhe të
kombeve.
Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës
është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është
kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizimit të saj të ardhshëm.
Politika shqiptare e një rezistence pasive është një degradim dhe falsifikim i vetë gandizmit,
i cili çoi në pavarësinë e Indisë. Rezistenca si afirmim është e ndryshme nga rezistenca në
heshtje e humbjes së personalitetit.
Për Ukshin Hotin kompleksi i inferioritetit të kombit shqiptar është një fatalitet që duhet
kapërcyer. Nuk mund të ketë histori të shqiptarëve të bërë nga të tjerët, po ka histori të
shqiptarëve të njohur më në fund nga të tjerët.
Nga kompleksi i inferioritetit kombi shqiptar ka pësuar disa herë disfata gjatë historisë dhe e
ka viktimizuar vetveten.
Nga kompleksi i inferioritetit humbet perspektiva dhe tabuizohet statukuoja.
Nga kompleksi i inferioriteit nuk do të ketë asnjëherë kapërcim të Rubikonit në historinë
tonë, që është një kapërcim nga ferri në purgatorin e një të ardhme më shpresëndjellëse.
Prandaj ky libër me plot argumente është kundër kompleksit të inferioritetit.
Prandaj ky libër është një pasqyrë morali për secilin nga ne, një monument sigurie dhe
vetëdieje.
Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi
mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë
serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës.
Sot Ukshin Hoti është i burgosur. Por që nga burgu, ai na i dërgon akoma më i plotfuqishëm
dhe madhështor mesazhet e tij të urta dhe afatgjata.
Ai është një intelektual i martirizuar dhe kjo ka një kuptim të vërtetë dhe të madh. Është
vetë kombi shqiptar një komb i martirizuar. Për çdo intelektual shqiptar, të veshur me
këmishat ceremoniale të konferencave të shtypit, të masmedias, të mjediseve moderne të
aeroporteve dhe të hoteleve luksoze, imazhi i këtij të burgosuri është një thirrje për ballafaqim
moral dhe shpirtëror.
Vetëdija e tyre duhet të bashkohet me vetëdijen e tij për të mos u tjetërsuar.
Historia nuk e pranon asnjë lloj alibie, qoftë e formuluar mjeshtërisht, si truket e
prestidigjitatorëve të paarritshëm. Historia është mbi individët, dhe individët bëhen të saj në
atë kuptim kur ata shndërrohen në histori.
Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.
Çdo e vërtetë shkencore, qoftë "e kohëshme" ose jo, sikurse dhe çdo shkencë, është në
funksion të diçkafit, ose në funksion të interesave të caktuara. Shkenca, apo shkencat politike,
gjithashtu nuk bëjnë përjashtim nga një rregull i tillë. Natyrën dhe karakterin e interesave të
tilla nuk e përcakton shkenca por raporti i forcave, vetë bartësit e atyre interesave. Meqenëse
politika ka të bëjë me rregullimin e punëve shoqërore (të hetojë raportin midis aparencës dhe
qenësisë së gjërave në dobi të emancipimit) atëherë është e kuptueshme (deri diku) që
shumica e njerëzve e identifikojnë shkencën me mjeshtërinë politike. Në raste të tilla harrohet
se politika është lëndë me të cilën merret shkenca politike. E vërteta "e kohëshme" e politikës
shndërrohet në objekt sundimi të së vërtetës shkencore të shkencës politike.
Politikën si veprimtari shoqërore Adolf Bibiçi e definoi si "veprimtari shoqërore...që ka të
bëjë me rregullimin e pozitës së njeriut dhe të elementeve strukturale të shoqërisë së bazuar
mbi ndarjen shoqërore të punës". Veprimtaria e tillë në shoqëritë klasore para së gjithash e
rregullon pozitën e klasave në "raportin e përgjithshëm të prodhimit". Në qoftë se një gjë e
tillë rregullohet përmes shtetit "atëherë është fjala për politikën në kuptimin e ngushtë, në
qoftë se subjektet e kësaj veprimtarie janë çfarëdo, mendohet për politikën në kuptimin e gjerë
"(shih A.Bibiç, Politicka Znanost, Predmet i Sustina, Hrestomatija Politicke Znanosti, Zagreb,
1971). Nga kjo del se komponenta kryesore, e cila lejon që një veprimtari e caktuar ta ketë
vulën e politikës, e të quhet politike dhe jo p.sh. ekonomike etj., është e lidhur me rregullimin
e pozitës së njeriut në shoqëri dhe të elementeve strukturale të shoqërisë. Mirëpo Adolf
Bibiçi duket sikur nuk është plotësisht i saktë, sepse rregullimi i pozitës së njeriut në shoqëri
nuk e nënkupton statizimin e asaj pozite, pa e marrë parasysh nivelin. Është në natyrën e
njeriut që të mos jetë i kënaqur me pozitën e vet në shoqëri dhe që vazhdimisht të luftojë për
avancimin e saj. A.Bibiçi andaj e bën definimin e politikës nga pozitat dominante shoqërore:
"Politika është veprimtari që merret me rregullimin e pozitës së njeriut në raportet e
produksionit në shoqëri" dhe -mbaroi puna! Sikur politika të kishte qenë e suksesshme dhe ta
bënte një gjë të tillë lidhur me pozitën e shqiptarëve në shoqërinë jugosllave, nuk do të kishte
pasur nevojë që ata të kërkonin republikë. Flamanët në Belgjikë, p.sh. nuk kishin pozitë edhe
aq të keqe në shoqërinë belge, e sidomos jo në raportin e produkcionit, por megjithatë e
kërkonin vazhdimisht përmirësimin e saj. Ndërkaq pozita e shqiptarëve në Jugosllavi nuk
kishte qenë në rregull. Përmes aktivitetit politik ata e kërkojnë jo vetëm rregullimin e pozitës
së tyre autonome (vazhdimisht më të mangët nga të tjerët) por në radhë të parë avancimin e
asaj pozite në nivelin e Republikës së barabartë me republikat tjera. Për këtë shkak duket më i
arsyeshëm definimi i politikës si aktivitet për rregullimin dhe avancimin e pozitës shoqërore
të subjekteve të saj d.m.th. të njeriut. Këtë veçori të politikës e vë re një numër i
konsiderueshëm i autorëve nga vendet në zhvillim. Ahmed Seku Ture, p.sh., duke e theksuar
me ngazëllim të tepruar këtë veçori të saj, politikën e merr si nënë të të gjitha shkencave: "Në
qoftë se ndokujt, -shkruan ai, -politika i duket lojë, mjeshtëri për t'u nxjerrë nga vështirësitë,
ose për t'i mashtruar të tjerët, për partinë tonë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo është
shkencë mbi jetën shoqërore. Politika shndërrohet prandaj në shkencë që e mundëson
përdorimin e shkencave të tjera në dobi të njeriut dhe të shoqërisë. Me anë të saj, dhe përmes
saj, njeriu e kupton se ligji, e vërteta, shkenca, vlejnë për aq sa i kthehen popullit, i cili,
njëkohësisht, është objekt i të gjitha përkujdesjeve tona. Andaj e përgjithshmja është në
shërbim të individit, ashtu si individi duhet ngritur në nivelin e së përgjithshmes (shih Ahmed
Sekou Toure, Demokratska Revolucija, në librin e Ivan Vekoviqit "Afrika i Socijalizam",
Beograd 1976)". A.S.Ture ishte Kryetar i Partisë Popullore Demokratike dhe i RD të Guinesë
- Konakri. Më 1958 De Goli qe hidhëruar me të sepse ai nuk ia kishte pranuar propozimin që
Guineja, pas fitores së pavarësisë, të mbetej anëtare e Unionit francez. Për këtë arsye Franca i
tërhoqi nga Guineja të gjitha shërbimet dhe të gjithë konsultantët e vet, por Seku Ture
megjithatë mbeti demokrat, ndoshta vërtetë i "tam-tamit", siç do ta quanin kundërshtarët e tij,
por sidoqoftë demokrat. Në këtë kontekst ishte fare e natyrshme që ai ta mbitheksonte rolin e
faktorit politik në zhvillimin e vendit të tij dhe të politikës si shkencë e shkencave, por e
vërteta shkencore prapseprapë nuk mund të reduktohet në utilitarizëm të kulluar. Ajo e
përmban në vete edhe të vërtetën e "kohëshme", por edhe atë për vete, të vërtetën për hir të
ngritjes, por edhe të destruksionit (p.sh. hulumtimet në sferën e atomistikës).
Najdan Pashiqi, një përfaqësues tjetër eminent i mendimit politik të Jugosllavisë, kuptimin e
politikës e lidh me dukuritë politike të cilat gjithmonë janë të dykuptimshme: 1. ato mund të
konsiderohen si aksion i vetëdijshëm i subjekteve të ndryshme të veprimit politik, por edhe si:
2. "realitet objektiv i raporteve politike, kompleks i fuqive politike", me një fjalë, "realitet i
raporteve politike" (shih N.Pashiq, Klase i Politika, Beograd, 1968). N.Pashiqi në të vërtetë e
bën operacionalizimin e botëkuptimit francez mbi politikën ose më sakt, mbi dy aspektet e
politikës, për të cilat flet Moris Dyverzhe (shih Moris Diverzhe, Uvod u politici, Beograd
1966) duke i krahasuar me dy fytyrat e perëndisë Janus (shih Vojtech Zamarovsky, Heronjtë e
miteve antike, Rilindja, 1985).
Në fjalorin latinisht-shqip (Henrik Lacaj, Filip Fishta, Rilindja, Prishtinë, 1980) fjala art
(ars) përkthehet me fjalët: mjeshtri, muzë, por edhe dredhi, dinakëri, dhelpëri. Politika si
aktivitet për rregullimin e pozitës së njeriut në shoqëri, si aksion i vetëdijshëm i subjekteve
politike, si intelekt llogaritës, si "policy", "issue" etj., për rregullimin e konflikteve në shoqëri
konsiderohet art, mjeshtëri. Puna është se arti inspirohet me të bukurën dhe të mirën. Ndërkaq
metodat me të cilat realizohet e bukura dhe e mira në art mund të jenë gjithashtu të bukura por
mund të jenë edhe jashtë saj, siç ngjet zakonisht me kushtet në të cilat realizohet ndonjë vepër
artistikisht e bukur. Dredhia, dinakëria dhe dhelpëria mund të hyjnë në kuadër të mjeshtërisë
së artistit për të realizuar të bukurën. Me këtë rast përsëri do të mbeten art, sepse qëllimi
(vepra e bukur artistike) e përcakton përmbajtjen e tyre si aftësi të artistit për të paraqitur të
bukurën. Mirëpo ato mund të jenë edhe metoda, madje prioritare, të ndonjë imitatori apo
falsifikatori të veprave artistike. Në rast të tillë këta do të bënin pjesë në mjeshtërinë e
imitacionit, të falsifikimit dhe të hajdutllëkut. Përmbajtja e qëllimit të imitimit (p.sh. për të
gënjyer opinionin me qëllim të përfitimit material) do t'i klasifikojë si të pamoralshme dhe të
dëmshme për njerëzit. Në politikë gjërat qëndrojnë njësoj si edhe në art, por konsekuencat e
njërës dhe të tjetrës janë të pakrahasueshme. Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të
kënaqen shumë njerëz, me ndonjë vepër të bukur politike mund të shpëtojë një popull apo më
shumë sish si dhe anasjelltas, me veprën e falsifikuar mund të dëmtohet blerësi ndërsa me
politikën e falsifikuar mund të dëmtohen popujt. Nuk lypset ndonjë mençuri e veçantë për të
kuptuar se konceptimi i politikës si art apo mjeshtëri, veçuar nga morali shoqëror, i përgjigjej
(në të kaluarën) borgjezisë në formim e sipër, por jo edhe asaj tashmë të formuar, sepse
shkonte ndesh me botëkuptimin aristokratik mbi nderin, guximin dhe zakonet kalorësiake, dhe
se në mënyrë të drejtëpërdrejtë i cënonte botëkuptimet, por edhe interesat e pjesës më të
madhe të popullsisë. Për shkak të interesit për avancimin e gjithmbarshëm shoqëror, dhe jo
vetëm të kategorive të veçanta të një shoqërie të dhënë, të kuptuarit e politikës si art i së
mundshmes, në rrethanat e sotme duhet të jetë i diferencuar dhe duhet ta përjashtojë
imoralitetin e metodave në realizimin e qëllimeve politike. Opinioni i krijuar mbi atë se
ç'është e moralshme dhe moralisht e lejueshme në botën e sotme, të kuptuarit e padiferencuar
të politikës si art i së mundshmes e quan anakronike dhe retarduese, ndonjëherë edhe pa marrë
parasysh qëllimin. P.sh. mund të ishte qëllim i arsyeshëm nga aspekti i logjikës së shtetit -
ruajtja e qetësisë publike. Mirëpo helmimi i fëmijëve, si metodë për realizimin e një qëllimi të
tillë, jo vetëm që është akt i pamoralshëm, por akti i tillë automatikisht e vë në pyetje
karakterin e qëllimit. Në kontekst të kësaj, qëllimi i ruajtjes së qetësisë publike ose i pengimit
të kaosit në të vërtetë shndërrohet në qëllim të ruajtjes së dominacionit të padëshiruar, imoral
dhe të padrejtë në vetvete. Ndër ne, p.sh., shpeshherë dëgjohet komentimi se serbët janë
politikanë të zotë, që do të thotë se janë mjeshtër të politikës si art i së mundshmes. Kritika
serbe p.sh., shpalljen e Republikës dhe të Kushtetutës nga ana e deputetëve të Kuvendit të
Kosovës e quajti si akt "kaçaniko-kaçak" (Kaçaniçko-kaçaçki Ustav) duke e pasur për qëllim
denigrimin e rëndësisë së këtij akti si akt të pamoralshëm meqë e shpallën "kaçakët" dhe jo
deputetët. Në këtë rast nuk vihej në spikamë fakti se "kaça(ni)kët" e tillë ishin të zgjedhur si
deputetë pikërisht me lejen e tyre, dhe se konspiracionin ua kishin imponuar vetë ata -serbët,
d.m.th. jo ata vetvetes, dhe se kishin qenë të detyruar ta bënin një akt të tillë në kushte të
imponuara konspirative. Përkrahja masovike e popullsisë e bën të pamoralshëm tentimin e
politikës serbe që ta denigrojë një akt të tillë fisnik. Andaj thënia se serbët janë politikanë të
aftë në sytë e shqiptarëve lidhet me konotacion negativ, ndërkaq në sytë e serbëve, pavarësisht
nga përparësitë momentale që mund t'ua sigurojë "aftësia" e tillë, në një plan afatgjatë mund
t'i kualifikojë vetëm si manipulues të mirë për qëllime afatshkurtra por në kundërshtim me
interesat afatgjata dhe pozitive të popullit serb, siç është p.sh. miqësia me shqiptarët.
Politika si art i së mundshmes rezulton nga botëkuptimet e Makiavelit të parashtruara në
librin e tij "Il Principe" (Sundimtari), të botuar për herë të parë më 1514. Për të politika
esencialisht është shumë e mjeteve të nevojshme për të ardhur në pushtet dhe për të mbetur në
pushtet me qëllim të shfrytëzimit të tij. Mirëpo këtij botëkuptimi pragmatist për politikën që
nuk ka të bëjë fare me moralin, përafërsisht në të njëjtën kohë i kundërvihet Thomas Mori, në
librin e tij të botuar më 1516 Do optimo republicae statu deque nova insula Utopia. U-
topia=vend që nuk ekziston, si intencë, drejtim i mendimit (utopist) është ëndërr mbi
rregullimin e drejtë të jetës, ëndërr që është në kundërshtim me kontekstin special,
përkatësisht, që është negacion kritik i situatës historike. Projektet e tilla utopike, sipas
Röhrich dhe Narra, manifestohen si përfytyrime mbi një të ardhme më të mirë. Ato në këtë
mënyrë, më tepër në mënyrë indirekte, komandohen në pikëpamje përmbajtësore si alternativë
e së tanishmes ekzistuese. Andaj, çdo nocion relevant i Utopisë, doemos e reflekton
momentin e saj shoqëror, luftën e saj kundër njëmendësisë së keqe"(shih Röhrich-Narra,
vep.cit.f.31). Tejkalimi i njëmendësisë së keqe, për Makiavelin, varet nga aftësia (virtu) e
sundimtarit për të ruajtur pushtetin dhe interesat e shtresës së cilës i takon (d.m.th. borgjezisë
në lindje e sipër). Për të sistemi moral dhe politik qëndrojnë njëri pranë tjetrit, pothuajse
paralelisht, por njëkohësisht nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin. Ndërkaq Utopia e Morit është
një alternativë e moralshme, e cila niset nga fakti se "në asnjë shtet nuk mund të ketë drejtësi
dhe as që do të sundojë ndonjëherë brenda tij lumturia" (vep.cit.f.33). Ky botëkuptim natyrisht
do të jetë "...përfytyrim i parë i ëndrrave-dëshira demokrato-komuniste (Ernest Bloch, Das
Prinzip Hoffnung, Frankfurt a/M. 1973. cit. sipas Röhrich-Narra, ibd.) dhe të cilat sërish, së
paku në Evropë, do të mbeten midis utopisë dhe synimeve shoqërore, meqë si komunizëm i
praktikuar mendohet të ketë dështuar. Kjo megjithatë nuk e nënkupton dështimin e politikës si
intelekt, si shkencë, por përkundrazi, dikur e tretur në materializmin dialektik të vendeve të
socializmit real, tani e gjen afirmimin e vet edhe atje, si një nga shkencat që në vetvete i
ngërthen rezultatet e Ekonomisë Politike, Sociologjisë Politike, Psikologjisë Politike dhe të
disiplinave tjera të lidhura me Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Mirëpo edhe si shkencë, edhe si
aktivitet politik, gjithnjë e më tepër do ta marrë parasysh aspektin moral të çështjeve të
caktuara, qoftë si norma të stabilizuara morale gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore, qoftë
si norma të kodifikuara të se Drejtës Ndërkombëtare Publike. Si aktivitet i vetëdijshëm për
avancimin e interesave të caktuara zhvillohet brenda ambientit të dhënë shoqëror, duke krijuar
në këtë mënyrë një atmosferë të caktuar shoqërore. Realiteti politik i krijuar kësisoji e lejon
definimin e politikës si "sferë të jetës shoqërore me vend të veçantë në strukturën e
përgjithshme të raporteve dhe të institucioneve shoqërore, dhe me ligjshmëritë e veta
objektive"(N.Pashiq, Klase i Politika, op.cit.f.29). Si e tillë, ajo në Kosovë gjer më tani nuk ka
ekzistuar, por tani janë hapur rrugët për zhvillimin e saj të gjithanshëm. Edhe me këtë rast, si
edhe më parë, shteti, dhe gjithçka që është e lidhur me shtetin, mbetet objekt i hulumtimeve të
shkencave politike, ndërsa avancimi i pozitës dhe i interesave të caktuara shoqërore mbetet
përmbajtje e politikës si të tillë. Kosova, në këtë pikë, nuk duhet të bëjë kurrfarë përjashtimi.
2. PRAPAVIJA E QASJES
-"Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta".
Po shqiptarët? "Janë të shpërblyera me arsye dhe me vetëdije". Po zyrtarët? "Dhe ndaj njëri
tjetrit duhet të sillen në frymën vëllazërore". Po raportet serbo-shqiptare, të cilat qysh moti e
kanë tejkaluar një frymë të tillë, si mund të zhvillohen më tutje? (Nga Neni 1 i Deklaratës së
Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut të OKB, 1948. Ndërhyrjet e autorit U.H.)
Titulli "Kosova dhe Evropa", pa dyshim që duket, dhe në të vërtetë edhe është pretencioz,
por jo me qëllim. Duket sikur me të nënkuptohet vajtja e drejtpërdrejtë e Kosovës në Evropë,
pavarësisht nga Jugosllavia dhe pavarësisht nga Shqipëria. Po të shqyrtoheshin gjërat nga një
pikëvështrim i veçantë, i stërholluar e ironik, dhe po të ishte çështja më pak e ndjeshme, do të
lejohej një komentim i veçantë, ndoshta tragjikomik, por në esencë i vërtetë: këto dy shtete
nuk qenë të afta as t'a zgjidhnin problemin dhe as të merrnin parasysh vullnetin e kosovarëve.
Kosovarët andaj qysh heret, po sidomos në vitin 1981, vendosën ta merrnin fatin e tyre në
duart e veta, dhe të vetmuar, por të vendosur, u nisën drejt Evropës! Mirëpo, puna është të
arrinin atje. A do të mund t'ia lejonin këto dy shtete ecjen e saj të vetmuar për në Evropë? Dhe
a do ta mirëpriste si të tillë Evropa? Dhe, së fundi, a është vallë i njëmendët vullneti i tyre për
të ecur të vetmuar për në Evropë? Për këto shkaqe, gjatë leximit të kësaj serie të artikujve dhe
të autorëve kompetentë për çështjet e Evropës, lexuesi me siguri do të bindet se titulli i
përbashkët i tyre vetëm duket pretencioz, por në realitet nuk është i tillë. Tema për të cilën
është fjala është aq e vjetër sa edhe vetë historia e vetëdijësuar politike shqiptare, por
gjithashtu sa edhe vetë vetëdijësimi i proceseve integrative të Evropës. Megjithatë këta artikuj
nuk merren me historinë e vetëdijësuar politike shqiptare. Me të do të duhej të merreshin
institucionet adekuate të shoqërisë. Iniciativa e Institutit Albanologjik në Prishtinë p.sh. që të
organizojë një simpozium shkencor mbi temën "Shqiptarët dhe Evropa, dje dhe sot" është
pikërisht ajo që do të ishte me interes për historinë e vetëdijësuar politike shqiptare. Historia e
vetëdijësuar politike shqiptare i nënkupton interesat kombëtare për të cilat dihet në të
kaluarën, për të cilat është shkruar dhe shkruhet në mënyrë analitike dhe për të cilat është bërë
tashmë një sintezë kompetente teorike, me qëllim të vënies së tyre në kontekstin aktual politik
dhe në kontekst të zhvillimit të proceseve politike në të ardhmen. Dhe kjo është aq më parë e
nevojshme dhe me rëndësi kapitale, për shkak të ndryshimit radikal të kontekstit politik të
vetë aktorëve - bartës të interesave të tilla kombëtare (rënia e përcaktimit ekskluziv komunist,
akceptimi i pluralizmit politik) dhe për shkak të ndryshimit të ambientit ku këta aktorë dhe ato
interesa mund të veprojnë (afirmimi i proceseve integrative të Evropës). Këto dy gjëra -
aktorët (shtetet, kombet), dhe ambienti i veprimit të tyre, Evropa, bota, në të vërtetë e
përbëjnë atë që quhet politikë e jashtme e shteteve, e cila gjithmonë niset nga interesi vital i
kombit, dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare politike, ku interesat e tilla vitale thyhen,
realizohen ose mbeten si të tilla.
Konotacioni "Dje" dhe sidomos "Sot" në titullin e simpoziumit të menduar shkencor të
Institutit Albanologjik këto gjëra sigurisht që i nënkupton. Tema e serisë së artikujve që
ndodhet në duart e lexuesit ka të bëjë me atë që nënkuptohet me "Sot" dhe gjithsesi me atë që
nënkuptohet me "nesër". Mirëpo as "Sot" dhe as "Nesër" nuk mund të nënkuptohen pa "Dje-
në". Për këtë shkak, aktualizimet e së kaluarës në këto tekste bëhen gjithmonë në kontekst të
së ardhmes.
Qasja e problemit
Mirëpo politika, për fat të keq, është një shkencë dhe një veprimtari shoqërore për të cilën
shumë njerëz të painformuar as për njërën dhe as për tjetrën e konsiderojnë veten si
kompetent. Në këtë pikë politika barazohet me poezinë. Sikurse që në poezi çdo vjershëtar
nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë, çdo njeri që merret me të nuk bëhet
automatikisht edhe njohës i saj, dhe aq më pak, njohës i shkencës mbi politikën ose i
shkencave politike. Dallimi konsiston në faktin se si duket, për t'u marrë me politikë, në
rrethana të caktuara ia mësyejnë më tepër njerëz se sa në poezi. Ndoshta për shkak se u duket
më lehtë ta provojnë "patriotizmin" e tyre, apo për shkak se është në natyrën e njeriut të
ngazëllehet me mendimet e veta edhe atëherë kur ato i shërbejnë vetëm atij e jo edhe të
tjerëve, ose ndoshta edhe për shkak se politika u duket një fushë aq e gjerë e veprimtarisë
shoqërore sa që u duket e pamundshme të mos gjejnë bashkëmendimtarë për një mendim apo
ide të veten. Duket sikur njerëzit në përgjithësi nuk e njohin karakterin e shkencave politike
dhe e bëjnë përzierjen e aspekteve të ndryshme të saj. Dhe ky nuk është vetëm një gabim i
rëndomtë i njerëzve në përgjithësi. Ai është një gabim tipik që e bënte dikur, dhe akoma e
bën, edhe pjesa më e madhe e inteligjencisë, e cila nuk është marrë ndonjëherë seriozisht me
hulumtime politike. Mjafton vetëm një vështrim sipërfaqësor i shtypit të ditës, por edhe i
shkrimeve dhe i deklaratave me pretendime ca më serioze nga lëmi i politikës, për të
konstatuar se zakonisht nuk bëhet dallimi themelor midis politikës si veprimtari shoqërore dhe
politikës si shkencë, se nuk janë të qarta definicionet mbi termat e ndryshme politike dhe mbi
nocionet e saj, se mungojnë njohuritë themelore mbi dukuritë dhe proceset e ndryshme
politike dhe se shpeshherë mungon plotësisht vetëdija mbi konsekuencat e mundshme të
këtyre gabimeve. Shumica e njerëzve, duke dashur artificialisht të paraqiten si njohës të mirë
të politikës, as që japin për të kuptuar me ndonjë fjalë apo fjali se shqyrtimit të ndonjë
problemi eventual politik i qasen nga aspekti i shkencës apo i profesionit të vet me të cilin
merren. Ndërkaq, ata të cilët dikur merreshin me shkrime politike, juridike, sociologjike,
filozofike etj., të cilët shpeshherë në mënyrë artificiale në qarqe të caktuara i konsideronin si
kompetentë të këtyre lëmenjve, ndonëse akoma u duhej edhe shumë punë për t'u bërë vërtetë
kompetentë, në qoftë se nuk kanë qenë të heshtur me dhunë, tani sikur kanë heshtur vetë.
Mund të ketë ndodhur kjo ndoshta për shkak të rrebeshit të kritikës së një praktike dhe një
teorie të thyer, të cënuar në "pacënueshmërinë" e saj, dhe të dështuar gati në tërësi. Ndoshta
për shkak se akoma nuk janë të gatshëm që postulatet e teorive të dikurshme t'ia nënshtrojnë
rivalorizimit të kritikës së vetëdijësuar politike dhe akoma presin ditë më të mira. Dhe ndoshta
për shkak se akoma dëshirojnë ta ruajnë "pacënueshmërinë" e "teorive" të tyre të vogla për të
provuar "ringjalljen" në ditët e mëdha! Ato, dmth. "ditët më të mira" dhe ato "më të mëdha",
me siguri se do të vijnë, por vetëm në kontekst të luftës së ideve dhe jo në kontekst të
absolutizimit të tyre me dhunë, në kontekst të afirmimit të vlerave të njëmendëta dhe jo në
kontekst të imponimit të gjysmëvlerave dhe të gjysmë-ideve, në kontekst të hulumtimit të së
vërtetës dhe jo në kontekst të hulumtimit të mundësive për të afirmuar gënjeshtrën në vend të
së vërtetës, në kontekst të luftës për progresin e njëmendët të shoqërisë dhe jo në kontekst të
ruajtjes së pozitave të pamerituara në shoqëri. Demokracia këtë tani do të duhej ta bënte të
mundshme, madje edhe të domosdoshme.
Ata nuk do të duhej ta ndjenin veten të prekur nga dështimi i një praktike e cila edhe ashtu
në vete e përmbante dështimin. Fuqitë e veta intelektuale, përvojën politike, vizionin e
botëkuptimeve të veta progresive do të duhej t'i vinin në shërbim të ndërtimit të raporteve të
reja demokratike. Ata do të duhej ta dinin më mirë se të tjerët se e vjetra nuk mund të kthehet.
Çdo kohë i ka të vërtetat e veta, por ato të vërteta që ngriten mbi mohimin e gjithçkafes edhe
vetë do t'i mohojë e ardhmja. Ato nuk mund ta pretendojnë kurrsesi amshimin. Megjithatë
askujt nuk duhet t'ia hajë mendja se brenda raporteve të reja demokratike dhe brenda suazave
mbi të vërtetën e një kohe do të mundet që për një kohë të gjatë, ashtu si përpara, ta
përvjedhë praktikën e vjetër të kanibalizmit intelektual, të vrasjes që në start të talenteve. Ajo
"Der Geist" e Hegelit, të cilën e pretendoi të amshuar dhe të përjetshme, ajo sentenca e bukur
e Goethes se "Intelekti e njeh intelektin" që doli nga thellësitë e gjeniut të tij letrar, le të
lejohet të interpretohet si -intelekti do të duhej t'i shërbente popullit dhe jo vetëm vetes, dhe
gjithsesi më pak egoizmit individual. Talenti le ta prodhojë talentin dhe jo ta ngulfasë atë.
Nga ana tjetër, me dashje ose pa dashje, shumë të tjerë u përfshinë në vorbullën konvulzive
të historisë. Këtyre nuk u ha mendja se e rrotulluan dynjanë. Këta natyrisht e dijnë se fjala
është për demokracinë dhe jo për imitimin e saj, se ndërtimi i së resë nuk mund të fillojë nga
hiçi, se nuk mund të mbështeten në mohimin kuturu të gjithçkafes, se nuk mund t'i mohojnë
rezultatet e arritura të një periode të tërë të zhvillimit në emër të një periode tjetër. Këta e
dijnë se një gjë e tillë nuk do t'i përngjante historisë por vetëm një gjurulltie historike. Brenda
së vjetrës gjithmonë ka qenë e pranishme e reja. Ajo me të cilën nuk duhet pajtuar është
praktika e vjetër politike dhe jo rezultatet pozitive të asaj praktike. Janë metodat e vjetra
politike që, duke ngecur prapa nevojave dhe kërkesave, e frenuan edhe zhvillimin, jo vetëm
në një moment të caktuar, (në momente të caktuara mund të shkaktohen përmbysjet,
"rrotullimet" e pozitave, ndërrimi i raporteve etj.), por gjatë gjithë kohës. Në qoftë se në fillim
i ndihmuan paksa zhvillimit e kohës, koha pastaj i tejkaloi. Ky ishte një fat, një ligjshmëri e
zhvillimit shoqëror gjatë historisë. Mirëpo kjo ligjshmëri nuk guzon të shërbejë si pretekst për
t'i frenuar proceset pozitive, as për të arsyetuar pasivitetin e dikurshëm apo aktual,
indiferencën, shmangien nga lufta. Nuk ishte faji i të tjerëve që praktika e vjetër politike dhe
arsyetimi i saj intelektual në emër të komunizmit, me qëllim apo pa qëllim, nuk deshi ose nuk
diti t'i prijë kohës. Për këtë shkak, këta do të pajtohen me gjithçka të ndershme (metodat e
pandershme nuk mund të të çojnë drejt realizimit të qëllimeve fisnike) që i ndihmojnë
ndërtimit të së resë, ngritjes së popullit. Këta nuk mund të pajtohen as me intencat e
vetëdijshme ose të pavetëdijshme, as me synimet e qëllimta ose të paqëllimta dhe as me
metodat e menduara ose të pamenduara që e frenojne ecjen përpara. Dhe për shkak të këtij
qëllimi të tyre nuk mund të përjashtohen nga jeta shoqërore me metodën e vjetër të etiketimit
më parë si irredentist e nacionalist, kurse tani si "të kuqë", "komunistë" e "marksistë-
leninistë". Disa, si duket, kujtojnë se demokracia është pronë e tyre private. A thua
demokracia doemos duhet të ngritet mbi mohimin total të së djeshmes, apo është fjala për
tentimin që të vazhdohet e djeshmja nën vellon e demokracisë?
Këto "nofka", në kontekst të faktit se kush kujt ia vë, në kontekst të kuptimit real të
përmbajtjes së tyre dhe të qëllimit të kohës dhe të rrethanave historike, janë punë tejet
joserioze: komunistët e dikurshëm të sistemit i etiketojnë bartësit e njëmendët të demokracisë,
ata që që i kontribuan fuqimisht lindjes së saj, dhe ua mohojnë të drejtën e pjesëmarrjes në
jetën shoqërore të demokracisë, me pretekstin e "majtizmit" të tyre. Në emër të kujt dhe të
çkafit e bëjnë një gjë të tillë? Në momente serioze talljet nuk kanë vend. Demokracia u
akceptua në mënyrë plebiscitare nga të gjithë, andaj, ku mund të ndodhet mbështetja dhe
qëllimi i "nofkave" të tilla? Këta, si duket edhe Abraham Linkolnin, po të ishte gjallë, dhe po
të deklaronte si qëmoti, se "demokracia është në shërbim të popullit e për popullin" padyshim
do ta merrnin për "të majtë". Ndërkaq, Jawaharlal Nehru-në, mbase do ta merrnin edhe për një
"marksist-leninist", meqë kishte lindur në një vend të pazhvilluar dhe meqë kishte pasur
guxim që në autobiografinë e tij të shkruante se "Politika ime i takon klasës sime, borgjezisë",
për të konkluduar më vonë me pikëllim, pas një përshkrimi të kushteve të llahtarshme të
kategorive të ndryshme të popullsisë indiane, se "e kuptova më shumë se kurdoherë më parë
se sa kishim qenë të ndarë nga populli ynë dhe sa kishim jetuar, punuar dhe agjituar në botën
tonë të vogël dhe të izoluar nga ai" (shih Jawaharlal Nehru, An Autobiography, Allied
Publishers, 1961, New Delhi). A mos kishte bërë ai ndonjë akt militant "prej komunisti" kur e
kishte lënë amanet që afër urnës me hirin e tij në Nju Delhi të shkruheshin fjalët: "Isha në
shërbim të popullit të Indisë"? Dhe së fundi, a nuk ia vunë edhe Fan Nolit, demokratit tonë
revolucionar, nofkën "bolshevik"! Më në fund, a është real dhe i mundshëm anatemimi i një
sistemi të tërë mendor, ndalimi me ligj i së majtës, dhe a thua nuk do të rezultonte një gjë e
tillë në riaktivizimin e tij, në kushte të ndryshuara, si një vulgatë e fuqishme në një Evropë të
ardhshme, akoma të palindur? Duket sikur nofkat dhe demokracia nuk mund të ecin së
bashku.
Korrektësia e qasjes
Nga ana tjetër, në qoftë se është e naryrshme dhe si dukuri e rëndomtë që në fazën fillestare
të së resë të kritikohet e vjetra, kjo nuk mund të shërbejë si pretekst për ta arsyetuar mungesën
e korrektësisë në sjellje. Ata që e bëjnë këtë punë me ngazëllimin e konsiderueshëm prej
fillestari do të duhej ta kishin të qartë programin e tyre, përmbajtjen e qëllimeve që i synojnë
dhe atë që duan t'a arrijnë. Ndër ne, p.sh., është e qartë se dëshirohet ndërtimi i shoqërisë
pluraliste, por sikur nuk është plotësisht e qartë se shoqëria pluraliste nuk mund t'ua mohojë të
tjerëve (që nuk mendojnë njësoj), të drejtën e pjesëmarrjes në jetën politike. Është e qartë se
dëshirohen zgjedhjet e lira, por sikur nuk është plotësisht e qartë se ato e nënkuptojnë edhe të
drejtën e të tjerëve për të votuar dhe për t'u zgjedhur në votime. Sikur harrohet se lindjes së
demokracisë i kontribuan edhe punëtorët, edhe fshatarët, bile në radhë të parë ata. Çfarë
pluralizmi politik do t'ishte ai i cili përfaqësuesve të tyre nuk do t'ua mundësonte shprehjen e
lirë të mendimit, luftën sindikale për interesin e klasës punëtore?
Në Jugosllavi akoma mungojnë përgjigjet e plota për shumëçka. Fajësimi i komunizmit
edhe si ide edhe si praktikë e deformuar e realitetit shoqëror, in abstracto, për të gjitha të
këqiat, duket se është i ngutshëm, jo-frytdhënës, jo-bindës dhe jo i plotë. Gjithsesi është fjala
për një qasje jokorrekte. Një Jugosllavi qe ndërtuar tashmë një herë mbi themele të rrejshme,
ose, përkatësisht, të deformuara më vonë. Do të ishte një tragjedi e vërtetë, në vargun e
tragjedive të kaluara të popujve të saj, në qoftë se edhe ndërtimi i një Jugosllavie të tretë, me
republikën e barabartë të Kosovës brenda, do të ngritej mbi themele poashtu të rrejshme për të
ardhmen. Në Jugosllavi gjithashtu është akceptuar pluralizmi politik në frymën e kohës.
Andaj është iluzion të ëndërrohet kthimi i sistemit njëpartiak në çfarëdo forme dhe me çfarëdo
preteksti. Përcaktimi për demokraci ka qenë edhe rezultat i njohurive se monizmi politik nuk
ka mundur ta zgjidhë çështjen fundamentale të të drejtave të njeriut, ose pse nuk ka pasur
kohë, ose sepse është deformuar teoria. Tani kjo nuk ka më rëndësi. Në anën tjetër, edhe
studjues seriozë të demokracisë në Perëndim e kanë të qartë tashmë se kuptimi i demokracisë
ka nevojë të zgjerohet. "...Kërkesa për demokraci ishte dhe mbetet aq e thellë dhe kuptimplote
sa që e zgjeron kuptimin e vetë demokracisë. Duhet të ecim jashtë demokracisë politike
parlamentare dhe të ekonomisë shtetërore në mënyrë që ta përfshijmë "demokracinë civile" në
shoqërinë civile. Do të thotë se pjesëmarrja demokratike dhe kërkesat e përfshijnë, por edhe e
zgjerojnë, kuptimin e saj përtej kufizimeve institucionale të demokracisë politike
parlamentare dhe të demokracisë ekonomike...Kuptimi ynë i demokracisë andaj, kërkon
revidimin dhe zgjerimin e saj"(shih David Brown, Ethnic revival: perspectives on state and
society, në Third World Quaterly, Oct 1989). Dhe, kuptimi ynë i demokracisë, tani për tani,
konsiston nga kërkesa që të respektohet pluralizmi politik dhe institucionet tjera të
demokracisë.
E gjithë kjo që u tha më sipër nuk është gjë tjetër pos një diskutim në prapavijë për Europën.
Eshtë pak e besueshme se të gjitha këto, e gjithë kjo luftë politike, mbi edhe nën rrogoz, është
apo janë të rastit, incidentale, të paqëllimta. Edhe supozimet në formë të premisave se njerëzit
nuk e duan, ose edhe se nuk e njohin politikën, vetëm kushtimisht mund të jenë të vërteta.
Njerëzit mund të të duan ose edhe të të mos duan. Dhe mund ta njohin ose jo politikën, por
zakonisht ngjet edhe e para edhe e dyta, edhe të duan edhe nuk të duan. Të duan atëherë kur
kanë ndonjë dobi prej teje dhe kinse të duan atëherë kur je në pozitë të nxjerrësh gështenja
nga prushi për ta. Ndërkaq nuk të duan fare atëherë kur u thua: "Mjaft më! E tepruat!" Bile
fillojnë edhe të të urrejnë nëse papritmas mbeten në zall, pa marrë parasysh faktin se dikur
mund t'i kesh dëgjuar nëpër burgje duke pëshpëritur: "Hidhjani fajin atij se është komunist e
nuk e dënojnë!" Ndërkaq ty mund të të kenë dënuar në ndërkohë me 9 vjet burg, ndërsa ata do
të kenë vazhduar të sillen akoma gjer më sot sipas shembullit të Judës, apo në stilin e vargjeve
plot vrer të Nolit të Madh:
"Vareni, se me botën, me ne s'shëmbëllen,
Se na ndreq shtrembëritë, edhe kurrë s'na rren,
Se e do vegjëlinë, e tiran' e urren:
Kryqësoje Pilat, Në Kalvar, Golgotha!"
Njerëzit mund edhe të të urrejnë, sepse ashtu në të thatë, nuk mund të notojnë më tutje.
Ndërkaq ata do të dëshironin të notonin ashtu, hipur kaluar mbi ty, pa asnjë falenderim, ngase
falënderimi eventual do t'u dukej fyerje, përulje, varësi e mëtejshme nga përparësia jote dhe jo
e tyrja. Dhe pastaj sërish do të kujtohen vargjet e Nolit, dhe sërish, pikërisht si atëherë gjatë
atij dimri të madh të vitit 1978 mbi varrin e tij në Boston, do ta pyesje veten: "Përse edhe këtë
nuk e pranuan tërësisht në radhët e veta? Përse e kishin lënë të vetmuar në varrezat e Forest-
hill-it? Dhe ishe përgjigjur vetë, po atë mbrëmje, në atë disko-kafenë e Harvard-squerit, ku
midis tingujve shurdhues të një muzike moderne, e kishe kërkuar qetësinë e shpirtit. Atë
mbrëmje të kishin munduar shumë pyetje, por Noli të ishte përgjigjur vetëm pjesërisht:
"Vrajeni se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron dhe çliron, dhe forcon varfërinë
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje Pilat, në Kalvar, Golgotha!"
Pastaj i shqetësuar me intensitetin e mendimeve që të vërshonin trurin, i mbërthyer me
mallin e vendjetesës sate Prishtinës dhe i mërzitur me përfytyrimin e bisedës që mund ta kishe
pasur me priftin e atëhershëm të Kishës, mezi konstatove se nuk e njihje Nolin, se po të ishte
ndryshe, qysh atëherë do t'i kishe ditur ato cytjet e brendshme, motivet e vërteta, të cilat një
prift si ai nga shkrepat e Ballkanit, e kishin detyruar ta zgjidhte Amerikën, atë copë bishti të
Evropës që e tentonte shndërrimin në kokë të saj, për vendjetesë për pjesën e jetës që i kishte
mbetur për ta jetuar? Çfarë do të ishte ai dhe çfarë Shqipëria, po ta kishin pranuar ashtu siç
ishte, politikan " të shenjtëruar" me shpirt kryengritësi?
Shumica e njerëzve i di përgjigjet dhe di ta vlerësojë korrektësinë e sjelljeve të veta, por nuk
e preferon pranimin e jo-korrektësisë. I duket virtut edhe atëherë kur nuk është veçse ligësi.
Ata vazhdimisht akuzojnë, në vend se të mendojnë. Disa akuzojnë sepse në shkrimet e
gjertanishme i kisha paraqitur të padijshëm, kurse të tjerët akuzojnë se i "ke ngritur lart pa
sens të mjaftueshëm politik". Ndërkaq e vërteta është se nuk kishe polemizuar me ta. E kishe
mbrojtur tezën politike se të rinjtë e moshës 18-24 vjeçare, që i kishe takuar nëpër burgje, por
edhe jashtë tyre, nuk mund të kishin qenë, edhe po të kishin dëshiruar, njohës të thelluar të
sistemeve komplekse të mendimit dhe se andaj, politika e dënimeve të tyre të rënda nuk kishte
qenë me vend. Për çfarë sensi politik mund të ishte fjala në argumentimin e një prototipi,
qoftë edhe të një gjenerate? A nuk preferohet vallë pjekuria politike e çdo gjenerate? Dhe si
mund të pritet integrimi në Europë pa pjekurinë politike të bartësve të këtij integrimi?
Pastaj filluan të nxirrnin në shesh gjëra të parëndomta: veprimet e motivuara me një politikë
të caktuar të një kohe deshën t'i arsyetojnë dhe t'i relativizojnë me mistifikimin e shtetit në
kohën tjetër. Në qoftë se me një tezë të tillë synohej bindja e të tjerëve, atëherë ç'u duhej vallë
të thirreshin në dëshminë e të vdekurve për të arsyetuar veprimet e të gjallëve? Dhe po të ishte
ashtu siç thuhet, atëherë si shpjegohet fakti që si redaksia e "Zërit të Rinisë" ashtu dhe
redaksitë e gazetave të tjera në gjuhën shqipe, si edhe ato të vendit në tërësi, asnjëherë nuk e
panë të arsyeshme gjatë më tepër se 9 vitesh të plota, të bisedonin edhe me palën tjetër, me atë
të dëmtuarën? Pretekstet e ndryshme dhe të llojllojshme sikur e kanë për qëllim të shënohen
në librin e Ginisit. Ato nuk mund të shërbejnë për të ndriçuar të vërtetën dhe nuk janë në
funksion të saj. Ekziston apo nuk ekziston akoma cenzura e shtypit ndër ne? Ndoshta një ditë
duhet të jepen përgjigje në këto pyetje dhe ndoshta ato janë të lidhura me vetë karakterin e
demokracisë që synohet të ndërtohet: demokraci që do të mbështetej ekskluzivisht në
formalizmin logjik apo demokraci që do ta demokratizonte shoqërinë në tërësi? Përmbajtja e
konceptit të parë është e shtytur nga jashtë. Përmbajtja e të dytit buron nga vendi. Është e
drejtë e secilit të zgjedhë rrugën e tij, por jo në kurriz të tjetrit, dhe as në kurriz të së vërtetës.
Asnjë superioritet teknologjik i armatimit të huaj nuk do të përdoret në funksion të bllokimit
të së vërtetave shoqërore. Ata që dikur një gjë të tillë e bënin pa përtesë, pikërisht ndeshja e
logjikës formaliste me realitetin gjithnjë e më tepër po i detyron të kuptojnë se vazhdimi i
kësaj politike do të ishte në dëm të të gjithëve, por më parë në dëm të vetë atyre. Demokracia
që do t'i përsëriste përvojat jonjerëzore të raporteve shoqërore nuk është demokraci por
neofashizëm. Shqiptarët u përcaktuan për diç tjetër dhe ajo do të ndërtohet, deshën apo nuk
deshën të tjerët. Akceptimin e një demokracie të tillë do ta bëjë edhe Evropa, pavarësisht nga
dëshira e atyre që deshën të imponojnë zgjidhje të tjera.
Më në fund akuzonin se në shkrimet me të cilat vazhdimisht synohej gjetja e përgjigjeve e
jo thellimi i krizës, theksohej ca si tepër uni autorial. Këtë nuk e bënin më parë (atëherë kur
kur mungonin përgjigjet, sepse nuk lejoheshin, në mendime të shtrembëruara) por e bëjnë
tani me pretekstin e depersonalizimit të së vërtetave shkencore. Megjithatë mund të kenë të
drejtë, por duhet kuptuar se Politika Ndërkombëtare është një disiplinë e veçantë shkencore,
me metodë të theksuar të kontributit personal të atyre që kanë një përvojë të tillë. Një shfletim
vetëm sipërfaqësor i shkrimeve nga kjo lëmi mjafton që të përfundohet se duke e bërë
sintetizimin e përvojës në harmoni me ngritjen profesionale të autorit synohet gjetja e
rregullave të caktuara të sjelljes së aktorëve ndërkombëtarë dhe shquarja e ligjshmërive që i
kushtëzojnë ato. Për këtë shkak, njëri nga ekspertët e njohur të kësaj disipline shkencore, duke
u përgjigjur në vërejtje të ngjashme shkruan: "Por nuk ekzistojnë shtigje njëmend të shkurtra,
nuk ka rrugë mbretërore për të arritur gjer ke njohuritë, dhe gjithmonë na duhet të mësojmë
nga përvoja praktike dhe studimi i së kaluarës ku vetëm disa mund të kenë sukses; është një
shfaqje vërtetë e rrallë një njeri që në vetvete e bashkon njëherësh përvojën praktike me
shkollarin kompetent" (shih Charles McClelland, International Relations: Wisdom or
Science? në James N.Rosenau, Internatinal Politics and Foreign Policy, The Free Press,
Macmillan Publishing Co.In.New York,1969).
Në rrethanat e ndryshuara politike, vështrimi mbi "Kosovën dhe Evropën" nuk është
përgjigje ndaj askujt, përveç ndaj atyre që e preferojnë manipulimin me injorancën; nuk e
rrezikon askend, përveç ëndrrave të pabazuara të cilësdo palë të interesuar (ndoshta edhe të
vetvetes) dhe nuk e pretendon ekskluzivitetin e kompetencës, përveç në relacion me
inkompetencën. Për këtë shkak, porosia që të mos merrja përgjegjësi mbi vete ishte e tepërt
dhe ambivalente: ata që dikur nuk merrnin kurrfarë përgjegjësie mbi vete, tani do të
dëshironin të delnin me merita, por meritat nuk u takojnë atyre, sepse nuk i patën. Ato thjesht
i takojnë popullit, sepse ai e barti barrën e luftës, të vuajtjeve dhe të gjakosjes. Populli e di
kontributin e secilit veç e veç, sikurse edhe qëllimin e atij kontributi. Lëreni popullin të
vendosë vetë për besimin e tij, sepse historia askujt nuk i fal asgjë. Evropa e tij nuk është ajo e
lugetërve të kohëve të shkuara, por është Evropë e gjeneratave të ardhshme që do të dijnë t'i
lidhin fijet e holla, të padukshme, të krenarisë kombëtare, të bujarisë dhe të fisnikërisë me
rrezet e holla të universit, të kohës dhe të perspektivës. Hapësit eventualë të mundësive të
këtilla le të jenë mendjendritur dhe le të kenë rrugë të mbarë!
Lubjanë, më 19.I.1990
Politika e jashtme si realitet është pjesë e politikës në përgjithësi, ndërkaq si shkencë, është
degë e shkencave politike. Teorikë të ndryshëm definimit të saj i qasen në mënyra të
ndryshme. Në Jugosllavi definimi i saj mbështetej më tepër mbi botëkuptimin për
dykahshmërinë e proceseve politike: "Proceset politike janë dykahëshe, -shkruan N.Pashiq, -
ato shprehen në njërën anë përmes formave të ndryshme të veprimit të vetëdijshëm dhe të
ndikimit të shoqërisë në ...shtetin dhe në politikën e shtetit, dhe nga ana tjetër, përmes
ndikimit retroaktiv të shtetit në shoqëri dhe në të gjitha raportet shoqërore." (shih N.Pashiq,
op.cit.f.29.30) Botëkuptimi i tillë reflektohet në definimin e politikës së jashtme si art ose
mjeshtëri apo kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit. Vladimir Ibler, psh.
politikën e jashtme e definon si politikë "e cila tenton të gjejë dhe të zbulojë rrugën që duhet
ndjekur në mënyrë që në kushtet konkrete të bashkësisë ekzistuese ndërkombëtare shtetit të
vet t'i sigurohet një pozitë sa më afatgjatë dhe sa më e mirë si dhe përparësi tjera llojesh të
ndryshme" (Shih Vladimir Ibler, Medjunarodni Odnosi, Hrestomatija Politicke Znanosti,
Zagreb, 1971, f.17). Kujdesi që të theksohet realizimi i interesave të shtetit e jo të kombit
është veti e përbashkët për shumicën e definicioneve që mbështeten mbi botëkuptimin dualist
të proceseve politike. Jugosllavia, si shtet multinacional, ngritej mbi principin e proklamuar të
barazisë së kombeve, andaj nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e intersave të kombit, meqë
automatikisht do të shtrohej pyetja se për interesat e cilit komb ishte fjala. Theksimi i
realizimit të interesave të shtetit e jo të kombit, siç do të shihet pak më vonë, ishte gjithashtu
veti e teorive që buronin nga vendet e ish-socializmit real. Këtu poashtu ndikonte përbërja
multinacionale e shtetit (sidomos e BRSS), por edhe orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti
ishte në funksion të klasës e jo të kombit. Përderisa në Jugosllavi vetëqeverisja socialiste,
logjikisht e barazonte klasën me kombin, andaj shteti duhej të funksiononte mbi raportin
dialektik të këtyre dy komponentave, në vendet e real-socializmit shteti ideologjikisht duhej të
funksiononte si instrument i klasës. Politika e jashtme e shtetit të tillë nuk mund të ishte tjetër
përveçse instrument (art, kompleks metodash) praktik në funksion të ideologjisë dominante
shoqërore -komuniste. Kategoria e klasës esencialisht shtrihet në përmasa botërore. Për këtë
shkak, politika e jashtme e kuptuar në këtë kontekst (d.m.th. të klasës) në esencë ishte
ekspansioniste, prandaj ajo në Perëndim konsiderohej si e rrezikshme për interesat e tyre,
sidomos për shkak të faktit se shteti sovjetik, si një fuqi e madhe, realisht mund ta rrezikonte
pozitën e vendeve perëndimore.
Mendimi politik i botës perëndimore, siç e tregon Roj Mëkridis (Roy C. Macridis), por edhe
shumë të tjerë, me kohë i kristalizoi dy qasje ndaj politikës së jashtme: a) qasjen personaliste,
ndonjëherë të emërtuar si qasje ideologjike, e cila politikën e jashtme e konsideronte shprehje
ose refleksion të politikës së brendshme, "thjesht, shprehje të bindjeve dominante politike,
sociale dhe religjioze". Kjo ishte një qasje tradicionale e botës së Perëndimit, e cila raportet e
shtetit me botën i shihte në suaza psikologjike, i "konsideronte motivet ose ideologjitë e
udhëheqësve ose të qeverive si përcaktues qenësorë, nëse jo edhe të vetëm, të politikës". Nga
kjo gjë nuk është e vështirë të konstatohet, së bashku me Roj Mëkridisin, se politika e jashtme
"konsiderohej funksion i sistemit politik në veprim ose të preferencave apo të bindjeve të
liderëve politikë që e zbatonin programin e tij" (të sistemit politik). Është interesant se një
botëkuptim i tillë tradicional mbi politikën e jashtme, për të cilin tani lirisht mund të thuhet
rudimentar, nëse jo edhe primitiv, ishte mjaft i përhapur në disa qarqe me rëndësi politike në
Jugosllavi, por edhe në Kosovë. Ndoshta për shkak se kjo u përgjigjej ambicjeve lideriste në
të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtësuar bajraktarist, i cili ndër ne akoma sundon në
mënyrë të papenguar. Kjo, natyrisht, i dha krahë kritikës serbe të na akuzojë për voluntarizëm
në raportet me Shqipërinë, veçse kritika e tillë nuk ishte e sinqertë, meqë mbështetej pikërisht
mbi premisa të një bajraktarizmi shqiptar, që mund të arsyetohej me pazhvillueshmerinë e
mendimit politik ndër ne e madje edhe me një lloj të fetishizmit të këtij lëmi të veprimtarisë
politike. Mirëpo mendimi politik serb gjithsesi nuk i ka këto justifikime. Ai shpjegohet me
ambiciet dhe me synimet që kombit të vet (serb) t'i sigurohet një pozitë e privilegjuar dhe jo e
barabartë me të tjerët, ose ndoshta edhe për ta eliminuar sindromin e të vetmuarit.
Mirëpo qasje të tilla në politikë rezultojnë në konsekuenca të padëshiruara. Mëkridis do të
thoshte se i bëjnë padrejtësi elementeve kontinuitive të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera,
ato, d.m.th. qasjet ideologjike ndaj politikës së jashtme, nuk mund t'i shpjegojnë kontradiktat
objektive të pranishme në praktikën politike. Ato, psh., nuk mund ta shpjegojnë faktin se
përse partitë opozitare, kur vijnë në pushtet, në shumicën e rasteve, (pothuajse rëndom), e
ndjekin të njëjtën politikë të jashtme si edhe garniturat e mëparshme politike? Përse nuk mund
të dalin jashtë suazave të përcaktuara politike të definuara si interesa themelore të shtetit? Për
këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera, b) qasja e dytë, analitike, e zhvilluar gjatë tre
shekujve të fundit (XVIII,XIX dhe XX) e pretendon plotësimin e së parës. Sipas botëkuptimit
analitik, politika mbështetet mbi një shumë të caktuar të determinantave "duke përfshirë
traditën historike të shteit, lokacionin gjeografik, interesat dhe qëllimet nacionale dhe nevojat
e sigurimit". Determinantat e theksuara në të vërtetë janë elemente që e përcaktojnë
kontinuitetin e politikës së jashtme. Andaj çdo burrështeti që kërkon t'i formulojë qëllimet e
politikës së jashtme dhe t'i realizojë ato në praktikë, doemos duhet t'i marrë parasysh "disa
kufizime të palëvizshme" që i nënkuptojnë determinantat në fjalë. Pavarësisht nga bindjet
filozofike, politike apo religjioze të individëve "ekzistojnë interesa të gjerë strategjikë të
lidhur intimisht me pozitën gjeografike të kombit dhe me rolin ndërkombëtar që duhet
ruajtur". Këto interesa me kohë kristalizohen si pjesë e mendimit kolektiv "të mendjes
nacionale" e cila pastaj edhe vetë shndërrohet në determinantë të veçantë të politikës së
jashtme. Interesat e shtetit në këtë mënyrë paraqesin "suazën brenda së cilës doemos duhet të
zhvillohet kontesti i brendshëm politik rreth politikave të jashtme". Disa nga faktorët
determinantë ndikojnë në ndryshimin e perceptimit të interesave ose të qëllimeve të politikës
së jashtme. Faktori teknologjik, p.sh. "mund të kërkojë rivlerësim të vazhdueshëm të sigurimit
nacional" (shih për këtë Roy C.Macridis, Foreign Policy in World Politics, fifth edition,
Engelood Cliffs, New Jersey, 1976, f.3-5). Ndryshimi i situatës politike në Evropë poashtu e
kërkon rivlerësimin e interesave dhe të qëllimeve strategjike të shteteve, të mëdha e të vogla,
por edhe të kombeve brenda tyre, në kontinentin e Evropës. Ky është edhe njëri nga qëllimet e
këtyre artikujve.
Politika e jashtme si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit është shprehje
e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit. Me norma juridike të së drejtës së
brendshme, dhe me norma të veçanta të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, përcaktohen
organet të cilat i kanë në kompetencë disa sfera më të rëndësishme të politikës së jashtme. Në
të vërtetë, me normat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike precizohen organet titullare të
komunikimit ndërkombëtar (shefi i shtetit, ministria apo ministri i punëve të jashtme, organet
e përfaqësimit diplomatik), dhe shteti si i tillë njihet si subjekt më i rëndësishëm i së Drejtës
Ndërkombëtare Publike, por edhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Politike. Aty-këtu, njësitë
federale të shtetit federal e gëzonin të drejtën e përfaqësimit në OKB, si p.sh. Bellorusia dhe
Ukraina e BRSS, por ato nuk mund të merreshin me aktivitete ndëkombëtare të cilat nuk do të
ishin në harmoni me kushtetutën e federatës sovjetike. Njësitë federale në Jugosllavi, sipas
kushtetutës së vitit 1974, nuk ishin subjekte të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por të tilla
nuk ishin as Kuebeku në Kanada, Skotlanda apo Uellsi në Britani, Baskia në Spanjë e Francë,
Flandria në Belgjikë apo Bretanja në Francë. Njësitë federale në Jugosllavi mund të merreshin
me "realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar", "të vendosnin, të mbanin dhe të zhvillonin"
raporte, por vetëm me "organet dhe organizatat e shteteve tjera" dhe brenda suazave të
politikës së jashtme unike të vendit. Pozitë të ngjashme, me një volum më të vogël, kishte
edhe Kosova. Ndryshimet në Evropë natyrisht edhe në këtë plan kërkojnë rivlerësime të cilat
megjithatë akoma nuk mund të jenë kategorike, ndonëse dëshirat janë të qarta.
E Drejta Ndërkombëtare Publike i rregullon, përmes normave juridike, raportet midis
shteteve, ndërkaq vetë këto raporte paraqesin aktivitetin e shtetit në ambientin ndërkombëtar.
E Drejta Ndërkombëtare Publike e synon formalizimin total të raporteve midis shteteve,
përderisa motivi kryesor i veprimtarisë së shtetit është forcimi i pozitës së tij në relacionet
ndërkombëtare. Këto dy tendenca mund të jenë kongruente, por jo gjithmonë: në qoftë se
logjika e brendshme e normave juridike shprehet si tendencë e vazhdueshme për rregullimin
total të sjelljeve politike të shteteve, ato nuk mund të përmblidhen të tëra me norma juridike:
aktiviteti informativ, i spiunazhit, i kontraspiunazhit; lufta psikologjike, monopoli teknologjik
etj. janë esenciale për politikën e jashtme të çdo shteti, por ende nuk janë krijuar mundësitë
për rregullimin e tyre ndërkombëtar juridik. Me fjalë të tjera, kufiri midis së drejtës së shtetit
që të veprojë për realizimin e interesave të veta në ambientin ndërkombëtar dhe normave
juridike ndërkombëtare nuk është tërësisht i precizuar. Duket qartë se e tërë veprimtaria e
jashtme e shtetit nuk mund të rregullohet me norma juridike. Andaj pyetjes se a janë shtetet
tërësisht sovrane në veprimet e veta politike nuk është lehtë t'i jepet përgjigje e plotë dhe
kategorike. Do të kalojë edhe shumë kohë, në qoftë se do të bëhet fare e mundshme, që
bashkimi i Evropës ta eliminojë nevojën e dhënies së përgjigjeve të tilla. Sovraniteti, siç dihet,
është koncept politik që shënon raportin themelor midis bartësit të pushtetit dhe pushtetit,
princip i pushtetit suprem dhe të pakufizuar të individit, kur është fjala për monarkinë
(diktaturën personale), të popullit, kur është fjala për demokracinë, të shtetit, kur është fjala
për raportin me shtetet tjera. Shteti konsiderohet sovran në raport me shtetet tjera sepse, tek e
fundit, për realizimin e interesave të veta, mund të zhvillojë edhe luftë. Megjithatë, edhe në
luftë ato nuk janë tërësisht sovrane. Janë të kufizuara në veprimet e tyre, qoftë me norma
juridike, për të cilat janë marrë vesh mes vete, qoftë me ato morale, të cilat gjatë shekujve
janë kristalizuar si të tilla. Me fjalë të tjera, sovraniteti i shtetit (subjektit ndërkombëtar juridik
dhe politik) nuk është absolut. Kufiri i sovranitetit në kohë lufte është ajo që përgjithësisht
cilësohet si jo njerëzore (p.sh. kanibalizmi ose trajtat tjera të keqtrajtimit të robërve të luftës,
janë të ndaluara edhe me norma morale në luftë, e jo vetëm me norma të së drejtës së luftës).
Në kohë paqeje kufiri i tij (i sovranitetit) në njërën anë ndodhet tek sovraniteti i shtetit tjetër
dhe nga ana tjetër, në atë që zakonisht konsiderohet e pranueshme në relacionet
ndërkombëtare politike (p.sh. dënimi i veprimtarisë agresive). Shteti (subjekt i së Drejtës
Ndërkombëtare Publike), vepron në ambientin ndërkombëtar të cilin e përbën tërësia e
raporteve ndërkombëtare të shteteve dhe të subjekteve e të faktorëve të tjerë politikë.
Mirëpo ambienti i tillë ndërkombëtar, ose bashkësia ndërkombëtare, i krijon edhe
ligjshmëritë e veta objektive të zhvillimit. Hulumtimin e tyre e ka për detyrë Shkenca mbi
Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike ose edhe Politika Ndërkombëtare. Është me rëndësi se
analiza e ligjshmërive objektive që ndikojnë në zhvillimin e bashkësisë ndërkombëtare i
ndihmon ndriçimit të faktorëve që ndikojnë në veprimin e shteteve dhe anasjelltas, analiza e
motiveve dhe faktorëve të veprimit të caktuar të shteteve, subjekteve individuale, i ndihmon
perceptimit më të drejtë të tërësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Shteti është subjekt më i
rëndësishëm edhe i Politikës Ndërkombëtare, por nuk është i vetëm dhe as unik. Në rrethanat
e ndryshuara të Evropës, megjithatë duhet pritur ta vazhdojë rolin e vet si të tillë, ndonëse
mund të pritet (në kushtet e Evropës së Bashkuar) edhe folklorizimi i këtij roli (të shteteve të
vogla).
Botëkuptimi se vetëm shtetet (subjektet ndërkombëtare) mund të bëjnë politikë, dhe se nuk
ka politikë jashtë tyre, mbështetet në kuptimin hegelian të shtetit si një e mirë supreme, ose
edhe si një inkarnacion organizativ i shoqërisë. Politikisht, kjo do të thotë se shteti ndodhet në
"funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve" (shih Joseph Frankel, The Making of
Foregn Policy, Oxford University Press, London, 1967, f.55). Nisur nga një aspekt idealist,
vërtetë do të duhej të ishte ashtu. Siç do të thoshte Frankeli, njerëzit "e shpikën" shtetin për t'i
plotësuar nevojat e veta. Dhe shtetet rëndom, së paku ato regjime që e gëzojnë legjitimitetin e
pjesës më të madhe të popullsisë, përpiqen t'i plotësojnë nevojat elementare të popullsisë.
Mirëpo problemi në nivel teorik paraqitet së bashku me pyetjen se çka konsiderohet nevojë
elementare në kohën e dhënë dhe çfarë është plotësimi i tyre në raport me mundësitë
ekzistuese të shtetit? Nga ky aspekt edhe Frankeli detyrohet të konstatojë se "shtetet mbeten
rojtarë të kulturave nacionale, por tani janë të paafta të ofrojnë siguri, dhe në shumicën e
rasteve nuk mund ta sigurojnë mirëqenien ekonomike"(vep.cit, f. e njëjtë). Ndërkaq teorikë të
tjerë e vënë seriozisht në pyetje edhe funksionin e mbrojtjes së vlerave kulturore (p.sh. nga
imperializmi kulturor) por jo edhe nga aspekti parimor, nga i cili zhvillohet kjo analizë. Nga
ky aspekt, Xhon Stësinger (John G. Stoessinger) e bën identifikimin e plotë të shtetit me
kombin: "Bota jonë, -shkruan ai, -është e përbërë prej më tepër se 100 shteteve-kombe".
Ndërkaq, "...ajo që në kohën tonë e përbën kombin mund të cilësohet si vijon: e para, dhe më
e qenësishmja, kombi është njësi sovrane politike; e dyta, është populli, i cili, meqë disponon
me një identitet të theksuar kolektiv, të krijuar me përfytyrimin e përbashkët mbi të kaluarën
dhe të ardhmen e vet, e përjeton një shkallë më të lartë ose më të ulët të nacionalizmit. Dhe
më në fund, kombi është popullsi e cila e banon një territor të caktuar, e njeh qeverinë e
përbashkët, dhe zakonisht, ndonëse jo gjithmonë, e ka një gjuhë dhe një kulturë" (shih
J.G.Stoessinger, The Might of Nations, Random House, N.Y. 1967, f.7-8). Kombi, sipas këtij
botëkuptimi, është popullsi e mishëruar me shtetin dhe jo kategori historike dhe as instrument
i klasës. Ato (kombet) janë vetëm abstraksione që synohen përmes nacionalizmit të kuptuar si
tendencë e vazhdueshme e emancipimit. Ndërsa vetë emancipimi nuk është tjetër pos "forcë
kohezive" kundër dominacionit të huaj ose edhe "forcë lëvizëse" për emancipimin dhe
pavarësimin e kombeve (shih vep.cit.f.83-89). Në identifikimin e kombit me shtetin edhe më i
përcaktuar është teoriku zulmëmadh amerikan Hans J.Morgenthao, për të cilin "kombi si i
tillë, nuk është entitet empirik". Nga kjo premisë gjenerale ai e nxjerr përfundimin se kombi
është abstraksion i numrit të individëve të cilët i kanë disa karakteristika të përbashkëta". Ajo
që i bashkon këta individë është tendenca për fuqi në plan të brendshëm apo ndërkombëtar.
Kombin e përbën pozita e tij gjeografike, pasuritë natyrale, kapacitetet industriale,
teknologjia, morali dhe elemente tjera të ngjashme. Në të vërtetë, kombin e përbëjnë të gjitha
elementet që e përbëjnë shtetin (shih Hans J. Morgenthao, Politics Among Nations,
A.A.Knopf, N.Y.1967, f.97-100). Njësoj decidiv si edhe Morgentao në identifikimin e kombit
me shtetin është edhe profesori i shquar i politikës ndërkombüëtare në Universitetin En Erbor
(Ann Arbor) në Miçigen, i cili mund të quhet lirisht anatomist i politikës: "Kombi, në rend të
parë dhe mbi të gjitha, -thotë ai,-është njësi politike ("a potencial unit"). A.F.Organski, siç
quhet ky profesor, natyrisht e ka të qartë se kombi dhe shteti nuk janë pikërisht një. Andaj ai
shpjegon më tutje: "Thënë në mënyrë më specifike, kombi është njësia më e gjerë politike që
nuk njeh asnjë superioritet politik. Anëtarët e të njëjtit komb mund të kenë, dhe zakonisht
kanë të përbashkët, më tepër gjëra se sa qeverinë dhe territorin e njëjtë. Ata poashtu mund të
kenë ekonomi, gjuhë, kulturë, religjion, ideologji politike dhe histori të përbashkët.
Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se këto karakteristika të tjera, ndonëse janë të
zakonshme, nuk janë universale. Njeriu, faktikisht, mund të mendojë për përjashtime gati në
çdo rast. E vetmja cilësi të cilën e ndajnë të gjithë anëtarët e kombit dhe për këtë nuk mund të
ketë përjashtime, është ajo se ata të gjithë ndodhen nën jurisdiksionin e së njëjtës qeveri"
(shih: A.F.K. Organski, World Politics, A.A.Knopf, N.Y.1968, ed.II i reviduar, f.18/7).
Në kontekst të përbërjes multinacionale të shtetit, sipas botëkuptimeve të theksuara,
shqiptarët në Jugosllavi do t'ishin vetëm "nationality (nacionalitet -shtetas), kuptimi i së cilës
te anglosaksonët nxirret nga identifikimi i theksuar i kombit me shtetin, andaj, në instancën e
fundit, kuptohen si jugosllavë! Insistimi për t'i paraqitur si të veçantë, si komb më vete e jo si
jugosllavë, në frymën e botëkuptimeve të këtilla do t'i nxirrte si grup etnik, për të cilin do të
ishte i kuptueshëm nacionalizmi si formë e luftës për ndonjë copë më të madhe të pushtetit,
por jo edhe për t'u ndarë nga pushteti i vendosur një herë. Në thelb të teorive anglosaksone
mbi kombin dhe identifikimin e tij me shtetin qëndron e vërteta e kohëshme (kohësisht e
përcaktuar) e shkencës e Theodor Adornos, për të cilën u fol më heret (shih artikullin "Për një
qasje shkencore të politikës në Kosovë", DEA, nr.4.1991) dhe e kuptuar si e vërtetë e krijuar
së bashku me kohën: shtetin multinacional nuk e përbën një komb, por me kohë mund ta
përbëjë një komb; Evropën e përbëjnë shumë kombe dhe shumë shtete, por proceset
integrative të mbështetura nga politika e planifikuar e qeverive, me kohë do t'a shndërrojë në
një komb-shtet.
Po Kosova?
Për kombet jugosllave, duke i përfshirë edhe shqiptarët në Jugosllavi, problemi qëndron tek
mënyra e integrimit në Evropë, së bashku apo individualisht? Për shqiptarët në Jugosllavi
problemi është edhe më specifik: së bashku me Shqipërinë apo me jugosllavët? Dhe përgjigja
varet nga rëndësia që i jepet qëllimit, bashkimit të Evropës; nga vlerësimi i rëndësisë dhe i
kapaciteteve të faktorëve të veçantë (kombeve individuale) dhe nga vendosmëria për ruajtjen
e paqes në këto treva. Karakteristika kryesore e teorive në fjalë është rezonimi në suaza të
fuqisë. S'ka dyshim se forcat politike në prapavijë të teorive të shtruara janë fuqimisht të
interesuara për bashkimin e Evropës pikërisht edhe për shkak të këtij rezoni. Pikësynim ideal i
këtij bashkimi do të ishte një Evropë e bashkuar pa kufij të brendshëm të shteteve, por ky tani
për tani është vetëm një pikësynim ideal, jo edhe realitet i mundshëm. Për këtë shkak,
pavarësisht nga shembulli gjerman, ato mund ta përkrahin në këtë fazë një bashkim të
shteteve ekzistuese të Evropës, por jo dhe të kombeve të tyre individuale. Jugosllavia, si shtet
multinacional, dikur shtet-tampon i drejtpeshimit të forcave, tani sërish i nënshtrohet ndikimit
të raporteve globale. Me fjalë të tjera, dekompozimi i saj eventual nuk mund të jetë çështje e
raportit vetëm me njërin nga polet e dikurshme të bipolaritetit të forcave. Një gjë e tillë do të
ishte hyrje në dekompozimin e BRSS, e kjo ka pak gjasa të ngjajë pa trazira të mëdha, dhe aq
më tepër, për shkak se rezonimi i tillë i fuqisë është prezent edhe tek pala tjetër.
Po qe se sipas teorive në fjalë, lufta e kombeve për pushtet, (fuqi), është imanente në vetë
natyrën e kombit, autorët e tyre nuk janë naivë që të mos e dijnë se shqiptarët janë komb ashtu
si dhe kombet tjera të formuara, dhe se është poashtu në natyrën e këtij kombi, ashtu si dhe te
kombet tjera, synimi për t'u shtetëzuar, për të pasur pushtet dhe për ta maksimalizuar fuqinë.
Ato forca natyrisht do të mund ta përkrahnin Shqipërinë e demokratizuar (është në natyrën e
gjërave në Perëndim që shtetet ta përkrahin shtetin) në funksion të "përmirësimit" të
"gabimeve" historike, pos nëse nuk ekzistojnë interesa tjera më të mëdha. Në një rast të tillë
kjo gjë do të ishte kundër logjikës së tyre dhe është e kotë të shpresohet, pasiqë shteti, në
kontekst të këtyre botëkuptimeve, njeh interesa dhe jo emocione. Një përkrahje e tillë doemos
do të haste në kundërshtimin e serbëve në funksion të pararojes së interesave ruse (sovjetike)
dhe përsëri do të varej nga interesat për bashkimin e Evropës, nëse një përkrahje e tillë do të
ishte efikase. Në funksion të përkrahjes së Kosovës për t'u bashkuar me Shqipërinë përsëri do
të hasnin në kundërshtimin e njëjtë. Ndërkaq, në funksion të përkrahjes së Kosovës për ta
bashkuar Shqipërinë me veten, për shqiptarët shtrohet pyetja se ku do të mbetej Kosova,
brenda Serbisë apo brenda një republike të shtatë shqiptare në Jugosllavi? Ne kemi qenë
gjithmonë të mendimit se Shqipëria duhet ta ruajë pavarësinë e vet dhe se Kosova duhet të
jetë Republikë e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Procesi i bashkimit të shqiptarëve
është dashur të zhvillohet brenda suazave të proceseve integruese të Evropës, përderisa vetë
integrimi i Evropës nuk mund të imponohet pa luftë. Ajo mund të akceptohet si bashkim i
vullnetshëm i të gjitha palëve të interesuara, dhe jo si imponim i njërës palë ndaj tjetrës.
Mendonim se përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta: 1. Nuk do ta
shkaktonte acarimin tejmase të raporteve ndërnacionale, 2. Do të ishte solucion efikas dhe i
pranueshëm për të gjitha palët e interesuara pos për shovenizmin serbomadh, dhe 3. Nuk do ta
lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve në funksion të interesave të huja
globale apo regjionale. Mirëpo, tani një kohë të gjatë është duke ngjarë e kundërta: më parë
refuzimi, e pastaj edhe okupimi serb i Kosovës u parapri me mos-deklarimin e qartë të partive
politike shqiptare në favor të Republikës së Kosovës. Solucionin e këtij mat-pozicioni të
tanishëm do ta bjerë padyshim koha, por është detyrë e jona të theksojmë se
instrumentalizimi, çfarëdo qoftë dhe i kujtdoqoftë, nuk është bërë ndonjëherë në histori në të
mirën e popujve, por vetëm në të mirë të interesave afatshkurtra (jo afatgjata) të
nomenklaturave të tyre, të brendshme apo të jashtme. Dhe meqë vetëm popujt janë të
përjetshëm dhe jo nomenklaturat e tyre, atëherë është e qartë se në plan të përgjithshëm, tehu i
luftës duhet të shkojë drejt ndërtimit të raporteve të njëmendëta demokratike në kuptimin e
autenticitetit të kushteve konkrete të Republikës së Kosovës, në drejtim të konfrontimit të
njëmendët ideor dhe teorik me ata që Kosovën e pandehin oborr eksperimentimi dhe sprovimi
të raporteve gjithëjugosllave dhe gjithëballkanike me qëllim të konstatimit se a është e
mundur që të çlirohen nga "sindromi i vetmisë" së tyre, nga mbështetja në vëllezërit e
mëdhenj dhe nga instrumentalizimi i vetes në interes të politikave të huaja; me ata që atë e
pandehin si parcelë ekzotike të përzjerjes së kulturave dhe të qytetërimeve në truallin e
Evropës për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale e me qëllim të
konstatimit se a do të ishte i mundshëm respektimi i aspiratave legjitime shqiptare, dhe me ata
që me shekuj u mësuan të peshkojnë në ujëra të turbullta. Kosova ka shumë kundërshtarë, jo
vetëm të drejtpërdrejtë (se askujt nuk ia pati zënë rrugën), por edhe të tjerë, që e provojnë
drejtpeshimin e forcave. Po qe se Inteligjencia e Kosovës (në radhë të parë ajo shqiptare, por
edhe të tjerët) tregohet sterile në perceptimin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve
realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do të
bjerë në provim. Gjer kur? Përse akoma po zgjat injorimi i heshtur dhe bllokimi i
"Demokracisë Autentike"? A thua njëmend pritet të mos dihet se heshtja është e lidhur me
inteligjencinë dhe bllokimi me shtetin? Proceset demokratike të Evropës e nënkuptojnë
emancipimin e inteligjencisë nga shteti dhe instrumentalizimin e shtetit në funksion të
demokracisë. Përse kjo gjë akoma nuk po ngjet dhe a ekziston vërtet bindje e njëmendët se
është duke u vepruar drejt, në kongruencë me qëllimet që i nënkupton Evropa dhe që i synon
Kosova, Jugosllavia dhe Ballkani?
Kosova formalisht nuk ndodhet në gjendje lufte, por në gjendje okupimi. Është shpallur, por
nuk është konstituuar si shtet, ndonëse do të konstituohet si e tillë dhe do të jetë shtet.
Ndërkaq gjendja shpirtërore e popullsisë është e rëndë. Poezitë e cituara të një vashe në faqen
e parë të DEA-s nr.5 asociojnë pyetje të mëtejshme: cila është e drejta e saj elementare dhe e
para në kontekst të teorive të shkoqitura? Ideali i saj i republikës duket sikur është vetë jeta.
Demokracia e saj dhe e të tjerave si ajo duket se është çlirimi i dyfishtë, nga prangat e së
drejtës zakonore dhe nga ato të robërimit politik. Jeta dhe liria e shkoqitur si republikë janë
bërë një. Gjendja e saj shpirtërore është një apel i fuqishëm drejtuar të gjitha forcave politike
për çlirimin e saj të kuptuar si sendërtim i idealit: "Në vdeksha e re, të mos qajë askush për
mua". S'ka asnjë teori me të cilën do të mund të arsyetoheshin fjalët e tilla të vashës, dhe nuk
ekziston forcë që do të mund të pajtohej me vdekjen e saj apo të kujtdo qoftë në moshën e tillë
rinore. Andaj, le të jetojë vasha dhe le të jetojë Republika! Teoritë le të shërbejnë për
kthjellimin e mendjes.
Në vend të epilogut
Veti e përbashkët e teorive të parashtruara të botës perëndimore është fakti se gati të gjitha
nisen nga botëkuptimi biologjik i natyrës së njeriut si agresive dhe këtë pastaj e zgjerojnë në
raportet midis shteteve: me aktin e lindjes së njeriut përcaktohet nevoja e tij për të jetuar, me
aktin e formimit të shtetit, përcaktohet nevoja e tij për të ekzistuar. Nga këto premisa nxirret
konkludimi se sigurimi i jetës së shtetit (si edhe tek njeriu) është interes i tij vital. Meqë shteti
dhe kombi janë një, atëherë ai është interes vital edhe i çdo kombi. Pika e dytë e përbashkët e
këtyre teorive është e lidhur me faktin e maksimalizimit të fuqisë. Me fjalë të tjera, për ta
ruajtur pavarësinë politike dhe integritetin e tyre territorial, shtetet (ashtu si edhe njerëzit)
kanë nevojë të forcohen, d.m.th. ta shtojnë fuqinë e tyre. Sipas disave, fuqia është qëllim në
vetvete, por edhe instrumenti i luftës për ekzistencë, e cila pastaj e nxit që të dominojë: "Ja
rrënjët reale të imperializmit, -shkruan një profesor i Universitetit të Harvardit, -organizimi
anarkik i sistemit ndërkombëtar të shteteve", sepse, tendenca e vazhdueshme e shteteve për
fuqi në lojën e vjetër të njohur të fuqisë, bën që ato "t'i dorëzohen tentimit për të dominuar për
shkak se janë të motivuara ta maksimalizojnë pozitën e vet individuale të fuqisë, sepse janë të
preokupuara jashtëzakonisht me problemin e sigurisë nacionale, sepse sistemi formalisht është
në gjendje anarkie. Logjika e dominacionit buron drejtpërsëdrejti nga ekzistimi i sovraniteteve
konkurrente nacionale (shih Benjamin J.Cohen, The Question of Imperialism, Basic Books,
Inc. Publishers, N.Y.1973.f.245). Ky ligj, sipas botëkuptimeve të porsashtruara, është i
përjetshëm. Lufta e përjetshme e shteteve për fuqi në sistemin e tillë ndërkombëtar anarkik të
shteteve megjithatë rezulton në njëfarë rendi, veçse rendi i tillë është rezultat i drejtpeshimit të
forcave, dhe jo rezultat i veprimit të faktorëve dhe ligjshmërive të tjera. Në këtë luftë të
përjetshme të shteteve për fuqi, disa shtete-kombe, shpërthejnë në sipërfaqe, dalin të parat si
më të forta. Sipas të njëjtit "ligj natyral" ato e përvetësojnë të drejtën "t'i gëlltisin" kombet ose
shtetet më të vogla, në tërësi ose vetëm pjesërisht. Në qoftë se disa shtete-kombe më të vogla
mbeten në sipërfaqe, ato këtë nuk e kanë bërë me forcën e vullnetit të tyre, por vetëm duke iu
falenderuar aleancës ose miqësisë me shtetin (kombin) më të madh dhe afërsisë së interesave
me të; ligjit të drejtpeshimit ose mungesës së interesave të të mëdhenjve. Me këtë,
botëkuptimet e tilla arritën gjer në konsekuencat e tyre ekstreme: logjika e brendshme,
inherente, e fuqisë, vazhdimisht insiston në rritjen e saj. Nuk do mend se amerikanët, sidomos
pas luftës me Irakun, këtë e arsyetojnë me vendosjen e një rendi të ri në sistemin
ndërkombëtar juridik, të cilin ata do ta mbronin me fuqinë e armës së tyre. Në natyrën e
këtyre teorive, me fjalë të tjera, e kjo është me rëndësi të parëndomtë, është arsyetimi i
tendencës së universalizimit të këtyre raporteve në nivel planetar. Në kontekst të këtyre
tendencave doemos duhet vënë edhe proceset integrative të Evropës, të cilat gjer kah fundi i
viteve 80 duket se i pengonte ideologjia komuniste, kurse tani duket se paraqiten si pengesë
tendenca të ngjashme të palës tjetër. Është e pamundur të perceptohet interesi nacional i
shqiptarëve në mënyrë të drejtë, pa kuptimin e thelbit të interesave dhe të botëkuptimeve edhe
të palës tjetër. Territoret ku shtrihemi ne ishin vende të ndeshjes së botëkuptimeve dhe të
interesave globale. Për këtë shkak, është me interes shqyrtimi i botëkuptimeve edhe të palës
tjetër.
Presidenti amerikan Bush në një fjalim të ngazëllyer me të cilin arsyetohej lufta me Irakun dha
të kuptohej se demokracia do të duhej të sundonte kudo. Ai theksoi se Amerika do t'i mbrojë
shtetet e vogla, po qe se ato do ta akceptonin demokracinë, dhe se do t'i luftonte regjimet politike
që do t'i kanoseshin parimeve të saj universale. Në frymën e teorive tashmë të parashtruara në
DEA, presidenti Bush rolin e SHBA-ve e sheh në funksion të garantit të raporteve ashtu të
universalizuara dhe të shtrira në tërë globin tokësor. S'ka dyshim se ky është një ideal i
përhershëm i politikës amerikane. Mirëpo presidenti Bush me atë rast nuk e shpjegoi natyrën e
vërtetë të raporteve me sovjetikët. Ndërkaq ata që e përcillnin me vëmendje luftën me Irakun, nuk
mbetën pa e vënë re se përkundrejt dëshirës së disa qarqeve politike (veçanërisht të lidhura me
Izraelin) që ta vazhdonin luftën edhe në territorin e Irakut, dhe jo vetëm në atë të Kuvajtit, gjer në
eliminimin përfundimtar të faktorit ushtarak irakian dhe të Sadam Huseinit, prapseprapë qenë të
shtrënguar t'i ndërprisnin operacionet luftarake me të çliruar Kuvajtin. Nuk mbetën pa u vënë re
as insistimet e herëpasherëshme të zyrtarëve sovjetikë që SHBA-të t'i përmbaheshin rezolutës së
KS të OKB, e cila e kërkonte çlirimin e Kuvajtit por jo edhe nënshtrimin e Irakut. Këmbimi i
vazhdueshëm i porosive midis zyrtarëve të të dy palëve duket se ndikoi në përfundimin e luftës
brenda suazave të vëna të rezolutës në fjalë të Këshillit të Sigurimit, ndonëse zhvillimi i ngjarjeve
atje (në Irak) akoma nuk ka përfunduar. Me fjalë të tjera, s'ka dyshim se administratat amerikane
gjatë tërë periodës së pas Luftës së II Botërore, por edhe tani, BRSS-në e konsideronin si rival të
barabartë me veten; një pol tjetër të drejtëpeshimit bipolar të forcave; pjesëmarrës aktiv të garave
në armatim dhe në zhvillimin global të shoqërisë dhe rrezikues potencial të interesave globale
amerikane. Mirëpo tejkalimi i luftës (politikës) së ftohtë; përfundimi me sukses si i detente-it në
marrëdhëniet midis dy superfuqive dhe veçanërisht rënia e komunizmit në vetë Bashkimin
Sovjetik dhe në tërë Evropën Lindore, ka shtruar pyetje të reja dhe ka nxitur shpresa të mëdha te
popujt që ndodhen brenda Bashkimit Sovjetik, por edhe brenda sferës së interesave globale
sovjetike. Një pjesë e vogël e opinionit edhe ndër ne në Kosovë, e nxitur nga këto procese, filloi
menjëherë jo vetëm të riorientohet, por edhe të ri-rreshtohet: dikush në funksion të interesave
egoiste individuale, dikush tjetër në funksion të interesave të sektorëve të harruar shoqërorë dhe
politikë, të tjerët në funksion të drejtpërdrejtë të interesave të qarqeve të ndryshme politike në
Perëndim, të cilët kujtojnë se u ka ardhur koha e larjes përfundimtare të hesapeve me
komunizmin e dikurshëm, ndërsa të tjerët ndershmërisht e besonin hapjen e rrugës për çlirim
definitiv, por paqësor, nga "përqafimi vëllazëror" i sllavëve të jugut. E keqja është se ata rënien e
komunizmit në tërësi e morën si mundje të tij nga ana e Perëndimit, si fitore definitive dhe të
pakontestueshme të amerikanëve në rivalitet me sovjetikët dhe jo si dështim të një modeli
zhvillimor. Dallimi midis dështimit dhe fitores është i vogël, por tejet i rëndësishëm. Fitorja e
nënkupton dorëzimin e kundërshtarit pa ndonjë kusht të veçantë. Ndërkaq, dështimi e nënkupton
dorëzimin edhe të vullnetshëm të rivalit në lojën e rivalitetit. Andaj, në qoftë se do të mund të
flitej për mundjen e komunizmit, atëherë do të duhej të flitej për mundjen ekonomike dhe
teknologjike, për mundjen e modelit zhvillimor, i cili për shkak të faktorëve objektivë që e
përbëjnë fuqinë akoma nuk mund të konsiderohet, (dhe vështirë që ndonjëherë do të mund të
konsiderohet, pa ndonjë luftë totale midis dy superfuqive) edhe mundje politike. Komponenta e
tillë e pranishme në proceset e tanishme politike nuk ishte e njohur për këto forca, ose edhe ishte,
po injorohej me qëllim prej tyre. Mirëpo injorimi i një komponente të tillë në formulimin dhe në
zhvillimin e ndonjë politike të caktuar vetanake mund të të çojë vetëm në aventurizëm, ndonëse
mund të jetë e kuptueshme vetëm për këtë fazë të tanishme të zhvillimit të proceseve politike.
Megjithatë nuk mund të jetë i kuptueshëm agresiviteti i bartësve të kësaj tendence, të cilët luftën
e argumenteve e zëvendësojnë me trillime, me shpifje e me intriga. Fjala është për një shqyrtim
dhe për një qasje më serioze ndaj problemeve të rënda dhe delikate dhe jo për luftën për pushtet.
Me të le të merren ata që s'kanë ndonjë punë tjetër, por le të mos shpresojnë se kjo gjë do t'u
sjellë lumturinë.
Me supozimin se Bashkimi Sovjetik nuk do të shthuret si shtet, ndonëse disa procese që po
zhvillohen atje të japin një përshtypje të tillë, precizimi i interesave globale ruso-sovjetike
shndërrohet në një çështje të një rëndësie vitale për shqiptarët dhe jo një çështje e përshtattshme
vetëm për diskutime akademike. Diskutimi emocional mbi këtë çështje, nga ana tjetër, sikundër
që u theksua më lart, dhe sikundër që vihet re nëpër faqet e gazetave në gjuhën shqipe, por edhe
në bisedat verbale, është i mundshëm, por jo edhe frutdhënës. Politikisht është steril, t'i shpenzon
kot energjitë, i sfilit shpirtërat, dhe gjithnjë i rezervon mundësitë për paraqitjen e konsekuencave
të panjohura. Duke u nisur nga këto premisa, shqyrtimi i kësaj teme në këtë tekst është i zhveshur
nga paragjykimet dhe nga ngarkesat emocionale. Gjërat janë ditur, vetëm është i nevojshëm
rivlerësimi i tyre nga pozitat e kontekstit të ndryshuar. Ndërkaq, mbase edhe nuk janë ditur për aq
sa është kujtuar.
Instruksionet e Kennanit
Ambasador amerikan në Moskë gjatë viteve 50, Georg F. Kennan (takimet me të gjatë vitit
1976 në Dubrovnik, për shkak të humanizmit të theksuar politik, më impononin respekt), me
artikujt e tij mbi shoqërinë sovjetike dhe mbi determinantat fundamentale mbi të cilat do të duhej
të mbështetej politika amerikane ndaj sovjetikëve e shndërruan atë në analitik përmasash
botërore. Në vitet e fundit të pleqërisë ishte profesor emeritus në Shkollën e Studimeve Historike
të Institutit për Studime të Avancuara në Princeton, New Jersey (Prinston, Nju Xhersi). Ajo që ia
dha atij statutin e gjeniut në teorinë politike amerikane është artikulli i tij "America and the
russian future" (Amerika dhe e ardhmja ruse), botuar për herë të parë në prill të vitit 1951 në
revistën "Foregn Affairs" me të cilin i anticipoi gati në tërësi ndryshimet e sotme në BRSS kur
edhe i dha drejtimet kryesore me të cilat do të duhej të udhëhiqej politika amerikane ndaj rusëve
në kontekstin e ndryshuar politik. Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të këtij artikulli,
revista në fjalë e ribotoi atë në tërësi dhe pa asnjë ndryshim në numrin e vet të pranverës së vitit
1990. Dhe për shkak se politika zyrtare amerikane ndaj BRSS akoma edhe sot i përmbahet
instruksioneve të Kennan-it, në këtë tekst do të veçohen nga ky artikull disa pika të shkurtra.
Kennani niset nga një konstatim i pranueshëm se 1) në Rusinë cariste realisht kishte munguar
tradita e pronës private në industri "buisnessi i madh i brendshëm,- thotë ai,- ishte më tepër
tregtia se sa industria. Ekzistonte një klasë tradicionale tregtarësh thellësisht ruse, por nuk ishte
në përgjithësi e njohur apo e respektuar për gjerësi botëkuptimesh ose për çfarëdo koncepti të
vetëdijshëm të përgjegjësisë së vet ndaj shoqërisë. Portretimi i saj në literaturën ruse është në
përgjithësi negativ dhe depresiv". Ndërkaq, pronarët e tokave, shija dhe paragjykimet e të cilëve
ishin autoritative në fushën sociale, e drejtonin shikimin kah buissnessi, por i shmangeshin
pjesëmarrjes në të. Andaj, "çfarëdo që të ketë qenë prona private në Rusi, ajo nuk arriti të ketë
asgjë që do t'i ngjante respektit dhe rëndësisë në sytë e popullit të vet, e cila u arrit në vendet e
tjera merkantile".
Komunizmi që e ndërpreu traditën e vjetër ruse, nuk solli tradita të reja. Megjithatë, meqë
"çfarëdo sistemi që zgjat me dekada të tëra nuk mund të jetë tërësisht pa merita", amerikanët nuk
duhet të presin që "alternativa e kërkuar e bolshevizmit të jetë replikë e ëndrrës demokratike të
Perëndimit"; 2) se amerikanët duhet ta braktisin tendencën e vlerësimit të të tjerëve sipas kutit të
vet, d.m.th. sipas asaj se sa të tjerët u përngjajnë amerikanëve. Kennani në këtë pikë thirret në
Alexis de Tocqueville (Aleksis dë Tokëvill) i cili qysh në vitin 1831, duke shkruar nga SHBA,
kishte vënë re se: "Sa më tepër që shoh nga ky vend aq më shumë bindem në të vërtetën e cila
më përshkon tej e përtej, se nuk ka asgjë absolute në vlerësimet teorike të institucioneve politike
dhe efikasiteti i tyre varet gati gjithmonë nga rrethanat origjinale dhe nga kushtet sociale të
popullit te i cili ato zbatohen". (shih Alexis de Tocqueville, Demokracy in America, Doubleday
and Company Inc. N.Y.1969). (Duke e ditur orientimin amerikan që nga kjo kohë, autori i këtyre
rreshtave nuk e ka kuptuar ndonjëherë hidhërimin e njerëzve që mbajnë lidhje me Amerikën për
shkak të insistimit të tij në demokracinë autentike). Në pajtim me këtë botkuptim, G. Kennan
qysh në v. 1951 kërkon: "Jepuni atyre (mendon në rusët) kohë. Lërini të jenë rusë! Le t'i zgjidhin
problemet e tyre të brendshme në mënyrën e vet! Rrugët nëpër të cilat popujt avancojnë drejt
dinjitetit dhe vetëdijësimit në qeverisje janë ato që i përbëjnë proceset më të thella dhe më intime
të jetës nacionale". Kennan-i ndërkaq nuk ishte kurrfarë rusofili. Artikulli i tij i famshëm i
nënshkruar me «X», dhe depeshat e tij diplomatike drejtuar State Departament-it, sovjetikëve u
kushtuan shumë shtrenjtë gjatë luftës së ftohtë politike të periodës së mëvonshme, pavarësisht
nga fakti se atë e formoi Xhon Foster Dalls (John Foster Dulles). Fjalët e cituara nuk e kanë
kuptimin e mbrojtjes së rusëve, por të kujdesit që të mos shkaktohet konfuzion i cili do t'i
rrezikonte interesat amerikane. Humanisti politik Kennan nuk mbetet në sferat e romantizmit
politik. Ai është realist dhe i kthehet praktikës politike: 3) Interesi nacional rus, mendon ai, në
rrethanat e ndryshuara, jo vetëm që do të vazhdojë të ekzistojë, por edhe do të riafirmohet me
siguri më fuqishëm. Kundërvënja e hapur e këtij interesi është çështje vigjiliteti, në qoftë se do të
binte ndesh me interesat nacionale amerikane. Amerikanët, pa frikë se do ta kalonin legjitimitetin
e politikës së tyre, do të mund të insistonin që autoriteti i qeverisë sovjetike të mos e kalojë vijën
përtej së cilës do të shndërrrohej në totalitarizëm; që rusët të përmbahen nga imponimi i një
zgjidhjeje opresive mbi popujt tjerë, që njëherë e përgjithmonë ta heqin murin e hekurt që i ndan
dy botërat; që të pranojnë ca limite të brendshme të autoritetit të qeverisë dhe që ta braktisin si
të pavlefshme dhe shkatërrimtare lojën e vjetër të ekspanzionit dhe të shtypjes imperialiste; 4)
Kennan është i vetëdijshëm për ekzistencën e shumë nacionalizmave të tjerë, por vlerëson se
ekzistenca e tyre ekonomike është e lidhur me atë të Rusomëdhenjve. "E ardhmja do të sjellë një
minimum të ndërprerjes së këtyre lidhjeve dhe kjo në vete normalisht do të garantonte një lidhje
më të afërt politike, e cila seriozisht do të varet nga shkalla e tolerancës së ndërsjellë dhe aftësia e
kultivimit të lidhjeve të këtilla mes veti. (shih Georg Kennan, America and the Russian Future,
Foreign Affairs, Spring 1990) . Humanisti Kennan (humanist për shkak se pavarësisht nga bindjet
e tij politike, që mund të diskutohen, u besonte thellësisht parimeve demokratike) nuk i shpëton
dot ndikimit të mendjemadhësisë së njohur anglo-saxone lidhur me faktin se vetëm ata dijnë të
qeverisin, e jo edhe të tjerët, dhe se vetëm ata e njohin demokracinë, përderisa të tjerët akoma
duhet ta mësojnë. I ndikuar nga kjo ndjenjë, Kennan në artikullin tjetër të titulluar «Komunizmi
në historinë ruse», të cilin e botoi «Foreign Affairs» në numrin e vet të dimrit 1990/91,
ripërshtatjen e raporteve ndërnacionale në Rusi e konsideron si të pashmangshme, por jo edhe
pavarësimin e popujve sovjetikë. Fakti se të tri republikat Baltike, -thotë ai, -e meritojnë
pavarësinë e vet, dhe se eventualisht do ta kenë, është jashtë çdo dyshimi. Ndërkaq, ka të tjerë
që e kërkojnë statusin e sovranitetit, por tek të cilët eksperienca dhe maturia e nevojshme e
udhëheqjes, si dhe burimet e tjera esenciale, duhet akoma të demonstrohen. Ka edhe etnitete të
tjera jo-ruse ku kërkesa për pavarësi ende nuk është e shtruar seriozisht dhe tek të cilat aftësia për
t'i bartur shtrëngimet dhe përgjegjësitë e një statusi të pavarur është edhe më tepër në pyetje.
Duke u nisur nga kjo bindje, Kennan konstaton se "asnjë model i vetëm, dhe bile as prej botës së
jashtme, nuk do të mund të ishte përgjigje e dobishme për të gjitha problemet që do të rezultonin
nga një ndryshim i tillë i situatës. Raportet që kanë ekzistuar midis shumë pjesëve joruse, -shton
ai, -të kësaj strukture tradicionale shumë-kombëshe dhe qendrës ruse, kanë rrënjë të thella
historike. Tepër pak njerëz do të ishin të përgaditur për situatën e cila do të paraqitej po qe se të
gjitha këto lidhje do të ndërpriteshin menjëherë. Konfuzioni ekonomik do të ishte enorm. Aq më
keq, sikurse e tregojnë faktet gjithnjë e më evidente, sikur disa entitete jo-ruse të lejohen befasisht
vetëm, ato ose do të bënin luftë kundër njëra-tjetrës, ose do të shndërroheshin në subjekte të
konflikteve të mëdha destruktive qytetare brenda kufijve të vet. Më në fund, është edhe problemi
serioz që do të krijohej me fragmentimin e përgjegjësisë për armët nukleare që tani ndodhen në
duart e sovjetikëve. Duke mos e fshehur shqetësimin e vet, Kennan përfundon me ankth: "…ajo
që tani është duke u paraqitur në territorin tradicionalisht të njohur si Rusi nuk do të jetë dhe nuk
mund të jetë Rusi e carëve. Dhe as që mund të jetë Rusi e komunistëve. Mund të jetë vetëm diçka
esencialisht e re, konturat e së cilës, për ne, dhe bile edhe për vetë rusët, janë akoma të errëta"
(shiko, G.F. Kennan, Communism in Russian History, Foreign Affairs, Winter 1990/1991).
Mirëpo atë që Kennan-i nuk deshi ta thotë, duke e kërkuar kujdesin e politikës amerikane ndaj
rusëve, është fakti se BRSS në kufijtë e tashëm, të cilët amerikanët do të dëshironin t'i
rektifikonin në favor të republikave Baltike, i përgjigjet interesave globale të politikës amerikane:
Sovjetikët në kufijtë e tanishëm janë pengesë e depërtimit aziatik në Evropë. Bashkimi i shthurur
Sovjetik do të ishte territor transverzal i atij depërtimi si në kohën e dyndjeve mongole, shek. i
XII-të. Nga ana tjetër, shthurja e Bashkimit Sovjetik do të ishte hyrje në shthurjen e ndërtesës së
tanishme ndërkombëtare të ngritur pasë Luftës së II-të Botërore dhe kjo pastaj do të ishte një e
panjohur e madhe për rolin e kombeve të mëdha në politiken botërore. Mirëpo, ta ndërpresim
diskutimin me z. George F. Kennan, tashmë të ndjerë (vdiq para ca kohe) dhe t'u kthehemi vetë
rusëve.
Kategorizimi i Leninit
Në qoftë se Brzezinski, Kennan e autoritete të tjera amerikane mendojnë se nuk është i
mundur dekompozimi i Bashkimit Sovjetik, kësaj i kontribuan vetë sovjetikët. Menjëherë, pas
Revolucionit të Tetorit të v. 1917, nën ndikimin e botëkuptimeve politike të Vladimir Iliq
Leninit, këtij korifeu të revulucionit të popujve, meritat e të cilit në avancimin e mendimit politik
në përgjithësi nuk guxuan t'ia mohonin as mendjet më të ndritura të kundërshtarëve më të
mëdhënj të tij, por tani në Prishtinë ia mohojnë ca gazetarucë-fodullë duke kujtuar se koha ecën
prapa e jo përpara, nacionalitetet sovjetike u klasifikuan në kategoritë si vijojnë: 1) Kombet të
cilat para Revolucionit të Tetorit e kishin arritur shkallën kapitaliste të zhvillimit dhe ishin
zhvilluar si kombe të plota borgjeze. Ato e kishin klasën e vet punëtore, intelegjencien dhe një
kulturë relativisht të zhvilluar nacionale. E përbënin Rusët, Bjellorusët, Gruzianët (Xhorxhianët),
Ermenët, Azerbejxhanët, Moldavët, Tatarët etj. Ndonëse këta e përbënin grupin më të madh të
shtetit sovjetik, prapseprapë, i cilësonte një shkallë e pabarabartë e zhvillimit; 2) Kombet të cilat
e kishin zhvilluar rrugën e zhvillimit kapitalist, por që nuk kishin arritur t'i zhvillonin plotësisht
raportet kapitaliste, dhe për këtë arsye i karakterizonin mbeturina të forta të raporteve feudale.
Këtë e përbënin Uzbekët, Kazakët, etj. 3) Popujt të cilët para Revolucionit të Tetorit ndodheshin
në një shkallë të raporteve feudale ose feudalo-patriarkale. Sipas mendimit të teorikëve sovjetikë,
ato u zhvilluan në kombe me ndihmën e socializmit dhe duke iu falenderuar atij, dhe 4) grupin
e fundit e përbënin popujt në shkallë të raporteve feudo-klanore dhe feudo-patriarkale, të cilët
banonin në Veri, në Lindjen e Largët, Siberi, si edhe në viset malore te Kaukazit dhe në Azinë
Qendrore (shih USSR Academy of Sciences, vep. cit. f. 147). Nga kjo pasqyrë e kategorizimit të
popujve në Bashkimin Sovjetik është interesant avancimi i arsyetimit ideologjik: socializmi tani e
zëvendësonte krishterizimin dhe civilizimin e popujve të pazhvilluar, të cilët dikur shtetet e
mëdha imperialiste (duke e përfshirë në radhë të parë edhe Rusinë Cariste) i përdornin si pretekst
për kolonizimin e tyre.
Zgjidhja e çështjes nacionale për të cilën Stalini konsiderohej se ishte autoriteti më kompetent i
proveniencës së mendimit proletar, për të esencialisht ishte në funksion të idesë mbi
maksimalizimin e fuqisë së shtetit sovjetik. Realisht u fillua nga premisa egoiste teorike:
formimi i një kombi sovjetik dhe forcimi i një shteti sovjetik. Kombi-shtet ose shteti i tillë
sovjetik, pastaj, siç e shpjegonin vetë sovjetët, do të ishte garancion për suksesin e lëvizjeve
revolucionare kudo në botë (principi i internacionalizmit). Mirëpo nuk ngjau ashtu. Qysh në
fillim fuqitë e tjera (imperialiste) ishin shumë më të forta, dhe, megjithë dështimin e intervenimit
ushtarak në favor të kontrarevolucionit (kjo tani quhet ndërprerje e zhvillimit të natyrshëm të
proceseve atje), prapseprapë, fitorja e revolucionit u arrit vetëm brenda kufijve të vjetër të Rusisë
Cariste. Të kërkohej nga revolucioni i atëhershëm rus që në emër të teorisë (sikur bënin ca liderë
nga India) të vazhdohej revolucioni, do të thoshte të vulgarizohej teoria. Për rusët akceptimi i saj
do të ishte idiotizëm politik. Në vend të kësaj ata e filluan forcimin e shtetit sovjetik, duke mos
patur skrupulla as ndaj idiotizmit ideologjik të masave të veta, as ndaj të tjerëve.
Me fjalë të tjera, të gjitha kategoritë e përmendura të popujve dhe të kombeve të ndryshme, siç
e shpjegonte Stalini, por nga e cila nuk hoqën dorë as të tjerët më vonë, duhej të
"amallgamoheshin" mes vete. Në nivelin e shtetit multincional:
a) Principi i "amalgamimit" të kombeve zbatohej (teorikisht) me "vullnetin" e tyre të lirë dhe
ishte shprehje e parimit të vetëvendosjes, sipas të cilit, çdo komb ose popull, poashtu
"vullnetarisht" mund të "ndahet dhe të krijojë shtetin e vet të pavarur; të mbetet pjesë e ndonjë
shteti tjetër ose të lidhë raporte federale etj., me të" (shih Stalin, Marksism and National
Question, San Francisco, Proletarian Publishers, 1975). Duke e njohur mendimin dhe natyrën e
sistemit të vendosur nga Stalini nuk ka dyshim se ai do ta preferonte opcionin e fundit (lidhjen
me shtetin tjetër), pasi që një gjë e tillë me siguri do të reduktohej në inkorporimin e atij shteti
brenda kufijve të shtetit Sovjetik. Çdo popull që "me dëshirën e tij" vendoste "të amalgamohej"
me popujt tjerë brenda BRSS, nuk mund të "çamalgamohej" më ndonjëherë, pikërisht për shkak
se kërkohej fitorja e komunizmit dhe e revulucionit në suaza planetare; b) Shteti multinacional
Sovjetik duhej të formohej edhe të forcohej edhe duke u mbështetur mbi principin e barazisë së
plotë dhe të të drejtave të barabarta të të gjitha republikave të bashkuara sovjetike. Mirëpo kishte
shumë sosh dhe ishin llojesh të ndryshme. Një numër i njësive federale (republikave) në frymën e
principit mbi amalgamimin e popujve, ishin poashtu multinacionale: RSSA (Republika Socialiste
Sovjetike Autonome) e Dagestanit, p.sh., përbëhej prej 10 nacionaliteteve, ndërsa RSSA
Haberdin Ballkare; Çeçeno-Ingushe; Haraçejevo-Çerkese dhe Krahina Nacionale Manti-Mansi,
janë entitete shtetërore me nga dy nacionalitete kryesore. Ndërkaq, disa kombe e nacionalitete të
tjera janë ndarë në nga dy formacione shtetërore: RSSA e Oshensias Veriore ndodhet brenda
RSFS Ruse, kurse Krahina Autonome e Oshensias Jugore ndodhet brenda RSS të Gruzisë;
brenda RSS të Azerbejxhanit ndodhet RSSA e Nakçaunshanit; RSS e Ermenisë krahinën
autonome të Nagorni Karabahut e ka brenda Azerbajxhanit; Gruzianët e kanë RSSA të
Axharëve, ndërsa Bajratët i kanë edhe krahinat Autonome të Ust-Urdëve dhe të Aginëve, etj.
(krahaso USSR Academy of Sciences... vep.cit.f 155). Ndarjet e tilla administrativo territoriale,
përkundrejt qëllimeve të proklamuara për barazi dhe të drejta të barabarta, në të vërtetë i
ndihmonin qëllimit të parë -amalgamimit të kombeve, dhe jo barazimit të zhvillimit të tyre.
Teorikët sovjetikë e ndjenin këtë mungesë, prandaj e bënin dallimin midis "barazisë shoqërore"
dhe asaj "nacionale". E para konsiderohej parakusht për realizimin e së dytës. Megjithatë për
realizimin e të dy qëllimeve konsiderohej si me rëndësi: "eliminimi i raporteve antagoniste
klasore.. të diferencave substanciale midis fshatit dhe qytetit, midis punës fizike dhe mendore..."
Me fjalë të tjera, "barazia e vërtetë midis popujve në socializëm është vetëm parakusht i
domosdoshëm i barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve në pikëpamje të furnizimit të tyre me
vlera materiale e shpirtërore" (vep.cit.f.161). Teoria dukej e drejtë, veçse realizimi i postulateve të
saj parashihej për kohë të ardhme të komunizmit. Gjer atëherë vlente vetëm në nivelin formal-
juridik, e jo edhe në atë praktik-politik; c) Principi i tretë mbi të cilin mbështetej forcimi i shtetit
multinacional sovjetik ishte ai i sovranitetit të të gjitha kombeve e nacionaliteteve dhe i shtetësisë
së republikave; d) veçse në dritën e principit të IV-të duhej të kuptohej edhe përmbajtja e të tretit
(të sovranitetit). Centralizmi demokratik e shprehte "principin internacionalist të koordinimit të
detyrave internacionaliste dhe të interesave nacionale". Shteti Sovjetik konsiderohej garant i
sovranitetit të republikave, ndërsa këto të fundit e garantonin mvehtësinë dhe liritë e realizuara
përmes bashkimit "vullnetar" me shtetin multinacional sovjetik.
Formimi dhe forcimi i shtetit multinacional Sovjetik vetëm në mbështetje të katër metodave të
përmendura pa mbështetjen e proceseve të tjera integrative do të ishte i pafrutshëm. Në
instancën e fundit do të rezultonte në formimin e një mekanizmi të pashpirtë që do t'i koordinonte
pjesët e saj të ndryshme, por i cili gjithmonë do të rrezikohej nga tejveprimi i njërës ose pasiviteti
i tjetrës. Për këtë shkak, teoria dhe praktika politike sovjetike i ndihmonte proceset integrative të
cilat, në instancën e fundit, është dashur të rezultonin në formimin e një kombi sovjetik që do ta
mbështeste shtetin multinacional sovjetik. Këto metoda të tjera kanë të bejnë me a) përkrahjen e
proceseve integrative të popullsisë dhe me përzierjen e përbërjës nacionale të republikave, të
regjioneve dhe të krahinave nacionale. Ndonëse është i ngjashëm me parimin e amalgamimit të
kombeve nuk është identik me të. Amalgamimi është parim më i lartë dhe lidhet me vendimin e
vullnetshëm për ta pranuar tjetrin në një komb të bashkëformuar. Ndërkaq, proceset e
migracionit dhe të përzierjes së popullsisë janë derivative, praktike dhe sovjetët i quanin
"internalizim i shtetësisë nacionale sovjetike". Me këtë shprehje i nënkuptonin "proceset
objektive historike të akumulimit në rritje e sipër të karakteristikave të përbashkëta të formave
dhe të metodave të operimit me shtetësinë nacionale të kombeve dhe të nacionaliteteve sovjetike"
(USSR Academy of Sciences. vep.cit.f.221). Andaj, është e qartë se me këtë proces synohej
formimi i një kombi sovjetik. Ndërkaq, me procesin tjetër, -të internacionalizimit, -që përcaktohej
me përmbajtjen e vet klasore, synohej në plan të brendshëm -përmbajtja e njëjtë klasore e kombit
të tillë sovjetik, dhe në plan të jashtëm -ambienti i përshtatshëm për ekzistimin politik të kombit
të tillë/shtetit sovjetik, eventualisht, formimi i ndonjë imperiumi proletar në krye me BRSS: b)
principi i barazisë kombëtare i përmendur më lartë duhej të përcillej me përpjekje për nivelizimin
e zhvillimit të tyre ekonomik. Mirëpo, meqë kjo tregohej e pamundshme, sepse lufta për
eliminimin e veprimit të ligjit mbi zhvillimin e pabarabartë ekonomik (shkencërisht e argumentoi
Marksi) e nënkuptonte stagnimin relativ të vullnetshëm të kombeve të zhvilluara ("ndërkaq të
fortit me qejf nuk heqin dorë nga forca" = Bertrand Russel), atëherë proceset integrative në nivel
ekonomik i ngjanin atyre që e bënin përzierjen e popujve: u formuan rreth 19 regjione ekonomike
që nuk ishin baras me njësitë autonome. Një regjion i tillë ekonomik ose i përfshinte disa sosh
(njësi autonome) ose një njësi autonome ndahej në disa regjione ekonomike. Në këtë mënyrë,
regjionalizimi ekonomik në të vërtetë ishte në funksion të proceseve integrative sovjetike, dhe jo
aq në funksion të qëllimeve ekonomike. Kjo bëri që Kennan-i të konstatonte se ekonomia e
popujve jo-rusë, e sidomos e atyre jo-sllavë, ishte e lidhur me rusomëdhenjtë.: c) Proceset e tilla
integrative përkraheshin edhe me zhvillimin e lidhjeve reciproke kulturore të kombeve dhe të
nacionaliteteve sovjetike. Lidhjet kulturore e "reflektonin unitetin e interesave të njeriut punues të
të gjitha nacionaliteteve", andaj, sipas Sovjetëve "nuk është thjesht e arsyeshme që të shquhen
faktorët etnikë dhe të bëhen çfarëdo ndryshimesh në format e shtetësisë nacionale Sovjetike"
(vep.cit.f.190). Ndërkaq, kundërthënien midis shtetësisë nacionale (që e presupuzon principin
territorial-kombëtar dhe forcimin e elementeve nacionale në federatën Sovjetike) dhe të
kategorisë një komb/një shtet, duhej ta zbërthente aplikimi i principit të centralizmit demokratik
me të cilin rregulloheshin interesat e ndryshme nacionale dhe esenca klasore e shoqërisë sovjetike
në ndërtim e sipër. Se si dukej në praktikë zbatimi i këtij principi (centralizmi demokratik) s'ka
ndonjë nevojë të komentohet. U pa nga vetë ndryshimet në linjën e përgjithshme politike gjatë
zhvillimit socialist të BRSS; d) Metodë tjetër me rëndësi për avancimin e proceseve integruese
ishte dhe akoma është përdorimi i gjuhës ruse si lingua franca e nacionaliteteve sovjetike.
Përdorimi i rusishtes në rend të parë zbatohet në organet e shtetit: "Organet e shtetësisë nacionale,
-siç thonë sovjetikët, -gjithnjë e më tepër e përdorin jo vetëm gjuhën amtare të nacionaliteteve
indogjene, por gjithashtu edhe rusishten si mjet të komunikimit. Ky funksion bi-lingual i
organeve të shtetësisë nacionale është trend i rëndësishëm për internalizimin e mëtejshëm të
formës nacionale të shtetësisë së popujve të BRSS". Fjala internalizim këtu e ka kuptimin e
akceptimit vullnetar të rusishtes si lingua franca të nacionaliteteve të ndryshme, por edhe
kuptimin e akceptimit të natyrshëm, të paimponuar, të ngritur në nivel gati të gjuhës amtare, për
nacionalitetet jo-ruse. Në këtë mënyrë, zhvillimi i bi-linguizmit të nacionaliteteve sovjetike
shndërrohet në "proces të natyrshëm të zhvillimit linguistik të popujve sovjetikë" (vep.cit.f.188).
Kishte, natyrisht, edhe forma të tjera që u ndihmonin proceseve integruese në Bashkimin
Sovjetik, por këto ishin më të rëndësishmet dhe nga to nxirreshin edhe të tjerat.
Thelbin e proceseve të këtilla integrative e përbënte ligji i "lulëzimit dhe i afrimit" të popujve,
të cilin Sovjetikët e cilësonin si jashtëzakonisht pozitiv: "Procesi i zhvillimit të shtetësisë
nacionale-thoshin ata -është në rend të parë i determinuar me interakcionin e dy ligjeve të
përgjithshme: e para, me lulëzimin e mëtejshëm dhe gradual të kombeve Sovjetike, dhe e dyta,
me zhvillimin e përgjithshëm dhe me përmirësimin e demokracisë socialiste gjatë ndërtimit të
komunizmit" (vep.cit.f.183). Veprimi i këtij ligji i nënshtrohej prioritetit të klasores mbi
nacionalen dhe të internacionales mbi nacionalen. Sa i përkiste aspektit nacional të çështjes
(principi i formacionit nacional-shtetëror), ai e nënkuptonte vetëm faktin se "një territor i caktuar
integral duhet të jetë i banuar në mënyrë kompakte me anëtarët e ndonjë nacionaliteti të caktuar
(ndonjëherë me dy ose tri nacionalitete të tilla), që mund të formojnë, qoftë shumicën relative,
qoftë atë absolute, ose pak a shumë, një pjesë të rëndësishme të popullatës". Mirëpo shteti, sipas
teorikëve sovjetikë, nuk mund të formohet, e as të ekzistojë vetëm me këtë kusht; principi nuk
mund të zbatohej në mënyrë të njejtë, si në socializëm ashtu edhe në komunizëm, ku tani një
kohë të gjatë "veproi procesi i natyrshëm progresiv i forcimit të mobilitetit dhe i ngritjes së
natyrës multinacionale të popullsisë nëpër republika dhe çarqe"(ibd.) Në këtë mënyrë bëhej e
qartë se shteti Sovjetik e synonte krijimin e një kombi të vetëm sovjetik. Sigurisht nën presionin
e shembullit amerikan, ku pohohej se tashmë ishte krijuar një melting pot (kazan tretës) për
pjesëtarët e kombeve të ndryshme që jetonin atje, teoria dhe politika sovjetike bukur heret, qysh
në vitet 60, u ngut të konstatojë se populli /kombi/ sovjetik tashmë ishte formuar. Çfarë ishte
populli sovjetik sipas këtij konstatimi? "Populli Sovjetik -pohon Akademia e Shkencave të BRSS
-në rend të parë, është një kolektivitet integral socialist (faqe 20 rreshti 5, -fjala e dytë e
palexueshme) i cili i ka karakteristikat e përbashkëta të jetës së vet ekonomike, politike,
ideologjike dhe shpirtërore dhe e ka përbashkësinë e interesave dhe unitetin e qëllimeve që
realizohen si rezultat i aktiviteteve të përbashkëta të anëtarëve të barabartë të këtij fenomeni. Në
rend të dytë është bashkësi social-klasore që karakterizohet me përbashkësinë e jetës ekonomike,
strukturës sociale, të sistemit shoqëror-politik, ideologjisë marksiste-leniniste, me përmbajtjen
socialiste të kulturës, me mënyrën e jetesës dhe traditat, me psikologjinë nacionale, me lingua
franca të përbashkët dhe me vetëdijën e përbashkët mbi përkatësinë e vetëm një atdheu unik dhe
një bashkësie të re historike. Në rend të tretë, populli sovjetik është një etnitet unik i formuar prej
llojllojshmërisë nacionale dhe prej kombeve, nacionaliteteve dhe grupeve të ndryshme
nacionale" (vep.cit.f.219). Populli i tillë sovjetik i mbështetur nga shteti sovjetik në të vërtetë e
përbën kombin/shtet sovjetik ose së paku, synimet e qëllimit të tillë në realizim e sipër. Nga ato
nuk u hoq dorë as me ndryshimet demokratike në Bashkimin Sovjetik. Aq më tepër, në BRSS
llogaritet se me to mund të pritet forcimi i kësaj tendence.
BRSS sipas Kushtetutës së v. 1977 definohet si shtet unik federativ multinacional ... që e
mishëron unitetin shtetëror të popujve, i bashkon të gjitha kombet dhe nacionalitetet me qëllim të
ndërtimit të përbashkët të komunizmit (shih Zbirka Novijih Ustava, Savremana Administracija,
Beograd, 1979. f.135). Tani atje ndryshimet zhvillohen në drejtim të akceptimit të demokracisë,
por ato nuk mund të bëhen duke mohuar menjëherë çdo gjë socialiste, në mos për asgjë tjetër,
atëherë për shkak se shtresat e zhvilluara burokratike gjatë viteve të zhvillimit socialist do të
duhej t'a mohonin veten dhe vullnetarisht do të duhej t'ia lëshonin pozitat shoqërore dhe
shtetërore të tjerëve; do të duhej të krijohej një strukturë tjetër e organizimit shtetëror dhe do të
duheshin shumë gjera të tjera. Për t'u arritur këto gjëra në thelb të "perestrojkës" dhe të
"glasnostit"-it, do të duhej të ishin revolucioni dhe jo reformat. Andaj, meqë në thelb të tyre janë
reformat e jo revolucioni, d.m.th. përmirësimi i raporteve shoqërore dhe jo çrrënjosja e tyre
radikale, atëherë mbetet të shihet nëse mund të priten ndryshime në përcaktimin e interesave
vitale të shtetit sovjetik. Tani për tani është vështirë të priten ndryshime të tilla.
Duke filluar nga elementet përbërëse të shoqërisë sovjetike, Vernon V. Aspaturian është i
mendimit "se BRSS-ja në marrëdhëniet ndërkombëtare është e pajisur (në të vërtetë, e
dhuntuar=endowed) me një shumësi identitetesh" (multiple identities) dhe se e "zbulon veten si
agregat të pesë personaliteteve të institucionalizuara dhe të ndërvarura: . . . 1) të shtetit; 2) të
partisë; 3) të kombit rus; 4) të kombeve jo-ruse (variabël) dhe 5) të bashkësisë multinacionale
(vep.cit.f.153). Për këtë shkak, Bashkimi Sovjetik, shkruan Aspaturian "duhet deomos t'i
artikulojë interesat e konstituentëve shoqërorë brenda sistemit shoqëror-politik në harmoni me
strukturën lëvizëse të pushtetit dhe të prioriteteve. Kjo nga ana e vet, -shton ai, -doemos duhet
të koordinohet me kërkesat e nacionaliteteve brenda rendit multinacional sovjetik dhe të
harmonizohet me interesat e shteteve të tjera komuniste në nënsistemin ndërkombëtar (d.m.th.
brenda vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës), para se të veprojë brenda sistemit të
përgjithshëm ndërkombëtar (vep.cit.f.154). Siç është theksuar më herët, përfaqësimi në organet e
larta të pushtetit sovjetik i nacionaliteteve jo-ruse nuk ka qenë gjithaq i theksuar, por megjithatë
ekzistonte. Dhe nuk ishte proporcionalisht i njëjtë në të gjitha organet qendrore të pushtetit
Sovjetik (gati fare nuk i përfshinte organet ekzekutive). Kjo do të thotë se nacionalitetet jo-sllave
nuk luanin ndonjë rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të shtetit. Për këtë
shkak, por duke u nisur nga komponenta historike, edhe Aspaturian mendon se BRSS në rend
të parë funksiononte si trashëgimtar dhe rojtar i interesave të kombit rus dhe i vlerave të tij. Në
këtë kuptim kombi rus bile i ka "universalizuar" normat kulturale të rusëve si norma sovjetike
dhe këtë e ka bërë në emër të progresit e jo në emër të rusifikimit të tyre (vep.cit.f.157). Interesat
e kombit rus shteti sovjetik gati i ka realizuar në tërësi. Megjithatë, Aleksandër Solzhenjicin
pikërisht nga pozita e këtij kombi më vonë do t'a bëjë njerën nga kritikat më të fuqishme kundër
sovjetizimit të kombit rus. Në qoftë se fshatarët gjithkund janë bartësit e kombit dhe të
kombëtares, e të këtillë, mendon Solzhenjicini, sidomos ishin në Rusi, atëherë pikërisht fshatarët
e pasur (kulakët, siç i quajti Stalini) e luajtën një rol të tillë prioritar. Shkatërrimi i dhjetëra
milionë kulakëve gjatë kolektivizimit në kohën e Stalinit, por edhe sovjetizimi i rusëve më vonë,
kanë ndikuar në humbjen e shpirtit të kombit rus. Solzhenjicini, duke rënë në pozitat e errëta të
misticizmit feudal, ua tërhoqi vërejtjen sovjetikëve mbi veprimet e mundshme retroaktive të
historisë (shiko artikullin e tij të fuqishëm nga fjalimi famoz në Harvard më vitin 1978). Duke e
dëgjuar këtë fjalim një ditë të vrënjtur me re e shi, i ulur mbi shkallët e bibliotekës së Harvardit, e
vëreja se Solzhenjicini me mjekrrën e tij të gjatë, të nxiste përfytyrimin e një prifti rus që e
kërkonte perëndinë, i vetmuar në horizontin e gjerë të stepes. Këtë fjalim të tij me të cilin i
krahasonte sistemet e botoi revista Foreig Affairs, Spring, 1980. Me fjalë të tjera, ajo që me
gjenialitetin e shkrimtarit botëror e vërente Aleksander Solzhenjicini ishte e lidhur me frikën
instiktive nga sovjetizimi edhe i vetë sovjetizuesve (rusëve). Solzhenjicini e preferonte ri-
orthodoksizimin e shpirtit rus dhe jo sovjetizimin e tij. Mirëpo frika e Solzhenjicinit ka të bëjë
me sistemin ku artikulimi i interesave nuk bëhet vetëm përmes kanaleve të instaluara të pushtetit,
por edhe përmes luftës së brendshme për pushtet. Në kuptimin global, duke e marrë parasysh
realitetin teknologjik, nuklear e termonuklear dhe të bartjes interkontinentale të ngarkesave të
tilla, qëllimet e politikës së jashtme sovjetike u reduktuan me kohë në maksimalizimin e fuqisë,
të prestigjit dhe të pozitës së favorshme ndërkombëtare të vendit, e jo në proletarizimin
ndërkombëtar. Konflikti i v. 1948 me Jugosllavinë dhe ai i viteve '60 me Kinën dhe me
Shqipërinë, ndikuan në drejtim të kristalizimit të konceptit të sigurimit në BRSS: parafytyrimi
mbi rrezikimin permanent të sigurisë së BRSS u zëvendësua me perceptimin e sigurisë
permanente, të rrethuar me vende miqësore socialiste, e më vonë edhe kjo u braktis. Siguria tani u
mbështet mbi fondin e armatimit; vizioni fiks i Stalinit dhe i stalinizmit mbi koekzistencën midis
dy kampeve të papajtushme ndërkombëtare u zëvendësua me akceptimin e rrugës jo-kapitaliste
të zhvillimit (që akoma nuk u braktis, por që do të braktiset); doktrina mbi domosdoshmërinë
fatale të luftës qëmoti u braktis në favor të kondominiumit, por edhe të modus-vivende-ve të
ndryshme. Me fjalë të tjera, qëllimet universaliste ideologjike i erroduan vlerat e brendshme
(sepse nuk mund të realizoheshin). Një ploitikë reale e jashtme e presupozonte ekzistimin e
drejtpeshimit midis interesit nacional (në këtë rast sovjetik) dhe universalizmit ideologjik. Gjatë
një kohe (prej Kongresit XX të PK të BRSS) një gjë e tillë e mundësoi paraqitjen e dy tendencave
në politikën e jashtme sovjetike: 1) të njërës, që nuk hiqte dorë plotësisht nga premisat staliniste
të politikës së jashtme dhe 2) tendencës së dytë, që ngulte këmbë në një vlerësim më "nacional"
të situatës ndërkombëtare dhe të detyrave të politikës së jashtme sovjetike: "Perestrojka" dhe
"Glasnosti" esencialisht janë mbisundim i tendencës së dytë. Proceset integruese të Evropës i
ndihmojnë asaj. Mirëpo çështja e inkuadrimit të BRSS në Evropën e Bashkuar është çështje e
komplikuar në vetvete, e cila do të zhvillohet varësisht nga ajo se sa BRSS interesat e
sovjetizuara ruse do t'i perceptojë si interesa sovjetike e jo ruse, d.m.th. si interesa të të gjitha
kombeve dhe nacionaliteteve të Bashkimit Sovjetik, e jo vetëm si interesa të kombit më të madh
ose të një grupacioni kombesh (të kombeve sllave). Pavarësisht nga dëshira që t'i afrohet
standardeve Evropiane, Bashkimi Sovjetik nuk është vetëm shtet evropian por edhe aziatik. Edhe
po të dojë, ai nuk mund të heqë dorë nga një detyrë ambivalente që i imponohet: si një shtet
edhe aziatik, do ta marrë me vete edhe Azinë, apo do të shkëputet prej saj? Me fjalë të tjera,
evropeizimi i Evropës e nënkuptonte evropeizimin edhe të Bashkimit Sovjetik, ndërsa
evropeizimi i BRSS e nënkuptonte evropeizimin (të përkthyera si sovjetizim) të pjesës aziatike të
tij, por në mënyrë indirekte edhe të Azisë. Ky do të duhej të ishte shkaku i vërtetë i shqetësimit të
letrarëve sovjetikë si Solzhenicini: do të orientohen për në Evropë apo do të mbeten në Azi? Dy
shalqinj është gjë e vështirë të mbahen në një dorë, por kjo u përket sovjetikëve dhe jo neve.
Ndonëse konsekuencat e vërteta të tilla do të jenë temë e shqyrtimit në artikujt tjerë që pasojnë
mbi Evropën, tani është e udhës të konstatohet se është joserioze të manipulohet mbi
dekompozimin e mundshëm të BRSS. Reflektimi i këtyre tezave në Kosovë nuk është në
interesin e Kosovës. Ajo ka detyra të tjera që mund t'i realizojë dhe të cilat ajo do t'i realizojë
vetëm duke e akceptuar drejt vendin e vet në nënsistemin dhe në sistemin e mendimit dhe të
realitetit politik.
Shtrirja e problemit
Sipas parametrave statistikorë të botës së sotme shqiptarët janë popull relativisht i vogël për
kah numri, por i shpërndarë gati në të gjitha anët e globit. Thuhet relativisht për shkak se kjo
varet nga çasja dhe definicioni i asaj që nënkuptohet me fjalët popull dhe komb. Po t'i
qaseshim problemit p.sh., nga aspekti antropologjik, atëherë shqiptarët do të bënin pjesë ndër
popujt mesatarë për kah numri, madje ndoshta ndër popujt mesatarisht të mëdhenj për kah
numri, dhe do ta zinin një vend sigurisht jo ndër të fundit. Xheson Klej (Jason W. Clay), një
antropolog i angazhuar në studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të
njeriut, kombet i definon si "…grupe njerëzish me identitet të fortë kulturor dhe politik që
janë të vetëdefinuara dhe të njohura nga të tjerët ... grupe të cilat e kanë ushtruar kontrollin
politik të fatit të tyre në të kaluarën (gjer në njëfarë shkalle) dhe të cilat kontrollin e tillë të
fatit të tyre akoma e shohin si strategji të mundshme të së ardhmes..." Për ndryshim nga
termat: popull indogjen (grupe distinkte kulturore që e kanë okupuar një regjion të caktuar
shumë para ardhjes së imigrantëve ose grupeve koloniste), popull fisnor (tribal), grup distinkt
kulturor që e ka ruajtur një ndjenjë të fortë të identitetit, (me gjuhë dhe me kulturë të ndarë
nga të tjerët), të bazës territoriale dhe të një organizimi socio-politik të vetëmjaftueshëm që
nga koha para krijimit të shteteve moderne; grup etnik (grupe distinkte kulturore brenda
shtetit, që e ruajnë identitetin e tyre kulturor duke akceptuar dhe njëkohësisht duke operuar);
brenda suazave institucionale dhe politike të shtetit, kombet i ruajnë institucionet e
domosdoshme sociopolitike me të cilat e qeverisin veten; mund t'i kenë pushtuar të tjerët ose
dhe mund të jenë pushtuar prej të tjerëve, por kufijtë shtetërorë rrallë herë janë shprehje e
sipërfaqeve tradicionalisht të okupuara prej kombeve. "Për këtë shkak kohëve të fundit është
shtuar termi kombi-shtet i cili reflekton dëshirën për krijimin e identiteteve të reja që
korrespondojnë me kufijtë aktualë, por jo edhe të drejtë, politikë. Jason W. Clay pohon se
gjatë procesit të formimit të shteteve, brenda tyre u përfshinë edhe rreth 600 milionë njerëz që
u takonin kombeve të cilat nuk merrnin pjesë, ose vetëm pjesërisht merrnin pjesë, në
kontrollimin e shtetit, por që gjithsesi nuk ishin bartës të tij. Këta njerëz klasifikohen në reth
10.000 kombe, përbëjnë mbi 10% të popullatës botërore dhe u takojnë rreth 30-40% tö
sipërfaqes dhe të resurseve të përgjithshme të globit (shih Jason W. Clay,The Ethnic Futur of
Nations, Third World Quaterly, October, 1989). Nga këto kombe, vetëm rreth 500 gjer 1000
syresh mund ta mbrojnë veten po të kenë armë. Të tjerat i nënshtrohen rrezikut të
eksterminimit, ndërsa shekulli që pason do të vendosë për fatin e përgjithshëm të tyre
(ibd.).
Ndërkaq qasja jonë ka të bëjë me definimin e shqiptarëve të konstituar si komb-shtet, në
mesin e kombeve-shtete të tjera. Nga ky aspekt mund të thuhet se jemi një popull relativisht i
vogël për kah numri, por jo edhe popull numerikisht i vogël. Shqiptarët fizikisht janë të aftë
për mbrojtjen e vet dhe shekulli që pason duhet t'u hapë rrugë të reja për rritën dhe zhvillimin
e tyre.
Në mënyrë të koncetruar dhe në një territor kompakt jetojnë në Shqipëri dhe në viset jugore
të Jugosllavisë (Kosova, Maqedonia Perëndimore, në Serbinë jugore /Preshevë dhe Bujanovc/
dhe në Mal të Zi). Viset shqiptare në Jugosllavi gjeografikisht konsiderohen kompakte.
Ndërkaq nga aspekti administrativo-politik janë të ndara në katër republika: (Serbi,
Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi) dhe në Shqipëri si shtet-amë. Synimi për një sovranitet
shtetëror të republikave në fjalë çështjes shqiptare në Jugosllavi i jep një dimension të ri. E vë
atë në kontekst të kërkesës për bashkimin e kombit, ashtu siç e parashtron Akademik R. Qosja
(Zëri i Rinisë, nr. 1400-1401, 27 Prill-4 Maj 1991, "Çështja shqiptare dhe Jugosllavia").
Ndërkaq, në këtë punim fillohet nga premisa se Jugosllavia edhe më tutje do të ekzistojë si
shtet dhe se kjo gjë nuk e përjashton mundësinë e shqyrtimit akademik të të gjitha varianteve
dhe aspekteve të zgjidhjes së çështjes shqiptare në përputhje me synimet, me kohën dhe me
mundësitë.
Vlerësimet e përgjithësuara statistikore theksojnë se shqiptarët në Jugosllavi përbëjnë rreth
40% të popullsisë së tërësishme shqiptare. Ndërkaq, duket se popullsia e përgjithshme
shqiptare jashtë kufijve të shtetit-amë, Shqipërisë, është më e madhe. Ky fakt ka rëndësi të
veçantë politike në radhë të parë për vetë shqiptarët, ndërkaq ai peshon edhe mbi politikën
globale të fuqive në Evropë.
Shqipëria viabël
Nga ana tjetër, territori ku jetojnë sot shqiptarët rreth kufijve të shtetit amë, për kah
sipërfaqja (mbi 10. 000 km/2. vetëm në Kosovë; X Km/2. në Maqedoninë Perëndimore dhe në
Mal të Zi), ndërsa po të merrej parasysh edhe territori i Çamërisë (Epiri) në Greqi, do të duhej
të ishte mbi gjysma e territorit të Shqipërisë (mbi 28.000 Km/2). Duket qartë se politika
globale Fuqive të Mëdha në të kaluarën nuk e përgjysmoi Shqipërinë, siç mund të dëgjohet
ngandonjëherë, por e reduktoi në një Shqipëri viabël, siç do të thoshte Arben Puto (shih
"Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha", Tiranë, 1978) për interesat e
drejtpeshimit të forcave në Evropë. Shqipëria viabël e kishte kuptimin e ekzistimit të një
prapavije të mjaftueshme për mbrojtjen e portave detare dhe të aftësisë për mbajtjen e vetes pa
shpenzime të fuqive. Mirëpo ajo nuk i përmbushte aspiratat legjitime të popullit shqiptar. Nga
ky aspekt mund të thuhet se çështjen shqiptare e krijuan Fuqitë e Mëdha dhe se ato,
normalisht, edhe do të duhej t'a zgjidhnin. Mirëpo Fuqitë e Mëdha nuk merren me zgjidhjen e
çështjeve të tilla pa patur interesa të veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një
çështjeje të këtillë nga vetë faktori politik shqiptar. Në të kaluarën, duke qenë prezent në
vetëdijen politike shqiptare, por edhe objektiv evident i kombinimeve të ndryshme të
strategjisë politike të Fuqive të Mëdha, zgjidhja e kësaj çështjeje u aktualizua herë pas here,
por akoma mbeti për t'u zgjidhur. Problemi është kompleks dhe i ndërlikuar. Konsiston nga
ajo që të dihet se a është e mundshme zgjidhja definitive e çështjes, si është e mundshme dhe
në çfarë kohe?
Diaspora shqipare
Me siguri duke i marrë parasysh edhe këto fakte, Peter Prifti, një profesor amerikan me
prejardhje shqiptare, në librin e tij «Albania» (botimi i vitit 1978, në Boston, Massachussettes)
kur flet për politikën shqiptare, pos Shqipërisë dhe Jugosllavisë (shqiptarët në Jugosllavi) e
thekson edhe faktorin e tretë -shqiptarët në Amerikë, dikur të organizuar rreth «Vatrës» së
Nolit, më vonë rreth revistës «Dielli» e tani edhe në një lobby të veçantë shqiptar në
Kongresin e SHBA. Shqiptarët në Australi, Evropë dhe në Turqi, me përjashtime në kohë,
para vitit 1981 duket se nuk mund të ushtronin ndonjë ndikim të veçantë në politikën e
qeverive të vend-qendrimit të tyre dhe vështirë se mund të flitet për ta si për ndonjë faktor
kontinuitiv në mbrojtje të interesave politike gjithëshqiptare. Tani mërgata shqiptare në
përgjithësi duket se me të drejtë konsiderohet si një faktor i veçantë politik që mund të
ndihmojë në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Zgjerimi i demokracisë në tërë Evropën këtë gjë
do të duhej ta mundësonte më tepër, me kusht që të ketë kujdes për mosimponimin e
zgjidhjeve të ndikuara nga vend-qëndrimi i tanishëm i tyre. Shqiptarët e diasporës shqiptare,
me fjalë të tjera, nuk mund të jenë bartës eventualë të një politike gjithëshqiptare. Ndërkaq
Shqipëria, për shkak të peshës politike që ka shteti në suaza ndërkombëtare politike, nuk
mund të jetë bartëse e një politike që mund t'a rrezikonte cilësimin e vet si politikë që i cënon
normat ndërkombëtare juridike dhe politike të sjelljes së shteteve. Këto norma, pavarësisht
nga ndryshimet në Evropë, akoma janë në fuqi.
Nga ana tjetër, në qoftë se me nocionin komb nënkuptohet përmbajtja anglo-saxone e tij,
d.m.th. kombi i konstituuar si shtet (nation-stat) atëherë do të ishte fare e natyrshme dhe e
logjikshme që Shqipëria të jetë bartëse e një politike gjithëshqiptare, sikundër që është e
natyrshme dhe e logjikshme që shumica absolute e shqiptarëve të diasporës shqiptare ta
synojnë qëllimin e bashkimit, por duke mos e rrezikuar ekzistencën e vet si komb, dhe të
shtetit amë -Shqipërisë. Në këtë kuptim mund të flitet për interesat vitale të kombit: a) të
ekzistojë si komb; b) si komb i konstituuar në shtet -Shqipëri, dhe c) të bashkohet. Në thelb të
definimit të një politike eventuale gjithëshqiptare ndodhet pikërisht komponenta e bashkimit,
por gjithnjë duke mos e vënë në pyetje ekzistimin e Shqipërisë si shtet-thelb i gjithë
shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Andaj, çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të
tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare. Si një pikësynim ideal, në shqyrtimet serioze
politologjike nuk mund të kontestohet. Brenda suazave institucionale dhe normave
ndërkombëtare juridike Shqipëria është dhe duhet të jetë bartëse e një politike të tillë.
Si e tillë, d.m.th. si synim gjithëshqiptar, ishte prezent që prej fillimit të vetëdijësimit
nacional shqiptar. Luftërat anti-Osmane të Skendërbeut vështirë që mund të zhvishen nga kjo
komponentë. Nga ana tjetër, luftërat e shumta Iliro-Romake, nga të cilat veçohen ato të Teutës
dhe të Pirros në Epir dhe të Dardanëve me Filipin e Maqedonisë, kishin karakter të mbrojtjes
së territoreve të veta, të vetes së tyre dhe të mënyrës së jetesës -komponenta këto me rëndësi
të shtetësisë dhe jo të fisnisë. Një nga teorikët e mëdhenj amerikanë -Hans J. Morgenthao
(shih "Shteti dhe interesat vitale të kombit") vë re se kombet formohen në raport me të huajt.
Në qoftë se kjo vërejtje është e saktë (nuk ka ndonjë arsye që të mos jetë e saktë), atëherë së
bashku me procesin e formimit të shtetit, historikisht është ngadalësuar edhe procesi i
vetëdijësimit nacional. Ka mbetur gjuha si element kontinuitiv i kombit. Historia shqiptare
duket sikur dëshmon fuqimisht se gati çdo qoshe e tokës së dikurshme ilire (tani jugosllave)
në përgjithësi, e sot shqiptare në veçanti, sikur të kishte pasur një rëndësi të jashtëzakonshme
strategjike për romakët, pikërisht sikurse më vonë për bizantinët, turqit, rusët, gjermanët,
italianët, francezët etj. Gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, d.m.th. gjatë kohës së
konstituimit të shteteve nacionale në Ballkan, sërish erdhën në shprehje interesat globale të
Fuqive të Mëdha. Në konfrontimin dhe thyerjen e ndërsjellë të interesave të dy grupacioneve
të fuqive të mëdha: të Boshtit Tripartitësh (Austro-Hungaria, Gjermania dhe pjesërisht-Italia)
dhe të Aleancës (Rusia, -gjer me 1917, Britania e Madhe dhe Franca), si dhe të satelitëve të
tyre të instrumentalizuar në Ballkan, erdhi gjer te reduktimi i Shqipërisë në një Shqipëri
viabël. Ndër shqiptarët, natyrisht, formimi i Shqipërisë u pagëzua si fitore e madhe e faktorit
politik shqiptar. Gjatë Luftës së II-të Botërore, Konferenca e Bujanit, me rezultatet praktike të
luftës, u vu në kontekst të një potezi taktik-luftarak të aleatëve të luftës, meqë aleatët kryesorë
(Churchill-i dhe Roosvelt-i) qenë marrë vesh që në prag të luftës për ripërtëritjen e
Jugosllavisë në kufijtë e saj të paraluftës. Dukej sikur autonomia e pasluftës e Kosovës të
ishte, pos tjerash, edhe një si kompromis midis qëndrimeve të Kominternës për bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë, dhe qëndrimeve të padefinuara të qeverive anglo-saxone që
ndikoheshin nga grekët dhe nga qeveria mbretërore jugosllave në ekzil për copëtimin e
Shqipërisë midis Veriut dhe Jugut. Kjo gjë më pastaj, në kontekst të interesave globale të
superfuqive, rezultoi në forcimin e autonomisë së Kosovës (viti 1974) dhe në kërkesën për
konstituimin e saj si Republikë e barabartë me të tjerat në Jugosllavi (viti 1981). Ndërkaq, në
Shqipëri, pas prishjes me Kinën, rezultoi në një izolim dhe bllokadë të lidhjeve politike me
botën, duke u distancuar njësoj si nga njëra, ashtu edhe nga superfuqia tjetër.
Evropa dialogjike
PJESA II
VITI '81 DHE PROCESET E DEMOKRACISË
Kohëve të fundit në Kosovë duket se dominojnë dy parulla: ajo mbi demokracinë dhe ajo
mbi Evropën. Me demokraci mendohet të arrihet në Evropë, ndërsa me Evropë mendohet të
kihet demokraci (zhvillim). Duket se që moti është bërë imperativ precizimi i përmbajtjes së
tyre dhe shpjegimi më i hollësishëm i raportit të tyre me ngjarjet në Kosovë dhe me synimet e
saj. Për këtë shkak, në qoftë se në pjesën e parë të letrës së drejtuar redaksisë së revistës
beogradase «Intervju», tentimi i argumentimit teorik, nga aspekti i vetëdijes, sado pak i ka
vënë në dyshim paragjykimet mbi atë se ngjarjet dhe kërkesat e vitit 1981 inspiroheshin
ekskluzivisht nga RSP e Shqipërisë; në qoftë se teksti i diskutimit nga viti 1981 në Fakultetin
Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë ngjarjet e atij viti i ka vënë në kontekst të
lëvizjes botërore konvulzive autonomiste, kurse vetë kërkesën kryesore për Republikë, në
kontekst të synimeve natyrale për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, atëherë duket e udhës
dhe e drejtë të konstatohet se Kosova nuk mund të stoliset me një demokraci të imponuar nga
jashtë; se asaj demokracia nuk i duhet për t'u stolisur (se edhe ashtu është e bukur), e as për të
vallëzuar me të. Do t'i duhet, natyrisht, edhe për këto, por jo vetëm për këto, sepse atëherë
vështirë që do të arrinte në Evropë. Me fjalë të tjera, Kosova nuk mund të arrijë në Evropë pa
një demokraci autentike, të vetëlindur prej saj. Pikërisht për këtë shkak, kjo pjesë e analizës
(pjesa e II-të), tenton të koncentrohet në çështjet që kanë të bëjnë me raportin midis ngjarjeve
të këtij viti dhe proceseve të demokratizimit të jetës politike në Kosovë. Pa këtë, nocionet
«demokraci» dhe «Evropë», nuk mund të kuptohen drejt, nuk mund të kenë përmbajtje
adekuate. Vetëm duke i vënë në relacion me ngjarjet e vitit 1981, me tërë kontinuitetin e
ndodhive të viteve '80, mund të arrihet gjer te përcaktimi i drejtë, jo vetëm i përmbajtjes së
tyre, por edhe i synimeve të mëtejshme të proceseve të tanishme e të djeshme, si edhe i
lidhmërisë së tyre me ato procese të demokratizimit që e synojnë një Evropë të përbashkët për
të gjithë popujt e saj (që do të jetë temë e pjesës së III-të të kësaj analize). Nga ky aspekt,
duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe
të proceseve. Natyrisht, ato mund të lëvizin edhe pa zbërthimin e kësaj nyjeje. Dhe, gjatë
historisë, rëndom, vetë ajo i ka zgjidhur nyjet e ngjashme, veçse çmimi rëndom ka qenë tejet i
lartë. Është paguar me lajthitje, me ngecje dhe me tragjedi, herë-herë fare të panevojshme,
dhe herë-herë tepër të ekzagjeruara. Ndërkaq, ndonjëherë tërësisht e kanë ndërruar kahjen e
zhvillimit të tyre, në mënyrë që pastaj historianë të zotë janë detyruar të merren me vlerësimin
e asaj se ç'do të kishte qenë më mirë — të mos ishte bërë ai ndërrim i kahjes, apo më mirë që
ishte bërë? Dhe historia në këtë pikë doemos do të ishte shndërruar në filozofi dhe filozofia
doemos do të çonte në përsëritjen e proceseve të njëjta, me përmbajtje të ngjashme, por
gjithsesi me çmimin adekuat edhe për kohën, edhe për energjinë e shpenzuar materiale dhe
shpirtërore.
Dhe qëllimi i këtij shqyrtimi nuk është ta ndryshojë historinë. Po të mendohej një gjë e tillë,
do të ishte një prepotencë e padëgjuar dhe e paparë. Mirëpo, megjithë modestinë e
domosdoshme, nuk mund të mohohet se kjo analizë e synon kontributin e autorit në
zhvillimin e mëtejshëm të proceseve. Në qoftë se ato procese pa dashjen e tij e kanë përfshirë
përpara, e kanë ndrydhur dhe e kanë zhveshur nga subjektiviteti në shoqëri, tani është rendi që
proceset të kenë veshë për subjektin dhe ta braktisin verbërinë e spontaneitetit. Me një fjalë,
është rendi ta pranojnë edhe kritikën, edhe kontributin qëllimmirë të subjekteve qëllimmira.
Kritikë të tjerë, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të
drejtë — përse pikërisht viti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo dhe ndonjë
vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zbërthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe
përgjigja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet tjera nuk e ndryshuan
historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet tjera i
ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë
shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte një vit mrekullibërës,
por sepse pikërisht në atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset,
ishin arritur të gjitha nivelet për shndërrimin e kuantitetit në kualitet, dhe rastësisht i ndrydhi
subjektet që nuk deshën të pajtoheshin me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti
1981 do të kalonte njësoj sikurse edhe vitet tjera.
Rreth ngjarjeve të këtij viti ekziston vlerësimi zyrtar se ato ishin tentim kontrarevolucioni
dhe ekziston koha e cila tashmë e tejkaloi një vlerësim të këtillë. Mirëpo problemi qëndron
pikërisht këtu: tejkalimi i një vlerësimi të tillë politik me vetë zhvillimin e ngjarjeve në kohë
dhe në hapësirë nuk është njësoj me tejkalimin e tillë të vlerësimit në mbështetje të
argumenteve kritike. E pra, objektivisht kjo do të thotë ngadalësim i proceseve; shpenzim i
panevojshëm i energjisë materiale e shpirtërore, dhe mjegullim dhe zhdavaritje e qëllimeve
për realizimin e të cilave zhvillohen proceset. E dyta e bën të kundërtën: i kristalizon qëllimet
dhe i hap rrugë zhvillimit të proceseve pozitive shoqërore. Ndërkaq, lajthitja, zvarritja apo
devijimi i proceseve, rëndom nuk ngjan për shkaqe spontane, ndonëse edhe kjo nuk mund të
përjashtohet, por për të arritur ndonjë qëllim të caktuar, të arsyeshëm shoqëror. Dhe
arsyeshmërinë e qëllimeve të këtilla e përcaktojnë subjektet vendimtare të proceseve, por
legjitimitetin e tyre historik nuk e përcaktojnë ato, veçse arsyeshmëria historike e qëllimit —
idealit, d.m.th. e qëllimit final që e synon tendenca historike e zhvillimit të proceseve. Çdo
proces që nuk është në harmoni me këtë tendencë mund të arsyetohet në mënyra të ndryshme,
mund të ketë legjitimitet afatshkurtër politik, por nuk mund të ketë legjitimitet historik, e as ta
pretendojë atë. Për këtë shkak është i nevojshëm shqyrtimi i ngjarjeve të vitit 1981 në
kontekst të definimit të kontrarevolucionit.
Vetë fjala «kontrarevolucion» definohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga tema e
shqyrtimit, por definicionet e ndryshme nuk mund ta injorojnë përmbajtjen e këtij nocioni, të
përfshirë në «Enciklopedinë politike». Aty ajo definohet si: «aksion i organizuar politik i
drejtuar kundër sistemit shoqëror të krijuar me revolucion, kundër fryteve revolucionare,
kundër forcave dhe raporteve shoqërore që e synojnë transformimin revolucionar të shoqërisë.
Si dukuri shoqërore e kundërt me revolucionin, kontrarevolucioni shënon ndryshimin
kualitativ të një gjendjeje shoqërore ose sistemi në drejtim të restaurimit të raporteve të
mëtejshme të lëkundura dhe të mënjanuara politike dhe të prodhimit», («Politiçka
Enciklopedija, Savremena Administracija». BGD.1975,f.476). Shpjegimi i vlerësimit të
kontrarevolucionit në Kosovë më vonë është plotësuar me botime të veçanta mbi problemin e
Kosovës. Nga ana tjetër, shtypi me shkrime të vazhdueshme polemizonte njëanshëm me
kërkesën dominante të ngjarjeve të vitit 1981. Esencialisht, me një gjimnastikë të veçantë
mentale, provohej të argumentohej:
1. se kishte ngjarë tentim kontrarevolucioni dhe
2. se kërkesat dominante të atij viti e synonin përmbysjen e rendit shoqëror.
Për të argumentuar tezën e parë theksohej se ngjarjet e atij viti kishin qenë të organizuara.
Varësisht nga këndvështrimi, por më tepër nga orientimi ideologjik i autorit, theksohej se ato i
kishte inicuar Beogradi, gjegjësisht Tirana, por gjithmonë përmes forcave pro-rankoviçiste,
pro-informbiroiste, pro-staliniste, pro-marksiste-leniniste etj. të Prishtinës, d.m.th., të
Kosovës. Pjesëmarrja e konsiderueshme e të rinjve në ato ngjarje relativizohej qëllimisht ose
edhe minimizohej, ndërsa vetë autorët e veprave të inkriminuara, në mënyra të ndryshme
denigroheshin. Jepnin shënime se gjatë pjesës më të madhe të viteve '80 ishin zbuluar nëntë
(9) organizata bukur të mëdha dhe 83 grupe ilegale që kishin marrë pjesë të drejtpërdrejtë në
kontrarevolucion («NIN», nr.2054, 13 Maj 1990). Spekulohej me mundësinë e shpërthimit të
kryengritjes së armatosur dhe me mundësinë e ekzistimit të qendrës së kontrarevolucionit.
Në këtë tekst dhe në momentin e tanishëm nuk është e mundur të shqyrtohet as niveli
organizativ e as karakteri i organizimit të organizatave dhe të grupeve të përmendura ilegale.
Këtë duhet ta bëjnë ata që i kanë këto shënime dhe atëherë kur do të jetë e mundur që me to të
disponojnë edhe të tjerët. Mirëpo është e mundur, madje edhe e nevojshme, që qysh tani, në
mbështetje të nevojës dhe të përshtypjeve personale, të jepet mendimi se i përgjigjej apo jo
karakteri i organizimit dhe niveli organizativ i tyre përmbajtjes së definuar të
kontrarevolucionit?
Në qoftë se forma (organizimi), merret e ndarë nga përmbajtja (aktorët dhe qëllimi), që
rëndom fillonte nga treshet (2 + 1, d.m.th. dy veta që nuk dinin për njëri-tjetrin dhe njëri që
dinte për dy të tjerët), dhe kjo pastaj rritej me progresion gjeometrik në dhjetëshe (3 x 3 + 1),
në qindshe (99 + 1), në mijëshe (999 + 1), atëherë është e qartë se kjo mënyrë e organizimit
mund t'i përgjigjej çdo qëllimi, pra edhe revolucionit e jo vetëm kontrarevolucionit. Nga kjo
rezulton se është punë e kotë të merresh me ndarjen e formës nga përmbajtja. Me fjalë të
tjera, theksimi i nëntë (9) organizatave pak si më të mëdha dhe i 93 grupeve ilegale, vetvetiu
nuk e argumentonte tezën mbi ekzistimin e tentimit kontrarevolucionar, e as të
kontrarevolucionit. Ashtu mund të argumentohej edhe ekzistimi i të kundërtës së
kontrarevolucionit, d.m.th. i revolucionit. Meqë këto dy nocione e përjashtojnë njëri-tjetrin,
shihet se argumenti është i pavlerë, sepse me të njëjtën premisë nxirren dy konkludime të
kundërta që e asgjësojnë njëri-tjetrin. Në qoftë se kësaj i shtohet edhe fakti se nuk u
argumentua ndonjëherë ekzistimi i qendrës së kontrarevolucionit del se argumenti i theksuar
nuk është kurrfarë argumenti.
Megjithatë, një kohë bukur të gjatë u aludua në qendrën për nxjerrjen e vendimeve politike
në Kosovë si qendër të kontrarevolucionit. Dhe, meqë qendra e tillë në Kosovë ishte pjesë
përbërëse e qendrave të tjera në vend dhe e qendrës së vendit në tërësi dhe më larg, atëherë
dilte se kontrarevolucioni në Kosovë ishte pjesë përbërëse, hallkë nismëtare e një
kontrarevolucioni të tërësishëm të vendit në përgjithësi, bile edhe e tërë Evropës Lindore.
Pavarësisht nga ajo se në pjesën e parë të tekstit dërguar revistës «Intervju» e theksoja se nuk
ma merrte mendja që mund të identifikohej qendra për nxjerrjen e vendimeve politike me
qendrën e kontrarevolucionit në Kosovë dhe pavarësisht nga ajo se tani gati tërësisht jam i
sigurt për këtë, jo, gjithmonë do të varet nga ajo se çfarë në të vërtetë synohej me zhvillimin e
ngjarjeve: restaurimi i raporteve të mënjanuara e të likuiduara politike apo krijimi i raporteve
të reja?
Duke u nisur nga pika e njëjtë, tani është e qartë se forca të ndryshme revanshiste dhe
antikomuniste e presin restaurimin e raporteve të vjetra, kthimin e fuqisë së humbur gjatë
luftës, shërimin e komplekseve të vjetra, dhe shfrimin e pasioneve të ndrydhura me vite. Bile
për këtë «festë» të tyre të përgjakshme ato i mprehin thikat, kamat dhe jataganët. Ato e marrin
si të kryer kthimin e tyre në pushtet dhe hakmarrjen e tyre të madhe. Komunizmi për to është
mundur në saje të kredive dhe mendjes dinake të kapitalit të madh. Meqenëse kurrnjëherë nuk
kanë qenë në gjendje të krijojnë vlera të reja, por vetëm t'i imitojnë vlerat e huaja, t'ua
vjedhin kreatorëve për qëllimet e tyre të papastra, ato tani janë të gatshme t'i shërbejnë
(gjithmonë dinin ta bënin vetëm këtë), qëllimeve të errëta të forcave të «kohërave të
përhimta», të mezokohërave. Ato megjithatë e harrojnë një gjë të vogël por të rëndësishme: se
bartësit e ngjarjeve të vitit '81 nuk ishin kontrarevolucionarë e as të manipuluar nga ata, apo
nga cilado forcë tjetër e mezokohërave. Mirëpo, te këto çështje do të kthehemi më vonë në
këtë tekst dhe në tekstet e ardhshme. Tani është me rëndësi të theksohet se, meqë forma nuk
mund të analizohet pavarësisht nga përmbajtja e saj, atëherë del se ngjarjet e vitit '81 nuk
mund të analizohen as pavarësisht nga subjektet e tyre e as pavarësisht nga qëllimi, ideali i
tyre.
Për hir të thjeshtimit të gjërave tani do të merremi me shqyrtimin e relacionit midis qëllimit
final, kërkesës kryesore të ngjarjeve dhe të bartësve të tyre për konstituimin e Kosovës në
Republikë, dhe vlerësimit të saj si kontrarevolucionare. Ndonëse me të nuk synohej as
shkëputja nga Jugosllavia e as përmbysja e raporteve shoqërore në Jugosllavi, prapëseprapë u
theksuan këto shpjegime:
1. se Republika e tillë do ta shfrytëzonte të drejtën për vetëvendosje dhe do t'i bashkangjitej
Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të cënohej integriteti territorial i Jugosllavisë;
2. se ajo e provokonte luftën qytetare dhe hipotetikisht përmbysjen e rendit shoqëror të
Jugosllavisë; dhe
3. se ajo në esencë e provokonte revidimin e kufijve në Ballkan dhe më gjerë, në Evropë.
Përveç faktit se operohej me hipoteza dhe nocione hipotetike, që të tri argumentet nuk kanë
ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me kontrarevolucionin. Nga definicioni i theksuar i
kontrarevolucionit është e qartë se kërkesa për Republikë mund të vihej në lidhje direkte me
kontrarevolucionin vetëm poqese me të synohej restaurimi i raporteve të kundërta me
revolucionin, të atyre raporteve të cilat dikur i kishte përmbysur akti revolucionar i forcave
revolucionare të vendit në tërësi. Kontestimi i kësaj kërkese, me fjalë të tjera, nuk vihej në
relacionin me karakterin e sistemit eventual që synohej (realizimi i barazisë së plotë brenda
sistemit të përmirësuar, tani brenda radhëve të reja që dalin nga fryma e kohës), por vetëm në
konsekuencat eventuale që mund të rezultonin nga kundërvënia e forcave të tjera. Këto forca
tjera përsëri supozoheshin si revolucionare, pasi që nuk ishte e logjikshme që forcat
kontrarevolucionare t'i kundërviheshin qëllimeve kontrarevolucionare. Forcat revolucionare
në këtë pikë duket se e ruanin njërën nga frytet e revolucionit — rregullimin federativ të
vendit dhe pozitën ekzistuese të republikave dhe të krahinave të përcaktuar me kushtetutë.
Dukej, sepse rendi i vendosur kushtetues që në start nuk ishte treguar i suksesshëm: në fillim
ishte nisur nga huazimi jokritik i konceptit leninist mbi nivelizimin e zhvillimit të
gjithëmbarshëm të kombeve, ndërsa shqiptarët, si më pak të zhvilluar, i kishte vënë nën
mbikëqyrjen e RS të Serbisë dhe brenda saj, në mënyrë që më vonë, me kushtetutën e vitit
1974, t'ua siguronte një pozitë dubioze (edhe brenda Serbisë, edhe si element konstitutiv i
Federatës). Megjithë fisnikërinë e vet, Lenini nuk kishte mundur as për të gjallë të vetin, e as
të tjerët më pastaj, që në federatën sovjetike të rregulluar në mbështetje të konceptit mbi
nivelet e dhëna të zhvillimit të kombeve (e cila në të vërtetë i reflektonte përpjekjet e
francezëve dhe të anglosaksonëve për inkorporimin e kolonive të veta në sistemet e tyre
politike), ta suprimonte veprimin e ligjit mbi zhvillimin e pabarabartë ekonomik. Ndërkaq, ky
i «përjetësonte» nivelet e tilla, sepse zhvillimi i kombit më pak të zhvilluar gjithmonë ngecte
prapa zhvillimit të kombeve më të zhvilluara (ndonjëherë edhe për disa herë) dhe kështu,
ndonëse zhvillohej edhe kombi më pak i zhvilluar, diferenca me kombet më të zhvilluara
thellohej gjithnjë e më tepër. Për këtë shkak, zhvillimi i kombeve më pak të zhvilluara i
përngjante zhvillimit në moszhvillim. Pasardhësit e tij nuk e panë të udhës, ose nuk mundën
(gjë që është njësoj), t'ia përshtatnin rregullimin e vendit nevojave reale të rritës së kombeve.
Andaj, po qe se rregullimi i vendosur federativ i sovjetikëve në fillim i ndihmoi zhvillimit të
kombeve më pak të zhvilluara, më vonë duket se u shndërrua në pengesë të rritjes së tyre të
mëtejshme. Në vitet '60, këtë problem francezët dhe anglosaksonët e zgjidhën me kërcim
kualitativ, duke u pajtuar me pavarësimin e kolonive të veta, por gjithashtu duke e ruajtur
pozitën e vet të privilegjuar përmes raporteve neokoloniale. Zhvillimi gjithnjë e më i madh i
shkencës, i teknikës dhe i teknologjisë dhe ngecja e vendeve në zhvillim e redukton gjithnjë e
më tepër nevojën e përdorimit të dhunës fizike për ruajtjen e këtyre raporteve. Në këtë
mënyrë, opcionet e pavarësisë politike në dukje rriten, ndonëse realisht mund të kenë edhe
kahje të kundërt. Mirëpo, është me rëndësi se metropolet e dikurshme, por edhe kolonitë e
tyre, e hoqën nga rendi i ditës aspektin shpirtëror të çështjes. Problemi i zhvillimit të vendeve
në zhvillim u shndërrua në çështje të forcave të tyre të brendshme dhe të aftësisë së tyre
vetanake për t'u gjetur në raportet e botës së jashtme. Ndërkaq, te sovjetikët ky problem
ndodhet në zgjidhje e sipër, sikundër edhe te ne, por dallimi qenësor qëndron në faktin se
zgjidhja e tij edhe te ne edhe te sovjetikët u inspirua me nevojën e zhvillimit të
gjithëmbarshëm, pra të nevojës që të zhvilloheshin edhe vetë kombet më të zhvilluara, e jo
vetëm ato në zhvillim.
Nga ky aspekt, zbërthimi i këtij problemi nuk është më rëndësi vetëm për kombet më pak të
zhvilluara, por ka rëndësi të jashtëzakonshme në radhë të parë për vetë kombet më të
zhvilluara brenda rregullimeve të dhëna federale. Dhe pikërisht edhe për këtë shkak, ngjarjet e
vitit '81, duke kërkuar suprimimin e dubiozitetit të pozitës së Kosovës brenda Federatës
jugosllave, në të vërtetë e kërkonin suprimimin e pengesave për lirimin e hovit kreativ të
forcave prodhuese. Zbërthimi i problemit në dëm të krahinave (ndryshimet kushtetuese në
favor të Serbisë), nuk ka asgjë të përbashkët me lirimin e forcave kreative të Serbisë. Ato
njësoj u «lidhën» edhe më tepër, pikërisht sikurse ato në Kosovë. Për këtë shkak, në qoftë se
pajtohemi se zhvillimi është nevojë imperative për të dy palët; në qoftë se poashtu pajtohemi
se forcat kreative të njëmendëta janë bartëse të vërteta të zhvillimit të çdo kombi veç e veç,
dhe të shoqërisë në përgjithësi; dhe në qoftë se pajtohemi (e doemos duhet të pajtohemi), se
pozita e gjertanishme kushtetuese e Kosovës që moti u shndërrua në pengesë të hovit të
forcave kreative, jo vetëm te shqiptarëve, atëherë doemos duhet të pajtohemi se kërkesat
dominante të vitit 1981 për konstituimin e Kosovës si Republikë, nuk kishin asgjë të
përbashkët me kontrarevolucionin.
Ndryshimi tjetër thelbësor në zgjidhjen e problemit të zhvillimit, qoftë në raport me anglo-
saksonët, qoftë me sovjetikët, ka të bëjë me nivelin historik të zhvillimit global të kombeve në
fjalë. Shqiptarët dhe serbët janë kombe të cilat përafërsisht nuk kanë pasur diferenca të mëdha
as në nivelin e zhvillimit të tyre global, as në numër të popullsisë (i takojnë kategorisë së
kombeve relativisht të vogla); nuk kanë pasur religjion të vetin (orthodoksizmi u lind në
Bizant, katolicizmi në Romë, ndërkaq islamizmin ua eksportuan otomanët). Andaj, nuk kanë
pasur mundësi (pa marrë parasysh përpjekjet e vona të serbëve), që atë ta shndërrojnë në
instrument të ekspanzionit sikurse kombet tjera të mëdha. Historikisht, pozita e tyre në dukje
pak më e privilegjuar në raport me njëri-tjetrin, ishte gjithmonë rezultat i prezencës së
interesave të huaja (otomanët, rusët, gjermanët, francezët etj.), por jo i rritës së shpejtuar
autentike të njërit ndaj tjetrit. Kanë mundur t'ia huazojnë njëri-tjetrit edhe kulturën edhe
religjionin, por nuk kanë mundur as ta krishterizojnë njëri-tjetrin e as ta modernizojnë, pa i
marrë parasysh bindjet e Pashiqit që ia thoshte Hartwig-ut në prag të luftërave ballkanike. Për
këtë shkak marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, gjegjësisht raportet midis tyre, nuk
mund të jenë raporte të hierarkisë, por të barazisë së plotë; jo raporte të përbuzjes, por të
respektit të plotë reciprok të identiteteve të tyre. Hapësira gjeografike të dy palëve u dikton
raporte miqësie, por miqësia nuk qëndron në qoftë se nuk mbështetet në barazinë e plotë dhe
në respektimin e së drejtës të secilit për t'u zhvilluar në pajtim me mundësitë e lira në
bashkësinë më të gjërë. Për këtë shkak, kërkesa për t'u konstituar në Republikë historikisht do
të thotë vënie e raporteve kualitativisht të reja, evitim i ndikimeve negative të huaja dhe
shpërthim i energjisë së re kreative për të dy popujt. Ndërkaq kjo nuk mund të ketë asgjë të
përbashkët me kontrarevolucionin.
Vazhdimi i procesit që e synonte realizimin e barazisë së plotë të shqiptarëve, por edhe
zhvillimi i procesit të demokratizimit në Evropë, me kohë e zhvlerësoi një vlerësim të tillë
mbi ngjarjet e vitit l981 si kontrarevolucionare. Ky vlerësim tanimë as që theksohet, por
kundërvënia kësaj kërkese më vonë u mbështet në kalkulimet e karakterit politik dhe
strategjik mbi rrezikimin eventual të hartës politike të Evropës: «Menjëherë pas
demonstratave masovike të shovinistëve dhe të separatistëve shqiptarë në vitin 1968 (të cilat,
gjë që është karakteristike, nuk kanë kurrfarë lidhje as me natyrën e as me kuptimin e
kontestacionit botëror dhe jugosllav nga viti '68), e sidomos në vitin 1981 kur haptas u shpreh
kërkesa «Kosova — Republikë», ishte e qartë se Serbia dhe Jugosllavia ballafaqohen me
strategjinë e drejtuar në prekomponimin dhe dekomponimin e Serbisë, të Jugosllavisë dhe të
Ballkanit, e me këtë edhe të Evropës. Fjala është për tentimin që të bëhet revidimi i kufijve të
Evropës, gjë që bëhet edhe më evidente, po të kihet parasysh se Shqipëria nuk e ka
nënshkruar dokumentin përfundimtar të Helsinkit me të cilin shtetet nënshkruese e garantojnë
pandryshueshmërinë e kufijve të Evropës pas Luftës së II Botërore» («NIN», nr.2054, 13 Maj
1990).
Rasti ka dashur që si anëtar i Këshillit Universitar të Lidhjes së Studentëve të Universitetit
të Zagrebit dhe si Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar të këtij Këshilli, të ndodhesha në ballë
të demonstratave masovike të studentëve dhe të qytetarëve të Zagrebit, kundër prezencës
ushtarake të amerikanëve në Vietnam (viti 1968). Poashtu, rasti ka dashur që diç pas ngjarjeve
të maj-qershorit të Parisit të po atij viti (1968) të ndodhesha në Bruksel, Belgjikë, në bisedime
me studentët dhe të rinjtë e vendeve frankofone. «Rilindja» në Prishtinë atë vit e pati botuar
një vështrim timin për kuptimin kontestues të këtyre ngjarjeve në Evropë, dhe ndonëse nuk
dija asgjë për ato që në ndërkohë kishin ngjarë në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës,
prapëseprapë mendoj se të kontestohet kuptimi i kontestacionit botëror dhe jugosllav i këtyre
ngjarjeve (të vitit 1968) në Prishtinë, është njësoj e pakuptimtë si edhe të kontestohet karakteri
i njëjtë i ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë.
Nga ana tjetër, procesi i bashkimit të dy Gjermanive; deklarimi i republikave baltike për
pavarësim nga BRSS, (tani edhe i Moldavisë), tregojnë qartë se fjala është për procese më të
thella të lidhura me krijimin e një Evrope të përbashkët për të gjithë popujt e saj. Është gati
evidente se përpjekjet janë duke u zhvilluar në drejtim të ruajtjes së tërësive territoriale dhe të
mosndryshimeve të mëdha të hartës politike dhe strategjike të Evropës. Kërkesat e vitit 1981
në Kosovë nuk e synonin ndryshimin e hartës politike të Evropës, veçse evitimin e
potencialitetit të krizave në Ballkan dhe në Evropë dhe stabilizimin e paqes në mbështetje të
bazave më të forta. Andaj, argumenti mbi ndryshimin e kufijve të Evropës, ose mbi
mosnënshkrimin e dokumentit përfundimtar të Helsinkit, në këtë kontekst është dubioz dhe i
paqëndrueshëm.
Vlerësimi hipotetik mbi bashkangjitjen e Kosovës së konstituuar si Republikë RSP të
Shqipërisë, mbështetej pikërisht mbi cilësimin e bartësve të ngjarjeve të atij viti dhe të viteve
të mëvonshme si të indoktrinuar nga Shqipëria. Të dhënat e përmendura që kanë të bëjnë me
zbulimin e organizatave, të grupeve ilegale dhe të individëve që janë marrë me «veprimtari
armiqësore», rëndom përcilleshin me shpjegime të mëvonshme, apo të menjëherëshme, se
shumica nga ato, në orientimin e tyre ideologjik e përmbanin një fundament marksist-leninist,
ose edhe se shumica e të rinjve të burgosur kishin qenë të indoktrinuar nga kjo ideologji.
Jepeshin të dhëna se për vepra penale ishin përgjigjur rreth 1298 veta, ndërsa ishin dënuar
rreth 1019 veta. Mirëpo nuk jepeshin kurrfarë të dhënash se sa nga ata, në të vërtetë, ishin të
indoktrinuar me këtë ideologji? U shpjegua më tutje se gjer në vitin 1989 e kishin përjetuar
«kontaktin e afërt të llojit policor», d.m.th. se ishin trajtuar nga policia, rreth 584.373 veta, që
përafërsisht do të thoshte çdo i katërti shqiptar (Blerim Reka, «Enigmë gjithnjë e pazgjidhur»,
«Rilindja», 13.05.1990). Një veprimtari e tillë masovike e aparatit shtetëror ndaj qytetarëve të
vet në prag të shekullit XXI është vështirë të shpjegohet me reaksionin shovenist të politikës
serbe, me shfrenimin e raprezalieve të aparatit shtetëror etj. Duket se është më afër mendjes,
sado që nuk e kap logjika e shëndoshë, se këto u përdorën si pretekst për të mbuluar qëllimin
e diagnostifikimit të disponimit politik të masave, pro apo contra bashkangjitjes me RSP të
Shqipërisë? Pro apo contra fundamentit ideologjik marksist-leninist të masave?
Tani gati edhe zyrtarisht pranohet (dhe duhet të pranohet), se rrallë ndonjë i dënuar politik
është deklaruar për bashkim me RSP të Shqipërisë, por se shumica nga ata kanë qëndruar pas
kërkesës për konstituimin e Kosovës në Republikë brenda Jugosllavisë. Tani gjithashtu u
forcua bindja se masat në Kosovë nuk ishin të orientuara drejt akceptimit të rendit shoqëror
shqiptar të Shqipërisë, por edhe që rendi ekzistues i gjërave vazhdimisht do të akceleronte
lëvizje të ngjashme me ato të mëparshmet. Programet e të burgosurve politikë, sipas
pohimeve politike, kryesisht mbështeteshin në ideologjinë marksiste-leniniste të frymëzuar
nga Shqipëria, prandaj Republika u duhej për të ndërmarrë hapin tjetër — të bashkangjitjes
me Shqipërinë. Deklarimi i të burgosurve politikë në favor të opcionit jugosllav të
konstituimit të Kosovës në Republikë, pa marrë parasysh metodat e vrazhda të cilat dukej se e
kishin për qëllim jo aq dekurajimin e tyre për një përcaktim të tillë, sa vërtetimin e
njëmendësisë së këtij deklarimi, nuk i mjaftonte politikës zyrtare. Deklarimi i Shqipërisë në
favor të këtij opcioni, i përcjellë me hapa konkretë drejt demokratizimit të jetës politike, do të
duhej të kishte qenë argument i mjaftueshëm, por jo aq edhe bindës për disa qarqe politike
dhe shkencore. Njëmend do të dukej si i pabesueshëm dhe jo serioz këmbimi i socializmit me
republikën, por duket se nivelizimi i jetës politike në të dy vendet ka një domethënie më të
madhe, ndoshta nivelizimin e jetës politike në gjithë Evropën?
Kjo hapësirë, nga e cila dikur shpërthenin luftëra botërore, a ka tani shanse, apo a do të
duhej të kishte shanse, që të shndërrohet në një vatër-rrezatimi të proceseve të demokratizimit
në nivel kontinental? Hamendjeve të tilla natyrisht do t'u përgjigjet koha, por njerëzit së paku
do të duhej ta formonin një si ndjenjë përgjegjësie për peshën që eventualisht mund ta bartin.
Së paku nuk do të duhej që edhe më tutje të jetojnë me ankthin e eksperimentimeve eventuale,
me të cilat tanimë janë lodhur.
Në fund të viteve '60 dhe në fillim të viteve '70, dhe pothuaj gjatë tërë kësaj dekade, Herbert
Marcuse dhe mendimtarë të tjerë, me një gjallëri dhe me një entuziazëm të rrallë përpiqeshin
që lëvizjen studentore ta vinin në qendër të lëvizjeve revolucionare të shoqërive të totalizuara
mbi baza të zhvillimit industrial. Mirëpo kishte mbetur e pazgjidhur çështja nëse revolta
studentore e Perëndimit në të vërtetë i reflektonte lëvizjet revolucionare të Botës së Tretë?
Vetë këto lëvizje si duket hodhën në sipërfaqe jo vetëm udhëheqës të rinj, por edhe
mendimtarë që shtronin pyetje dhe probleme të reja teorike. Një pjesë e tyre e synonin
përshtatjen e teorisë marksiste ndaj kushteve autoktone të vendeve të tyre. Kësaj u kishte prirë
teoria e Mao Ce Dunit mbi tri botërat dhe sidomos operacionalizimi i saj nga ana e Çu En
Lajit në formë të rrethimit gradual të qendrës (vendet e zhvilluara) nga ana e periferisë
(vendet në zhvillim). Teoria politike shqiptare (e Shqipërisë), në këtë kohë, ndonëse me RP të
Kinës kishte marrëdhënie të mira, nuk e përqafoi mendimin teorik kinez mbi problemet e
botës në zhvillim. I mbeti besnike botëkuptimit të klasikëve mbi bartësit eventualë të
revolucionit dhe mbi solidaritetin e tyre në përmasa planetare. Ndërkaq, teori të afërta me
establishmentin politik nga këto vende e akceptonin realitetin e ndryshuar ndërkombëtar për
shkak të zhvillimit të teknikës dhe të teknologjisë ushtarake (armatimi nuklear), andaj e
synonin një maturi dhe racionalizëm më të madh në koncipimin teorik të këtij realiteti.
Megjithatë kishte ngjarë që udhëheqës demokratë si Kastro dhe Kwame N'Krumah,
paralelisht me avancimin e lëvizjeve të tyre, të transformoheshin në mendimtarë me ndikim të
proveniencës marksiste. Ndërkaq, zhvillimi i praktikës së re por esencialisht të njëjtë në
relacionet ndërkombëtare, nuk kishte mbetur pa përgjigje teorike. Samir Amini nga Dakari
(Senegal), e kishte bërë analizën e qarkullimit të kapitalit në përmasa botërore dhe
përfundimet e tij teorike i kishte argumentuar edhe Arghiri Emmanuel me shqyrtimin e
këmbimit të pabarabartë. Një plejadë e tërë teorikësh tjerë nga e tërë bota në zhvillim, nga
pozita të kthimit në marksizëm (Kthim — Marksit), seriozisht i kishin rrezikuar pozitat e
mendimit tradicional. Këto natyrisht që reflektoheshin edhe te rinia studentore e vendeve të
zhvilluara. Ndërkaq atyre nuk u ndihmonte vetëm Marcuse. Në Francë, Louis Althusser dhe
filozofë të tjerë të tubuar rreth shtëpisë botuese «Maspero» kishin konstatuar se filozofia
akoma nuk kishte vdekur (për shkak të Stalinit) dhe se duhej rishqyrtuar teza mbi
Feuerbachun, d.m.th., teza mbi vdekjen e filozofisë paralelisht me jetësimin e saj në realitet.
Thoshte se «një vdekje pragmatike —religjioze pozitiviste e filozofisë nuk është vdekje
filozofike e filozofisë». Andaj, duke e kërkuar vdekjen kritike të filozofisë, realisht e kërkonte
zbatimin e saj marksist në realitetin e ndryshuar (Luj Altiser, Za Marksa, Nolit , BGD 1971).
Peshë serioze problemeve të konceptimit teorik të realitetit të ndryshuar u kishte dhënë edhe
shkolla e filozofëve të Frankfurtit (Habbermas), grupi i filozofëve nga Amerika Latine
(Franck Gunther Franck), shkolla filozofike e Korçulës dhe grupi i filozofëve të Beogradit. Të
gjithë këta, nga këndvështrime të ndryshme, me kohë e vinin në pyetje pozitën e teorive të
ndryshme tradicionale mbi shoqërinë.
S'ka kurrfarë dyshimi se pozita e veçantë e Kosovës, midis mendimit dominant mbi
socializmin vetëqeverisës, që mund të konsiderohet si pjesë e mendimit tradicional,
pavarësisht nga inovacionet teorike të lidhura me vetëqeverisjen, dhe praktikës e teorisë
shqiptare të Shqipërisë, që në suazat ndërkombëtare më tepër lidhej me teoritë që e kanosnin
mendimin tradicional mbi shoqërinë, ishte me interes të veçantë për sferat e mendimit të
gjithëmbarshëm teorik. Këtë e kisha vërejtur gjatë bisedimeve në tryezën e rrumbullakët me
intelektualë të zgjedhur amerikanë në Mount Cisco (Maunt Kisko) të Nju—Jorkut, në tetor të
vitit 1974, por kisha qenë i mendimit se Universiteti i Prishtinës ndodhej në formim e sipër, se
bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës ishte në funksion të forcimit të këtij zhvillimi; se pa
marrë parasysh ngecjen, po bënim hapa të sigurt në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës,
dhe se, pavarësisht nga dallimet ideologjike me Shqipërinë, ndodheshim në fillim të
proceseve të zgjerimit dhe të rritës së diturive tona (shkencës), kështu që akoma nuk ishte
lindur mundësia e vënies së tyre në kontekste më të gjera të ecurive të ndryshme teorike. Në
kuadër të socializmit vetëqeverisës përpiqeshim t'i shquanim veçoritë e zhvillimit tonë, me
qëllim të konceptimit të tyre vetanak teorik, në mënyrë që t'i kontribuonim zhvillimit të
tërësishëm shoqëror. Aty nuk kishte pasur vend për ndikimin e teorive të tjera, e as të atyre
nga Shqipëria. Natyrisht që akceptimi me buzëqeshje diplomatike i qëndrimeve të mia nuk do
të thoshte edhe akceptim real i tyre, pa një verifikim të veçantë, me mënyra të tjera.
Megjithatë ngjarjet e vitit 1981 nuk ndikuan dot në ndryshimin e këtyre qëndrimeve.
Përkundrazi, ndikuan që ta pranoja sfidën e vetes me shpresë të çiltër se në kontekst të
zhvillimeve të përmendura teorike, zhvillimi i proceseve demokratike në Kosovë do të jetë
nismë, edhe për praktikën, po edhe për koncipimin e saj teorik në frymë të raporteve të reja të
një demokracie të re e cila do të zhvillohet në përmasa të gjera, jo vetëm në Kosovë, Ballkan e
Jugosllavi, por edhe në Evropë.
Edhe nga aspekti praktik-politik, ngjarjet e vitit 1981 nuk u zhvilluan tërësisht jashtë
mundësive të ndikimeve të proceseve ndërkombëtare. Si kontestacion i raporteve ekzistuese, e
kishin mostrën e tyre të «Solidaritetit» në Poloni, i cili i kontestonte edhe raportet e
brendshme polake, por edhe teorinë e Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar të vendeve të
socializmit real. Ndër të dënuarit politikë të asaj kohe kishte edhe të atillë që e pandehnin
veten në rolin e Leh Valensës, ndonëse nuk ishin të njohur as me karakterin e vërtetë të atij
roli, e as me natyrën e vërtetë të proceseve që zhvilloheshin atje. Megjithatë, atyre u mjaftonte
që ai rol ta përmbante në vete kontestacionin e raporteve ekzistuese politike dhe shoqërore.
Kontestimi i teorisë së Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar dhe të praktikës së tillë politike
ndaj vendeve të real-socializmit, në Kosovë mund të reflektohej si kontestim i pozitës së saj
kushtetuese që e cilësuam si dubioze (edhe autonomi brenda Serbisë edhe element konstituiv i
federatës). Kontestimi i raporteve të brendshme në Poloni, i cili në fillim shprehej si kërkesë
për konstituimin dhe për njohjen e sindikatës së pavarur — «Solidaritet», në Kosovë u
reflektua si kontestim i deformimeve të zhvillimit të saj vetëqeverisës dhe i ngecjes në
zhvillimin e gjithëmbarshëm. Natyrisht, ngjarjet në Poloni, edhe para shpërthimit të
demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, përcilleshin me vëmendje në qarqet shkencore të
afërta me KQ të LKJ. Pas shpërthimit të tyre, këto qarqe e tentonin zbërthimin e
paralelizmave eventualë me Kosovën, por intelektualët e Kosovës ishin të tronditur me ato që
kishin ndodhur dhe nuk u lëshuan në analiza të tilla.
Kontestimi i deformimeve të zhvillimit dhe i ngecjes në zhvillim në formë të shkruar
manifestohej si program jo fort i qartë ideologjik nën influencën e teorisë së marksizëm-
leninizmit. Dhe jo për shkak se autorët e tyre ishin njerëz të ngritur teorikisht, por për shkak
se e kishin dëgjuar terminologjinë e saj dhe u ishte dukur e përshtatshme për ta shprehur edhe
kontestimin (mllefin) edhe synimin (identitetin, lirinë dhe aparatin e zhvillimit — republikën).
Shkurt, kontestimi i ngecjes në zhvillim dhe mllefi ndaj deformimeve të këtij zhvillimi, e
kishin gjetur në teorinë marksiste-leniniste fundamentin e tyre për t'u artikuluar me shkrim, në
formë të programeve, pamfleteve, parullave e shkrimeve të tjera, por kjo nuk mund të ishte
indikacion i përcaktimit të tyre të pjekur ideologjik. Megjithatë, duket se është i nevojshëm
shpjegimi i mëtejshëm i rrethanave dhe një përgjigje më e thelluar lidhur me këto çështje.
Kush ishin në të vërtetë bartësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 1981 dhe si i shikonin
gjërat?
Bartësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve të vitit 1981 politika zyrtare i cilësoi si armiq dhe
kontrarevolucionarë. Në hidhërim e sipër i kishte quajtur edhe pleh.. Më vonë u kishte ngjitur
nofka tjera si irredentistë, seperatistë, barbarë, terroristë, bile edhe kanibalë. Këta i ishin
përgjigjur kësaj politike me një kontestim total të vlerave të saj, me një mllef të pazakonshëm
të shprehjes së indinjatës së vet, (që e kishte cytur politikën ta cilësonte si sjellje vandaliste),
dhe me një vendosmëri të plotë që të mos thyenin rrugë. Dhe kështu, ndoshta edhe pa dashje,
ishin krijuar dy botëra, totalisht të kundërvëna ndaj njëra tjetrës. Bazat e kësaj kundërvënie të
ndërsjellë megjithatë kishin qenë paragjykimet ideologjike, të cilat vetë ngjarjet sapo i kishin
forcuar gati gjer në ekstremin e fundit. Dhe ato e rëndonin situatën në çdo kohë të zhvillimit
të ngjarjeve, gjatë tërë dekadës së fundit. Ndërkaq, esenca kishte qenë diç krejtësisht tjetër.
Ajo vazhdimisht shpërthente, sapo politika kujtonte se gjërat ishin qetësuar dhe kishin marrë
fund. Kush ishin në të vërtetë bartësit e këtyre ngjarjeve? Të dhënat statistikore mbi
përkatësinë profesionale, të gjinisë, të origjinës sociale, të moshës, flasin qartë se pjesa më e
madhe e tyre ishin të rinj — nxënës, me shkolla të mesme të kryera, ose studentë e të rinj të
tjerë me diplomë fakulteti, shumica të papunë, por edhe të punësuar. Kishte edhe nga ata që i
përkitnin inteligjencies, por ishin të rrallë. Shumica absolute kishte prejardhje fshatare, por
kishte edhe punëtorë, si dhe të shtresave të tjera shoqërore, por më pak. Kishte të orientimeve
të ndryshme, por i bashkonin synimet dhe situata e njëjtë në të cilën ishin ndodhur. Megjithatë
nuk do të merremi me analizën e të dhënave statistikore. Këtë padyshim do ta bëjnë ata që
disponojnë me këto të dhëna. Do ta tentojmë ndërkaq përshkrimin e përshtypjeve të fituara
nga qëndrimi së bashku me ta.
Nëpër burgje unë vëreja se në shumicën e rasteve ishte fjala për të rinj të etur për çdo lloj të
diturisë, por mbi të gjitha për dituritë mbi shoqërinë, politikën, filozofinë, historinë,
antropologjinë etj. Pra, pikërisht për ato lloje të diturisë që do t'u ndihmonin në njohjen e
vetes së tyre. Shumë nga ata marksizmin e mësonin nga romanet e real-socializmit shqiptar
dhe nga përkthimet eventuale të ndonjë vepre të klasikëve të marksizmit, të cilat nuk
përmbanin sqarime dhe komentime nga autorë të mëvonshëm. Mbeteshin tërësisht të habitur
ndaj vërejtjeve eventuale që ua bëja me qëllim të nxitjes së reaksionit, diskutimit dhe kalimit
të kohës. U thoja se po lexonin romane kaubojësh, meqë protagonisti kryesor gjithmonë kishte
të drejtë dhe zakonisht e fitonte davanë. Me seriozitet të madh më shpjegonin se ashtu duhej
të ngjante. Më jepnin kurajo duke dashur të ma largonin mërzinë. Lexonin me zell të madh
dhe bënin shënime me ndonjë laps që arrinin ta fshihnin nga roja e burgut. Burgu ua lejonte
romanet por jo edhe lapsat. Kjo gjithmonë më habiste, por kurrnjëherë nuk e mësova të
vërtetën mbi atë se përse burgjet në Kosovë nuk e lejonin mbajtjen e lapsave? Zelli me të cilin
i merrnin shënimet dhe i shënonin ato ku të mundnin më shtynte të mendoja për lapsin si për
një dava të cilën civilizacioni kishte harruar se kur e kishte fituar. Por dukej se civilizacioni
akoma nuk kishte zbritur ndër burgjet e Kosovës.
Pavarësisht nga kjo, dukej qartë se zelli i tyre nxitej nga një etje përvëluese, pikërisht
përvëluese, për të mësuar për veten dhe për shoqërinë që i kishte dënuar. Natyrisht, e dija se
çdo shoqëri i dënonte sjelljet që i tejkalonin ligjet dhe rregullat e caktuara me ligje.
Megjithatë, mendoja se ligji kishte qenë tejet i ashpër, sepse prapa etjes së tyre për dituri,
prapa «veprave të tyre inkriminuese» nuk qëndronte «sindromi i vetafirmimit» (ndonëse,
kishte diç edhe nga kjo), i zakonshëm për mocanikët e tyre gjetiu, por një kurreshtje e
padurueshme që vazhdimisht e torturonte mendjen dhe shpirtin e tyre, për të mësuar
përgjigjen në pyetjen: përse kishin qenë të varfër, të paintegruar dhe gati të injoruar nga
shoqëria? Përse kishin qenë të detyruar të jetonin të ndarë nga etërit e tyre me punë «të
përkohshme» në botën e jashtme? Përse nuk kishin guxuar askujt t'ia shtronin ca pyetje dhe
përse askush nuk ishte përgjigjur në ato që i kishin shtruar?
Duke i vëzhguar këta të rinj të etur për mësim dhe të vendosur për ta krijuar botën e tyre, më
vinte mirë që më 1977 kisha dhënë dorëheqje dhe e kisha braktisur një post relativisht të
rëndësishëm politik, ndonëse nuk isha marrë ndonjëherë me politikën e brendshme dhe nuk e
bartja asnjë faj për gjendjen që i kishte shkaktuar pyetjet e tyre. Formalisht kisha shpjeguar se
dëshiroja të merresha me shkencë, por në esencë më kishin torturuar pyetje të njëjta dhe
përgjigjet e ndryshme që e fyenin mendjen njerëzore. Politika as atëherë e as më vonë nuk u
kishte ofruar ndonjë përgjigje. I kishte quajtur thjesht armiq dhe kontrarevolucionarë, por nuk
ua kishte shpjeguar atë që atyre u interesonte. Në vend të shpjegimit ua kishte dhënë dënimet.
Pastaj, për t'u arsyetuar, kishte provuar t'i bindte se kishin qenë të indoktrinuar nga Shqipëria
me ideologjinë marksiste-leniniste, por ata nuk e kishin kuptuar këtë. I kishte marrë ca
shkrime të tyre, ca vjersha dhe ca tregime që e shprehnin unin e tyre rinor, i kishte gjetur
«programet» dhe «pamfletet» e tyre, që e shprehnin unin e tyre rezistent dhe me to kishte
provuar t'i bindte (ata, botën dhe veten), se kishin qenë armiq të përbetuar, plangprishës të
sistemit e të vendit, por nuk ishte përgjigjur në pyetjet e tyre. Kisha ligjëruar në dy nga
fakultetet e tyre, në një shkollë të tyre politike, dhe herëpashere në shumë qendra të tjera, por
edhe atëherë kisha vënë re se as inteligjencia humanitare nuk iu kishte përgjigjur pyetjeve të
tyre. Sikur ajo të kishte qenë tepër e lidhur me politikën dhe sikur si shumë e synonte këtë
lidhje. Të vetmin tekst që e kisha lexuar lidhur me shoqërinë kosovare, e kishte shkruar një
grua e huaj, një norvegjeze me emrin Berit Backer («Behind the stone walls») dhe me titullin
e veprës (Prapa mureve të gurit) sikur i paloste mendimet e ndonjë sociologu tonë mbi
familjet e dasmat atje ku e kishin vendin — prapa mureve të gurit. Të tjera tekste adekuate
nuk kishte pasur.
Një pjesë e inteligjencies, veçanërisht albanologë dhe linguistë të tjerë, sikur kishin provuar
t'u afronin ca përgjigje. Mirëpo ato në të shumtën e rasteve kishin qenë përgjigje të
specializuara, nganjëherë të humbura në detajet e gjuhës dhe të folklorit kombëtar. Për këtë
shkak, pa marrë parasysh se kishin tentuar t'ua shpjegonin botën e tyre edhe përmes ndonjë
romani dhe të mjaftë përmbledhjeve me poezi, bota e tyre kishte qenë shumë më e
komplikuar. Shpjegimeve të gjuhës dhe të letërsisë u kishte munguar dimensioni politik dhe
filozofik. Për këtë shkak kishin mbetur të ndjeshëm dhe të paorientuar: midis mundësive që i
shihnin, shpjegimeve të pamjaftueshme dhe opcionit shqiptar të Shqipërisë; midis energjisë që
akumulohej gjithnjë e më tepër dhe mundësive realisht të pakta për konsumimin e saj, dhe
midis vetes dhe botës, e cila u ikte… Bota e Kosovës nuk kishte pasur mundësi të shpjegohet
në mënyrë të kënaqëshme vetëm përmes gjuhës dhe letërsisë, ndonëse kjo nuk kishte qenë as
e re dhe as e çuditshme. Kishte qenë i çuditshëm pretendimi për një si tejrëndim,
prepoderancë të shkencave albanologjike përballë shkencave tjera. Dhe përderisa kjo mund të
arsyetohej me nevojën për afirmimin e kombësisë shqiptare, ndonëse nuk kishte ofruar
përgjigje të kënaqëshme, mund të kishte qenë në rregull, por që megjithatë nuk do të mund të
ishte në rregull po qe se do të shkiste në përzierje të kompetencave, në reduktim të gjithçkafes
në këndvështrimin e tyre si të vetmin të drejtë. Në botën e ardhshme të të rinjve kjo seriozisht
mund të shkaktonte telashe. Albanologët, linguistët dhe letrarët do të duhej t'i ktheheshin
fushëveprimit të tyre — çështjeve të albanologjisë, të linguistikës dhe të letërsisë. Politika nuk
është vetëm arti i së mundshmes. Ata që e shohin të tillë e bëjnë vulgarizimin e saj dhe
vulgarizimet në politikë rëndom përfundojnë me trauma shoqërore të shoqërisë.
Politika dhe inteligjencia humanitare asokohe, para dhe gjatë vitit 1981, kishin qenë të zëna
me gjëra të karakterit gjithëjugosllav, me baza të karakterit gjithëteorik. Nuk kishin pasur
kohë t'i lidhnin bazat gjithëpolitike dhe gjithëteorike me interesimin e tyre konkret, me të
përditshmen kosovare; nuk kishin pasur kohë ta shquanin gati fare lidhjen dialektike midis
universales dhe të veçantës; abstraktes dhe konkretes; teorisë dhe praktikës. Kishin qenë
vazhdimisht të fascinuar me teori «të mëdha» të «botës së madhe», me «politikë të madhe» të
«vendeve të mëdha». Dukej se kishin imituar e jo krijuar. Kishin qëndruar disi tepër lart dhe
dukej sikur kishin përtuar të zbritnin më poshtë. Atje poshtë bota sikur u ishte dukur e vogël,
e parëndësishme dhe e huaj, ndonëse vinin pikërisht nga ajo dhe jetonin po aty. Sikur një
qëndrim i tillë të reflektonte jo botëkuptimin hegelian mbi masën, por vulgarizimin e këtij
kuptimi mbi masën si kope, si grumbull.
Botëkuptimet dhe qëndrimet e këtilla mbështeteshin në monopolin mbi vendet e punës,
avancimin në karrierë, mundësitë e krijimtarisë dhe të vetëkrijimit. Ato mbështeteshin mbi
monopolin e mjeteve të informimit, në sistemin njëpartiak, dhe në ekskluzivitetin ideologjik,
që ndihmoheshin me instrumentet e dhunës së aparatit shtetëror, e sidomos me shndërrimin
gradual të policisë (milicisë politike) në instrument diskret të selekcionimit kadrovik, dhe bile
intelektual. Politika kadrovike në këtë mënyrë nuk i shërbente interesave shoqërore por të
grupeve shoqërore. Privatizimi i saj kishte bërë që kriteriumi i aftësive personale të
kandidatëve të ndryshëm për veprimtaritë e ndryshme politike dhe shoqërore të injorohej në
favor të kriteriumit të lojalitetit ndaj shoqërisë, më sakt, ndaj grupeve që e identifikonin veten
me shoqërinë. Kritika lejohej, por vetëm ajo kritikë që i ndihmonte «së vërtetës» zyrtare dhe
përsosjes së saj. Në realitet, e vërteta ishte e mbyllur në shishen e shoqërisë së totalizuar dhe
nga aty lëshohej në doza të caktuara, nën kontrollin municioz të «primariusëve» të sektorëve
të ndryshëm shoqërorë. Kritika nga pozitat marksiste që e bënin shqiptarët shpejt mund të
shpallej enveriste, ose edhe staliniste. E bërë nga serbët, mund të shpallej rankoviqiste, ose
edhe informbyroiste. Kështu, shkalla e autocenzurës ndër intelektualë të drejtimit shoqëror
dhe humanist doemos ishte e lartë dhe e përdhoste mendjen kreative intelektuale. Për këtë
shkak, ndonëse mangësitë e përmendura ishin realitet i vendit në tërësi, shkalla e përdhosjes
së të vërtetës dhe e autocenzurës dhe cenzurës intelektuale, për shkak të veçantive të Kosovës,
ishte pa dyshim më e larta në vend. Dhe nuk ishin vendimet gjyqësore ato që e përdhosnin të
vërtetën (ato mund ta dhunonin), por mekanizmat e padukshëm të manipulimit me opinionin
dhe me persona të ndryshëm kritikë. Mundësitë e manipulimit, për shkak të nivelit të ulët të
vetëdijes shoqërore; përvojës së kaluar historike të raporteve shtet — masë, kur masa gati
kurrnjëherë nuk e konsideroi shtetin të vetin, për shkak të strukturës së familjes, ku
përfaqësuesit e familjeve të mëdha, zakonisht nën ndikimin e të afërmëve të funksionarëve
politikë dhe për shumë shkaqe të tjera, në Kosovë dukeshin të pashtershme: ato e paralizonin
veprimin e shtetit juridik, dhe kështu, që në start e ngulfatnin talentin dhe i hidhnin në
sipërfaqe mundësitë e sundimit të pakufizuar të mediokritetit. Për këtë shkak, ndonëse jeta
shoqërore në sipërfaqe dukej stabile, ishte më se evidente se «zjente përbrenda». Kritika
kishte heshtur, por heshtja kishte folur.
Në burg, si gjatë hetimeve ashtu dhe më pas, të gjitha mangësitë e përmendura, të gjitha
devijimet në zhvillimin shoqëror të Kosovës, i arsyetoja me të drejtë se ato nuk kishin qenë
vetëm specifikum i Kosovës, por mangësi të sistemit në tërësi dhe të tërë vendit. E mohoja
përzierjen e inteligjencies universitare dhe politike në përgatitjen e demonstratave të vitit
1981 dhe në ngjarjet e tërësishme të atij viti e më pastaj. Jo vetëm se këtë nuk e dija, por sepse
vërtetë për këtë isha plotësisht i bindur. Megjithatë, pohoja se inteligjencia universitare ishte
me studentët e vet, se nuk mund të ishte kundër kërkesave të tyre legjitime, sepse, logjikisht,
nuk mund t'i kundërvihej rritës së vet të natyrshme dhe rritës së tillë të Kosovës. Meqë
kushtetuta e vitit 1974 i kishte lënë proceset e konstituimit të shqiptarëve në komb dhe të
Krahinës në Republikë akoma të papërfunduara, ishte e natyrshme që inteligjencia në tërësi
mos t'i kundërvihej rrjedhës së natyrshme të gjërave. Një kundërvënie e tillë nuk mund të
pritej jo vetëm nga ajo, por edhe nga asnjë inteligjenci e botës. Ajo i ishte kundërvënë
përdorimit të ekzagjeruar të dhunës dhe tani heshtte, sepse nuk kishte rrugë tjetër për të mos
rënë në burg.
Jugosllavia në tërësi ishte vend specifik: strategjikisht — e lidhte Evropën me Azinë,
Lindjen me Perëndimin, Paktin e NATO-s me Traktatin e Varshavës; politikisht — i ndante të
dy sistemet globale: të kapitalizmit dhe të socializmit; në pikëpamje të kulturës —i
gërshetonte tri religjione (katolicizmin, orthodoksizmin dhe islamizmin) dhe dy civilizime (të
Perëndimit dhe të Lindjes). Ndërkaq, Kosova, jo vetëm që i reflektonte të gjitha këto
kundërthënie e ndikime, por i kishte edhe të vetat, specifike: në pikëpamje strategjike —
mund të shndërrohej në garnizon të shkëlqyer ushtarak për ruajtjen e vijave të rëndësishme
Lindje — Perëndim dhe anasjelltas; politikisht — reflektonte vetëqeverisjen me socializmin
radikal; në pikëpamje të kulturës — jo vetëm që gërshetonte religjionet dhe civilizimet por
vetë shqiptarët, megjithëse i mbanin ato në vete me shekuj, kishin arritur të mbeten të vetes.
Mbi të gjitha, Kosova i reflektonte kundërthëniet midis zhvillimit dhe ecjes në ngecje. Për
këto shkaqe, pozita e saj strategjike, në literaturën ndërkombëtare politike, e përshkruar si
«area of potential crises», nuk do të duhej të përkthehej si «hapësirë e krizave potenciale», por
si hapësirë e bombardimit permanent të kundërthënieve dhe të ndikimeve në fjalë.
Inteligjencies në Kosovë mund t'i zihej për të madhe se nuk i kishte kapur me kohë
kundërthëniet në fjalë, ose se nuk kishte ditur se si t'i zbërthente; nuk kishte pasur veshë më të
të ndjeshëm për rrymat e erërave të ndryshme; se u kishte dhënë prioritet gjërave që i kishte
konsideruar kapitale dhe i kishin shpëtuar të tjerat edhe më kapitale, por ajo kishte qenë në
formim e sipër. Nga të parët e vet ajo nuk kishte trashëguar as ndonjë kapital intelektual dhe
as material. Andaj nuk kishte qenë kurrfarë çudie që ishte marrë me vënien e bazave
gjithëmateriale (ishte marrë me ndërtimin e shtëpive), gjithëpolitike (ishte marrë me vënien e
lidhjeve politike, ndër të tjera) dhe gjithëteorike (ishte marrë me prezentime jokritike të
sistemeve të mëdha të mendimit).
As politika dhe as inteligjencia nuk e kishin tentuar sintetizimin real të zhvillimit të
gjithëmbarshëm të Kosovës nga aspekti kritik. Jo vetëm sepse e mendonin të pakohë, por se
nuk kishin pasur as forca dhe as hapësirë. Asnjëra nuk kishte provuar që ngjarjet e vitit 1968
t'i vinte në kontekst të kontestacionit të përgjithshëm të atij viti në botë, në Evropë dhe në
Jugosllavi. Kishte qenë e natyrshme që kërkesat e atij viti ta shprehnin artikulimin e nevojave
të veçanta, por nuk kishte qenë e natyrshme ta injoronin ndikimin e proceseve të përgjithshme
dhe zhvillimin e pastajshëm të proceseve të demokratizimit çdokund në botë dhe në
Jugosllavi. Edhe politika, edhe inteligjencia, për këtë shkak, jetonin me bindjen se proceset e
demokratizimit relativ në Kosovë kishin qenë meritë ekskluzive e secilës veç e veç. Ndërkaq,
vetëm insistimi në ekskluzivitetin e kësaj merite kishte qenë meritë ekskluzive e secilës veç e
veç. Edhe politika edhe inteligjencia kishin përfituar nga proceset e demokratizimit relativ të
Kosovës pas vitit 1968, por kjo u kishte kushtuar shtrenjtë në vitin 1981. Ngjarjet e këtij viti e
kishin befasuar edhe politikën edhe inteligjencien, por përderisa politika ishte frikësuar nga
mundësitë e panjohura dhe merrej me dënimin e tyre, inteligjencia kishte heshtur, jo se ishte
frikësuar nga raprezaliet, por sepse nuk kishte dashur të humbte asgjë: as besimin e masave
dhe as pozitën e vet shoqërore. Kishte qenë ky një reaksion tipik i inteligjencies në situata të
paqarta, por as politika dhe as inteligjencia nuk e kishin pritur se viti 1981 nuk do të
përfundonte me 1981.
Një pjesë e shtypit të vendit (shtypi i Beogradit) e akuzoi ish-udhëheqjen kosovare për
paktim me bartësit e ngjarjeve të vitit 1968. Sipas kësaj kritike, midis këtij viti dhe vitit 1981
udhëheqja kosovare i kishte vënë bartësit e ngjarjeve të vitit '68 në postet kryesore të
institucioneve arsimore, shkencore e kulturore, prej nga pastaj e kishin bërë indoktrinimin e
rinisë në frymën e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Pavarësisht nga ajo se kjo pjesë
e shtypit e identifikonte afirmimin nacional me nacionalizëm dhe synimet për barazi të plotë
me irredentizëm dhe separatizëm, do të ishte mirë sikur për këto çështje të flisnin objektivisht
dhe pa paragjykime vetë bartësit e tyre. Një gjë e tillë do t'i ndihmonte formimit të pasqyrës së
saktë mbi zhvillimin e proceseve dhe nxjerrjes së përfundimeve të shëndosha për zhvillimin e
mëtutjeshëm të proceseve shoqërore në Kosovë, e sidomos për karakterin e demokracisë që
do të ishte e mundshme të zbatohej dhe të aplikohej në Kosovë. Pavarësisht nga kjo, në këtë
tekst merret si i saktë pohimi se bartësit e ndryshëm të ngjarjeve të vitit 1968 janë vënë në
poste me rëndësi shoqërore, ndonëse jo edhe pohimi se ata qëllimisht e bënë indoktrinimin e
rinisë në frymën e nacionalizmit shqiptar, sepse, po të jetë ashtu, atëherë, vështirë se mund të
arsyetohet bindshëm drasticiteti i dënimeve dhe heshtja e gjatë e inteligjencies rreth tyre.
Drasticiteti i këtyre dënimeve dhe veçanërisht heshtja rreth tyre, ndër të rinjtë nëpër burgje
reflektohej shumë rëndë: nga njëra anë i lëndonte tejet shumë, ndonëse këtë lëndim nuk e
shfaqnin hapur. Nga ana tjetër, lëndimi i tillë transformohej në një vendosmëri për të vajtur
gjer në fund, pa i marrë parasysh sakrificat, por edhe më shpesh shndërrohej edhe në një
tendencë të vetizolimit, të tërheqjes në vete, të zhdukjes së dëshirës për të komunikuar me
rrethin e dikurshëm, qoftë edhe me prindërit e tyre. Për këtë shkak, përkrahjen nga Shqipëria e
përjetonin në raport me heshtjen në Kosovë. Dhe, në këtë pikë, as politika dhe as inteligjencia
nuk kishin treguar ndonjë mençuri të duhur. Ndërkaq, fyerjet që ua drejtonte shtypi, duke i
quajtur me emra të ndryshëm, i nxitnin që nëpër fjalorët e tyre që i mbanin me vete ose që i
huazonin nga njëri-tjetri (kur u jepej mundësia), vazhdimisht ta kërkonin kuptimin e fjalëve
me të cilat etiketoheshin. Ishte me interes të veçantë se pyesnin vetëm atëherë kur nuk kishin
shtegdalje tjetër. Nga kjo mund të përfundohej se dëshironin të dukeshin më të pjekur, më të
dijshëm, më të rritur. Dëshironin të ishin në nivelin e përmbajtjes së nofkave që ua ngjisnin,
por nuk mund të venin përtej moshës. Për këtë shkak, i vëreja duke u skuqur për shkak se
ishin të detyruar të kërkonin ndonjë sqarim; duke i mbledhur buzët gjatë leximit të ndonjë
teksti që u dukej i vështirë; duke e rrudhur ballin gjatë mundimit për të depërtuar te ndonjë
kuptim më i fshehur i ndonjë fjalie, dhe duke buzëqeshur befas kur kujtonin se e kishin gjetur
atë që e kërkonin. Shkurt, dukej qartë se të rinjtë nëpër burgje bisedonin me heshtjen, e cila i
lëndonte, dhe të cilën nuk mund ta kuptonin.
Në vitin 1981 i kisha parë shokët e tyre në aksion. Kisha qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë
edhe midis tyre dhe milicisë. I kisha soditur fytyrat e tyre «të nxira» nga «betejat», të
egërsuara, të zbehura nga lodhja apo të skuqura; sytë e tyre — të përlotur nga gasi, por edhe
nga dhembja; gjymtyrët — të dërrmuara nga vrapi ose nga përleshjet me të rinjtë tjerë të
veshur me uniforma. Nuk kisha mundur t'i mendoja si armiq, si të indoktrinuar, e as si
kontrarevolucionarë. E kisha fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo
vetëm nga momenti aktual, por edhe nga e tërë historia. Për këtë shkak, kur politika me
arrogancë kishte kërkuar prej meje që të ndikoja në ndërprerjen e tyre, kisha kuptuar se ajo
kishte dështuar. Nuk provova t'i ndërprisja, por as nuk dëshiroja të vriteshin mes vete. Për
këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen "më të madhe se nemitja», kisha vendosur të
mbetesha pranë tyre. Dhe, mbeta pranë tyre, edhe atëherë kur u vetëlind Kosova, por edhe
atëherë kur u vranë dhe kur u inaugurua demokracia.
I vështroja nëpër burgje; i vështroja edhe ata që i mbanin uniformat. Të dy palët më
dukeshin të burgosur. Shpirtërisht, - veniteshin ata që i mbanin automatikët dhe uniformat;
fizikisht, - rrënoheshin këta që ishin brenda grilave. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me
heshtjen «më të heshtur se nemitja», befas kisha pyetur: në emër të cilës politikë dhe të çfarë
principeve politika i kishte quajtur të parët kontrarevolucionarë, ndërsa të dytët i kishte
armatosur për t'i ndjekur të parët?
Përse kishte heshtur Evropa?
Këta të rinj, të etur për dije, të lënduar nga heshtja, të rënë në kundërshtim me moshën, por
të vendosur që me çdo kusht ta krijonin botën e tyre, kishin qenë bartësit e ngjarjeve të vitit
1981. Kishin qenë gati fëmijë. Bile, nuk kishin qenë të vetëdijshëm as për peshën e veprave
«të inkriminuara», e as për peshën e ngjarjeve që i kishin inicuar. Në bisedën e heshtur me
veten e kishin ndërtuar botën e ëndrrave të tyre.
U ishte dukur se e kishin pasur për detyrë t'i kontribuonin krijimit të botës së ëndrrave të
tyre dhe nuk i kishin menduar rrjedhimet eventuale as për veten, as për familjen, as për
rrethin. Në fillim nuk i kishin kuptuar as vlerësimet politike për atë që kishin bërë. Pastaj ishin
habitur me ato që i dëgjonin për veten dhe më në fund, të rezignuar, i kishin besuar vetëm
vetes dhe qëllimit të tyre.
Këta të rinj e kishin pasur shpirtin e pastër, të çiltër si rrezja e diellit në mëngjes. As në
zemër dhe as në mendje nuk e bartnin të keqen. Ideali i tyre dukej sinonim me të mirën dhe të
bukurën. Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre
të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të
plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra
e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njejta të zgjedhjes së
më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendëta individuale
dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues.
Kur me ndrojtje më rrëfenin intimisht për botën e tyre mahnitëse; kur me zë të ulët i
këndonin këngët e Shkurte Fejzës dhe të Shyhrete Behlulit, melodia e të cilave pothuaj
buronte nga thellësia e qenies së tyre, nga ajo pikë ataviste e lidhmërisë së njeriut me tokën;
kur i vëreja "meloditë" e kullave të Eifelit të ndërtuara me fije shkrepse, me një durim të
pashembullt; kur ëndrrën, këngën, ndërtimin e gjësendeve të vogla — të gjitha së bashku — i
shndërronin në art prej të cilit shpërthente ideali i botës së tyre, unë, i shkolluari në metropolet
e vendit dhe të botës, ndonëse i katandisur rëndë në burg, gëzohesha kur më konsideronin të
vetin. Dhe pastaj më torturonin mendime halucinante:
Më dukej se substrati i tyre shpirtëror përmbante edhe diç nga klithma ushtarake e rrethimit
të Trojës, nga kohët e parahistorisë; nga ajo mezokohë, «zonë e përhimtë» midis perëndimit të
egërsisë dhe lindjes së civilizimit, të cilin e këndoi Homeri i verbër me një mjeshtri që i kishte
tejkaluar epokat dhe kohën në tërësi; diç nga ajo kryeneqësi proverbiale, nga ai kontestacion i
normave të huaja, që atëbotë i kishin nxitur dijetarët e shovenizmit antik të Greqisë antike të
konstatonin me përbuzje, por edhe me një si përzierje të frikës dhe të admirimit: «këta barbarë
të ndotur dardanë që nuk laheshin...», e të cilët, në të vërtetë, kishin menduar në vete: — që
nuk donin t'i nënshtroheshin shkëlqimit të botës së tyre antike dhe as mendjes së dijetarëve të
tyre të shquar dhe as armës së ushtarëve të tyre të ngritur në nivelin e perëndive.
Më dukej se substrati i tyre shpirtëror përmbante edhe diç nga gjakimi për liri që ishte
mbartur edhe nga ushtarët e rënë në fushëbetejat kundër Filipit të Maqedonisë; të atyre të
tjerëve që duke kujtuar se e luftonin despotizmin e atëhershëm dhe të mëvonshëm aziatik, i
kishin lënë koskat e veta nëpër tërë Azinë, gjer në Indi; që nën flamurin e kushëririt të tyre —
Lekës (Aleksandrit të Madh), të birit të Filipit, e kishin bartur famën e armës greke dhe të
civilizimit të tyre nëpër të gjitha kontinentet e njohura të botës së atëhershme.
Substrati i tyre shpirtëror padyshim që duhej të përmbante edhe diç nga klithmat e ushtarëve
të rënë në luftërat antiromake; duhej të ishte i mbarsur edhe me kontestacionin e civilizacionit
të imponuar të tyre, edhe me përbuzjen e atyre perandorëve të Romës me prejardhje nga
radhët e veta, e të cilët e kishin bartur flamurin e saj dhe gjenialitetin e vet ushtarak larg,
përtej kufijve të Ilirisë — Iliricum-it të vjetër; diç nga gjeniu ndërmarrës i Dioklecianit,
Konstandinit të I dhe Shën Jeronimit në Bizantin e vjetër. Kjo shprehej në artin e tyre të
kullave të Eiffelit, të ndërtuara nga fijet e shkrepsës e me durim të pashembullt. Ndërkaq,
herë-herë, edhe meloditë e thekshme të këngëve që i këndonin, dukej se përmbanin edhe diç
nga klithmat e atyre kryengritësve të paepur që kishin qenë të varrosur në «Latrones
Dardaniae»; që i kishin detyruar perandorët me prejardhje nga radhët e veta të ndërtonin me
kujdes të madh një rrjetë të tërë «stacionesh beneficiare» në Dardaninë e vjetër dhe në Moesia
Superior-in e mëvonshëm. Substrati i tyre shpirtëror, pa dyshim përmbante edhe diç nga ata
që vazhdimisht i kishin ndihmuar rrënimit të Bizantit, meqë nuk kishin mundur t'i qëndronin
dot protokoleve të rënda të oborrit të Cezarëve dhe tatimeve edhe më të rënda të
tagrambledhësve të tyre; që i kishin ndihmuar ngritjes dhe pavarësimit të shteteve tjera, duke
kujtuar se i ndihmonin edhe vetes, por pastaj, shteti i të tjerëve, mbi gërmadhat e Perandorisë
së rrënuar të Bizantit, kishte dashur ta ngriste një Bizant të ri për vete! Ata pastaj përsëri
kishin qenë të detyruar t'i kontestonin normat e imponuara, dhe për këtë shkak ishin tërhequr
nëpër malet e tyre të thepisura që të jetonin si barinj nëpër kasolla të vogla që i kishin ndërtuar
kastile për atë qëllim; ata që pastaj Cari i madh i Kanunit të njohur, si të tillë i kishte
përmendur në Kanunin e vet, por për të cilin ata as që kishin dëgjuar.
Nëpër gjakun e tyre, padyshim qarkullonin gjene të të gjitha kohërave, me atë përbërjen e
tyre kimike ende të pashkoqitur tërësisht nga shkenca. Ndoshta në shpërndarjen e gjakut nëpër
qelizat nervore, në atë pikën e pakapshme ku materia transformohet në mendje, shpirt e
frymë, të cilën Kanti plak ishte përpjekur ta përcaktonte, por që pastaj ishte detyruar ta
cilësonte si ende të papikësuar nga dijetarë të shkencës, pikërisht prej aty, doemos duhej të
ishte bartur në substratin e tyre shpirtëror edhe diç nga kontestacioni i luftëtarëve dhe të vetë
atij prijësit legjendar, të cilit në fëmijëri, si peng, ia kishin dhunuar besimin, por që në burrëri
dhe në pleqëri ishte shndërruar në simbol të fuqishëm të unit rezistent të të gjithë shqiptarëve
të të gjitha kohërave dhe të të gjitha besimeve.
Substrati i tyre shpirtëror doemos e ndiente të gjallë edhe kontestacionin e atij kaçaku nga
ana e Drenicës që nuk deshi të pajtohet me «krajlin» e madh dhe pastaj e la amanet që
kufomën t'ia hidhnin në ndonjë shpellë të panjohur të gërxheve të Kosovës; dhe të atij plaku
zemërbardhë nga Rrafshi i Dukagjinit që e vranë me pabesi në shpellën e Dragobisë dhe i cili
për të gjallë të vet nuk ishte pajtuar as me Azinë e as me Evropën dhe që vazhdimisht i kishte
përkrahur shkollarët e ndritur të kombit të vet me shpresë se ata do t'ia forconin unin e plotë
midis kombeve tjera, por të cilët, përmes agjentëve të paguar, i vrau një nga një mbretthi i
vetëshpallur, duke e zhveshur në këtë mënyrë kombin nga mendja e vet e ndritur dhe duke ia
mundësuar atij, për këtë shkak, marshimin përpara drejt feudalizmit të agallarëve, të cilin
shqiptarët patën menduar se e kishin hedhur përtej detit së bashku me otomanët e urrejtur;
përmbante diç edhe nga kontestacioni i fuqishëm i atyre partizanëve të popullit, këtej dhe
matanë kufirit, të cilët në emër të hazreti Leninit dhe të hazretëve të tjerë, për 4 vjet rresht, në
kushte të pamundshme, e kishin luftuar kuçedrën e çeliktë të fashizmit, duke i ndihmuar me
gjakun e tyre aleatëve të luftës, por të cilët, pastaj, në shenjë falenderimi, për pak sa nuk i
kishin harruar tërësisht, por që, megjithatë, në fshatin e Bunjajt, ua kishin lënë ta përpilonin
letrën e njëkuptimtë, por që ata të cilët e patën nënshkruar e shpallën të dykuptimtë, dhe bile
me vehemencë e kontestuan përmbajtjen e saj; atë letrën, e cila në 45 vjetët e ardhshëm është
dashur të tregonte nëse shqiptarët e mbarsur me kontestacion të historisë do të silleshin në
harmoni me atë mençurinë që në vitet '20 të këtij shekulli, ua kishte lënë amanet ai komisari i
çuditshëm i Ligës së Kombeve...
Pastaj, nga një krismë e fuqishme e derës së burgut që rojet e shkaktonin enkas për t'ua
larguar kllapinë të burgosurve, të cilët poeti i madh grek Ricos i kishte komanduar të
mërdhinin në acar, por që nuk kishin mërdhirë, i djersitur dhe shpirtërisht i dërrmuar nga
vegime të tilla halucinante të kotësisë, më ishte dukur sikur kisha klithur me tërë fuqinë e
shpirtit:
O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës!
Mirëpo perënditë, të zënë me lojërat e botës së tyre, jo vetëm që nuk e kishin dëgjuar
klithmën e tillë, por kishin menduar se nuk duhej ta bënin fare hesap, sepse botërat e tjera,
sipas llogarive të tyre, do të duhej të ekzistonin vetëm për ata vetë dhe jo edhe për të tjerët...
Pikërisht në zemrën e botës së të rinjve të përshkruar më lart qëndron kërkesa për barazi të
plotë dhe për liri të ngjashme me atë të kombeve të tjera të Jugosllavisë. Në qoftë se liria
nënkuptohet si oportunitet perspektive individuale dhe kolektive, si mundësi e vetëkrijimit të
plotë të njeriut, dhe në qoftë se liria për vete «per se», nuk ka ndonjë kuptim, atëherë kërkesa
për republikë ishte kërkesë për suazat dhe për instrumentin vetanak të realizimit të saj (lirisë
së vetëkrijimit). Nga ky aspekt, spekulimet për manipulimin me bartësit e v. 1981, në qoftë se
nuk e kanë burimin tek ata që atë e kundërshtojnë, atëherë kanë të bëjnë me tendencën e
rikthimit të pozitave të humbura, d.m.th., në funksionin dhe në karakterin e instrumentit në
fjalë, me natyrën e demokracisë së preferuar, me raportet shoqërore që dëshirohen të
zhvillohen. Ndonëse kontestohet me vehemencë, spekulimet e tilla janë recidivë e sistemit
njëpartiak, të cilësuar ndër ne si sistem monist. Te kritika në gjuhën serbokroate sistemi
njëpartiak më shpesh cilësohet edhe si sistem njëmendshmërie (jednoumlja), d.m.th. sistemi i
dominimit të një mendimi dhe i kastigosjes së mendimeve tjera. Mirëpo sistemi njëpartiak
mbetet sistem njëpartiak (term politik) dhe filozofikisht mund të cilësohej me njëmendshmëri
të mendimit. Kështu, edhe në pikëpamje të mendimit, por edhe të praktikës politike, sistemi
njëpartiak (i cili mund të ishte, por edhe mund të mos ishte socialist), ishte ekskluziv edhe në
mendim edhe në praktikë. I shërbente atyre që e kishin pushtetin dhe përkrahësve të tyre. Ajo
që mbeti e pathënë gjatë përdorimit të kësaj terminologjie në të vërtetë ishte refleksion i
pasigurisë së aktualitetit politik. Kritika, me fjalë të tjera, edhe pse përpiqej t'i printe
zhvillimit të proceseve, nuk ishte fort e sigurt për sa i përket kahjes së mundshme të zhvillimit
të tyre.
Ndërkaq kritika në gjuhën shqipe, të dy kuptimet e nocioneve të përmendura («njëpartiak»
— «njëmendshmëri»), i përfshiu me nocionin sistem monist, dhe kjo po ashtu nuk mund të
mos ishte refleksion i aktualitetit politik. Sistemi monist, si nocion, e ka burimin në filozofi,
konkretisht te filozofia monadologjike e Lajbnicit (Gottfried Wilhelm Leibniz, 1646 -1716).
Kuptimi filozofik i monadës te Leibnici nuk është vetëm ekskluziviteti, përjashtimi i asaj që
nuk është «një», por harmonia, tretja e «jonjëshit» në «një», substanca e pandashme dhe
unike, që është burim i vetvetes. Politikisht, Leibnici e kërkonte tejkalimin e copëzimit feudal
të Gjermanisë së shekullit XVII në emër të një borgjezie që ishte në lindje e sipër, por akoma
të paformuar plotësisht. Ndërkaq, te ne aludohet në shkrirjen e diferencave, të dallimeve të
ndryshme shoqërore, dhe të përvojave të ndryshme individuale dhe grupore, në emër të
qëllimeve «të nënkuptuara», por që nuk mbrohen botërisht.
Bota e të rinjve të vitit '81 e akcepton demokracinë si mundësi të shprehjes së mendimit të
lirë. Në të vërtetë ajo u lind si e tillë në luftë për realizimin e kësaj mundësie, por ajo nuk
mund ta akceptojë demokracinë si zëvendësim të një njëmendshmërie me një njëmendshmëri
tjetër; jo si rrotullim të pozitave të mendimeve dominante dhe ekskluzive me mendime të tjera
që e synojnë dominacionin dhe ekskluzivitetin e të parëve. Ajo mund ta lejojë absolutizimin
realativ të një mendimi shoqëror, në qoftë se ai është rezultat i konkurrencës së lirë të
mendimeve, në qoftë se është kulluar përmes luftës së hapur të mendimeve të ndryshme, por
nuk mund të pajtohet me mbisundimin e një mendimi, në kohë dhe në hapësirë, në qoftë se atë
pozitë e ka arritur dhe e ruan me metoda të vjetra të monopolit të shtypit, me izolimin e
heshtur dhe ilegal (joligjor) të bartësve të mendimit të kundërt, ose me përparësitë që
vjedhurazi ia ka mundësuar sistemi i vjetër, duke mos i dhënë kurrfarë shansash të tjerëve,
bartësve të vërtetë të ndryshimeve.
Dhe — demokracia nuk mund të heshtet me pretekstin e momentit. Bota e të rinjve të vitit
'81 ishte e hapur dhe i barti të gjitha konsekuencat. Andaj, preteksti i «çastit», i «momentit», i
«rendit» të realizimit të qëllimeve, nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Gjërat u thanë hapur
qysh më '81. Për këtë shkak, preteksti i momentit mund të ketë ndonjë lidhje të kuptueshme
vetëm me strategjinë e zhvillimit të raporteve shoqërore dhe të pozitës shoqërore të mjeteve të
prodhimit. Me fjalë të tjera, e ky është kyçi i problemit, jo vetëm ndër ne, por edhe në Evropë,
nuk është akoma e qartë se çfarë demokracie synohet?
Në këtë pikë bota e të rinjve të vitit 1981 ndeshet me realitetin. Ajo e kishte të qartë se çfarë
nuk deshi:
Ajo nuk e deshi praktikën e zhvillimit të deformuar e të mangët.
Socializmi, në përgjithësi dhe jo vetëm te ne, nuk kishte pasur sukses ta zgjidhte çështjen e
demokracisë. Përpjekjet e RSP të Shqipërisë dhe të disa vendeve të tjera që këtë çështje ta
reduktonin në pjesëmarrjen aktive të masave në proceset e ndryshme të nxjerrjes së
vendimeve, në kushtet e vetëizolimit ndërkombëtar nuk mund të prezentoheshin si të
suksesshme; socializmi nuk mundi ta krijonte një bazë mjaft të gjerë e të fortë shoqërore e as
ta ndryshonte vetëdijen shoqërore gjer në atë shkallë e cila, pa rrezikun e përmbysjes së rendit
shoqëror, do ta mundësonte luftën e hapur të ideve dhe të partive politike; nuk guxoi ta
rrezikonte luftën termonukleare dhe ta katandiste njerëzimin në hiç. Për këto e shkaqe të tjera,
veçanërisht të lidhura me nevojën e zhvillimit (modernizimit), hoqi dorë nga lufta për
eksportimin e revolucionit, të komunizmit dhe për ndryshimin e tërësishëm të raporteve
ndërkombëtare (momentalisht, është irelevante, pos për hesape politikaneske, të polemizohet
mbi atë se a qe i detyruar apo edhe vetë deshi të hiqte dorë). Mirëpo të flitet për socializmin
vetëm si për një eksperiment totalisht të dështuar do të thotë që më së paku t'i krijosh
probleme së ardhmes, veçanërisht në kushte të pazhvillueshmërisë.
Prandaj, për shkak të shkallës së zhvillimit të gjithmbarshëm, problemi thelbësor i Kosovës
nuk është shkalla me të cilën akceptohet demokracia por zhvillimi. Demokracia doemos do të
duhej t'i ndihmonte zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës. Si e tillë është padyshim e
mirëpritur dhe e mirëseardhur. Mirëpo me demokraci nuk mund të synohet konservimi i
raporteve të vjetra, sepse ato në Kosovë shpesh janë të karakterit feudo-klanor, dhe bile as të
karakterit feudo-borgjez. Në qoftë se me demokraci synohet demobilizimi dhe jo mobilizimi i
forcave të zhvillimit; në qoftë se, ajo (demokracia), nuk do ta mundësojë (përmes zgjedhjeve
të lira), shpërthimin e forcave të njëmendëta kreative; në qoftë se përmes konkurrencës së lirë
të ideve, mendimeve dhe mallrave nuk do të mundësohet ndërtimi i vlerave të njëmendëta; në
qoftë se, me fjalë të tjera, demokracia, përmes mekanizmave tanimë të njohur, do të
reduktohet në formalizëm të thjeshtë për ruajtjen e privilegjeve tashmë të privilegjuara e jo
për begatimin e jetës shoqërore dhe politike, ky lloj i demokracisë në Kosovë nuk do t'u duhet
as bartësve seriozë të saj, të cilët në Amerikë e propaguan si mënyrë të denjë për jetën e
njeriut.
Kosova, me fjalë të tjera, as nuk e ka importuar, e as që mund ta importojë demokracinë.
Dhe, nuk mund, gjithashtu, ta eksportojë atë. Ajo nuk mund ta ndërtojë demokracinë në baza
të ekskluzivitetit nacional, e as të antikomunizmit. Të provohet e kundërta do të thotë të
dhunohet demokracia dhe të provokohet e ardhmja demokratike.
Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e
ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit.
Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe
e ndërlidhur me të tjerat.
Nga gjysma e parë e këtij viti, në fshatin Billushë të Prizrenit, gjatë një bisede, pyetjet e
shumta të pjesëmarrësve reduktoheshin në interesimin e tyre të gjallë mbi mënyrën dhe
mundësitë eventuale për jetësimin e Republikës së Kosovës. Natyrisht, kjo bisedë ishte një
këmbim joobligues i mendimeve. Ma kishte marrë mendja se do të duhej të kthehej policia e
mbrojtja teritoriale, pastaj të formohej një qeveri, e cila do ta merrte mbi vete përgjegjësinë
mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe eventualisht të legalizohej Lëvizja Popullore e Republikës së
Kosovës. Disa nga këto mendime mund të jenë realizuar, por në mënyrën e vet, dhe
pavarësisht nga ajo që kisha menduar unë, gjë që do të thotë se të tjerët jo vetëm që mund të
kenë pasur mendime të ngjashme, por edhe të elaboruara, meqë vetë nuk e kisha bërë
elaborimin e mendimeve të mia, në qoftë se përgjigjet e rastit në pyetjet e shumta që më
shtroheshin, nuk do të konsideroheshin si të tilla. Në ndërkohë kishte përfunduar me sukses të
plotë referendumi gjithëpopullor për Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës; ishte
zgjedhur qeveria dhe ishte emëruar kryetari i saj dr. Bujar Bukoshi, kurse Kuvendi i
Republikës së Shqipërisë e kishte bërë njohjen e Republikës së Kosovës. Dukej se gjërat do të
venin mbarë... Megjithatë, komentet e politikës serbe për referendumin dhe ato që pasuan më
pastaj kishin qenë mospërfillëse, ndërsa ndonjëherë edhe ironike. Ato flisnin për një republikë
"joekzistuese" të Kosovës, ose për "Republikën në letër" të Kosovës! Një gjë e tillë nga
kundërshtarët politikë edhe mund të pritej. Mirëpo nuk mund të pritej prej tyre edhe moslejimi
i vijimit të mësimit për nxënësit dhe studentët. Pavarësisht nga arsyetimet e ndryshme dhe
fajësimi i alternativës kosovare, kjo nuk mund të arsyetohej me asgjë. Zhvillohej vallë një
luftë për të vajtur në Evropë në një ose në shumë mënyra, apo për t'a ruajtur errësirën
mesjetare në trojet e Ballkanit? Pastaj nuk mund të arsyetohej vazhdimi i heqjes nga puna të
mësimdhënësve të Universitetit, pastaj mbyllja e tij e mëvonëshme dhe suprimimi i
Akademisë së Shkencave; nuk mund të arsyetohej as mizerja e luftës në Kroaci, as keqësimi i
vazhdueshëm i gjendjes ekonomike të popullsisë dhe as ikja masive e rinisë shqiptare në
Perëndim. Mbi të gjitha, nuk mund të pritej pajtimi me një gjendje të tillë, e cila vazhdimisht
është duke ecur drejt një lufte të përgjithshme në Ballkan dhe ndoshta edhe në Evropë.
Të gjitha këto e rëndojnë për së tepërmi situatën politike në Kosovë. Madje edhe politikisht,
përmes ekranit të TV-së, u shqyrtuan mundësitë për hapjen e "frontit të jugut" dhe u
përgënjeshtruan pastaj nga funksionarë të lartë të LDK-së, por gjërat ecin me logjikën e tyre
të brendshme pavarësisht nga prognozat dhe përgënjeshtrimet. Atmosfera e rëndë politike në
Kosovë megjithatë nuk është vetëm refleksion i luftës në Kroaci, i gjendjes në Jugosllavi, i
mosjetësimit akoma të Republikës së Kosovës, por edhe i faktit se gjërat pothuajse ngecën, si
dhe i faktit se atmosfera e tillë e rëndë politike tashmë me të dy këmbët është futur në
dekadën e dytë. Përse e kemi situatën të këtillë? Përse po zgjat kaq shumë ajo, dhe sa do të
duhej pritur akoma? "Të presim edhe dy-tre vjet" -u thoshte fshatarëve të mi një titist i flaktë i
dikurshëm që u shndërrua tani në një demokrat edhe më të zjarrtë "dhe pastaj do të jetë aq
bukur… do të bëhemi të fortë!"
Fëmijët si peng
Këto fjalë menjëherë ma përkujtuan situatën e fëmijëve të mi: Andinin 5- vjeçar dhe
Brisildën 1,5 vjeçe. Ata i kishte marrë nëna e tyre dhe i mbante te prindërit e vet. Ishte
hidhëruar dhe më kishte braktisur. Kur i kisha lutur disa titistë të dikurshëm dhe demokratë të
tanishëm të ndërmjetësonin dhe së paku të m'i kthenin fëmijët, më ishin përgjigjur: "Prit edhe
dy-tre vjet, pastaj djali do të vijë vetë ke ti, kurse pas dy-tre vjetëve të tjerë do të vijë edhe
çupëza!". Mirëpo e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me vajzën time 10-vjeçare - Erletën, nga
martesa e parë. Në vitin 1981 ia kishin zënë peng (burgosur) babanë. Në vitin 1985 e kishin
zënë peng atë, pikërisht sikurse Andinin - në moshën 4,5 vjeçare. Kisha pritur të kthehej, por
ndërkohë ishte tëhuajsuar tërësisht dhe tani nuk njiheshim më në mes vete. Erletën nuk e
njihja edhe ngaqë e kisha braktisur si foshnjë 7-muajshe. Ndërkaq zëri i Andinit akoma më
është i freskët. Kur një herë kishte arritur të ikte për të më vizituar në shtëpi, e pata vështruar
nga dritarja: e puthte një shtyllë betoni që dikur e kisha ngritur për të shënuar mezhdën. Pastaj
në çdo dhjetë hapa përkulej dhe si i babëzitur e puthte dheun duke bërtitur "O Babiiiiiiiii!".
Më në fund i puthi disa herë dyert e hyrjes dhe më kërceu në qafë. Nuk kisha mundur t'ia
ktheja asnjë përgjigje. E doja për së tepërmi. Natyrisht, kisha pasur rrugëdalje por duhej që të
bardhën ta quaja të zezë dhe të zezën të bardhë. Kishte pasur edhe një rrugëdalje tjetër, por
duhej që edhe e ëma e tyre gjërat t'i emërtonte drejt, me emrin e tyre të vërtetë. Mirëpo kjo
ishte treguar e pamundur dhe tani vuanin fëmijët. Duhej të prisnim edhe dy-tre vjet, pastaj
edhe dy-tre vjet të tjerë, dhe sipas disave "do të bëheshim të fortë, shumë të fortë", por me
kusht që të mos tëhuajsoheshim tërësisht dhe që akoma të njiheshim në mes vete...
Republika si peng
Nuk e di tashmë saktësisht se në cilin vit ishte zënë peng Republika e Kosovës. Nuk e di as
se kush saktësisht mund ta ketë zënë peng atë dhe se a thua mund të ishte e vërtetë fare se ajo
ishte zënë peng nga ndokush që nuk e prisnim? Mirëpo, ishte e sigurt se ajo ishte e zënë peng.
Gjithashtu e dija se gjatë dimrit të kaluar njëri nga ish-funksionarët e lartë titistë në revistën
«Republika» të Salih Kabashit kishte deklaruar se ata (d.m.th. titistët) nuk e kishin dashur
Republikën me stalinistët. Bislim Elshani, redaktor i «Demokracisë Autentike», i ishte
përgjigjur drejtëpërsëdrejti me pyetjen se cili ishte vallë kriteri me të cilin e matnin ata
patriotizmin e tyre? Shumë më vonë një funksionar i lartë i LDK-së, në intervistën e vet në
një gazetë në gjuhën shqipe, kishte deklaruar se nuk e kishin dashur Republikën brenda
federatës jugosllave. Ky kishte pandehur se çdo ide për ruajtjen e integritetit territorial të
Jugosllavisë do të ishte profane, ndonëse gazeta që ia botonte këto mendime shtypej në
Prishtinë, nën patronazhin e Serbisë, e cila luftën në Kroaci e arsyetonte me qëllimin e ruajtjes
së atij integriteti. Ndërkaq «Demokracia autentike» që ishte vënë në funksion të Republikës së
Kosovës pa e cënuar këtë integritet, ishte heshtur. Ishte heshtur gati çdo mendim i pavarur që
nuk i kishte rrënjët në Perëndim por në Kosovë; që hotelin «Grand» nuk e kujtonte për «Hayat
Regency» dhe që Prishtinën nuk e merrte për Paris. Kjo nuk do të thoshte se Prishtina s'do të
duhej të bëhej Paris. Do të thoshte vetëm se duhej filluar nga fakti se akoma nuk ishte bërë.
Në të vërtetë shpeshherë mendimet e tilla etiketoheshin si staliniste dhe «serbo-sllavo-
komuniste», pavarësisht nga fakti se komunizmin nuk e kishin lindur sllavët por gjermanët,
përkatësisht hebrenjtë në Gjermani, dhe se sllavët vetëm sa e kishin huazuar këtë ide me
qëllim të ruajtjes së kufijve të Carit të tyre të madh dhe pothuajse po atë çast e kishin "shitur".
(Shumë teorikë të njohur të politikës ndërkombëtare marrëveshjen e Brest-Litovskit të vitit
1918, nënshkrimin e së cilës e kishte urdhëruar Lenini, e konsideronin si "shitje" të
revolucionit gjerman. Karl Libknechti dhe Roza Luxemburgu, por edhe shumë të tjerë, kishin
mbetur të habitur, por kjo ishte arsyetuar me interesat e paqes dhe të revolucionit të
ardhshëm botëror. Ngjashëm ishte injoruar edhe Revolucioni hungarez i po atij viti). Mirëpo
"njohësit" e komunizmit të kohës së dështimit të tij këtë e bëjnë me qëllim të identifikimit të
tij me të keqen nacionale, duke fshirë çdo gjë pozitive nga kjo kohë me një lëvizje të thjeshtë
pene. Pastaj do të dëshironin që ndonjë gjeneral Schwarzkopf t'i fshinte mbeturinat e
komunizmit në Ballkan. Pas kësaj do të pajtoheshin me çdo gjë që do t'u ofronte Lordi
Carrington, sepse nuk mund ta marrin me mend ndonjë republikë me "stalinistë" ndërkaq
"stalinist" ata e quajnë cilindo që nuk është i mendimit të tyre. Në këtë mënyrë, ndonëse të
gjithë përbetohemi në demokraci, bëhet gati e pamundur të dihet se kush dhe përse në të
vërtetë e mban peng Republikën? Si rezultat i natyrshëm i këtij "animi" të tepruar, uniteti dhe
homogjeniteti me të cilin lavdërohemi duket se nuk mbështetet mbi këmbë të sigurta. Uniteti
rreth idesë e cila do ta fshinte një të kaluar të tërë duke e shpallur si mishërim të së keqes
nacionale, duhet thënë hapur, është fare jashtë hapësirës, ndonëse mund të ketë unitet rreth
mendimeve, ideve, pra edhe veprave që i artikulojnë synimet e vërteta të popullit dhe që dalin
nga ai, por jo rreth "aksioneve të mbuluara" (covert action). Ato mund të jenë ndihmesë
efikase e ndonjë politike të caktuar por jo edhe zëvendësim për politikën dhe as për idenë. Ky
është njëherësh edhe kuptimi që Abraham Lincolni në kohën e vet ia dha demokracisë. Kjo e
vërtetë po shpërthen pakëz ngadalë, por do të shpërthejë. Shpërthimi i saj doemos do ta vërë
Republikën e Kosovës në raport të drejtë me situatën politike, e cila pa dyshim se do ta
çlirojë.
Në një nivel serioz të shqyrtimit të çështjeve, pyetje të tilla si ato të shtruara më lart janë
indikatorë me rëndësi të gjendjes së dhënë si dhe të atmosferes dhe të situatës politike në
përgjithësi. Mirëpo janë edhe diçka tjetër - një ndihmesë e rëndësishme për zbërthimin e
problemeve. Branko Kostiqi, Nënkryetar i Kryesisë së Jugosllavisë (së cunguar), në një
emision të TVB-së, pakëz më heret, i përsëriti qëndrimet e njohura të politikës serbe lidhur
me Republikën e Kosovës: "Shqiptarët duhet ta kuptojnë, -tha ai, -se Republika e tyre është
Republika e Serbisë, e definuar me kushtetutë si republikë e qytetarëve të saj". Në kontekst të
ofensivës së forcave të armatosura në territorin kroat (zhbllokimi i kazermave), fjalët e tij
mund të kuptoheshin si vendim - rezolutë për zgjidhjen e krizës jugosllave në mënyrën serbe.
Ndërkohë ky vendim u formulua si qëndrim me të cilin politika serbe rezervohej nga
propozimet e Lordit Karrington në Konferencën e Hagës mbi Jugosllavinë. Si pretekst u
morën dokumentet me të cilat garantoheshin të drejtat e pakicave kombëtare në Evropë.
Ndërkaq, edhe më vonë, me nënshkrimin e tij, lutej Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të
vendoste mbi dërgimin e helmetëkaltërve në rajonet e luftës në Kroaci. Politika serbe bënte
çmos që ta ruante integritetin territorial të Jugosllavisë, tani jo më si opcion adekuat për
popujt e saj por vetëm për serbët! Ndërkaq, Princi Tomisllav Karagjorgjeviqi në Oplenac,
vizitës së të cilit TVB i kishte dhënë rëndësi të veçantë, deklaronte si nën buzë, gati me
druajtje, por në mënyrë rezolute, se "Serbia do të bëhej shtet i fortë, më i forti në Ballkan, në
Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!". Dukej se princi plak Tomisllav Karagjorgjeviqi e
besonte me gjithë mend një gjë të tillë. Ai nuk tha asgjë për shqiptarët, dhe as për Republikën
e Kosovës. Dukej sheshazi se Republika e Kosovës kundërshtohej në mënyrë rezolute, dhe
kjo mbështetej mbi forcën e armës së armatës jugosllave. Princi serb këtë me siguri e dinte. E
dinte edhe politika serbe se edhe shqiptarët e kishin një mbret, ndonëse nuk e di nëse e kishin
edhe ndonjë princ. Mbreti shqiptar - Leka I Zogu, me siguri se ishte po aq, në mos edhe më i
fortë, se ai princi tjetër i serbëve - Aleksandër Karagjorgjeviqi; po aq, në mos edhe më i gjatë
se ky. Edhe mbreti i shqiptarëve - Leka I Zogu, e ëndërronte një republikë të fortë shqiptare,
"më të fortë në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!". Princi serb mund ta
gjente, në mos Sllobodan Millosheviqin, atëherë ndonjë kryetar tjetër të Serbisë, për t'i
sendërtuar ëndrrat e tij. Mirëpo edhe mbreti shqiptar mund ta gjente, në mos Ramiz Alinë,
atëherë ndonjë kryetar tjetër të Shqipërisë, për t'i sendërtuar ëndrrat e tij. Edhe shqiptarët e
kishin një armatë dhe një popull hiç më të vogël dhe hiç më pak luftarak se sa ai serb. Serbët
thirreshin në të drejtat historike mbi Kosovën, por shqiptarët kanë më tepër të drejta historike
mbi Kosovën, ndërkaq kanë edhe të drejta legjitime që dalin nga realiteti i sotëm politiko-
demografik. Serbët e shpresojnë përkrahjen e Rusisë, por edhe shqiptarët mund ta shpresojnë
përkrahjen e të tjerëve, sidomos tani që kërkesat shqiptare vlerësohen si legjitime. Kështu,
princërit dhe mbretërit do të luftonin në Ballkan përmes kalorisë moderne-aviacionit, dhe
njësive tankiste me këmbësorinë e shkretë, për t'i sendërtuar qëllimet e tyre përkatëse - "për
t'u bërë më të fortë, më të fortë në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë!".
Ata ndërkaq, sipas komenteve të TV-së, nuk do të luftonin për evropeizimin e vendeve të
tyre të mbetura gati në nivelin aziatik të zhvillimit…
Tani është e qartë se princërit dhe mbretërit mund të kthehen në vendet e tyre; mund të
simbolizojnë kontinuitetin e traditës së shtetësive të shteteve të tyre, të unitetit të kombeve të
tyre, dhe për këtë mund të gëzojnë respektin e duhur të popujve të tyre, por vetëm nëse këta
dy popuj, secili në vendin e vet, do të vendosin ashtu. Përveç simboleve klasike që do të
simbolizonin institucionet mbretërore, mbreti shqiptar, për shkak të ndasisë së kombit, do të
mund të simbolizonte edhe unitetin historik-shpirtëror dhe aspiratat shekullore të natyrshme të
popullit, por vetëm në qoftë se do të kuptohet se në prag të shekullit XXI mbretëritë e tyre
nuk mund të mbështeten edhe më tutje mbi raportet feudo-klanore të shoqërisë dhe mbi
mohimin e progresit të brendshëm në favor të madhësisë së jashtme. Progresi i brendshëm
mund ta realizojë madhësinë e një kombi, ashtu si dikur madhësia e jashtme e realizoi
progresin e brendshëm të shumë kombeve. Për shqiptarët, por edhe për serbët, progresi i
brendshëm e nënkupton jetësimin e Republikës së Kosovës, jo vetëm sepse ajo është e drejtë
elementare e tyre -instrument vital i zhvillimit, por edhe sepse vetëm në atë mënyrë mund t'i
shmangemi instrumentalizimit në dobi të interesave të huaja për t'i hapur kështu rrugët e
evropeizimit të shpejtuar. Në qoftë se kjo gjë nuk kuptohet, ose kuptohet por nuk dëshirohet të
pranohet, alternativa e saj mund të jetë vetëm kthimi në mesjetë - përgjakja e sërishme e
historisë. Duke u deklaruar për republikën dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të
proceseve integrative të Evropës, pa rezonimin e forcës, populli shqiptar e tregoi pjekurinë e
vet politike. Ndërkaq, madhështinë e vet historike e argumentoi me faktin se, fare i vetmuar, i
qëndroi çdo stuhie dhe çdo rrebeshi të kohës. Tani ai i ngjan një metuzalemi të qëndresës që
nuk i dihet me saktësi mosha. Andaj përgjakja e sërishme e historisë mund të jetë vetëm
reminishencë tragjike e kohërave të shkuara dhe totalisht në kundërshtim me trendet aktuale të
zhvillimit të qytetërimit në Evropë, por edhe në botë. Me siguri se argumentimi i sërishëm i
një teze të tillë nuk mund të jetë i tepërt. Kurrnjëherë nuk mund të jetë e tepërt të bindemi
para se të bëhet përfundimisht vonë. Është detyrë njerëzore dhe në natyrën e njeriut që së
paku të provojë të mos e lejojë vonimin përfundimtar të gjërave, po qe se ato do të kenë veshë
për atë që është e arsyeshme, kurse luftërat janë gjithmonë iracionale, ndonëse zhvillohen për
qëllime racionale.
Për sistemet globale të mendimit, në periodën pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht
gjatë luftës së ftohtë politike, gjërat dukeshin të qarta. Ideologjia komuniste, në njërën anë,
besonte se botëkuptimet mbi botën dhe mbi qëllimet klasore të dy sistemeve shoqërore
(socializmit dhe kapitalizmit) ishin të kundërta dhe të papajtueshme. Koekzistenca e vendosur
në raportet midis këtyre dy sistemeve globale ishte formë e imponuar e ekzistencës për shkak
të armatimit raketor-nuklear, por ajo intimisht nuk e përjashtonte bindjen se vetëm fitorja e
komunizmit në tërë botën do t'a përjashtonte luftën si metodë për zgjidhjen e kontesteve
ndërkombëtare dhe do të ishte garanci e sigurt për ruajtjen e paqes. Organizimi i brendshëm
politik (jo vetëm policia dhe armata), prandaj duhej të ishte në funksion të këtij ideali. Në
thelb të mendimit të tillë politik ishte ekspanzioni. Zgjerimi i sistemit dhe organizimi i
brendshëm politik duhej t'i shërbente rendit që i avanconte qëllimet e këtilla politike.
Ndërkaq, mendimi i kundërt politik, në anën tjetër, cilësohej me një filozofi realiste e cila
politikën e konsideronte si luftë për pushtet ku interesat e fuqive të mëdha vazhdimisht
ndodheshin në konflikt midis tyre. Në thelb të mendimit të tillë politik poashtu ishte
ekspanzioni, pasiqë të dy sistemet globale të mendimit e kishin të qartë se vetëm sistemi i
organizimit të brendshëm politik mund të ishte garanti i fundit i paqes në botë. E thjeshtësuar
gjer në fund, kjo do të thoshte se vetëm njerëzit që mendonin njësoj, që jetonin në mënyrë të
ngjashme dhe që kishin interesa përafërsisht të ngjashme, nuk mund t'a rrezikonin as qetësinë
e brendshme dhe as paqën e jashtme. Përfaqësuesi amerikan i idealizmit politik, ish-Presidenti
i SHBA- Woodrow Wilson, konsideronte se duhej zhvilluar luftë për t'i përfunduar luftërat.
Sipas tij, Lufta e I-rë Botërore i kishte shkatërruar perandoritë e Evropës Qendrore
(Gjermania, Austro-Hungaria) me ç'rast ishin formuar shtete të reja në mbështetje të parimit të
vetëvendosjes. Liga e Kombeve, formimin e së cilës e kishte propozuar vetë, do të duhej të
merrej me zgjidhjen e kontesteve që e rrezikonin paqen. Përvoja e brendshme e organizimit
politik të SHBA-ve Wilsonit i kishte shërbyer për të nxjerrë parimet për një organizim të
mundshëm të botës, ku Liga e Kombeve, duke i mbështetur principet e raporteve midis
shteteve, do të kishte rol të veçantë në universalizimin e tyre.
Mirëpo, idealizmin politik të Wilsonit nuk e kundërshtonin vetëm marksistët, dhe as vetëm
Revolucioni i Tetorit. Sir Halford Mackinder ("Democratic Ideals and Democracy" 1919)
shkruante se demokracia ishte inkopatibile me organizimin e domosdoshëm të luftës kundër
autokracive. Ata (idealistët politikë si Wilsoni) "refuzonin t'i njihnin realitetet e gjeografisë
dhe të ekonomisë". Andaj Mackinder e nxirrte përfundimin se paqja botërore mund të
sigurohej vetëm duke sunduar me ujdhesën botërore (shih "DeA"-6/1991), e cila praktikisht e
nënkuptonte themelimin e një lidhjeje të shteteve të pavarura midis Gjermanisë dhe Rusisë.
Ndërkaq, këtij botëkuptimi realist mbi sigurimin e paqes, por që gjithashtu shkonte ndesh me
idealizmin politik të Wilsonit, i kishte paraprirë Alfred Thayer Mahan. Duke e çmuar lart
fuqinë detare (maritime) të Britanisë, amerikani Mahan me 1890 shkruante se "përdorimi dhe
kontrolli i duhur i detit është vetëm një vijë në vargun e këmbimit me të cilin akumulohet
pasuria". Mahan dhe Mackinder ishin teorikë të gjeopolitikës, veçse njëri e theksonte
rëndësinë e kontrollimit të ujërave detare, ndërsa tjetri të tokës, për ruajtjen e paqes botërore.
Me fjalë të tjera, ata ishin zëdhënës të zgjerimit të imperatorive koloniale, të cilat do të duhej
ta vendosnin paqen mbi rruzullin tokësor. Për këtë shkak nuk ishte çudi që të dy teorikët nuk
mund t'a honepsnin aspak "shpirtin jo-luftarak të demokracisë", por as tregtinë e lirë dhe as
tregtarët si klasë. Mackinder madje besonte se lufta kompetitive për tregje ishte burimi
kryesor i luftërave dhe këtu ai nuk ndryshonte shumë nga marksistët. Ai mendonte se paqja
mund të ruhej duke e vënë kontrollin e drejtëpërdrejtë mbi burimet e mëdha të pasurive
natyrale dhe jo me tregti, ose përmes tregtisë që zhvillohet jashtë zonës së ndikimit të vet.
Dobia nga një gjë e tillë do të ishte iluzore, sepse është e gjykuar të sjellë vullnerabilitetin
(shih Stanly Kober, «Idealpolitik», Foreign Policy, Summer 1990). Megjithatë goditjen
kryesore idealizmit politik ia dha shpërthimi i Luftës së II-të Botërore. Nevoja që të
shpjegohen filozofikisht shkaqet e shpërthimit të luftës e nxiti zhvillimin e drejtimit të
realizmit në politikë. Hans Morgenthao ishte eksponenti kryesor i këtij drejtimi. Në librin e tij
kapital «Politika Midis Kombeve» (Politics Among Nations, 1948), ai konstatonte se politika,
si dhe shoqëria në përgjithësi, udhëhiqet me ligje objektive, rrënjët e të cilave ndodhen në
natyrën njerëzore. Meqenëse ligjet e këtilla janë objektive, ato doemos kanë karakter
universal. Sjelljet e shteteve i udhëheq interesi i definuar si fuqi dhe jo idealet e burrave të
shtetit. Në harmoni me këto botëkuptime, Henry Kissingeri më vonë, ngjashëm me
Morgenthao-n, kishte ardhur në përfundim se stabiliteti i sistemit ndërkombëtar varej nga dy
komponenta: nga drejtpeshimi i forcave dhe nga principi i legjitimitetit të pranuar
përgjithësisht. Dhe përsëri, së bashku me të, besonte se realiteti i politikës së fuqisë e
kushtëzonte nënshtrimin e ideologjisë nacionale ndaj interesave më themelore. "Kujdesi për
sigurimin nacional, -shkruante Kissingeri më 1986 në «Washington Post», - duhet të jetë në
harmoni me vlerat tradicionale amerikane", për të përfunduar më vonë me një dozë pesimizmi
se "ndonëse morali dhe fuqia jonë nuk duhet të jenë në kundërshtim me njëra -tjetrën", në
instancë të fundit, "të gjitha politikat serioze të jashtme doemos nisen nga nevoja për të
mbijetuar (the need for survival).
Ajo që është interesante te realizmi politik ka të bëjë me faktin se nuk e merrte parasysh
ndikimin e kurrfarë ideologjie. Për ndryshim nga "njohësit" kosovarë të politikës, që gati sa
nuk u cfilitën duke gjuajtur "shtriga staliniste" në hapësirën edhe ashtu të ngushtuar politike të
Kosovës, ai edhe idealizmin politik e konsideronte si filozofi naive që nuk mund t'a kuptonte
realitetin e politikës së fuqisë dhe i cili, për shkak të ngarkesave me moralizime, të çonte qoftë
në tërheqje dhe izolim nga një botë e papërsosur, qoftë në një intervenim për t'i ndrequr të
gjitha paudhësitë e saj. Realizmi politik, në të vërtetë, e shprehte rezignacionin ndaj realitetit
politik të pas-Luftës së II-të Botërore. Mirëpo, paralelisht me forcimin e realizmit politik, kah
fundi i viteve '80 teorikët dhe burrat e shtetit sovjetik kishin filluar t'i kontestonin hapur
postulatet e teorisë marksiste. Eduard Shevernadze, p.sh., me 1988 shkruante se "koekzistenca
nuk mund të indentifikohej me luftën e klasave", kurse M. Gorbaçov e shpjegonte
perestrojkën si "revolucion legal që kishte për qëllim ta pengonte koncentrimin e fuqisë së
tepruar në duar të pakicës me qëllim që shoqëria të udhëhiqej me parimin e sundimit të ligjit".
Një kthesë e tillë marramendëse në teorinë sovjetike tani i jepte krah riafirmimit të idealizmit
politik në Perëndim. Mirëpo edhe ky tani kishte evoluar: e pranonte se demokracia kishte
zhvilluar luftëra, por institucionet demokratike, të cilat në instancën e fundit e kushtëzonin
agresivitetin e politikës së shtetit të dhënë, mund të evoluonin: "Demokracia mishëronte
kriteriume rigoroze të sundimit të shumicës dhe të drejtave të pakicës. Sundimi i shumicës do
të thotë se të gjithë njerëzit e kanë të drejtën e votës, ndërsa ata që zgjidhen i japin llogari
votuesve në intervale të shpeshta dhe të rregullta". Përfaqësuesit e zgjedhur e kanë për detyrë
t'i informojnë për ato që bëjnë, por edhe t'i furnizojnë me informata të nevojshme për të
ushtruar kontroll mbi ta, i cili pastaj rregullohet me mekanizma të veçantë. Teorikisht,
megjithatë, të drejtat e pakicës duhet të jenë në kundërshtim me të drejtën e sundimit të
shumicës, por sipas Stenly Koberit ky botëkuptim është i gabuar: "Siç e demonstrojnë
konfliktet etnike të kohëve të fundit, -shkruan ai -shumicat mund të ndryshojnë me kohën, dhe
sundimi i shumicës, në mungesë të të drejtave të garantuara të pakicës, është reçetë për
katastrofë. Të themi megjithatë më shkoqur: garancionet mbi të drejtën e pakicave, të cilat
mund të vendosen vetëm me pajtimin e shumicës, e shënojnë respektin e të dobëtit nga ana e
të fortit. Ky sistem i vlerave të respektit për ligjin më parë se për forcën është siguria më e
mirë e rendit dhe e stabilitetit, qoftë atij të brendshëm, qoftë atij të jashtëm ndërkombëtar"
(Stanley Kober, Idealpolitik, op.cit.). Në harmoni me këto botëkuptime, idealizmi politik tani
shpjegonte se shkaqet e Luftës së II-të Botërore nuk duhej kërkuar në konfliktet e interesave
të imperatorive koloniale por pikërisht në Kushtetutën e Weimarit. Kjo Kushtetutë, në vend të
botëkuptimit amerikan mbi të drejtat e patjetërsueshme të individit, ato ia kishte nënshtruar
kolektivitetit. Rene Brunet në The New German Constitution /1922/ lidhur me këtë vërente se
"liritë individuale jo vetëm nuk ishin edhe më tutje qëllim në vete, por as që përbënin akoma
një të mirë të pavarur në vete. Ato nuk kanë më vlerë dhe nuk mund të mbrohen përveç në
masën që shërbejnë për ta kryer këtë detyrë sociale" (ibd.).
Demokracia që nuk i garantonte të drejtat individuale nuk mund të zgjaste shumë. Abraham
Linkolni që moti kishte vënë re se "shumica që bëhej zap me kontrollin dhe me përkufizimet
kushtetuese... është sovrani i vetëm i vërtetë i një populli të lirë. Kushdo që e refuzon këtë,
doemos ka për të rënë, qoftë në anarki, qoftë në despotizëm" (cit. sipas Kober, ibd.). Andaj
Hitleri kishte rënë në despotizëm dhe e kishte ndërtuar një diktaturë militariste të fashizmit që
e kishte nxitur luftën! Ndryshe nga realizmi, idealizmi politik tani iu kthye konceptit të Adam
Smithit lidhur me grumbullimin e pasurisë si fuqi. Zgjerimi perandorak, me fjalë të tjera, e së
bashku me këtë edhe kontrolli gjeopolitik i territoreve të huaja, nuk ishin më burim i fuqisë
ekonomike dhe politike të shtetit. Sikundër që e vë re Karlo Kipola në The economic Decline
of Empires (1970) "një perandori në mënyrë të pashmangshme cilësohet nga një numër i
madh institucionesh sklerotike" të cilat "i pengojnë ndryshimet për hir të ekzistencës së vet"
(ibd.). Për këtë shkak, pasuria e kombit nuk varej edhe më tutje nga shkalla e kontrollit direkt
dhe nga veçoritë ekonomike të territorit të kontrolluar, por, siç thoshte Adam Smithi: "Në
rend të parë nga mjeshtria, gjeturia dhe gjykimi me të cilat janë të pajisur punëtorët, dhe së
dyti, nga proporcioni i numrit të atyre që janë të zënë me punë të dobishme dhe të atyre që
nuk punojnë". Nga ky postulat i dikurshëm i Adam Smithit, në rrethana të ndryshuara të
braktisjes së sistemit kolonial, nuk ishte vështirë të përfundohej se fuqia e punëtorëve të
vendeve të zhvilluara duhej që në mënyrë konstante t'i përsoste mjeshtritë e veta duke
vazhduar të prodhonte mallra dhe shërbime të reja që t'i ndihmonin nxjerrjes së superprofitit.
Ishte konstatuar përfundimisht se kontrolli politik mbi popullin që atë e urren është bazë
jostabile për një rritje të vazhdueshme ekonomike, sepse përpjekjet për ta mbajtur atë nën
kontroll, me kohë "do të rezultojnë në shpenzime kolosale të qeverisë që do ta provonte një
gjë të tillë" (ibd.).
Shkencërisht është vertetuar pothuajse plotësisht se shqiptarët rrjedhin nga ilirët dhe se
gjuha shqipe është variant i zhvilluar i ilirishtes. Vetëdija mbi përkatësinë në ndonjë
kolektivitet të caktuar nacional zhvillohet gjatë kontaktimit me të tjerët. Me atë rast është me
rëndësi se fillimisht zhvillohet një vetëdije mbi atë se "çka nuk jam", e pastaj kërkohen edhe
përgjigjet mbi atë se "çka jam". Në fillim sigurisht, ashtu siç konstaton edhe shkenca, duhet të
kenë vënë re se e flisnin një gjuhë të veçantë nga të tjerët, një gjuhë të veten që nuk kishte gjë
të përbashkët me greqishten e vjetër, me latinishten, as më vonë me variantet e gjuhëve sllave,
dhe në fund me turqishten. Është irelevante për qëllimin e këtij teksti të dihet se si e quanin
ata veten, por është me rëndësi të konstatohet se aty fillon zhvillimi i vetëdijes mbi atë se i
përkisnin një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë e cila shtrihej në një territor të
caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte edhe ndonjë interes të
përbashkët. Shumë më vonë kjo u quajt si vetëdije mbi përkatësinë nacionale, që mbetet e
përbashkët dhe unike për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Gjatë historisë, rrethana dhe
faktorë të ndryshëm politikë u përpoqën që ndër shqipatarët ta shuajnë ose t'a zhdukin
vetëdijen në fjalë, por paralelisht me këtë, ose në luftë për ruajtjen e unit të vet, zhvillohet
edhe vetëdijësimi politik mbi pozitën dhe mbi interesat e përbashkëta kolektive. Vetëdija
kolektive politike për t'u konstituuar si komb në Jugosllavi është produkt i zhvillimit të pas
Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas vitit 1981. Ajo ishte e lidhur me perceptimin e
faktorit të jashtëm dhe me mundësinë e realizimit të bashkimit të trojeve shqiptare.
Në rrethana të drejtpeshimit bipolar të forcave ndërkombëtare, ish-federata jugosllave lozte
rolin e një tampon-zone me rëndësi të veçantë për sistemet globale të forcave (Pakti i NATO-
së dhe Traktati i Varshavës). Republika e Kosovës, në rrethana të tilla, ishte një hap përpara
në zgjidhjen e çështjes shqiptare; në realizimin e të drejtave kolektive nacionale shqiptare,
ishte një akceptim i realitetit të dhënë politik dhe një avansim me rëndësi i pozitës së tyre
brenda atij realiteti. RSP e Shqipërisë atëbotë e zhvillonte një politikë të pavarur të jashtme,
por nuk ishte në gjendje të ndikonte nga pozitat e forcës në ndryshimin e atij realiteti dhe as të
pozitës së shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Megjithatë, për shkak të ngecjes së zhvillimit
ekonomik si dhe të atij të gjithmbarshëm të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të mosnjohjes së
realitetit në Shqipëri, propaganda ideologjike e Shqipërisë nuk mbetej pa efekt në Kosovë.
Efekti i tillë në instancë të fundit rezultonte si pakënaqësi me ndarjen e kombit dhe
artikulohej si kërkesë për t'u barazuar me të tjerët në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror.
Nevojat e zhvillimit s'ka dyshim se do të artikuloheshin kësisoji edhe pa propagandën nga
Shqipëria, por ajo me siguri i ka ndihmuar shpejtimit të procesit. Me fjalë të tjera, shkaqet për
ngecjen e vet në zhvillim pjesa më e madhe e shqiptarëve i shihte në pozitën e vet të
pabarabartë dhe të subordinuar, gati koloniale, në Jugosllavi, si dhe në mungesën e aparatit të
përbashkët vetjak të zhvillimit, d.m.th. të shtetit. Meqenëse rrethanat ndërkombëtare që
karakterizoheshin me drejtpeshimin e përmendur bipolar të forcave nuk mund ta lejonin
bashkimin e trojeve shqiptare, pikërisht për shkak të ndryshimit të kësaj barazpeshe, atëherë
ishte fare i natyrshëm orientimi për Republikën e Kosovës. Ky orientim, në rrethana të
veprimit të shumë grupeve ilegale, kryesisht të orientuara për bashkimin e trojeve shqiptare,
ishte meritë e politikës zyrtare, por edhe e autorit të këtyre rreshtave. Kjo është me rëndësi të
konstatohet për shkak të implikacioneve që mund të kishte në zhvillimin e mëtejshëm të
ngjarjeve, dhe jo për shkak të tendencave të pakripë që të injorohen faktet, e as për shkak të
"dekorimit" a posteriori të individëve që nuk kishin pothuaj kurrfarë roli në shtyrjen e
proceseve përpara. Kërkesa për Republikë në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e
Kosovës, në qoftë se fjala "evropeizim" kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe
nivelizimin e zhvillimit me shtetet e zhvilluara të Evropës, e jo për t'i imituar anët negative të
civilizimit të saj, të cilat edhe ajo vetë përpiqet t'i eliminojë. Një dallim i tillë rreth kuptimit të
përmbajtjes së këtij nocioni në Kosovë ka qenë prezent edhe para vitit 1981, si edhe pas tij,
por është edhe sot. Tani artikulohet si pritje pasive që Evropa ta bëjë jetësimin e Republikës,
pa organizim adekuat të brendshëm dhe pa ndonjë mund për shtytje nga brenda. Vetëm nevoja
për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe të shpejtuar të Kosovës i nxiti të rinjtë dhe të rejat në luftë
demokratike (atëherë kur nuk ekzistonte kurrfarë demokracie) për Republikë, e jo qejfi, moda
a dëshira për ta imituar Evropën. T'i akuzosh ata që e lindën edhe Republikën edhe
demokracinë se nuk e deshën këtë të fundit, do të thotë se diç nuk është në rregull, jo vetëm
në kokat e individëve, por në raportet në shoqëri. Të ndërpriten proceset, duke e vënë veten në
krye pa ndonjë meritë të veçantë, pasi të jenë bërë akuza të tilla të rënda dhe shkelje të
çoroditura të bartësve të këtyre proceseve, e pastaj të vraposh nëpër Evropë dhe Amerikë me
shpresë se ata, faktorët e jashtëm, do ta bëjnë kompletimin e proceseve në Kosovë, nuk është
vetëm bajraktarizëm (kjo do të ishte e keqja më e vogël), por manipulim me interesat më vitale
të Kosovës, në qoftë se jo vetëm injorancë e thellë politike.
Republika e Kosovës atëbotë nuk e cënonte integritetin territorial të Jugosllavisë dhe as
barazpeshën bipolare të forcave. Ajo nuk mund të ishte kundër interesave globale të palëve
rivale. Përkundrazi, Republika e tillë e Kosovës nuk do të ishte vetëm në funksion të
zhvillimit të Kosovës, por edhe në funksion të forcimit të raporteve jugosllavo-shqiptare, si
dhe të vetë Jugosllavisë, andaj, në mënyrë indirekte, edhe në funksion të stabilitetit dhe të
paqes në Ballkan dhe në Evropë. Këto ishin disa nga tezat kryesore të zhvilluara gjatë
hetimeve në burg më 1981, por hetuesit, natyrisht, i kundërshtonin me pretekstin e dëgjuar më
vonë edhe publikisht, se kinse Republika e Kosovës do ta dobësonte Serbinë, do ta
reduktonte, siç thoshin ata, në "pashallëk të Beogradit"!? Përderisa na mbanin në burg dhe na
dënonin rëndë, ishte fare e natyrshme të gjenin ndonjë pretekst dhe arsyetim, por qysh atëherë
ishte fare evidente se ato nuk ishin bindëse as për ata vetë. Përse atëherë konstituimi i
Republikës së Kosovës u vonua për 9 vjet të plota, kurse jetësimi i saj akoma shtyhet edhe
sot? Në qoftë se ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë ose ruajtja e Jugosllavisë, e jo
dominimi në Jugosllavi, ka qenë interesi i njëmendët i Serbisë, dhe në qoftë se Republika e
Kosovës në Jugosllavi njëmend do të ishte edhe në funksion të forcimit të saj, përse atëherë
Serbia jo vetëm që e kundërshtoi, por akoma vazhdon ta kundërshtojë jetësimin e Republikës
së Kosovës?
Përgjigjet në pyetje të tilla mund të jenë të nduarnduarta, por jo edhe aq të thjeshta. Njëra
nga përgjigjet më të shpeshta që lexohet nëpër faqet e shtypit, që komentohet e dëgjohet edhe
përmes ekranit të TV-së, lidhet me natyrën e sistemit në Serbi, i cili cilësohet si sistem "serbo-
sllavo-komunist", d.m.th. hegjemonist. Përgjigja e këtillë e presupozon faktin se marrëveshja
ose dialogu do të ishte i mundshëm sikur të suprimohej sistemi në fjalë. Fakti se në luftën në
Kroaci gati njësoj marrin pjesë edhe pjesëtarët e partive tjera politike, pra jo vetëm të PSS,
dhe se atë e përkrahin edhe udhëheqjet e këtyre partive, dhe jo vetëm udhëheqja e PSS, e
zhvlerëson gati në tërësi këtë argument. Dhe kjo është e natyrshme, pasiqë asnjë luftë në
histori nuk u zhvillua për interesa ideologjike, por për ato vitale ose jetike. Ideologjia,
rëndom, me më pak ose më tepër sukses i artikulon dhe i arsyeton interesat e tilla, por nuk
mund të jetë substitucion për to.
Nga disa shpjegime a posteriori të ish-funksionarëve titistë lidhur me atë se ata nuk e
deshën Republikën "staliniste" ose edhe Republikën në federatën Jugosllave, sikur mund të
kuptohet se në ndonjë moment, gjatë dekadës së shkuar, ka qenë i mundshëm konstituimi dhe
jetësimi i Republikës së Kosovës, bile ndoshta edhe me pajtimin e Republikës Serbe, por që
këtë e paska refuzuar elita titiste e Kosovës. Natyrisht, kjo është një gënjeshtër e kulluar. Elita
titiste gjatë pjesës më të madhe të dekadës së shkuar as që ka pasur haber se ç'po ngjante në
Kosovë, ndonëse politikisht e përfaqësonte Kosovën. Ndryshe, si mund të shpjegohet fakti që
vazhdimisht ishte e befasuar me ngjarjet, dhe se gjithmonë ndodhej në bisht të tyre, në vend
se t'u paraprinte? Një ish-funksionar tjetër titist, por që ishte më pak titist, sepse nuk i takonte
rrethit të ngushtë të titistëve të organizuar si klikë, këtë e pranoi hapur në një intervistë të
mëhershme dhënë «Zërit të Rinisë»: "Na trathtuan"-tha ai, duke menduar në ca premtime të
mëhershme të instancave më të larta lidhur me ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë. Nga kjo
del përfundimi i dytë kategorik se nuk ka qenë në kompetencë të titistëve në Kosovë as
refuzimi dhe as pranimi i çfarëdo Republike të Kosovës, staliniste ose jo, në federatë ose
konfederatë, në asociacionin e shteteve sovrane të ndonjë bashkësie Jugosllave ose jo. Fakti
se nga fundi i viteve '80 u shqetësua gati e tërë elita titiste në Kosovë me rrahje dhe me
izolime nuk e tregon "fajësinë", përkatësisht ,"meritën" e tyre për Republikën e Kosovës, por
përkundrazi: insistimin e pushtetit që më në fund edhe ajo të futet në këto procese.
Zhvillimi kapitalist, nga ana tjetër, në gjithë historinë e vet dhe në tërë hapësirën e botës
gjithmonë është mbështetur në ligjin e zhvillimit të pabarabartë - në hapësirë e ka mbështetur
zhvillimin e një rajoni të caktuar, i cili pastaj është dashur të tërheqë pas vetes zhvillimin e
rajoneve të tjera. Nëse ka qenë fjala për komplekse shtetesh, është forcuar një gjer në dy apo
tri shtete, të cilat, pos rolit të modelit zhvillimor, luanin edhe rolin e xhandarit rajonal (Izraeli
dhe Irani në kohën e Shah Pahlavisë dhe Iraku më vonë) në Lindjen e Mesme: Republika
Jugafrikane dhe Rodezia e dikurshme në Afrikë; Brazili në Amerikën Latine. S'ka dyshim se
në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë, republikat veriore, dhe ndoshta ndonjë rajon i caktuar
brenda Serbisë, kanë lozur një rol të tillë të modelit zhvillimor. Dikush këtë mënyrë të
zhvillimit brenda hapësirave të caktuara dhe mbështetjen në zhvillimin e punkteve të veçanta
e ka quajtur subimperializëm, duke menduar me këtë më tepër mbi një taktikë imperialiste të
kontrollit mbi hapësirat rreth e përqark. Është quajtur kështu duke e pasur parasysh ndarjen e
atëhershme të botës në sisteme të kundërta politike dhe luftën e tyre konkurrente. Sot në
Evropë vërtetë është suprimuar sistemi komunist, por meritën më të madhe për këtë duket se e
kanë pikërisht punktet në fjalë. Në Evropë gjithashtu ka akoma rajone të pazhvilluara dhe aty
gjithsesi edhe më tutje vepron ligji i zhvillimit të pabarabartë ekonomik. Republika e Kosovës
me angazhimin e vet do të duhej t'i zbuste efektet negative të tij. Me fjalë të tjera, nuk ka
kurrfarë dyshimi se lufta në Kroaci, në të cilën të dy palët etiketohen me konotacione
ideologjike (serbo-komuniste, ustasho-fashiste, etj.), në esencë po zhvillohet për sigurimin e
një pozite më të mirë ekonomike në një përtëritje eventuale të Jugosllavisë. Nga ky aspekt, te
kundërshtarët në fjalë ekziston një disproporcion evident: Kroacia dhe Sllovenia janë më të
zhvilluara dhe modeli i ri eventual i rregullimit të raporteve në Jugosllavi do të duhej t'ua
siguronte këtë përparësi edhe më tutje; ndërkaq Serbia është më pak e zhvilluar se ato, por më
e madhe me territor dhe me numër të popullsisë, pastaj edhe më e fortë në pikëpamje
ushtarake. Ajo do të dëshironte ta ruante pozitën e vet politike në Jugosllavinë e tretë
eventuale, me shpresë se me një politikë më nacionale, do të mund të arrinte shkallën e
zhvillimit ekonomik të simotrave veriore, dhe në perspektivë, eventualisht t'ua tejkalojë. Ajo
që në Serbi mund të quhet mbeturinë e ideologjisë komuniste duket se është pikërisht vetëdija
mbi interesin nacional të zhvillimit në perspektivë. Dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me
"ndryshkun" e mendjes sikur që nganjëherë mendohet dhe shkruhet ndër ne. Nga kjo vetëdije
ajo nuk mund të heq dorë, bile as me humbje të betejës. Nga ana tjetër, duket fare evidente se
republikat veriore nuk mund ta pranojnë përtëritjen eventuale të një Jugosllavie ku sërish
politikisht do të dominonin serbët. Rrugëdalja nga ky rreth magjik ose do të gjendet në
kompromisin brenda kufijve të tanishëm të Jugosllavisë, ose edhe në ri-rregullimin e
raporteve në Ballkan. Për këtë të fundit ekziston rreziku real që të mendohet se shqiptarët do
të duhej ta paguanin tagrën e pajtimit eventual të vëllezërve sllavë. Kjo ka ngjarë tashmë në të
kaluarën. Do të ishte tragjike të ngjajë sërish. Mirëpo, është edhe më keq të mos jesh i
vetëdijshem për këtë.
Çfarëdo që të jetë rrugëdalja nga kriza, duket se ajo nuk është aspak e lehtë. Në rend të parë
për shkak se e presupozon akceptimin e zgjidhjes eventuale nga të gjitha palët e interesuara,
por edhe sepse palët në konflikt bartin në vete argumente dhe interesa fundamentale, të cilat,
për shkak të rëndësisë së vet, shtrihen edhe jashtë tyre. Demokratizimi i përgjithshëm i
Evropës dhe bashkimi i saj mbi baza demokratike, që në Jugosllavi u lidh me republikat e
zhvilluara veriore, e gëzon përkrahjen jo vetëm të Evropës dhe SHBA, por edhe të Bashkimit
Sovjetik. Ndërkaq, gjykuar nga aspekti i interesave serbe, politika serbe do ta akceptonte
demokratizimin, por jo në dëm të fuqisë së vet. Tashmë është i qartë orientimi afatgjatë i
politikës serbe që me çdo kusht t'a ruajë pozitën e vet politike, qoftë edhe në ndonjë
Jugosllavi të cunguar, miniaturiale. Duket fare irelevante nëse këtë synim të politikës serbe do
t'a mbështeste konkretisht edhe Bashkimi Sovjetik.
Pikësynimi i tillë i politikës serbe jo vetëm që nuk i prish punë politikës globale të
Bashkimit Sovjetik, por ndodhet edhe brenda kontekstit historik të interesave imperialiste ruse
dhe brenda rezultateve tashmë të realizuara politike gjatë historisë. Bashkimi Sovjetik edhe
mund të mos e përkrah aktualisht politikën serbe, por gjatë historisë së shkuar nuk kanë qenë
edhe aq të rralla rastet kur politika e Serbisë e ka "detyruar" politikën ruse ta ndryshojë kursin.
Rasti më i ri ishte periudha e komunizmit: nuk ishin sovjetikët ata që e detyruan Jugosllavinë
të lëshojë pe konform me Rezolutën e Byrosë Informative të vitit 1948, por e kundërta, -
sovjetikët ishin ata që të parët e braktisën socializmin, natyrisht jo për shkak të presionit të
Jugosllavisë, por ishte evidente se u detyruan ta ndiqnin rrugën që kjo e kishte trasuar e para.
Bile Jugosllavët, veçanarisht politika serbe, nuk bënë hapa drastikë në këtë drejtim sa bënë
sovjetikët, dhe nuk u ngutën që t'u parapëlqejnë të tjerëve në Evropë dhe në Amerikë. Raste të
ngjashme kishte edhe gjatë luftërave ruso-turke në të kaluarën, p.sh. kryengritja serbe e vitit
1804, por edhe në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Me fjalë të tjera, Serbia gati
gjithmonë e ka gëzuar përkrahjen e Rusisë, por hapat i ka bërë vetë, bile edhe atëherë kur ka
humbur. Këtë gjithnjë në mbështetje të vlerësimeve të veta të rrethanave dhe për interesa të
veta. Për momentin aktual politik kjo është me rëndësi për aq sa nuk mund të llogaritet në
lëshimin pe të politikës serbe për shkaqe të mospërkrahjes eventuale të Bashkimit Sovjetik.
Nga ana tjetër, një rol të ngjashëm politik mund ta luajë edhe Kroacia, por nuk mund ta lozë
Republika e Kosovës, e as Shqipëria. Edhe Kroacia, p.sh., mund të tregohet autonome ose e
pavarur në vendimin e vet për vazhdimin e luftës, sepse mund të shpresojë në ndërhyrjen e të
tjerëve. Megjithatë, ushtarakisht nuk është e barabartë me të parën.
Meqenëse konsiderohet që Bashkimi Sovjetik me braktisjen e socializmit, tashmë e ka
paguar "tagrën" për universalizimin e demokracisë në Evropë, duket se është fare evidente se
as Evropa e as SHBA, nuk janë, dhe as që mund të jenë të interesuara që sovjetikët "të
paguajnë" edhe më tutje, p.sh., me eliminimin e ndikimit të tyre në ato rajone të cilat
tradicionalisht ia njohu si të saj. Nga ky rregull mund të përjashtohet blloku gjerman, por me
kusht që atje të mbisundojë mendimi mbi maksimalizimin e fuqisë në suaza gjeopolitike, që
në momentin aktual politik, siç u pa më lart (shiko nëntitullin: Shqiptarët dhe proceset
integrative) ishte në kundërshtim me interesat reale gjermane, pavarësisht nga aktiviteti
diplomatik i Gensherit, dhe në kundërshtim me tendencat aktuale të politikës ndërkombëtare.
Me supozimin se kompromisi i përmendur për zgjidhjen e krizës jugosllave nuk mund të jetë
ndonjë federatë e modernizuar (opcion i APJ), ose ndonjë konfederatë e centralizuar, çdo
zgjidhje tjetër e presupozon mundjen e njërës nga palët në konflikt. Kroacisë vështirë se do t'i
duhej ndonjë pavarësi e plotë pa gati një të tretën e territorit që e konsideron të vetin, kurse
Serbia vështirë që do të lejohet të formojë ndonjë "Serbosllavi". Pra, në qoftë se ky mat-
pozicion nuk do të rezultojë në ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë (qëllim kapital i
APJ), atëherë duket njësoj reale mundësia e zgjerimit të konfliktit, jo vetëm në pjesët tjera të
vendit, por edhe jashtë tij. Në rrethanat e tanishme ndërkombëtare kjo do të ishte pak e
besueshme, sikur të përjashtohej çështja e jetësimit të Republikës së Kosovës dhe e zgjidhjes
së çështjes shqiptare në përgjithësi. Për këtë shkak, në rrafshin teorik gjërat duken mjaft të
qarta: ose do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë, me një rregullim të brendshëm, i
cili pavarësisht nga ajo se si do të quhet, do të nënkuptojë ekzistimin e organeve dhe të
funksioneve minimale të përbashkëta dhe të pranueshme për të gjithë, së bashku me
Republikën e Kosovës që do të kishte status të njëjtë si edhe njësitë e tjera të këtij organizmi,
ose do të hapet mundësia e zgjerimit të konfliktit dhe e rirregullimit të raporteve në Ballkan,
gjë që e nënkupton luftën. Në rrethana të këtilla imponohet vetëm një pyetje: A është politika
e Republikës së Kosovës (duke i nënkuptuar të gjitha partitë politike dhe subjektet e tjera
politike në Kosovë), duke u zhvilluar në pajtim me peshën e situatës dhe me vetëdijën e plotë
mbi konsekuencat e mundshme të secilit opcion?
Opcioni evroperëndimor
Fjala është për Kuvendin e jashtëzakonshëm të Degës së LDK në Rahovec, i cili u mbajt më
6 korrik të k.v. në Krushë të Madhe, fshat i kësaj komune. Problemet e shqyrtuara në këtë
Kuvend me siguri që i tejkalojnë suazat e një dege, ndërsa rëndësia politike e çështjeve të
shqyrtuara me siguri që shtrihet në tërë hapësirën, jo vetëm shqiptare. Shkaku është i thjeshtë:
aty nuk u polemizua me delegatët e Kuvendit /103/, por me tezat, metodat dhe veprimet që
reflektoheshin në Kuvend. Dhe sa do që heshtja vazhdon të zgjasë, problemet do të rëndojnë.
Injorimi i tyre i qëllimtë me pretekstin se nuk janë reale vetëm sa i thellon e nuk i eleminon
ato.
Akceptimi i njëmendët i një të vërtete e nënkupton faktin se në veprimet e veta faktori
subjektiv do t'i përmbahet porosisë së saj. Ndërkaq situata e komplikuar politike, mungesa e
përvojës në jetën politike të demokracisë, njohuritë e mangëta mbi interesat, intencat dhe
mundësitë e faktorit të jashtëm, trashëgimia e mangët politike e faktorit të brendshëm, dhe një
varg faktorësh tjerë, doemos ndikojnë në shfaqjen e dobësive të shumta që e përcjellin jetën
politike në perioda të tilla tranzitore si kjo e tanishmja. Mirëpo, në qoftë se të gjitha këto
konsiderohen ekskuze për të vazhduar të vjetrën, atëherë fjala është për diçka tjetër dhe jo për
dobësitë. Arsyetimi i gabimeve ka kuptim vetëm atëherë kur ato nuk bëhen me qëllim dhe
sidomos kur mungon intenca e përsëritjes së tyre. Në të kundërtën fjala është për ndonjë kurs
të caktuar të zhvillimit të gjërave. Në qoftë se drejtimi i tillë vazhdimisht bie ndesh me faktet,
atëherë diç nuk është në rregull ose me kursin ose me bartësit e tij, apo ndoshta me të dytë.
Konsekuencat rezultojnë së paku në ngecjen e proceseve, në mos edhe në diçka tjetër. Dhe
pasi që ato kanë të bëjnë me të gjithë, dhe jo vetëm me disa, shanset për shpërthimin eventual
të pakënaqësive të grumbulluara në atë mënyrë vetëm sa rriten e nuk zvogëlohen.
Në rend të parë duhet theksuar se përcaktimi për luftë politike nuk u kushtëzua vetëm me
vlerësimin objektiv të mundësive reale për të zhvilluar një luftë tjetër nga ajo politike.
Insistimi në këtë nuk do të ishte tjetër përveç se vulgarizim i tepruar i fakteve. Natyrisht,
vetëdija kolektive mbi veten ushtron ndikim të duhur mbi zgjedhjen e mjeteve të luftës, por në
përcaktimin për luftë politike ndikim prioritar duket se ka pasur vetë natyra e qëllimit: -
Konstituimi i Republikës brenda Jugosllavisë (federale, konfederale apo asociacion i brishtë i
shteteve sovrane). Qëllimi i tillë e presupozonte vazhdimin dhe jo ndërprerjen në jetën e
përbashkët me popujt tjerë, dhe as paktimin rigoroz me njërën nga palët në konflikt. Puna
ishte të luftohej logjika e forcës, por jo duke u vënë në shërbim të dinakërisë së të tjerëve që
luftonin për hesapet e veta, e jo tonat. Sakrificat që i bënin shqiptarët nuk shkonin vetëm në
favor të konstituimit të Republikës, por shtroheshin edhe në altarin e mundësive për ruajtjen e
integritetit territorial të vendit; të paqes në Ballkan, por mbi të gjitha -venin në altarin e
demokratizimit të raporteve politike në vend; të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare; të atyre
në Ballkan dhe në Evropë. Dhe kjo mjaftonte. Zor që në ndonjë vend të kishte ndonjë popull
tjetër që kontribuoi aq shumë për proceset integrative në Evropë, jo se shqiptarët e deshën atë
më shumë se të tjerët, por sepse pozita e tyre e gjithëmbarshme i detyroi të vepronin ashtu.
S'kishte kurrfarë nevoje të paktohej me ide dhe me teza të llojeve të ndryshme.
Politika serbe ishte fare e vetëdijshme se Republika e Kosovës nuk do të ishte zgjidhje
definitive e çështjes shqiptare. Kjo politikë, me logjikën e forcës, rezononte në fillim se kjo
çështje do të duhej të zgjidhej me forcë, gjithnjë me shpresën e ushqyer nga orekset e vjetra
për shndërrimin eventual të Shqipërisë në një republikë të shtatë jugosllave. Logjika e tillë
problemin e Kosovës e shihte në kontekst të raporteve jugosllavo-shqiptare. Ndërkaq çështjen
shqiptare në përgjithësi e shihte në konekst të raporteve jugosllavo-italiane ose në kontekst të
raportit me fuqitë e Evropës. Kosova aty mbetej një forcë e brishtë me të cilën mund të luhej
ping-pong.
Mirëpo logjika e tillë e forcave, vështruar vetëm nga ky aspekt, rezononte me parametra
gjeopolitikë kaherë të tejkaluar, dhe dukej sikur shkonte ndesh me realitetin aktual. Si e tillë
nuk mund të ishte në interes as të atyre që këtë e praktikonin, sikur të mos ishte fjala për
diferencat e zhvillimit, as të humanitetit dhe as në interes të së ardhmes politike. Puna ishte që
kjo të argumentohej. Dhe pikërisht tek argumentimi gjërat çalonin e dukeshin të
palogjikshme: në njërën anë, bëhej gjithnjë e më tepër e qartë se në pikëpamje të kufijve
gjërat do të mbeteshin ashtu si kanë qenë. Jetësimi i Republikës së Kosovës, d.m.th. jo
zgjidhja e menjëhershme dhe definitive e çështjes shqiptare, do t'i ndihmonte afirmimit të
proceseve integrative në Evropë, të anëve pozitive të këtyre proceseve. Evropa nuk mund të
ishte Evropë e diktatit të më të fortëve, por shprehje e vullnetit të lirë të popujve të saj. Një
orientim i tillë në zgjidhjen e çështjes shqiptare do t'i evitonte mundësitë për
instrumentalizimin e serbëve në dobi të interesave ruse, por pastaj edhe të shqiptarëve në dobi
të interesave të Perëndimit. Për këtë shkak, stoicizmi me të cilin populli shqiptar i përjetoi
viktimat e luftës politike gjatë dekadës së shkuar dhe fillimi i viteve '90 ushqehej me shpresën
se që të dy palët nuk do të tregoheshin të shurdhër ndaj kërkesave të tij legjitime, por edhe me
ndjenjën e të drejtës morale se po i kontribuonte fuqimisht lindjes së një realiteti të ri që
shtrihej larg përtej ëndrrave të tij të kufizuara në hapësirën e vatrave të veta.
Nën supozimin e ruajtjes së kufijve të jashtëm apo të integritetit territorial të Jugosllavisë,
përse atëherë zhvillohej një luftë kaq e tmerrshme në Kroaci? Popujt nuk mund të
detyroheshin dot të luftonin për shkak të konotacioneve ideologjike. Edhe fashizmi si ideologji
e kishte pasur për bazë pakënaqësinë me ndarjen territoriale të botës dhe me vendin e vet në
të. Ndërkaq, shovinizmi, hegjemonizmi, etj., serbomadh ishin vetëm konotacione ideologjike,
pas të cilave fshihej diçka tjetër. Puna ishte të përcaktohej drejt se çka ishte ajo dhe në bazë
të këtij përcaktimi të formulohej një politikë adekuate për Kosovën. Pra, nga ana tjetër, ishte
gjithashtu e qartë se Serbia nuk do ta pranonte reduktimin drastik të rolit të vet në raportet
ndër-republikane. Ajo e kishte vlerësuar me precizitet të saktë se një asociacion i republikave
sovrane jugosllave, me supozimin se në atë asociacion Kosova do të shkëputej nga ajo dhe do
të ishte e barabartë me të tjerat, do ta sillte Serbinë në pozitën e dikurshme të Kosovës ndaj
Serbisë, pra, në pozitë të një kolonie të rëndomtë për nxjerrjen e superprofitit nga ana e më të
zhvilluarve. Bile ndoshta edhe më keq, se tani nuk do të ekzistonte kurrfarë koncensusi në
marrjen e vendimeve: -tani edhe Serbia edhe Kosova do të ishin në pozitë të barabartë të
varfanjakëve për të shitur lëndë të para në tregun e republikave të zhvilluara veriore. Ndërkaq,
një federatë e modernizuar që e kishte propozuar APJ me supozimin se Republika e Kosovës
do të ishte njësi e barabartë federale me të tjerat, mendoja me sinqeritet të plotë dhe akoma
mendoj, se do të ishte në interes të Kosovës, por edhe në dobi të të gjitha njësive federale në
Jugosllavi. Meqë një kohë të gjatë Kosova kishte shërbyer si treg për plasimin e mallrave të
finalizuara nga republikat veriore dhe minierë për ekstraktimin e lëndëve të para, me
konstituimin e saj në republikë, mendoja se ishte rendi, bile edhe e udhës, që edhe ato tani ta
bartnin "vëllazërisht" një pjesë të barrës për zhvillimin e saj të shpejtuar.
Për të marrë vesh nëse Kosova pranohej si republikë në propozimin e sipërm të APJ, e
shkrova kryeartikullin e "DeA"-s, 2/1991, me titull "Armata dhe politika", por si presidenti
Joviq (atëherë ishte kryetar i Presidencës jugosllave), ashtu edhe gjenerali Kadijeviq, e
heshtën pyetjen që ishte e pranishme aty. Pastaj, pasuan sulme të ashpra me qëllim të
diskreditimit tim të plotë, por kjo akoma nuk më mërziste. Mendoja atëherë, por edhe tani, se
do të kishte qenë në interesin politik të Kosovës angazhimi i saj në favor të ruajtjes së
integritetit territorial të Jugosllavisë. Edhe atëherë edhe tani për mua si individ gjërat ishin të
qarta: ose do të ekzistonte një Jugosllavi me Republikën e barabartë të Kosovës në të, ose për
Kosovën, për të pasur Shqipëri, do të duhej luftë për të cilën nuk ishim edhe aq të gatshëm.
Andaj, gjithnjë si individ, pavarësisht nga sulmet që më drejtoheshin, isha i përcaktuar në
mënyrë kategorike: a) për ruajtjen e integritetit terrritorial të Jugosllavisë; b) për ruajtjen e
pavarësisë së Shqipërisë; dhe c) për Republikën e barabartë të Kosovës në Jugosllavi. Këto
edhe i thashë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Krushës së Madhe. Si studiues i politikës
ndërkombëtare, e dija tashmë se qarqet politike në Perëndim territoret shqiptare i
konsideronin si sferë të interesave të Lindjes dhe nuk ishin të gatshme të luftonin me sllavët
për interesat tona. Përkundrazi, mendoja se duhej të luftonim vetë, me vendosmëri të plotë,
për ato qëllime politike, të cilat edhe serbët nuk do të mund t'i refuzonin me asnjë pretekst
moral dhe racional.
Ndërkaq, pikërisht në artikulimin e një optimizmi të tillë, të së drejtës morale dhe të
shpresave reale duket se u bënë lëshime të rënda: uniteti dhe homogjeniteti që ekzistonte në
popull që nga fillimi rreth kërkesës fundamentale -Republika e Kosovës, gjatë një kohe u
shfrytëzua për realizimin e qëllimeve tjera të deklaruara ose të padeklaruara, por gjithsesi më
pak të rëndësishme: u krijua artificialisht një disponim euforik që ushqehej me shpresën se
faktori i jashtëm do t'a binte Republikën e Kosovës në Kosovë dhe bile, pa ndonjë mund të
madh, do ta mundësonte edhe bashkimin e trojeve shqiptare! Krijimi i kësaj euforie, andaj u
përcoll me shkeljen e faktorit të brendshëm: të rinjtë e dënuar të cilët njësoj iu kishin
kundërvënë edhe administratës së dikurshme të Krahinës, pra jo vetëm politikës serbe, në
fillim u morën me të mirë, ndërsa më vonë u sulmuan si marksist-leninistë e si komunistë. Në
të vërtetë viktimave të rëna në vitet '90 iu bë homazh me të gjitha nderimet e duhura, me
tentimin që në mënyrë perfide t'i konsideronin vetëm si viktima të Demokracisë, por jo edhe
të Republikës! Shokëve të gjallë të atyre që kishin rënë gjatë dhjetë vjetëve të shkuar iu
shpjegua se "do t'i mbanin në zemër", por që nuk mund të dilnin në ballë të proceseve se
"ashtu e donte situata". U ndërmor aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe iu dha rëndësi pleqnarëve.
Të dyja këto institucione ishin ndërmarrë edhe më parë, qysh para vitit 1981, por tani u
stërtheksua rëndësia e tyre, u riaktivizua makineria e tërësishme e administratës së dikurshme
dhe pastaj iu kënduan këngë "heronjve" që e kishin bërë vetëm punën e tyre dhe nuk kishin
pasur kurrfarë lidhjeje me luftën për Republikë. U bë aq shumë propagandë rreth këtij aksioni
saqë Ismail Kadaresë në Tiranë i ishte dashur publikisht ta shfaqte befasinë me thellësinë e
problemit që paskësh ekzistuar. U riaktivizua Fishta, jo vetëm me vlerat letrare të veprave të
veta, por edhe me tërë ideologjinë e tij profashiste. Për pak sa nuk u legalizua zogizmi si
ideologji zyrtare e Republikës! Një numër bukur i madh i njerëzve, duke i shfrytëzuar
fasilitetet e udhëtimit jashtë vendit (ndryshe prej atyre që leja e udhëtimit u ishte marrë me
kohë) u shpërnda nëpër Evropë dhe Amerikë për "të luftuar për çështjen shqiptare" me paratë
e popullit që i kishte ndarë nga kafshata e gojës. Askush nuk i kishte zgjedhur dhe askush nuk
i kishte autorizuar (përveç administratës së vjetër), por duke u mbështetur në interpretimin
voluntarist të historisë shqiptare, kishin kujtuar se po e bënin punën e Isa Boletinit dhe të
Ismail Qemalit. Harronin natyrisht se Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin i kishte zgjedhur
populli. Gjatë luftërave aktive antiturke pikërisht ai ua kishte dhënë mandatin që t'a
përfaqësonin në forume të caktuara ndërkombëtare. Ndërkaq, Ismail Qemalët dhe Isa
Boletinët e sotëm të Republikës këtë mandat ia kishin dhënë vetës, duke u marrë me "kryerjen
e punëve" të cilat kishin përfunduar që moti. Për këtë shkak çdo takim me njerëz të llojeve të
ndryshme jashtë vendit, me t'u kthyer në vend, e prezentonin si takim me njerëz të
rëndësishëm të politikës. Pikëpamjet e shprehura në biseda joformale prezentoheshin si
qëndrime ministrash, bile edhe qeverishë. Kishte qenë i çuditshëm diletantizmi që e kishte
shfaqur një numër aq i madh i intelektualëve tanë.
Mirëpo, kishte qenë edhe më e çuditshme politika e të gjitha niveleve në Jugosllavi që e
lejonte një manipulim aq të madh me popullin dhe heshtja e politikës në Shqipëri. Kakofonia
e zërave të tillë nga Kosova nuk mund të ishte kurrfarë kontributi i luftës për republikë dhe as
që mund të arsyetohej me festimin e republikës. Fjala ishte për përzierje të tillë të
kompetencave dhe të kritereve saqë nuk mund të kishte kurrëfarë lidhje as me demokracinë,
në qoftë se ajo nuk identifikohej me hajdutëri të organizuar politike, dhe në qoftë se nuk
kundrohej vetëm si anarki e rëndomtë. Ndërkaq shtypi në Kosovë ishte hapur tërësisht, jo për
qasje të matura e kompetente për çështjet kyçe të historisë dhe të politikës në Kosovë, por për
fushata të organizuara antikomuniste dhe antipolitike. Antikomunizmi kishte qenë një nga
shtyllat e politikës së jashtme amerikane, por kurrnjëherë nuk kishte qenë veti e asnjë
demokracie. Mund të kishte qenë somozizëm, pinoçetizëm dhe neofashizëm, por jo edhe
demokraci. Jepeshin dhe akoma jepen lloj-lloj vlerësimesh, pa kritere dhe pa kurrnjë rezervë,
vlerësime të tilla të çështjeve kyçe të historisë dhe të politikës, jo vetëm në Kosovë, të cilave
nuk u mungon vetëm kompetenca, por edhe shija; jo vetëm ndjenja për kohën dhe kontekstin
historik të zhvillimit të ngjarjeve, por edhe njohuritë elementare për vetë epokën, si edhe për
momentin. Kush i dha leje shtypit në Kosovë që me paratë e shoqërisë t'ia impononte asaj
zogizmin si ideologji? Për çfarë demokracie dëshirohet të bindet shoqëria se ekziston në
Kosovë kur me makinacione tanimë të njohura ndihmohet shuarja e shtypit privat?
Njëpartizmi në thelb, e pluralizmi në formë; avansimi i së vjetrës dhe shtypja e së resë;
përparohet mediokriteti dhe injorohet talenti!
Revolucioni autentik
Gjatë qëndrimit tim shumëvjeçar në Krushë, të cilin shokët nga Prishtina (të Kryesisë së
LDK) e quanin vetizolim, kisha pasur kohë të mjaftueshme të vëreja dukuri të çuditshme,
prezentimi i të cilave besoj se do të ishte më rëndësi të madhe shoqërore. Qysh para vitit 1981
e kisha vënë re fenomenin e bijëve të "tatave" nëpër Prishtinë, por nuk e dija se ata
mbështeteshin nga bijtë e "haxhi-babave" në fshat. Gjatë dekadës së shkuar kisha kujtuar se e
kishim çrrënjosor oportunizmin në politikë, por nuk e kisha ditur se kjo dukuri i kishte pasur
rrënjët kaq të thella.
Në realitetin politik dhe intelektual të Kosovës dukej se vazhdimisht diçka më pengonte, por
nuk kisha ditur ta shpjegoja dhe as ta kuptoja në tërësi. Kishte qenë kjo e lidhur me kuadrot në
politikë. Para vitit 1981, kur isha marrë aktivisht me politikë, disa herë isha konfrontuar me
zyrtarë të lartë të politikës në Kosovë rreth kuadrove. Kisha bërë vërejtje se nuk hapeshin
mundësi të mjaftueshme për inkuadrimin në politikë të brezit të ri, por kisha marrë pergjigje
se nuk kishim kuadro të mjaftueshme, bile jo ashtu si kërkohej. Kisha konkluduar se ata
kërkonin kuadro lojalë për vete dhe jo për zhvillimin e Kosovës. Dhe nuk ishim pajtuar.
Gjithkush kishte qëndruar pas botëkuptimeve të veta. Ndërkaq, dukej se LDK-ja kishte bërë
hapa të duhur përpara. Shumica absolute e kuadrove të zgjedhur në bazë kishin përgaditje të
lartë profesionale, kurse në organet më të larta -edhe tituj të ndryshëm shkencorë. Megjithatë,
kisha vënë re se disa të rinj që i njihja personalisht si njerëz me aftësi të veçanta organizative
dhe talente të tjera, përkundrejt insistimit në nivele ku kisha mundësi të insistoja -nuk ishin
zgjedhur. Ndërkaq ata që u zgjodhën, në një apo në mënyrën tjetër, më vonë u larguan nga
vendet ku ishin zgjedhur ose u larguan tërësisht nga LDK-ja. Kjo më kishte habitur, sidomos
për shkak se ishte fjala pikërisht për ata që kishin qenë më aktivët gati në çdo aksion të
ndërmarrë të secilit nivel. Kishte qenë e qartë që në fillim se një pjesë e mirë e fajit e kishte
mekanizmi elektoral i cili mbështetej kryesisht në mëhalla (nëpër fshatra) ose në koteri
shoqërore nëpër qytete. Natyrisht se mëhalla kërkonte zgjidhjen e kandidatit të vet,
pavarësisht nga ajo se a ishte më i mirë se tjetri i mëhallës tjetër. Mirëpo këtu kishte dhe diç
tjetër. Rëndom vërehej se djelmoshat që kishin aftësi të veçanta ndodheshin në raporte të
tendosura me mëhallën e tyre dhe kjo pastaj për një arsye të veçantë nuk i kandidonte, e as që
i zgjidhte. Kjo gjë e kishte nxitur kurreshtjen time.
Kisha vënë re se pjesa dërrmuese e atyre që zgjidheshin në nivel të bashkësisë lokale apo të
komunës, kryesisht për shkaqe objektive (papunësia dikur jo e plotë, ndërsa tani gati totale),
por edhe për shkak të njohurive të mangëta të fituara gjatë shkollimit; mungesës së kulturës së
punës intelektuale, etj., jetonin nëpër familje të mëdha së bashku me vëllezërit e me prindërit,
dhe në shumë raste, edhe me axhallarët e kushërinjtë më të largët. Të martuar dhe me fëmijë,
nuk e kishin provuar ndonjëherë shkëputjen dhe jetën individuale të familjeve të veta-nukleus.
Ndonëse qytetarë akademikë, gati të gjithë me radhë i nënshtroheshin jo vetëm autoritetit, por
edhe gjykimeve të më të vjetërve dhe të zotit të shtëpisë. Me kohë, midis tij si qytetar
akademik, familjes së madhe dhe pushtetit ishte krijuar një simbiozë e çuditshme, që shkonte
në dobinë e tyre reciproke, por që jashtëzakonisht shumë e ngecte dhe e ngadalësonte
progresin shoqëror; 1) Qytetari i tillë akademik nuk kishte llogari të shkëputej nga familja e
madhe, sepse rëndom vetëm ai ishte në punë, por jo edhe bashkëshortja e tij. Me të ardhurat e
fituara shumë vështirë do të mund ta mbante familjen e tij, zakonisht shumë-anëtarëshe, dhe
kishte fare pak shanse ta ngiste ndonjë veturë. Ndërkaq brenda familjes së madhe ishte
pothuajse i liruar nga përgjegjësia e kujdesit dhe e edukimit të fëmijëve të vet, ose këtë
përgjegjësi e ndante me të tjerët. Duke mos pasur kokëçarje të kësaj natyre, ai mund të merrej
me aktivitete të lira, të cilat në kushtet e fshatit zakonisht përfundonin në sport; 2) Ndërkaq
edhe familja e madhe në raport me të kishte fitim të dyfishtë: a) Rrënjët e këtij fitimi
zakonisht ndodheshin te kontestimi i hises (pasuria e trashëguar nga prindërit, ose edhe ajo e
përbashkët). Meqë familjet e tilla kishin arritur të shkollonin vetëm një ose dy anëtarë (në
raste të rralla shkolloheshin shumica), ndarja e pasurisë në pjesë të barabarta, pavarësisht nga
shkalla e shkollimit të vëllezërve, bile edhe atëherë kur punonin të gjithë, doemos do të
rezultonte në standarde të pabarabarta të jetesës. Qytetari akademik, i punësuar si profesor ose
si inxhenier, me pjesën e pasurisë së ndarë, doemos që do të jetonte ndryshe nga vëllezërit e
tij të pashkolluar (motrat në këtë mes asnjëherë nuk merreshin parasysh). Nga kjo pastaj mund
të lindnin mosmarrëveshje të ndryshme, raporte të sëmura familjare që mund të shtriheshin
edhe në shoqëri. Të ndodhur para këtij fenomeni të çuditshëm, shumica e etërve vendosnin të
"mos bënin mëkate" dhe t'i pavarësonin bijtë e tyre të shkolluar. Ndërkaq këta, duke mos
pasur mundësi të kacafyteshin me problemet e jetës, me heqjen dorë nga pasuria e përbashkët,
detyroheshin t'i nënënshtroheshin traditës dhe mënyrës tradicionale të jetesës. Këtë pastaj
gradualisht, e "paguanin" me një shkrirje të unit të tyre individual në identitetin kolektiv të
familjes; d) Familjet e tilla të mëdha e hetuan me kohë se autoriteti shoqëror i birit të tyre të
shkolluar mund të ishte i dobishëm jo vetëm për rritjen e drejtëpërdrejtë të pasurisë materiale
(kjo ngjante rëndom në qoftë se bijtë e tyre punonin në ekonominë e dikurshme shoqërore),
por para së gjithash për forcimin e lidhjeve shoqërore ose vendosjen e tyre (në qoftë se tashmë
nuk i kishin formuar) dhe ngritjen e autoritetit të familjes. Për këtë shkak, ato filluan t'ia
kushtonin kujdesin e duhur standardit individual të birit të tyre të shkolluar, por jo edhe
nukleus-familjes së tij, e cila me xhelozi të veçantë u nënshtrohej rregullave të jetës së
përbashkët në familjen e madhe. Atij mbase nga depot e vjetërsirave në Evropë ia blinin edhe
ndonjë veturë me shkëlqim të jashtëm me të cilën mund të kënaqej duke shetitur, ndërkaq
fëmijët e tij i lidhnin për vete, përmes miqësive të reja që i ngjanin vetes së tyre; 3) Ndërkaq
vetë shoqëria kishte fitim nga këto familje të mëdha. Sipas vlerësimeve statistikore, gati rreth
60% të strukturës së popullsisë shqiptare i takonte rinisë, ose banorëve të moshës rinore.
Pushteti i dikurshëm komunist e kishte të pamundshëm kontrollimin në mënyrë efikase të
kësaj armate të të rinjve, të cilët ishin rritur ndërkohë dhe të cilët ishte e vështirë vetëm t'i
njihje, e jo më edhe t'i kontrolloje. Për këtë shkak, struktura politike e pushtetit zakonisht
mbështetej te të zotët e shtëpive dhe te pleqtë autoritativë të këtyre familjeve. Në mënyra të
ndryshme u ndihmonte atyre që ta mbanin autoritetin në familjet e tyre, qoftë duke ua falur
ndonjë dënim gjyqësor (për t'ua ruajtur "fytyrën") qoftë duke i shikuar "nëpër gishta"
veprimet që shkonin ndesh me normat shoqërore dhe juridike.
Meqë simbioza e tillë familjare realisht ishte rezultat i kushteve objektive ekonomike, ajo
nuk mund të ndryshonte pa trauma të mëdha familjare. Për këtë shkak, mekanizmat mbrojtës
psikikë dhe shpirtërorë u shndërruan shumë shpejt në një oportunizëm të përgjithshëm brenda
familjeve. Por ajo pastaj, si një merimangë gjigante, e shtrinte rrjetën e vet në tërë shoqërinë.
Familjet e tilla krijonin me sukses të plotë edhe lidhje me një pjesë të intelegjencës në
Prishtinë, e cila gjithashtu në thelb udhëhiqej me leverdinë materiale. Shumë profesorë,
mjekë, drejtorë të ndryshëm, etj., "kthenin" në këto familje me pretekste të ndryshme, rëndom
kinse për t'i takuar ish-studentët e tyre, të cilëve edhe ashtu shpesh ua kishin falur notat, po në
të vërtetë për t'i mbushur gepekët e veturave të tyre të mëdha me zarzavate e gjëra të rastit.
Sidoqoftë, shtrirja e lidhjeve të tilla e kishte krijuar me kohë një shoqëri çuditërisht
njëtrajtëshe në themelin e së cilës ndodhej një oportunizëm i tmerrshëm, jo vetëm ndaj
kërkesave të kohës, por edhe ndaj kërkesave të jetës në përgjithësi.
Sikur një kompleks i tillë raportesh të pasqyronte ndonjë shoqëri të zhvilluar, atëherë
themeli oportunist i saj do të ishte mbështetje e fortë e stabilitetit shoqëror. Mirëpo fjala ishte
për raportet që i diktonin kushtet ekonomike dhe në rend të parë mungesa e vendeve të punës.
Ato ngriteshin mbi mohimin gati total të femrës si subjekt shoqëror; nuk llogaritnin në rritjen
e brezave të rinj dhe përfundonin në odat e fshatarëve si simbole të "rendit e të konakut".
"Stabiliteti" i arritur në këtë mënyrë nuk u shërbente ndryshimeve pozitive shoqërore, po
përkundrazi, e konservonte gjendjen ekzistuese të gjërave; nuk drejtohej drejt së ardhmes, por
vetëm në të sotmen; matej me të djeshmen, por e injoronte të nesërmen. Dukej qartë se
simbioza e tillë oportuniste nuk e lejonte zgjedhjen e më të mirëve në strukturat udhëheqëse,
jo vetëm të LDK-së.
I prekur thellë nga kjo gjendje, e cila në raste hidhërimi më detyronte ta parafytyroja
Kosovën si një depo të madhe të veturave të vjetra të Evropës, të cilat me shkëlqimin e tyre të
rrejshëm kishin arritur t'i rrotullonin vlerat, në Kuvendin e jashtëzakonshëm në Krushë, më
nxitën të konstatoja se fjala ishte për bijtë dhe bijat e "haxhi-babave" në fshat dhe të "tatave"
në qytet, të cilët nuk e kuptonin dot se në Evropë nuk mund të shkohet me raporte feudo-
klanore e feudo-kapitaliste. Me fjalë të tjera, kërkoja që t'i hapet rruga konkurrencës së
vlerave të njëmendëta. Më vonë mora vesh se më akuzonin për botëkuptime elitiste. Disa
shkrime nëpër gazeta në gjuhën shqipe në mënyrë indirekte më mbanin leksione mbi
filozofinë e Platonit, ndonëse nuk e kishin kuptuar faktin elementar se Platoni, duke e kërkuar
sundimin e filozofëve, në të vërtetë e kërkonte sundimin e kompetencës, ose kompetencën në
rregullimin e punëve shoqërore (filozofët si njohës kompetentë të shoqërisë). Mirëpo duket se
e kisha pasur gabim. Shumica gjatë historisë rëndom e kishte imponuar jokompetencën për të
udhëhequr me shoqërinë. Ndonëse nuk kishte ngjarë që jokompetenca të tërhiqte pas vetes
shumicën, në Kosovë kishte ngjarë që gati e tërë rinia shqiptare të shpërngulej për në Evropë.
Dukej sikur caku i evropeizimit të Kosovës do të arrihej me "evropeizimin" e rinisë, duke u
martuar me evropiane dhe duke i braktisur raportet e përshkruara feudo-klanore njëherë e
përgjithmonë.
Andini është djali im i vetëm, i cili i ka mbushur plot 5 vjet në praninë time. E doja për së
tepërmi. Ditën që isha i detyruar të ndahesha me të, e pësova keq: gati sa nuk u verbova
tërësisht. Më kërceu sheqeri në gjak në mënyrë të panatyrshme. Kishte ngjarë kjo gjatë natës
dhe nuk kisha qenë i vetëdijshëm. Duke e ngarë veturën për në Lubjanë, e shihja se nuk
dalloja shumë gjëra, por mendoja se ishte mjegull. Në mëngjes megjithatë, duke dashur të
përgatisja një shkrim që e kisha premtuar për pjesëmarrje në simpoziumin shkencor
«Shqiptarët dhe Evropa, dje, sot dhe nesër», nuk, e dalloja dot asnjë shkronjë. Duke m'i
caktuar një palë syza të trasha, mjeku në Lubjanë u habit që kurrsesi nuk po më shkonte në
kokë diagnoza e tij mbi pleqërinë time: "Ka të tillë, -tha ai, -të cilët nuk duan të pajtohen as
me veten, e jo më me pleqërinë". Mirëpo pas nja tre muajsh m'u kthye tërësisht të parit.
Shkova sërish te mjeku. "Stres të rëndë paskëshit pasur, zotëri!"-tha ai. "Nuk ishim kuptuar
me presidentin Bush, -thashë unë, -se ma kishte marrë djalin dhe e mbante peng.
"Aaah!" -bëri me sy të zgurdulluar nga habia. Por e mbylla derën. Nuk desha ta përfundoja
bisedën. Në rrugë e sipër vazhdimisht më shqetësonte pyetja: "Mos ishte vallë Gorbaçovi ai
që ma mbante peng Andinin? Por nuk e dija përgjigjen…
***
Në vend të rezymesë:
Në punimin tim "Republika dhe lufta..." rezymenë e të cilit u përpoqa ta sintentizoj para
jush, kisha konstatuar në mënyrë taksative:
1. se lufta, si e tillë, nuk është perspektivë e Evropës dhe se luftërat nuk zhvillohen për
interesa ideologjike por për interesa vitale të zhvillimit. Për këtë shkak, ndonëse institucionet
e demokracisë parlamentare do të duhej të ishin pengesë reale, ato nuk i përjashtojnë
mundësitë e shpërthimit të luftërave lokale edhe pse mund t'i zvogëlojnë shanset e shndërrimit
të tyre në luftë globale. Lufta nuk është perspektivë as për popullin shqiptar, por mundësitë
për evitimin e saj nuk janë absolute;
2. se popujt e vegjël, në qoftë se nuk janë pjesë të grupacioneve më të mëdha të popujve,
nuk e kanë mundësinë e lozjes së ndonjë roli më autonom e më të pavarur të luftës (siç bëjnë
aktualisht serbët, por edhe kroatët). Populli shqiptar nuk bën pjesë në asnjë grupacion të
popujve, dhe për këtë shkak përcaktimet politike shqiptare nuk mund të ngarkohen me
interesa të jashtme, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të luftojnë as edhe për ato interesa që
kanë karakter fundamental dhe që vlerësohen si progresive në kohën e dhënë;
3. se rrita e brendshme akoma mund të shkaktojë ekspanzionin e jashtëm. Konkretisht rasti i
Gjermanisë mund të jetë ilustrativ. Megjithatë, tendenca që ndikimi ekonomik të përkthehet
në kontroll politik, pavarësisht nga politika aktuale e ekipit Kohl-Gensher, realisht është në
kundërshtim me tendencat aktuale të zëvendësimit të botëkuptimeve gjeopolitike me
orientimet në rritën e brendshme. Kontrolli i urryer i territoreve të huaja nuk është edhe më
tutje politikë e fuqive për maksimalizimin e fuqisë jo vetëm për shkak të sklerotizimit të
institucioneve imperiale, por edhe për shkak të rritës së kostos për vazhdimin e një politike të
tillë. Ndonëse avancimet shkencore dhe teknologjike nuk ishin objekt analize i këtij punimi
(sepse tashmë janë shqyrtuar në punimin tim të lexuar në simpoziumin shkencor me temën
«Shqiptarët dhe Evropa dje, sot dhe nesër» të mbajtur në Prishtinë më 6-9 qershor 1991)
lirisht mund të shtohet se edhe ky fakt flet në dobi të përfundimit të sipërpërmendur;
4. Për këtë shkak është tërësisht reale të theksohet se ato do të reflektohen doemos edhe në
botëkuptimet politike të popujve të vegjël (kushtimisht), duke i hapur rrugë realizimit të
interesave të lidhura me zhvillimin e tyre. Prandaj, Republika e Kosovës në njërën anë, pastaj
statusi i përmendur i bartësit të shtetësisë së shqiptarëve të sanksionuar me kushtetutë në
Maqedoni, si dhe të drejtat e shqiptarëve të garantuara në Republikën e Malit të Zi; paralelisht
me zhvillimin e proceseve integrative në Evropë, do të duhej t'i krijonin kushtet e nevojshme
për bashkimin e popullit shqiptar, veçse jo për inatin e të tjerëve, por për hir të vetevetes dhe
të interesave të përbashkëta. Një gjë e tillë e presupozon harmonizimin e politikës së
faktorëve të interesuar politikë dhe urojmë që kjo të shpejtohet.
Jufaleminderit!
Shkup, 22 dhjetor, 1991
(Me 5 nëntor 1992 në Prishtinë, organizuar nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, u mbajt
një tryezë e rrumbullakët kushtuar çështjes shqiptare në raport me faktorin e brendshëm dhe
atë të jashtëm. Autori i këtij shkrimi mbajti njërën nga fjalët hyrëse.)
Duke e shtruar këtë pyetje në këtë formë, nuk e kam për qëllim t'i përmbys ato që thashë
pak më parë lidhur me funksionin e dinjitetit të gjyqit por vetëm t'i nënvizojë ato momente
kyçe lidhur me këtë gjyq nga të cilat vetë gjyqi do të mund t'i nxjerrë konkluzionet e duhura
lidhur me mua, por lidhur edhe me vetë gjykimin. Do të mbrohem me të vërtetën, dhe pasiqë
ajo nuk ka të bëjë vetëm me mua por dhe me gjithë kontekstin e situatës politike në tërësi, do
të provoj që të veçoj atë që ka të bëjë me mua dhe që në të vërtetë si juridikisht, ashtu dhe
politikisht, paraqitet si plotësisht e paqëndrueshme:
1.Duke e trajtuar çështjen nga ky aspekt, gjatë gjykimit të gjertanishëm u bë plotësisht e
qartë, ose së paku është dashur që të jetë plotësisht e qartë, se aktakuza të cilën Z. prokuror në
emër të Republikës së Serbisë ka denjuar ta ngrisë kundër meje është absolutisht
kontradiktore dhe e paqëndrueshme. Ajo niset nga aspekti i mosnjohjes juridike të Republikës
së Kosovës, që do të thotë nga aspekti i ndarjes teorikisht të paqëndrueshme të formës nga
përmbajtja. Së paku filozofët, që nga antikiteti e këtej, nuk e bënë dot këtë esencialisht.
Ndërkaq në praktikën e marrëdhënieve politike midis shtetesh, por edhe në praktikën e
veprimtarisë se brendshme të vetë shtetit, kjo ndarje, ndonëse në esencë vetëm në dukje,
shfaqet si plotësisht reale. Vetë ky gjykim, ashtu si çdo gjykim politik në përgjithësi, përpiqet
që të duket sikur nuk ka asnjë lidhje me politikën, që do të thotë përmbajtje, por vetëm me të
drejtën, që përfaqëson formën. Në praktikën e marrëdhënieve midis shtetesh janë plotësisht të
mundshme situatat kur shtetet e njohin një shtet vetëm de facto d.m.th. faktikisht, por jo edhe
de jure d.m.th. juridikisht. Zakonisht ajo e para, d.m.th. njohja faktike, i paraprin së dytës,
d.m.th. njohjes juridike të një shteti. Hë për hë do të merremi vetëm me këtë aspekt të kësaj
çështjeje për të treguar dhe për të provuar se aktakuza e ngritur kundër meje është plotësisht
e paqëndrueshme, sepse është në kundërthënie me përmbajtjen politike, ndërsa me këtë edhe
me formën juridike, por fillimisht do të vazhdojmë me shkoqitjen e tezave juridike tashmë të
pranuara e të pranueshme nga të gjithë. Në të vërtetë, janë të njohura rastet e "permanencës"
por vetëm për një periudhë të caktuar kohe, të shtetit të njohur de facto. Këto raste kanë
përfunduar rëndom me ndonjë ndryshim të brendshëm në shtetin e njohur de facto, me
ndryshimin e rrethanave të jashtme ose me pranimin e kushtëzimeve të paraqitura nga ana e
saj të cilat do ta mundësonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Me fjalë të tjera,
të gjitha këto raste zakonisht përfundojnë edhe me njohjen de jure të shtetit të dhënë.
Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të
institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë
nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen
e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv
politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë
vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar
rreth kësaj çështjeje. Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të
fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi im për këtë çështje.
Mirëpo, pasiqë argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh në asnjë mënyrë
s'mund të ishte i njëllojtë me argumentimin e një linguisti që merret me studimin e zanoreve
të patheksuara në një fjali, të një sociologu që shtirej si politikolog ngaqë e kishte studjuar
Makiavelin ndërkaq nuk e kishte vënë re asnjëherë se pikërisht ai përfaqësonte paraardhësin e
mendimit politik modern negativ dhe jo pozitiv, d.m.th. të një politike të konceptuar si
cinizëm të zhveshur prej çfarëdo morali, të një historiani që kurrë nuk e kishte kuptuar
ndërlikueshmërinë e politikës ndërkombëtare, kështuqë botën e reduktonte në kombin vetjak,
i cili në këtë mënyrë ekziston në zbrazësinë e vet, pra, pasiqë nuk është e mundur në asnjë
mënyrë që të anashkalohen apo të mos merren parasysh faktet që pastaj do t'u bien në kokë,
me kohë tendenca të tilla u bënë plotësisht kundërproduktive dhe të dëmshme. Unë do të
mund të gjendesha sëbashku në të njëjtën birucë të burgut edhe me një çoban, por do të ishte
gjë absurde dhe e marrë po të barazohej vlera e një çobani me atë të një politikani në luftën
politike për republikën, në çfarëdo lufte politike dhe për cilëndo çështje. Ndërkaq tendenca të
tilla për fat të keq kishte mjaft, dhe s'ishin ato vetëm shprehje e synimeve për të më poshtëruar
në zemërim e sipër por kryesisht ishin shprehje të një prepotence. Të tillët ndjeheshin aq të
ngrefosur e të vetëmjaftueshëm sa që nuk e vinin dot re atë që ishte qenësore në afërsinë e
tyre. Mirëpo kjo i përket së shkuarës dhe nuk ka më ndonjë rëndësi, por kanë mbetur si të
rëndësishme dy fakte vijuese: e para, se jam njëri ndër themeluesit e Republikës së Kosovës,
dhe e dyta, se jam nxitësi, themeluesi dhe bartësi i mendimit të ri politik në Republikën e
Kosovës.
Lidhur me faktin e parë prokurori publik më akuzon se kam dashur ta ndaj me anë të dhunës
Kosovën nga Republika e Serbisë. Pasiqë Republika e Serbisë, e njeh de facto Republikën e
Kosovës, unë nuk po akuzohem për ndarjen e saj nga Serbia, sepse kjo tek e fundit përbën
cakun e gjithë alternativës politike shqiptare në Kosovë, por vetëm për mënyren e realizimit të
këtij qëllimi (d.m.th. me anë të dhunës). Rrjedha e gjertanishme e gjykimit ndërkaq e vërtetoi
se kjo gjë nuk qëndron dhe as që dua që, hë për hë, të merrem me këtë çështje. Mirëpo
dëshiroj t'ia tërheq vërejtjen gjyqit të nderuar për një varg rrethanash të cilat sipas meje janë
qenësore për vlerësimin e këtij rasti.
a) Për herë të parë, d.m.th. me 1982, kam qenë i dënuar sipas nenit 114 të LPJ me katër vjet
burg. Ky dënim pastaj është ndryshuar sipas nenit 133, alinea 1 të LPJ dhe është ulur në 3,5
vjet burg të cilat i kam mbajtur në tërësi nëpër burgjet hetimore të RSFJ-së së atëhershme.
Përveç vitit 90-91, (gjithsejt një vit) gjer te ky arrestim i fundit, gjatë gjithë kohës kam qenë
plotësisht i izoluar dhe i ostracizuar në fshatin tim të lindjes. Pra, i kam mbajtur më shumë se
l2 vjet burg e jo vetëm 9 vjet, sa m'u dhanë në gjykimin e parë. Shteti e di se kjo gjë është e
vërtetë, ashtu siç i di dhe mekanizmat me të cilët e ka arritur një gjë të tillë. Zatën kam pasur
mundësi edhe ta ndërpres atë izolim, por me çmimin e lëndimit të integritetit të personit tim
ose me çmimin e braktisjes së vendit tim. Nuk kam dashur ta bëj as njërën dhe as tjetrën, dhe
në këtë mënyrë kam vepruar ashtu siç do të vepronte çdo njeri normal që e do vetveten dhe
vendin e vet. Shtetit i mbetet radha që këtë edhe ta pranojë haptazi dhe jo të vazhdojë edhe më
tej që të më gjykojë. Me fjalë të tjera, ky ështe gjyqi i katërt që po më bëhet për të njëjtën
çështje, të cilën aktakuzat e formulojnë në mënyra të ndryshme, por të cilën ata asnjëherë nuk
e argumentojnë dot sepse e vërteta me të vërtetë po fshihet.
b) Rrethana e dytë për të cilën dëshiroj ta tërheq vërejtjen është e lidhur me politikën e
Kosovës. Zatën në qoftë se Republika e Serbisë e njeh de facto Republikën e Kosovës,
atëherë funksionimi i saj në formën e këtij gjyqi në territorin e Republikës së Kosovës ose
është akt marrëveshjeje midis tyre, ose është akt i dhunimit ndaj kësaj të fundit. Në rastin e
parë, d.m.th. në rast se ky gjyq zhvillohet sipas marrëveshjes së tyre, gjë që unë e besoj
thellësisht për disa shkaqe të caktuara, duke e marrë parasysh se ekzistenca e një
marrëveshjeje të tillë nuk është shpallur botërisht por përkundrazi, e gjithë politika e tyre
zhvillohet sipas shenjës së armiqësisë (mbase vetëm në dukje) atëherë me vetë këtë fakt ajo
bëhet lëndë për akuzë për shkeljen e ligjeve të veta mbi të drejtën e qytetarëve për informim
objektiv. Politikisht kjo do të nënkuptonte një manipulim të thjeshtë me opinionin publik. Se
manipulimet e tilla janë fare të mundshme nuk ka nevojë që të provohet në mënyrë të veçantë.
Këtë e pranon madje edhe pioneri i mendimit politik modern qytetar Henry Kissinger, në
librin e tij më të ri "Mendja e kombit", nga i cili gazeta "Borba" para një muaji e gjysëm pati
mirësinë që t'i përkthejë dhe të na i ofrojë pjesët më interesante. Autori shkruan aty se në
Evropën Lindore nacionalizmi shfrytëzohet në luftë kundër komunizmit, ndonëse me këtë ai
nuk na thotë ndonjë gjë të re sepse një rregull i tillë është i njohur tash më shumë se 200 vjet.
Ndërkaq shteti serb një përvojë të tillë e ka që nga viti 1924, kur në emër të kapitalit
evropian, sidomos në emër të kompanive vajgurore Britanike, dhe me ndihmën e pretendentit
të më vonshëm për fronin mbretëror të Shqipërisë A. Zogut, e rrëzoi pushtetin demokratik të
Fan S. Nolit, i cili ishte njëri nga intelektualët më të mëdhej shqiptarë të të gjitha kohërave,
vetëm për faktin se ky mori guxim që në parlamentin shqiptar t'i bëjë nderimin udhëheqësit të
madh të revulucionit rus, V.I.Leninit, që kishte vdekur ato ditë. A mos vallë vërtet e kishte me
gjithë mend Evropa, se i përndershmi Noli do ta fuste kontrabandë komunizmin në një vend
që s'kishte atëbotë kurrfarë klase punëtore, përveç një fshatarësie të varfër, dhe se një
komunizëm i tillë hipotetik do ta rrezikonte Evropen dhe rendin e saj? Dhe a mos vallë ky
mbret, që nuk është më i gjallë, të jetë nxitur edhe nga ana e nacionalizmit serb që t'u
lajkatohet disa qarqeve të caktuara evropiane për ta marrë prej tyre detyrën kujdestare të luftës
kundër komunizmit brenda popullit shqiptar? Duket sikur kësaj lufte që nga viti 1981 e këndej
iu bashkua edhe një pjesë e caktuar e ish nomenklaturës titiste në Kosovë, dhe duket sikur të
gjithë së bashku po merren me gjueti shtrigash, sepse në Kosovë as që kishte pasur
ndonjëherë komunizëm të mirëfilltë në aspektin autentik. Dhe në qoftë se çdo intelektual i
ndershëm duhet shpallur komunist në mënyrë që të përndiqet, të burgoset e të gjykohet,
atëherë shtrohet pyetja se për çfarë sistemi vallë është fjala dhe mos ndoshta nën të po fshihet
një luftë e organizuar e mafisë kundër shoqërisë pasiqë s'mund të bëhet fjalë për një luftë të
ndytë klasore në kuptim të plotë të fjalës, sepse nuk kishte komunizëm autentik dhe sepse
akoma edhe sot nuk ekziston një klasë punëtore vërtet e pjekur në Kosovë.
Ndërkaq në rastin tjetër, d.m.th. në rast se ky gjykim do të mund të quhet si akt i dhunimit
ndaj Republikës së Kosovës, sepse , veç tjerash, po gjykohet njëri ndër themeluesit e saj,
atëherë me këtë Republika e Serbisë via facti do të pranonte se është forcë pushtuese dhe se
në këtë mënyrë po sillet sipas kriteresh të veçanta të fuqisë pushtuese në përndjekjen,
burgosjen dhe gjykimin e qytetarëve lojalë ndaj Republikës së Kosovës, gjë që ajo gjithsesi e
refuzon duke deklaruar se ligjet e veta po i zbaton njësoj në të gjithë territorin e saj, gjë të
cilën gjithkush mund ta vërë re se nuk i përgjigjet fare të vërtetës.
c) Momenti i tretë për të cilin dëshiroj t'ia tërheq vërejtjen këtij gjyqi ka të bëjë me sa vijon:
siç e dini, në Kosovë në vitin 1990 u krye Revolucioni Demokratik. Një revolucion i tillë nuk
u bë në Serbi sepse ajo ndryshimet demokratike në shoqëri i akceptoi me rrugë institucionale,
atëherë kur e shpalli veten si vend me sistem shumëpartiak, me ç'rast e vuri në jetë edhe
parlamentin. Për dallim nga ajo, në Kosovë u krye Revulucioni Demokratik. Unë gjithashtu
kam qenë njëri ndër aktorët e tij kryesorë. Kam qenë intelektuali i parë i sërës sime që hapur
dhe publikisht jam shprehur në favor të sistemit shumëpartiak. E kam bërë këtë në artikullin
që u botua me titull "Gishti i trashë i vëllait të madh" në Alternativa nr. 5, 1990, në Lubjanë,
ndonëse ai artikull ishte dërguar për botim në revista të tjera qysh në fillim të vitit 1989. Ai
ishte shkruar në formë të përgjigjes ndaj disa sulmeve kundër meje në revistën "Intervju" të
Beogradit, dhe në gazeten "As" të Sarajevës. Për më shumë se një vit e gjysëm artikulli u
lexua nën dorë në të gjitha qendrat e mëdha të RSFJ-së së atëhershme, sepse ua dërgoja për
botim. Nuk deshën që ta botonin me kohë për shkak të përparësisë së disa forcave tjera
politike që pretendonin të stoliseshin me të, por, natyrisht, pa pasoja politike apo penale për
ta. Ndërkaq orientimi im për ndryshime demokratike përbënte një rrjedhim logjik të shkaqeve
për të cilat kisha qenë i burgosur më 1981, me një besim plotësisht të sinqertë se në këtë
mënyrë do të mund ta shpërtheja izolimin dhe bllokadën mizore që m'u kishte imponuar për
nëntë vjet me radhë. Disa funksionarë të lartë të nomenklaturës së atëhershme intelektuale
komuniste, të cilët në ndërkohë u bënë edhe funksionarë të të ashtuqujturës nomenklaturë
demokratike, më vonë, në mënyrë fare të paturpshme, këtë izolim dhe këtë ostracizëm e
quajtën "vetizolim" dhe "autobllokadë".
Pastaj më vonë, në një fjalim posthum funeral, tek varri i njërit prej kushërinjve të mi,
Halim Hoti, të vrarë me parullën e lirisë dhe të demokracisë në gojë (prej katër të vrarëve në
Brestovc, tre ishin të afërm e të njohur të mi) kërkova që të fillonte dialogu për rirregullimin
demokratik të shoqërisë. Pas një kohe të caktuar ky dialog edhe do të fillonte, me vizita
zyrtarësh nëpër disa fshatra, me braktisjen e LK dhe LSPP-së së atëhershme etj., dhe me
anëtarësimin masiv në LDK. Ky fjalim më vonë do të inkorporohej dhe do të botohej në
kuadër të artikullit tim të njohur me titull "Bëje ose vdis" (Rev. "Fjala" në dy numra, shkurt
1992). Artikulli ishte i rëndësishëm për faktin se vinte në spikamë thelbin e vërtetë të
gandizmit, duke marrë parasysh se artikujt e deriatëhershëm gazetareskë lidhur me këtë
fenomen i fyenin kujtimet e mia për miqtë dhe të njohurit e mi të ndjerë nga India, ish-
bashkëpuntorë të ngushtë të Mahatma Gandit si Xhai Prakash Narajan dhe Xhagxhivan Rami,
ashtu si dhe njohuritë e mia mbi atë problem. Thënë shkurt, asnjë histori objektive e
domokracisë moderne në Kosovë, por edhe në Shqipëri (sipas disa të dhënave të
pavërtetuara, viktima e pestë e masakrit në fshatin Brestovc, KK Rahovec, ishte nga
Shqipëria) nuk mund të shkruhet pa i përmendur ato viktima, (ishin martirët e parë të
demokracisë në Kosovë), as dhe duke iu shmangur emrit dhe veprës sime. Nëse është kështu
puna , dhe në të vërtet ajo është e tillë, pavarësisht nga fakti se kjo edhe më tej po tentohet për
tu relativizuar, madje edhe për tu mohuar, dhe pavarësisht nga lufta që është zhvilluar kundër
meje pikërisht nga ana e atyre prej të cilëve pritej mbrojtja ime, atëherë në mënyrë fare
legjitime shtrohet një pyetje mbi pyetjet: zatën, nëse ky gjyq është çështje e marrëveshjes
midis dy palëve, dhe sipas të gjitha gjasave duket se është, atëherë shtrohet pyetja nëse
orientimi i tyre për demokraci është i vërtetë apo i rremë. Ndërkaq nëse ky gjyq është një
çështje që i takon vetëm njërës palë, cilat janë vallë ato forca politike që dëshirojnë
nulifikimin, d.m.th. zhdukjen e arritjeve të Revolucionit Demokratik si dhe të zhvillimeve
demokratike në Kosovë, qoftë dhe nën hipotezën e thënë hapur se LDK-ja është vetëm një
reflektim, apo edhe më keq, vetëm një bisht i SPS-sit serb? Dihet tashmë se ato duhet matur
edhe me vitet e jetës, edhe me sasinë e djersës dhe të gjakut, edhe me mundësitë e humbura,
edhe me shkallën e vetëdijës politike të njerëzve konkretë, siç jam edhe unë vetë. Dhe nëse
është kështu, ndërkaq sipas të gjitha gjasave duket se është, si ka mundësi atëherë që
institucione të ndryshme të Evroamerikës, të cilat dinë të ngrenë zërin edhe për gjëra më pak
të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në rastin tim reagojnë vetëm formalisht,
vetëm sa për të larë gojën, ndonëse edhe vetë gazetat konfirmojnë se që prej shumë kohësh
jam një temë tabu. Përse jam temë tabu? Dhe kujt i pengoj në të vërtetë? Nuk do t'i elaboroj
më tutje këto pyetje. Vetëm do të konstatoj se është vërtetë një gjë e pikëllueshme të krijosh
shtriga artificiale dhe pastaj t'i shpallësh ato si reale. Nuk mund të ketë kurrfarë shtrigash aty
ku ato nuk janë dhe ku objektivisht nuk mund të jenë. d) Gjyqit të nderuar do t'ia tërheq
vërejtjen edhe për momentin e katërt dhe të fundit që ka të bëjë me këtë gjykim. Zatën, nëse
unë si i pandehur para këtij gjyqi ngul këmbë në qëndrimin se Republika e Kosovës ekziston
(nuk do të ishte aspak çudi që revolucionet nganjëherë t'i hanë bijtë e vet); se ajo de facto
është e njohur nga Republika e Serbisë; se asnjë histori serioze objektive e Republikës së
Kosovës, ashtu si historia e mendimit të ri politik në Kosovë, nuk mund t'i injorojë as ngjarjet
e vitit 1981, as emrin dhe kontributin tim në to, se këtë nuk mund ta bëjë çfarëdo historie
serioze dhe objektive e ndryshimeve moderne, demokratike në këto hapësira, pavarësisht nga
rezultati definitiv i zgjidhjeve të gjithëmbarëshme politike në këtë pjesë të Ballkanit, që nuk
do të thotë se një gjë e tillë edhe s'mund të bëhet, por që vetë ai veprim, si i tillë, do të ishte
akt i një pushteti totalitar. Atëherë do të ishte më e drejtë të thuhej se desha në të vërtetë në
njëfarë mënyre, që për shoqërinë nuk ishte e pranueshme, ta çaja këtë bllokadë të neveritshme
dhe ta bëja të njohur atë që ekziston si e tillë. Me këtë aktakuza ndoshta do të ishte më e
drejtpërdrejtë, më konkrete dhe më e arsyeshme, dhe jo thjesht një përkthim i mjegullt, i thatë
dhe i sofistikuar i veprimtarisë sime publike në një vepër të inkriminuar. Do të dija se përse
më akuzojnë në të vërtetë dhe do të provoja që të mbrohesha në formën adekuate të
drejtpërdrejtë dhe jo në baza hipotetike, siç po veproj tani, në të cilat realiteti duhet të fitojë
pamjen dhe pandehmat, sepse zatën, gjithçka po bëhet sikur dikush pas tij dëshiron të
konzervojë atë çfarë është në të vërtetë, d.m.th., i paqëndrueshëm dhe jo ashtu siç do të duhej
të ishte.
Në qoftë se sipas pjesës së parë të aktakuzës do të duhej të isha anëtar i LPRK-së, si një
instrument politik për realizimin e Republikës së Kosovës, sepse një individ i vetmuar nuk e
bën dot një gjë të tillë, atëherë sipas pjesës së saj të dytë, ose sipas pikës së dytë të të njëjtit
dokument, akuzohem se në cilësinë e Kryetarit të UNIKOMB-it, d.m.th. të një partie që ka në
program bashkimin e kombit, kam dashur t'ia bashkoj Republikën e Kosovës Republikës së
Shqipërisë. Në këtë mënyrë aktakuza bëhet e plotë, duke i shtuar veç tjerash edhe mjetin e
dhunës, por tani në aspektin e ilegalitetit të UNIKOMB-it, për të cilin, siç u pa gjatë
shqyrtimit, doli se është krejtësisht në rregull sipas sistemit të paraqitjeve, është regjistruar në
organin kompetent përkatës të RSFJ-së së atëhershme, ashtu si edhe LDK-ja. Kjo e dhënë
është shumë interesante nga aspekti politik dhe më duhet të pranoj se unë dyshoja me vete se
ndoshta edhe ishte e mundur një gjë e tillë, dhe mendoja se megjithatë do të bëja një punë të
dobishme sikur të mund ta legalizoja këtë parti njësoj si LDK-në. Mendimet e tilla ndërkaq i
mbaja për vete, ndërsa para opinionit dilja sikur besoja plotësisht se ajo ishte e regjistruar, dhe
tani u provua se kishte qenë. Dhe ky fakt më gëzoi, jo për shkak të aktakuzës, por për shkak
se askush nuk doli gënjeshtar. Si një tërësi, aktakuza sikur përmbledh një rrugë të kaluar që
nga viti 1981 gjer më sot. Në këtë kuadër argumentimi kishte mbetur i njëllojtë sikur të ishte
ngurtësuar që atëherë: "Ju e doni republikën që t'i bashkoheni Shqipërisë." Unë isha ndër
njerëzit e rrallë që një argumentim të tillë nuk e kam besuar kurrë. Kam qenë profesor i
politikës ndërkombëtare i cili në Qendrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, por edhe në
Qendrën për studime strategjike ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit në SHBA, jam
specializuar pikërisht në temën e reflektimeve të politikave globale në regjione të ngushta siç
janë p.sh. Ballkani, Indokina ose Lindja e Afërt. Isha autor i një libërthi të vogël mbi "Lufën e
ftohtë dhe detantin" në të cilin temë qendrore ishin marrëveshjet e Helsinkit të vitit l975, por e
kisha edhe përvojën e një burrështeti. Me fjalë të tjera, e dija se nuk është i mundur ndrrimi i
kufijve ndërkombëtarë pa luftë, kundër së cilës do të ngrihej gjithë bashkësia ndërkombëtare.
Ndërkaq pikërisht ky problem përbënte temën qendrore të disertacionit tim të doktoranturës. E
njihja jashtëzakonisht mirë atë problem që ta besoja ashtu kot një argumentim të tillë.
Pikërisht për këtë shkak argumentimi im shkonte në drejtim të kundërt. Pra unë pohoja se
Republika e Kosovës i kontribuon forcimit të Jugosllavisë por edhe sigurisë së Shqipërisë; se
ajo s'mund të ishte kundër politikës globale të SHBA-ve dhe as të BRSS-së së atëhershme; se
është kështu në thelb, imponon edhe e drejta demokratike e popullit shqiptar për zhvillim më
të shpejtuar (që përbënte anën ekonomike të çështjes) dhe për barazi me të tjerët (anën
politike të çështjes). Në këtë kohë (janar-mars 1982) ndodhesha nën hetime në Beograd. Më
ishte bërë e njohur se në Beograd, njëri pas tjetrit, në një distancë të shkurtër kohe, kishin
ardhur Vjencesbergeri - Sekretari amerikan i mbrojtjes, dhe Andrej Gromiko, shefi i
diplomacisë së BRSS-së së atëhershme, dhe se ata në të vërtetë e kishin aprovuar
argumentimin tim në favor të Republikës së Kosovës. Pak kohë pas kësaj kam qenë i
transferuar në burgun e Mitrovicës së Kosovës. Gjatë ndryshimeve demokratike në fillim të
këtij dhjetëvjeçari edhe më tej kam insistuar në opcionin jugosllav të Republikës së Kosovës.
Vlerësoja se një gjë e tillë nuk do ta shtynte më larg perspektivën e bashkimit me Shqipërinë;
që procesi i një bashkimi të tillë do të duhej zhvilluar me rrugë institucionale dhe që
Republika e Kosovës do të duhej të ishte në funksion të këtij bashkimi. UDB-ja e kishte
sekuestruar një artikull timin studimor lidhur me ato probleme, i cili i dedikohej inteligjencisë
së lartë politike të Kosovës. Ai titullohej "Për një politikë unike dhe pa ekuivoke". Me të do të
duhej hapur diskutimi në nivel të tillë për orientimin e mëtejshëm të forcave politike të
Kosovës, por kjo ligjëratë nuk u mbajt për shkak të, siç mu tha mua atëherë, të ftohtit të madh
që mbretëronte në lokalet e Institutit Albanologjik, d.m.th. se Institutit i mungonte ngrohja.
Mirëpo problemet vazhdonin të mbeteshin edhe më tej. Është interesant se si në këtë periudhë
(1990-94) u zhvillua një luftë e vërtetë psikologjike e mekanizmave të shtetit e të pushtetit
kundër meje. Akuza themelore në këtë luftë të pakompromis dhe të njëanëshme, e cila nga
ana e aktivistëve të ndryshëm, madje edhe me tituj profesorësh universitarë, shqyrtohej nëpër
oda private nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, ishte në të vërtetë krejt e kundërt me
akuzën e tanishme të prokurorit në këtë gjyq. Thuhej zatën se unë kisha qenë kundër
bashkimit me Shqipërinë, bile edhe se unë po e pengoja atë bashkim. U tha dhe u bë
shumëçka kundër meje atëbotë, por unë mendoja se është fjala për luftën e disa grupeve për
pushtet dhe jo për luftën drejt avancimit të pozitës së Kosovës. Çuditërisht, askush nuk më
mbronte në mënyrë të hapur as në Kosovë, as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavinë, as në Serbi
prandaj as në Evropë. Ndjehesha absolutisht i vetmuar dhe erdha gjer në konkluzionin se në
të vërtetë atë Jugosllavi nuk e donte askush. Më çudiste vrazhdësia, intensiteti dhe vëllimi i
një lufte të tillë. Kam qenë i shtyrë pothuajse gjer në prak të çmendurisë e të vdekjes, por
pikërisht ky fakt më bindi se shkaku i kësaj lufte s'mund të ishte vetëm lufta për pushtet. E
dija se ndaheshim rreth vlerësimit të ngjarjeve të vitit 1981, rreth vlerësimit të prioritetit të
vendit dhe të subjektit të ndryshimeve demokratike nga viti 1990, rreth vlerësimit të
fenomenit të gandizmit dhe të politikës së përditshme; rreth dhënies së përparësisë një numri
të caktuar bartësish të ndryshimeve dhe të ngjashme, por e tërë kjo nuk mjaftonte që njeriu
thjesht të ekskomunikohej nga bashkësia njerëzore. Për diçka të tillë duhej të ekzistonin
shkaqe më të thella të cilat në të vërtetë edhe ekzistonin: ato gjithmonë vërtiteshin rreth
bashkimit shqiptar dhe mendoj se është kohë e fundit që këtë çështje tani ta sqaroj në tërësi:
Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë.
Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i
pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i
zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e
Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i
organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam
marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të
intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe
ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i
njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha
kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i
stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy
sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për
gjithë atë trajtim të lartë që m'u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam
falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë
pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti,
por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje
që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në
fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. Tani kjo është e
qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj
këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falenderoj qeverinë e SHBA-ve për qëndrimin
tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht
dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të
mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e
këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë,
kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar
çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë
natyrisht imponon respekt. Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të
kuptoja dot ishte paaftësia ime që t'i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit
shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj
regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. Kisha vënë re se gjithë çka
kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në
Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC.
Në të gjitha pyetjet e mia lidhur me këtë çështje ata nuk kishin përgjigje. Literatura e tyre
politike si dhe literatura e historisë politike i shmangej përgjigjeve në këto pyetje. Madje edhe
Robert Lee Wolf, një autor i vjetër i studimeve të famshme për Luftën e Dytë Botërore në
këtë pjesë të Ballkanit, në studimet e veta i është shmangur përgjigjes në pyetjet e mia. Të
njejtën gjë e ka bërë edhe Hans Morgenthao (babai i teorive politike ndërkombëtare
amerikane); Jeremy Israel, nga Universiteti i Çikagos, Steven Burg , gjithashtu nga Çikago,
Dov Ronen nga Harwardi, Erik Hamp nga Çikago e të tjerë. Të gjithë ata e dinin se kam qenë
në detyrën e ministrit regjional në një krahinë potencialisht eksplozive të Kosovës dhe që të
gjithë ata i shmangeshin me urtësi temave "të nxehta". Ndërkaq Steven Larabee, një njeri
inteligjent i moshës sime, me të cilin edhe shoqërohesha më së shumti dhe i cili atëherë ishte
caktuar në Stejt Department në detyrën e shefit të Drejtorisë për Ballkanin, madje edhe ai i
shmangej bisedave serioze në këtë temë. Nuk e di se përse e ka braktisur Stejt Departmentin
dhe ka shkuar në Institucionin "Rand" pas arrestimit tim të parë, por e di se pikëpamja që
amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën
me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA. Disa
pjesë të caktuara, sidomos ato të bashkuara rreth Legalitetit, një parti zogiste që kërkonte
kthimin e Leka Zogut në fronin e Shqipërisë, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot, si dhe
pjesë të caktuara të Ballit Kombëtar, të bashkuara rreth Xhafer Devës, flisnin, por edhe
shkruanin, se me shumë dëshirë do t'ia hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil
Hoxhës. Ata mendonin se këta ishin fajtorë për mosbashkimin e Shqipërisë menjëherë pasë
luftës. Nuk i përgjigjeshin dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria se sa Kosova
apo Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e
autorëve tanë në këto pyetje që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë e fajësojnë
ish-regjimin komunist në Shqipëri, sipas logjikës së shtetësisë: "ata ishin shtet dhe jo ne." Nuk
është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv. Nuk ishte e
vështirë që të konkludoja se një rezonim i tillë i emigracionit shqiptar në atë kohë ishte në
realitet thjesht një reflektim i disponimit antikomunist të administratës amerikane e cila nuk
kishte asnjë lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Lidhur me këtë çështje ata
rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. Ata e dinin se qëndrimi
i Kominternës (Internacionales Komuniste) lidhur më këtë çështje, që nga viti 1926 e këtej,
deri te Kongresi i V i PKJ me 1941, ishte që Kosova do të duhej t'i bashkohej Shqipërisë,
prandaj ranë në konkluzionin e kundërt d.m.th. se do të duhej që Shqipërinë t'ia bashkonin
Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t'i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në
vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t'u shisnin shqiptarëve po t'i mbështesnin.
Lidhur më këtë ndonjëri prej tyre fliste hapur si me shaka. I kuptoja mirë atëherë parametrat e
arsyetimeve të tyre sipas të cilëve gjithçka ishte e shndërruar në kuantitet, por nuk mund të
them edhe se më pëlqente një gjë e tillë. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili
ato pyetje, me metodën e raprezaljeve policore, i kishte shpallur si tema tabu. U desh tepër
shumë kohë, punë, djersë dhe gjak që këto çështje më në fund të hapeshin. Qysh atëherë e
kisha fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish-Jugosllavinë titiste ishte në të vërtetë
refleksion i ndeshjes së dy politikave globale pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale dhe
ky fakt më pati tronditur. Duke mos u futur më thellë në elaborimin e zbulimeve lidhur më
këtë pyetje, duke iu drejtuar këtij gjyqi, vetëm mund t'i theksoj bindjet e mia të cilat s'janë
obligative për askend, por të cilat përmbajnë kërkesën që lidhur me këto të mendohet, madje
edhe nga ana e qeverisë së SHBA-ve në Washington, apo qeverisë Ruse në Moskë, në
Beograd, Tiranë apo në Prishtinë:
Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai
duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë
dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka
demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur
nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion,
dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha
planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në
këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit
islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të
bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të
qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në
Evropë nuk mund t'i refuzohet a t'i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të
mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta
e popullit shqiptar për t'u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur
për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën
e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm
britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se
ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane. Mirëpo
paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë. Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së
Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta
orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do
të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të
tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve
të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë
më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan
edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të
dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra
mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas
saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje
ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur.
Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.
Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka
lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj
bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda
demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i
Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli
shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti
shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj
shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta
historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.
Në luftën e vet për bashkimin e tij, populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm
nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish-
Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta
kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar. Ata që e njohin mirë historinë
sigurisht që tashmë e kanë kuptuar se gjer me ardhjen e turqve në këto hapësira nuk kishte
dominim të njërit mbi tjetrin. Me pranimin e islamizmit nga ana e feudalëve shqiptarë dhe me
inkuadrimin e tyre në sitemin turk të administrimit, ka ardhur deri te një proces të cilin serbët
kanë mundur ta kuptojnë si dominim të shqiptarëve mbi ta, gjë që s'ishte e vërtetë, sepse
inkuadrimi në sistemin e administrimit të Perandorisë Turke dhe pranimi i religjionit islamik
nuk ishte vetëm një veçori shqiptare. Me largimin e turqve nga Ballkani, me forcimin e Rusisë
dhe pastaj edhe të ish-BRSS-së, në fillim erdhi gjer ke ndarja e popullit dhe e territorit
shqiptar, pastaj edhe tek një politikë e gjenocidit sui generis ndaj shqiptarëve që mbetën jashtë
kufijve të shtetit të tyre. Që nga viti 1844, d.m.th. që nga "Naçertania" e Ilia Garashaninit dhe
gjer më sot, politika serbe ndaj shqiptarëve ishte në thelb sub-imperialiste. Ajo ka shkuar
linjës së nënçmimit dhe të denigrimit të shtetit shqiptar si dhe të asimilimit të dhunshëm të
popullatës shqiptare nën jurisdiksionin e saj. Me fjalë të tjera, forcimi i animozitetit shqiptaro-
serb apo serbo-shqiptar ka qenë gjithmonë i lidhur me ndryshimet në rrethimin e tyre
ndërkombëtar.
Në pjesën I të artikullit tim studimor "Viti 81 dhe proceset e demokracisë" pastaj dhe në
pjesën II të artikullit "Bëje ose vdis" (Alternativa 7/8, 1991, dhe "Fjala", mars 1992) unë jam
përpjekur të përkujtoj se këta dy popuj gjenden në një nivel të përafërt ose të njëjtë të
madhësisë demografike, dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Pa ndikimin e jashtëm historia e
tyre do të mund të zhvillohej në drejtim të rivalitetit të shëndoshë në bashkëpunim dhe në
zhvillim. Për këtë shkak gjithmonë kam insistuar që politika të heq dorë nga instrumentalizimi
i vet për interesa të huaja. Mirëpo me politikën e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve Serbia
sikur synon t'i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime dhe nga
aspiratat e tyre historike. Kjo sikur arsyetohet me faktin nga që edhe asaj vetë i është e qartë
tashmë se një politikë e tillë është absurde dhe jashtë kohës. Me ritualizimin e vrasjeve, siç
ndodhi me rastin e Hasan Ramadanit nga fshati Shajkovc, të cilin e përshkruan shtypi në
gjuhën shqipe, nuk mund të arrihet asgjë pozitive. Ritualizimi i vrasjeve ka qenë veçori e
kanibalizmit, ndërkaq dihet se ai është çrrënjosur. Vdekjet janë tragjike me faktin se na
përkujtojnë përkohshmërinë e jetës sonë. Për këtë shkak indiferentizmi ndaj jetës njerëzore
nuk mund të jetë përmbajtje e asnjë lloj politike dhe e asnjë ardhmërie. Për këtë shkak politika
që ndalet në gjykimin formal të rasteve të tilla, ndërsa më vonë prej tyre, me të gjitha mjetet e
mundshme përpiqet të kapitalizojë dhe të mbledhë poena për veten, një politikë e tillë, e cila,
veç tjerash, mbështetet ekskluzivisht në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm,
nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar. Në qoftë se ajo nuk është shprehje
e tradhtisë së interesave nacionale atëherë ajo është edhe vetë viktimë e ndonjë komploti, gjë
që nuk e zvogëlon përgjegjësinë e saj për gabimet dhe për lëshimet e bëra. Mirëpo, gjykuar
sipas faktit se si njëra më arreston e tjetra më sulmon vetëm për shkak se unë po insistoj në
zbulimin e së vërtetës dhe të vërtetave, është shumë afër mendësh se politikat e tilla në të dy
anët synojnë në zgjidhje shumë specifike dhe të përcaktuara në këtë pjesë të Ballkanit.
Përndryshe, përse si këtu ashtu edhe në Shqipëri po burgoset dhe po gjykohet një profil
shumë i përcaktuar intelektualësh, pikërisht ai që ka përvojë të caktuar prej burrështeti, nën
akuza që tingëllojnë cinike, dhe që nuk i kanë hije askujt, as kohës dhe as vendit?
Në letrën time të hapur drejtuar ish-bashkëshortes dhe një segmenti të inteligjencisë së
Kosovës në Prishtinë, në tekstin me nëntitull "Shqipëri e reduktuar apo republikë e barabartë"
ia kam tërhequr vërejtjen atij segmenti të inteligjencisë për atë që nuk më pëlqente. Letra u
botua në revistën «Doruntina» nr. 3, 1993, në Kumanovë, dhe jo në «Bujkun» apo në gazetat
tjera të Prishtinës. Aty kam tërhequr vërejtjen edhe për problemin e marrëdhënieve me
Greqinë, lidhur me ortodoksët e Shqipërisë Jugore, mirëpo këta zotërinj atëherë u shtirën si të
mençur. Ndërkaq tani, kur ky problem ka shpërthyer në sipërfaqe, ata paraqiten si të befasuar.
Zbrazin nëpër gazeta ndjenjen e një "patriotizmi zemërak", duke e fshehur dyfytyrësinë e vet.
Vërtet nuk është gjë e vështirë që të bësh karagjozllëk nga politika me metodën e masakrimit
të integralizmit të çfarëdo mendimi, me kombinimin e gënjeshtrës dhe të harresës ose me
ndrrimin e tezave. Mirëpo kur një gjë e tillë bëhet në disa kushte specifike të caktuara, dhe për
një kohë të caktuar, me rrugë sistematike, atëherë dëshirohen të arrihen qëllime mjaft të
përcaktuara, ndonëse nuk e di akoma se për çfarë qëllimesh është fjala, por nuk është e
vështirë të konstatohet se janë në lidhje të caktuar me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Për këtë
shkak edhe më tej do t'i saktësoj pikëpamjet e mia lidhur me këtë çështje, dhe këtë për shkak
se gjithë deri më sot ato përbënin një lëndë për shpjegime kontradiktore, ndërkaq unë kam
qenë dhe jam akoma i sulmuar nga të gjitha drejtimet e mundshme:
Bashkimi i popullit shqiptar nuk mund të realizohet si zgjerim territorial as i Jugosllavisë
dhe as i Serbisë. Kjo nuk do të ishte zgjidhje e çështjes shqiptare por një imponim i një
zgjidhjeje të tillë për të, që do të duhej të ishte rezultat i ndonjë lufte. Kjo gjithashtu do ta
implikonte përzierjen e faktorëve të tjerë. Greqia tashmë i ka shfaqur hapur pretendimet e saj
ndaj Jugut të Shqipërisë, dhe kundrejt një imponimi të tillë të zgjidhjes as Turqia s'do të mund
të ishte indiferente, por as Italia. Bashkimi i popullit shqiptar si zgjerim territorial i
Jugosllavisë do të ishte në esencë zgjerim territorial i Serbisë, po qe se kjo do ta nënkuptonte
mbetjen e Kosovës nën çfarëdo ingjerence të Serbisë. Populli shqiptar diçka të tillë nuk do të
mund ta pranonte, dhe as që do të mund të pajtohej ndonjëherë me të. Propozimet që po
shfaqen tani për lidhje konfederale me Shqipërinë pa u zgjidhur paraprakisht çështja e njohjes
së Kosovës de jure mund të jenë shprehje e dëshirës që kjo çështje të përshpejtohet, por mund
të duket edhe si një çështje tejet e diskutueshme. Nuk ka dyshim se këto propozime janë
shprehje edhe e besimit absolut në bashkësinë ndërkombëtare, por ajo në zgjidhjen e këtyre
çështjeve rendom i ndjek interesat vetjake, ndërsa interesat e palëve të interesuara i merr
parasysh vetëm në masën në të cilën ato palë janë të zonjat vetë që t'i mbrojnë e t'i sigurojnë.
Pikërisht për shkaqe të tilla, bashkimi i popullit shqiptar duhet t'i paraprijë çfarëdo forme të
bashkimit federal ose konfederal, ose formave të tjera të bashkimit në tërësi më të mëdha,
gjersa vetë akti i bashkimit duhet të jetë shprehje e vullnetit të tij që nuk bën të prejudikohet
në asnjë mënyrë. Vetë akti i bashkimit të popullit shqiptar për shkak të karakterit të ndarjes së
tij, bazohet në esencë në ndarjen e qetë dhe dinjitoze me fqinjët. Çfarëdo politike që nuk e
merr parasysh përparësinë e kësaj çështjeje nuk mund të jetë në realitet shprehje e interesave
nacionale shqiptare.
Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me
vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike. Për këtë shkak një çështje
prioritare ose një çështje me rëndësi prioritare për Republikën e Kosovës, është ndarja e qetë
dhe dinjitoze me RFJ dhe me Republikën e Serbisë, dhe jo bashkimi ose njësimi me
Shqipërinë, për shkak se kjo do të kuptohej si zgjerim territorial i Serbisë në drejtim të
Shqipërisë, gjë e cila do të nxiste pretendime të ngjashme edhe në Greqi. Kjo do të thoshte
natyrisht luftë. Nuk është aspak e pamundur që në qarqet e caktuara në të gjitha qendrat e
interesuara të fuqisë, nga Beogradi në Athinë dhe gjer në Washington, dëshirohet një zhvillim
i tillë i situatës. Ata shpresojnë për një fitore minimale d.m.th., për një zgjidhje të
përkohshme të çështjes shqiptare në bazë religjioze në të cilën ndonjë shtet i bashkuar
eventual shqiptar musliman do të figuronte ose si një shtet i veçantë, ose si një anëtar i një
tërësie më të madhe.
Dihet se, për dallim nga popujt tjerë të Evropës, religjioni tek shqiptarët gjithmonë ka qenë
mënyrë e mbijetesës dhe jo mënyrë e jetesës. Përkatësinë e vet religjioze shqiptarët asnjëherë
nuk e kanë identifikuar me përkatësinë e vet kombëtare. Elementi i tyre kryesor përbashkues
ka qenë gjuha dhe vetëdija tradicionale për veten. Ata i kanë tri religjione, ndërsa asnjeri prej
tyre nuk ka lindur tek këta dhe nuk është kthyer në gjendjen e tyre të natyrshme. Të gjitha ato
kanë ardhur bashkë me zgjerimet imperiale (Roma dhe Islamizmi) ose me forcimin e
qendrave të fuqisë (Bizanti). Ky fakt (tri religjione) i përgjigjet pozitës gjeostrategjike të
vendit ku jetojnë - në trekufirin e tri kontinenteve. Ky fakt e shton pasurinë shpirtërore të
kulturës së tyre dhe i kontribuon perspektivës së tyre. Ndarja e tyre në bazë të përkatësisë
religjioze, për vetë shqiptarët do të ishte e dëmshme, për shkak të varfërimit të shpirtit dhe të
kulturës, për shkak të humbjes së territoreve, etj. Por edhe për praktikën dhe për teorinë e
marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të ishte tragjike, sepse në këtë mënyrë do të
afirmoheshin kriteret të cilat ajo i ka tejkaluar që moti, si dhe për shkak se ky do të ishte një
tregues i qartë i konfrontimit global të shoqërive globale.
Nuk e besoj se mund të ketë midis shqiptarësh shumë të tillë që do të pajtoheshin qysh më
parë me një mundësi të tillë. Politika ndërkombëtare ndërkaq është një gjë e ndjeshme. Ajo
ofron mundësi të shumta të manipulimeve të ndryshme përmasash kolosale pikërisht për
shkak se pas tyre qëndrojnë shtetet. Ato mendojnë se me këtë mund të arrihen qëllimet e
caktuara dhe nuk hezitojnë fare kur është fjala për shfrytëzimin e metodave të tilla. Në anën
tjetër ekziston një numër i madh njerëzish nostalgjikë për kohërat e shkuara të cilët
ndryshimet demokratike në Evropën e Lindjes i përjetojnë si kthim në të kaluarën. Ata
mendojnë se është realizuar gjermanizimi i Evropës e jo evropeizimi i Gjermanisë. Është pak
e besueshme që në disa qarqe të mos mendohet që me anë të pazarllëkut me trojet shqiptare të
zënë pushtetin dhe është pothuajse e pa mundshme që një perspektivë e tillë e zgjerimit
territorial në llogari të shqiptarëve të mos u pëlqejë qarqeve të caktuara si në Beograd, ashtu
dhe në Athinë. Këto qarqe mbase mendojnë se kjo do të ishte fare në rregull, fare shik, dhe në
frymën e ndryshimeve demokratike në Evropë. Bile ndoshta ato shpresojnë se do të bëjnë një
salto mortale politike si në vitin 1937, dhe me ndihmën e miqve të forcuar t'i rikompensojnë
sërish interesat e humbura gjatë luftës së pandershme politike për pushtet. Ndoshta ata kanë të
drejtë. Për mua ndërkaq ata kanë të drejtë në masën në të cilën do të kuptohet se ndryshimet
politike në Evropë e mundësojnë deklarimin e parimit të vetëvendosjes politike. Atëherë kur
një popull deklarohet politikisht për zbatimin e këtij parimi, asgjë nuk mund ta ndalojë gjer
në realizimin e tij të plotë. Ndryshimet politike në Evropë e favorizojnë këtë. Me fjalë të
tjera, as vetë nuk e besoj se instrumentalizimi politik i kombit vetjak përbën një rrugë të
drejtë për arritjen e qëllimeve afatgjata. Ai detyrimisht e nënkupton karakterin autoritativ të
pushtetit dhe përkrahjen e këtij pushteti nga pjesët më reaksionare të popullit. Unë jam ithtar i
nevojës së forcimit të identitetit nacional dhe jo i instrumentalizimit të tij. Vetë procesi i
forcimit të këtij identiteti nuk mund të realizohet si kthim në të kaluarën por si ecje progresive
drejt së ardhmes. Një ecje që nuk i mohon vlerat pozitive të së kaluarës por i inkuadron në
vetvete dhe i kuptimëson në kohë. E di se dikur, për shkak të rivalitetit të fuqive imperiale
për territore dhe për tregje të reja, instrumentalizimi i popujve të vegjël ose të ndonjë pjese të
tyre të caktuar, ishte një gjë fare e rëndomtë. Popujt lidheshin për këtë ose për atë fuqi, dhe
për këtë shkak, tek popujt e vegjël lindën bindje dhe paragjykime për predispozitat miqësore
të kësaj ose të asaj fuqie. Kjo është në fuqi edhe sot por tani ka ndryshuar konteksti i
përgjithshëm i gjërave. Sistemet imperiale janë bërë të shtrenjta, sklerotike dhe joefikase,
prandaj janë lënë që moti. Rivaliteti i fuqive gjithnjë e më tepër do të realizohet si konkurrim i
zhvillimeve intensive të brendëshme dhe për prodhimin e zbulimeve sa më cilësore tekniko
teknologjike si dhe për tregjet që do të dijnë të konsumojnë prodhime të tilla. Ky fakt i vë në
pozicion të njëjtë si serbët, ashtu dhe shqiptarët. Serbët ndërkaq, do të duhej të hiqnin dorë
nga ëndrrat imperialiste; ata duhet ta njohin edhe de jure Republikën e Kosovës, për t'iu
kthyer kështu ardhmërisë së tyre. Këtu qëndron shkaku i theksimit tim se Republika e
Kosovës duhet krijuar në raport me veten dhe jo për inat të serbëve; se nuk ka kthim në
komunizëm, por as marshim drejt fashizmit, se demokracia nuk plotësohet me përmbysjen e
klasave por me luftën konkurrente të ideve dhe të vlerave për gjëra më të mira dhe më
cilësore. Me fjalë të tjera kam kërkuar që përmbajtja e shqiptarizmit të mos nxirret nga
antiserbizmi ashtu si përmbajtja e serbizmit të mos nxirret nga antishqiptarizmi. Kjo natyrisht
nënkupton mirëkuptimin dhe jo luftën, por as luftërat nuk janë zhveshur nga logjika sepse me
atë rast do të ktheheshim në kohërat e barbarizmit dhe jo të civilizimit. Duke e njohur edhe de
jure Republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i
madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë. Përse do të duhej
luftuar për t'u dëshmuar ajo që tashmë po shihet dhe që ekziston? Populli shqiptar thjesht
është deklaruar për shtetin e vet sepse e ka ndjerë nevojën për zhvillimin e mëtejshëm vetjak.
Në emër të çkafit serbët do të mund t'i pengonin? Edhe sikur vërtetë të besonin në atë që ua
ofron një pjesë e historisë në formë të mitit mbi Kosovën, tani kjo është e parëndësishme. Nuk
është miti udhërrëfyes i mirë për ardhmërinë por e vërteta. Pastaj nuk është tërësisht e sigurt
se luftërat mund të përfundojnë gjithmonë ashtu siç paramendohen dhe siç dëshirohen. Tani
është pothuajse e qartë se ekzistojnë qendra të largëta të caktuara të cilat i mbajnë në kontroll
proceset e luftës e të paqes si dhe rezultatet e tyre në të gjitha regjionet që kanë rëndësi për
paqen botërore. Tashmë është plotësisht e qartë se ato nuk dëshirojnë që në këto hapësira të
vijë gjer ke lufta. Ato e dijnë që populli shqiptar është dëmtuar në të kaluarën dhe se këtë
gjendje e ka edhe sot. Ata e dijnë se ai ka të drejtë të zhvillojë luftë mbrojtëse ose çlirimtare,
sepse luftërat e tilla konsiderohen, dhe janë, një e drejtë e natyrshme e popullit për
vetëmbrojtje dhe për ekzistencë. Si të tilla ato merren si legjitime edhe nga dokumentat e
OKB. Ato e dijnë gjithashtu se populli shqiptar, në territorin e vet kompakt, është i vetmi që
është sakatosur kryq e tërthor me kufij artificialë ndërshtetërorë, i nënshtruar ndaj organeve
shtetërore të disa shteteve, gjersa në shtetin e vet e ka pjesën më të vogël; se është i
përndjekur dhe se në disa vende, si në Kosovë, për një kohë të gjatë po i nënshtrohet politikës
së terrorit shtetëror. Pikërisht sepse e dijnë një gjë të tillë, ata e mbështesin politikën paqësore
të alternativës shqiptare në Kosovë; e lavdërojnë dhe e shpërblejnë, por njëkohësisht edhe e
kontrollojnë dhe ia tërheqin vërejtjen, edhepse këto vërejtje në të vërtetë i adresohen Serbisë,
sepse ata mbase vlerësojnë se vetëm Serbia është ajo që mund të zhvillojë luftëra në këto
hapësira. Ata e dijnë se populli shqiptar në këto hapësira, që ka të drejtë të mbrohet dhe të
luftojë për të drejtat e veta legjitime, është plotësisht i paarmatosur. Nga shtypi në gjuhën
shqipe lexojmë se shpeshherë zhvillohen aksione brutale për mbledhjen e armëve. Të vetmet
armë që ndonjëherë i gjejnë aty-këtu, janë ndonjë pushkë automatike, ndonjë revolver, dhe në
raste shumë të rralla, edhe ndonjë bombë dore. Në rrethanat e luftës, këto do të quheshin
armatim i lehtë i këmbësorisë. Në një luftë bashkëkohore këto do të quheshin si armë për
spastrimin e terrenit, por këto nuk janë armë për zhvillimin e çfarëdo lufte në kushtet
bashkëkohore. Vetë këmbësoria qysh moti është shndërruar në një forcë përcjellëse të njësive
tankiste, ndërsa vetë ai armatim së shpejti do të mbetet vetëm një relikt i së kaluarës nga
kohërat e gangster-dueleve të tipit të Al Kapones. Populli shqiptar askund tjetër, përveç në
Shqipëri, nuk e ka ushtrinë e vet të armatosur apo njësitë e veta paramilitare. Ajo që gjendet
në Shqipëri thonë se është akoma në procesin e riorganizimit dhe të modernizimit. Kam
dëgjuar se pikërisht tani, në këtë kohë të të gjitha rreziqeve të mundshme, paska qenë e
nevojshme të zëvendësohet komplet kuadri i shkolluar i oficerëve të armatës e të policisë me
të tjerë që tani sapo kanë filluar shkollën. S'mund të ekzistojë një indikacion më i qartë i
qëllimeve të një pushteti politik mbi rrugën paqësore të zgjidhjes së problemeve dhe për
lëshimin pa asnjë rezervë të vendit të vet në duart e faktorit ndërkombëtar. Ky është faktori që
dikur na ka ndarë. Tani do të na bashkojë, nëse jo për shkak të ndonjë paqeje të mundshme,
atëherë mbase për shkak të dëshirës për eksperiment! Për këtë shkak, ne shqiptarët e Kosovës,
që dikur e kemi luajtur rolin e dorës së parë në themelimin e shtetit shqiptar, tani iniciativën
për bashkim ua kemi lënë atyre, të cilëve u mbetet që fillimisht të modernizohen, ndërsa në
ndonjë të ardhme edhe të bashkohemi! Sa të mençura që janë këto qendra të largëta të fuqisë!
Atyre gjithmonë u shkon përdore që përmes vetë nesh të na mashtrojnë, ndërsa pas kësaj edhe
të na shpërblejnë e të na i rrahin miqësisht shpatullat.
Në Kosovë policia dhe mbrojtja territoriale qysh moti janë shpërndarë dhe janë çarmatosur.
Nuk u la që të mbijetonte asnjë formë organizative, por edhe në qoftë se përkundër kësaj u la
diçka për të mbijetuar, atëherë kjo sigurisht gjendet në parahistorinë politike të kohëve të
nomenklaturës komuniste titiste, që është lojale ndaj zotërve të vetë të vegjël, por jo edhe ndaj
ligjit, sepse ligje akoma nuk ka. Ata i janë lënë vetvetes, si jetimët. Në qoftë se në çfarëdo
mënyre veprojnë akoma, atëherë kjo ndodh për shkak të inercisë, dhe pikërisht për shkak të
inercisë së vjetër. Për shkak të situatës sonë të gjithmbarshme, kështu së paku po thuhet, asnjë
politikë nuk do ta marrë përgjegjësinë për ta. Sikur të kishin zbritur nga Marsi dhe sikur të
mos ishin prej këndej! Politika në këtë mënyrë i shmanget të qenit serize. Ajo bëhet joserioze.
Ajo do ta donte Republikën por nuk do ta donte edhe përgjegjësinë për të. Ndërkaq
Republika, sipas definicionit, nënkupton shtetin, dhe shteti duhet t'i ketë edhe ushtrinë edhe
policinë - dy karakteristikat e pakontestueshme të shtetësisë së shtetit. Bindjet dhe qëndrimet
e mia lidhur me këto çështje janë shumë të qarta dhe të tilla kanë qenë gjithmonë. Politika e
Republikës së Kosovës duhet të bëhet serioze. Këtu s'ka më «hem ma kanda hem s'dua». Ajo
duhet t'i pranojë si të vetat hem ushtrinë hem policinë. Ajo duhet t'i riorganizojë dhe t'i
organizojë ato në frymën e kohës dhe në pajtim me ndryshimet dhe detyrat e tyre. Policia dhe
ushtria e Republikës së Kosovës duhet të jenë efikase por edhe meritore për shërbimin në
shtetin e ri demokratik. Ato janë pasqyrë e moralit publik por edhe e dinjitetit të popullit sepse
për shkak të përbërjes së tyre sociale, ato i reflektojnë të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato
ndërkaq janë edhe diç më tepër: ato reflektojnë aftësinë e një shoqërie që të organizohet në
pajtim me arritjet botërore nga cilado fushë e veprimtarisë shoqërore por edhe aftësinë e asaj
shoqërie për të pranuar dhe absorbuar gjithçka të re, progresive dhe të pazvetënuar. Shkurt,
me shembullin e vet, dhe me nevojën për të vënë në jetë dhe për të zbuluar gjithmonë arritjet e
reja në fushën e shkencës, ato duhet të tërheqin gjithë shoqërinë përpara drejt progresit. Dhe
pikërisht ato s'duhet ta heqin mendjen kurrë nga dinjiteti i vet, dinjiteti i popullit të vet dhe i
shtetit të vet.
Pranimi i ushtrisë dhe i policisë nuk e nënkupton luftën. Në rastin konkret dhe në çastin
aktual ajo nënkupton kthimin e besimit në dinjitetin e vet. Ajo nënkupton edhe marrjen e
përgjegjësisë vetiake për zhvillimin e gjërave si në Republikën e Kosovës ashtu edhe për
Republikën e Kosovës. Në këtë botë nuk ekziston ndokund ndonjë vend, ndërkaq janë më
shumë se 180 sish që veten e quajnë shtet dhe që të mos e kenë ushtrinë dhe policinë e vet.
Këto i ka madje edhe Vatikani, së paku në kuptimin simbolik, ndonëse nuk e konsideron
veten si shtet të mirëfilltë dhe as që është i tillë në kuptimin klasik. Sikur shtetet të zhvillonin
luftëra vetëm për faktin se i kanë në dispozicion policitë dhe ushtritë e veta, atëherë
asgjëkundi dhe asnjëherë nuk do të kishim paqe. Ato janë instrumente të luftës dhe në rend të
parë të luftës, por ato mund të lindin edhe gjatë luftës. Është më mirë që të krijohen në kushtet
e paqes pikërisht për shkak të paqes. Ato gjithnjë e më tepër po bëhen instrumente të paqes.
Sipas hipotezës se Republika e Kosovës po njihet de facto, atëherë ç'kuptim ka që ushtria
dhe policia e Republikës së Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës, t'i kryejë punët e
ushtrisë dhe të policisë së Republikës së Kosovës? Përse të lejohet në këtë mënyrë nxitja e
urrejtjes dhe akumulimi i animozitetit midis këtyre dy popujve?
Më tej, është e vërtetë se politika e Republikës së Kosovës po thirret në një gandizëm të llojit
të vet dhe ajo vërtet është një gandizëm i llojit të vet. Unë vetë jam pionieri i vërtetë i kësaj
politike, sepse edhe para burgosjes në vitin 1981 e kam pasur të qartë raportin e drejtë të
forcave në botë. Për këtë dëshmon edhe libri im «Lufta e ftohtë dhe detanti» botuar në të dy
gjuhët në Prishtinë në vitin 1976. Në burg, gjatë gjysmës së parë të viteve '80-të, unë
gjithmonë kam ndikuar në përvetësimin e metodave paqësore të luftës për Republikën e
Kosovës, sepse atëherë kam qenë i vetmi njeri në Kosovë, të cilit i ishin plotësisht të qarta
pasojat eventuale të çfarëdo lufte. Ky ishte tek e fundit edhe motivi kryesor për shkrimin e atij
libri të vogël por të rëndësishëm, që më vonë për vite të tëra u bllokua dhe pothuajse u harrua.
Pastaj vetë përcaktimi im në atë kohë për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë në
mënyrë të natyrshme e përjashtonte çfarëdo mendimi për luftën, sepse ç'do të na duhej
Jugosllavia po të ishim të detyruar që brenda saj të luftonim për barazi?
Pas daljes nga burgu me 1985, atje ku isha i përndjekur, i izoluar dhe i ostracizuar
padrejtësisht, pa kurrfarë vendimi të shkruar nga çfarëdo instance e pushtetit, për vite të tëra u
kam folur fshatarëve që po e deshët Republikën në kuadër të Jugosllavisë, urdhëroni bashkë
me mua. Ndërkaq po e deshët Shqipërinë, kjo e nënkupton luftën. Ndërkaq për luftë le të
urdhërojnë të tjerët. Unë do të isha vetëm ushtar. Pushteti sigurisht që e dinte këtë. Ai e
përcillte çdo hap timin dhe çdo fjalë timen. Ai përpiqej që ca të tjerë, sidomos të rinj, t'i
shndërronte në mua me anë të tentimeve të çmendura për të depërtuar në trurin tim dhe me
anë të imitimeve tragjikomike. Nëntë vjet të tërë më bëri plotësisht të varur materialisht nga të
tjerët, fillimisht nga prindërit e mij të vjetër, nga vëllëzërit e mij më të rinj, dhe pastaj edhe
nga fshatarët tjerë. Nuk më lejonte të punësohesha askund duke i frikësuar punëdhënësit
eventualë. Asnjëherë nuk më dha pasaportë për udhëtim jashtë vendit. Dy herë themelova
familje me femra intelektuale dhe që të dy herët dështova. Ky fakt natyrisht është shfrytëzuar
që të më pamundësohet ikja, sepse çfarë do të bëja unë në të vërtetë me komoditetin jetësor të
jashtëm pa fëmijët e mi të mitur? Mos do të ketë qenë vallë e nevojshme që ndryshimet të
kryhen me një dialog aq të çuditshëm me mua, apo vetë unë të kem qenë tepër ambicioz? Nuk
e di. Me fjalë të tjera, është plotësisht e qartë nga ajo që u tha, se lufta për Republikën e
Kosovës me mjete paqësore nuk u zhvillua vetëm me një siguri rutinore prej zotërinjsh
elegantë nga kancelaritë e gjera e nga kabinetet e bukura. Ajo ka kërkuar privacione kolosale,
viktima e flijime. Ndërkaq privacionet dhe flijimet i bëjnë vetëm ata që kanë shkallë të lartë të
moralit vetiak por edhe që besojnë fuqimisht në ndershmërinë dhe në fisnikërinë e qëllimeve
për të cilat luftojnë. Sepse një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste
të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por
vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit.
Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të
paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë
pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të
bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë
shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e
oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e
modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo
lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin
forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë;
ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por
ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë. Mjafton që të
shfletohen faqet e «Zërit» që të shihet se me ç'zjarr e ç'pasion gazetarët e tipit të H. Matoshit
në emër të mësuesve të tyre e predikojnë imoralitetin në politikë! Implikimi i vetëm i
metodave të tilla është lufta e përgjakshme qytetare, dhe këtë gjë ata do të duhej ta dinin.
Në artikullin tim «Për një qasje më shkencore ndaj politikës në Kosovë» (DeA, 1-1991), e
kam nënvizuar në mënyrë indirekte trajtimin e gabuar dhe të njëanshëm të mendimit politik
tek ne. Pasoi një reagim i vrazhdët, histerik, vëllimor dhe gjithëpërfshirës i qarqeve të
përmendura politike. Kjo më dha të kuptoj se nomenklatura politike intelekuale e Kosovës
kishte vendosur të vinte në jetë ostracizmin e vjetër grek ndaj meje, gjë që dukej dhe
interesante, sepse kurrë nuk kam qenë kundër asaj që ajo ta zinte vendin që i takonte në
shoqëri. E dija se ishte fjala për një grupacion të fuqishëm politik pa ndonjë konkurrencë të
veçantë, dhe duke insistuar për një luftë konkurrente të ideve dhe të mendimeve, e dija që ajo
do të fitonte dhe do të bëhej forcë udhëheqëse e shoqërisë. Mirëpo unë doja vetëm që ajo
fitoren ta meritonte dhe që të mos ishte forcë e vetme e shoqërisë dhe as forca e vetme
udhëheqëse e shoqërisë. Desha që gjatë asaj lufte konkurrente të ideve dhe të vlerave të
konkurrojnë dhe të integrohen në politikë edhe forcat e reja që atëherë ndodheshin në procesin
e formimit. Mendoja që nga kjo të shpërthente një kualitet me anë të të cilit do të fitonim një
elitë politike intelektuale të shoqërisë më të gjerë, më të fortë, më të larmishme dhe më të
pasur me ide. Për vete kërkoja që vetëm të më pranonin si të barabartë. Siç shihet tani në faqe
të shtypit e gjithë kjo edhe po realizohet, por edhe tash në një formë disi të ngurtë, sikur
brenda kësaj forme, me ndryshime të vogla kozmetike, po kthehet realiteti i para vitit '81. U
desh që tamam unë të riarrestohesha që një përshtypje e tillë të kompletohej. U dashka vallë
vërtetë që e kaluara të kthehet në një formë të pandryshuar? Përse vallë pikërisht me ardhjen
dhe me konsolidimin e saj në pushtet 400 mijë njerëz u desh të iknin në botën e jashtame?
Harold Lasuelli, njëri nga frojdistët e shquar të Universitetit të Çikagos në SHBA, në vitet
30-ta të këtij shekulli e botoi librin «Psikopatologjia dhe politika» (Psychopathology and
politycs). Në faqet e tij ai argumeton se si njeriu, për t'u marrë me politikë, i duhet që motivet
e veta personale, me anë të procesit shoqëror të racionalizimit, t'i shndërrojë në interesa
shoqërorë të pranueshëm nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë, vlerëson ai, një veprim i
individit bëhet veprim politik. Mbase duke u mbështetur në këtë formulë të tij, nomenklatura
titiste-komuniste e viteve '80, të gjithë të dënuarit e atyre viteve i shpalli si marksistë-
leninistë. Në artikullin tim «Viti '81 dhe proceset e demokracisë» iu kundërvura një trajtimi të
tillë të atyre të rinjve dhe të rejave me tezën se ata nuk po e merrnin parasysh shkallën e
vetëdijes së tyre politike dhe veprimin e përgjithshëm sintetizues të parullës për Republikën.
E kam bërë këtë sepse e kam ditur se kjo gjë do ta sillte thellimin e vetëdijes për përkatësinë
klasore dhe për dallimet klasore. Atëherë kam besuar, por besoj edhe tani, se populli shqiptar
në Kosovë kurrë nuk e ka përjetuar shtresëzimin e njëmendët klasor të shoqërisë. Atë që unë e
quaj nomenklaturë komuniste-titiste të Kosovës, në të vërtetë është ajo elitë e brishtë dhe e
ndjeshme e pushtetit e cila përfaqëson pjesën udhëheqëse të shtresës sunduese të shoqërisë.
Por edhe kjo pjesë udhëheqëse e kësaj shtrese të shoqërisë është shumë e hollë, e ngushtë dhe
e ndjeshme. Ajo përfaqëson bazën prej rreth 100 mijë njerëzve për elitën sunduese të pushtetit
prej rreth 30-40 mijë njerëzish. Thënë kushtimisht, pjesa aktive e popullatës në luftën për
Republikën e Kosovës gjithashtu nuk e tejkalon këtë numër. Të dy këto pjesë me supozimin e
integrimit të barabartë në shoqëri, do të duhej të përfaqësonin dy shtyllat mbajtëse të
Republikës së Re. Mirëpo nëse njëra nga këto dy shtylla vazhdimisht duhet sulmuar për
majtizëm, për ideologjizim e për anim kah prosllavizmi, që sipas kritereve të tanishme të
shtypit është baras me tradhëtinë kombëtare, atëherë borgjezia e re shqiptare do të duhej të
gjente një popull tjetër në të cilin do të mbështetej, pasi që ata njerëz që i sulmon ajo janë
plotësisht nga populli dhe në popull. Atëherë do të duhej t'i ruante përjetësisht një tjetër polici
dhe një tjetër ushtri nga populli i vet dhe atëherë e gjithë filozofia e tyre s'do të ishte gjë tjetër
pos një përmbledhje e mjerë parullash demagogjike dhe marrëzirash të ndryshme.
Mirëpo në qoftë se policia e Republikës së Serbisë, e cila këtu po e kryen detyrën e policisë
së Republikës së Kosovës, megjithë faktin se kjo e fundit ekziston dhe njihet de facto
njëherësh kryen edhe funksionin e ruajtjes së pozicioneve të asaj elite të hollë të pushtetit,
atëherë ajo këtë detyrë nuk e bën mirë. Në rend të parë sepse popullit shqiptar i duhet të
mësohet me borgjezinë e vet. E dyta, sepse ajo borgjezi duhet të mësohet që ta respektojë
popullin vet si dhe kufizimet morale e tradicionale që ia imponon ai, qoftë edhe në mënyrë të
pavetëdijshme, dhe e treta, sepse në këtë mënyrë, siç po ndodh tani, krijohet urrejtja midis dy
popujve. Në qoftë se politika është në esencë matematikë, siç mendojnë disa me të drejtë,
atëherë operacionet matematikore me të cilat do të përmblidheshin rezultatet e një politike të
tillë thjesht do t'i vërtetonin implikimet e saj tejet të dëmshme për të dy popujt. Si do të dukej
për shembull, po të bënim një supozim teorik, që rastësisht borgjezia serbe nesër të kërkojë
shërbimet e një policie të huaj kundër popullit të vet? Këto janë supozime të cilat duhet të
tregojnë për paqendrueshmërinë e situatës në të cilën gjendemi dhe për nevojën imperative që
ajo të ndryshohet urgjentisht. Me fjalë të tjera, politika e Republikës së Kosovës duhet ta
marrë përgjegjësinë për ushtrinë dhe policinë e vet, ndërsa politika e Republikës së Serbisë
më në fund duhet ta kuptojë se po fillon epoka e familjes evropiane të popujve, se në të të
gjithë anëtarët do të jenë të barabartë, se populli shqiptar në Kosovë me të cilin do të jetojnë
plotësisht të barabartë edhe joshqiptarët, me metoda demokratike të luftës e ka fituar
Republikën e vet, ka vendosur që në atë familje të popujve të Evropës të hyjë si i njësuar.
Populli shqiptar është i barabartë me të gjithë popujt e Evropës. Ai nuk është i gatshëm për
luftë. Politika që e përfaqëson nga të gjitha pjesët ku ai jeton në emrin e tij ka hequr dorë nga
shfrytëzimi i metodave jodemokratike të luftës për realizimin e qëllimeve nacionale, por ai,
ashtu si çdo popull, ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe për zhvillimin e vet të papenguar
kombëtar. Për këtë shkak ai vetë dhe në mënyrë sovrane do të vendosë për ato forma të luftës
së vet të cilat do t'i përgjigjen mundësive të tij në kushtet dhe në kohën e dhënë. Është
plotësisht e pakuptimtë që të gjykohet dikush për potezat e ardhshëm eventualë të popullit të
tij, të cilët ai në asnjë kuptim s'ka mundësi t'i dijë.
Lidhur me këtë vetëm dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë
gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot
nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç'shkak individë të caktuar që s'kanë asnjë
lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj.,
vërtetë që s'kanë asnjë lidhje me gandizmin. Unë e di se çdo metodë e luftës paqësore e
demokratike s'mund të quhet gandizëm, sepse çdo metodë e tillë e luftës nuk është njëherit
edhe produkt i një filozofie të tërë të antidhunës, ashtu siç ishte në realitet dhe siç është
filozofia e Gandit, por vetëm një pasqyrë e situatës së caktuar dhe e kushteve të caktuara.
Ashtu siç e di edhe se sot atë e lavdërojnë pikërisht ato qarqe në botë të cilat kanë bërë, dhe
vazhdojnë të bëjnë edhe sot gjithçka, që njerëzit të mos e kuptojnë. Mirëpo kjo është punë e
tyre. Unë e mendoj veten si tepër larg Gandit. Pastaj, dhe kjo është më e rëndësishmja, një
pjesë e inteligjencisë shqiptare, do të duhej më së fundi të mësonte që për popullin e vet të
mendonte me kokën e vet, sepse edhe krahas shumicës së tij islamike, populli shqiptar kurrë
nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë popull aziatik. Ndonëse edhe islamizmi nuk ka
me të ndonjëfarë lidhje, t'i imponosh popullit shqiptar vlera që janë në kundërshtim me
frymën e tij praktike, nuk do të thotë vetëm moskuptim dhe keqinterpretim i tij, por edhe
dhunim të dinjitetit të tij, d.m.th. të një populli të lashtë evropian. Nuk e kam ndjerë veten të
goditur personalisht. Ishte obligim i imi intelektual kundrejt një kolosi të mendimit dhe të
frymës njerëzore, që të reagoj kundër atyre teprimeve. E bëra këtë në pjesën II të artikullit tim
"Bëje ose vdis" (Fjala, shkurt 1992). Dhe qëndroj edhe tani, si prapa kuptimit, edhe prapa çdo
fjale, pike e presje të shkruar në të.
Me këtë i jemi përgjigjur edhe pikës së tretë dhe të fundit të aktakuzës e cila bazohet në
esencë në çështjen e luftës dhe të paqes d.m.th., në karakterin dhe në llojet e metodave me të
cilat unë, si përfaqësues i popullit shqiptar e si kryetar i një partie që do të mund të bëhej e
rëndësishme, do të mund të shërbehesha eventualisht në luftën për realizimin e qëllimeve
kombëtare. Besoj se prokurori publik i Republikës së Serbisë në Prizren zoti Dobrivoje Periç
bazat për shkrimin e aktakuzës së tij i ka gjetur në disa elemente të cilat do të mund të
shpjegoheshin me atë që unë e përshkrova më sipër si formulë të Harold Lasswellit mbi
racionalizimin e motiveve personale dhe përkthimin e tyre në qëllime të gjithëpranueshme
politike. Besoj madje se në këtë drejtim ai është treguar i kujdesshëm, për ç'gjë e falenderoj,
por që megjithatë aktakuzën i është dashur ta shkruajë, që do të thotë se ajo përkujdesje nuk
është e lidhur me implikimet e veprës të cilën unë kurrsesi dhe në asnjë rast nuk e kam bërë
dhe as që është bërë nga ana ime. Por nëse kufizimet njerëzore na pengojnë që gjërat t'i
sqarojmë qysh më parë, d.m.th., para se të kenë pasur fare mundësi që të lindin, a mos ka qenë
vallë më e arsyeshme po t'i ishim përmbajtur porosisë së atij filozofi paraprijës të logjikës
atomistike të cilit për shkak të kuptimit të fjalës dhe të pyetjes i është cfilitur mendja dhe i
është çjerrë zemra - Ludvig Wittgensteini, i cili pas një lufte të mundimshme prapa vetës,
vetëm disa çaste para se të vdiste, konkludon: «Por për gjërat për të cilat s'bën të flitet duhet të
heshtet». Unë kësaj, duke ia ndajshtuar rastit tim, vetëm do t'i shtoja: Çdo përgjigje e
kuptimësuar fillimisht, në fund megjithatë bëhet plotësisht e pakuptimtë. Prandaj është
plotësisht e pakuptimtë që të gjykosh të pakuptimtën.
Në bazë të gjithë kësaj që u shtrua, duket sikur tani u bë e mundur që të ofrohet përgjigja në
pyetjet e bëra në fillim: përse jam i burgosur dhe përse po më gjykojnë? Për shkak të
interesimit që ka zgjuar ky gjyq në opinionin publik të Kosovës dhe për shkak të spekulimeve
të shumta lidhur me të dëshiroj të përgjigjem shkurt edhe në pyetjen: përse nuk po gjykohem?
1. Në burg nuk kam ardhur me dëshirën time, por kam qenë i arrestuar. Është gjë e paparë
që të sulmohet i burgosuri vetëm për faktin se ai pa dëshirën e tij është burgosur. Burgu nuk
është vend për zhvillimin e çfarëdo bisedave politike, por aty zhvillohen sulme dhe mbrojtje,
sulmon shteti dhe mbrohet individi i burgosur. Aty është vendi ku individi jep llogari për
veprat ose për bindjet të cilat shoqërisë nuk i kanë pëlqyer. Burgu s'është hotel apo shtëpi
pushimi, por është vend i vuajtjes. Nëse zotërinjtë që më sulmojnë nuk e besojnë këtë, përse
vallë nuk provojnë që të bëjnë diçka që do t'i çonte në burg për t'u bindur vetë lidhur me këtë?
Ndërkaq nëse i frigohen faktit se mos kam thënë diçka që atyre s'do t'u pëlqente, për fat të keq
nuk kam mundur të them asgjë më shumë se ç'nuk e kanë ditur ata vetë dhe ç'nuk e kam thënë
dhe botuar tashmë publikisht; asgjë që do të mund t'i çonte në burg, sepse tek e fundit, ata
janë të mbrojtur, ndërsa mua po më burgosin. Këta zotërinj e dijnë këtë gjë, por e di edhe unë.
Është e udhës që të mos më sulmojnë. Këtu nuk po zhvillohen kurrfarë bisedimesh politike,
ndërsa unë vetëm po i mbroj bindjet e mia politike. Në rast se kjo disave nuk u pëlqen, le ta
përkujtojnë se për këtë shkak unë jam burgosur dhe le të mendohen se mos i kanë kontribuar
edhe vetë kësaj pune, duke i ndjekur mësimet e makiavelizmit, konsekuencat e të cilit nuk i
kanë kuptuar kurrë dhe as që do t'i kuptojnë ndonjëherë sepse nuk e kanë kuptuar edhe vetë
atë. Ndërkaq populli i pamësuar mendon se titujt akademikë dhe dijet e vërteta janë e njëjta
gjë, gjë që nuk ndodh veçse në raste të rralla. Mirëpo do të duhej së paku të pranohej
ndershmërisht se Republika e Kosovës nuk është pronë private e askujt ndonëse po insistohet
edhe më tej që ajo të jetë e tillë.
2. Nuk po gjykohem për shkakun që e përshkruan «Bujku» pak kohë pas arrestimit tim,
d.m.th., se jam arrestuar për shkak se jam «i tillë», duke mos sqaruar se çfarë qenkam në të
vërtetë, «që ecën i vetmuar nëpër teh shpate», por nuk e thotë se me kë qenka dashur të
shoqërohem dhe se për çfarë tehu të shpatës është fjala? Më në fund ai thekson se jam
personifikim i politikanit dhe i intelektualit largpamës, por nuk e shpjegon se si qenka e
mundur kjo gjë, kështu që del sikur unë paskam aftësi parapsikologjike të fallxhorit, të
profetizuesit e të parashikuesit. Edhe këto pikëpamje për mua u gjasojnë atyre që u
përshkruan më lart. Janë të frymëzuara nga po ato qarqe të cilat me vite e dekada u përpoqën
dhe ia dolën ta denigrojnë personalitetin tim dhe aftësitë e mia intelektuale me qëllim që me
to të shërbehen për shkëlqimin dhe lartësimin vetjak. Këtë ua mundësoi sistemi dhe
zhdërvjelltësia e tyre për t'i shitur të fortit gjithçka që s'është e tyre në këmbim të asaj që do të
duhej të ishte vetëm e tyre. Ky mentalitet i kopesë mendon seriozisht se kjo praktikë është e
përjetshme dhe e pandryshueshme. Ata mendojnë seriozisht se individi mund të ngritet vetëm
me ndihmën e tyre. Për shkak të këtij besimi tragjik, baza e të cilit ndodhet në edukatën e tyre
patriarkale të tradicionalizmit fisnor akoma të gjallë ndër ne, ata më me dëshirë e me lezet do
ta hanin pjesëtarin e tyre se sa ta lejonin që të pavarësohej plotësisht prej tyre. Ky mentalitet i
kopesë më ka vënë tashmë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, por ai po vazhdon të
veprojë me vrull, agresivitet dhe intensitet të pazbutur. Prandaj po u drejtohem sërish: Më lini
të qetë! Nuk po më gjykojnë për shkakun tuaj. Asnjëherë nuk jam gjykuar për shkakun tuaj
edhepse ju keni dashur ta besoni një gjë të tillë. Nuk e kam ngrënë asnjëherë ndonjërin prej
pjesëtarëve të kopeve tuaja të shumta sepse ndjej neveri nga një gjë e tillë. Po pata mundësi
do të përpiqem t'i ndryshoj themelet tuaja në mënyrë që në të ardhmen të vdesin dhe të
zhduken manitë tuaja njeringrënëse. Ndërkaq po qe se nuk ja dal dot kësaj pune, atëherë më
gllabëroni më në fund të tërin, ose më lini të qetë!
Pastaj intelektualët e vërtetë nuk presin që të jenë të kuptuar nga çdokush dhe nga të gjithë,
por edhe ata kanë të drejtë për mbrojtjen e jetës së vetë private dhe për respektimin e
personalitetit të vet. Pavarësisht se ç'mendojnë për mua qarqet e caktuara politike, unë veten e
vlerësoj në raport me të qenit dhe me qenjen e kohës. Prandaj mendoj për vete se në këto çaste
këtu po gjykohet njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të popullit shqiptar. Nuk dyshoj aspak
se në të ardhmen do të lindet dikush, nëse nuk ka lindur tashmë, që do të dij ta përqasë veprën
time dhe jetën time në raport me mundësitë e veta. Mënyra e sjelljes suaj ndaj meje nuk flet
për mua por për ju. Në këtë gjykatë nuk gjendet asnjëri nga anëtarët e familjes sime të
ngushtë. Asnjë prej tre fëmijëve të mi mitur.
3. Mendoj se do të ishte një gjë pretencioze po të pohoja se jam burgosur dhe se po
gjykohem për shkak të punimeve të mia të botuara ose të pabotuara apo edhe vetëm për shkak
të mendimeve të mia. I kam shkruar disa punime dhe artikuj të rëndësishëm studimorë. I kam
shkruar qëllimisht në atë mënyrë që secili prej tyre, duke i llogaritur edhe letrat e mia të
hapura, të përfaqësojnë një vepër të vogël kapitale, por njëherësh edhe një syzhe apo
përkujtues për shkrimin e shumë veprave kapitale ose ndoshta vetëm për një vepër të madhe
kapitale të lidhur organikisht. Ndërkaq, nuk kam shkruar vepër të madhe kapitale. Më ka
munguar paqja e duhur në këto 15 vjetët e fundit që t'i përkushtohesha seriozisht një gjëje të
tillë. Jam mbrojtur prej kafshimeve të ndryshme të kopeve të përshkruara. Vepra ime e madhe
kapitale megjithatë është inkorporuar në Republikën e Kosovës dhe në lëvizjen e
gjithëmbarshme të shoqërisë përpara. Mirëpo për këtë unë një herë e kam mbajtur dënimin me
burg. Për këtë arsye tani as jam burgosur as po gjykohem.
Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të
alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi
sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time
në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të
çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme
dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin
personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me
pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa
shkaqet juridike që i përmban aktakuza s'mund të qëndrojnë absolutisht dhe angazhimet e
gjertanishme të mbrojtësve jashtëzakonisht të përgatitur e profesionalistë të Republikës së
Kosovës këtë e vërtetuan patundshmërisht. Prandaj besoj se Republika e Kosovës nga aspekti
juridik është në gjendje që të mbrohet absolitisht vetëm. Mbrojtësit e saj për këtë arsye janë në
lartësinë e thirrjes së vet dhe të profesionit të vet si dhe të dinjitetit të Republikës apo të shtetit
të vet. Për këtë shkak unë iu falenderohem dhe u dëshiroj sukses në të gjitha luftërat juridike
për forcimin e themeleve dhe të ndërtesës ashtu si dhe të pamjes së jashtme dinjitoze të shtetit
të tyre, Republikës së Kosovës.
Me faktin se shkaqet juridike nuk qëndrojnë ngaqë janë shembur në mënyrë të argumentuar
nga ana e mbrojtësve të mi të Republikës së Kosovës, vetëm vërtetohet se ky gjyq është i një
natyre politike. Shkaqet politike të mbajtjes së tij edhe më tej mbeten. Për ato shkaqe të
natyrës politike ky gjyq duhet të marrë vendimin e vet gjyqësor. Me kumtesën time të gjerë
për prapavijën politike të këtij gjyqi, në mënyrë të ndershme dhe objektive kam dashur t'i
ndihmoj këtij gjyqi që të marrë vendim objektiv, jo sepse dyshoj në objektivitetin e tij, por
sepse tek ai arrihet me njohjen e plotë dhe zbulimin e argumenteve kundërshtuese dhe
kontradiktore.
Ndërkaq vetë fakti se kam mundur të jem i burgosur për shkak të mundësisë së ndikimit tim
në lëvizjet e gjithëmbarshme politike në këto hapësira, i përforcon dyshimet e mia të
sipërpërmendura për mundësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në bazë të përkatësisë së tij
religjioze në kundërshtim me interesat e tij të vërteta nacionale. Prandaj mendoj se është e
rëndësishme të theksohet se është e drejtë e çdo populli për informim të drejtë dhe objektiv
lidhur me rëndësinë e akteve politike në të gjtiha vendet në këto hapësira. Duke mos dashur të
prejudikoj asnjë zgjidhje, gjë për të cilën janë kompetentë organet politike shtetërore dhe
trupat e tyre, mendoj se si qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës, dhe si pjesëtar i kombit
tim, i thirrur në gjyq për shkak të bindjeve të mia politike, kam të drejtë të nxjerr në pah
qëndrimet e mia për gjërat që mendoj që janë në interes të përgjithshëm. Prandaj mendoj se
është në interesin tonë, e për të gjithë ata që jetojnë në këto hapësira dhe që s'kemi ndonjë
atdhe tjetër, që:
1. Republika e Serbisë ta njohë edhe de jure dhe jo vetëm de facto Repubikën e Kosovës.
2. Që Republika e Kosovës ta kryejë më në fund formimin e organeve të veta shtetërore.
3. Që Republika e Serbisë t'i lirojë nga burgu të gjithë të burgosurit politikë, sidomos
ushtarët dhe oficerët e Republikës së Kosovës.
4. Që Republika e Kosovës t'i njohë si të vetët dhe t'i qaset seriozisht marrjes së
përgjegjësisë shtetërore duke i riorganizuar dhe organizuar ato shërbime (policinë dhe
ushtrinë) në pajtim me rendin demokratik të shtetit të saj.
5. Që organet kompetente të Republikës së Shqipërisë t'i shqyrtojnë edhe një herë vendimet
e të burgosurve politikë dhe që t'i lirojnë më në fund nga burgu. Mendoj se është plotësisht e
pakuptimtë të mbahen njerëzit nëpër burgje vetëm për shkak se i takojnë një kohe tjetër. Nëse
janë gjykuar se kanë mundur eventualisht që të ndikojnë në lëvizjet politike të kohës së sotme,
atëherë për ç'drejtim të atyre lëvizjeve bëhet fjalë vallë, kur një regjim demokratik nuk mund
të hapë një diskutim të lirë dhe të përgjegjshëm për çështjet thelbësore të kombit?
6. Shqiptarët e krishterë ortodoksë janë ndër pjesët më të arsimuara të kombit shqiptar. E
kanë kishën e vet autoqefale të cilën e ka themeluar shumë i përndershmi Fan Noli.
Intelegjencia shqiptare e këtij konfesioni është tejet e ngritur dhe ajo padyshim ka kontribuar
dhe vazhdon të kontribuojë në ndërtimin e kombit shqiptar. Ata kanë të drejtë dhe detyrë që ta
artikulojnë disponimin e vërtetë të pjesëtarëve të thjeshtë të bashkësisë së vet fetare që janë
ndjerë gjithmonë si shqiptarë dhe jo si grekë, ashtu siç është e drejta e tyre që t'i shprehin
lirisht bindjet dhe ndjenjat e tyre nga pozitat e përkatësisë së tyre nacionale në raport me të
gjithë popujt tjerë që i përkasin kishës së krishterë lindore. Një gjë e tillë nuk i bën më pak
shqiptarë se ç'janë në realitet. Për këtë shkak diskutimet politike midis shqiptarëve, jo vetëm
në Shqipëri, duhet të lirohen nga mosbesimet në baza të tilla. Shqiptarët janë komb evropian
dhe s'mund t'ia lejojnë vetes luksin e të shprehurit në trajtë despotike aziatike.
7. Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për
çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit.
Ky bashkim duhet të bëhet në bazë nacionale dhe jo religjioze. Mundësisht me rrugë
institucionale. Prandaj njohja edhe de jure dhe konstituimi i plotë i Republikës së Kosovës
është një akt me rëndësi të shumëfishtë për zhvilimin e mëtejshëm të situatës në këtë pjesë të
Evropës, sepse bashkimi i popullit shqiptar është e drejtë e tij historike, imperativ i kohës,
dhe fundja, është fati i tij historik. Popullit shqiptar i duhet të ndeshet me fatin e tij personal
politik dhe pa kurrfarë dyshimi, në çfarëdo mënyre qoftë, ai këtë do ta bëjë.
8. Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon
historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të
trojeve shqiptare.
*Vërejtje: Teksti i mësipërm (Fjala e mbrojtjes) është konceptuar nga autori si pjesa e
tretë e ciklit "Individi dhe proceset politike". Pjesa e dytë, me gjithë përpjekjet e mia
(B.E.), nuk u sigurua dot ngaqë si duket është konfiskuar nga policia me rastin e
arresimit të tij të fundit.
Deklarata politike*
I
Parimi i proklamuar gjatë fazës së krijimit të shteteve nacionale në Evropë - një komb/një
shtet, sipas të cilit pjesa absolutisht më e madhe e një populli përfshihej brenda kufijve
nacionalë të shtetit të vet (shtetit/komb), në rastin e shqiptarëve, përkundër vullnetit të tyre, u
implementua pjesërisht: më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe më tepër se gjysma e
trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
II
III
IV
Duke marrë parasysh shkallën e arritur të varësisë reciproke të shteteve dhe të popujve në
Evropë dhe më gjerë, në botë, pastaj faktin se historia e kombeve zhvillohet në ndërlidhje
reciproke dhe se nuk është i mundur zhvillimi i izoluar i asnjë populli, Partia e Unitetit
Kombëtar vlerëson se zhvillimi i proceseve integruese dhe Bashkimi i Evropës, si dhe krijimi
i Rendit të Ri Botëror, e ndihmon angazhimin dhe luftën e hapur legale për bashkimin e
shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në një shtet të vetëm. Tendenca themelore që lidhet me
proceset e tranzicionit demokratik në shtetet e Evropës Lindore dhe të ish-Jugosllavisë është
pikërisht përfundimi i procesit të krijimit të shteteve nacionale dhe i pavarësimit të tyre.
Bashkimi i Evropës përmes realizimit të parimit komb/shtet, ose një komb-një shtet, ose
bashkimi i Evropës përmes zbatimit të parimit të vetëvendosjes së popujve, paraqitet si
formulë e vetme e përshtatshme për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Evropës së Bashkuar
dhe për prosperitetin e popujve të saj. UNIKOMBI, duke u angazhuar për zbatimin e këtyre
parimeve (të vetëvendosjes dhe të kombit/shtet) në rastin e shqiptarëve, i ndihmon
njëkohësisht avansimit të proceseve në fjalë të lidhura me bashkimin e Evropës dhe me
ndërtimin e rendit të ri ndërkombëtar politik.
Duke u nisur nga këto parime, UNIKOMBI i mbështet të gjitha aktet që kanë të bëjnë me
krijimin dhe institucionalizmin e Republikës së Kosovës. Jetësimin e plotë të saj e sheh në
funksion të bashkimit të kombit dhe të proceseve integrative në Evropë. Kosova Republikë e
pavarur është një hallkë me rëndësi tranzitore drejt bashkimit përfundimtar të kombit, por jo
edhe përfundim i këtij procesi. Për këtë shkak, ajo angazhohet njëkohësisht për inicimin,
zhvillimin dhe forcimin e atyre proceseve që çojnë drejt realizimit të këtij qëllimi; si parti, ajo
do të investojë përpjekje dhe mund të duhur për përsosjen e vazhdueshme të organizimit të vet
në funksion të këtij qëllimi; për zhvillimin e atyre formave të demokracisë dhe të atyre
raporteve me forcat tjera politike brenda dhe jashtë vendit që do t'i ndihmonin
funksionalizimit të këtij qëllimi. Parulla "një komb-një shtet" mbetet devizë kryesore e punës
dhe e angazhimit të UNIKOMBIT gjer në realizimin e saj të plotë në kushtet dhe në rrethanat
që do ta mundësojnë këtë.
*Është fjala për Deklaratën politike të cilin autori e kishte përgatitur me rastin e zgjedhjes së tij për Kryetar
të UNIKOMB-it. Kjo deklaratë zë një ndër pikat kyçe të aktakuzës së ngritur kundër tij nga prokurori serb i
Prizrenit pas arrestimit në maj të vitit 1994.
PJESA III
KËRKESA PËR REPUBLIKË ËSHTË KËRKESË PËR ZHVILLIM MË TË
SHPEJTUAR
Esenca e problemit
Me fjalë të tjera, nuk e besoja se ishte fjala për kontrarevolucion, ndonëse Millosh
Mishoviqi më pati shpallur si njërin "nga inspiratorët ideorë të aksioneve
kontrarevolucionare". As edhe ajo që më vonë nënkuptohej me nocionin e revolucionit
antiburokratik, në Kosovë nuk pati kurrfarë jehone. Njerëzit e vlerësuan si ndërrim të
burokracisë, sepse, në esencë, Kosova nuk kishte burokraci të vetëlindur. Ajo vetëm
dëshironte ta kishte. Por jo t'ia impononin.
Është e vërtetë se ligjëratat e mia në shkollën politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin
Marksist «Edvard Kardel», në të dy gjuhët në Prishtinë, në drejtimin Ndërkombëtar-Juridik të
Fakultetit Juridik (viti III dhe IV), dhe në Fakultetin Filozofik, kanë qenë të inspiruara me
dëshirën për tejkalimin e pazhvillueshmërisë së Krahinës. Sintagma se për këtë
pazhvillueshmëri do të duhej të turpërohej edhe Evropa e jo vetëm ne, duhet të këtë lindur
atëherë, në ato ligjërata. Me tërë qenien e urreja pazhvillueshmërinë e Krahinës, por nuk e
kërkova përmbysjen e pushtetit të klasës punëtore. E kërkova vetëm përsosjen e tij d.m.th. të
sistemit vetëqevërisës. Ndoshta në atë kohë kam qenë njëri nga intelektualët më me influencë
të gjeneratës sime. Përmes bisedave tematike që i pata inicuar në baza interdisciplinare
shkencore, provoja të vija gjer te njohuritë mbi mundësitë e një zhvillimi më të shpejtuar.
Kur u shkaktuan ngjarjet, nuk tentova t'i shmangem përgjegjësisë sime. Duke u nisur nga
qëndrimi se politika ishte shprehje e koncentruar ekonomisë, konsideroja së kërkesa e
parashtruar për republikë në esencë ishte vetëm kërkesë për një zhvillim më të shpejtuar dhe
më të gjithanshëm ekonomik.
Si e tillë ajo figuronte në të gjitha dokumentet partiake dhe shtetërore të vendit në tërësi.
Nuk kuptoja se përse në atë kohë, rreth kësaj çështjeje, ngritej aq shumë pluhur. Në fillim
nuk e kuptoja edhe se përse i shmangeshim bisedës së hapur për këtë, por kur u ndodha në
burg, e kuptova se nuk kisha pasur përvojë të mjaftueshme politike. Megjithatë nuk më erdhi
keq. Supozoja se esenca e problemit nuk do të ndryshohej në qoftë se i largoheshim
shqyrtimit të saj. Dhe nuk u ndryshua. Sot flitet mbi demokracinë si formë të organizimit të
shoqërisë, kurse në të vërtetë fjala është për konstituimin e Kosovës në Republikë brenda
Jugosllavisë. Disa forca opozitare në Kosovë për shkak të këtyre fjalëve përsëri do të më
anatemojnë si jointelektual. Si edhe dikur në të kaluarën, sërish do të shpjegojnë se nuk jam
kurrfarë intelektuali. Forca të tjera ndoshta përsëri do të më ostracizojnë, do të më burgosin,
ose ndoshta edhe nuk do ta lejojnë botimin e këtyre fjalëve. Mirëpo kujt i shërben në të
vërtetë heshtja e mëtejshme? Ç'na duhet thellimi i mëtejshëm i jazit të marrëdhënieve
ndërnacionale në Kosovë? Kujt i shërben copëtimi i Jugosllavisë? Ç'na duhen burgosjet e
mëtejshme, vrasja e të rinjve? Ç'na duhet dhe kujt i shërben cfilitja e të gjithë popujve në
Jugosllavi, në krizën e gjatë 9-vjeçare të luftës me nerva? A s'do të ishte më me mend që të
gjithë së bashku, por të barabartë, ta ndërtojmë të Nesërmen e Madhe, në vend që me kufoma
ta shënojmë këtë të sotme mizerabël? Populli në Kosovë dëshiron që vetë dhe me ndihmën e
popujve tjerë të Jugosllavisë të zhvillohet, e jo ta zhvillojnë të tjerët; ai dëshiron të jetë
subjekt i barabartë në bashkësinë e popujve të Jugosllavisë, e jo si të tillë vetëm ta trajtojnë;
që vetë t'i zgjedhë përfaqësuesit e vet të vërtetë, e jo t'i thuhet se, në të vërtetë, tashmë i ka
zgjedhur; që me të vërtetë ta ndajë fatin e Jugosllavisë, e jo t'i shpjegohet se këtë tashmë e ka
bërë me ndryshimet kushtetuese në RS të Serbisë; që me të vërtetë të jetë faktor i paqes dhe i
prosperitetit brenda Jugosllavisë, në këto hapësira, e jo që ta heshtin me fundamentalizmin
islamik dhe me intriga mbi spiunazhet. Shkurt, Kosova tejet shtrenjtë po e paguan çmimin e
së drejtës për të folur hapur mbi republikën e vet brenda Jugosllavisë dhe për konstitutimin e
vet si të tillë. Unë, gjithashtu, shumë shtrenjtë i pagova botëkuptimet e mia, por tani së paku i
shkrova. Nuk do të ketë nevojë që të rrëmihet më nëpër të kaluarën time, e as që të më
shkatërrohet familja përsëri. Mirëpo t'i kthehemi akuzës mbi spiunimin në dobi të Sigurimit.
Më parë në këtë tekst shpjegova se rreth kësaj e vetmja gjë e vërtetë ishte se atëbotë unë e
kryeja funksionin e Sekretarit të Sekretariatit të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës për
Marrëdhënie me Botën e Jashtme, (në periodën midis viteve 1971-1977). Duke e përfshirë atë
periodë, gjer në vitin 1981, kam qenë gjithashtu anëtar i Komitetit Republikan të RS të
Serbisë për Marrëdhënie me Botën e Jashtme; pjesëmarrës aktiv i Këshillit Federal për
Bashkëpunim Ndërkombëtar; anëtar i Komisionit të SFPJ për moszgjerimin e armëve
nukleare (aspektet juridike të çështjes); anëtar i komisioneve të ngjashme të KK të LK të
Kosovës, të KK të LSPP të Kosovës, etj. Andaj, realisht (e jo vetëm formalisht), kam qenë
njëri nga kreatorët kryesorë të pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar të
vendit, edhe në planin organizativ, por edhe në atë praktiko-politik. Në qoftë se puna rreth
këtyre çështjeve konsiderohet si "vënje të themeleve të shtetësisë së Krahinës" («Duga»),
atëherë këtë vërtet e kam bërë, por nuk e kam bërë për shkak të Sigurimit, dhe as për hir të tij,
por për shkak se një gjë e tillë ishte e përmbajtur në politikën e LKJ-së dhe në kushtetutën e
vendit.
(...)Gjyshi im (ndjesë pastë!), në rininë e vet herë pas here ishte marrë me shitjen e duhanit
gjer në Kukës -Shqipëri. Kjo gjë, si duket, kishte qenë një lloj fitimi për të. Kishte menduar
se mënyra e tillë e fitimit kishte qenë më e mirë sesa vjedhja e kafshëve të trasha. Ai vdiq
gjersa unë isha shumë i ri, por më kujtohet se asgjë të bukur nuk më pati thënë për shoqërinë e
paraluftës atje. Përshtypja e tij kryesore kishte qenë se lumjanët paskëshin jetuar mizorisht,
duke shtuar se edhe shpellat i kishin përdorur si strehimore për fëmijët dhe familjet. Për këtë
shkak, sa herë që në ekranin e TV Tiranës shihja se si kishin ndërtuar shtëpi dhe e kishin
punuar tokën, kjo me të vërtetë, më gëzonte. Gjyshi im ishte analfabet, por gëzohej
tmerrësisht për shkollimin tim. Për këtë shkak, kurdoherë që në ekranin e TV Tiranës e shihja
se si po shkolloheshin edhe fëmijët e tyre atje, pikërisht si edhe unë këtu, kjo me të vërtetë më
gëzonte. Shkurt, konsideroja se të drejtën për t'iu gëzuar të arriturave në të dy vendet nuk
mund të ma merrte askush.
Në anën tjetër, vetëm dy-tri herë i kam takuar qytetarët nga RSP e Shqipërisë dhe kam
biseduar privatisht me ta. Kanë qenë ato biseda të shkurtëra në grupe të mëdha. Asnjëherë
s'kam bërë bisedë zyrtare me këdoqoftë nga RSP e Shqipërisë pa prezencën e funkcionarëve
tjerë ose të njerëzve nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav. Ky ishte një gabim i imi që
rridhte nga gjendja e sëmurë e shoqërisë. E drejta për të biseduar privatisht me fqinjtë e mi
është një e drejtë e imja e patjetërsueshme. Fakti se s'kam mundur ta realizoj e tregon
gjendjen mizore në raportet midis dy shoqërive. Dhe, ju lutem, për një gjë të tillë mos e
fajësoni vetëm palën tjetër! (Autori i drejtohet shtypit, dhe mbase jo vetëm shtypit, të
Beogradit; vër. e red.).
Në Shqipëri s'kam asnjë mik ose shok. Konsideroj se për këtë shkak jam i dëmtuar si qytetar
dhe si njeri. Nuk kam kurrfarë aftësishë telepatike. E kam vetëm një tranzistor që i takon
gruas dhe një aparat TV që ma falën prindërit. S'jam teknikisht i arsimuar. Nuk kam telefon,
por ata që kanë, më thonë se s'munden që drejtpërsedrejti t'i thërrasin miqtë e tyre në Tiranë.
Kjo lidhje shkon përmes Beogradit dhe Shkupit, e ndoshta edhe përmes Romës, Parisit apo
ndonjë qyteti tjetër.
Edhe serbët më ortodoksë, domëthënë edhe ata që konsiderojnë se shqiptarët nuk rrjedhin
nga ilirët (dhe nuk thonë se nga rrjedhin, por zhvillojnë vetëm supozime të ndryshme), nuk e
mohojnë se shqiptarët në Jugosllavi dhe ata në Shqipëri janë i njëjti popull, d.m.th. se kanë
gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë dhe histori të njëjtë. Mirëpo kjo nuk është kurrfarë pengese
për t'u konstituar në komb të veçantë, sepse nuk mund të mohohet bindshëm fakti se është
bërë plotësisht e pakuptimtë të flitet për ta si për një pakicë kombëtare, ndërkaq as që mund të
mohohet fakti se nocioni "kombësi" esencialisht është i karakterit kalimtar dhe se tashmë
është i tejkaluar. Po ashtu nuk mund të mohohet nevoja për një zhvillim të shpejtuar të
Kosovës. Nëse kjo gjë ishte ashtu, dhe sigurisht që ishte, dhe në qoftë se kjo është akoma
ashtu, atëherë prej meje nuk ka qenë e mundur të pritet që të angazhohesha për qëndrim të
kundërt vetëm e vetëm që më vonë të mos më quanin spiun i Sigurimit. Për shkak të
përcaktimeve të tilla parimore, konsideroja se zhvillimi i marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare
duhej të ishte në funksion të interesave afatgjata të të dy vendeve, por edhe në funksion të
zhvillimit të kombësisë shqiptare te ne. Në nivel të konkretësisë, d.m.th. në nivel të realizimit
të përcaktimeve të tilla parimore, ka patur lëshime të ndryshme, por ato nuk i vinin në pyetje
përcaktimet parimore, pa i marrë parasysh tendencat e tanishme që të dëshmohet e kundërta.
Ka pasur edhe atëherë vërejtje të ndryshme kritike ndaj këtij bashkëpunimi. Ato mund të
reduktohen në dy grupe: e para mund të quhet qasje afirmative, por esencialisht fjala ishte për
presionin që ai bashkëpunim të vihej në funksion të afirmimit të sistemit vetëqeverisës në
Shqipëri. Ata që e mbështetnin këtë qasje kanë qenë tejet të padurueshëm. Atje shihnin
mundësi të pakufizuara ndikimi në drejtim të demokratizimit dhe të hapjes së shoqërisë
shqiptare. Dhe nuk mund të thuhet se ai bashkëpunim mbeti pa ndonjë jehonë në këtë plan,
por qasja e tillë në ekzaltimin e vet shpesh e tepronte; nuk e merrte parasysh në mënyrë të
mjaftueshme ndjeshmërinë e palës tjetër. Ndonjëherë për këtë shkak kjo rezultonte në
mosmarrëveshje të panevojshme, me shtyrje të ndërsjella dhe më në fund ndikonte
negativisht në përpjekjet pët t'u arritur besimi reciprok; dhe b) e dyta mund të quhet qasje
negative, dhe gjer në një shkallë nihiliste, ndaj marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare.
Frikësohej prej ndikimit të tyre te ne. Dinte ta akuzonte mbylljen e Shqipërisë, por në esencë
e kërkonte mbylljen e Kosovës ndaj Shqipërisë. E vinte në pyetje pozitën kushtetuese të
Krahinës, si edhe vendin dhe rolin e kombësisë shqiptare në zhvillimin e bashkëpunimit
ndërfqinjësor në këtë vend. Natyrisht ndodhesha në konflikt me të dyja këto qasje, por këtë e
konsideroja si pjesë të luftës së përditshme politike për realizimin e përcaktimeve parimore.
Në burg, gjatë një kohe, më akuzonin se kërkoja tretman specifik për kombësinë shqiptare
në këtë bashkëpunim. Kjo ndihej tashmë në ajër gjatë tërë kohës pas daljes sime nga burgu, në
mënyrë që më në fund ta merrte formën e akuzës për spiunim në favor të Sigurimit.
Konsideroj se në esencë kjo reduktohet në çështjen e kufijve. Si specialist i politikës
ndërkombëtare, kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se kufijtë në Ballkan janë vetëm hallkë e
fundit e procesit të përkufizimit të përgjithshëm imperialist në Evropë. Kurrë s'kam besuar në
mundësinë e suprimimit të tyre të dhunshëm, e as në nevojën për ta bërë një gjë të tillë.
Besoja megjithatë në mundësinë e tejkalimit të tyre. Tek e fundit, në dritën e ndryshimeve të
tanishme dhe të ardhshme në Evropë, kjo çështje është bërë irelevante.
Nga ana tjetër, kurrnjëherë nuk kam konsideruar se Enver Hoxha ka qenë stalinist në
kontekstin e atëhershëm të botëkuptimit mbi stalinizmin. Kjo ishte në kundërshtim me
origjinën dhe me edukimin e tij. Ndërprerja e mëvonshme me Mehmet Shehun e përforcoi
këtë bindje. Nuk e kam besuar indoktrinimin e rinisë sonë, d.m.th., nuk e kam besuar
importimin e kontrarevolucionit e as eksportimin e revolucionit. U duartrokas ndryshimeve
demokratike në Evropë, por nuk mendoj se socializmi do të duhej të zhdukej, e as se
demokracia do të duhej të eksportohej. Besoj në ardhmërinë e Evropës, por përderisa ajo të
arrijë te ne dëshiroj të jetoj në paqe me veten. Besoj se kjo letër do t'i kontribuojë
botëkuptimit se prodhimi artificial i spiunëve nuk i shërben asgjëje.
21 Mars 1990
Krushë e Madhe
Përse autentike?
Një akademik i shquar, mik i imi i vjetër, në një bisedë jo-formale, private, duke menduar
për titullin e gazetës që tani e keni në dorë, pak si me rezervë më pyeti: "Përse autentike?"
Ndërkaq, një gazetar, nxënës dhe adhurues i akademikut në fjalë, e shprehu haptas
mospajtimin e vet me fjalët se "demokracia është një", dhe se "nuk ka demokraci autentike".
Që të dy, edhe akademikun, mikun tim të vjetër, edhe gazetarin, i kishte munduar i njëjti
hall, por atë nuk e thonin. Problemi i njëjtë më kishte munduar edhe mua me vite të tëra. Më
në fund kisha ardhur në përfundimin kategorik se gazeta jonë do të duhej të quhej
"Demokracia autentike". Ashtu edhe e emëruam.
Kjo që po shkruaj nuk është polemikë me akademikun, as edhe me gazetarin. Duke u
përpjekur që t'i parashtroj arsyet e një veprimi të tillë, në të vërtetë bëj polemikë me vetveten,
dhe njëkohësisht shpresoj se lexuesi i nderuar do t'i aprovojë argumentet dhe do të pajtohet
me pagëzimin e gazetës, duke e konsideruar si të veten.
Në rend të parë, e pagëzuam ashtu për shkak se demokracia, si formë e vjetër e organizimit
shoqëror, gjatë më se 2000 vjetëve të historisë së saj, kishte qëndruar dhe ishte mbajtur për
një kohë më të gjatë vetëm atje ku ishte lindur në mënyrë autoktone dhe atje ku në
organizimin politik ishin respektuar kushtet, mentaliteti, karakteri dhe veçoritë e vendeve dhe
të shoqërive në fjalë. Demokracia, si formë e organizimit shoqëror, si sistem politik, kudo dhe
çdo herë që ishte respektuar ky parim, gradualisht kishte formuar parime dhe principe të
përgjithshme, universale, si ato që përmenden në tekstin që flet mbi arsyetimin politik të
nevojës mbi nxjerrjen e gazetës "Demokracia Autentike", por edhe ishte begatuar, ishte
hijeshuar dhe ishte zbukuruar, ndonëse akoma nuk e kishte marrë formën e përkryer,
përfundimtare: polisi antik i Athinës ia kishte falur dukjen, pak si të hajthme, të ndjeshme,
subtile dhe kapricioze; britanikët ia kishin falur rendin, seriozitetin dhe përpikmërinë e
xhentëlmenëve. Në kohën moderne, Agorës së Athinës ia kishin dhënë kuptimin e Parlamentit
bashkëkohor, vendit ku asgjë me rëndësi nga sfera e politikës nuk do të duhej të mbetej pa u
prekur; francezët ia kishin falur patosin oratorik. "Assemblee Nationale" e tyre, gjatë historisë
së kohës moderne, ishte shndërruar në një vend betejash verbale, të fjalimeve plot pasion,
tekstualisht, të tretjes së ndjenjave pasionante në fjalë dhe mendime po aq goditëse, therëse,
por edhe ledhatuese, ndonjëherë dinake, dhe përgjithësisht elegante. Me fjalimet e tyre në
asamble, francezët shpeshherë kishin zhvilluar gjimnastikë të mendjes, por gjithmonë e kishin
zhvilluar edhe kulturën e demokracisë franceze.
Demokracia në Kosovë
Nga ana tjetër, përcaktimi im për demokraci nuk ishte i lehtë, por edhe as i rastit. Botimi i
pjesës II të artikullit tim «Viti 81 dhe proceset e demokracisë» të cilin revista «Alternativa» në
Lubjanë e paralajmëroi qysh moti, por akoma nuk e bëri, e jep një pasqyrë të qartë të
argumeneteve në favor të këtij përcaktimi. Lexuesi pa dyshim do të njihet edhe me pjesën e
III të punimit që ka të bëjë me lidhmërinë e proceseve të tilla të Kosovës me ato në Evropë.
Mirëpo është me rëndësi të theksohet se nuk mund ta çrrënjos bindjen time të thellë se
demokracia në Kosovë u vetëlind dhe u pagua shtrenjtë. Kjo nuk do të thotë se po mohohet
ndihma e Evropës dhe e Komunitetit Ndërkombëtar. Ndihma e faktorit ndërkombëtar,
ndonëse tejet e çmuar, megjithatë lidhet me viktimat tona. Kujtimi i ditës makabër të 27
janarit 1990 në fshatin Brestovc (4 të vrarë dhe 19 të plagosur) dhe i ditëve të mëpastajme në
Kosovë, të mbushura me gazra kimike, tym e barot dhe viktima të reja në njerëz, nuk lejojnë
dot ndonjë përfundim tjetër. Gjithmonë ka qenë në natyrën e shqiptarëve nderimi i miqve, por
edhe më tepër, nderimi i vetes së tyre. Dhe është një rregull i ngulitur i qytetërimit respektimi
i rendit të gjërave. Të tjerët nuk do të na duan më pak për shkakun se demokracia në Kosovë u
vetëlind dhe nuk u importua.
Demokracia në Kosovë, nga ana tjetër, nuk u vetëlind për shkak se shqiptarët iu frikësuan
luftës. Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës
kurrnjëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta. I takon virtytit të
mençurisë së një populli përpjekja që idealet e veta t'i sendërtojë pa gjakderdhje. Do të duhej
të ishte në natyrën e idealit të sendërtohej pa gjakderdhje. Mirëpo shqiptarët, për idealin e tyre
të Republikës dhe të Demokracisë, e paguan tashmë tagrën e gjakut më tepër se ç'duhej dhe
më tepër se ç'mund të kuptohej edhe nga rezonimi më i ftohtë dhe më kalkulant politik.
Republika dhe Demokracia për ta në këtë mënyrë u bënë një pikë e pakthim, ose point of no
return siç e thotë M. Bakalli (shih M.Bakalli, "Si më tutje?", Zëri i Rinisë, 3.X.1990). Për ta
arritur këtë pikë u detyruan ta paguajnë shumë shtrenjtë tagrën e gjakut. Një ditë doemos do të
kërkohet shpjegim edhe për këtë. Shpjegimi gjithsesi do të jepet, por mendja megjithatë nuk
do ta kuptojë, për shkak se zhvillimi i saj do të ecë në drejtim të fisnikërimit, të
njerëzishmërisë e të lartësimit shpirtëror. Dhe jo në drejtim të kundërt, të cinizmit dhe të
indolencës, të interpretimit grotesk të plojave, të krimeve, të masakrave dhe të kasaphanave.
Arsyeja nuk do të zbresë në nivelin e bishave, por do të ngritet në nivelin e njeriut.
Dhe shqiptarët nuk e merituan Republikën dhe Demokracinë vetëm me luftën e tyre epike 9
vjeçare, por me tërë historinë: në vorbullën e dyndjeve të popujve, merita e tyre nuk qëndron
vetëm në atë se mbetën të patretur. Koncepti juridik i maturisë për të cilin flet Ismail
Kadareja, që në lashtësi i kontribuoi ndërtimit të së resë së sotme.
Nga ana tjetër, fjalët se "Kjo hapësirë, nga e cila dikur shpërthenin luftëra botërore, tani ka
rastin, apo do të duhej ta kishte atë, që të shndërrohet në vatër të rrezatimit të proceseve të
demokratizimit në nivel kontinental" (shih "Viti 81 dhe proceset e demokracisë", Alternativa,
7-8, 1990, Lubjanë) ndonëse në dukje të parë romantike, nuk ishin të rastit. Në qoftë se
Kosovën dikur e quanin, dhe akoma e quajnë, fuqi-baroti, hapësirë tendosjeje, vatër krizash,
etj., përse të mos shndërrohej sot në vatër të rrezatimit të demokracisë e të paqes? Në qoftë se
dikur konsiderohej kërthizë e drejtpeshimit organik të forcës, tani do të duhej të shndërrohej
në strumbullar të së resë demokratike. Kjo gjë, natyrisht, nuk varet vetëm nga vullneti i mirë i
shqiptarëve. Ata e dëshmuan këtë me përcaktimin për Republikë dhe për Demokraci, për
barazi e liri me popujt tjerë të Jugosllavisë. Në favor të paqes dhe të demokracisë në
Jugosllavi, Ballkan dhe Evropë e ofruan përbashkësinë dhe jo përçarjen, zhvillimin dhe jo
ngecjen. Ndërkaq, me çka po e dëshmojnë popujt tjerë të Jugosllavisë mirëkuptimin për
përkufizimin e të drejtës natyrale të shqiptarëve për bashkimin e kombit? Me çka po e
dëshmojnë vullnetin e tyre për t'i akceptuar si të barabartë, si subjekt shtetformues dhe
shtetndërtues dhe jo si objekt rezerv për drejtpeshimin e interesave të veta sikurse duket
shpesh? Përse shqiptarët nuk figurojnë as në projektin e federalistëve dhe as të
konfederalistëve? Shqiptarët, natyrisht, do të duhej të insistonin në përgjigjet e këtyre
pyetjeve dha ata këtë tani po e bëjnë. Ata nuk do të mund ta bartin përgjegjësinë e asaj që nuk
varet prej tyre.
Demokracia, nga ana tjetër, në aspekt të përmbajtjes mund të jetë e mangët, jo e plotë, e
papërsosur, por nuk mund të jetë as e vjetër dhe as e re. Ajo e synon plotësinë dhe përsosjen
dhe kjo është imanente në çdo proces pozitiv. Demokracia, siç shihet, këtu kuptohet si formë
e rregullimit shoqëror për të ndihmuar procesin e përsosjes së njeriut, të raporteve shoqërore,
të shoqërisë dhe të njerëzimit. Ajo nuk kuptohet si kallëp i dhënë statik për statizimin dhe
përjetësimin e atare raporteve. Një demokraci që do të ishte në funksion të ngurtësimit të
raporteve të dhëna shoqërore, nuk është pronë e shoqërisë por vetëm e elitës. Ndërkaq
demokracia nuk mund të jetë kundër elitës por kundër elitizmit, d.m.th. kundër elitës për hir të
elitës. Në luftën konkurrente të vlerave, ato më të mirat do të duhej ta zinin vendin e merituar
në radhët e elitës. Mirëpo demokracia si formë e organizimit shoqëror e nënkupton krijimin e
kushteve të barabarta, së paku formalisht, për të gjithë pjesëmarrësit e luftës konkurrente. Çdo
rregull tjetër mund të pagëzohet me emra të ndryshëm, por jo me atë të demokracisë.
Rregullat e saj nuk mund të rezultojnë në anarki. Anarkia dhe demokracia nuk kanë asgjë të
përbashkët.
Nga e gjithë kjo del se me emrin "Demokracia Autentike" synohet përkufizimi i
origjinalitetit dhe përcaktimi i kontributit specifik kosovar në zbatimin e parimeve universale,
të gjithëpranueshme të demokracisë, por edhe në ndërtimin dhe përsosjen e saj të
vazhdueshme si ide universale e orientimit të njeriut për të jetuar i lirë dhe i barabartë me të
tjerët. Si sistem politik, do të duhej të mundësonte kushte të barabarta për realizimin e
qëllimeve të tilla njerëzore në mënyrë të njerëzishme, pa dhunë. Ne nuk dyshojmë se lexuesit
e nderuar do të na ndihmojnë me sugjerimet, vërejtjet dhe me kontributet e shkruara. Për këto
gjithmonë janë të mirëpritur. "Demokracia Autentike" do të jetë e hapur për të gjitha
mendimet, por e përcaktuar për realizimin e qëllimeve të veta shoqërore, në shoqëri dhe për
shoqërinë.
Le të lulëzojë Demokracia Autentike në të gjitha zemrat e lexuesve të vet në Republikën e
Kosovës dhe në çdo vend ku do të lexohet!
Cynthia Enloe (Sinthia Enlo) në librin e saj problematik "Policia, armata dhe etniciteti"
(Globus, Zagreb, 1990) e jep një vlerësim interesant: "Proletarizimi i ushtrisë, -thotë ajo, -nuk
është garancion i homogjenizimit etnik", për të konstatuar më vonë se "Ushtria është jo vetëm
instrument i ndryshimeve (ndonëse jo gjithmonë edhe i zhvillimit) por edhe vetë ndryshohet
së bashku me ndryshimet në bashkësinë politike". Teza e parë ka të bëjë me ndryshimet e
strukturës socio-klasore në favor të shtresave të gjera popullore në armatat e shteteve të
Evropës, të cilave, përkundrejt tendencave të hapura për të homogjenizuar përmbajtjen e
nocionit shtet-komb, përmes kategorisë së përgjithësuar "qytetar", prapëseprapë realiteti u vë
pikëpyetje dhe dilema të shumta, që në instancën e fundit, tendencat e tilla qëllimmira i
redukton në funksion të armatës, si armatë e etnikumit dhe jo e të gjithë qytetarëve. Armatat e
shumicës së vendeve në zhvillim e kanë të theksuar rolin e faktorit integrues në shoqëri.
Mirëpo, duke e luajtur këtë rol, ato shpeshherë i kanë mbrojtur interesat e kombit (etnikumit)
dominant. Procesi i integrimit është zhvilluar ose ka tentuar të zhvillohet ashtu si e kanë
paramenduar këto etnikume dhe jo gjithmonë në harmoni me intersat reale të shoqërisë në
tërësi. Mirëpo vetë përbërja e armatës nuk mund të qëndrojë statike, sidomos jo në kohën
moderne. Dhe po qe se armata ndryshon së bashku me ndryshimin në bashkësinë politike
(gjithsesi po) atëherë edhe funksioni integrues i saj do të duhej të ndryshojë dhe të zhvillohet
në harmoni me interesat e vërteta të një shoqërie të dhënë. Ky nuk është një konstatim vetëm i
Cynthia Enloes, por është i pranishëm edhe në shkrimin që vijon dhe në proceset pozitive që
dëshirohen të zhvillohen.
Ai e pranonte pohimin se mund të kenë vdekur edhe aksidentalisht, por me të drejtë vërente
se "vetëm sepse aksidentalisht u lindën shqiptarë" (B.Elshani, Kush ju vrau, Alternativa, 6-
1990). Më në fund i duartrokitën APJ-së edhe atëherë kur ndodheshin në rrugë, duke
protestuar kundër terrorit dhe duke u hapur rrugë proceseve të demokracisë. Si mund ta shkelë
armata këtë besim të tyre?
Shqiptarët e konsideronin armatën si të veten jo sepse gjatë luftës i kontribuan krijimit të saj
dhe pas luftës ndërtimit të vendit, por edhe sepse pjesëmarrja e tyre në efektivet ushtarake sot,
pas vlerësimeve të përgjithshme, arrin në 33%. Ata, me fjalë të tjera, i respektonin bijtë e tyre
në armatë dhe armatën e përbërë edhe nga ata. Andaj, në qoftë se armata qëndron pas
intervistës së Gjeneralit Kadijeviq, është fare e natyrshme për shqiptarët që të insistojnë në
akceptimin e realitetit të dhënë. Ralitet i dhënë është Republika e Kosovës. Armata më së
paku do të duhej ta mohonte.
APJ sigurisht e ka të qartë se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet me akordimin e
demokracisë dhe me mohimin e republikës. E para do të thotë akceptim i të drejtave të njeriut,
si njëra nga shtyllat kryesore për ndërtimin e sistemit demokratik, kurse e dyta (mohimi i
republikës) do të thoshte mohim i të drejtave kombëtare, një gjë esenciale për të drejtat e
njeriut, sepse këtu nuk është fjala për njeriun abstrakt, por vetëm për atë konkret. Në
instancën e fundit, një politikë e tillë do të çonte në përvojën e praktikuar politike të
Jugosllavisë midis dy luftërave botërore, pra, në politikën e asmilimit të dhunshëm të rreth 3
milion shqiptarëve në Jugosllavi. Të drejtat e njeriut pa ato nacionale, për një numër aq të
madh njerëzish, nuk kanë kurrfarë kuptimi. Ushtarakët e dijnë se logjika e tillë do të shkonte
ndesh me stabilitetin dhe me zhvillimin e proceseve demokratike në Evropë.
Do të dëshironim të besonim se "heshtja" apo "fjetja" e çështjes së jetësimit të Republikës së
Kosovës bëhet, shprehur ushtarakisht, për shkaqe taktike dhe jo strategjike. Ndërkaq, heshtja
e plotë e kësaj çështjeje nuk mund të jetë frytdhënëse dhe nuk është zgjidhje e problemit.
Jugosllavia në Evropë, qoftë si federatë e modernizuar, qoftë ashtu siç do të merren vesh
popujt e saj, do të shkojë gjithsesi, por jo pa e zgjidhur çështjen e jetësimit të Republikës së
Kosovës, sepse, sikurse e thekson edhe vetë gjenerali Kadijeviq duke folur për mundësinë e
shpërthimit të luftës qytetare, atëherë gati me siguri mund të supozohet se as Evropa nuk do të
ishte Evropë, por Azi. Ndërkaq, as Jugosllavia dhe as Evropa, nuk mund t'ia lejojnë vetes të
shndërrohen në Azi. Për këtë shkak besojmë se politika do të merret vesh me veten dhe se
armata do të merret vesh me politikën mbi një platformë të pranueshme për të gjithë dhe që do
të na mundësonte të gjithëve të mbetemi evropianë.
Lubjanë, 10.XII.1990
(Intervistë dhënë Radio Tiranës më 6.III.1991 për emisionin "Për shqiptarët jashtë atdheut")
Në fillim dëshiroj t'i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Tiranës të emisionit "Për shqiptarët
jashtë atdheut". Ka shumë kohë që jam i njoftuar me punën e dobishme të emisionit tuaj për
informimin e bashkatdhetarëve shqiptarë, por edhe të miqve të huaj të Shqipërisë, me
këndvështrimin dhe qasjen e saj origjinale ndaj problemeve të ndryshme të botës, dhe mbi vlerat
e krijuara materiale dhe shpirtërore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në tërësi që ky emision i
prezentonte sidomos përmes këngëve dhe melosit të bukur shqiptar.
Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo është hera e parë qysh nga viti 1981 që i drejtohem
opinionit përmes një mediumi masiv duke filluar me këtë bisedë përmes Radio Tiranës. Do të
dëshiroja t'ia kisha filluar përmes Radios apo Televizionit të Prishtinës, por ato tani nuk punojnë.
Janë suprimuar nga forcat policore serbe. Megjithatë, fakti se kjo bisedë po zhvillohet nga një
qytet jugosllav (Lubjana) në Slloveni me Radio Tiranën në Shqipëri, që në praktikën e djeshme
politike anatemohej si emër i padëshirueshëm për jugosllavët dhe i rrezikshëm për shqiptarët, e
tregon gjithë dramaticitetin e rrethanave të ndryshuara në drejtim të demokratizimit të jetës
politike në raportet jugosllavo-shqiptare dhe në drejtim të kristalizimit gradual të rolit të Kosovës
në zhvillimin e këtyre proceseve. Meqë me punën dhe me jetën time që në fillim kam qenë i
përfshirë në këto procese dhe i kam kontribuar fuqimisht zhvillimit të tyre pozitiv, e falenderoj
gazetarin, zotin Alfred, dhe miqtë e tjerë, për faktin se u kujtuan që të zhvillojnë një bisedë të
vullnetshme dhe jo obliguese me mua për Radio Tiranën.
Ju tashmë jeni të informuar me situatën politike ndër ne dhe me gjendjen e përgjithshme në
Kosovë. Shkurtimisht dhe në vija të përgjithshme atë do ta ravijëzoja kësisoji: Kosova nuk është
e lirë. Ajo është e okupuar nga forcat speciale të policisë serbe. Një pjesë e njerëzve e kanë
braktisur punën sepse nuk u pajtuan dot me imponimin e dhunshëm të shtetit juridik serb dhe me
shkeljen e vrazhdë të autonomisë së Kosovës, të identitetit dhe të vetëqenies kombëtare. Një
pjesë e inteligjencies, kryesisht ndjekës të politikës së vjetër të para vitit 1981, u vendos në
Zagreb e Lubjanë. Një pjesë tjetër, kryesisht protagonistë të proceseve politike nga vitet '80, u
largua në Perëndim. Partitë politike që u formuan në Kosovë këto vitet e fundit, ose nuk kanë
kushte pune, ose nuk u lejohet të punojnë. Sidoqoftë, ato në programet e tyre, në planin nacional,
ndonëse në mënyra të ndryshme u deklaruan për akceptimin e Republikës së shpallur të Kosovës
në shtator të vitit të shkuar nga deputetët e kuvendit në një sallë rrëzë grykës së maleve të
Kaçanikut, nuk i kanë përpunuar dhe definuar qartë akoma qëllimet nacionale dhe mënyrën e
realizimit të tyre. Ndërkaq, populli ndodhet në një gjendje të rëndë ankthi. Me fjalë të tjera,
populli vuan, por me vuajtje ka vendosur të fitojë.
DEA (Demokracia Autentike) është një gazetë e pavarur e një grupi të vogël intelektualësh
shqiptarë që gjer më tani vepruan nga Lubjana, kurse tani kanë vendosur të kthehen në Kosovë
dhe të veprojnë atje.
DEA, për ndryshim nga faktorët tjerë politikë e publicistikë kosovarë, ka program dhe orientim
të qartë politik që nga fillimi, d.m.th., që nga viti 1981, pasiqë pjesa më e madhe e redaktorëve
dhe e bashkëpunëtorëve të saj këto qëndrime i kanë mbrojtur nëpër burgjet jugosllave duke i
vuajtur edhe dënimet për to.
DEA e akcepton Republikën e Kosovës si fillim të zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi.
Në formulimin e kërkesës për regjistrim -në fillim, dhe me akceptimin e shpalljes së Republikës,
jemi nisur nga këto tri premisa qenësore:
1. Se në këtë mënyrë nuk do të shkaktohej acarimi i tepruar i raporteve Kosovë - Jugosllavi;
2. Se ky do të ishte një solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, pos
për shovenizmin serbomadh, të cilin do të duhej ta luftonin vetë serbët. Mdërkaq, me këtë nuk do
të rrezikohej pavarësia e shtetit shqiptar dhe paqja në Ballkan; dhe
3. Se një solucion i tillë nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve
në funksion të interesave të huaja globale apo regjionale.
Ne me këtë shpresonim dhe e dëshironim sidomos mos-rrezikimin e veprimtarisë së shtetit
shqiptar. Ndërkaq, në planin e brendshëm, në atë të Republikës së Kosovës, gjithnjë duke i
akceptuar premisat e njëjta, por duke pasur parasysh edhe faktin se në Shqipëri, Kosovë dhe
Jugosllavi u zhvilluan dikur, gjatë Luftës së Dytë, revolucione autoktone dhe me forcat e veta, ne
jemi deklaruar për një demokraci që do t'i nënkuptonte të gjitha parimet e saj universale
(zgjedhjet e lira, sistemin shumëpartiak, parlamentin, ndarjen e pushteteve, etj.) por e cila do të
kishte kujdes për kushtet dhe rrethanat e veçanta, (siç është p.sh. pazhvillueshmëria), dhe ato
autentike, të mentalitetit kolektiv shqiptar; për përbërjen ndokund të përzier nacionale dhe për
veçori të tjera. Shkurt, gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi kundër importimit dhe kundër
imponimit të modeleve të huaja të demokracisë. Konsiderojmë se demokracinë në Kosovë e
lindën vetë shqiptarët dhe nuk e importuan nga jashtë. Për ndihmën e jashtme shqiptarët kanë
pasur dhe gjithmonë do të kenë konsiderata të larta, por ata nuk mund ta lejojnë humbjen e
identitetit të tyre për hir të kësaj ndihme. Në natyrën e shqiptarëve ka qenë gjithmonë nderimi i
miqve, por para së gjithash nderimi i vetvetes.
Proceset e demokratizimit në Shqipëri i kemi vështruar dhe i vështrojmë nga dy aspekte: e para,
kemi qenë ndoshta ndër të rrallët që kanë konsideruar se socializmi radikal apo militant (siç e
quante ndokush) në Shqipëri, ka qenë në funksion të zhvillimit dhe të bashkimit. Ishte pikërisht
ky shkaku i mbrojtjes sime të hapur që i bëra Shqipërisë me 1981, duke e rrezikuar veten me
burg, ndërsa më vonë edhe me izolimin 9-vjeçar, me etiketimin si "i kuq", dhe me shpifje të tjera
përcjellëse. Sot realizimi i qëllimit të parë akoma nuk është kompletuar. Për këtë jemi të
vetëdijshëm. Por t'i mohohet Shqipërisë çfarëdo arritje, madje edhe në planin e kulturës e të
arsimit, s'mund të jetë më pak se idiotizëm politik. Në këtë kontekst, s'mund të arsyetohen assesi
sjelljet primitive dhe vandaliste të disave, rrëmbimet e anijeve dhe ikjet në masë jashtë kufirit,
rrëzimi vandalist i statujës së Enver Hoxhës dhe ankesat poshtëruese nëpër shtetet e Perëndimit.
Duke i akceptuar motivet e brendshme të mospajtimit të mundshëm të këtyre njerëzve me një
sistem të caktuar politik, si është e mundur vallë që ata ta harrojnë dinjitetin e të qenit shqiptar
dhe vetëdijën e tyre politike se i takojnë një shteti, pavarësisht nga mospajtimet me regjimin?
Shumë kohë më parë, qysh me 1912, një kryeministër serb, Nikolla Pashiqi, në një bisedë me
Hartvigun, i deleguar i carit rus në Ballkan, i pati thënë atij: "S'ka komb shqiptar, ka vetëm fise
shqiptare". Tërë historia e kombit shqiptar ndërkaq e demanton këtë pohim të tij të motivuar nga
qëllime imperialiste. Ndërkaq sjelljet e këtyre njerëzve sot nuk janë në harmoni as me vetëdijën
politike shqiptare dhe as me shpirtin kombëtar. Ato sjellje na lënduan. Ngushëllohemi me faktin
se euforia - si veti e papjekurisë politike, është një fenomen që mund të ngjajë kudo.
b) Me shpalljen e Republikës së Kosovës është bërë një realizim i mundshëm i qëllimit të dytë
nacional - atij të bashkimit. Natyrisht, një realizim jo i plotë, por duke filluar nga vlerësimet reale
mbi veten, mbi kontekstin real të forcave, jemi të mendimit se proceset integrative të Evropës do
t'i ndihmojnë zgjidhjes adekuate të çështjes shqiptare. Është me rëndësi se hapja e kësaj çështjeje
tani e ka eliminuar nevojën e militantizmit socialist dhe i ka hapur rrugë demokracisë në
Shqipëri. Për këtë shkak ne i përshëndesim proceset demokratike në Shqipëri dhe urojmë që
demokracia të jetë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të mëtejshëm të popullit shqiptar në
Shqipëri dhe në përgjithësi.
c) Duke i përshëndetur të gjithë shqiptarët, të gjithë dëgjuesit e emisioneve tuaja, dëshiroj t'i
përshëndes përzemërsisht ata me të cilët i kalova vitet e burgut, që tani ndodhen dhe veprojnë
jashtë vendit, shumica brenda LPRK-së, por edhe ata që dikur i takoja nëpër Evropë dhe
Amerikë. Dëshiroj t'u them se rënia e ideologjisë dhe akceptimi i demokracisë i ka bërë të
pavlefshme zënkat e tyre të brendshme. Të jeni të gjithë gjelozë në ruajtjen e pavarësisë
shqiptare, se ajo është themeli i identitetit kombëtar. T'ia keni besën proceseve të demokracisë,
pavarësisht nga vështirësitë. Politikisht të vetëdijshëm për qëllimet tona, uroj të delni faqebardhë
si gjithmonë nëpër tallazet e jetës së këtij populli të stërvuajtur.
Pyetje: Kam dëgjuar se disa nga gazetat tona ju kanë ofruar bisedë që para 7-8
muajsh, mirëpo nuk keni pranuar të flisni. Cilat kanë qenë arsyet që pas daljes nga burgu
për 5-6 vjet të tërë të heshtni?
Përgjigje: Për sa i përket "Zërit të Rinisë", kam dëgjuar se kanë bërë plan për të
biseduar me mua, mirëpo këtë plan nuk kanë ardhur që ta realizojnë. Ndërkaq, gazeta e
studentëve "Bota e Re" e ka dërguar një gazetar tek unë, mirëpo ai erdhi në Krushë të Madhe,
ku jetoja, me ca mysafirë të tjerë, ndonëse më parë u kisha dhënë të kuptojnë se nëse donin të
bisedonin me mua duhej të vinin vetë, ekskluzivisht për të biseduar për gazetën. Përveç kësaj,
isha i prekur në "Botën e Re" sepse si profesor i Universitetit në vitin 1981, ndonëse i pari u
vura në mbrojtjen e studentëve, kjo gazetë, që është e tyre, nuk e kishte parë të arsyeshme që
të bisedonte më parë me mua.
Pyetje: Për këta 7-8 muajt e fundit është biseduar me shumë të burgosur politikë
shqiptarë në Kosovë. Cila është arsyeja që juve, megjithatë, nuk ju është dhënë fjala gjer
më sot në mjetet tona të informimit?
Përgjigje: Për shkak se kam qenë i izoluar. Të gjitha fjalët që janë thënë se kinse unë
nuk pranoj të flas për gazeta nuk janë të vërteta. Tekstet e mia të dërguara "Rilindjes",
"Intervjusë" në Beograd, "Vjesnikut" në Zagreb e "Dellos" në Lubjanë, nuk janë botuar dhe
nuk botohen as sot e kësaj dite. Pra thjesht për arsye politike ka ekzistuar bllokimi im total për
të dalë në opinion.
Pyetje: Përse mendoni se ju kanë bllokuar?
Përgjigje: Faktikisht më kanë bllokuar për shkak se unë kam qenë i vetmi personalitet
politik i Kosovës që hëngri burg në vitin 1981. Do të të jap një shembull mjaft ilustrativ për
bllokimin tim dhe detyrimin që të mbetem në izolim. Një personalitet i mbrojtjes së të
drejtave të njeriut të Helsinkit në vitin 1989 e kishte porositur njërin që të më tregonte se
dëshironte të takohej me mua. Unë i thashë se pranoja të takohesha duke i shfaqur preferencën
që të vinte në shtëpinë time në Krushë. Mirëpo as ai që ma solli porosinë dhe as përfaqësuesi i
Helsinkit nuk u dukën kurrë më. Ishte fjala për Berit Bekerin. Para dy javësh e thirra në
telefon nga Lubjana dhe e pyeta se përse nuk kishte ardhur tek unë me 1989. Ajo tekstualisht
m'u përgjigj se unë nuk paskam dashur të bisedoj me të. Kur ia ktheva se unë e kisha pritur në
shtëpi, ajo më tha se s'kishte ardhur sepse është frikësuar se mos i shkaktoja ndonjë dëm. E
pyeta: "I keni mbrojtur vallë atëherë të drejtat e njeriut apo diçka tjetër?" Zonja Beker, e
njohura ime që kur isha Sekretar i Punëve të Jashtme, atëherë m'u përgjigj se përveç asaj që u
tha më lart, i paskan thënë edhe se unë qenkam vetizoluar në Krushë të Madhe, dhe si i tillë,
nuk qenkam i informuar dhe e paskam ndërprerë kontinuitetin e ngritjes sime intelektuale e
politike. Pra me një fjalë, Zonja Beker, në bazë të kësaj informate, deri para dy javësh ka
kujtuar se unë intelektualisht jam i krisur ndërsa mendërisht gjendem jashtë realitetit kohor.
Këso informatash për mua, jo vetëm zonjës Beker, por edhe disa të interesuarve të tjerë
ndërkombëtarë, u kanë dhënë disa nga qarqet e politikës aktuale, ndërkaq s'mund të jetë fjala
vetëm për shtetin serb. Shkurt e shqip, nuk e kanë pasur për qëllim të më eliminojnë vetëm
politikisht, por edhe intelektualisht.
Pyetje: A dëshironi t'i thoni konkretisht emrat e atyre njerëzve?
Përgjigje: Nuk është punë njerëzish, është punë e një politike të tërë, ose e një aparati
shtetëror. Pra kam qenë i penguar në të gjitha format, madje edhe nëpërmjet shkatërrimit të
familjes sime të ngushtë. Dhe kjo ka ndodhur si rezultat i një konflikti të vazhdueshëm me një
politikë që unë e kam quajtur recidiv të politikës së vjetër, recidiv të para vitit 81,
përkatësisht, recidiv të raporteve të mia me atë politikë. Përmes kësaj mënyre kanë dashur të
më detyrojnë që të vihem në shërbim të tyre, mirëpo unë këtë nuk e kam pranuar. Nuk e kam
pranuar për shkak se i kam takuar dhe i takoj një politike të re dhe një mendimi të ri politik.
Pyetje: Çka nënkuptoni me vijën e re politike?
Përgjigje: Këtë keni mundur ta vini re edhe prej artikujve që i kam botuar në këta
muajt e fundit në gazetën që jam duke e drejtuar, në "Demokracinë Autentike". Linja e re
politike është më afër problemeve reale të Kosovës dhe ajo është duke i shprehur ato. Është
fjala për një politikë që buron drejtpërsëdrejti nga problemet që i ka Kosova. Pra këto
probleme ajo i sheh në totalitetin e tyre dhe mundohet që ato t'i zgjidhë poashtu në tërësi e jo
vetëm në disa segmente të jetës shoqërore kosovare.
Pyetje: Sa linja politike ekzistojnë sot në Kosovë?
Përgjigje: E thashë tashmë, dy janë kryesore. Edhe në njërën, edhe në tjetrën mund të
ketë grupacione të ndryshme, interesa të veçanta, partikularizëm, grupe këto që dëshirojnë që
rrjedhat shoqërore të zhvillohen për hesape të tyre. Të gjitha ato fatkeqësisht thirren në
interesin e përgjithshëm.
Pyetje: Po intelektualët e pavarur?
Përgjigje: Varet se për kë është fjala. Disa intelektualë të njohur në Kosovë në masë
reale janë duke i parë problemet. Ndërkaq një pjesë tjetër e intelektualëve janë shumë larg
tyre. D.m.th., prej receptimit real të raporteve.
Pyetje: Më lejoni t'jua përkujtoj se si gazetar kam biseduar me ju në vitin 1976,
atëherë kur ishit, të shprehem kështu, Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës. Millovan
Gjillasi, në një intervistë të paradokohshme dhënë po kësaj reviste për të cilën po bisedohet,
thotë se gjenerata e politikanëve të vitit 79 në krye me Mahmut Bakallin e ka përgaditur në
njëfarë mënyre vitin 1981 në Kosovë. Sa është i qëndrueshëm ky mendim i Gjillasit tani kur
po flisni për recidivat e asaj politike, natyrisht në kontekstin negativ të çështjes?
Përgjigje: Në planin global të zhvillimit shoqëror është e vërtetë se politika para vitit
1981 për shkak të liberalizmit të përgjithshëm në Jugosllavi, ka lejuar në mënyrë spontane
zhvillimin e aspektit kombëtar, zhvillimin e asaj që quhet nacionale në Kosovë. Mirëpo ai
liberalizëm që e mundësoi zhvillimin e nacionales në Kosovë njëkohësisht i ka zhvilluar edhe
kundërshtarët e vet që e kanë kërkuar ndryshimin e statusit të përgjithshëm të Kosovës, që
kanë kërkuar një zhvillim më të shpejtuar. Në të njëjtën kohë këtë e kanë kërkuar edhe bartësit
e mendimit politik, për shkak se nuk janë pajtuar me devijimet politike të cilat e kishin
përfshirë liberalizmin. Me fjalë të tjera, asaj gjenerate nuk mund t'i mohohet ajo për të cilën
flet Millovan Gjillasi, posaçërisht në sferën e kulturës, arsimit e në disa segmente tjera
shoqërore. Por nuk mund të mohohet as fakti se politika e tillë prej një kohe, sidomos në vitin
1981, është shndërruar në një frenues të zhvillimit të mëtejshëm më të shpejtuar të Kosovës.
Është rritur kuantiteti i njerëzve që kanë kërkuar zhvillim më të shpejtë, ndërkaq ai
liberalizëm i nevojshëm i viteve 70 në fund të kësaj dekade u tregua si një frenues i dëmshëm,
prandaj pikërisht ky frenim shkaktoi revoltën e cila plasi në vitin 1981. Vitet 70 në Kosovë
karakterizohen edhe me të meta të jashtëzakonshme. Pra një politikë e tillë stihike nuk ka
pasur ndjenjë të mjaftueshme për t'i kuptuar interesat e masës, ka pasur tejet shumë privilegje
e korrupsion. Prandaj edhe ka qenë e izoluar, dhe si rezultat i gjithë këtyre është edhe
fatkeqësia që iu shkaktua popullit.
Pyetje: Po në vitin 1977, ju pati skaduar mandati apo keni qenë i larguar nga
funksioni i anëtarit të qeverisë së Kosovës?
Përgjigje: Në vitin 1977 kam dhënë dorëheqje për shkak se nuk jam pajtuar me
ngecjen e zhvillimit të Kosovës, mirëpo dorëheqjen nuk mund ta arsyetoja atëherë kështu. Po
ta thosha këtë shkak, nuk do të më lejonin as të jepja dorëheqje dhe as të punoja politikisht,
prandaj mu desh të them se po jap dorëheqje për shkak se po dëshiroj të specializoj. Të gjithë
u pajtuan që të shkoja në Amerikë kinse për specializim. Isha në Harvard dhe në disa
universitete tjera të Amerikës dhe atje qëndrova gjatë një viti. Kur u ktheva, mezi më pranuan
të jap mësim në Fakultetin Filozofik.
Pyetje: Ç'mendim keni për disa personalitete politike të Kosovës, siç është Fadil
Hoxha, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e ndonjë tjetër, me të cilët keni pasur rastin të
punoni?
Përgjigje: Nuk dëshiroj të përgjigjem në këtë pyetje pikërisht për shkak se sot më është
dhënë rasti që të flas.
Pyetje: Si e shpjegoni faktin se në vitin 1981 tërë garnitura politike e Kosovës u vu
kundër kërkesave të studentëve që më vonë morën përmasa të gjera popullore ku faktikisht
u kërkua Kosova Republikë?
Përgjigje: Të them të drejtën e kuptoj si një gabim tragjik të udhëheqjes kosovare. Ajo
iku prej obligimit për ta udhëhequr masën në një situatë dramatike. Në të gjitha dokumentet e
partisë së atëhershme shkruante se Kosova do të duhej zhvilluar më shpejt, mirëpo tempoja e
realizimit të këtij përcaktimi ishte tejet e ngadalëshme. Revolta e studentëve u shpreh
pikërisht për shkak se tjetër deklarohej publikisht e tjetër realizohej. Fakti që udhëheqësit
politikë të Kosovës nuk dolën para studentëve shpjegohet në mënyra të ndryshme.
Megjithëkëtë, unë mendoj se ata nuk e kuptonin as kohën dhe as esencën e kërkesës. Ishin
mësuar tashmë me mentalitetin komandues. Udhëheqësit kryesorë i kishim që nga lufta, dhe
qysh prej atëherë ishin mësuar që dikush t'u thotë përherë bëj kështu e bëj ashtu, ndërsa ata të
dëgjojnë. Kurse koha ishte e njerëzve të një kalibri tjetër, të atyre që do të dinin që komandën
t'ia përshtasin rrethanave, pra që baza t'i diktojë qendrës se ç'duhet bërë. Kurse politikanët
tanë u shquan vetëm si ekzekutorë të porosive qendrore, në vend se të vepronin si kreatorë të
politikës së bazës. Pra ata e kishin humbur kontaktin me masën, prandaj edhe nuk kishin si të
dilnin para saj. S'mund të ndodhte ndryshe pos që t'i kundërviheshin, ashtu siç iu kundërvunë.
Pyetje: Më lejoni t'ju them se që prej vitit 1977-1978 shumica e njerëzve në Kosovë
mendonte se është vetëm çështje dite se kur Kosova do të bëhet Republikë, kurse si akt e
konsideronim të kryer.
Përgjigje: Ç'është e vërteta, qysh pas vitit 1968 edhe udhëheqja politike e Kosovës ka
qenë e bindur se Kosova duhet bërë Republikë, mirëpo ajo s'ishte e aftë që të përcaktohej se
në cilin moment duhet bërë kjo dhe se çfarë kushtesh duhet plotësuar për këtë, prandaj edhe e
lanë që ta përcaktonte dikush tjetër dhe jo ata vetë. Ishin mësuar tashmë me atë mentalitetin e
realizimit të komandës, prandaj dhe s'mundën të vlerësonin dot se në vitin 1981 të gjitha
kushtet ishin plotësuar që Kosova të bëhej Republikë. Ata nuk qenë në gjendje që të dilnin në
ballë të kësaj lëvizjeje, aq më pak që ta orientonin atë.
Pyetje: Po nëse ajo udhëheqje do të kishte dalë në anën e studentëve, a do të kishte
mundur ta realizonte statusin e Republikës së Kosovës dhe me çfarë pasojash?
Përgjigje: Nëse ajo udhëheqje do të dilte në mbrojtje të kërkesave studentore, ndoshta
edhe do të pësonte politikisht, mirëpo pasojat do të ishin shumë më të vogla për bartësit e
kësaj lëvizjeje dhe mendoj se me këtë do të shpejtohej procesi i konstituimit të Republikës së
Kosovës. Nuk e di nëse do t'i burgosnin ose jo. Mbase do të kishte ngjarë edhe tërë ajo që
ngjau, mirëpo ne sot do të ishim diç krejt tjetër nga ç'jemi dhe në një fazë shumë më të
avancuar të zhvillimit të procesit. Ju them sinqerisht se, sikur ajo udhëheqje të vepronte
ndryshe nga ç'veproi, s'jam i bindur se do të kishte ngjarë kjo që na ngjau në dekadën që e
lamë prapa.
Pyetje: Shumëkush mendon se në vitin 1981 nuk ishte i përgaditur as shteti amë
dhe as faktori ndërkombëtar që të ndihmonte rreth krijimit të Republikës së Kosovës. Bie
fjala, ishte i freskët shembulli i Polonisë dhe ardhja në pushtet e gjeneralit Jaruzelski.
Përgjigje: Eshtë e vërtetë se erdhi gjenerali Jaruzelski në pushtet në Poloni dhe i
burgosi 72 mijë vet. Mirëpo vetëm pas disa muajsh qe i detyruar t'i lëshonte prej burgut. Nga
ky rast gjithkush ka mundur të mësojë se s'do të kishte më kthim në etatizëm.
Pyetje: Përderisa shumëkush prej analitikëve tanë politikë konsideron se ne
shqiptarët vazhdimisht jemi vonuar gjatë historisë, për vitin 1981 një numër syresh
konsiderojnë se jemi ngutur.
Përgjigje: Ka mendime të tilla, por unë nuk e kam atë mendim. Lëvizja e vitit 1981 në
Kosovë ishte lëvizje spontane e popullsisë për realizimin e një kërkese imanente të saj, kurse
a ia ka futur dikush fitilin ose jo, kjo është shumë pak e rëndësishme. Të gjitha kushtet dhe
rrethanat tashmë ishin pjekur që Kosova të bëhej Republikë, dhe një gjë të tillë e hetoi masa
shqiptare në Jugosllavi. Nuk mund të themi se qe heret apo vonë, për shkak se historia nuk
lejon që dikush të komandojë me të.
Pyetje: Të kalojmë në një çështje tjetër. Ka mendime, madje dhe prej njerëzve
eminentë, se Shqipëria është dashur që pas luftës së II Botërore të jetë jo vetëm zonë e
interesit por edhe zonë ideologjike perëndimore. Mirëpo ajo u këmbye me Greqinë. Çka do
të humbnim dhe çka do të fitonim po të ndodhte ndryshe nga sa ndodhi?
Përgjigje: Kjo tezë nuk më duket e saktë për aq sa e njoh unë politikën ndërkombëtare.
Greqia e kishte afinitetin më të madh për t'u bërë e tillë siç është për shkak se edhe Perëndimi
e konsideron si djep të civilizimit të tij. Gjithë kultura e Perëndimit bazohet me vetëdije në
kulturën antike greke, prandaj në Perëndim ajo quhet kultura antike greke dhe jo kultura
antike shqiptare. Kjo është njëra arsye, ndërkaq fakti tjetër është ai se pozita strategjike e
Greqisë është pozitë e mbrojtjes së Lindjes Mesdhetare ose të prapavijës së rrugës mesdhetare
të britanikëve. Pra interesi strategjik për Greqinë ka qenë më i madh se ai për Shqipërinë. Një
arsye tjetër është fakti se ortodoksizmi grek është element i krishterizmit. Ndërkaq rreth 70%
të shqiptarëve i përkasin edhe sot religjionit islamik, gjë që përsëri paraqet një faktor që flet
kundër përparësisë sonë që të vinim në konsideratë përpara Greqisë.
Pyetje: Mbase nuk kishim të bënim me religjionin por me ideologjinë?
Përgjigje: Prapa çdo ideologjie megjithatë fshihet njëfarë predispozicioni i
psikologjisë politike. Raportet e Stalinit me Çërçillin nuk kanë qenë raporte të ideologjisë.
Pyetje: Dëgjohen mjaft fjalë se në këtë gjysëmshekullin e kaluar është shprehur
njëfarë moskujdesi i shtetit amë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.
Përgjigje: Do t'i përgjigjem kësaj pyetjeje me një kundërpyetje: në funksion të çkafit
ata që mendojnë kështu e shohin militantizmin socialist në Shqipëri? Unë për vete gjithmonë
e kam parë atë në funksion të zhvillimit dhe të bashkimit kombëtar. Nuk do të kishte pasur
nevojë Shqipëria ta aplikonte socializmin militant po ta kishte pasur shkallën e zhvillimit që e
kanë pasur të tjerët. Dhe nuk do të kishte pasur nevojë Shqipëria të kishte një militantizëm
socialist po të kishte qenë e kompletuar në pikëpamje nacionale.
Pyetje: Shtrohet pyetja se sa ka qenë enverizmi funksional në këtë drejtim?
Përgjigje: Në këtë kohë, dhe në këto rrethana, s'mund ta vlerësojmë këtë gjë realisht.
Shqipëria, sidomos pas vitit 1961, është çmuar si një shtet socialist i pavarur. Kjo pavarësi e
Shqipërisë i është përshtatur Jugosllavisë, mirëpo edhe mosinkuadrimi i Jugosllavisë i është
përshtatur Shqipërisë për forcimin e pavarësisë dhe të shtetit të saj. Ndërkaq nuk mund të
thuhet se ka munguar kujdesi i shtetit shqiptar për shqiptarët, posaçërisht për ata që jetojnë në
Jugosllavi.
Pyetje: Megjithatë, Shqipëria sot po i vuan pasojat e zhvillimit ekonomik të
ngadalshëm, pasojat e izolimit dhe pasojat që nuk e ka realizuar atë logjikën popullore për
lidhjen me Perëndimin.
Përgjigje: Mirëpo kjo nuk ka qenë e mundshme. Për t'u lidhur me dikë nuk mjafton
vetëm dëshira e njërës palë. Shqipërinë s'mund ta pranonte Perëndimi pa e ndërruar sistemin,
kurse në ndarjen e botës në interesa bipolare shtrohet çështja se a do të ishte në interesin
politik të Shqipërisë që ta bënte një hap të tillë, dhe e dyta, a do të guxonin amerikanët të
lidhnin raporte të tilla me Shqipërinë për shkak të sovjetikëve? Interesat globale të fuqive të
mëdha kanë qenë të nënkuptuara. Me këto çështje mund të manipulohet, mirëpo shkencërisht
nuk mund të përcaktohen.
Pyetje: Si i vlerësoni rrjedhat aktuale në Shqipëri?
Përgjigje: Këtë pyetje ma ka shtruar para disa ditësh edhe gazetari i Radio Tiranës, dhe
nuk kam se çfarë t'i shtoj asaj deklarate time për të. Republika e Kosovës është realizim i
interesit global kombëtar, dhe kjo hap rrugë të reja edhe për Shqipërinë. Ndryshimet
demokratike në Shqipëri janë pozitive. Ato duhen përkrahur. Mirëpo ato nuk mund të jenë
jashtë kontekstit kohor dhe hapësinor.
Pyetje: Nëse, bie fjala, në zgjedhjet e tanishme në Shqipëri do të fitonte Partia e
Punës, a nuk shihni aty një transverzale Moskë-Beograd_Tiranë?
Përgjigje: Si?! Si e kuptoni ju vallë Evropën? Evropa nuk mund të kuptohet vetëm si
produkt i interesave amerikane, por duhet të kuptohet si Evropë që u takon të gjithëve. Nuk do
ta quaja këtë "aleancë" për shkak se Shqipëria kurrë s'ka qenë në aleancë me Moskën.
Ekzistojnë shumë ngjarje në planin ndërkombëtar që në Kosovë nuk perceptohen drejt.
Ndryshimet demokratike nuk mund të quhen të tilla nëse bien në grackën e rrotullimit të
pozitës së klasave. Kuptimi i këtillë i demokracisë shkakton konflikte tejet të ashpra,
posaçërisht në vendet që kanë kaluar në socializëm pa imponimin e jashtëm. Demokracia
duhet kuptuar si një shans i barabartë për ardhjen në pushtet të të gjitha partive politike. Nëse
populli ia jep votën një partie përkatëse, pra edhe një orientimi ideologjik, atëherë një e drejtë
e tillë duhet pranuar.
Pyetje: Si e shikoni atë që po ndodh sot në tërë Evropën Lindore, a nuk është ajo
një rrotullim i klasave?
Përgjigje: Dallimi qëndron këtu: Polonia, Hungaria e Çekosllovakia nuk kanë pasur
socializëm autentik, por të imponuar me tanket e armatës së kuqe. Ndërkaq Shqipëria për
fitoren e socializmit i ka dhënë viktimat e saj. Poashtu edhe ne në Kosovë, poashtu edhe në
Jugosllavi. Këtu qëndron dallimi i këtyre dy vendeve të tjera të Evropës Lindore. Socializmi i
imponuar me tanket ruse si ai në Poloni ku u vranë mbi 7000 oficerë polakë nga Stalini, është
diç tjetër. Është gjë normale që atje të ketë forca tjera, koncipim tjetër të realitetit politik.
Mirëpo është e rëndësishme që edhe pasi e morën pushtetin, atje nuk kanë qëndrim revanshist,
nuk po merren me revanshizëm, por vetëm po tregojnë se kanë ardhur në pushtet me vullnetin
e shumicës së popullit duke dëshmuar se ai popull pushtetin e mëparshëm e ka pasur të
imponuar.
Pyetje: Le të kalojmë përsëri në Kosovë, dhe atë në vitet 80. Barrën kryesore të atyre
viteve, bile për nga sakrificat, e kanë bartur të ashtuquajturit marksistë-leninistë. Ç'do të
veçonit si më të rëndësishme sot në sferën e domenit të interesit kombëtar dhe në atë
ideologjik në Kosovë?
Përgjigje: Nuk pajtohem me emërtimin marksist-leninist. Emërtimi i tillë ka qenë në
modë atëherë sikur që sot është në modë të themi se të gjithë jemi demokratë. Prapa
marksizëm-leninizmit të tyre ka qenë i fshehur atdhetarizmi i tyre. Mospajtimi me gjendjen
ekzistuese. T'i marrësh programet e tyre, t'i analizosh konceptet pak më thellë, del fare qartë
se ata marksizëm-leninizmin e kanë marrë vetëm si instrument për të arritur diku tjetër - në
Kosovën Republikë.
Pyetje: Më 1981 më është dukur e çuditshme edhe një çështje: shkojnë njerëzit tanë
në Evropë dhe formojnë parti politike me një platformë komuniste në vendet në të cilat
komunizmi është luftuar pa mëshirë...
Përgjigje: Ti po harron se, bie fjala, në kohën kur veproi Jusuf Gërvalla, në Evropë ka
ekzistuar një lëvizje e fuqishme intelektuale marksiste. Një intelektual i madh evropian në atë
kohë thotë se "ekziston një vulgatë e fuqishme marksiste" pikërisht në ato shtete për të cilat
po mendon ti. Evropa intelektuale ka qenë në nivel të dialektikës në shikimin e çështjeve të
saj. Një Gjermani e ndarë më dysh me siguri që ka ndikuar shumë në këtë drejtim. Ndërkaq,
Shqipëria në atë kohë, ka qenë ekskluzivisht e orientuar në socializëm.
Pyetje: Megjithatë, më duket se është vepruar kështu kryesisht për shkak të faktorit
të shtetit shqiptar dhe për shkak të orientimit të tij.
Përgjigje: Nuk është e vërtetë! Fare nuk është e vërtetë. Ti e di mirë se në diskutimin
tim në Fakultetin Filozofik më 1981 e kam kontestuar akuzën se Shqipëria është përzier në
ngjarjet që po zhvilloheshin atëherë. Edhe sot e kësaj dite mendoj ashtu. Shqipëria ka pasur
kujdes të jashtëzakonshëm për shkak të pozitës së jashtëzakonshme në të cilën ka qenë shteti
shqiptar, në mënyrë që të mos i japë kujt pretekst për ta sulmuar. Nëse dikush ka vepruar
kështu ose ashtu për shkak të Shqipërisë, ai ka vepruar me inisiativën e vet dhe jo sepse e ka
nxitur Shqipëria.
Pyetje: Pas vitit 1981 vjen nëntori i vitit 1988 dhe shkurti i vitit 1989. Mendoj se ato
ngjarje i kanë dëshmuar Jugosllavisë dhe botës se shqiptarët e duan Jugosllavinë por
Jugosllavia nuk i do ata.
Përgjigje: Unë mendoj se Evropa e ka ditur se shqiptarët janë të përcaktuar për
republikë brenda Jugosllavisë. Ato ngjarje mund të thuhet se e kanë konfirmuar fuqinë e
forcave në konflikt. Evropa nuk është e marrë që të mos dijë se ç'kërkojnë shqiptarët . E ka
ditur qysh me 1981 se Kosova kërkon edhe demokraci edhe republikë. Natyrisht, një
demokraci që do të realizohej në rrethana autoktone.
Pyetje: Mbase Evropa e di se kah sillen kërkesat e shqiptarëve që prej vitit 1912.
Vetëm janë dalluar forcat për nga aftësia në koncipimin e politikës, për nga pozita dhe për
gadishmërinë për sakrificë. Mbase edhe për atë se çka kanë konsideruar të mundshme në
një kohë të caktuar?
Përgjigje: Për mua ka qenë plotësisht e mundshme që ngjarjet e vitit 1988-89 ta
shtrojnë kërkesën për Kosovën Republikë. Por kjo kërkesë nuk është theksuar. Shtrohet
pyetja: përse? Përse të kërkohet ruajtja e Kushtetutës së vitit 1974 ku si kërkesë është vënë në
mbrojtjen e statu-quosë, dhe si e tillë s'mund të ishte tjetër pos regresive?
Pyetje: Ishin apo nuk ishin ato ngjarje një akt i gabueshëm politik?
Përgjigje: Nuk mund të them që ishte akt i gabueshëm, por ishte retrograd për nga
kërkesat që u parashtruan. Ato reduktoheshin esencialisht në ruajtjen e pozitave të elitës
politike dhe kjo mund të argumentohet me fakte, pavarësisht nga sulmet që më drejtohen në
mënyrë të tërthortë për një qëndrim të tillë.
Pyetje: Të kalojmë në Kosovën e vitit të fundit. Në skenë doli alternativa kosovare.
U shpall Deklarata e 2 Korrikut, u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Cilat
subjekte i konsideroni si vendimtare në jetësimin e këtyre vendimeve?
Përgjigje: Sot u janë hapur mundësitë të gjithëve. Le të ekzistojë konkurrenca e ideve,
por edhe konkurrenca e aftësisë për të realizuar vendime që përcaktojnë fatin e popullit,
gjegjësisht, vendime të cilat shprehin vullnetin e tij. Sot domosdoshmërisht duhet të dihet se
kush si e kupton demokracinë, kush si e kupton identitetin e Kosovës, kush si i kupton
raportet me Shqipërinë, si i kupton raportet me njësitë federale të Jugosllavisë. Duke i
shprehur mendimet qartë, është e domosdoshme që ne të organizohemi në këtë pikëpamje. Ne
kemi edhe një armatë të rinjsh të cilët janë çelnikosur gjatë dhjetë vjetëve të kaluar nëpër
burgjet më të rënda të Jugosllavisë. Mund të thotë ndokush për ta kështu ose ashtu, mirëpo ata
janë një forcë reale, themel i subjektivitetit të Kosovës. Jam i kënaqur edhe me nivelin e tyre
intelektual. Atyre duhet t'u jepet mundësia që të shprehen për të gjitha çështjet që kanë të
bëjnë me ardhmërinë e Kosovës. Ata janë të gatshëm që ta paguajnë edhe me jetë realizimin e
Republikës së Kosovës. Është e udhës që të përfundojë lufta e nënakullit politik kundër tyre.
Pyetje: Falë alternativës, çështja e Kosovës është internacionalizuar, janë vënë
lidhje të rëndësishme me faktorët ndërkombëtarë që vendosin për botën sot.
Përgjigje: Në radhë të parë falë gjakut të sa e sa të rinjve të viktimizuar apo të
sakatosur nëpër kazamatet jugosllave për Kosovën Republikë. S'mund të mohohet as
kontributi i alternativës kosovare, e cila ka vepruar me njëfarë sigurie politike shkakun e së
cilës ajo e di por nuk e thotë. Megjithëkëtë, asnjë lidhje e jashtme nuk mund të bëjë shumë
punë pa i pasur rrënjët thellë në trollin e Kosovës, në vullnetin e popullit të saj. E çmoj shumë
kontributin e faktorit të jashtëm dhënë luftës politike të shqiptarëve. Megjithatë, duke qenë se
kam studjuar edhe në Universitetin e Harvardit në SHBA, e di fare mirë se sa sakrifikojnë
diçka amerikanët nëse nuk është në interes të tyre. Jo vetëm kur kemi të bëjmë me zgjidhjen e
çështjes së shqiptarëve, por edhe me të gjitha çështjet e popujve të vegjël...
Pyetje: Çka mendoni për ata që kanë mbajtur edhe shumë vjet burg? Pse nuk janë
të pranishëm në jetën tonë politike?
Përgjigje: Fakti që dikush ka mbajtur aq e aq vjet burg, edhe atë për atdhetarizëm, nuk
mund të mohohet në mënyrë aprioristike. S'mund të them se të gjithë ata njerëz i plotësojnë të
gjitha kushtet për të qenë në ballë të këtij apo të atij projekti, mirëpo ata s'mund të mohohen.
Më tregon dot ti se ç'përfaqëson në të vërtetë për kulturën polake një Leh Valensë? Apo me
kë identifikohen proceset kryesore politike në Kroaci? Të gjithë këta njerëz kanë qenë të
burgosur politikë. Kjo ka ngjarë edhe në Çekosllovaki. Ç'të flet ty e dhëna se një Havel
kryeson një shtet edhe për hir të faktit, apo ekskluzivisht për hir të faktit, se ka qenë
sakrifikuar për një ide të caktuar. Unë mendoj se të burgosurit politikë, madje edhe elita e tyre
mendore, janë të mohuar sot për sot në Kosovë. Po bëhen manipulime të mëdha. Për shumë
çështje që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës, nuk është biseduar akoma
seriozisht. A mund të tolerohet niveli fëminor i disave në konceptimin e çështjeve esenciale
politike, pavarësisht çfarë pedigreje mund të kenë ata?
Pyetje: Jeni kryetar i LDK-së, dega në Rahovec. Kam dëgjuar se asnjëherë nuk keni
marrë pjesë në mbledhjet e kryesisë në nivel të partisë për ç'gjë më duket se jeni i obliguar...
Përgjigje: Në mbledhjet e Kryesisë së LDK-së nuk do të marr pjesë deri atëherë kur të
mbahet kuvendi zgjedhor i cili mendoj se duhet t'i sqarojë shumë çështje. Nuk e kam të qartë
përse po shtyhet vazhdimisht. Unë nuk jam përkulur kurrë, dhe as që do të përkulem,
pavarësisht se sa do të më kushtojë tagri i qëndrimit tim të tillë.
Pyetje: Çka mendoni për organizimin politik të Kosovës sot?
Përgjigje: Mendoj se ka shumë spontanitet, shumë stihi dhe shumë manipulime. Nuk
janë vendosur raporte të drejta në mes të subjekteve kryesore politike, po edhe në ato raporte
që janë vendosur ka shumëçka false.
Pyetje: Çka nënkuptoni ju me të ashtuquajturën rezistencë aktive dhe pasive
politike?
Përgjigje: Çdo betejë politike që zhvillohet pa luftë të armatosur mund të quhet
rezistencë pasive. Kjo do të thotë që goditjeve dhe raprezaljeve të mos iu përgjigjesh në të
njëjtën mënyrë. Mirëpo, po u shikua më thellë, edhe rezistenca pasive është aktive, për shkak
se është aktiv faktori politik që të detyron për një sjellje të tillë, i cili e ka planin e vet dhe
qëllimet e veta.
Pyetje: Çka duhet të bëjmë?
Përgjigje: Atë që jemi duke e bërë, veçse të organizuar shumë më funksionalisht.
Është problem themelor organizativ dhe politik i Kosovës që në ballë të luftës së organizuar
politike janë vënë edhe disa njerëz të cilët veprimet e tyre praktike s'mund t'i çlirojnë nga
metodat titiste të punës politike. Të gjitha gabimet e sotme të tyre janë tipike nga ajo kohë dhe
si rezultat tipik i zbatimit të atyre metodave. Në artikujt e mi vazhdimisht kam insistuar në
luftën konkurrente të ideve dhe të mendimeve me qëllim të eliminimit të atyre metodave dhe
të asaj praktike. Mjerisht, ende po vazhdon shërbimi me metoda të ngulfatjes së talenteve dhe
të ideve superiore. Ata që nuk mund të çlirohen nga një praktikë e tillë duhet të mënjanohen
nga skena politike, në mënyrë që të hapet rruga për depërtimin e vlerave të vërteta me të cilat
disponon ky popull.
Pyetje: Shumëkush mendon se na shkojnë punët kështu siç na shkojnë për shkak të
mungesës së një programi kombëtar.
Përgjigje: Programi kombëtar ekziston në qëllimin kombëtar. Mirëpo ai nuk është
elaboruar detajisht.
Pyetje: A jeni optimist përsa i përket jetësimit të synimeve tona?
Përgjigje: Plotësisht. Plotësisht jam optimist. Është çështje e kohës. Nëse
organizohemi më mirë, Kosova Republikë do të jetësohet më shpejt. Mbase do të ishte
realizuar edhe më parë.
Pyetje: Në skenën politike të Kosovës është e vërtetë se dominon edhe koncepti
Kosova Republikë, por s'është i pashprehur edhe koncepti i bashkimit me shtetin amë,
Shqipërinë.
Përgjigje: Politika megjithatë është më e thellë. Republika e Kosovës duhet të
realizohet pa luftë të armatosur. Ne do të bashkohemi me Shqipërinë nëse këtë gjë e
mundësojnë proceset evropiane. Të insistohet sot për këtë kur rusët dhe amerikanët po
bisedojnë për rolin e superfuqive në Evropën e ardhshme apo në përcaktimin e saj, do të thotë
të mos e njohësh realitetin politik. Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i
marrëveshjes së superfuqive. Kosova Republikë nuk ndryshon kurrfarë kufijsh
ndërkombëtarë. Ndërkaq ndryshimi ndërkombëtar i kufijve nënkupton luftë të armatosur në
përmasa evropiane. Kjo duhet të jetë e qartë. Ne s'guxojmë ta rrezikojmë shtetin shqiptar.
Megjithëkëtë, kurrkush, pra as Evropa, s'mund të na detyrojë që të pranojmë, bie fjala, një
autonomi të vitit 1974. Këtë s'do ta pranojmë, sado që të jetë i madh haraçi. Nuk do të jemi
gjithmonë fëmijë politikë, axhaminj, për të lejuar të luajë me Kosovën kush si të dojë.
Bisedoi: Qani Mehmedi
Marrë nga"Zëri i Rinisë", Prishtinë, 6.IV.1991)
Brenda 80 vitesh, dy herë u vendos në Londër rreth Ballkanit dhe kufijve të tij. Se si u
vendos herën e parë, me 1912-13, u pa gjatë këtyre 80 viteve. Ç'mund të thuhet për herën e
dytë, meqë herën e parë më duket se nuk ishim në margjina por në qendër të vëmendjes?
Cili ishte vendi ynë në këtë konferencë, dhe meqë shpesh dëgjohet të flitet për suksesin dhe
për mossuksesin e "Londrës 2", ku qëndron ai sukses, nëse ka pasur, dhe ku mossuksesi?
Vendi ynë në këtë konferencë në njëfarë mënyre u tregua edhe në vetë pyetjen. Pra ishte në
margjina fatkeqësisht dhe me sa shihet, po aty ka mbetur, pasiqë nuk e kemi vendin e duhur as
në Konferencën e Londrës dhe as në atë të Gjenevës.
Tani për tani, me sa po shoh unë, nuk po paraqiten objektivisht në shtyp rezultatet e kësaj
konference të cilat janë në disproporcion me qëllimin politik të shqiptarëve. Unë nuk
pajtohem me vlerësimin se ka pasur sukses. Për të pasur sukses duhet të themi se jemi të
përfaqësuar në mënyrë adekuate në Konferencën e Londrës, dhe se kemi arritur vendin që e
kemi synuar. Mirëpo edhe ndaj kësaj duhet pasur rezervë, sepse nuk i dihet. Ndoshta gjatë
procesit të përfundimit të kësaj konference do të ndryshojnë gjërat dhe ndoshta aty do të dalë
ana pozitive e pjesëmarrjes sonë. Fakti se ne jemi prezentë si problem, si një çështje që duhet
zgjidhur, fakti se vetëdija për nevojën e zgjidhjes së këtij problemi është prezente te forcat që
marrin pjesë në konferencë, është pozitive. Mirëpo sërish, ana negative del aty se ne nuk jemi
të kënaqur vetëm me faktin se dihet për ne. Ne si faktor i brendshëm, si shqiptarë, nuk jemi të
organizuar në atë nivel që çështjen tonë ta inicojmë në nivelin më të lartë të prezencës sonë.
Me sa u vu re, delegacioni i Kosovës, me t'u kthyer nga Londra, ashtu si dhe herat tjera
kur kthehej nga Evropa, solli optimizëm, ndërsa delegacioni i Shqipërisë jo vetëm që nuk
solli optimizëm, por përkundrazi, kishte një dozë bukur të madhe pesimizmi. Ç'mendoni për
këtë?
Për këtë mendoj se duhet pyetur delegacionin e Kosovës se ku e mbështet optimizmin e vet.
Ne si dëgjues të rëndomtë, ose si përcjellës të ngjarjeve, si të interesuar për atë konferencë,
ma merr mendja se nuk jemi mjaft të informuar se ku mbështetet optimizmi i tillë i
delegacionit të Kosovës. Ndërkaq ma merr mendja gjithashtu se, me sa po shoh unë nëpër
gazeta, nuk po shpjegohet edhe se ku po mbështetet pesimizmi i delegacionit të Shqipërisë.
Në ndonjë intervistë që po lexoj kohët e fundit, si ajo e Pjetër Arbnorit etj., po shoh se ata në
mënyrë kategorike po pohojnë se qëndrimet janë të koordinuara mes përfaqësuesve të
Republikës së Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Nëse ato raporte i kanë të koordinuara,
atëherë nuk do të duhej të kishte ndryshime në vlerësime. Mirëpo në qoftë se megjithatë ka
ndryshime në vlerësime, ndërsa në anën tjetër pohojnë se qëndrimet i kanë të koordinuara,
atëherë diçka nuk është në rregull dhe për këtë opinioni nuk është i njoftuar, ashtu si edhe unë.
Prandaj këto pyetje le të shkojnë në adresë të tyre.
Unë si dëgjues i rëndomtë mund të konstatoj se nuk po i shoh arsyet në të cilat mbështetet
optimizmi i delegacionit kosovar, mirëpo nuk po shoh as mjaft arsye të bindshme në të cilat
do të mbështetej pesimizmi i delegacionit nga Shqipëria, por po përfundoj se në raportet e tilla
nuk është diçka e qartë.
Ndryshe nga "Londra 1", ku nuk kishte ndonjë përfaqësues nga trojet shqiptare,
"Londra 2" i kishte thirrur madje 4 delegacione nga trojet etnike shqiptare. A mund të
shpjegohet kjo si një përligjie, si një pranim i një ndarjeje të trojeve shqiptare?
Jo, por e vetë shqiptarëve. Shqiptarët, sipas mendimit tim, është dashur të shkojnë në një
konferencë të tillë me një kërkesë maksimale. Kërkesa maksimale teorikisht do të impononte një
delegacion të vetëm të shqiptarëve. Mirëpo këta e kanë parë të arsyeshme që të shkojnë me 4
delegacione, gjë që do të thotë se qysh më parë janë pajtuar me një status, me një zgjidhje të tillë që
do të ishte zgjidhje parciale e problemit shqiptar.
A kanë pasur arsye të mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë, apo kanë pasur mundësi të tjera,
këtë unë nuk e di. Për këtë duhet pyetur ato subjekte që kanë marrë vendime të tilla. Unë vetë nuk
kam qenë në ato rrjedha dhe nuk i di arsyet e vërteta se pse është vepruar kështu. Por e di se Qosja
teorikisht ka të drejtë kur thotë se vetë shqiptarët në këtë mënyrë e kanë përligjur ndarjen e vet.
Ndërkaq arsyet se përse është vepruar kështu duhet t'i tregojnë vetë ata që e kanë bërë veprimin.
Ne si popull, si njerëz që i përcjellim këto, kemi të drejtë të kërkojmë shpjegimin e arsyeve. Ne
nuk mund të sjellim gjykime pa i ditur arsyet e vërteta.
Meqë në Londër, me sa po duket, edhe një herë iu vu vula ndarjes së popullit shqiptar, madje
kësaj radhe me vetë praninë e shqiptarëve, a u bë diç që kjo të mos ngjante?
Kjo mund të lidhet si me pyetjen, ashtu dhe me përgjigjen e mëparshme. Por duhet qenë i
kujdesshëm në vlerësimin se a iu vu vulë ndarjes sonë ose jo?
Konferenca ende nuk ka përfunduar dhe akoma nuk mund të flitet për vënien e ndonjë vule. Por
mund të flitet lidhur me atë që thashë më parë, se vetë ne shqiptarët nuk jemi mjaft agresivë në
kërkesat e duhura optimale, kërkesa të mundshme.
Kërkesa kapitale e popullit është një: për të qenë bashkë. Populli s'ka orientim tjetër. Tani çështja
mbetet te vlerësimi i subjekteve politike. At duhet të vlerësojnë nëse është e mundshme një gjë e
tillë ose jo. Në qoftë se ato kanë vlerësuar se është e mundshme një gjë e tillë në këtë moment, dhe
megjithatë kanë shkuar 4 delegacione në vend të njëshit, atëherë së paku kanë borxh t'i shpjegojnë
këtij populli se përse kanë vepruar kështu, në mënyrë që edhe ne të kuptojmë. Por në qoftë se kanë
vepruar ashtu për shkak të ndonjë arsyeje subjektive, ose të pozitave politike, apo të mosnjohjes së
mjaftueshme të proceseve politike në Evropë, atëherë këto janë arsye që populli duhet t'i dijë për të
reaguar në mënyrën adekuate.
Nëse ti nuk i njeh proceset e Evropës dhe ke marrë pjesë në një konferencë ku vendoset për fatin
e popullit tënd, atëherë është e udhës që të japësh dorëheqje. Do të thotë, duhet vetë populli të
kërkojë prej teje që ta lëshosh atë vend dhe të mos ua zësh rrugën të tjerëve.
Mirëpo përderisa nuk i dimë saktësisht arsyet se përse është vepruar ashtu, nuk mund të veprohet
ndryshe, pos që të kërkohet shpjegimi i atyre arsyeve. Unë për veten time po kërkoj që të më
shpjegoj dikush se përse është vepruar ashtu, dhe të më bindë se është dashur që të veprohet
pikërisht ashtu. Po ta merrja përgjigjen, mund të propozoja edhe se ç'duhet bërë.
Unë vazhdimisht jam i preokupuar me këtë pyetje. Çka mund të bëhet që shqiptarët të jenë
subjekt politik ndërkombëtar dhe jo vetëm objekt? Gjithë biseda që zhvilluam buron nga fakti se ne
jemi duke u trajtuar më tepër si objekt politik se sa si subjekt, dhe pyetja në esencën e saj do të
reduktohej në atë se çfarë mund të bëhet që të trajtohemi si subjekt politik. Kjo është në duar të
popullit dhe nga kjo del se mund të bëhet një organizim më aktiv dhe më i madh i faktorit të
brendshëm. Mund të rregullohen raportet, nëse nuk janë në rregull, brenda atij faktori, dhe
rezistenca të jetë aktive dhe më e madhe e faktorit të brendshëm. Ndërsa që rezistenca të jetë më
aktive, kjo nënkupton se duhet të jesh më i pranishëm në ngjarjet, më agresiv në kërkesat, më i
vendosur në pikëpamjet tua dhe më demokratik në hapësirën informative. Kjo do të thotë që
t'i shqyrtosh problemet më haptas dhe të mos kënaqesh me atë që është. Se ne të gjithë po
konstatojmë se ka shumë gjëra për të ndryshuar dhe se ekziston një hapësirë e madhe për të
ndryshuar shumëçka.
Duke i pasur të gjitha këto parasysh, kam frikë se do ta pësojmë ashtu siç e kemi pësuar në vitin
1913. Gjë që do të thotë se do të jemi rezervë e forcave politike të Evropës për qetësimin e
shpirtrave të Ballkanit, etj., por jo edhe për qetësimin e shpirtrave të shqiptarëve.
Dihet se ministri britanik i punëve të jashtme, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i Konferencës
së Londrës më 1913, ka deklaruar përafërsisht kështu: "Për fat të keq, e viktimizuam një popull për
ta ruajtur paqen e Evropës". Pas përfundimit të konferencës, ai ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se
populli shqiptar është ndarë për hir të ruajtjes së paqes në Evropë, por çfarë ka ngjarë më vonë?
Konferenca ka përfunduar më 1913, Lufta e Parë Botërore ka filluar më 1914. Dmth. nuk ka pasur
kurrfarë ruajtje të paqes por ka pasur viktimizim të shqiptarëve për plot 80 vjet. Unë po i
frikësohem sërish kësaj dhe sinqerisht po them se a mos në fund të konferencës së Gjenevës do të
deklarojë sërish ndonjë ministër i punëve të jashtme, ose ndonjë kokryetar si Sajrus Vensi, ose
Lordi Oven: "Le të na falin shqiptarët se i viktimizuam pak për t'i qetësuar jugosllavët." Prej kësaj
duhet të frikësohet çdo subjekt i vetëdijshëm politik shqiptar.
A kemi bërë mjaft ne që të mos ngjajë një gjë e tillë, sepse mu tani jemi duke u trajtuar si rezervë,
si objekt për qetësimin e situatës gjithë-jugosllave, gjithë-ballkanike, për vendosjen e një rendi
ndërkombëtar ku po bëhet lufta? A kemi bërë mjaft që të mos mbetemi rezervë, por të jemi një
subjekt aktiv? Për këtë secili duhet ta pyesë vetveten. Përgjigja ime është kategorikisht negative.
Nuk kemi bërë asgjë. Aq më tepër, janë bërë gabime të tilla të rënda që kanë shkuar në shkeljen e
faktorit të brendshëm dhe në disperzimin, përkatësisht, në shpërndarjen e forcave të cilat kanë qenë
të interesuara që të rezistohet aktivisht.
Shpeshherë dëgjohet të flitet për rezistencën aktive dhe atë pasive prej njerëzve të ndryshëm.
Cila është, sipas jush, ajo rezistenca aktive, që ju e përmendët më parë, që do të ndikonte më
shumë në rezultatet e konferencës së Londrës?
Çështjes së definimit të rezistencës aktive dhe asaj pasive njerëzit i qasen në mënyra të ndryshme.
Unë nënkuptoj në rend të parë që subjektet politike të Kosovës, që e kanë marrë bajrakun dhe që
ndodhen në krye të proceseve politike që po zhvillohen në Kosovë, duhet ta marrin edhe
përgjegjësinë për atë që po ndodh në Kosovë. Dmth. jo vetëm të manipulojnë me ngjarjet, por ta
marrin përgjegjësinë edhe për udhëheqjen e asaj rezistence.
Çdo rezistencë politike nënkupton atë që e merr përgjegjësinë për punën e kryer. Në qoftë se
popullit i thuhet se do të zhvillojmë këtë dhe atë aktivitet, atëherë duhet folur haptas: ne do të
zhvillojmë këtë aktivitet me qëllim të arritjes së këtij qëllimi politik. Po në qoftë se populli vetë e
zhvillon një aktivitet, dhe pastaj ti del e thua se po e zhvilloj unë, atëherë nuk jemi fare në rregull.
Kjo do të thotë se përgjegjësia e subjekteve politike për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë nuk
ekziston. Ekziston vetëm përgjegjësia a posteriori. Gjithçka nuk mund t'i lihet popullit. Populli
duhet orientuar. Ai është nganjëherë një grumbull i padefinuar. Në kuptimin politik, populli
gjithmonë orientohet.
Në këtë drejtim, rezistenca aktive nënkupton thjesht kristalizimin e përgjegjësisë së forcave
politike të këtij populli. Ky kristalizim është mungesë kardinale te ne dhe kjo po vazhdon që prej 3
vitesh. Dmth. nuk është se po ngjan vetëm sot.
Pastaj, rezistenca aktive nënkupton edhe definimin e qëllimeve politike. Ne qëllimet politike i
kemi definuar me opcione, por nuk e kemi definuar se kush është ai që do t'i realizojë ato opcione.
Po, kush është në krye të popullit? E kemi zgjedhur. Në rregull. Mirëpo është çudi se kur duhet
orientuar populli, kurrkush nuk e merr përgjegjësinë për ta orientuar në mënyrë të drejtë. Kurrkush
nuk po e merr përgjegjësinë as për fitoret dhe as për humbjet. Ç'është e vërteta, për fitoret po e
marrin ata që s'e kanë përnjëmend. Në këtë pikë kërkohet që të definohet rezistenca aktive.
Rezistenca aktive nuk nënkupton, të themi, pasivitetin, pritjen. Këtu nuk është fjala për rezistencë
aktive. Kjo që po bëhet te ne nuk është kurrfarë rezistence. Është fjala për një durim të popullit,
durim i imponuar nga forca tjetër, nga mungesa e orientimit politik të popullit, po nuk është fjala
për rezistencë aktive. Rezistenca aktive nënkupton një forcë të caktuar politike, nënkupton një
udhëheqje të caktuar, nënkupton një përgjegjësi të caktuar. Ne këto nuk i kemi, dhe jo vetëm që
nuk i kemi, por as që i kemi diskutuar ndonjëherë. Madje as që po e hapim një mundësi të tillë të
diskutimit nën pretekstin se mos po përçahemi apo mos po shkaktojmë farë problemi të
padëshirueshëm, nën farë preteksti se jemi në kushte të jashtëzakonshme e gjepura të ngjashme.
Mendimi im është se momenti historik i popullit shqiptar është i tillë që imponon doemos
organizimin e shumë çështjeve. Në qoftë se nuk sqarohen çështjet sot, në qoftë se nuk kërkojmë që
gjërat të kristalizohen, që populli të dijë se ku është dhe nga duhet t'ia mbajë, atëherë më nuk mund
të flasim se jemi duke bërë ndonjë punë të madhe.
Mund të flasim për stihinë e këtyre gjërave, mund të flasim për ndonjë spontanitet, mund të
flasim se qysh do të na lërë Evropa kështu e ashtu, për ndonjë shpresë se nuk do të na lërë në baltë
Amerika ose Gjermania, por këto janë çështje shprese, nuk janë çëshje politike. Çështje politike do
të ishte psh. sikur t'i tregonim atij amerikani, evropiani ose aziatiku se unë dëshiroj të arrij këtë
qëllim me këto kushte dhe me këto mundësi. Ti e akcepton ose nuk e akcepton dot, është një
çështje për të cilën ne tash do të përlahemi atje në konferencë. Por ta reduktosh ti tërë aktivitetin e
një populli, gjithë pakënaqësinë e një populli, në një lëvizje spontane, qysh t'ia merr mendja
gjithkujt, pastaj të bësh konferencë atje, pastaj të kërkosh që aktivitetin tënd ta reduktosh në lutje të
thjeshta drejtuar faktorit të jashtëm që të na merrë parasysh, kjo mund të jetë shaka politike por jo
edhe politikë. Është politikisht joserioze dhe pa përgjegjësi historike.
Nga sa u tha më lart ndër të tjera rezulton edhe një gjë që më parë nuk ka qenë aktuale ose të
paktën nuk është thënë publikisht: kontaktet e subjekteve politike me popullin dhe të qeverisë së
Kosovës me popullin mungojnë. Pastaj ju thatë në një farë mënyre se ç'është rezistenca aktive,
por nuk thatë se kush duhet ta organizojë atë?
Është interesant ai relacioni midis udhëheqjes dhe popullit. Populli, dihet, e kam theksuar edhe
më parë, se e ka orientimin të qartë, por nuk e ka të qartë se qysh duhet arritur atje. Mirëpo këtë
duhet t'ia tregojnë subjektet politike. Sipas mendimit tim, jo vetëm se ka mungesa të mëdha në
komunikimin: subjekte politike-qeveri-popull, por ka edhe mungesa rreth koordinimit të qëndrimit
midis vetë subjekteve politike në Kosovë. Ka mungesa të tilla të cilat shihen qartë, dhe tani mund të
shtrohet pyetja se përse po mbyllen sytë përpara një fakti objektiv? Është e vërtetë se për këto nuk
është biseduar dhe nuk po bisedohet.
Ka vlerësime të tilla që unë po i ndëgjoj të thuhen përafërsisht kështu: "Sot në kushte të
demokracisë ekziston një cenzurë e tillë e shtypit që nuk ka ekzistuar as në kushtet e fashizmit më
të rëndë". A ka bërë ndonjëherë ndonjë subjekt politik protestë kundër një cenzure të tillë? A i është
treguar popullit ndonjëherë se me të vërtetë nuk i kemi shqyrtuar problemet në mënyrë të hapur? Se
çfarë jemi duke bërë në të vërtetë unë nuk po e kuptoj. Pastaj nuk po e kuptoj se përse në të vërtetë
unë u izolova, për çfarë arsyesh? Të gjitha ato që unë i thosha sot dolën qartë. Tani po i thonë edhe
më troç. Përse atëherë nuk po izolohen edhe të tjerët? A mos u mor dikush në përgjegjësi për këtë?
A do të bartë dikush konsekuenca për çështje të tilla?
Thuhet se këto çështje nuk po i bisedojmë thjesht me pretekstin se "gjendemi në kushte të
veçanta". Mirëpo kushtet e veçanta mund të imponojnë vetëm luftë të veçantë, një tempo më
të shpejtuar të zgjidhjes së problemeve, dhe jo të shërbejnë si pretekst për prolongimin e
moszgjidhjes së problemeve.
Kur jemi te Qeveria e Kosovës, dhe jo vetëm te Qeveria, po edhe te raportet e saj me popullin,
mund të konkludohet se edhe këtu ka shumë mungesa dhe parregullsi.
Qeveria e Kosovës, së pari, me sa po shoh unë, nuk është në Kosovë. Unë nuk e di se ku është dhe
nuk e di se kush është anëtar i qeverisë. E di një kryetar, por nuk e di se kush janë anëtarët, kush
është ministër i asaj apo kësaj ministrie. Dhe përderisa këto nuk i dimë, atëherë si do të veprojmë
politikisht? Pastaj e dimë bie fjala, se ti je i zgjedhur deputet i kuvendit, ndërsa kuvendi i vjetër, i
cili gjithashtu nuk është mbledhur kurrë, vazhdon të veprojë. Cilit kuvend i duhet besuar në këtë
rast, të vjetrit apo të riut?
Shumë çështje te ne nuk po funksionojnë, por duhet t'i rregullojmë, sepse përndryshe nuk ka ecje
përpara. Të paktën unë nuk po shuh ndonjë rrugëdalje. Thuhet se s'paska pasur mundësi që kuvendi
të mblidhet në kushte të këtilla. Pallavra. Si s'paska mundësi? Ka pasur mundësi të mbahej në
Shkup, ka pasur mundësi të mbahej në Tiranë, ku kurrkush nuk do t'i kishte ndalur. Mund të ishte
mbajtur madje edhe në Krushë të Madhe. Po po, mund të mbahej edhe në Krushë, sepse pikërisht
këtu janë thyer shumë gjera, e pranuan këtë të tjerët ose jo.
Këtu mund të thirremi pakëz në një artikull timin të botuar kohë më parë në formë fejtoni me
titull "Republika dhe lufta në kontekst të Evropës". Unë këtu e kam paraqitur mendimin tim, dhe
qëndrimin tonë zyrtar e kam quajtur politikë joserioze, politikë që publikisht orientohet me mundësi
dhe opcione të ndryshme të zgjidhjes së problemit. E kam thënë qartë: një popull ose është i
gatshëm të luftojë për një opcion të caktuar ose nuk është i gatshëm. Është çështje e
vlerësimit të subjekteve politike se për cilën çështje je i gatshëm të luftosh. Tani, nëse njëherë i
thuhet popullit se duam referendum e duam sovranitet, ndërsa herën tjetër as republikë, po duam
autonomi, atëherë nuk ja vlen të bisedohet për këtë. Në këtë nivel nuk mund të bisedohet sepse nuk
është fjala për një politikë serioze.
Duhet t'i shqyrtojmë hesapet në mes veti. Përderisa nuk zgjidhen këto çështje, nuk mund të
ecet përpara. Këto tregojnë se çështja shqiptare, ose e Kosovës, është lënë ekskluzivisht në
duart e faktorit të jashtëm, dhe për këtë shkak jepen deklarata herë kështu e herë ashtu. Pra
nuk ka mbështetje në faktorin e brendshëm por vetëm në atë të jashtmin, sepse vetëm ai i
jashtmi mund të bëjë shaka e të të thotë në këtë moment kështu e në atë moment ashtu, për
shkak se ai i ka interesat tjera dhe jo vetëm interesin tënd.
Faktorit të brendshëm duhet t'i bëhet e qartë se çka dëshirojmë të arrijmë në të vërtetë. Duhet t'i
bëhet e qartë edhe se si arrihet ai qëllim. Duhet t'i bëhet e qartë edhe se a është e mundshme arritja
e atij qëllimi. Vetëm pas analizës së këtyre mundësive komplekse duhet të caktohet ajo që është
optimale dhe e realizueshme.
Në bazë të deklaratave po shoh se kjo nuk është bërë, por duhet të bëhet. Madje janë çastet e
fundit. Po qe se kjo nuk bëhet, dhe po qe se edhe më tutje do të jemi rezervë e kalkulimeve të
ndryshme politike të faktorit të jashtëm, situata do të zhvillohet në një drejtim tejet të pakëndshëm,
tejet të pavolitshëm për ne.
Është ky një mendim i imi i zi, por s'mund të jetë i bardhë, gjersa ekzistojnë indikacione që
tregojnë vetëm zi.
Po. Do t'ia kisha bërë një pyetje të thjeshtë: në çfarë cilësie po flisni për Konferencën e Londrës,
edhepse nuk jeni i informuar ashtu qysh duhet të jeni dhe ashtu siç janë të tjerët të informuar? Dhe
unë do të isha përgjegjur se nuk e di as njërën dhe as tjetrën. Duhet pyetur ata që më kanë izoluar
këtu.
Shtator 1992
Bisedoi: Ibish Neziri
Marrë nga "Spektër shqiptar - intervista"
Biel/Bienne, Zvicër, 1994
Të gjithë brezat e shkuar i vinin themelet e së ardhmes, por kohët nuk thyheshin gjithmonë. Ato
ngecnin në vazhdimësi me qëllim që të shpërthenin më vonë. Mbase për t'i gjetur përgjigjet në
pyetjet që i shtronte mendja. Ndër shqiptarët, të gjitha thyerjet e kohës e kishin pasur edhe kuptimin
e takimit me Evropën, por ajo kishte pasur interesa të tjera. Më në fund ajo e kishte dëgjuar zërin e
brendshëm të një shpirti që kishte urdhëruar: "Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!" Jehona ishte
shpërndarë kudo nëpër Kosovë. Ndërkaq shpirti i shqetësuar kishte konstatuar me hidhërim: "Si ka
mundësi vallë që mendja e njeriut të zbresë në nivelin e bishave?" Mirëpo vdekja e kishte paguar
tagrin e vet. Pastaj ishin bashkuar mendja, shpirti dhe vdekja, dhe kishte lindur Demokracia për ta
hijeshuar Republikën.
I. Në mëngjezin e 27 janarit të vitit 1990, nga Krusha e Madhe, një fshat ku degëzohen tri rrugë,
ato që të shpien në Prizren, Gjakovë dhe Rahovec, një grup i madh njerëzish, burra e djelmosha,
ishte nisur për në Rahovec. Rrugës iu kishin bashkuar edhe të tjerë nga fshatrat e afërta, nga Celina
(të cilët ngulnin këmbë se janë nisur nga Celina), Nagavci, Hoça e Vogël, Randobrava, Pirana dhe
Brestovci. Kërkonin Liri dhe Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Një numër policësh u
kishin vajtur mbrapa. Kishin qenë të armatosur dhe të hipur nëpër makina, të cilat nuk i kishin
ngarë shpejt, po vetëm sa për t'u qëndruar afër. Dhe sa më shumë që kolona e demonstruesve ishte
zgjatur, ata kishin mbetur gjithnjë e më mbrapa.
Në fshatin Brestovc, aty ku rruga fillon të gjarpërojë mengadalë përpjetë për të arritur në
Rahovec, ua kishte zënë pritën një togë e policisë speciale, me automjete të blinduara, me rroba
speciale anti-plumb, të pajisur me armatim të lehtë këmbësorie. Nga pikëpamja taktike, pozita e
tyre kishte qenë më e favorshme. Ndodheshin më lart se demonstruesit, të cilëve, për të bërë
përpara në drejtim të tyre, u duhej të ngjiteshin përpjetë. Nga ajo pozitë e lartë ata i kishin vënë re
demonstruesit që kërkonin Liri e Demokraci dhe që e kishin menduar Republikën. I kishin pasur si
në pëllëmbë të dorës. Atje lart ndodheshin edhe skeletet e disa shtëpive private në ndërtim e sipër
që mund t'u shërbenin për zënien e pozitave të shkëlqyera në rast lufte me demonstruesit. Por këta
të fundit kishin qenë të paarmatosur. Dhe ashtu të paarmatosur, duarthatë e gjysmëzbathur, kishin
kërkuar Liri e Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën.
II. Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit, policia speciale u
kishte bërtitur: "Stoj!" Mirëpo këta nuk kishin dashur ta kuptonin "Stojin", sepse kishin qenë në
vendin e tyre, ndërsa urdhërin shqip "Ndalu!" nuk e kishin dëgjuar. Kishin bërtitur gjer në kupë të
qiellit: "Liri dhe Demokraci", -dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës e kishin gjakuar
Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i zi i gazit
lotsjellës. Gumëzhima e krismave të pushkëve dhe të automatikëve e kishte çarë ajrin. Ky i kishte
kthyer në jehonë. Fishkëllima e plumbave dhe zhurmërima e autoblindave e kishin shaktuar një
zallahi të përgjithshme nga e cila nuk ishin ndjerë dot as dhembjet prej goditjeve të rënda të
çizmeve policore. Policia ishte depersonalizuar, ishte shndërruar në pushtet. Ndërsa pushteti në
shënjestër. Ishin vrarë pesë vetë, ndonëse thoshin katër, dhe ishin plagosur nëntëmbëdhjetë të tjerë.
III. Dhe dëbora ishte skuqur. Aty ku s'kishte pasur borë, dheu ishte përzier me gjakun e tyre. Dita
e janarit ishte përgjakur, ndërsa dielli kishte bërë sehir. Ngadalë kishte filluar të skuqej edhe ai. E
kishte parë dheun e ftohtë të dimrit të përzier me gjakun e nxehtë të trimave dhe ishte fshehur pas
një reje. S'kishte dashur ta besonte zallahinë që po ndodhte mbi tokë, por ajo kishte ndodhur.
Vdekja ishte dukur e palogjikshme, por ajo e kishte pasur kuptimin e vet: e vdiste një realitet
politik për ta lindur demokracinë. Mirëpo dielli megjithatë ishte skuqur ditën e katrahurës mbi
dhé, atëherë kur në qiell fluturonin predhat për t'u ngulur më pas në trupin e njeriut. "MANTRA
MË THOSHTE", -kishte thënë Bapuja në një kohë dhe në një vend të largët, por që tani, si njëra,
ashtu edhe tjetra, dukeshin njësoj të afërt -"BËJE OSE VDIS!":
"BESATOHUNI ME ZOTIN DHE ME NDËRGJEGJEN TUAJ SI DESHMITARË SE NUK DO
TË QENDRONI TË QETË DERISA NUK DO TA ARRINI LIRINË, DHE SE DO TA JEPNI
EDHE JETËN DUKE E KËRKUAR LIRINË. AI QË E HUMB JETËN E TIJ DO TA FITOJË
ATË, NDËRSA AI QË E KËRKON SHPËTIMIN E JETËS, DO TA HUMBË ATË. LIRIA NUK
ËSHTË PËR QYQARËT DHE AS PËR FRIKACAKËT" (M.K.Gandi, My Non-Violencë,
Navajivan Publishing House, Ahmedabad, 1960, f.195). Këta djem, në fshatin Brestovc të komunës
së Rahovecit, e dhanë jetën për ta fituar atë. Nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për Bapunë, por njësoj
e kishin kërkuar lirinë dhe demokracinë dhe e kishin gjakuar Republikën. Dhe njësoj kishin mbetur
të pavdekshëm.
IV. "Bacë, -më tha Afrimi, vëllai im, që për pak sa nuk ishte vrarë edhe ky (e kishte penguar
setra), -u vra Halimi, kushëriri ynë, djali i bacës Malush". I shikoja syzat e tij prej xhami të trashë.
Prapa tyre sytë i dukeshin të palëvizshëm, por dukej se ishte i shqetësuar me themel. Nëna, e bërë
asht e lëkurë nga brenga, rrinte e palëvizshme, si një mumje. Vite më parë, më 1984, po në këtë
mënyrë ia kishin kumtuar vrasjen e djalit të të vëllait, të cilin e kishte rritur vetë, pasiqë familja i
ishte shuar, prandaj atë e kishte trajtuar si djalin e saj të katërt, si shpresë te vetme për ripërtëritjen
e familjes së saj, dikur shumanëtarëshe. Mirëpo ai kishte qenë pa fat. E kishin vrarë në moshën 34
vjeçare, pa lënë asnjë pasardhës pas vete, dhe kjo fatkeqësi e kishte tretur trupin e nënës sime. E
vranë kur unë me Afrimin ndodheshim në burg, mbase sepse nuk deshën të kisha edhe një krah të
djathtë, për ta bërë edhe pajtimin pakëz më vonë me shantazh, duke e frikësuar nënën se do t'ia
vrisnin edhe djalin. "Muhametin? -kishte murmuritur ajo (se Muhamet e kishte pasur emrin), -po
Muhameti është vrarë qe 6 vjet", -kishte vazhduar ajo me vete, me gjysëm zëri, pa lëvizur, si një
mumje. "Jo nënë, por Halimi i bacës Malush", -tha Afrimi. "Po bir, edhe Muhameti, edhe Halimi", -
fliste ajo gjithnjë me veten.
"Është vrarë edhe shoku im, Nesimiu, djali i bacës Xhemail nga Nagavci", -vazhdoi Afrimi. E
shikoja nënën. Dukej e përhumbur dhe vetëm pëshpëriste: "Halimi, Nesimiu... po edhe Muhameti
është vrarë biri im".
"Po nënë, -e dëgjova veten duke thënë, -edhe daja është vrarë, por para 6 vjetësh, e jo tash." Por ajo
nuk po më dëgjonte. Dhembja që kishte qenë e ndrydhur për 6 vjet, tani po i shpërthente me tërë
intensitetin e saj të pandalshëm. Kishte qëndruar si një mumje, por tani buzët nisën t'i dridheshin
dhe nuk i kontrollonte dot. Krahërori i hajthëm i nënës sime të stërvuajtur u mblodh. Ajo u bë
kruspull. Isha dëshmitar i materializimit fizik të dhembjes që e synonte daljen nga shtrofka e thellë
e shpirtit. Nesimiun e njihja si një aktivist të flaktë e të pakompromis për republikën. E njihja edhe
babain e tij, Xhemailin. Së bashku me babain tim, si pleq që i kishte afruar si fati i përbashkët,
ashtu edhe mosha, i kishin vënë trastat mbi shpinë, pastaj i kishin kapur edhe valigjet, dhe ishin
nisur për rrugë, për t'i kërkuar bjtë e tyre nëpër burgjet e Jugosllavisë. "Merr vesh, ti, Nazyf, biri
im për pak sa nuk më sikterisi", -kishte thënë Xhemaili. "Mirëpo ti ke dashur t'i flasësh serbisht", -
ia kishte kthyer babai im, kur i kishin kujtuar çastet e hidhura nga vizitat nëpër burgje. Dhe pastaj
përçafoheshin. Djalë i vendosur ishte Nesimiu. Tani qenka vrarë. Me ta marrë lajmin, babai i tij
Xhemaili ishte përçafuar me babain tim Nazyfin. Ia kishin plasur vajit mu në mes të odës së
burrave dhe pastaj ishin larguar që të vajtonin në vetmi. Mirëpo vetëm më vonë do të ndëgjoja për
këto skena. Tani po e shikoja nënën. Ajo akoma po pëshpëriste me vete. Akoma po i dridheshin
buzët dhe akoma po qëndronte si mumje, por tani ulur galiç dhe e bërë kruspull. Dhembja e kishte
mbështjellë si bolla. Një gur i heshtur që dridhej. Një gur që dridhet dhe nuk flet. U llahtarisa nga
kjo pamje, por u përmbajta. "O zot, -thashë me vete, -ç'kanë hequr këto nëna që t'i rrisnin bijtë e
tyre që tani po ua vrisnin!" Mendova që të kacafytesha me mendimet e Bapusë, ashtu sa për ta
larguar trishtimin, por Afrimi nuk po heshtte. E dëgjova sërish zërin e tij dhe mu bë se e kishte
fituar një tingëllim metalik, të thekshëm, të pamëshirshëm, depërtues. Mu duk se do të më pëlciste
timpani i veshit, që edhe ashtu nuk e ndjeja mirë, por nuk më pëlciti. "Eshtë vrarë edhe Agroni,
djali i Haxhi-Rizës nga Celina. Edhe Hilmiu, djali i Rexhepit nga Hoça e Vogël, si dhe janë
plagosur shumë të tjerë." Këtë të fundit nuk e njihja, por e njihja babain e Agronit, Haxhi-Rizën.
Kishin qenë të afërt me nënën time familjarisht, ndërsa vdekja kishte qenë shoqëruesja e tyre e
kahmotshme. Gati sa nuk e shquanin dot nga jeta, sepse e kishin pasur mysafire të shpeshtë. Mirëpo
kjo tani nuk kishte ndonjë rëndësi. Dëshiroja ta vëzhgoja edhe më tej nënën, por ajo kishte vajtur në
dhomën e prindërve. Ashtu e kruspullosur, kishte rrëshqitur e padukshme si një hije, ose ndoshta
thjesht ishte rrokullisur në dhomën e saj, dhe atje, në heshtje të plotë, do të ketë dënesur me tërë
thelbin e shpirtit që i kishte mbetur. Nëna ime nuk e duron dot vdekjen, mirëpo ajo kishte qenë
mysafire e shpeshtë dhe pa ndonjë rend në trojet tona. Nënat dhe Vdekjet tek shqiptarët urrehen në
mes tyre më shumë se kudo në botë, ngase nga ajo rëndom kishin pësuar nënat. Ato pësojnë kudo,
por tek shqiptarët kjo kishte qenë e veçantë. Për këtë shkak isha përpjekur ta kuptoja arsyen e kësaj
veçantie, por kisha arritur që vetëm ta kapja disi me intuitë dhe nuk kisha gjetur dot fjalë për ta
shprehur.
V. Pastaj i kisha vizituar kufomat. I kisha prekur një nga një dhe vdekja gjithkund kishte qenë
njësoj: hijerëndë dhe e pazbërthyeshme, disi e rëndomtë, por kudo jashtë rendit, e pazakonshme,
ireale, e madhe, por e ftohtë. Shikoja përreth dhe e hetoja se ajo ishte futur në shpirtin e njerëzve. I
kishte shqetësuar gjer në palcë dhe kishte tentuar që të barazohej me jetën, por akoma nuk e kishte
arritur atë shkallë. Sidoqoftë, kishte pasur aq shumë vdekje brenda një çasti të vetëm saqë kishte
humbur rendi i gjërave. Tani jeta dhe vdekja loznin valle në shpirtin e njerëzve dhe fytyrat ishin
zbehur. Ishin bërë dyll të verdha. A thua jeta dhe vdekja ishin bërë një? Këtë nuk mund ta dija.
Dhe mu kujtua plaka e fshatit Kakunde në Angola, nga viti 1972. Nuk ua merrja vesh gjuhën po
ua zbërtheja fytyrat. Kolonialistët portugezë ia kishin vrarë djalin (fëmijë), të cilit pastaj ia kishin
fërguar gishtërinjtë e dorës. Fytyrat e zeza të zezakëve ishin zverdhur dhe mendja për disa çaste
ishte zhvendosur nga shtrati i saj i natyrshëm. Plaka ishte përpjekur t'i refuzonte gishtërinjtë e
fërguar të të birit, por kolonialistët kishin ngulur këmbë. Në këtë lojë morbide me vdekjen kishte
pësuar mendja e të gjallëve. Në këtë mënyrë jeta dhe vdekja ishin bërë baras. E para nuk kishte
pasur vlerë as dhe një qindarkë më tepër se sa e dyta dhe ia kishte pasur lakmi së dytës.
VI. Më duhej të flisja. Doemos më duhej të flisja në homazhin e fundit, por fjalët e kishin humbur
kuptimin. Më dukej se fjalët nuk mund ta kapnin dot kuptimin. Kuptimi ishte zhvendosur prej tyre.
Ishte larguar dhe bënte një ekzistencë të veçantë, jashtë kallëpeve ku mund ta vinin fjalët. Kështu
që edhe kuptimi, edhe fjalët, bënin ekzistencë të veçantë, secili për vete. Dëshirova ta pyesja
Behajdinin nëse mund të më ndihmonte ta bashkoja disi kuptimin me fjalët, por edhe ai ishte
larguar. Nuk po e gjeja dot. Pastaj befasisht mu kujtua Gabriel Garcia Markesi. Një protagonist i tij
në "100 vjet vetmi" vazhdimisht ishte marrë me zbulimin e së zbuluarës. Mbase e kishte kërkuar
shijen dhe kuptimin e zbulimit ose të zbulimeve. Kjo nuk ishte e vërtetë, por në atë çast nuk e dija
se përse nuk ishte e vërtetë. Më vonë, gjersa po i rregullonin dritat e traktorit për të ndriçuar
errësirën e varrit të hapur, e kisha kuptuar më në fund Kadarenë. Të tërin. Edhe ironizimin e
stërholluar aziatik të vdekjes në mendjen e Tunxh Hatait, edhe indiferencën cinike ndaj vdekjes të
Kus Babait. Dhe nuk më kishte pëlqyer. Atë çast nuk e gjeja dot nëse kjo e fundit kishte qenë pjellë
e aziatizimit të mendjes evropiane apo e evropeizimit të mendjes aziatike.
VII. Deklarova se Halimin po e përshëndesnin shokët e tij të vdekjes duke menduar se vdekja
kishte qenë e barazuar me jetën dhe njësoj mund ta përshëndesnin edhe të gjallët që e ndjenin
vdekjen në jetën e tyre, por këtë nuk e kisha thënë. Më ishte dukur e tepërt. Për një kohë kisha
heshtur, por të gjallët tani kishin nisur të dënesnin me zë. Dënesja mbi varrin e Halimit ishte diçka
jashtë rregullave, por mua më ishte dukur e natyrshme. Pastaj u kisha shpjeguar:
"E vranë sepse nuk e besoi që mendja e njeriut të kishte zbritur në nivelin e bishave; sepse e
kërkoi dialogun dhe sepse nuk kishte besuar që rruga për në Evropë të kishte qenë e shtruar me
plumba.
E vranë sepse deshi që Unin e popullit të vet ta barazonte me Unin e të tjerëve dhe sepse nuk
deshi të besonte që mendja e njeriut mund të provonte ndalimin e rrugës së progresit dhe të
qytetërimit.
E vranë, por vdekja e kishte nderuar jetën e popullit të tij, ndërsa populli po ia kthente nderimin
me nderimin e vdekjes së tij."
VIII.Të nesërmen, mijëra të rinj, gra, burra, pleq e fëmijë, parakalonin rrugëve të fshatrave dhe të
qyteteve të Kosovës. I kishin ngritur të dy gishtërinjtë në formë të shkronjës V. Vdekja ishte
mbjellë nëpër të gjitha anët. Kosovën e kishte mbuluar tymi, të shtënat, autoblindat. Por rrezet e
diellit e kishin depërtuar angushtinë. Çdo gjë kishte marrë fund. Demokracia ishte vetëlindur dhe e
kishte hijeshuar Republikën. Më në fund fjalët e kishin gjetur kuptimin dhe tani e tutje kuptimi dhe
fjalët do të bashkëjetonin.
IX. Jeta dhe vdekja kishin qenë të barazuara gjatë tërë dekadës së viteve 80, dhe kjo kishte
përfunduar me lindjen edhe të Republikës, edhe të Demokracisë.
Nuk kishte qenë fjala për kurrfarë gandizmi. Nuk kishte pasur kurrfarë Satiagrahe të asaj natyre
siç e kishte shpjeguar Mahatma. Me gjenialitetin e tij, Gandi, që të tjerët e quanin herë Bapu dhe
herë Gandixhi (Gandiji), e kishte shquar idenë qendrore të kulturës indo-ariane, Dharmën, që ishte
diç më tepër se besim. Ajo e prezentonte konceptin e obligimeve njerëzore të përmbushjes së
detyrave ndaj vetes. Duke e bërë komentimin origjinal të Bhagavat Gitës në Mahabharata, ai e
kishte provuar harmonizimin e të tri rrugëve të përparimit njerëzor: të intelektit (dijes), të aksionit
(veprimit aktiv) dhe të besimit (feja dhe vendosmëria së bashku). Konceptin e nirvanës, që ishte i
pranishëm në Budizëm, ishte përpjekur ta shpjegonte me terma pozitivë. Ajo tani nuk ishte
shndërrim i vetvetes në hiç përmes përqendrimit të mendjes në një objekt të caktuar, por pikërisht e
kundërta: filozofia e Satiagrahës (kërkimi i së vërtetës) durimin përqendrues të indianëve e
aktivizonte në luftë joviolente, në veprime jo të dhunshme për arritjen e qëllimit praktik: të largimit
të britanikëve dhe të pavarësimit të Indisë. Ai në thelb, nirvanën e besimit budist, ia kishte
kundërvënë frikës. Kështu, mendjen e fjetur të një populli të vjetër e kishte ngritur në nivelin e
rezistencës dhe të mosbindjes aktive civile. Kishte besuar se vrasja nuk i vret vetëm të vrarit por
edhe vrasësit, dhe e kishte fituar davanë. India në vitin 1947 e kishte fituar pavarësinë. Anglezët
nuk kishin mundur t'i ndryshonin totalisht kodet e tyre morale dhe të shndërroheshin që të gjithë në
vrasës, torturues e kriminelë. Ishin pajtuar me pavarësinë e Indisë.
X. Shqiptarët nuk u përngjanin indianëve as për nga numri, as për nga zakonet e adetet, as për nga
raca e as për nga besimi. Në mendjen e tyre kolektive nuk ishte e pranishme nirvana. Religjionet e
tyre ishin të importuara, por edhe si të tilla, nuk e përmbanin nirvanën dhe as teknikën e arritjes së
saj. Ata nuk ishin në thelb popull religjioz dhe as të prirur për meditim. Megjithatë, gjatë shekujve
të përmbytur me shtërngata e dyndje të panumërta të popujve, ata qëndruan shqiptarë. Ndoshta
sepse ishin të lidhur me tokën e tyre, të cilën në thellësi të shpirtit të tyre kolektiv e barazonin me
jetën. Për këtë shkak dukej sikur nuk e kishin të vështirë të vdisnin, ndonëse jetën e çmonin njësoj
si të tjerët. Për ta universi do të duhej ta kishte thjeshtësinë e tokës dhe nuk ishte prapavijë e veçuar
shpirtërore por vetëm pjesë e jetës mbi tokë e rregulluar me ligjet e amshueshme të natyrës. Ishin
një popull i vjetër evropian, të nxitueshëm e të pangeshëm, që mosmarrëveshjet shpesh i zgjidhnin
me armën në dorë. Parimin juridik të maturisë, për të cilin flet Kadareja, e zhvilluan jo aq ngase e
kishin të lindur, por sepse ua kishte imponuar realiteti për të mos u zhdukur si popull. Në këtë
kuptim mund të flitet për të vetëm si pjesë, karakteristikë, vijë e karakterit të tyre të derivuar nga
një çasje e veçantë estetike dhe modeste, në instancën e fundit, nga një njësim i thjeshtë dhe i bukur
me natyrën. A nuk e reflektonin fytyrat e tyre tipike dheun ku silleshin, ambientin natyral, kohën e
trojeve të veta?
Ballkani në përgjithësi, kishte qenë pikë-takimi dhe vend-ndeshjeje i dyndjeve të ndryshme të
popujve që i kalonin kryq e tërthor kontinentet për t'i gjetur vend-plaçkitjet dhe vendqëndrimet e
reja. Në rrugë e sipër për këto caqe u dilnin përpara Adriatiku ose Egjeu. Në vorbullat që
krijoheshin nga pështjellimi i kësisojshëm i popujve, kujdesi dhe maturia që ishte bartur tek
shqiptarët gjatë historisë, do të duhej t'u kishin ndihmuar paraardhësve të tyre në ruajtjen e
identitetit iliro-shqiptar në raport me ardhacakët. Andaj, themeli i qëndresës shqiptare nuk ishte
durimi i satiagrahës së Gandit, por përbuzja e rendit të panatyrshëm të gjërave që e lëndonte
ndjenjën e tyre estetike mbi natyrën dhe mbi botën; gadishmëria që të dëshmonin se në mendjen e
tyre kolektive burimore asnjëherë nuk kishte pasur as despotizëm aziatik dhe as cinizëm të Evropës.
Tunxh Hatai dhe Kus Babai i Kadaresë, me indiferencën dhe me cinizmin e tyre të tmerrshëm ndaj
vdekjes, artistikisht e përfaqësonin karikaturimin ekstrem të barazimit të jetës me vdekjen, por duke
qenë në funksion të individuumëve "të shtrembëruar" të kohës, mund të përfytyrohej edhe
mundësia rrënçethëse e fatuum-it të etnosit të tyre kolektiv. Do të duhej të merrej me mend se çfarë
përbindshash do të mund të delnin prej tyre sikur të mos kishin mbetur shqiptarë; me çfarë logjike
të çoroditur do të ishin udhëhequr sikur të mos e synonin zhvillimin në harmoni me vetveten dhe
me kohën?!
Duke ecur kryelartë drejt automatikëve, ata nuk deshën ta bindnin Evropën për akceptimin e
metodave joviolente të zgjidhjes së problemeve. Demokracia ndër shqiptarët kishte qenë e
pranishme në vetë qenien e tyre. Me qindra dhe me mijëra vjet në truallin e Ballkanit kishin jetuar
të përzier me popujt tjerë. Nuk kishin provuar që ndonjëherë të tjerëve t'ua impononin sundimin e
vet, mirëpo nuk ishin pajtuar as me nënshtrimin e vetes së tyre. Nuk e kishte mësuar demokracinë
Ballkani prej Evropës, por Evropa e kishte trashëguar atë prej Ballkanit. Barazimi i jetës me
vdekjen ndër shqiptarët simbolikisht kishte qenë i shprehur me shallin e bardhë të rugovasve. Ata
nuk kishin dashur ta bindnin Evropën për asgjë. Vetëm ia kishin përkujtuar dimensionin evropian të
Unit të tyre dhe pjekurinë me të cilën i kishin vlerësuar kohërat. E kishin kërkuar nga ajo njohjen e
realitetit në truallin e tyre dhe zbatimin praktik të parimeve të proklamuara.
XI. Satiagraha e Bapusë e synonte riedukimin e anglezëve. Mendja e korruptuar prej sundimtari
britanik është dashur të mundej nga forca morale e së vërtetës gandiste -satiagrahës. Dhe u mund.
Ndërkaq ky konfrontim i shpirtit indian me trupin anglez e kishte mahnitur Evropën, por mahnitja
kishte qenë edhe një nusprodukt i kacafytjes së principeve të ndërsjella të materializuara në
masakrimin e 1500 vetave dhe në rrahjen masive të të tjerëve. Më në fund anglezët ishin neveritur
me veten e tyre, ndërsa njerëzimi ishte turpëruar me krimin e anglezëve.
XII. Serbia, e pëlqyer prej vetes në rolin e "mbrojtësit" të krishtenizmit nga "fundamentalizmi
islamik" i shqiptarëve kishte provuar t'i paraqiste ata si aziatikë dhe t'i vriste pikërisht si të tillë.
Gadi sapo e kishte harruar edhe vendin edhe kohën. Për këtë shkak shqiptarët i ishin drejtuar
Evropës me përbuzjen e vdekjes, me atë përbuzje rrrënçethëse që të shtangte në vend dhe që ia
përkujtonte Evropës se politika e lojërave e të manipulimeve në Ballkan në hesap të shqiptarëve do
të duhej të merrte fund një herë e përgjithmonë.
XIII. Nga ndeshja e vendosmërisë njerëzore me plumbat, e Unit kolektiv me çelikun, e syrit pishë
me barotin, Evropa e kishte kuptuar. Aktet dhe skenat e kësaj drame kishin zgjatur 9 vite të plota,
por porosia e mishëruar në përbuzjen me buzëqeshje të vdekjes në Brestovc ishte bërë e qartë:
Shqiptarët e kishin bërë evident Unin e tyre evropian dhe Evropa ua kishte respektuar.
XIV. Serbët nuk kishin qenë as më të mirë dhe as më të këqinj se anglezët, por vetëm një popull i
lajthitur me përkrahjen e të mëdhenjve, dhe pastaj, i hidhëruar me rolin e reduktuar në suazat e
veta reale. Ata i kishin shquar veçoritë e shqiptarëve si popull, por në vend që t'i respektonin, në
vend që t'i ndërtonin urat e miqësisë së ndërsjellë, për gati 80 vjet rresht kishin rënë në kurthin e
imitimit të madhësisë së të mëdhenjve. Kishin shkatërruar pothuajse çdo gjë që do të mund t'i lidhte
me ta. Në funksion të vëllait të madh, kishin harruar se atë e kishte shpikur Orwelli, një anglez i
Evropës, që i kishte pasur interesat e veta. Ata e vazhduan dramën e tyre me veten dhe i thelluan
humnerat me shqiptarët, i lartësuan hendeqet dhe i zgjeruan kanalet me ujë të ndotur të izolimit të
vetes. Ata natyrisht e dinin se kjo kishte qenë politikë e dështimit dhe jo e vetëbesimit, refleksion i
dëshpërimit dhe jo i perspektivës, rezultat i lajthitjes dhe jo i vërtetësisë, politikë e vendnumërimit
dhe jo e progresit, e përmbytjes dhe jo e shpëtimit. Vetëm se nuk e dinin se përse e bënin një gjë të
tillë...
XV. E kisha njohur dikur Xhai-Prakash Narajanin (Jay-Prakash Narayan), shokun e luftës së
Bapusë, për të cilin Bapuja shkruante se ishte një kolos i Indisë, por ishte trim i çartur, prandaj
pikërisht për këtë shkak vetëm së shoqes së tij, zonjës Narajan, do të mund t'ia besonte ahimsën
(mësimin mbi jo-dhunën) dhe jo atij, sepse ishte impulsiv dhe mund të shpërthente. E kisha takuar
në hotelin "Ashoka" të Nju Delhit më 1970 dhe pastaj në Ilixha të Sarajevës, më 1972. Ishte në
moshë të shtyrë të pleqërisë. Kishte qenë i prekur me Bapunë, dhe për këtë shkak, më vonë, në
vend që të bëhej vetë Kryetar i Indisë, ia kishte lëshuar postin Llall-Bahadur Shastrit. I kishte
braktisur të gjitha funksionet dhe ishte tërhequr në Himalaje. Në vetmi të plotë kishte medituar 5
vjet dhe pastaj ishte kthyer sërish në mes njerëzish, me qetësinë e shënjtorit në pamje. Rrezatonte
prehje shpirtërore dhe nuk kishte pasur asnjë njeri tjetër në jetën time që për një kohë aq të shkurtër
të qëndrimit me të (vetëm dy javë, kohë pas kohe) të më kishte lënë përshtypje më të thellë se ai.
"Ashoka"! -e përshëndeta kur e takova në Sarajevë, duke dashur t'ia kujtoja hotelin në Nju Delhi,
por edhe rolin e këtij mbret mbi mbretërit të historisë së re të Indisë në përhapjen e kulturës indiane.
"Vid", -ma ktheu në sanskritishte, duke dashur të dinte nëse kisha lexuar ndonjë gjë nga Vedat (vid
-dituri) që m'i kishte rekomanduar atëherë. "Më ka pëlqyer Ajruna nga Mahabharata, -i thashë unë,
-se e simbolizon shpirtin e munduar të njeriut nga epoka në epokë. Po ju shenjtëri, a keni arritur që
përmes meditimesh tuaja t'i harmonizoni të tri rrugët e përparimit njerëzor: të intelektit (dijes), të
veprimit (aksionit) dhe të besimit?" Më ishte përgjigjur me një citat nga "Upanishadat": "Me të
vërtetën është e shtruar rruga gjer ke e shenjta... Udhëhiqem nga irealja në realen! Udhëhiqem nga
errësira në dritë! Udhëhiqem nga vdekja në pavdekshmëri!" "Plak i shenjtëruar, -thashë me vete, -
nuk po të marr vesh". "Kanalizoje energjinë tënde, -tha ai, -lexoji "Upanishadat" dhe analizoje
Hegelin!" "Dreq o punë! -thashë përsëri me vete, -ç'punë kishte Hegeli me "Upanishadat"?" Mirëpo
ai, sikur t'i lexonte mendimet e mia, vazhdoi: "He, whoos seeth all things in that Self, and Self in
everything, from that he'll no more hide" ("Nga ai që i sheh të gjitha sendet në një Unë, dhe Unin
në të gjitha sendet, nuk do të fshihet më tej ajo" (mbase dituria)). Kështu ishte menduar, thoshin
disa, para më se 5-6 mijë vitesh, dhe ishte bartur më vonë në "Upanishadat" e Indisë, në njërin nga
dokumentet e shkruara më të lashta njerëzore, ndërsa motivi themelor qysh atëherë kishte mbetur i
njëjtë: LIRIA, SUAZË E VETËKRIJIMIT TË SHPIRTIT TË NJERËZVE. Megjithatë, disa vjet
më vonë, pak para vdekjes, Xhai-Prakash Narajani i ishte kthyer sërish politikës. Kishte dashur ta
hiqte Indira Gandin nga pushteti sepse ajo ishte përpjekur t'i kastronte (tridhte) burrat e Indisë. E
kishte hequr atë dhe pastaj ishte tërhequr në shenjtërinë e përjetshme të pasvdekjes. Ai kishte
vdekur, por edhe Indira, pasiqë ishte kthyer sërish në pushtet, nuk kishte provuar kurrë më ta
përsëriste një gjë të tillë.
Po ne?
XVI. Vetëdija e deformuar mbi realitetin duket se i ka mjegulluar gjërat. Edhe Republika, edhe
Demokracia, akoma mbahen peng. Me pretekste nga më të ndryshmet, nga dita në ditë, nga java në
javë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit shtyhet realizimi i tyre i plotë. Ndërkaq, në esencën e
kësaj shtyrjeje të vazhdueshme duket se qëndrojnë interesat, poashtu nga më të ndryshmet, që prej
interesit të dominimit mbi popullin tjetër, gjer tek interesat karrieriste të ruajtjes së privilegjeve të
pamerituara. Ekziston vetëm një interes i denj për njeriun, interesi i jetës me dinjitet njerëzor.
Mendja do të duhej t'i njerëzojë interesat në mënyrë që realizimi i tyre konkret:
-MOS T'I SHNDËRROJE NJERËZIT NË BISHA,
-POPUJT NË KOPE UJQËRISH,
-KOMBET NË PËRBINDSHA ÇELIKU, BAROTI E PLUMBI.
Nata e gjatë makabër e lojës me vdekjen do të duhej të përfundonte. NESIMIU, HALIMI,
AGRONI, HILMIU, etj. e kishin dëgjuar zërin e brendshëm të shpirtit që urdhëronte: BËJE OSE
VDIS PËR TA VRARË VDEKJEN! Duke e gjakuar jetën me dinjitet, e kishin fituar atë. Ai që e
kërkon shpëtimin e saj me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do ta jetojë me nder!
Zonjë,
I
Reintegrimi i kushtëzar
II
Letër miqve
Të dashur Peter dhe Petra
Do të dëshiroja që të dy së bashku ose, nëse ashtu ju pëlqen më tepër, secili veç e veç, (ata
poashtu janë të ndarë, v.i.U.H.),ta lexoni këtë letër, por vetëm pasi ta keni përkthyer në gjuhën
gjermane.
Është një zakon i popullit tim rreth të cilit kurrë nuk do të kisha ditur gjë po të mos më
kishte ngjarë që t'i humbisja të dy familjet e mia. Paraqitet dhe njeriu mund ta takojë vetëm në
situata të tilla. "U paraqit" dhe "e takova" në të dy rastet e mia, me Edin dhe me Sevdinë
(Sevdije Zeqiri, e diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, v.i.)
gjithashtu, por në rastin e parë (shkurorëzimi me Edin) nuk isha mjaft i mençur sa për ta
njohur, ndërsa në rastin e dytë (ndarja me Sevdinë) isha më i vjetër, më i pjekur dhe më i
mençur se më parë.
Në të vërtetë, si kur u shkurorëzova me Edin, edhe kur më braktisi Sevdija, shumë njerëz
vinin për të më parë. Të rinjtë do të bisedonin me ty ose mes vete për shumë gjëra me rëndësi
ose me më pak rëndësi, por jo edhe për atë që në të vërtetë kishte ngjarë. Më të vjetrit, vetëm
do të uleshin rreth teje, si tek indianët e Amerikës, do të dëgjonin me pasion çfarëdo që t'u
thoje, por edhe ata gjithashtu kurrë nuk do të thoshin gjë, ose me asgjë nuk do ta komentonin
atë që në të vërtetë kishte ngjarë. Ky fakt gjithnjë më vinte në një situatë tejet të çuditshme.
Sepse e vetmja gjë për të cilën dëshiroja të bisedoja ose të dëgjoja në ato çaste ishte situata e
krijuar. Zakonisht më pëlqente ta fajësoja palën tjetër. Vetes i dukesha i pafajshëm si një
engjëll, gjersa pala tjetër më dukej se ishte e shoqëruar me djaj. Çdo gjë që më takonte ose që
ndodhej në anën time ishte e pastër si kristali, ndërsa çdo gjë që i takonte ose që ndodhej në
anën tjetër, ishte e dyshimtë dhe e turbullt. Po qe se këta njerëz kishin ardhur të më vizitonin,
përse atëherë nuk më përkrahnin, përse heshtnin dhe përse nuk më thonin asgjë? Natyrisht kjo
gjë më hidhëronte shumë. Pyeta shumë njerëz rreth kësaj situate, por kurrnjëherë nuk mora
ndonjë përgjigje të saktë.
Për këtë shkak një ditë prej ditësh vendosa ta vizitoja një plak të vjetër në fshat. I kishte
rreth 112 vjet dhe meqë nuk mundte të lëvizte, shkova vetë tek ai. Vendosa të përfitoja nga
situata dhe ta pyesja rreth asaj që e ndjeja si të padrejtë. Më thanë se ishte i zgjuar vetëm në
momente të rralla, por me kohë e vura re se kthjellohej për një kohë më të gjatë, vetëm
atëherë kur vërtetë i interesonte tema e bisedës. Në një moment të përshtatshëm ia bëra një
pyetje të drejtpërdrejtë: përse njerëzit që më vizitonin nuk i përkrahnin qëndrimet e mia rreth
çështjeve të shkurorëzimit? Nuk u përgjigj menjëherë. I mbylli sytë dhe për një kohë të gjatë
qëndroi i palëvizshëm. Mu sikurse një mumje. Mirëpo isha këmbëngulës dhe vazhdova ta
shikoja në fytyrë. Zbulova se nuk e kishte humbur orientimin. Ishte vetëm duke menduar, ose
nuk dëshironte të përgjigjej. E ndjeva disi se i pëlqente të qëndroja aty. Kështuqë qëndrova
duke pritur në heshtje. Pastaj, pas një pauze të gjatë të heshtjes reciproke, e vura re se si po
përpiqej t'i mblidhte buzët e veta të tretura në një mënyrë të çuditshme që do të duhej t'i
përngjante buzëqeshjes. M'u duk se vetë shekulli po përpiqej të buzëqeshte. U bëra kurreshtar
që ta përjetoja këtë buzëqeshje të shekullit. Pas pak filloi të fliste mengadalë. "E vërteta, -tha
ai, -midis burrit dhe gruas kurrnjëherë nuk mund të dihet nga pala e tretë. U është e njohur
vetëm atyre". "Qen bir qeni", -thashë me vete me hidhërim. "E pamundur" -shtova. Mirëpo ai,
sikur të më dëgjonte me ndonjë shqisë të veçantë, vazhdoi: "Njerëzit nuk janë perëndi. Ata
zakonisht e mësojnë mësimin tepër vonë. A merr vesh? -pyeti, dhe unë thashë "Po", ndonëse
nuk kuptova asgjë. "Po më pëlqen, -vazhdoi ai, -sepse ti po e kondenson moshën time përmes
ngjarjeve që po i përjeton". Më vonë fillova t'ia sqaroja vetvetes kuptimin e plotë të fjalëve të
tij. Shumë vdekje kishin ngjarë përreth dhe brenda meje, por disi kisha arritur të ruaja diç nga
vetja.
Kohë më parë sërish dola nga burgu. Këtë herë nuk kishte qenë ndonjë dënim i gjatë (vetëm
55 ditë) por burgjet në mënyrë të çuditshme ndikojnë në njeriun. Isha nginjur me arrestime
dhe me burgje dhe isha duke menduar se si ta braktisja vendin dhe të emigroja ndokund për ta
kërkuar paqen e brendshme. Por, medet, duke ecur nëpër një rrugë të pluhurosur të fshatit për
në shtëpizën time që ndodhej në fund të saj, e pashë një grup prej 10-15 vajzash të moshës 10-
12 vjeçare që po bisedonin mes tyre duke ecur në drejtimin tim. Meqë u takuam në një pikë të
rrugës ato u ndalën, më shikuan turpshëm dhe thanë njëzëri: "Mirëdita profesor dhe mirë se na
erdhët!" Pastaj, duke i ulur çerpikët e syve, e vazhduan rrugën e vet me faqe të skuqura.
Asnjërën nga ato nuk e njihja dhe këtë lloj përshëndetjeje e kisha tërësisht larg mendjes. U
preka thellë, meqë fëmijët i dua shumë, dhe meqë kjo ishte tërësisht e pazakonshme për doket
e fshatit. Rrugës për në shtëpi sapo qeshë duke e ndërruar mendimin tim rreth kërkimit të
paqes së brendshme në ndonjë qoshe të Evropës, për të cilën bëra aq shumë duke e tentuar
evropeizimin e vendit dhe të popullit të cilit i takoja.
I doja ata fëmijë, por me të arritur në shtëpizën time, nuk e gjeta asnjërin nga 3 fëmijët e mi
(12, 7 dhe 3 vjeçar). Realiteti i ftohtë i shtëpisë së zbrazët më tha se fëmijët e mi jetonin me
nënat e tyre, të cilat ndoshta më kishin harruar ose madje edhe më urrenin. I dua fëmijët e mi
për së tepërmi, por që nga viti 1981 dhe më vonë, pas ndarjes me gruan e dytë, nuk qe e
mundur asnjëherë që të ishim vërtetë së bashku. Andini, (tani gati 7 vjeçar) i kishte rreth 3
vjet kur u ndamë me nënën e tij, dhe Brisilda (tani 3 vjeçare) i kishte më pak se 1 vit kur nëna
e tyre edhe praktikisht më braktisi. Duke e bërë këtë ajo ndoshta mendoi të më ofronte shansin
që të vendosja lirisht për njërën midis të dyjave, por njeriu nuk mund të vendosë midis
fëmijëve të tij, andaj fare natyrshëm e zgjodha rrugën e normalizimit të raporteve të mia me të
dy palë fëmijët para se të mund të vendosja për diçka tjetër.
Është interesant se gjatë tërë kohës që jetoja me Sevdinë, kurrë nuk mu lejua të komunikoja
normalisht me bijën time Erletën. Ishte fare e qartë se ajo po përdorej për shkatërrimin e
martesës sime të dytë (tradicionale, jozyrtare). Meqë ky fakt kombinohej me presione
ekonomike dhe sociale (ekonomikisht isha totalisht i varur nga të tjerët, sepse sërish nuk pata
mundësi të gjeja punë, ndërsa njëkohësisht, intelektualisht isha gati tërësisht i izoluar gjer në
vitin 1990) isha i bindur se Z-a Edi ishte shoqëruar me një lloj shoqërie të përdreqtë që nuk
mund ta duroja. Natyrisht mund të supozoja se ato presione ishin koinçidenca, por kësosh
kishte tepër shumë dhe ishin tejet të ndërlidhura mes tyre. Për këtë shkak vendosa ta pranoja
sfidën dhe të mos dorëzohesha.
Ajo që në të vërtetë e dëshiroja në atë kohë ishte të më thuhej tërë e vërteta rreth
shkurorëzimit tim (kjo nuk mu tha as sot e kësaj dite, me që ky fakt e nënkuptonte sinqeritetin
e plotë midis të dyve). Natyrisht që m'ishte e qartë se në raportet me mua ajo do të ishte cazë
më e dobët, por duke qenë pakëz tradiconal, e konsideroja tërësisht me vend që një grua
shqiptare ta pranonte një lloj të disiplinës familjare të kërkuar nga burri i saj. Duke qenë një
person shumë i zgjuar, ajo e dinte shumë mirë se ç'dëshiroja, por nuk e pëlqente pozitën
prioritare të burrit. E inkurajuar nga prapavija sociale, e quajti këtë si "konzervativizëm timin
feudal" dhe meqë atëherë nuk mund t'i përgjigjesha publikisht, e filloi një luftë publike kundër
meje. U paraqit me një sërë poezishë të botuara nëpër gazeta dhe revista dhe pastaj i botoi
edhe dy libra që qenë duke më shkatërruar. Askund nuk më përmendte me emër, por aluzionet
ishin mjaft të qarta, dhe meqë ambienti intelektual ishte i vogël, gjithkush e dinte se për kë
ishte fjala. Asnjëherë nuk iu pata përgjigjur, sepse frikësohesha për të ardhmen e bijës,
Erletës, por ia pata shkruar dy letra private me të cilat i refuzoja aluzionet e përmbajtura në
poezitë dhe në librat e saj dhe iu kërcënova me botimin e tyre po qe se do të vazhdonte të më
sulmonte. E pranoja se kisha qenë pakëz tradicionalist, por isha shumë larg prej
"konservativistit feudal" siç më paraqiste ajo.
Shoqëria në këtë kohë e përkrahu në tërësi, ndoshta sepse ajo kurrë nuk u martua sërish, po
më së shumti sepse unë isha një ish-i dënuar që kishte marrë guximin ta rrezikonte rendin
shoqëror dhe paqen e tyre. Mirëpo, duke e përkrahur atë pa kurrfarë rezerve, shoqëria
faktikisht vazhdoi të më konsideronte jo si një ish-të dënuar, por si një të dënuar aktual. Edhe
më keq, duke nxjerrë ca vendime gjyqësore që kishin të bënin me mua, madje edhe duke mos
më informuar fare, shoqëria gjatë një periode të kohës e kishte anuluar jo vetëm ekzistencën
time politike, por edhe atë juridike, madje edhe atë totale. P.sh., asnjëherë nuk më pyetën për
regjistrimin e veturës sime në emrin e saj, nuk u informova asnjëherë se Gjykata në Prishtinë
në vitin 1988 kishte vendosur t'ia bartte Edit banesën time dy-dhomëshe edhe pa pëlqimin
tim, ndërkaq asnjë instancë juridike nuk vendosi ndonjëherë për ndarjen tonë materiale. Me
kalimin e kohës më bëhej gjithnjë e më qartë se seanca gjyqësore e cila në vitin 1985 kishte
vendosur për shkurorëzimin tonë (ky gjykatës 6 vite më vonë u zgjodh deputet i Kuvendit të
Republikës së Kosovës, v.i.) në të vërtetë mund të konsiderohej e rrejshme. E nxori atë
vendim fatkeq mbi shkurorëzimin tonë me 24 maj, përderisa nga burgu kisha dalur vetëm tri
ditë më heret, me 21 maj. Kjo nuk ishte me vend, madje as formalisht. Nuk qe respektuar afati
kohor i paraparë me ligj prej 6 muajsh pritjeje para se gjykata të mund të vendoste për çështje
të këtilla. Shkurt, qe bërë çdo gjë me qëllim të nënshtrimit tim, ose të kthimit të status quo
antes (gjendjes së mëparshme të gjërave) pa më kërkuar falje. Përkundrazi, Z.a Edi mendonte
se unë duhej t'i kërkoja falje asaj. Ndoshta edhe do ta kisha bërë këtë, ndonëse nuk e
konsideroja veten fajtor për asgjë. Sidoqoftë, meqë ishte në pyetje vajza ime Erleta, do ta
kisha bërë këtë po të mos e kisha vënë re se asaj i pëlqente një mbrojtje e tepërt dhe e
panevojshme e shoqërisë në llogarinë time. Për këtë shkak, siç mund ta dish edhe ti, më me
qejf nuk e bëra një gjë të këtillë. Megjithatë, gjithnjë mbajta qëndrim korrekt ndaj saj. Më
1991, kur gati sa ishte duke u shkatërruar ajo nga disa grupe të rëndësishme politike, përmes
një funksionari të lartë të kishës katolike (Edi nga nëna është e krishterë, vër. e red.) e kërkova
dhe m'u dha mbrojtja e saj. Me fjalë të tjera, për hir të bijës sime Erletës unë mund të falja dhe
fala, por nuk mund të harroja dhe nuk harrova.
Mirëpo meqë realiteti së paku teorikisht ndryshoi në përputhje me bindjet e mia fillestare
politike dhe jo në të kundërtën, me kohë, si duket, u bëra i rëndësishëm për grupe të ndryshme
politike që luftonin për pushtet dhe jo për shtet. Sidoqoftë, duke qenë për shumë vite i
vetmuar në bindjet e mia politike të deklaruara hapur, si një ish-anëtar i elitës, në ndërkohë u
shndërrova në hiç ekonomik dhe social. Meqë asnjë grup nuk deshi të marrë asnjë përgjegjësi
për këtë, ato as që dëshironin ta njihnin ndonjë përparësi timen. Më me dëshirë e zgjodhën
rrugën e ndikimit në të afërmit e mi, duke besuar se ajo ishte mënyra më e mirë për të më
mbajtuar edhe më tutje nën kontroll. Natyrisht, isha tejet i hidhëruar për këtë, por nuk mund të
bëja asgjë. E dija gjithnjë se Erleta që nga viti 1981 mbahej si një lloj pengu, por që nga viti
1991 e tutje isha dëshmitar se si Andini e Brisilda gjithnjë e më tepër konsideroheshin poashtu
si pengje. Gjërat u komplikuan dhe nuk dija se si t'i ndihmoja fëmijët e mi që ishin aq të
vegjël dhe nuk mund të kuptonin se ç'po ngjiste. Ishte supozuar me saktësi se nuk kisha forcë
personale që ta vrisja ndokend dhe ata e dinin se nuk do ta bëja një gjë të këtillë. Për këtë
shkak, si duket, gabimisht u konkludua se do t'i bashkohesha njërës nga palët në disponim dhe
se do ta luftoja tjetrën me ndihmën e së parës. Nuk dëshiroja të bëja ashtu, sepse isha i
interesuar për ta ndërtuar shtetin dhe jo për t'u përzier në luftën politike për pushtet. Gjithsesi
nuk ishte korrekte. Ndodhej jashtë shijes sime dhe poashtu jashtë karakterit tim.
E dija se e kisha një lloj të forcës që qëndronte diku midis qiellit dhe tokës, d.m.th. askund
dhe gjithkund, që do të thotë se ishte potenciale dhe jopraktike. Pastaj një ditë, duke i parë
fëmijët e mi në një pozitë të tillë mizore, dhe duke mos pasur forcë të qëndroja edhe më tutje,
e zgjodha rrugën time. Vendosa ta eksponoja veten para dyerve të prindërve të Sevdisë dhe të
prisja atje gjer sa të bëheshin të mëshirshëm për të m'i kthyer fëmijët e mi. Ishte ky një hap i
rrezikshëm meqë mund të konsiderohej si provokim i tërë fisit të saj feudal, por pasiqë fisi im
feudal nuk qëndronte pas meje, pas nja 48 orësh të pazarllëkut fisnor në fund të shekullit XX
në mes të Evropës, u vendos që t'i kthenin fëmijët e mi përmes Sevdisë që e përcillnin një
grup prej 10 ose më tepër ndërmjetësuesish! Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë më i
hidhëruar. Ishte kjo diçka tërësisht jashtë mundësisë së kuptimit intelektual dhe ndjenjës së
qytetërimit, por e ruajta kontrollin. E dija se dëshironin të fillonin diskutime të pafundme rreth
ne të dyve, me qëllim të rikthimit të status quo antes dhe jo me qëllim të gjetjes së solucionit
real, i cili mund të rezultonte thjesht nga fakti se mund të na linin vetëm, pa u përzier vetë.
Mendova se ishte metodë tejet e shplarë t'i përdorje fëmijët si pretekst për rikthimin e status
quo antes që u humb jo me fajin tim, ose së paku jo tërësisht me fajin tim.
Për këtë shkak, iu drejtova ish gruas sime: "Zonjë, -i thashë, -gjatë këtyre 7 orëve sa i qeshë
eksponuar territorit të fisit tënd feudal, ti, natyrisht, mund të më shkaktoje telashe të mëdha,
por kurrë nuk do të mund të gjeje arsye për t'i arsyetuar ato. Nuk do ta dij kurrë nëse më ke
dashur ose jo, por fëmijët u lindën, ata ekzistojnë, rriten dhe i dua shumë. Pikërisht për këtë
shkak nuk dëshiroj që t'i ndaj me forcë nga nëna e tyre, por dëshiroj që të kuptohet një herë e
përgjithmonë se ata nuk janë pronë e asnjërit nga ne, por vetëm pjesë e jona. Detyrë e
prindërve, e të gjithë prindërve të botës dhe e të gjitha bishave poashtu, është që t'i aftësojnë
për ta jetuar jetën e tyre. Qeniet njerëzore dallojnë prej bishave edhe nga ky aspekt, sepse i
ndihmojnë fëmijët e tyre që ta ndërtojnë identitetin e vet të dobishëm për veten, familjet e tyre
dhe për shoqërinë. Sa u përket vetë atyre, për shkak se jeta konsiderohet si një seri e gjatë
betejash konkurrente për diçka më të mirë, atëherë do të duhej t'u ndihmohej t'i ndërtojnë sa
më tepër që është e mundur identitetet e tyre. E konsiderojmë se është krim primitiv e barbar
të provosh t'i shndërrosh ata në vegla për hakmarrje, në instrumente për kompensimin e
ëndrrave të parealizuara, në armë për të fituar forcën e cila në të vërtetë të mungon, vetëm
sepse janë të pafuqishëm. Lëri të rriten të lirë. Mos i përdor si pengje për çfarëdo qëllimi që
do të dëshiroje të arrije sepse kjo doemos do të duhej t'ishte problem i yt dhe jo i tyre. Për
shkak të moshës së vet ata këtë nuk mund ta kuptojnë. Nuk ishte punë as e guximshme dhe as
e mençur nga ju që të më sillni në një situatë të tillë. Mund t'i kuptoj intencat tuaja, por nuk
mund ta falë sjelljen tuaj".
Duke i thënë këto gjëra, natyrisht isha i neveritur (edhe me veten), saqë dola jashtë dhe i
lashë ta diskutonin problemin në mungesën time. Kurrë më nuk munda të bëhem i njëjtë si më
parë.
Ky problem tani është zgjidhur, por vetëm pjesërisht. Fëmijët tani lirisht mund të lëvizin tek
secili nga ne, por nuk janë më të lumtur. Më duan shumë. E duan edhe nënën e tyre.
Meqë janë të regjistruar në emrin tim, por jetojnë me nënën e tyre, iu drejtova gjykatës, e
cila tani ndodhet në kompetenca të Republikës së Serbisë, me lutje që ta bëjë një përjashtim
nga rregullat e luftës dhe të vendosë mbi atë se me cilin prind do të duhej të rriteshin ata?
Lloji i institucionit të cilit ju drejtova dhe i cili në këtë çështje i ka kompetencat e gjyqit,
thjesht heshti. Nuk deshi të vendosë. Meqë nuk kam pasaportë, sepse nuk më është dhënë, dhe
meqë si tërësi situata është tejet e paqartë, nuk i di të gjitha konsekuencat juridike të një
situate të këtillë.
Situata bëhet edhe më e keqe, meqë Erletës akoma nuk i lejohet normalizimi i raporteve të
saj me babën e vet, d.m.th. me mua. Kjo pastaj reflektohet drejtpërsëdrejti në raportet me
Sevdinë dhe ndikon në pozitën e dy fëmijëve të mi të tjerë.
Shumë herë mendoja të ndërmerrja diçka rreth kësaj çështjeje, por meqë Edi ishte një
anëtare tejet e çmuar e elitës politike e intelektuale, nuk mund të bëja asgjë. Një herë, në
fillim të këtij viti, hyra në banesën time në Prishtinë përkundër kundërshtimit të saj, me qëllim
që disi ta detyroja të fliste me mua, por ajo thjesht e thirri policinë dhe ata më hodhën jashtë.
Shumë herë mendova t'ia filloja një polemike publike me të dhe bile iu kërcënova me një gjë
të tillë, por ajo s'i dha pesë para. Shumë shkrimtarë, avoketër, gjykatës, profesorë, zhurnalistë
e të tjerë ndodheshin në anën e saj. Me fjalë të tjera, elita në raport me mua qëndronte si bukur
shumë unike. Në të kaluarën Edi gjithmonë kishte sukses në rrotullimin e gjërave dhe në
fajësimin tim për gjëra që nuk kisha mundur t'i merrja dot me mend. Në këtë drejtim duket
sikur gratë janë më superiore se burrat andaj ishte fare e natyrshme që tërë elita ta përkrahte
me gjithë zemër, madje edhe një pjesë e familjes sime më të gjerë, për motive dhe interesa të
ndryshme. Kjo ishte një metodë e cila për një periodë të gjatë kohe më bëri të mos isha i
barabartë me të, për ç'gjë nuk isha as i përgaditur dhe as i mësuar dhe së cilës gjer më sot më
me dëshirë iu shmanga.
Mirëpo situata nuk ndryshon thelbësisht. Desha ta ndryshoja, duke proklamuar se nuk e
kisha ndërmend të martohesha sërish dhe duke kërkuar që të dy palë fëmijët e mi të lejoheshin
lirisht të komunikonin me mua. Sevdija këtë e pranoi në nivel të fshatit, por ajo në të vërtetë
nuk ka mjete që t'i mbajë fëmijët dikund tjetër, jashtë fshatit. Mua më është ofruar një shans
që të riintegrohem në Prishtinë përmes Universitetit, por meqë nuk pata sukses në
normalizimin e raporteve të mia me Erletën, Sevdija nuk do t'i lejojë fëmijët të vijnë me mua.
Sikur të vendosja të shkoja vetëm (është tejet e dyshimtë se a do të pranohesha vetëm) me
siguri se do t'i humbisja të dy palët. Andaj është fare e natyrshme që nuk dëshiroj që një gjë e
tillë të më ngjajë sërish në Kosovë dhe as që mund të duroj edhe më tutje ta shikoj
shkatërrimin e tyre gradual. Eshtë kjo një gjë që më dëmton për së tepërmi, dhe tani me vite
po shkatërrohem edhe vetë.
Është kjo një situatë e çuditshme dhe njëkohësisht tmerruese. Nuk mund të gjej fjalë të
përshtatshme për ta përshkruar, por mbi të gjitha, më tmerruese janë këshillat që mi japin
pikërisht ata që mund ta ndryshojnë këtë situatë vetëm përmes një thirjeje telefonike ose një
bisede të rëndomtë. Sipas tyre, nuk duhet të mërzitem për fëmijët meqë janë duke u rritur me
nënat e tyre. Kur të rriten do të kthehen tek unë, sepse do të dijnë se jam baba i tyre. Nuk dua
ta përshkruaj anën tmerruese të saj, pasi vetë për vete mund ta supozosh. Kuptimi i vërtetë i
këtyre këshillave është kërkesa që të pritet zgjidhja e tërësishme e situatës, por pikërisht kjo
është arsyeja që konsideroj se ata mbahen si pengje. Dhe pikërisht për këtë arsye insistoja
vazhdimisht që të katapultohen jashtë tensioneve aktuale të shkaktuara nga politikat e
kundërta. Ishte kjo esencialisht kërkesë për shpëtimin e privatshmërisë së familjes.
Fatkeqësisht, nuk pata sukses të plotë, por meqë po hyjmë në shekullin XXI, lufta ime prej
mohikani ishte e dobishme të provohej. Ndoshta ky ishte edhe njëri ndër shkaqet e rrahjes
sime barbare nga ana e policisë speciale më 27 maj të këtij viti. Megjithatë, nuk mund të
pajtohem në asnjë mënyrë në reduktimin e qenieve njerëzore në makina të pandjeshme, të
ftohta, indiferente. Privatshmëria e familjes është e nevojshme për këtë qëllim. Në qoftë se
shekulli XXI do ta vrasë këtë, atëherë nuk mund të jetë i vlefshëm për t'u jetuar.
Pas një refleksioni të gjatë, erdha në përfundimin se zgjidhja e vetme racionale për këtë
problem do të ishte që të bëja vetëvrasje politike, d.m.th. që t'i ndërprisja të gjitha raportet me
të kaluarën dhe të tanishmen dhe të provoja të jetoja vetëm për veten time, por në një vend
tjetër dhe jo këtu. Meqë akoma mund të punoj çdo gjë që mund të më ofrohet, prej pjatalarësit
e publicistit, gjer ke profesori i universitetit, së paku nga një distancë gjeografike mund të
provoja t'i ndihmoja edukimit të ardhshëm të fëmijëve të mi dhe kështu të bëhem edhe
materialisht, dhe jo vetëm nominalisht, baba i tyre. Kjo gjë akoma nuk do të më bënte një
baba komplet, por së paku diçka më të mirë se ky i tanishmi. Gati shumica e baballarëve të
fëmijëve shqiptarë pothuajse historikisht janë të këtillë. Ky ishte njëri nga shkaqet që kërkova
të ma bëje një vizitë të shkurtër. Desha të të konsultoja për një vendim aq të rëndësishëm për
mua.
Ti nuk erdhe. Fillova menjëherë të mendoja se qeniet njerëzore, pas të gjithave, nuk janë
edhe gjithmonë plotësisht racionale (kjo gjithashtu do të duhej të ishte ndonjë komponentë e
privatshmërisë së tyre) dhe, meqë nuk janë plotësisht racionale, atëherë më me qejf do të
qëndroja këtu. Kështu më në fund vendosa ta mbroja doktoratën time në Universitetin e
Prishtinës.
Kështu, Peter dhe Petra, unë i dua proverbat e popullit tim. Njëra nga ato thotë se duke m'i
treguar hallet e mia, të tuat do t'i kuptosh më mirë. Jua tregova një pjesë të halleve të mia me
qëllim që ju të kuptoni se, si duket, jeni duke i përjetuar problemet e moshës së viteve 50 kur
befasisht keni mundur të zbuloni se nuk jeni edhe më tutje të rinj dhe se nuk mund të
vazhdoni t'i bëni gjërat që ishit mësuar t'i bëni në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin intensitet
dhe me të njëjtin tempo. Përse atëherë nguteni? Përse nuk prisni t'i përshtateni moshës?
Krushë, Të fala:
5 qershor 1993 Ukshini
III
Zonjë,
Dekurajimi me homo politicus-in
Letra çiftit Reinhold nuk është e përfunduar, me gjithë përmbajtjen dhe kuptimin
shumëdimensional. Kjo që të drejtohet ty dhe segmentit të inteligjencisë pas teje është e
shkruar në gjuhën shqipe dhe ka për qëllim zgjimin tuaj të tërësishëm. Do të përkthehet,
natyrisht, edhe anglisht.
Në letrën time të fundit të para një viti (24 prill 1992) me një ton pak si të ashpër që tani nuk
më pëlqen sepse nuk pata mundësi t'i qëndroja besnik ashpërsisë së saj, desha t'i rrotulloja
gjërat, t'i vija në vendin e tyre dhe ta mbyllja kaptinën e fundit të raporteve midis nesh në
historinë e Republikës. T'u kërcënova se, po qe se nuk do ta lejoje normalizimin e raporteve
me bijën tonë Erletën, do ta përgadisja një seri ligjëratash me titull të përbashkët "Morali dhe
politika" dhe se në këtë mënyrë do të zhvilloja luftë publike kundër teje dhe rezonimit të
vjetër politik. Mirëpo ato dolën më të thella se ç'prisja. Më dekurajoi lidhja e tyre me
mentalitetin e bipërkatësisë kolektive të homo-politikusit shqiptar, andaj e gjykova se nuk
ishte koha e tyre. Nuk i ligjërova dhe as që i botova. Megjithatë, duke qenë i bindur se nuk i
duhet lënë vetëm kohës t'i sqaronte gjërat edhe më tutje, vendosa që ta shtyj pakëz kohën për
t'ia ndërruar përmbajtjen, që së paku kualitativisht të jetë diç tjetër.
Në këtë drejtim, një sërë hapash që u ndërmorën gjatë vitit të kaluar në emrin tim, por jo
gjithmonë me iniciativën time, e në shumicën e rasteve as me njohurinë time paraprake, por
vetëm me njoftimin tim me dështimet e pësuara, më bënin kurreshtar. E kuptova se njerëzit,
në mënyrën e vet, e tentonin afrimin tonë, por kjo nuk u bëri punë, sepse kishte kohë që
dashuria jonë kishte vdekur, ndonëse dikur, si tek të gjitha çiftet e lumtura, konsiderohej e
pavdekshme. Pata provuar shumë herë që ta ruanim korrektësinë në raportet tona në mënyrë
që Erleta ta përballonte më mirë sfidën e kohës, por ti refuzove. Në këtë mënyrë e vdiqe edhe
miqësinë. Nga këto përpjekje dhe nga këto hapa u krijua një propagandë e tmerrshme që
vazhdimisht më përcillte dhe intensifikohej sa herë që kanosej "rreziku" i normalizimit të
raporteve me të. Një çështje tërësisht inosente dhe private gjatë vitit që shkoi u hodh në terren
politik, në armiqësinë me ata të cilët me mundin dhe me gjakun e tyre fuqimisht i kontribuan
krijimit edhe të Republikës edhe të Demokracisë. Këtu diçka nuk vlente. Ishte përfundimisht e
prishur. Përsëri si edhe më parë në kohën e komunizmit, insistohej në mënyrë indirekte që të
bëja lutje për normalizimin e raporteve të mia me bijën time, por nuk u binte ndër mend të
bënin lutje që t'i normalizonin raportet me mua. Ndonëse patën ngjarë shumë gjëra dhe pati
ndryshuar shumëçka, nuk ndryshoi pozita e saj dhe as raportet midis nesh, sikurse do të duhej
t'ishte midis personave të civilizuar të botës bashkëkohore. Vazhdimi i avazit të vjetër në
kushtet e ndryshuara tani nuk e dëmtonte vetëm bijën tonë Erletën, por edhe të dy fëmijët e mi
të tjerë që u lindën nga martesa e dytë, Andinin (7 vjeçar) dhe Brisildën (3 vjeçare), por edhe
të gjithë ata që e donin, në radhë të parë prindërit dhe vëllezërit e mi, me të cilët gjatë një
periode u manipulua shumë keq me gënjeshtra të paturpshme, duke e shfrytëzuar nivelin e
vetëdijës së tyre, të raporteve farefisnore dhe të gjendjes materiale. Në këtë luftë nuk u
dëmtuan vetëm ata që të përkrahnin, të cilët me gjithë demagogjinë e tyre ishin dhe mbetën të
integruar në shoqëri, të cilët ti dikur as i doje dhe as të donin dhe të cilët tani, njësoj, e
përkrahnin edhe tjetrën në luftën e saj kundër meje, ndonëse as kjo dikur nuk i deshi dhe as që
e honepsën ndonjëherë. Në këtë mënyrë u krijuan raporte të çuditshme: prindërit dhe
vëllezërit e mi vazhdimisht mbeteshin fajtorë për gjëra për të cilat nuk kishin kurrfarë haberi;
të tjerët, kinse me mospërzierjen e tyre në "çështjet private" vazhdimisht mbeten të
pafajshëm; kurse fëmijët e mi të mitur dhe unë vazhdimisht mbetemi viktima. Kështu ishte në
kohën e komunizmit, kështu mbeti në kohën e euforisë nacionale dhe kështu është akoma
edhe sot, në kohën e krizës dhe të ngecjes në të gjitha drejtimet. Është evidente se kështu nuk
duhet dhe as që mund të mbetet.
Si anëtare e elitës politike dhe intelektuale të Kosovës, sikur të mos ishte zhvilluar një luftë
e hapur kundër meje dhe jo aq kundër një politike që do të duhej të luftohej, sikur kjo elitë,
gjatë një periode të caktuar të instalimit të vet në pushtetin paralel politik të kishte zhvilluar
luftë parimore për pozitën e Kosovës dhe jo për pozitën e vet në Kosovë, dhe sikur ti në këtë
luftë, së paku të ishe diferencuar, bile përmes Erletës, ndoshta do të kisha besuar se nuk ke
dashur që bija jonë Erleta ta përjetonte drejtpërsëdrejti rënien e babës së saj. Ndoshta do të
kisha besuar se duke dashur ta ruaje veten nga rënia së bashku me të, ishe e detyruar ta ndaje
bipërkatësinë politike të një ambienti dhe të një kohe që akoma po zgjat. Në rrethana të këtilla
e pranoj se do të ishte një obligim fisnik i babait që ta ruante të bijën nga inkonviniencat e
kohës. Bile nga kjo fushë kemi edhe shembuj konkretë të lavdishëm. Në një libër mbi
Z.Adem Demaçi të një autori sarajevas, Baci shpjegon se si kishte qenë i detyruar ta linte
familjen me qëllim që ta shpëtonte nga maltretimet dhe nga provokimet e kohës. Këtë ia
besoj, por gjithashtu e besoj se përfundimisht e kishte pasur gabim, sepse në këtë mënyrë e la
të paprekur rezonimin e moçëm politik, duke besuar se kishte ndryshuar së bashku me kohën.
Me gjithë konsideratat e larta ndaj tij, (isha i pari që i futa në përdorim për të shprehjet
"histori e gjallë" dhe "simbol i rezistencës kombëtare") unë nuk isha Z.A.Demaçi. Kisha rënë
pikërisht si ai, por jo vetëm kaq. Kisha qenë në nivelin e gjendjes së një populli të tërë, i cili jo
vetëm gjatë 12 viteve të fundit ishte trajtuar mizorisht nga tërë një makineri policore dhe
ushtarake e një regjimi që e dënoi historia. Mirëpo në këtë gjendje kisha rënë nga lartësia e
konsiderueshme e hierarkisë shoqërore dhe me njohuri të pjekura teorike dhe praktike të
funksionimit dhe të ndërlidhjes midis regjimit, sistemit politik dhe shtetit. Për këtë shkak,
nuk e synoja vetëm ndryshimin e ambientit, por edhe të rezonimit politik në kohë. Pa ndonjë
mbështjetje dhe pa ndonjë lidhje me ata që konsideroheshin të informuar dhe që vetëm i
ekzekutonin vendimet e të tjerëve, u orientova drejt dhe qëndrueshëm. Falë biografisë sime,
origjinës së pastër shqiptare-kosovare dhe njohurive të mia, ky orientim ndikoi fuqimisht në
ndryshimin edhe të ambientit edhe të kohës, si edhe të shumë segmenteve të rezonimit të
moçëm politik. Për këtë shkak, prezentimet që iu bënë faktorit të brendshëm nuk kishin lidhje
me të vërtetën, por vetëm me ruajtjen e pozitave dhe të privilegjeve të një shtrese të caktuar
shoqërore, së cilës dikur i takoja edhe unë.
Ato e patën efektin e ngecjes së proceseve të lidhura me jetësimin e plotë të Republikës dhe
tani të zbrapsjes së tyre praktike. Dhe, përsëri angazhimi dhe qëndrimi im praktik dhe me
shkrim i zhdavariti mosbesimet e krijuara artificialisht dhe e shquajti një rezonim të ri politik
i cili akoma ndodhet në rrugë e sipër të formimit dhe të forcimit të vet, por që tanimë me asgjë
nuk mund të ndalet. Në kontekst të këtyre fakteve, për kë, për çfarë ambienti, për çfarë kohe,
për cilat arsye dhe me çfarë të drejte e largoni edhe më tutje bijën time nga unë? Ose në
rezonimin tënd dhe të këtij segmenti të inteligjencies akoma nuk ka ndryshuar asgjë, ose
synohet diç tjetër, gjë që për shkak të konsekuencave që akoma po i bart, për mua është
njësoj.
Ta marrim të dytën. E para edhe ashtu shihet vetë. Nuk qenë në pyetje 12 ditë, 12 javë dhe
as 12 muaj, por vite të tëra të lidhura me zhvillimin e situatës së përgjithshme në Kosovë e më
gjerë. Gjatë këtyre 12 viteve më arrestuan dy herë, më burgosën, më izoluan 7 vite të plota.
Me instrumente të nëntokës politike që nuk u shihen dhe aq lehtë, por që u ndjehen
konsekuencat, e zhvilluan një luftë të tmerrshme që më dëmtoi për së tepërmi dhe më në fund
më lënduan shumë rëndë. E kalova Golgotën që e përjetoi një popull i tërë. Së bashku me të,
në çdo pikë, i dhashë provimet më të rënda të pjekurisë politike. Mirëpo, gjatë këtyre 12
viteve të kësaj golgote të tmerrshme, nuk denjove ta lejoje normalizimin e raporteve të mia
me bijën tonë Erletën, dhe në këtë drejtim të përkrahu segmenti i Inteligjencies për të cilën
është fjala. Përse?
Të gjitha iniciativat në këtë drejtim i vrisje që në start. Ndaj prindërve të mi pleq, sa herë që
deshën të të vizitonin, ta takonin ose ta shihnin mbesën e tyre, u solle në mënyrë arrogante.
Herën e fundit kur e provuan një gjë të tillë, i porosite që të të mos mërzisnin edhe më tutje.
Plakut që me ndikimin e vet progresiv e kishte bartur mbi shpinë thyerjen e tërë një epoke të
mbërthyer në prangat feudo-klanore të rrethit të vet, kur, i përmalluar, pa dijen dhe pa lejen
time, e thirri të mbesën në telefon, si gjithmonë, si djalit të tij e babait të saj, ia mbyllët
telefonin. Pastaj arsyetoheshit se ashtu sillej e mbesa dhe jo ti që e edukoje atë. Këtë paturpësi
e brohoritën me vite edhe disa nga ata që plaku i kishte rritur dhe i kishte shkolluar në luftë të
vazhdueshme me prangat e së kaluarës, ndërsa njëkohësisht e siguronin se ishin me të. Kur të
tjerët e shfaqnin mospajtimin e tyre me këtë hipokrizi rrënqethëse, kërkohej mospërzierja në
emër të afërsisë së gjakut. Raportet feudo-klanore që Evropa i kishte vdekur para më se 1000
vitesh, në Kosovë e manifestonin tërë shkëlqimin e vet të mykur. Ato sundonin në mënyrë
sovrane. E vrisnin çdo talent që në embrion dhe si kurva më e poshtër, viheshin në shërbim
dhe e servisonin çdo pushtetmbajtës që e synonte ngecjen dhe jo avansimin drejt dinjitetit
individual dhe lirive kolektive. Kjo alfë dhe omegë e çdo dominimi të huaj duhej luftuar, por
lufta kundër saj në Kosovë u tregua si lloji më i vështirë i luftës që mund ta zhvillonin
Perënditë dhe jo qeniet e vdekshme njerëzore. Dhe në shkallën që unë e zhvilloja si njeri, i
munda perënditë. Mirëpo ato nuk të falin, ose një gjë të tillë e bëjnë tepër rrallë. Më shpesh
hakmerren, duke e vazhduar lojë-luftën e tyre morbide me jetën. Ka momente të tilla kur
vdekja është më e lehtë se sa lojë-lufta me jetën, por vdekja si mundje dhe jo si humbje. E
provokova tri herë, por nuk më deshi. Herën e katërt nuk desha ta provokoja vrasjen, por e
dija se mund të vinte dhe isha indiferent ndaj saj. Getoizimi violent i regjioneve të caktuara
ishte dukuria më e fëlliqur e këtij shekulli. Kishim mësuar ta urrenim që në bankat e shkollës.
E provokonte rëndë ndërgjegjen time intelektuale, dhe ndjenjën njerëzore të njeriut. Më
lënduan rëndë, por më lanë të gjallë për t'u kthyer i plagosur në rrugën time të moçme të lojës
morbide me vdekjen. Dhe tani ishin përzier gjërat: lojë-lufta morbide me jetën e perëndive
dhe loja morbide me vdekjen e njeriut në mënyrë të padiktueshme ishin shndërruar në një.
Qëmoti nuk dihej se cila do të rëndonte më tepër në çaste të caktuara të kohës.
Mirëpo nuk ishin goditjet e policisë ato që më shkaktonin dhembje më të mëdha. Nga
goditjet, lëndimet dhe të shtënat e tyre mund të vdisje, siç vdiqën shumë të tjerë, mund të
mbeteshe sakat, siç mbetën shumë të tjerë ose edhe mund të shëroheshe siç u shërova edhe
unë. Ajo që vërtet më lëndoi ishin fjalët: "Ik, ti nuk je babai im", dhe pastaj: "do ta ndërroj
mbiemrin", të shqiptuara me gojën e bijës sime 12 vjeçare, të cilën, në momentin e takimit
nuk e njoha. Ishte rritur. Ishte bërë goxha vajzë, por nuk e njoha, sepse nuk u lejova ta
përcillja rritën e saj. Ato fjalë delnin nga thellësitë e mllefit dhe të urrejtjes sate, ndonëse nuk
pate kurrfarë të drejte as të mllefoseshe dhe as të më urreje. Ishin rezultat i edukimit që ia dhe,
sepse nuk më njihte drejtpërsëdrjeti, pos përmes teje. Kontrolli i hekurt i shpirtit të saj të
njomë gjithmonë më kishte larguar të tmerruar për fatin e saj.
Ajo që më lëndoi njësoj rëndë si edhe këto fjalë ishte tmerri që e ndjeja sa herë që e kujtoja
faktin se një segment i rëndësishëm i inteligjencisë së lartë të Kosovës për 12 vjet rresht e
aprovoi dhe e inkurajoi një sjellje të tillë. Ishte kjo pikërisht ajo inteligjencie që e kisha
mbrojtur me këmbëngulje, me çmimin e pjesës më të mirë të jetës sime, me besimin e plotë se
një ditë do ta kuptonte gabimin e kohës komuniste, se do të korrigjohej dhe se do të futej në
luftën e Republikës dhe të Demokracisë. Ajo këtë e bëri, por me rezonimin dhe me frikën e
vjetër për privilegjet e kohës komuniste. Erleta atyre duhej tu shërbente si një lloj garancie
nga përmbysja e mundshme. Për këtë shkak, sa herë që e tentoja normalizimin e raporteve të
mia me bijën time, më delnin përpara "bedelët" e tyre. Më vinin gjithmonë para alternativës së
shkatërrimit të bijës sime, të luftës ose të tërheqjes. E zgjidhja tërheqjen taktike për të mos
shkaktuar përmbysjen.
Mirëpo ata vajtën larg: më shpallën të krisur, konservativ, komunist a prokomunist,
marksist-leninist e gjepura të tjera. Vajtën edhe më larg:-e tentuan mohimin e dëshmorëve të
parë të rënë për demokraci dhe për liri në Brestovc. Iu përgjigja me artikullin "Bëje ose vdis"
(Fjala, 5-12 shkurt 1992), por e heshtën diskutimin, e ndryshuan kontekstin e gjërave dhe ranë
në kundërthënie me vetveten. Pastaj i mohuan atëbotë tri kërkesat e mia: themelore 1) Për
Republikën e barabartë të Kosovës në ish-Jugosllavi, 2) Për ruajtjen e integritetit territorial të
ish-Jugosllavisë dhe 3) Për respektimin e pavarësisë së Shqipërisë (shih artikujt në DEA prej
1-6, 90/91, sidomos artikullin redaksional "DEA dhe sulmet"). Pasoi një propagandë e
tmerrshme, por asnjë përgjigje serioze. Përhapnin fjalë se isha kundër bashkimit me
Shqipërinë. Për të qenë efekti diskreditues më i fortë, i shpjegonin popullit nëpër oda se
bashkimi me Shqipërinë ishte çështje e kryer, sapo që nuk kishte ngjarë, po ja që unë po i
pengoja! Sikur kjo çështje të varej nga unë dhe jo nga lufta e përbashkët aktive e të gjithëve!
Qëllimi i kësaj propagande të tmerrshme verbale, dhe jo vetëm verbale (atëbotë e izolonin
edhe familjen time në Krushë) nuk mund të ishte vetëm likuidimi im politik, por diç më e
madhe. Ata nuk mund të mos e dinin se në atë kohë nuk ishte në rend të ditës Bashkimi me
Shqipërinë por Republika. Nuk mund të mos e dinin se diskontinuiteti total politik do të
shkaktonte luftë totale për të cilën nuk bënin kurrfarë përgaditjesh. Nga kjo ishte e qartë se
llogarisnin në forca të huaja. Efekti politik i këtij qëndrimi ishte instrumentalizimi total i
Kosovës për interesa të huaja dhe jo për interesa të veta. Qysh heret e kisha kuptuar se disa
qarqeve shkencore-politike amerikane nuk do t'u bëhej vonë po qe se problemin shqiptar do ta
zgjidhnin duke e futur Shqipërinë si Republikë të shtatë brenda ish-Jugosllavisë. Mendimet e
tilla kishin mbetur recidiv i planeve të Luftës së II Botërore. Isha i bindur se SHBA-të nuk
kishin interesa të drejtëpërdrejta në Ballkan, përpos atyre që i trashëgonin prej britanikëve.
Për këtë shkak, supozoja se disa qarqeve "kokë-nxehta"(hot-heads) të atjehit nuk do t'u bëhej
vonë edhe po qe se një gjë e tillë do të rezultonte me luftë. Me luftë ata e mendonin luftën
lokale, sepse kjo atëherë "ishte në modë" dhe jo luftën totale. Nuk e kishin të zhvilluar
ndjenjën e duhur për interesat kontradiktore të fuqive të Europës dhe për këtë shkak nuk do të
përtonin të eksperimentonin me qëllim të shquarjes së tyre. Nga kjo mund të konkludohej fare
lehtë se po qe se një luftë e tillë lokale do të komplikohej, nuk do t'u bëhej vonë po qe se nga
dëshira për ndërprerjen e konflikteve të mëtejshme do të rezultonte një Shqipëri e reduktuar
dhe e bashkuar muslimane. Mirëpo mua më bëhej vonë dhe nuk më dukej mirë. Një Shqipëri
e bashkuar, -e mendoja me vete, -pa Devollin apo Sarandën, me një Republikë të Shkodrës
dhe ndoshta edhe të Mirditës në mes, ku do të sundonin raportet feudo-klanore, me ndonjë aga
të feudo-kapitalizmit në udhëheqje të parashutuar nga jashtë, e pranoj se nuk më pëlqente.
Pastaj mendoja se populli shqiptar pikërisht për shkak se i kishte pasur tri fe, kishte qenë
origjinal dhe unik në Evropë, në ndërtimin e asaj që Hegeli do ta quante "Volks geist" dhe se
kjo "Volks geist" e shqiptarëve, me shekuj i kishte përbuzur tentativat që ta coptonin në baza
religjioze. Kjo qëndresë e përbashkët e të tri feve e kishte begatuar pastaj shpirtin e tyre, dhe
jo vetëm frymën, dhe për këtë shkak ky kishte qenë kontributi më origjinal i tyre në ndërtimin
e kombit dhe argument i fuqishëm në tërë qytetërimin e Evropës për perzistencën e kombit si
kategori e rrënjosur. Andaj e pranoj se nuk mund ta merrja me mend një Shqipëri të tillë të
reduktuar vetëm në një fe. Më dukej se ajo nuk do të ishte edhe më tutje e njëjtë, me shpirt të
brumosur nga fe e kultura të ndryshme, por, si e imponuar nga larg dhe nga të tjerët, në thelb
do të ishte një Shqipëri pa shpirt. Për këtë shkak besoja se problemi shqiptar ishte akoma
problem dhe jo çështje, dhe se ishte i natyrës së barazimit të plotë me republikat tjera në ish-
Jugosllavi dhe i barazimit të popullit në pikëpamje të forcës materiale, në radhë të parë me
veten dhe pastaj edhe me të gjithë popujt tjerë në Ballkan dhe në Evropë. Duke u nisur nga
këto premisa, ashtu si më dukej e mundshme në atë kohë, përgjigjet i dhashë në fejtonin
"Republika dhe lufta në kontekst të Evropës"(Janar-shkurt -1992). Pastaj në vende të
ndryshme i thashë me gojë edhe ca gjëra të tjera që më brengosnin, si p.sh., se politika e
pasivizimit në formë të durimit e deziluziononte masën dhe i ndihmonte shpërnguljes, se
evropeizimi i Kosovës nuk mund të reduktohej në shpërnguljen e rinisë dhe në asimilimin e
saj në Evropë, se metodat mafioze në politikë nuk të çonin askund e shumë gjëra të tjera. Më
akuzuan se po ua përçaja popullin, i cili nuk kishte asnjë haber për motivet e vërteta të
sulmeve kundër meje. Nuk u përgjigjën asnjëherë botërisht, por më dëmtuan tepër shumë pas
shpine. Me fjalë të tjera, qarqet "kokënxehta" në Amerikë i kishin pasur dishepujt e tyre edhe
në Beograd (se këtë gjë ua kishte anda) por edhe në Prishtinë (se nuk u binte ndërmend finalja
por vetëm starti).
Nuk e di nëse edhe ti e duartrokisje këtë dëmtim pas shpine, por e di se Erleta nuk vinte.
Kush ishin ata që në mënyrë të organizuar, përmes "bedelëve" të tyre, ia mundësonin vajzës
ikjen nga takimi me babën e vet sikur ky t'ishte ndonjë kriminel dhe jo një njeri i rëndomtë si
të gjithë të tjerët? Këta ishin shumë nga ata që dikur i njihnim së bashku, por që tani të
përkrahnin vetëm ty, që në të vërtetë nuk më kishin përkrahur kurrë përpos në masën që u
kishte konvenuar atyre. Këta qysh atëherë nuk kishin pasur botëkuptime të drejta mbi raportin
familje-shoqëri dhe rrjedhimisht, mbi asgjë. Koha e luftës dhe ajo menjëherë pas saj u kishte
imponuar kriteriume politike mbi jetën private. Ky kishte qenë kompromisi i parë i tyre. Të
gjitha kompromiset tjera të natyrës politike kishin qenë më të lehta, më të parëndësishme dhe
më pak e më rrallë shqetësuese. Për këtë shkak, nuk mund të pritej nga këta këmbëngulja në
mbrojtjen e parimeve dhe shumë rrallë e njihnin funksionin e tyre. Procesi i racionalizimit në
mendjen e tyre nuk i kishte lejuar ta kuptonin të vërtetën; -nuk e ndjenin se mendimet i kishin
sipërfaqësore, të pathelluara dhe as që mund t'i thellonin. Për këtë shkak ishin të prirur t'i
besonin tepër shumë argumentit të autoritetit dhe jo autoritetit të argumentit. Ishin të bindur se
duhej ta konsideronin veten "super-burra" në kuptimin niçean të fjalës, por pa nevojën e
përdorimit të kamxhikut, pasi që këtë e zëvendësonin pozitat e larta shoqërore. Në thelb,
intelektualisht të pakompletuar, veten e identifikonin me këto pozita. Si rrjedhojë politike e
këtij identifikimi doemos paraqitej karrierizmi i tepruar i cili ndodhej në raport të zhdrejtë me
shkallën e kompletësisë intelektuale dhe të identitetit personal. Për këtë shkak, frika nga
rreziku për humbjen e tyre i drejtonte të gjitha veprimet tjera, si në raport me veten, ashtu
edhe në raport me të tjerët. Andaj është e kuptueshme se ishin tejet të pandjeshëm për
problemet që nuk i rrezikonin pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo synim të kundërt.
Ky kishte qenë dhe kishte mbetur i vetmi kriterium i sjelljes së tyre gjer me ndryshimin e
ambientit politik, i cili akoma nuk kishte përfunduar.
Pjesa tjetër që vinte menjëherë pas tyre, u ngrit në sferat më të larta shoqërore pa ndonjë
prapavijë dhe traditë të duhur intelektuale. Raportet familjare të kësaj pjese poashtu i
karakterizonte pabarazia, bile edhe më shumë se sa në rastin e parë, sepse të parët qysh heret
qenë të detyruar t'i përmbaheshin imixhit mbi pjesëmarrjen familjarisht në luftë. Si rrjedhojë,
gruas i mbetej të identifikohej jo me veten, as me burrin, por vetëm me pozitën e tij në
shoqëri. Ajo mund të ishte grua e filan doktorit, inxhinjerit, profesorit etj., sikurse që në rastin
e parë simotra e saj prezentohej si grua e filan kryetarit, sekretarit, ministrit etj. Ajo nuk mund
të ishte filan-fistekja, me identitetin dhe me dinjitetin e emrit të vet personal, sepse si të tillë
nuk e njihte askush, dhe as që ishte ajo vetë e orientuar për të qenë e vetvetes. Ky orientim i
femrës shqiptare për të mos qenë e vetes, por si fëmijë -e filan kolektivitetit familjar, ndërsa
pak më rrallë -e filan babait, dhe në moshë të rritur -e filan burrit, ishte pothuajse tradicional.
Atë e mësonin që në fëmijëri për të mos qenë e vetes por vetëm e të tjerëve. Shoqëria
tradicionale shqiptare ishte përfundimisht arkaike. Nga ky arkaizëm buronin pastaj tragjedi të
shpeshta dhe të rënda, ndonëse kishte lindur si mekanizëm mbrojtës i shoqërisë nga
imponimet e jashtme. Puna ishte që ky arkaizëm patjetër të luftohej dhe jo të kultivohej në
rrethana të ndryshuara. Ndërkaq kjo luftë ishte një "condicio sine qua non" i çdo evropeizimi
të shëndoshë e jo të çoroditur.
Në të dy rastet, mbikëqyrja dhe edukimi i fëmijëve, si edhe punët e shtëpisë, mbeteshin
detyrë ekskluzive e gruas. Intelektuali ynë i lartë, nga ky aspekt, ndodhej në pozitë të
ngjashme me cilindo shkollar të familjeve kolektive nga fshati që e përbënin hallkën e tretë të
piramidës shoqërore në Kosovë, po qe se numrimi i tyre do të fillonte nga lartë poshtë. Ishte
kjo një piramidë e vjetër sa edhe vetë shoqëria -një piramidë arkaiko-arkeologjike në shumë
kuptime, ndonëse skeleti i strukturës bazë nuk mund të ndryshonte askund.
Burrat nga këto tri kate ose hallka shoqërore, në vetëdijen e tyre të lajthitur konsideroheshin
si "super-burra", pasi që ashtu i kishte bindur procesi i racionalizimit të kompromiseve që i
kishin bërë me ndërgjegjen e tyre në ngutje e sipër për të arritur sa më lart që të ishte e
mundur. Në të dy hallkat e fundit, e ndonjëherë edhe në hallkën e parë, burrat ishin të
zhveshur nga përgjegjësia e brendshme familjare, nga përgjegjësia për kujdesin ndaj fëmijëve.
Kjo pastaj e mundësonte ripërtëritjen e piramidës arkeologjike në shumë kuptime. Në të dy
hallkat e para këtë ua mundësonte bashkëshortja me identitet të tretur, ndërsa në hallkën e
tretë, kësaj i ndihmonte edhe kolektiviteti familjar në frymën e traditës. Kishte edhe raste
ekstreme, kur burri nga hallka e dytë i linte gruan dhe fëmijët në fshat nën kujdesin e
kolektivit familjar, përderisa në banesën e vet në qytet e vendoste një grua tjetër jolegjitime.
Dhe për këtë nuk e brente kurrfarë ndërgjegje, sepse ky kishte qenë kompromisi fillestar i një
pankompromisiade të mëvonshme gjithëshoqërore, kur burrat-fëmijë nga hallka e tretë, madje
edhe gratë e tyre, e konsideronin si normale një martesë "ashiqare" në Kosovë, dhe një tjetër
"për të cilën nuk flitej" në Evropë. Vetëm nga ky fakt fatkeq është fare e qartë natyra e moralit
që kishim filluar ta kultivonim.
Të trija këto hallka të shoqërisë e përbënin shtresën sunduese të saj. Këto ushtronin ndikim
të madh në krijimin e mentalitetit dhe të ambientit politik. "Super-burrat" e kësaj shtrese
konsideroheshin të civilizuar, madje edhe në nivel të Evropës, por gabonin, ndonëse nuk ishin
të vetëdijshëm, kur dukuritë devijante dhe me rëndësi margjinale i merrnin për thelb të
moralit evropian. Disa nga ata natyrisht edhe mund ta dinin të vërtetën, por të gjendur para
dilemave të shumta që kishin të bënin me ta, u dukej më e lehtë ta zgjidhnin rrugën e
oportunizmit utilitar: me çmimin e flijimit të gjërave që dukeshin se nuk janë aty për aty
evidente për rrethin e vet, dëshironin me çdo kusht të bëheshin dhe të mbeteshin dikushi.
Objektivisht anëtarët e të dy grupeve të fundit ishin martuar heret, në moshën kur akoma
kishin qenë vetëm bij të kolektiviteteve familjare dhe jo njerëz të formuar, me identitet të
vetin. Ishin martuar rëndom me dëshirën, por pa vetëdijen e tyre të plotë mbi rrugët që do t'i
kalonin në të ardhmen e vet dhe gjithnjë në kohën e varësisë së plotë materiale, kur nuk kishin
patur as mundësi reale t'i rezistonin presionit eventual të saj (të familjes kolektive).
Megjithatë kjo gjë mund të ndihmonte në kuptimin e mangësive, por nuk mund t'i arsyetonte
ato. Njëmendësia e luftës së zhvilluar për t'u ngritur, ose më tepër, për të zënë pozita në
shoqëri, kishte qenë faktori kryesor që e përcaktonte karakterin e tyre. Meqenëse kjo luftë
gjithnjë e më tepër bëhej më e vështirë, pritej që nga ky bazament shoqëror një kategori e
konsiderueshme të mbetej e paintegruar dhe me kohë të rritej numerikisht dhe të forcohej
intelektualisht. Dhe ashtu ngjau. Duke e synuar zhvillimin dhe forcimin e individualitetit të
Kosovës, i përkraha që nga fillimi i formimit të tyre si kategori e veçantë shoqërore. Pastaj në
gjysmën e dytë të artikullit "Viti '81 dhe proceset e demokracisë", i ngrita qëllimisht lart në
piedestalin politik, por hallkat e integruara shoqërore te këta e kishin parë vetëm rrezikun për
pozitat e tyre. Më vonë një pjesë e rëndësishme por e vogël e tyre u integrua në alternativën
kosovare, ndonëse duke iu përshtatur rezonimit të moçëm politik dhe jo duke luftuar për ta
ndryshuar atë. Ndoshta kësaj përshtatjeje të tyre i kishte ndihmuar edhe ndryshimi i
rrethanave ndërkombëtare, por kjo njëherit e vërtetonte argumentimin tim se fjala ishte për të
rinjtë që e synonin të njëjtën gjë.
S'ishte kurrfarë çudie prandaj që të dy palët të më konsideronin si të tyrin dhe të gjenin
argumente për këtë. Mirëpo meqë me të parët nuk e kisha ndarë bipërkatësinë politike, ndërsa
me të dytët as moshën dhe as injorancën e kuptueshme për proceset politike, njësoj mund
edhe të më refuzonin nga vetja. Ashtu edhe ngjau. Edhe më deshën, por edhe më hodhën
atëherë kur menduan se nuk u duhesha. Në këtë mënyrë mbeta vetëm i vetes, ashtu siç kisha
qenë gjithmonë.
Mirëpo përkundër gjithë kësaj lufte, të cilën herë-herë e zhvillonin të gjitha palët kundër
meje, njëkohësisht, dhe në të gjitha drejtimet, unë qëndrova konseguent: e besoja se
inteligjencia e Kosovës, anëtare e së cilës je edhe ti, heret a vonë do t'i kuptonte gabimet e
rezonimit të moçëm politik të kohës së komunizmit në Kosovë. Për këtë shkak edhe të
arsyetova, dhe meqë për asnjë milimetër nuk i kishe tejkaluar kufijtë e gabimeve të tyre, e
kërkova mbrojtjen tënde edhe për kohën e demokracisë dhe jo vetëm për kohën e komunizmit.
Mirëpo ti e vazhdove avazin e vjetër ndërsa ata e vazhduan rezonimin e moçëm të përkrahjes
së njëanëshme. Kjo më tmerroi. Ata që e pretendonin udhëheqjen e luftës për dinjitetin dhe
identitetin e një populli të tërë, të cilëve populli u besonte me fanatizëm të verbër, nuk e
shihnin dot se kishin startuar shtrembër. Duke e përkrahur një praktikë përfundimisht imorale,
binin në provimet elementare të etikës dhe nuk e shihnin lidhjen e saj me politikën. Për këtë
ua tërhoqa vërejtjen dhe më akuzuan për bajraktarizëm. Për ta individi nuk mund të lozte
ndonjë rol të madh në ecurinë e proceseve dhe duke mos e parë trashëgimin e botëkuptimeve
të vulgarizuara staliniste mbi rolin e masës në revolucionet shoqërore, më akuzonin pikërisht
për stalinizëm! I kishin hutuar titujt dhe gradat e larta të shkencës dhe të politikës, pasi që
tashmë e kishin harruar mënyrën e arritjes së tyre. U binda përfundimisht se ata demokracinë
e barazonin me interesat e veta të veçanta. Për këtë shkak, metodat mafioze për sendërtimin e
këtyre qëllimeve jo vetëm që i prezantonin si demokratike por fatkeqësisht edhe i besonin si të
këtilla. E kishin përvetësuar qasjen cinike dhe jo atë idealiste ndaj demokracisë, duke harruar
se pikërisht kjo e kishte avancuar demokracinë. Rendi, skrupujt, ligji, ligjshmëria, normat
etike, me vetë qasjen e tillë, ishin të eliminuara nga rezonimi i tyre politik. Bukuria sublime e
demokracisë duhej të ekzistonte vetëm për budallenjtë si unë. Politikën e kishin reduktuar në
një mjeshtëri për dallavere dhe për pazarllëk. Bënin tregti me opcionet politike dhe nuk e
ndjenin se fjala ishte për interesa fundamentale të një populli të tërë. Si rezultat i këtyre
botëkuptimeve të rrotulluara mbi demokracinë, sot nuk ka vetëm ngecje, por edhe retardime të
rënda dhe tragjike të proceseve politike.
Ata që këto gjëra nuk duan t'i shohin sot, ata që për këto nuk mërziten tani, nuk do të
mërziten kurrë. Ata janë një soj karrieristësh tejet të zhdërvjellët, dhe padyshim që do të
mbeten me çdo kusht në pushtet në çfarëdo rrethana. Ky ishte dhe mbeti qëllimi i tyre i vetëm,
por nuk e di se kujt, pos vetë atyre, do t'u duhet ai pushtet? Pushteti mbi një popull të
përgjysmuar nga çdo drejtim nuk është tjetër veçse një karikaturë e mjerë e vetes.
Besova se nga ai bazamenti i përmendur i piramidës arkeologjike -dhe arkeologjike në
shumë kuptime, do të shpërthente kategoria në fjalë e të rinjve që tanimë nuk ishin të rinj.
Dëgjova se të kishin zgjedhur anëtare të Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në
Kosovë. Pikërisht aty ishin të koncentruar shumë nga këta të rinj të moshës së pjekur. Meqë
dikur i kisha ngritur lart në piedestalin politik, kurse të tjerëve u kisha premtuar se me çmimin
e jetës nuk do ta lejonim rrënimin e jetës (shiko ligjëratën: "Individi dhe procesi politik") nuk
desha t'i besoja një kauboji të Texasit se edhe ugandezi Amin Dada një herë kishte qenë i
zgjedhur në forume të ngjashme. Desha të besoja se këta nuk do ta lejonin përvjedhjen e
praktikave që do ta cënonin integritetin moral të forumit në fjalë. Desha të besoja se edhe ti
vetë nuk do ta lejoje një gjë të tillë. Mirëpo edhe këta u treguan oportunistë si të parët. Edhe ti
u pajtove me këtë oportunizëm. Lufta politike që duhej të zhvillonit u reduktua në evidentimin
e eksceseve, të ndodhive dhe të krimeve dhe në arkëtimin e tyre në forumet e larta të
komunitetit evropian. Me kaq përfundonte lufta politike e të rinjve të pjekur. Thua se Evropa
nuk i dinte dhe nuk i shihte ato. Thua se ajo vetë nuk i kishte provuar tashmë. Kjo më
hidhëroi. Ua thashë edhe më parë me gojë, por tani po ua përsëris: ose nuk e njihnin natyrën e
luftës politike, ose nuk e besonin fare atë. Në të dy rastet do të duhej të ishin të ndershëm. Po
qe se nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin me konsekuencat që doemos i nënkupton lufta
politike, atëherë le të hiqnin dorë nga ajo! Le të merreshin me diç tjetër që nuk ka
konsekuenca të tilla, si psh. me bujqësi ose me tregti, por jo me luftën politike për liritë dhe të
drejtat e njeriut në Kosovë! Në këtë mënyrë ata e shkaktuan humbjen totale të besimit të
dhënë.
Një mbledhje
Gjatë një viti të tërë shkollor punonim në të njëjtin fakultet, por nuk u takuam ndonjëherë.
Pastaj, meqë ishte fjala edhe kinse për mua, më ftuan në mbledhjen e përmendur të 1 korrikut
të këtij viti. Ti erdhe me vonesë, dhe pikërisht kjo gjë më dha rastin të të shikoja
drejtpërsëdrejti. Pikërisht ashtu siç mund t'i përcillte Suzana , e cila si me porosi ishte ulur
mbase kastile përballë meje, ndryshimet e mundshme në fytyrën time. Mirëpo më ra ndër
mend me kohë. Nuk i dhashë rast ta kryente këtë detyrë. Ka kohë që jam mësuar ta komandoj
brendinë time. Gjërat që i vërejta tek ti, shihej qartë se nuk vinin nga pleqëria. Dëshirova t'i
zbërtheja. Për këtë shkak i mbërtheva tamthat me gishtërinj, dhe sakaq më dolën para sysh
dridhjet e Andinit.
Skena të tmerrshme kishte përjetuar Andini. Atë vetë dhe të motrën i mbanin peng në nivel
mëhalle, (mahallisht). Një herë, pas një nate të tmerrshme të kaosit shpirtëror, kur kisha
kërkuar që ta shihja, kish qenë dëshmitar i vërsuljes së dajallarëve të tij për të më rrahur, sepse
kisha guxuar t'ua prishja gjumin (kishte qenë ora 8 e mëngjezit). Nuk e dija se për ta bërë një
gjë të tillë ishte dashur të kaloja procedura të posaçme. Po atë ditë fshati qe mbarsur me
propagandën e aktivistëve të LDK-së. Kisha bërë gabim të madh, thoshin ata, ndonëse nuk e
shpjegonin dot se ku konsistonte gabimi. Që nga ajo ditë Andini e bart në vete një shqetësim
të dridhshëm, një dridhje shqetësimi sa herë që dëgjon se do të kaloj aty pari, kah dajallarët e
tij. Ndoshta edhe për këtë shkak, qysh kur ai ishte në moshën 4 vjeçare, i tërë një fshat me të
pesë mijë banorët e tij, i bënte sehir udhëtimet e Andinit. Një vocrrak 4 vjeçar udhëtonte gati
për çdo ditë prej një skaji në skajin tjetër të fshatit nëpër vapën e verës, nëpër baltërat e
vjeshtës e nëpër stuhinë e dimrit, duke i kaluar pritat e qenëve, dhe shkonte për ta parë babain
e tij që donin t'ia rrëmbenin. Në fillim kishin qeshur me udhëtimet e tij, sepse i kishin
interpretuar si produkte lazdrimi, pastaj kishin filluar ta admironin për guximin dhe
gjindshmërinë që e kishte treguar gjatë atyre udhëtimeve. Më në fund, kur e kishin koptisur
esencën e çështjes, ajo kishte mbetur sërish aty ku kishte qenë -e pazgjidhur. Andini i vogël
gradualisht ishte shndërruar në një legjendë lokale, por pa ndonjë përmendore të ngritur si ajo
e Manequen Pisse-it në Bruksel të Belgjikës. Mendoja me vete: sikur udhëtimeve të Andinit
t'u ngritej ndonjë përmendore si atij në Belgjikë, atëherë ajo patjetër do të duhej t'i përmbante
dridhjet shqetësuese të Andinit, do të duhej të simbolizonte indolencën ndaj imponimit të një
politike nga jashtë brenda, shkatërrimin përfundimtar të rendit të gjërave. Ndërkaq figura e
Manequin Pisse-it nuk përmbante asgjë të këtij lloji përveç një përbuzjeje të lehtë me të cilën
protestohej eksportimi i një politike nga brenda -jashtë. Nuk përmbante asgjë tmerruese, por
përkundrazi, një protestë sharmante, një fakt që nuk i përkiste atij vetë, por edhe shoqërisë, që
i kishin lënë vrragë të thella që do të duhej t'ia mbulonte koha, por që ajo kurrsesi nuk po
vinte.
Pastaj m'u kujtua Brisilda, vajza ime tri-vjeçare. E kishin bërë shoshë nga prapa me
inxheksione, por nuk e kishin parë të arsyeshme të më tregonin. Ftohja e saj, si gjithmonë, u
ishte dukur e parëndësishme. Mirëpo rezultat ishte largimi i saj nga unë, ashtu si edhe Erleta
më heret: më urrente sepse nuk kisha qenë pranë saj kur kishte pasur dhembje. Nuk e kisha
mbrojtur dhe as ngushëlluar. Kisha mbetur për të një i huaj i paarritshëm, ndonëse thoshin se
isha baba i tyre. Pastaj unë desha ta urreja gjithë botën e femrave, por ti ishe aty. Të pashë dhe
e ndjeja prezencën tënde. Në të vërtetë nuk të pashë, por vetëm të lexova e të shkoqita
shpirtërisht.
I mbylla sytë dhe desha të përqendrohesha, por tani më doli përpara Eranda. Ti nuk e njeh
Erandën. Është bija 7 vjeçare e vëllait tim -Afrimit, dmth., mbesa ime. Është tejet e hajthme
por inteligjente. Ditën që u nis ia kishte përkujtuar babait të vet që veturën e tyre të ma linin
mua "Axhit Ukshin". U kishte shpjeguar se ajo do të më duhej pasi që udhëtoja rregullisht për
në Prishtinë dhe mund ta takoja -Erletën. Pastaj kishte kërkuar të përshëndetej me mua, por
unë kisha ikur. Nuk kisha mundur të ndahesha dot prej tyre. Për këtë shkak ia kishte plasur
vajit. Vajit të saj iu kishte bashkangjitur edhe Bulena (Albulena) 4 vjeçare, që e kishte kërkuar
Andinin, por ky si zakonisht nuk e kishte honepsur, ngase i dukej si tepër e bezdisshme. Më
në fund i kishte pajtuar Bresha (Arbëreshja) 3 vjeçare "Do t'i çojmë, -kishte propozuar ajo, -
Axhit Ukshin ma:ka". Me këtë propozim ishin pajtuar që të trija dhe iu kishin bashkuar
prindërve të vet në rrugën e gjatë të mërgimit. Të 19 shokët e Afrimit që i njihja më parë,
kishin vajtur tashmë qysh heret. Lëndimi im, pas rrahjes, e kishte bindur përfundimisht se
duhej të shkonte edhe ai. Dhe shkoi me gjithë familjen, si të gjithë shokët e vet.
Thashë me vete: ç'i duhej Millosheviqit të manipulonte aq shumë për ta arritur një qëllim
aq të kollajshëm? Por përgjigjet mu dukën si tejet triviale. Andaj i heshta.
Përderisa nxirrja konkludime të tilla, më pengoi, por edhe më zgjoi, zëri i asaj kolegeje që të
vardisej. I shikova njerëzit përreth. Ishin po ata njerëz që 12 vjet më parë i kisha parë në
sallën e arsimtarëve të Fakultetit Filozofik. Mungonin ca më kryesorët, por shumë prej tyre
ishin bërë të mëdhenj dhe u ndjehej prezenca përmes bedelëve. Disa i kishin avansuar gradat
dhe pozitat, por nuk ishin avansuar edhe vetë. "Një fatkeqësi e rëndomtë e intelektualëve tanë,
-mendova, -është se nuk avansojnë dot së bashku me gradat." Të gjithë e pretendonin unitetin,
por shpërthenin lehtazi në sipërfaqe të njëjtat përkufizime grupore si dikur: në ata që
pretendonin se e kishin pushtetin, por që kishin zbritur në bodrumet e shtëpive private. Në ata
që pretendonin humbjen e pushtetit, por që megjithatë me dinakëri, mençuri dhe gjelozi e
ruanin, duke pretenduar se e ndanin me të parët, por po ashtu nëpër bodrumet e shtëpive
private. Dhe më në fund, në ata që i bënin sehir të dy grupet në fjalë dhe nuk prisheshin me
asnjërin, duke e pritur përfundimin e luftës së tyre për pushtet dhe jo për shtet. Të gjithë
pretendonin se ishin kundër Serbisë, përderisa ajo vetëm sa i kishte braktisur, dhe këta nuk e
kuptonin përse. Mendoja: këta nuk e dinë se Eranda, Bulena dhe Bresha tashmë kishin vajtur.
Nuk dinin asgjë as për Sildën 3 vjeçare e cila në mënyrën e vet fëminore protestonte kundër
ndarjes me babain e vet. Kishin dëgjuar mbase për Erletën, por nuk mund ta njihnin botën e
saj të brendshme. Dhe konkludova: një inteligjencie me një popull të përgjysmuar nga të
gjitha drejtimet. Mirëpo këtë e kisha konkluduar edhe më heret. Motivi për të konkluduar për
të dytën herë po të njëjtën gjë s'mund të ishte vetëm personal. U përpoqa ta gjeja motivin dhe
sakaq m'u kujtua biseda me atë intelektualin, ish-mikun tim, që i takonte grupit të parë (që e
pretendonin pushtetin, por që ky u kishte ikur, bile edhe nga Tirana): "Nuk kishim pasur
popull, -thoshte ai,-por vetëm fis". Ndoshta vërtetë ishte kështu, por ky nuk kishte të drejtë ta
thoshte një gjë të tillë. "Qen bir qeni, -thashë me vete, -e dëshiroje luftën por jo edhe
përgjegjësinë!" Me imoralitetin e këtij qëndrimi e katandisën çdo moral në gjendje të amullisë
shpirtërore të një populli të tërë dhe pastaj me një paturpësi të hapur deklamonin se nuk kishte
pasur popull por vetëm fis dhe për këtë i fajësonin të vdekurit dhe jo veten e tyre.
Intensiteti i mendimeve po më shkaktonte mundime. Për këtë shkak e ndërrova vendin, por
tani më dhimbnin edhe plagët. Megjithatë arrita të koncentrohesha sërish. Ç'kërkoja unë në
këtë vend? -e pyeta veten, dhe sakaq m'u kujtua se gjatë tërë vitit e kisha kërkuar Erletën, por
nuk e kisha gjetur. Nuk ishte edhe më tej vendi im aty, përfundova me vete, dhe përsëri të
vura re. Befas m'u bë e qartë gjithë e vërteta jonë e hidhur. Nuk pata nevojë ta mësoja nga
bisedat dhe as që të ma rrëfenin. Thjesht m'u bë e qartë dhe e kthjellët si kristali, por dhe e
rëndë si tunxhi:
TË KISHIN PËRDORUR TY PËR TA SHKATËRRUAR JETËN TIME. POR PËR TA
BËRË SHKATËRRIMIN ME THEMEL TË JETËS SIME, TI NUK U KISHE MJAFTUAR.
E KISHIN (OSE -E KISHA) GJETUR EDHE NJË TJETËR, POR KËTË E MËSOVA NË
NDËRKOHË. ATË QË NUK E DIJA DERI NË ATO ÇASTE DHE PËR TË CILËN NUK
KISHA QENË I VETËDIJSHËM ISHTE FAKTI SE MË KISHIN GJETUR EDHE MUA
PËR TA RRËNUAR JETËN TËNDE DHE JO VETËM PËR TA SHKATËRRUAR ATË.
PASTAJ E KISHIM GJETUR NJËRI-TJETRIN PËR TA RRËNUAR JETËN E FËMIJËVE
TANË. KY RRËNIM CIKLONIK KISHTE VAZHDUAR ME VITE TË TËRA DHE
AKOMA VAZHDON EDHE SOT. PËRKUNDËR PREMTIMIT SE ME ÇMIMIN E JETËS
NUK DO TA LEJONIM RRËNIMIN E JETËS, JETA NË KOSOVË VAZHDONTE TË
RRËNOHEJ. TANI E RREZIKON EDHE VETË EKZISTENCËN E KOMBIT. KJO NUK
DUHET LEJUAR!
Bibliografia
Ukshin Hoti është i lindur në Krushë të Madhe, fshat në komunën e Rahovecit, Republika e
Kosovës, në vitin 1943 nga i ati Nazyfi dhe e ëma Fatimja, në një familje me gjendje të mesme
ekonomike (babai -gazetashitës, ndërsa e ëma -shtëpiake).
Nga fshati i tij ndahet në moshën 12 vjeçare për shkak të shkollimit (8 vjet shkollë fillore, 5 vjet
shkollë normale në Prizren e në Prishtinë, 4 vjet studime në Fakultetin e Shkencave Politike në
Zagreb, 2 vjet studime postdiplomike në Beograd - drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe
Ekonomike Ndërkombëtare, pas të cilave specializon për një vit në universitetet amerikane të
Çikagos, të Harvardit në Kembrixh -Boston dhe në Washington D.C.).
Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e
arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i vitit III dhe IV të Fakultetit Juridik, drejtimi -Juridiko-
Diplomatik, i vitit III të Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të
Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist "Edvard Kardel", ka qenë Sekretar i Sekretariatit për
Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar i
pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare.
Pas diskutimit të tij në një mbledhje të organizatës bazë partiake të Fakultetit Filozofik, dega
Filozofi -Sociologji, në Prishtinë me 19 nëntor të vitit 1981, me ç'rast vihet në mbrojtje të hapur
të studentëve, të demonstratave të tyre dhe të kërkesës së tyre themelore për konstituimin e
Kosovës në Republikë, arrestohet dhe dënohet me 9 vjet burg, dënim i cili i ulet në 3,5 vjet nga
Gjykata Supreme. Pas daljes nga burgu ai detyrohet të kthehet në fshatin e tij të lindjes në kushtet
e një izolimi ostracist. Të gjitha përpjekjet për shpërthim tregohen të pasuksesshme.
Më 1990 angazhohet në Lubjanë në revistat "Alternativa", "Republika" dhe në atë me titull
"Demokracia Autentike -DEA" të cilën e drejton vetë si ideator politik dhe si kryeredaktor. Duke
qenë se gazeta bllokohet me metodat financiare të politikës së qarqeve të caktuara të Prishtinës, ai
kthehet sërish në vendlindje nga ku vazhdon të veprojë herë me kontribute politiko-eseistike, herë
si profesor i Sociologjisë Politike në Universitetin e Prishtinës. Në fillim të vitit 1993 (në muajt
mars-prill) e mban edhe dënimin e tij të dytë politik për shkak se një vit më heret kishte
organizuar një homazh masiv për martirët e demokracisë në Brestovc. Po këtë vit ai rrahet për
vdekje nga një pritë e njësiteve speciale serbe në Gllogovc, pas kthimit të tij nga vizita e
grevistëve të urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë të inicuar nga Adem Demaçi.
Gjatë këtij viti ai merr pjesë edhe në tubimet e organizuara në Tetovë me përfaqësues politikë
gjithëkombëtarë ku merren qëndrime politike lidhur me nevojën e bashkimit të kombit shqiptar
në një shtet unik . Në vazhdën e këtij aktiviteti ai vihet në krye të partisë me program politik
kombëtar UNIKOMB. Mirëpo shteti, duke parë tek aktivizimi i tij i plotë politik rrezikun e
prishjes së baraspeshës politike dhe të marrëveshjes së heshtur me subjektet e pasivizuara politike
shqiptare të Kosovës, e burgos sërish dhe e dënon me 5 vjet burg nën pretekstin e anëtarësimit
ilegal në LPRK e në UNIKOMB me qëllim të minimit të sistemit kushtetues e të tërësisë
territoriale të Jugosllavisë.
Aktualisht gjendet në vitin e dytë të dënimit në "Dubravë" të Istogut.
/1995/
PËRMBAJTJA
PJESA I
PJESA II
PJESA III