Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 13

Botohet për herë të parë i plotë dokumenti ku arqipeshkvi Pal Engjelli jepte të famshmen

Formulë të Pagëzimit.

Deri më sot kjo faksimile është botuar e pjesshme, dhe shpesh është keqinterpretuar.
Zbulimi i dokumentit të plotë në Arkivin e Shtetit, na zbulon shumë surpriza deri edhe
një fjalë shqipe të panjohur më parë...

FORMULA E PAGZIMIT, KUMTE TË REJA NGA DOKUMENTI MË I


VJETËR I SHQIPES
Shkruan: Ledi Shamku-Shkreli Revista “MILOSAO”

“Konstitucjonet” e Kuvendit të Matit të vjetit 1462, përpiluem prej Pal Engjëllit


nuk kanë pasë ndonji trajtim të privilegjuem në Shqipni, ndonëse me to lidhet, posë
tjerash, edhe kapërcimi i pragut historik të gjuhës shqipe. Me përjashtim të Formulës
së Pagëzimit e cila në asnji rasë nuk mundej me u neglizhue, pjesa tjetër e
“Konstitucjoneve”, ashtu si dhe e krejt Kodit Ashburnham në përbamje të t’cilit ato
ndodhen, asht fare pak e studjueme prej nesh. Kjo zbraztì studimore asht edhe
haraçi që i kemi pague mungesës së botimit të këtyne dokumentave primordialë për
kulturën tonë kombtare.

Në Shqipni, faksimili i Formulës së Pagëzimit, u botue i pjesshëm prej Lumo


Skëndos më 1926 tek “Dituria”, por duhet thanë se, në këte publikim, paraqitja e
Formulës u përshfaq e manipulueme. Kjo ndodhi mbasi botuesi, për lehtësi
paraqitjeje, bashkoi në nji faqe të vetme paragrafin e ndamë ndërmjet dy faqeve
(paragraf ku ndodhet formula asht në faqet 3b dhe 4a të pishtullit). Prej asokohe kjo
faksimile u pat botue e ribotue ashtu për gati nji shekull me rradhë, si ndër librat
shkollorë e antologjitë përmbledhëse, ashtu edhe ndër trajtesat shkencore të
studjuesve të ndryshëm.

Porse janë do ngjarje të cilat s’munden me mbetë gojëdhana, e sidomos, në


ditët e sotme fjala e shkrueme s’mundet me qenë mâ gojëdhanë, pra e pabotueme;
aq mâ fort kur kjo fjalë e shkrueme asht primitus, sikundër asht dokumenti i parë në
gjuhën tonë, i njoftun si Formula e Pagëzimit e vjetit 1462. Me këte dokument
shkrimor e kapërcen gjuha shqipe pragun e vet historik, a sikundër shkruen Át Justin
Rrota, formula e pagëzimit shenjon “pagëzimin e ortografìs shqipe”.

Qyshse u njoftue zbulimi i këtij dokumenti e deri në ditët e sotme, asht shkrue
shpesh formulen, madje teevona pati edhe tubime shkencore në kremt të jubileut të
saj; porse vetë dokumenti vijoi me mbetë i mbledhun kutullaç në sergjitë e arkivit, e
kështu mjaft studjuesve ju takonte me shkue citim mbas citimit. E posë studjuesve,
shqipfolësit nuk patën kurr rasën me e pa të plotë shenjën e tyre t’parë shkrimore.

Bindja se nji frazë e vetme e shqipes nuk mund të studjohet shkëputazi nga
konteksti i vet, qoftë ky edhe në nji tjetër gjuhë, na grishi me kërkue këte manuskript
dhe me e botue të plotë. Duke u informue se ç’leje nevojitej për me e sjellë kopjen e
tij në Shqipni, mësuem se kjo kopje e filmueme n’fakt gjindej në Arkiv të Shtetit
Shqiptar qysh më 1967-ën, pra prej ma se 40 vjetësh, dhe se e pat prue prof. Bujar
Hoxha. Befasia se kishim lypë fort larg ate çka e kishim prej kohësh këtu qe
lehtësuese e na solli ndër mend pyetjen e Engjëllit të Zotit: “Pse e lypni të gjallin
ndër të dekun?” (Luka 24, 5-6).
1
Kështu pra, venduem që ma së pari ta botojmë të plotë këte dokument (shih
Hylli Dritës, 1/2009), për t’ua dhanë shqiptarëve ate çka u takonte me e pasë prej
shumë e shumë kohësh.

Duem me besue se për shqiptarët, tash që “ka ndërrue moti e stina” dhe
pseudopatriotizmi izolacionist nuk shtrëngon ma me ecë ndër shtigje të pashkeluna,
vetëm njohja e kulturës së njimendtë e transhendentale krijon ate bazament moral e
historik mbi të cilin duhen mbështetë përpjekjet për me u rikthye në gjiní, në Europën
prej kah u shkëputën forcënisht shekuj ma parë. Marin Sirdani shkruente se “për me
e dashtë historinë e kombit, duhet ma parë me e njoftë ate”, mbasi veç përmes
njoftjes ngjarjet dhe personazhet e të kaluemes mundet me shtegtue prej territ të
kohënave drejt kjartësisë të s’tashmes.

“Konstitucjonet, urdhnesat dhe statuti u hartuen e u shpallën prej nesh


Arqipeshkvit Pal e u nënshkruan në Kishën e Shindërtatit të Matit në vitin e Zotit
1462, në indiktin e dhjetë, dhe po në ditën e hane më 8 të muajit të nëntorit”.
“Konstitucjonet” nisin me nji paragraf, në të cilin arqipeshkvi Pal Engjëll,
përshkruen shkurtimisht gjendjen e arqipeshkvisë së vet n’ato kohë, kur lypej me u
riorganizue mes vedit për me i bamë ballë ndarjes shpirtnore, pra edhe kombtare, të
gjindjes sonë e cila po rrezikohej prej agresionit osman.

“Ad perpetuam rei memoriam. Detyra e kujdesit baritor na shtyn me çdo kusht
me paqtue për nder të Hyut dhe për shëlbimin e shpirtnave ku vepron Arqipeshkia
[...] U ba shumë kohë që dioqezat, provincat janë vizitue rrallë prej Arqipeshkvit, qoftë
për arsye të tiranisë së gjatë të turqve, qoftë edhe për shkak se kjo zonë ka
vëshirësinë e të qenit shumë e shtrime.

Për shkak të zakoneve të shprishuna, venduem ta vizitojmë na vetë [...] Në nji


këte epokë provinca gëzon plotësisht dinjitet liriet kishtare nën të ndritshmin
Sundimtar Skenderbehg, Zot i Arbënisë”.

Riorganizimi përfshiu qoftë formën, qoftë përmbajtjen e ushtrimit të detyrës


shêjtë të meshtarisë, duke unifikue dhe përditësue çdo ceremonial kishtar simbas
udhëzimeve të Selise së Shêjtë.

Por le të shestojmë tash dy çeshtje fort të diskutueshme, të cilat, pas mendimit


tonë janë interpretue shkrim mbas shkrimit ma fort si hamendje sesa si analiza
kontekstuale (kjo edhe për mungesë të shqyrtimit të tekstit të plotë në origjinal).

Së pari, për dekada me radhë asht përsëritë e ripërsëritë gjithnji se në këte


Kuvend ju dha e drejta familjarëve, që në mungesë të priftit, t’i pagëzonin vetë fmijtë,
në mënyrë që të mos vdisnin pa e marrë këte sakramend. Simbas këtij arsyetimi asht
mendue se arsyeja e dhanies në shqip të Formulës së Pagëzimit rrjedh ngase populli
nuk e njifte latinishten. Por duket se nuk asht njimend kështu e se ky interpretim tejet
i thjeshtëzuem ka ardhë në disa rasa për mungesë të ballafaqimit me tekstin e plotë,
e në tjera për mosnjohjen e kuptimit të saktë të termave ekleziaste (në rrafsh
historik).

Në pikën ku ripërcaktohen rregullat që lidhen me sakramendin e pagëzimit


(fletët 3b-4a ose 3 recto e 4 verso) jepen edhe kushtet për pagëzimet jashtë kishe në
2
të cilat bahet, sikundër thamë, nji përcaktim i specifikuem i formulës pagëzimore in
vulgari albanico. Ky përcaktim jepej për dy motive:

1. sepse formula nuk mundej mâ me u thanë tri herë, pasiqë Vatikani e kishte
riformësue këte praktikë prej mase nji shekulli. Kështu nga nji vështrim krahasues me
përditësimet e rendit fetar katolik në vendet e tjera të kërshtena, vërejtëm se këto
ndryshime qenë vendosë nga Selia e Shejtë që në shek. XIV. Vonesa e zbatimit ndër
ne asht e kuptueshme duke pasë parasysh pushtimin osman, nga njena anë, dhe
çrregullsitë si rezultat i veprimit shkizmatik serb nga ana tjetër. Kështu Pal Engjëlli e
reflekton në Kuvendin e Matit edhe këte përditësim të randësishëm liturgjik;

2. për fmijtë që e merrnin sakramendin në shtëpi, si të pamujtun me ardhë në


kishë, formula e pagëzimit lejohej me u thanë në arbënisht në formën tashma të
njohun nga ne. Po shqipërojmë të plotë paragrafin ku gjendet kjo fjali shqipe,
konteksti i të cilës asht si vijon:

“Venduem që mbas sodit priftënt kur pagëzojnë, të shqiptojnë një herë të


vetme “Ego te baptizo in nomine Patris et filij et spiritus sancti”, dhe jo tri herë
sikundër asht ba derimë sot. Dhe për këte duhen mësue famullitarët, që kur lypet me
pagëzue krijesat që rrezikojnë me vdekë të papagëzueme ngase nuk mbrrijnë me i
pru në kishë, ata të shqiptojnë dallueshëm (shkoqitun) në shqipen e popullit (Vulgari
Albanico), s’paku këto fjalë: Unte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. Në
se ndonjeni asht pagëzuem në ket mënyrë, nuk duhet pagzue për s’dytit herë por ai
duhet të përmbushë katekizmën. Nga ky vendim përjashtohen veç rasat kur dyshohet
njimend, apo kur këto fjalë janë shqiptue nga nji laik apo grue që, në rrethana
shtrëngese, ka pagzue ksisoj. Kështu pra, sacerdoti duke pagëzue, të hedhë ujë mbi
kryet e fmisë duke thanë: Si tu es baptizatus, ego non të rebaptizo, sed si non es
baptizatus, ego te baptizo in nomine Patris et filij et spiritus sancti (n’shqip: N’kjoftë
se je pagëzuem, un nuk të ripagëzoj, por n’mos kjofsh ti i pagëzuem, un po
t’pagëzoj n’emën t’Atit, t’birit e t’shpirtit shêjtë) “.

E vërteta asht se në këte paragraf nuk del askund që prindët, a ndokush tjetër
jashtë funksionevet fetare, të mundej me pasë autoritetin për me e krye këte
sakramend.

Por si ka mundësi që nji “shmangie” të tillë të randësishme ta kenë thanë e


përcjellë njani mbas tjetrit të gjithë studiuesit, historianë ose jo, që nga Nicolae Jorga
e gjer më tash?

Në paragrafin që cituem, pra në kontekstin ku ndodhet fjalia shqip, vihet re se


njësia latine e origjinalit “quod doceant parrochianos in articulo” asht keqkuptue
vijimisht duke i dhanë gabimisht shenjuesit “parrochianos” vlerën që ka sot në
italishte verbi “parrocchiani”. Kjo e fundit në fakt don me thanë “besimtarë të nji
famullie”. E këtu mendojmë se nis edhe keqkuptimi. Para së gjithash skjarojmë se ky
tekst asht shkruem në latinishten mesjetare. Latinishtja klasike nuk e ka këte verb;
ajo ka veç verbin “parochus” që don me thanë “zyrtari që kujdeset për bujtjen e
shtegtarëvet”. Ndërkohë, po të shikohen fjalorët historikë të italishtes, tek lema
“parroco” (shq. famullitar) rezulton se forma e vjetër e saj ka qenë “parrochiano”; aty
spjegohet se kjo formë rrjedh drejtpërdrejt prej latinishtes mesjetare “parochianum –
plur. parochianos”. Dhe vërtet edhe sot e ksaj dite ndihet ende ne Itali që famullitarët
ma t’moçëm thonë “parrochiano” për “parroco”.

Kështu pra kuptohet kjartë se Pal Engjëlli në këte fragment nuk u referohet
3
besimtarëve por famullitarëve. Këte ngatërresë e ka ushqye edhe “leximi” po ashtu i
gabuem i fjalës “shkullar” tek Budi [“Ma kur t’ish ashtu nevoja, sikur thuose foshnja m
perikullë me shkuom pa pagëzuom, aty gjithëkush ka të lirë, e mundën me e
pagëzuom, sidota e mbë qish do gjuhu të jetë, o prift, o gjakon o shkullar”]. Edhe
këtu shkullarët nuk janë laikët në kuptimin e sotëm, siç asht interpretue, por janë
priftent shkullarë (preti secolari) ku hyjnë edhe dioqezanët, të thirrun ksisoj, pasi në
dallim nga Fretnit Rregulltarë, të cilët rrojnë nëpër kuvende, Priftent Shkullarë rrojnë
në shekull (mes gjindjes). Duke vijue ma poshtë vërejmë se Pal Engjëlli saktëson
“kur këto fjalë janë shqiptue nga nji laik apo grue”. Edhe ktu jemi ballë po të t’njejtit
keqinterpretim të termit laik. Laikët nuk janë ata që njohim ne në kuptimin e sotëm,
pra e kundërta e klerikëve, por janë në fakt Fretnit Laikë a ndryshe në it. Frati
Conversi (nga lat. Conversus), të cilët kishin hy në kuvend, por nuk i kishin marrë
ende kushtet e shêjta. Kështu ata nuk kishin të drejtë me çue meshë, por në raste
ekstreme, siç asht rasti in periculo mortis u lejohej me pagëzue gjind; e nëse të
pagëzuemit ksisoj mandej kthenin në jetë, ata duhej të përmbushnin katekizmën,
njilloj siç e përcakton Pal Engjëlli. Po ashtu fjala “grue” këtu i referohet motrave
murgesha, të cilat si rregull nuk munden me pagëzue, përveçse në shtrëngesa
ekstreme. Në kontekstin historik të Arbënisë së shek. XV edhe ky fakt asht plotësisht
i kuptueshëm, përveçse i mundshëm, pasi vlen të dijmë se n’atë kohë kish ende në
Shqipni kuvende Motrash Rregulltare, sikundër qe psh. ai i Motrave Klarise të Kepit
të Rodonit, mbështetë prej Mamicë Kastriotit.

Kështu mund të përfundojmë që pohimi i ngulitun se “Pal Engjëlli i lejoi prindët


me pagëzue ata vetë të vogjlit në rrezik jete”, nuk asht fakt, por nji keqinterpretim.

Mbetet për t’u skjarue tash përse Arqipeshkvi ynë përcaktoi që kjo formulë
mund të thuhej edhe në shqip.

Për këte duhet me u ndalë e me bâ nji shtjellim tjetër kontekstual të situatës.


Dihet se në kushte normale, nga sakramendet, vetëm Vojimi i mbramë nuk kryhet në
kishë, por në vendndodhjen e atij që lëngon; dhe kjo asht mâse e kuptueshme.
Ndërsa të gjitha sakramendet e tjera, pra edhe Pagëzimi, merren në Kishë. Nga sa
duket ndërhymja me këte akt rregullarizonte situatën kur fëmija i papagëzuem dirgjej
i sëmundë randë në shtëpi. Në këso rasash, famullitari a kushdo tjetër nga hierarkia
e kishës, do të lejohej me shkue e me e pagëzue ate në banesë të vet. Por këtu
lindte nji problem me bestytninë sipas së cilës kur nji i smundë merrte Vojimin e
Mbramë, ai nuk kthente mâ në jetë. Kësisoj, aty ku ka të bajë me nji fmi në agoni
ceremoniali i Pagëzimit ruen nji pikë të përbashkët me Vojimin e mbramë, ruen ritin e
shenjimit të ballit me voj të shêjtë. Dhe vërtet, sikundër dëshmojnë shenimet e At
Domenico Pasi-t, të botueme nga F. Cordignano, ende në zona të thella të Shqipnisë
së Tetëqindës hasej kjo bestytni. Pra pagëzimi i nji vocërraku in periculo mortis,
rëndom refuzohej nga familjarët, të cilët nuk kishin siguri nëse prifti po pagëzonte a
po kryente vojim të mbramë; e nuk ua thoshte këte për t’ua kursye dhimbjen e
parakohëshme. E vetmja mënyrë që prindët ta kishin të qartë se nuk bahej fjalë për
Vojim të Mbramë por për Pagëzim, ishte që kjo formulë të thuhej në shqip, madje
vërejmë se Pal Engjëlli ngulmon për me shqiptue “dallueshëm (shkoqitun) in Vulgari
Albanico, s’paku këto fjalë: Unte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”.

E me kaq po e konsideroj si të mjaftueshëm këte rravgim duke përfundue se e


drejta e pagëzimit në kohë të Kuvendit të Matit (v. 1462) mbetej ekskluzivitet i klerit.

Së dyti do ndalojmë te nji fjalë që na tërhoqi vëmendjen gjatë leximit te


Kostitucjoneve. Në faqen 8-b të tekstit del verbi Banœtina, i shkruem kështu, me B të
4
madhe. Verbi në fjalë, që nuk na rezulton askund t’i përkasë limerit latin, shfaqet në
këte kontekst:

Item statuimus quod quicquid auget Rector Ecclisie in bonis stabilibus


intelligatur et sit Ecclesie nisi laboraverit in Bastina sua, et tunc Ecclisia habeat
partem si augmentavit cum bonis Ecclesie.(Kështu kemi vendosë që gjithë çka i
shtohet si pasuni e patundshme Rektorit të Kishës, nëse ky nuk e punon si Bashtinë
të vetën, bahet me dije se i njihet pronë Kishës, e kshtu Kisha ta ketë pjesë këtë
pasuni që shtohet)

Kjo fjalë, e cila nuk gjindet në latinishten klasike, i përket asaj kategorie
leksikore, karakteristike për latinishten vulgare, që klasifikohet si kategori fjalësh
indigjene (anase) brenda latinishtes. Studjuesi C. H. Grandgent shkruen se
“latinishtja vulgare pati dukshëm mjaft fjalë të tilla që nuk shfaqen ndër tekstet
klasike. Disa nga këto me gjasë qenë terma të lashtë indigjenë, që vetëm rastësisht
nuk hasen ndër veprat që kanë mbijetue”. Gjithë simbas arsyetimit të studjuesve, të
cilët ndajnë bukur mirë kur nji fjalë asht e huej në latinishte e kur nji tjetër asht
indigjene, rezulton se fjala bashtinë do të konsiderohej e huej nëse dokumenti do
t’ish përpilue prej auktorësh jo shqiptarë e jo në Arbëni, por n’Itali a kund tjetër ku nuk
egziston fjala bashtinë; ashtu sikur fjalë jo të latinishtes klasike që kanë hymë në ate
vulgare nga fjalë të truallit italian amma, battalia, pappus etj. konsiderohen indigjene
në Itali. Por fjalë nga troje të tjera, ku ban pjesë edhe bashtina, si p.sh alauda (kelt.),
bannus (gjerm.), konsiderohen të hueja. Pra në kontekstin e Konstitucjoneve të
hartueme prej shqiptarësh në truellin tonë gjuhsor, bashtina nuk asht veçse nji fjalë
vendase në mes të latinishtes vulgare të dokumentit.

Për sa ma sipër, kemi të bajmë këtu me nji fjalë të Shqipes Mesjetare, e cila
ka ardhë thuejse në të njajtën formë deri në ditët tona dhe ka zanë vend ndër fjalorët
e gjuhës në formën Bashtinë. Kjo përshfaqje, që i ka shpëtue shumëkujt mund të
konsiderohet pa droje nji visar i rrallë i Shqipes Mesjetare. Verbi çuditnisht ka mbetë
në hije dhe meriton padyshim nji shqyrtim të posaçëm dhe studime të tjera të
thellueme rreth rrugëtimit të tij historik në gjuhën shqipe.

E. Çabej në Studimet Etimologjike të tij, pasi sheston paraqitjen e fjalës


Bashtinë ndër tekstet e njohuna, si dhe shtjellimin e saj nga etimologë dhe albanistë
të ndryshëm, e konsideron këte fjalë si të përshfaqun për herë të parë në “Mesharin”
e Buzukut, pra më 1555. Megjithatë duket se fjala, aspak karakteristike për
latinishten, nuk i ka shpëtue Nicolae Jorgas, i cili ka punue mbi Kodin Ashburnham
dhe e ka veçue këte fjalë (për të cilin veçim çuditnisht na ban me dije edhe Çabej),
por pa i shkue ndërmend se në shek. XV ajo ishte edhe nji fjalë e vetë shqipes. Për
Jorgan fjala Bastina kishte interes si rumanist, pasi mendohet se rumanishtja, në
kohë të panjohuna, e ka huazue kët fjalë nga sllavishtja e vjetër. Kështuqë zbulimi i
Jorgas kufizohet me të drejtë vetëm te Formula e Pagëzimit. Madje edhe Çabej vetë
në Etimologjikun e tij nuk e konsideron drejt bastinën e Jorgës, të cilin madje e citon
gabueshëm. Ky qendrim i shkencëtarit tonë spjegohet vetëm me faktin që ai nuk
mundi ta shohë dokumentin e plotë të Pal Engjëllit ku qe shkrue Formula e
Pagëzimit, e me gjasë asht përqëndrue vetëm në ekstraktin e njohun zyrtarisht
(montazhin 3b – 4a). Na lejohet ta bajmë këte gjykim pasi mikrofilmi, ndonëse u
porosit nga Instituti i Gjuhësisë, nuk përfundoi kurrë aty por u depozitue në Arkivën e
Shtetit e për ma tepër nuk u botue asnjiherë. Përndryshe nuk kishte si t’i referohej
Jorgas (që trajton çeshtjen në kuadrin e historisë së ekonomive në trojet
trashëgimore të Bizantit) por, në çdo rasë, për verbin në fjalë, ai do t’i ish referue
tekstit të hartuem prej Pal Engjëllit, sikundër për këte fjalë i referohet Buzukut.
5
Kështu asht e jashtëzakonshme që leksikut të shqipes, tepër pak të
dokumentuem, të shek. XV, i shtohet edhe një fjalë tjetër, Bashtina; fjalë që kish
zanë vend të ngulët në Shqipen Mesjetare, e me kuptim të mirëpërcaktuem (si arë e
punueshme nga nji familje dhe shpesh e rrethueme), të nji natyre që nuk gjen
gjegjëse të saktë në podesta-n apo bonum-in e latinishtes. E natyrisht Pal Engjëlli
nuk ka përdorë nji sllavizëm në dokumentin e tij latin, por nji fjalë tashma të vulgari
albanico-s, e cila nga sa duket përdorej gjanësisht në gadishullin Ballkanik. Kështu
mund të pohojmë se fjala shqipe bashtinë motnohet thuejse me nji shekull, pasi na
del qysh në vitin 1462, pra 93 vjet përpara librit të Buzukut.

***

Botimi për herë të parë i “Konstitucjoneve” të Pal Engjëllit, pjesë përbamëse e


Kodit Ashburnham, i hap rrugë studimeve të matejshme dhe ma të thellueme mbi
bazën e tekstit të plotë. Autorja e këtyne radhëve po punon mbi vetë Formulën e
Pagëzimit, e cila e trajtueme thuajse gjithnji shkëputazi nga dokumenti i plotë ka
shkaktue edhe keqkuptime që të shumtën e herës janë përcjellë nga njeni autor tek
tjetri, pa ju referue dokumentit origjinal.

Shpresojmë gjithashtu që ky publikim ka me hedhë dritë edhe mbi format e


organizimit të jetesës, në kuadër të Principatës së Skanderbegut që ato vite po
gatitej të riformulohej në trajtën e nji shteti të renduem simbas mënyrës perëndimore.

TË DHANA MBI KODEKSIN

Codex Ashburnham, II, 1167


Emërtesa e dokumentit: Ashburnham, 1167;
Vendndodhja e Kodit: Biblioteca Medicea Laurentiana - Firenze (IT);
Vendndodhja në Shqipni: Sekt. Mikrofilmave, AQSh - Tiranë (AL);
Dokumenti i plotë: 37 flete, shkruar recto e verso;
Formati: 140 x 200 mm;
Lloji i kartës: Pergamenë italiane;
Përmbajtja: Dokumenta të shek. XII-XVI (me i riu daton 14.VI.1503).
Gjuha: latinishte mesjetare dhe forma të vulgares.
Gjendja e dok.: shumë e mirë, me kapak të randë lëkure të dekoruar hijshëm në
relief.

6
Pjesë e kapakut të lëkurës me të cilin është veshur kopertina e “Kodit Ashburnham”
në Firence. Është e gjitha e dekoruar me presim

7
1.)

Faksimilja me numrin 1 paraqet fletën e parë e Kostitucioneve. Ajo është fleta më të cilën
hapet Dokumenti. Faksimilja e dytë dhe e tretë, na paraqet fletët ku shtrihet paragrafi që
na njeh me Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe. Ekzaktësisht ajo
ndodhet në fillim të faksimiles me numër 3.

8
2.)

9
3.)
“Unte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”

10
4.)
Faksimilja lart, i korrespondon fletës ku ndodhet fjala shqipe BASHTINA, ndërsa
faksimilja tjeter paraqet fletën e fundit të Kostitucioneve te Kuvendit te Matit ku
ndodhet dhe data e hartimit të tyre.

11
Vula e Bibliotekës Laurentiana dhe kodi i dokumentit tonë

12
SHKRIMET KRYESORE DERI 50 VJET MBAS BOTIMIT FAKSIMILIT

N. Jorga, “Notes et extraits...”, IV, 193, 1915; Dh. Berati, “Tribuna albano-romana”,
maj 1916; M. Roque, “Romania”,
1926 (162-64, 504-5); po ky RT 7; N. Jokl, “Indogermanische Jahrb. XIII”; po ky
“Albanisch”, II, 3, fq.115; L. Skëndo,
“Dituria”, 6, 1926 (boton faksimilen); Gegaj, 136, sh. 4; Radonic, 241 2; M. La Piana,
“St. Linguist. Alb.”, 95; A.
Xhuvani “Dok. ma i parë shqip”; K. Frashëri, “Drita”, 4 nëntor 1962; E. Çabej, “Arsimi
Pop.”, shkurt 1963; K. Ashta,
“Leksiku hist. i gjuhës shqipe”, v. I; Dh. Shuteriqi, Antologjia 7; po ky “Shkrimet
shqipe në vitet 1332-1850”, 1976; N.
Resuli, “I più antichi testi albanesi”, 1978.

13

You might also like