30 Vjetori I Demonstratave Të Vitit 1981

You might also like

Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 19

Skicë për një shkrim më përmbledhës

Në 30 vjetorin e demonstratave 1 dhe 2 prill 1981 në Besianë ish Podujevë

ME 1981, NË KOSOVË FILLON EPOKA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Gjithmonë kisha në plan që herdokurë të shkruaj për mars - prillin e 1981 dhe 1982, se
kam shumë çka të shkruaj, sepse vet kam qenë pjesëmarrës aktivë, e mund të them edhe
mirë i informuar. Nga ajo periudhë kam shkruar në revistën “Republika” në Lublanë kujtime
nga burgu “Danjollët janë gjallë” në vitin 1990, pastaj një polemikë me një intervistë dhe
shkrim të Azem Vllasit po ashtu në Revistën “Republika” me titull “Iluzionistët e
deiluzionuar” në vitin 1996 dhe në esenë politike “E majta ekstreme e Kosovës” publikuar
në vitin 2000 në Revistën “Fjala Jonë”, në të cilat shkrime më shumë kam përshkruar pasojat
dhe zhvillimet e më pastajme pas demonstratave të vitit 1981-1982.
Publikimi së fundi i intervistës së veprimtarit Fehmi Berisha dhe librit të Istref Plakollit
(BREGU) “KOSOVA REPUBUKË (Dëshmi mbi revolucionin e vitit 1981 në Besianë)” më
nxitëm më shumë të ju kthehem kujtimeve të asaj periudhe, që patjetër jo vetëm kanë lënë
mbresa në mua, por edhe kanë determinuar jetën dhe ardhmërinë time personale po edhe të
gjeneratës sime. Derisa intervista e veprimtarit Fehmi Berisha ka një rëndësi e cila pasqyron
ekzistencën dhe veprimtarin e disidencës dhe rezistencës në Llap dhe më gjerë në Kosovë
para dha gjatë demonstratave të vitit 1981, libri i Istref Plakollit merret më shumë me
përshkrimin e gjendjes në Shkollën e Mesme që quhej Qendra e Arsimit të Mesëm Orientues
“8 Nëntori” në Besianë (ish-Podujevë) i prirur kryesisht nga prizmi dhe pozita e tij si Kryetar i
Organizatës së Rinisë në Shkollën e Mesme. Përshkrim i një aktiviteti të rinjsh që ka mbet pa
u kurorëzuar nga vet zhvillimi i ngjarjeve dhe zbulimi që në zanafillë. Që në fillim duhet themi
se me grupimin e të rinjve me emër “Shaban Shala” nuk kemi të bëjmë me organizatë ilegale
me parametrat që njohim për organizimet e tilla edhe në botë edhe te ne në Kosovë në
periudha të ndryshme. Istref Plakolli e Bedri Abdullahu nuk kishin më shumë se 17 vjet, Gjyle
Krasniqi kishte 16 vjet etj... të gjithë ne në gjeneratën e 1981, nxënësit e vitit të parë, dytë,
tretë dhe katërt, që edhe jemi bartës të Demonstratës 1 e 2 prill 1981 dhe 1 prill 1982, ishim
me moshë nga 15 deri 18 vjet, që për kushte të Evropës perëndimore, kjo moshë nuk lejohet
në mbrëmje as të qëndroj në qytet, më gjatë se deri në ora 22.oo! Nga këta të rinj entuziast
nuk mund të dilte një “organizatë ilegale” me parametra që nënkuptojnë sot organizatën
ilegale. Shkrimi i Istref Plakollit rreth grupit “Shaban Shala” është shkrim i sinqertë, po ka një
titull pak pretendent. Unë mendoj se ne atëherë nuk bëmë as Revolucion as Kundërrevolucion
por përshfaqëm publikisht dëshirat dhe vullnetin tonë, duke bërë një pikë kthese në
angazhimet tona për nisjen e një pune konkrete për të bërë Kosovën Republikë.

Ajo lëvizje rinore në Besianë (Podujevë) ishte e organizuar dhe realizuar nga gjenerata
e parë e shkollës së Mesme pas reformave në arsimin e mesëm në Kosovë, e cila reformë nga
metoda klasike e shkollimit, tash merrte formën e Shkollimit të Mesëm me Mësim të Orientuar
profesional. Krahas kompletimit me kuadro të kualifikuara mësimdhënësish, ndërtimi i objektit
të ri shkollor me sallë sportive dhe me kabinete dhe kushtet e qarkullimit të mira të nxënësve
(në çdo fshat e pjesë të Llapit qarkullonte autobusi që transportonte nxënësit dhe studentët),
kjo kishte bërë që të rritej edhe kualiteti i mësimit. Të rinjtë nga rajonet rurale-fshatrat ishin
aktiv në jetën kulturore në qytezë barabar me ata të qytezës, ishin edhe ata urban sa ishte
edhe vet jeta e qytezës urbane. Angazhimi në Shoqëritë Kulturo Artistike pjesëmarrja në
koncerte, shfaqje filmi, shfaqje teatrale etj. ishte bërë pjesë e jetës së të rinjve, pavarësisht
prejardhjes nga qyteza a fshati. Këto ishin parakushte objektive për shkëlqimin e kësaj
gjenerate, që i dha kthesë zhvillimit politik dhe jo vetëm politik të Kosovës.
Bilall Ahmeti, Shefqet Cakiqi, Dëshmori Bedri Ahmeti

Në idenë time për ndriçimin e kësaj periudhe dhe konkretisht zhvillimit të demonstratës
me 1 dhe 2 prill të vitit 1981 dhe të 1 prillit 1982, do të nisem nga brendësia organizative e
Shkollës së Mesme me mësim Orientues në Besianë nga paralelet dhe klasat konkrete që
ishin bartëse konkrete të vet ngjarjes, pa nënvlerësuar edhe ndikimet nga jashtë, po edhe nga
strukturat të quaja oficiele të organizuara nge organet komunale dhe të shkollës. Në vet
Shkollën e Mesme ishte organizimi i rinis në kuadër të Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës
që në nivel të komunës së Besianës (Podujevës) kishte sektorin që quhej Konferencë
Shkollore që përfaqësohej nga kryesia: Istref Plakolli (kryetar), Xhyla Krasniqi, Shpresë Ejupi,
Isuf Bajrami, Beqir Mulolli, Ejup Visoka, Ymer Durmishi, Naim Durmishi, Nysret Muçiqi,
Mirsime Muçiqi, Behar Babatinca, Florie Gjoni dhe Fahrie Durmishi të gjithë nxënës të QAMO
“8 Nëntori” në Besianë (Podujevë).

Krahas këtij organizimi ishte edhe organizimi në nivel të Klasëve, që përbëhej nga
Kryetari, Sekretari dhe arkëtari i Klasës, që kishin për qëllim organizimin e brendshëm të
Klasës dhe organizimin në nivel të Shkollës. Përbërjen e këtyre kuadrove e diktonte suksesi
dhe talenti i nxënësve të treguar gjatë mësimit. I gjithë organizimi legal i nxënësve kalonte
nëpër këto organizime, nga klasa, paralelet, ndërrimi paradite dhe pasdite. Viti i parë dhe i
dytë, zhvillonin mësimin në objektet e shkollës së re në rrugën e Dumnicës, paradite dhe pas
dite, ndërsa vitet e treta dhe të katërta, në objektet e ish- Shkollës teknike që është në rrugën
drejt stacionit të autobusëve në Besianë (Podujevë).

Pas shpërthimit të demonstratave në Prishtinë me 11 mars dhe 26 mars, të cilat


vazhduan në Therandë dhe Prizren, brenda në QAMO “8 Nëntori” ziente dëshira për të
organizuar edhe ne diçka të ngjashme. Nuk dinim si, se nuk kishim përvojë, ishim me moshë
nga 15-18 vjeçar dhe krejt demonstratën e paramendonim vetëm si dalje në rrugë me këngë
dhe me brohoritje për dëshirat dhe për vullnetin tonë. Për neve, në atë periudhë nuk ekzistonte
plani për marrje të pushtetit, për revolucion apo kundërrevolucion. Këtë po e potencoi për
shkak se më vonë nga organet e pushtetit lokal dhe qendror në nivel të Kosovës dhe ish
Jugosllavisë ato u cilësuan si kundërrevolucion dhe vendosën gjendjen e jashtëzakonshme
dhe orën policore duke ndërprerë edhe vijimin e shkollimit për 14 ditë!

Me 27 mars 1981 për herë të parë kemi mat “forcat” me strukturat pushtetore lokale. Në
Besianë (Podujevë) atë ditë nga strukturat pushtetore komunale organizohej pritje për Stafetën
e Titos, e cila një ditë më parë kishte kaluar në Prishtinë e përcjellur me demonstratë. Përpara
ndërtesë së Kuvendit Komunal ishte ngritur bina dhe ishte zbukuruar me parulla dhe flamuj të
ish Jugosllavisë, ishim marrë vesh si nxënës të QAMO “8 Nëntori” të bëjmë shëtitjen në
Parkun e qytetit, që ishte përball ku organizohej ceremonia e përcjelljes së Stafetës së Titos.
Rinia që bojkotoj Stafetën e Titos, shëtiti atë ditë me flamuj kombëtar shqiptar, dikush në cep
të bluzave e dikush në gjoks. Prej vet pamjes vizuale, shumica në rrugët dhe parqet e
Besianës ishin në anën që bojkotonte strukturat e Lidhjes Komuniste të nivelit komunal në
Besianë (Podujevë). Masovizimi dhe defilimi rrugëve ishte nga arsyeja se atë ditë nuk mbahej
mësim i rregullt por mendohej me pjesëmarrje aktive te bina në qendër të qytezës të
mbështetej struktura kushtetore e kohës. Shëndërrimi nga defilimi në demonstratë me 27
mars, dështoj edhe nga arsyeja e përforcimit dhe mobilizimit të policisë dhe strukturave
partiake në Besianë, pas njoftimeve mbi ngjarjet me 26 mars në Prishtinë. Njoftimi ynë më i
detajuaj i mëvonshëm me ngjarjet dhe burgosjet me 26 mars në Prishtinë, na nxiti që të
organizojmë edhe ne diçka të ngjashme me kërkesa tash shtesë për lirimin e të burgosurve
dhe kundër dhunës së përdorur në demonstratën e 26 marsit në Prishtinë.

Në paralelet e QAMO “8 Nëntori” viti i tretë dhe i katërt që mësimet i zhvillonin në objektet e
ish Shkollës Teknike, bartës të jetës kulturore-artistike ishin drejtimet kulturologjisë-informimit
publik dhe shkencat e natyrës. Këto drejtime dhe këto paralele ishin organizatorët e fillimit të
demonstratës së 1 prillit 1981, e njëherësh edhe pjesëmarrësit aktiv të tyre.

Rreth organizimit të demonstratës (flas nga brendia e shkollës) kanë qenë të angazhuar Klasa
që ka drejtuar prof Yzeir Mustafa (Ylli) me nxënësit Zahir Pajaziti, Enver Cakiqi, Haki Rexhepi,
Mihane Syla, Osman Sheholli etj ...klasa që ka drejtuar prof Idriz Gashi, (klasa në të cilën isha
edhe unë Sh.C.) me shokët Muhamet Ymeri, Shaip Azemi, Lumni Nimani, Selim Ganiu,
Bejtush Gashi etj.. klasa që ka drejtuar prof Ujup Shala me nxënësit Bedri Avdullahu, Fadil
Begu, Avni Ahmeti, Arsim Hasani, Rrustem Murati etj... klasa e Nezir Avdullahut... klasa e Isa
Jasharit, Bajram Kadriut, Behxhet Sadës, Musë Musës etj...

Isa Jashari i pari nga e majta i plagosur në demonstratën e 2 prillit 1981 më vonë i
dënuar për aktivitete politike për lirinë e Kosovës

PSE ME 1 PRILL ?

Me 27 mars në Besianën (Podujevë) patë parakaluar Stafeta e Rinis, si quhej një ceremoni për
datëlindjen e Josip Broz Titos, e cila ceremoni mblidhte dhe mobilizonte kuadrot dhe aktivistët
e Lidhjes Komuniste të Kosovës si pjesë e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Atë ditë ne
nxënësit e shkollës së mesme, patëm bojkotuar pjesëmarrjen në përshëndetjen po edhe
dhënien e stafetës lokale në ceremoninë e Besianës (Podujevës). Pjesa jonë e defilimit ishte
pjesa e parkut të qytezës, ana e kundërt ku ishte ngritur bina e ceremonisë së Stafetës. Në
këtë matje “forcash”, ne me numër dhe me cilësi, ishim më shumë. Kjo na dha shpresë se
mundemi me sukses të bëjmë edhe demonstratë, si në Prishtinë. Pikërisht këto ditë mësuam
edhe për demonstratën e 26 marsit në Prishtinë, për dhunën dhe burgosjet atje. Ishte kjo edhe
një arsye shtesë që edhe më shumë të jemi të nxitur për demonstratë.
Pse me 1 prill ? Krahas grumbullimit të elementeve të përmendura më lart, që kishte
grumbulluar marsi dhe fund marsi, bëri që ne të përcaktoheshim për 1 prillin. Ishte edhe një
arsye praktike, dita e 1 prillit ishte edhe ditë interne e pastrimit të ambientit në shkollë, atë ditë
nuk zhvillonim mësim por bënim pastrimin e ambientit, oborrit dhe shkollës.

....

(pastaj klasa jonë ka qenë në një ndrrim me klasën e Zahir Pajazitit, Enver Cakiqit, Haki
Rexhepit, Mihane Sylës (motra e S. Sylës) pastaj janë këto dy klasë që ne kishim mësim pas
dite por për 1 prill patëm lënë dhe patëm shkuar paradite (është fjala te Shkolla Teknike) dhe
në pushimin e dytë kemi dal dhe kemi defilue rrugës nga Shkolla teknike drejt qendrës së
qytezës për të shkuar te Shkolla e re e mesme, rrugës së letancit.(vitet e para dhe të dyta
mësonin te Shkolla e re e Mesme, te INA- ndërsa ne vitet e treta dhe të katërta mësonim te
Shkolla Teknike që është rrugës së stacionit të autobusave) Muhamet Ymeri ka pas sjellë
Flamurin nga shtëpia dhe te punëtoria e Bacës Avdi ja kemi vu shtizën, aty kemi marrë edhe
flamurin tjetër, atje na patën bllokue milicia dhe nuk na lan me shkue drejt te Shkolla tjetër e
Mesme, masa u rrit dhe nga ai moment jemi kthye kah qendra dhe nga ai moment e deri në
mbrëmjen e 2 prillit krejt situata ka qenë në duar të Demostruesve.)

(klasa e Bedri Ajetit, Afrim Maliqit, Ismetit (vëllau) Klasa e Elife Podvoricës.., Klasa e Hyzri
Tallës, Bedri Blakçorit, Klasa e Gjyle Krasniqit dhe Pajazit Jasharit...) Klasa e Afrim Fushës...

.....

(Nisja e Demostratës me 1 prill në ora 10-11 te Shkolla Teknike (paralele e QAMO “8


Nëntori”) nga paralelet e vitit të retë dhe të katërt, prej së cilës është masovizuar Demostrata,
asnjëherë nuk është zbuluar dhe të angazhuarit në të drejtpërdrejt, nuk janë burgosur dhe nuk
janë dënuar për nisjen e demonstratës, janë burgosur dhe janë dënuar për angazhime të më
vonshme politike, por ky moment dhe ky zhvillim i ngjarjes nuk është zbuluar asnjëherë).

( Këtë unë po e përshkruaj mga zhvilliet tona brenda shkollës... që sigurisht mësimet dhe
nxitjet kanë qënë edhe nga më të pjekurit. Ne kishim profesor Bejtush Jasharin, Hamdi
Mustafën, Ujup Shalën, Idriz Gashin, Yzeir Mustafën (Ylli), Mehmet Braznicën, Fetah
Shehollin, Sabri Osmanin.... që në njëfar mënyre edhe na kanë mbrojt dhe udhëzuar. )

ROLI I ZAHIR PAJAZITIT TË DEMONSTRATËN E 1 DHE 2 PRILLI NË BESIANË


(PODUJEVË)

Zahir Pajazit ka qenë në vitin e katërt në paralelet e QAMO “8 Nëntori” në objektet e


ish Shkollës Teknike, në ndërrimin e pasditës, drejtimi Kulturologji me kujdestar klase Prof.
Izer Mustafën. Unë kam qenë në vitin e tretë, po ashtu ndërrimi pasdite drejtimi po ashtu
Kulturologji-gazetari-teatër-film-televizion. Kujdestar klase kishim Prof. Idriz Gashin. Me klasën
e Zahirit na ndante një mur, dhe përpos që jemi njohur të gjithë nxënësit, ka pas raste që edhe
kemi pas prezantime të përbashkëta në klasë bashkë, sepse kishim profesor dhe lëndë të
ngjashme dhe të përbashkëta.

Zahir Pajazi (tash, Hero i Kosovës) edhe atëherë ka qenë nxënës i dalluar dhe me të
kaluar interesante. Ai ishte përjashtuar nga Shkolla e policisë në Vushtrri dhe kishte ardhur në
Besianë (Podujevë) të vazhdonte shkollimin. Për neve ishte interesant, sepse Zahiri së bashku
me Raif Sfishtën dhe Nexhmi Dabinofcin kishin qenë ilegalisht në Shqipëri, kishin kaluar lumin
Bunë dhe kishin shkuar në Shkodër. Nga kjo arsye, nga organet e shkollës dhe të komunës
ata shikoheshin si të dyshimtë. Ndërsa për neve nxënësve, kolegëve të tyre, ata ishin edhe
atëherë hero. Na interesonte çdo tregim i Zahirit për Shqipërinë, që për rrethana të
atëhershme, ishte shumë e ndaluar për neve, të dinim apo të simpatizonim Shqipërinë.
Kjo fotografi e Zahirit më kujton pikërisht Zahirin e vitit 1981, ishte më i pjekur se ne të
tjerët, mbante pallto dhe kishte qëndrim seriozë

Në bisedat që bëmë për ditën e 1 prillit, ishte sugjerim i Haki Rexhepit dhe Enver Cakiqit
(ishin shok klase të Zahirit) që Zahiri të mos merrte detyrë konkrete, gjatë fillimit dhe vazhdimit
të demonstratës, pikërisht për ta ruajtur, sepse ishte i rrezikuar që të përjashtohej nga shkolla
edhe njëherë, ishte në vitin e katërt maturant. Edhe pse të gjithë gati e dinin se klasa e Zahir
Pajazitit dhe klasa jonë, ishim të ndikuar pikërisht nga ai, ishin sugjerimet që e mbrojtëm
Zahirin që të mos eksponohej me aksion konkret gjatë demonstratave, ai ishte pjesëmarrës
aktiv, por duke ju përmbajtur edhe sugjerimeve të shokëve të gjeneratës.

Në këtë rast, duke kujtuar Zahirin dhe rolin e tij në demonstratën e 1 e 2 prillit 1981, nuk
mundem pa kujtuar edhe rolin e dëshmorëve të tjerë, që ishin nga po kjo gjeneratë. Nga
kushdo e kurdo që të kujtohen demonstratave vitit 1981, atje do të jetë edhe roli i dëshmorit Ali
Ajetit, dëshmorit Besim Latifi, dëshmorit Hyzri Talla, dëshmorit Afrim Maliqi, të cilët kishin
rol aktiv në ato ngjarje.

ROLI I VAJZAVE NË DEMONSTRATËN E 1981

Njëra nga karakteristikat e veçanta të demonstratave të 1 e 2 prillit 1981 dhe 1 prill


1982, është pjesëmarrja dha angazhimi i vajzave llapjane në ato ngjarje. Ato u dalluan jo
vetëm me pjesëmarrje aktive në ato ngjarje por edhe u dalluan në drejtimin e tyre. Storia më e
mirë e 1 e 2 prillit 1981 dhe 1 prill 1982 është e reja Gjyle Krasniqi, një vajzë 16 vjeçare, një
nxënëse shembullore në vitin e dytë QAMO “8 Nëntori” në Besianë, e cila u dallua jo vetëm
me pjesëmarrje por edhe me drejtimin dhe frymëzimin e demonstratës. Janë dalluar edhe
vajzat Elife Podvorica, Mihane Syla, Mirsime Muçiqi, Florie Gjoni, Fahrie Durmishi,
Shpresë Ejupi, Elheme Salihu... e shumë e shumë të tjera (të më falin nëse me këtë rast nuk
po përmendi edhe dhjetëra e dhjetëra vajza që ishin shumë aktive në demonstratat e 1 – 2 prill
1981 dhe 1 prill 1982).

.......
ROLI I DISIDENTEVE DHE KUNDËRSHTARËVE TË REGJIMIT NË RRETHIN E LLAPIT NË
DEMONSTRATËN E 1981-tës

Rrethi i Llapit njihet si rreth që në nivele pushtetore të ish Krahinës së Kosovës, nuk
kishte kuadro drejtuese. Partia Komuniste e Jugosllavisë nuk kishte arritur të bënte asnjë
anëtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo shihej me sy të keq nga ish sistemi. Llapi kujtonte
dhunën e Brigadave partizane serbo-bullgare, që për muaj të tërë popullata e vet organizuar u
kishte bërë pritë në kufirin e Përpellacit. Llapi mbante mend likuidimin e pak të arsimuarve, si
ishte rasti i Jahë Fushës, Llapi mbante mend vuajtjen e hakmarrjes për kufirin e Përpellacit në
aksionin e më vonshëm të mbledhjes së armëve dhe dhunës për shpërngulje për Turçi. Llapi
mbante mend edhe burgosjen dhe përndjekjen e mësuesve të parë në vitin 1953 si Sabit
Kapitin, Ibrahim Demollin, Nexhmi Sejdiun, Shaban Shalën... në të njëjtën kohë edhe
burgosjen e Adem Demaçit dhe grupi të tij, mbante mend disidentët e odave si Mulla Ramë
Govori, Ismail Ajeti(Bali Bush), Shaban Seferi–Llapashtica; që mbanin vatrën ndezur të
patriotizmit ...etj. 1968-ta bënë një kthesë në kuptimin e rritjes së guximit dhe reagimit kundër
okupatorit dhe regjimit serb-jugosllav. Plejadës së personaliteteve që publikisht i kundërvihen
regjimit i shtohen Adil Pireva, Ilaz Pireva, Zeqir Gërvalla, Xheladin Rekaliu, Sabit Syla, Hamit
Avdullahu, Hakif Sheholli.. kësaj plejade në vitet 60 - 70-ta i shtohet edhe grupimi intelektual i
profesorëve dhe krijuesve si Nazmi Rrahmani, Kadri Kadriu, Sabri Hamiti, Avdush Hasani,
Mehmet Breznica, Ismet Bogujevci, Bajram Ajeti, Ismet Begolli, Kadri Llugaliu, Avdi Gjata,
Bajrush Behrami, Mehmet Zeneli, Ujup Shala, Bejtush Jashari, Hamdi Mustafa, Skender
Muçiqi, Enver Maloku, Shaip Beqiri, Shaip Çitaku, Skender Hyseni, Fetah Sheholli, Sabri
Osmani.... etj, të cilët nuk ishin trampolina të pushtetit, por luanin rolin e njëfarë opozite të
heshtur ndaj politikës së Lidhjes Komuniste të Kosovës gjegjësisht Lidhjes Komuniste të
Jugosllavisë.

Haqif Mulliqi, Gjyle Krasniqi, Avdush Hasani

Ka bashkëpunuar ngushtë një qark i shokëve të gjeneratës së 1968-ës dhe krijuesve


llapjan. Avdush Hasani, Mehmet Breznica, Mehmet Zeneli, Bajram Ajeti, Ismet Bogujevci,
Skender Hyseni dhe qarku i tyre shoqëror, kanë organizuar në mënyrë ilegale mbrëmje recitimi
të “Lahutës së Malcisë” (që ishte vepër e ndaluar), pastaj ka qarkulluar pa ndërprerë furnizimi
me libra dhe materiale informative nga Shqipëria, e shfrytëzuar pikërisht nga lidhja e krijuesve
Llapjan në Teatrin e Prishtinës dhe vizitat e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo është një
episod e pa zbuluar nga organet e ndjekjes dhe UDB-së, fatmirësisht pat funksionuar shumë
mirë. Prapa perdja e demonstratave të vitit 1981 – 1982 janë pikërisht ky kombinimi i
disidencës së hapur dhe intelektualëve dhe krijuesve të Llapit. Të gjithë drejtuesit dhe të
angazhuarit e drejtpërdrejt në ato ngjarje, janë një lidhje direkte familjare apo shoqërore me
bartësit e atyre ngjarjeve. Këtë e potencove për të hequr dy dilema dhe pandehma : një - se
demonstratat janë organizuar nga dikush jashtë dhe dy - se demonstratat janë organizuar nga
strukturat pushtetore lokale për të avancuar të drejtat e popullit të Kosovës. Asnjëra nga këto
dy pandehma nuk qëndrojnë.

.....
GJENERATA E “DËNUAR”
......
Gjenerata e vitit 1981, studentët dhe nxënësit në shkollat e mesme, rinia e atëhershme
është një gjeneratë e dënuar. Nga kjo gjeneratë ka më së shumti ish të burgosur politik, të
diferencuar dhe përjashtuar nga shkollimi në shkollë e fakultet. Nga kjo gjeneratë janë më të
numërt edhe dëshmorë për lirin e Kosovës, gjatë luftës së fundit. Në Besianë (Podujevë)
këtyre gjeneratave, në vitin 1981 – 1982 dhe 1983 ju ndalua organizmi në të gjitha nivelet –
kulturë-sport dhe aktivitete të lira. Mund ta përkujtoj absurdin kur pushtetarët kujdeseshin që
edhe shëtitja në korzo të reduktohej në dy persona ! Ishte një tendencë për të ndaluar edhe
korzonë dhe shëtitjen në grup! Ishte ndaluar organizimi i brucoshiadave për student dhe
mbrëmjet e maturës dhe ekskursionet për maturantët e shkollës së mesme. Me një fjalë
gjenerata e vitit 1981 ishte gjeneratë e dënuar nga pushteti okupator.

UDB-ja NUK KA DITUR DHE ZBULUAR TË GJITHA VEPRIMET TONA

Ka qenë një thënie për pararendësen e UDB-së (Sigurimi i Brendshëm Shtetëror) OZN-
ën se “ozna sve zna” – “ozna di të gjitha”. Burgosjet dhe ndjekjet e pareshtura krijonin disa
përshtypje se gjithçka çka veprohej ilegalisht, zbulohej dhe dënohej. Rasti i veprimtarisë në
Besianë (Podujevë) po jo vetëm atje, demanton këtë. Po e nisi me periudhën nga koha që unë
jam (i involvuar), i përfshirë në organizime, që pushteti i konsideronte armiqësore dhe i ndiqte
penalisht.

Nisja e Demonstratës me 1 prill në ora 10-11 te Shkolla Teknike (paralele e QAMO “8


Nëntori”) nga paralelet e vitit të tretë dhe të katërt, prej së cilës është masivizuar
Demonstrata, asnjëherë nuk është zbuluar dhe të angazhuarit në të drejtpërdrejt, nuk janë
burgosur dhe nuk janë dënuar kurrë, janë burgosur dhe janë dënuar për angazhime të më
vonshme politike, por ky moment dhe ky zhvillim i ngjarjes nuk është zbuluar asnjëherë nga
organet ndjekëse të kohës.
Do të përmendi disa bashkëveprimtarë të cilët që nga kjo kohë e deri me në ditët e
lirisë së Kosovës, nuk janë zbuluar dhe nuk janë dënuar nga gjykatat Jugosllave-serbe apo të
Kosovës së para 1999-ës.
Unë do të përmendi personat që kemi bashkëvepruar, por që kanë mbet të pazbuluar
dhe të padënuar. Kur unë jam burgosur me 26 tetor 1982 dhe për veprimet e mija jam dënuar
me 4. vjet burg politik nga Ligji Penal i ish Jugosllavisë nga neni 133 “propaganda
armiqësore”, për të njëjtat vepra që kishim bërë bashkë, kanë mundur të dënohen edhe Fadil
Begu, madje më shumë se unë, se ka qenë lidhje zingjirore e një organizmi, që në hierarki ka
qenë me përgjegjësi më të lartë së unë. Pastaj bashkëveprimtari Bejtush Gashi, dhe shokët e
klasës në shkollë të mesme Shaip Azemi, Selim Ganiu, Lumni Azemi, me të cilët kemi
shkëmbye dhe kemi propagandua të njëjtat gjëra për të cilat jam burgosur dhe dënuar unë dhe
grupi në këtë përbërje : Muhamet Ymeri 3 vjet e gjysmë, Afrim Fusha 3 vjet e gjysmë, Bedri
Ajeti 2 vjet dhe Ismet Cakiqi dy vjet.

KEMI MUNDUR UDB-NË DHE SERBIN

Në jetë e kam një krenari, të cilën së pari po e pohoj publikisht. Veprimtari Fadil Begu
moshatar i imi, shok që nga shkolla e mesme, me lidhje organizative që nga viti 1981, nuk
është zbuluar dhe mundur nga UDB-ja. Fadil Begu ka qenë i përfshirë në të gjitha organizimet
që nga demonstrata e 1981 – 1982, pastaj organizimi dhe veprimi ilegal edhe pas burgosjeve
tona dhe burgosjeve me 1984, pastaj rreth strehimit dhe mbajtjes së ilegalëve në vitet 1986 –
1990, sidomos strehimit të ilegalëve të njohur si çeta e Llapit, pastaj të ilegalëve Bedri
Blakçori e Hasan Ramadani... e deri te shkuarja me grupin e parë (me Zahir Pajazitin) në
ushtrime ushtarake në Shqipëri dhe angazhimin në UÇK nga dita e parë deri me çlirimin e
Kosovës. Fadilin e përmenda duke tipizuar se ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i cili
nuk është zbuluar dhe dënuar kurrë nga organet pushtuese.
Avdush Hasani në Krujë- vitet `70-ta

Po e njëjta vlen edhe për lidhjen e furnizimit me libra dhe materiale informative nga
Shqipëria, lidhja e Avdush Hasanit, nuk është zbuluar dhe dëmtuar asnjëherë. Kjo lidhje ka
qenë furnizuesja kryesore me libra dhe materiale informative në Llap dhe Prishtinë nga Tirana
gjegjësisht Shqipëria..
Fadil Begu, Zahir Pajaziti (në rreth) me grupin e parë te Kalaja e Krujës 1991

Fadil Begu me njësitin etij të UÇK-së dimër i vitit 1998


"DANJOLLËT JAN GJALLË"
Botuar në Revistën "REPUBLIKA" nr 2 në Lubjanë në vitin 1990 dhe ribotuar
edhe në librin "Kosova meine Beschtimmung" (Kosova përcaktimi im) të botuar
nga shoqata ACAT e Zvicrës dhe e Gjermanisë- botuar ne Bernë shtator 1999

Shkruan: Shefqet Cakiqi – Llapashtica

Këto ditë sa u reprizua drama "Vdekja më vjen prej syve të tillë " e Rexhep
Qosjes e interpretuar nga Teatri Popullor i Prishtinës dhe e shfaqur para publikut
artdashës, jo vetëm në Kosovë dhe Lubjanë po edhe nëpër disa qytete të Zvicrës,
se ç`më ngjalli kujtime dhe asociacione të shumta dhe më shtyri të i shkruaj këta
rreshta. Si tetëmbdhjet vjeçar kam pasur fatkeqësinë të përjetoj "ekstazën" e të
burgosurit për "mëkate të mendimit" dhe të shprehjes së tij. Para më shumë se një
vit pata rastin të shikoj premierën e kësaj drame. Pas shfaqjes u ndala dhe bisedova
me aktorët: Avdushin (Hasanin) dhe Skenderin (Tafajn) të cilët luanin rolet kryesore.
Pyetjen e parë që ma bënë ishte : "A i ngjau Danjolli ynë Danjollëve që merreshin
me ju?" - Po ju thash - edhe shumë madje. Por ju sot sikur e varrosët Danjollin. Ju
kisha bërë një korrigjim të karakterit regjisorial, nëse më lejohet. Danjollin ju kisha
propozuar që në reprizat tuaja mos ta varrosni, të mbetet në skenë, se Danjollët janë
ende gjallë dhe mjaft aktivë : natë e ditë vërtiten poshtë e lart. Unë po i shoh po i
njoh dhe po i ndiej. (Danjolli një personazh i dramës "Vdekja më vjen prej syve të
tillë" e Rexhep Qosjes që personifikon hetuesin e policisë komuniste serbe) -Po, po -
më than - por sonte e kishim premierën dhe druanim se do të na e ndalonin
shfaqjen.

Vërtet në reprizat tjera kudo që e pashë dramën, Danjollin e lan në skenë, aty
vërtitej dhe vërtitej, ashtu si në përditshmërinë tonë.

E derisa shkrimtarët tanë të ulen dhe të shkruajnë romane e drama tjera për
Danjollët e kësaj përditshmërie, unë s `munda të presë, s `munda të rri pa shkruar
për Danjollët e gjallë me emër dhe mbiemër, për këta të skenës së jetës sonë. Nuk
dua që gjithë ato përjetime t `i mbaj vetëm për vete. Le ta dinë të gjithë për "njerëzit"
që punonin dhe punojnë në Policin politike që quhej Sigurimi Shtetëror (UDB).
Veprime të cilat unë deri atëherë nuk kisha pas rast as të i shoh në filma e për të
cilat ashtu zhveshur nuk kisha pasur rast as edhe të lexoj ! Pata "fatin" të njihem
edhe personalisht me ta (Danjollët) ashtu si edhe shokët nëpër burgjet e Prishtinës,
Mitrovicës, Gjilanit, Pejës, Prizrenit etj. Ata që kanë kaluar dhe përjetuar "ekstazën"
e të burgosurve politik e dinë se vuajtjet dhe përjetimet më tragjike për ne ishin kur
shihnim tjetrin duke vuajtur, kur dëgjonim britmat e shokëve në zyrat fqinje të
hetimeve, kur përpiqeshim t`ua shëronim plagët dhe t `ua shuajmë dhembjet
shokëve në dhomat e burgut me faculeta të lagura ! Këtu do të sjellim pak nga krejt
ajo ç`kam parë e përjetuar dhe ç`kam dëgjuar kryesisht gjatë kohës sa isha në
burgun e Gjilanit, jo se Danjollët me të cilët kisha "punë" gjatë hetuesisë në Prishtinë
si : Jakup Hoti, Ujup Kamerolli, Qazim Llalloshi, Lorenc Selmani, Ahmet Delia,
njëfarë Bashkimi, njëfarë Xhaferi etj. nuk ishin më të mirë se ata në Gjilan, por
vuajtjet personale nuk më duken as të përafërta sa ato që pash te shokët në
dhomën nr. 17 në burgun e Gjilanit. (Një pjesë e “punëtorëve” të Sigurimit Shtetëror
gjatë marrjes në pyetje nuk tregonin identitetin e tyre, prezantoheshin me emra të
rrejshëm)

Shpesh herë kur më kujtohen, mushkëritë më mbesin pa oksigjen, marr frymë


thellë dhe mendoj: po e gjithë ajo meriton hakmarrje. Por cila është ajo hakmarrje ?
E para t `i bëjmë të njohur botërisht me emër dhe mbiemër, ashtu që t`i bëhet e ditur
rrethit se në mesin tonë kemi të atillë (mos të i quaj njerëz) që turpërojnë gjininë
njerëzore. (Sikur gomarët të i kuptonin dhe të dinin për veprime të tilla do ta
përqeshnin gjininë njerëzore).
Ishte pranvera e vitit 1983. Isha në "banesën" e dhunshme dhomën numër
17. në burgun e Gjilanit. Dhoma është në bodrumin e burgut. Përballë dritares të
veshur me grila të dyfishta dhe të mbyllur pothuajse krejtësisht me llamarinën është
shëtitorja e Burgut. Ajrin që do të vinte nga ajo hapësirë, bashkë me diellin na e
bllokonte ajo llamarinë e metaltë. Më tutje, afër murit të lartë të shëtitores është
ndërtesa e UDB-së. "Komanir" Zijadini ato ditë ishte më i mobilizuar, ashtu si edhe
"drugarët" tjerë. (Rojet e burgut nuk na lejonin të ju drejtohemi shqip gardian, jo
thoshin, ne jemi Komanira).
Ndërtesa e UDB-së ishte përplot e mbushur me të arrestuar për bindje dhe
veprime politike. Bëheshin përgatitjet e qelijave dhe dhomave ku do të i vendosnin.
Momqilla i Kolloleqit, Millutin Arsiqi i Gjilanit dhe Selim Brosha tash kishin shumë
"punë". Një pasdite, pas shumë britmash dëgjuam dy "jo, jo" - ja të thekshme dhe fill
pas tyre krismën e xhamave të dritares dhe përplasjen edhe më të zhurmshme nga
rënia prej katit të dytë. Pas një kohe mësuam se Sali Malën një të burgosur për
veprimtari politike e kishin gjuajtur nga dritarja e zyrës së hetuesisë, por për fat
kishte rënë në mbulojën e veturës së parkuar dhe kishte shpëtuar nga më e keqja,
megjithëse kishte pasur thyerje dhe plagë të rënda. Ne të burgosurit aty për aty
reaguam në mënyrën tonë të mundshme; me grevë urie. "Komanirat" dhe
inspektorët na thoshin se vet ka kcyer nga dritarja. Çfarë ironie : ai vet paska ardhur
prej Hogoshtit fshatit të tij, dhe s`paska gjetur vend për të u mbytur, por paska
zgjedhur zyrën e Momqillës për të u vetmbytur !!! Dhe krejt kjo në regji të Selim
Broshës dhe Ali Vllasit zyrtar të UDB-së. Edhe sot ata (Selimi, Momqilla e Alia )
sillen nëpër Gjilan e Kamenicë, përshëndeten me njerëz, u thonë "mirëdita",
"tungjatjeta", buzëqeshin e rrinë me mendjen se gjithë ajo çka kanë bërë dhe bëjnë
është harruar dhe e panjohur. Por o gjilanas, o kamenicas ! pa shikoni pak më gjatë
në sy këta Danjoll dhe pa vështirësi do të vëreni se në sytë e tyre të turbullt fshihet
ndërgjegjja e ndotur e tyre. Nuk e di a i zë sot gjumi, çfarë gjumi bëjnë ?!
Nga dhoma jonë filluan ta marrin në pyetje Sabri Sherifin nga Petroci i
Kamenicës, punëtor i Fabrikës së Baterive në Gjilan. Sabriu kishte kaluar njëherë
nëpër hetime, i ishte ngritur aktakuza dhe ishte dënuar me dy vjet burg të rëndë me
neni 133 "për propagandë armiqësore" meqë paska shkruar një artikull politik dhe e
paska shpërnda. Tash ndaj tij u hapën përsëri hetimet, përsëri nga e para.
Jurispodenca e Gjilanit, jurispodenca e jugosllave është tamam si ligji i xhunglës.
Kur do të dënon kur do të kthen prapë në hetime e të ri dënon varësisht prej tekeve
të Selim Broshës dhe rojeve të tij të natës në sezonet e tyre të gjuetisë së
"kundërrevolucionarëve".
Torturat filluan, apo më mirë të shprehem ato rifilluan. Çdo ditë e merrnin në
pyetje, e mbanin deri vonë. Kur e kthenin në dhomë gardianët e mbanin për krahu.
Këmbët ju ajën, duart, po ashtu dikur edhe koka !!! Trupi filloi t `i nxihej çdo ditë e më
tepër nga gjakderdhjet e brendshme nën lëkurë ! Ne të burgosurit tjerë për çdo ditë
deri sa gardianët e kthenin Sabriun, silleshim nëpër dhomë si të çmendur. Kur e
kthenin dhe na e gjuanin në dhomë e shtrinim në dyshek i përgatitnim faculetat e
lagura, peshqirët po edhe çorapët e leshta të lagura që të ia zbusnim dhembjet dhe
plagët në kokë, këmbë e trup.
Nganjëherë e pyesnim : "Sabri cili kësaj radhe ? " ai ngadalë i shqiptonte
emrat e Ramadan Sermaxhës, Millutin Arsiqit, Momqillës, Daut Morinës, Sinan
Rexhepit ..... Njëherë pasi e kishin sjellë pothuajse të dërmuar dhe pasi ia dhamë
ndihmën tonë të përditshme na tregoi se gjatë kohës sa të tjerët e kanë rrahur Sinan
Rexhepi i binte çiftelisë. Naim Salihu, atëherë më u drejtua dhe më tha :"Mbaj mend
Shefqet se duhet t `ju tregojmë njerëzve se çfarë bishash mban kjo tokë, çka bëhet
këtu me njerëz të pambrojtur dhe të lidhur në pranga."(Naim Salihu i dënuar për
veprimtri politike me 6. vite burg. Sot refugjat politik në St. Galen të Zvicrës).
Të gjitha vetmit ishin të mbushura me të rinj të arrestuar për shkak të
bindjeve dhe veprimeve politike për pavarësinë e Kosovës. Mundoheshim të
mbanim lidhje mes dhomave të burgut. Këto lidhje i mbanim me shumë vështërsi
dhe rreziqe. Rrinim zgjuar deri vonë natën dhe përmes dritareve të mundë të
merrnim vesh, të informoheshim se kush në cilën dhomë ishte dhe mundësisht diçka
edhe të ju ndihmonim. Por aq sa rrinim ne zgjuar rrinin zgjuar edhe "kumanirat"
Zijadini, Ahmeti i Zi dhe me besnikëri i zbatonin urdhrat e "drugarit" të tyre "komanir"
Tasiqit të Shillovës. Të strukur korridoreve dhe qosheve të shëtitoreve përgjonin. Një
informatë dhe koordinim i deklaratave të burgosurve të rinj mes veti kushtonte me
vite burg ose shpëtim i ndonjë lidhje dhe njeriu të mos dekonspirohej dhe dënohej.
Nga dhoma 13. na erdhi një porosi për ta përcjellë në dhomën numër 11.
Porosia ishte " I thuani Sadriut se ka rrjedhë dhe është zbuluar fakti se i ka marrë
15. numra të revistës "Zëri i Kosovës" dhe se ka përpiluar një artikull politik, trakt,
dhe e ka shumëzuar në 50. kopje ". E njoftojmë dhomën 11. që ishte përmbi
dhomën tonë. Me tre të rëna në tavan nga ana e dritares ishte shenja që ta lëshonin
një pe të hollë ku e lidhnim letrën dhe e jepnim informatën. Në atë dhomë këtë punë
e kryente Muhamet Ymeri (i burgosur për veprimtari politike me 3. 5 vjet burg të
rëndë, sot refugjat politik në St . Galen të Zvicrës ), Profesor Zenun Gjocaj, Sali
Biçkaj (i burgosur për veprimtari politike me 6. vjet burg të rëndë, sot refugjat politikë
në Basel të Zvicrës) etj.
Në shikim të parë gjëra shumë të thjeshta. Njeriu i painformuar do të thoshte
: "Po çka ka të keqe dhe të dënueshme këtu ? Çka kanë poseduar, çfarë faktesh ka
pasur UDB-ja për të arrestuar të rinj shqiptar ? Disa fletushka, ndonjë artikull politik
ku viktima shpreh bindjet e tij politike.... a është ky far mëkati ?!! Por për Millutin
Arsiqin, Momqillën e Kllokoqit dhe Selim Broshën këto ishin elemente të bollshme
për të ju dhënë shkas që të shfryjnë epshet e tyre prej sadistësh mbi viktimat e tyre"
kundërrevolucionare " ashtu që lista e kundërrevolucionarëve të bëhet sa më e
gjatë, adekuat me dëshirën e politikanëve, kreut të Lidhjes së Komunistëve të
Jugosllavisë.
Një mbrëmje dera e dhomës u hap me rrapëllimë. "Komanir" Shabia dhe
"komanir" Shyqa futën brenda një të ri, që e mbanin për krahu. I riu mbante në duar
këpucët dhe mezi qëndronte në këmbë. Gardianët e shtynë nga ne në dhomë dhe
po me zhurmë e mbyllën derën duke rrapëlluar çelësat dhe shulin plotësues që
mbyllte derën. E ndihmuam dhe e vendosëm në një dyshek. I riu i porsaardhur ishte
Sadri Ramabaja, student i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Sadriu siç na tregonte më vonë hetues kryesor kishte Millutin Arsiqin me shërbëtorët
e tij Ali Vllasin dhe Daut Morinën. Sadriun e kishin hequr nga dhoma 11. ku ishte
prof. Zenun Gjocaj me qëllim që në të njëjtën kohë ishte nën hetime edhe Sabri
Sherifi dhe deri ta shihnin njëri tjetrin të torturuar do të thyheshin. Por ndodhi e
kundërta, ata filluan të i jepnin zemër njëri tjetrit. Millutin Arsiqi kishte thënë "Ky mjaft
ka qëndruar në dhomën me profesorin, atje do ta dërgojmë edhe ndonjë tjetër nga
hetuesia. Le të shoh profesori se kemi dajak me bollëk për këta që i ka edukuar
kështu ai dhe shokët e tij ", tregonte Sadriu plot mllef, duke mbaruar rrëfimin me
dhembje : " më vinte keq, veçmas prej profesorit, kur e shihja si shqetësohej pasi na
shihte të torturuar kështu." Në dhomën tonë kishim tash dy vetë që ishin nën hetime:
Sabri Sherifin (i dënuar për veprimtari politike me 3. vjet burg, sot refugjat politik në
Wintenthur të Zvicrës) dhe Sadri Ramabajën (i dënuar për veprimtari politike me 5.
vjet burg, refugjat politik në Glarus të Zvicrës, tash është kthyer në vendlindje).
Njërin e sillnin dhe tjetrin e merrnin, po nganjëherë i merrnin njëkohësisht që të dy
dhe që të dy i torturonin në zyrat njërën pran tjetrës. Sadriu nuk mund të i mbathte
këpucët e veta. Ia dhashë të mijat, këpucë ushtrie nr. 44 që edhe mua më binin
paksa të mëdha. Edhe ato mezi i mbathte.
Gjatë ditës kishim 10. minuta qëndrim në ajër të pastër, në shëtitoren me
shtegun katror të rrethuar me mur të lartë, e që e ndjeja si rreth të Ferrit të Dantes.
Shokët e torturuar i mbanim për krahu. Lart në Karakoll me syçeltësi vështronte
"komanir" Zijadini. Drejtori i burgut njëfarë Zharku një puro Serb si "rastësisht" kalon
aty pari, ndalet na shikon dhe gjoja me habi dhe me ironi të hapur na drejtohet : "
Sta vam je momci medjusobno se tucete ; takvi ste vi Albanci." (Çka keni djelmosha,
a mes veti po rriheni; të tillë jeni ju shqiptarët). Gjatë kësaj kohe Zijadini i rrinte gatitu
dhe sikur donte të i thoshte drejtorit Zhark "Izvolte, na vasem raspolozenje ! "
(Urdhëroni në shërbimin tuaj!) Ndihma mjekësore për shokët e torturuar as që vinte
në shprehje. Organeve të burgut, UDB-së dhe gjykatës ju dukej e tepërt edhe
ndihma modeste e jona me faculta, peshkira ... të lagura që sado pak mundoheshim
të ua lehtësonim dhembjet. Bëhej problem i madh kur na e gjenin ndonjë batanije,
që batanije ju thënçin, të lagur me të cilën ua mbështillnim pjesët e poshtme të trupit
shokëve të torturuar.
Dukej sheshit dhe të gjithë e vërenim se ata ndjenin kënaqësi prej sadistësh
kur të shihnin të vetmuar në çeli, shtrirë barkas, duke mos pasur fuqi as edhe lugën
për ushqim ta përdorësh, ta ngrehësh deri te goja!! Të gjorët, pritnin t `ju
nënshtrohemi, të ju kërkonim mëshirë ! Mirëpo këto dëshira kurrë nuk arritën t `i
plotësojnë. Një mbrëmje vonë pas orës 22.oo i morën në pyetje që të dy shokët :
Sabriun dhe Sadrun. U trazuam të gjithë. Edhe ashtu gjendja e tyre ishte kritike.
Plagët e mara nga grushtet dhe shufrat e gomës kishin filluar të ju hapen dhe të
anojnë nga ngjyra e vrugët në ngjyrë të kuqërremët. E dinim se tash dhembjet
mundë të ishin fatale. Leckat e lagura këto ditë e fundit kur ua vendosnim nuk
mundë të i duronin, e tash kishin përballë 7-8 ujq të etur për mish njeriu, 7-8 bisha të
uritur për përjetime të kënaqësive sadiste. Filloi ora e "rojeve të natës". Në qetësinë
e natës filluan të dëgjohen zërat dhe rënkimet rrëqethëse. U ngritëm të gjithë dhe
filluam t `u biem dyerve dhe grilave të dritares. Veprimi ynë megjithatë ishte i kotë.
Torturimi vazhdonte, rënkimet dhe zërat që qitshin shokët nga torturat dëgjoheshin
edhe më.

"Komanir" Tasiqi erdhi te dera e korridorit dhe me të qeshura histerike në


ushtimën e korridorit na u drejtua : " Doci ce i na vas red, jak je Selim Brosha !!!" (Do
të vij edhe në ju radha, i fort është Selim Brosha)!!! Dikur pas mesnate i kthyen
njërin pas tjetrit, duke i tërhequr zvarrë. Sadriun e kishin alivanosur, po as Sabriu
nuk kishte shpëtuar lehtë. Sadriu më pas fillon të këndellet. I japim pak uji; buzët i
ishin bërë shkrumb. Dikur fillon të na tregoj: "Kërkojnë pesëmbëdhjetë njerëz të
cilëve gjoja ua kam dhënë at 15. ekzemplar të "Zërit të Kosovës". Kërkojnë t`ua
them emrat e të zotëve të familjeve ku i kam hedhur traktin, artikull politik të
shumëzuar në 50 kopje ; më i kishin marrë edhe disa poezi, kërkojnë t`ua sqaroj
domethënien .... edhe pseudonimin letrar "Besniku" e lidhnin me pseudonim ilegal të
veprimtarisë politike .... kërkojnë emrin e organizatës ..... partisë .... kërkojnë
programin dhe materiale e gjëra të tjera për çka nuk kam kurrfarë lidhje ... kërkojnë
"Zërat" ... u thash se i kam djegur bashkë me artikullin e shumëzuar kur kam pasur
kontroll në shtëpinë time në Kamenicë ... ato u thash se i kam djegur në banesën
time në Prishtinë, pasi veç kisha mësuar për kontrollin në ... Ali Vllasi m `u drejtua :
"ti secilën herë e më shumë po më nervozon, ti po mundohesh t`ua humbësh
gjurmën edhe fakteve që i dimë, po tash do të këndosh si bilbili", dhe fill pas kësaj u
sul me shqelma dhe grushte. Pas tij kush grushta kush shqelma e kush pendreka u
vërsulën, Momqilla i Klokoqit ju printe ... pasi më rrëzuan dhe pasi veç e kisha
humbur vetëdijen dhe nuk mundë të qëndroja ma hodhën një bakall uji fytyrës,
ndërsa erdhi dhe më u afrua edhe më Sinan Rexhepi një vegël qorre serbe, i cili ju
drejtua kolegëve të tij me një ton shpotitës : "ngadalë more se me këtë nuk shkohet
edhe aq me të shpejt, ky është njeri i kulturës, hej studion Letërsinë shqiptare ". Dhe
pas kësaj llomotitje filloi të i recitoj vargjet e Migjenit të parodizuara, të përshtatura
ashtu si atij i nevojiteshin në këtë "pauzë" që kishte funksion të torturimit psikik : "
Kafshatë që s`kapërdihet është me pas punë me ne / Kafshatë që të mbetet në fyt e
të zë trishtimi / Kur ke punë me kësi burra si Ali e Daut trimi." dhe fill pas kësaj më
kapi për fyti, më ngriti dhe më uli në karrige. Duart edhe ashtu të palëvizshme më i
mbanin kolegët e tij Momqilla dhe Ismeti e ai me elektro shok më prekte në fytyrë,
qafë, në duar, nën sqetulla, në këmbë .... Dhembjet ishin të padurueshme, më bëhej
se e gjithë fuqia më u tret. Më nuk kam mundur ta kontrolloj veten .... Më falni se
kam bërtitur shumë !! Nga kjo arsye ma mbushën gojën me faculeta letre, ma
hodhën një batanije përsipër dhe më sillnin me kërbaç !!! Nuk e di sa ka zgjatur
kështu...!!!"

Pastaj pasoj një "pushim" prej ca ditësh për Sadriun, për të vazhduar njësoj
derisa ju ngrit aktakuza. Një ditë tjetër në vazhdim gjatë torturave dhe të rënave të
Ramadan Sermaxhajt i kishte dalë nofulla nga vendi. Po sikur nuk u mjaftua me kaq,
një ditë ia lënduan edhe veshin e majtë. Pas vuajtjes së burgut e takova në
Prishtinë, gati nuk e njoha. Më tregoi se ka pasur probleme edhe pas vuajtjes së
dënimit, e kishin marrë vazhdimisht në pyetje dhe më në fund ishte detyruar të
shpërngulur me familje nga Petroci i Kamenicës në Prishtinë.
Sadri Ramabaja pas daljes nga burgu iu nënshtrua kontrolleve mjekësore nga
të cilat rezulton se i ka të lënduara rëndë dy unaza të boshtit kurrizor si rezultat i
dhunës po edhe i kushteve të vështira në burg. Në kontrollimet e më vonshme i
është lëshuar edhe kjo diagnozë : Lumbavertebrales sindrom. E për reumën,
bronhitisin ... mos të flasim ato janë sëmundje karakteristike për të burgosurit,
veçmas për ata politik të cilët burgun e vuanin në tipe të mbyllura të burgjeve,
"burgim i rëndë". Edhe pas vuajtjes së burgut Sadriun UDB-ja nuk e lan të qetë dhe
nuk e lejuan të përfundonte studimet. Kur sheh se është duke ju kurdisur burgosja
atij dhe ca shokëve të tij, pas një gjysmë paralajmërimi, merr rrugën e egzilit.
Më është e vështirë të hyjë në analizën e patologjisë së njerëzve që punonin
për UDB-në (policia politike serbe). Për deformimet e tyre e kam vështirë të gjej far
nocioni emërues. Nocioni sadizëm më duket nocion i ngushtë. Ky nocion më bëhet
se nuk i përfshin të gjitha veprimet dhe simptomat që i paraprijnë shkatërrimit të
shpirtit njerëzor, njerëzores. Deformim psikologjik i totalitarizmit obskurantist të
Lidhjes së Komunistëve që është manifestuar në mënyrë më ekstreme në UDB-në si
ruajtëse dhe zbatuese e politikës së saj ?
Më duhet të potencoi këtu një fiks ide, një opsesion të një viktime të UDB-së
me të cilin pata rast të qëndroj në një dhomë në Burgun e Zrenjaninit. Ai vazhdimisht
vetëm këtë konstatim e përsëriste : "E tërë gjithësia dhe bota janë krijuar kur në
hapësirën e pafund Ujku dëshironte të shqyente Qengjin. Por Zoti nuk mundi ta
duronte. Atëherë Zoti urdhëroi dhe që të dy pas pak eksploduan dhe u shpërndan në
hapësirën e kozmosit - copë-copë. Nga copat e Qengjit u krijuan : planetet, bota,
njerëzit, bimët, shtazët. Ndërsa nga copat e shpërndara të Ujkut u krijuan Lidhja e
Komunistëve, eprorët ushtarak, eprorët e Policisë, inspektorët e UDB-së dhe shihe
ende ata dëshirojnë të më shqyejnë, të më zhdukin. Më ndjekin edhe kur ëndërroj."
Me dhembje shikoja dhe e dëgjoja këtë viktimë të totalitarizmit serb, por realiteti në
shumë çka fiks idesë së tij i jepte të drejtë. Vërtet kishim lindur dhe gjendeshim në
një hapësirë ku instinktet shtazore janë të përziera dhe të futura në trupa njerëzish.
Vështirë e kam të gjej nocion adekuat për këtë tip të njerëzve. Nga e gjithë kjo, nga
viktimat e tyre nuk buron ndjenjë e hakmarrjes në të njëjtën mënyrë. Është një fjalë e
popullit që thotë: "Qeni kur kafshon njeriun nuk duhet të sjellë njeriun në nivelin
e qenit që edhe njeriu ta kafshoj me dhëmbë qenin". Danjollët e gjallë vetëm
shikoni gjatë në sy, të gjithë do ta shihni ç`ndërgjegjeje kanë. Ata vet do të fillojnë të
rrëfehen, do të fillojnë të pendohen dhe ndoshta do të mundohen ta pastrojnë
ndërgjegjen e tyre dhe të i shërbejnë për të mirë gjinisë njerëzore!

You might also like