Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 9

Alkimia e lumturisë: Dija mbi veten

Abū Ḥāmid Muḥammad ibn Muḥammad al-Ghazālī


Dija mbi veten është çelësi për të arritur dijen mbi Zotin, bazuar në thënien:
“Ai që njeh veten, njeh Zotin.”, dhe siç shkruhet në Kur’an, “Ne do t’ju
tregojmë atyre shenjat tona në botë dhe tek vetja e tyre, në mënyrë që e
vërteta t’ju bëhet e qartë.” Asgjë nuk është më pranë teje se vetja jote,
prandaj nëse nuk njeh veten, si mund të njohësh diçka tjetër? Nëse thua
“Unë e njoh veten”, duke pasur parasysh me këtë formën e jashtme, trupin,
fytyrën, gjymtyrët dhe kështu me radhë, një dije e tillë s’mund të jetë kurrë
çelës për tek dija mbi Zotin. As nëse dija mbi veten shtrihet deri në brendësi
të trupit, që kur je i uritur të hahet apo kur je i zemëruar mund të sulmosh
dikë. Pa u zgjatur më tej në këtë drejtim, është e drejtë të themi se kafshët
janë partnerët tanë në këtë gjë. Ndërsa dija e vërtetë mbi veten apo unin
është të njohësh: Çfarë përfaqëson ti dhe nga ke ardhur? Ku je duke shkuar
dhe për ç’qëllim ke ardhur në këtë botë? Dhe ku qëndron lumturia e vërtetë
apo mjerimi? Disa nga cilësitë e tua janë si të kafshëve, disa si të djajve dhe
disa si të engjëjve, ndërsa të duhet të zbulosh cilat nga këto cilësi janë
aksidentale dhe cilat esenciale. Pa e ditur këtë, s’mund të zbulosh ku gjendet
lumturia e vërtetë. Angazhimi i kafshëve është të hanë, të flenë dhe të
luftojnë; prandaj, nëse je kafshë, angazhoje veten në këto gjëra. Djajtë janë
të angazhuar në kryerjen e ligësive, dredhive dhe mashtrimit; nëse u përket
atyre, atëherë bëj punën e tyre. Engjëjt kundrojnë bukurinë e Zotit dhe janë
tërësisht të çliruar nga cilësitë kafshërore; nëse ke natyrë engjëllore,
atëherë udhëto drejt origjinës tënde, që të njohësh dhe meditosh mbi Më të
Lartin, dhe të çlirohesh nga skllavëria e epsheve dhe zemërimit. Ju, duhet
gjithashtu të zbuloni pse jeni krijuar më këto dy instinkte kafshërore: nëse
ato duhet t’ju nënshtrojnë dhe t’ju mbajnë peng, apo nëse ju duhet t’i
nënshtroni ato, dhe ndërsa lartësoheni, ta shndërroni njërin në kalin dhe
tjetrin në armën tuaj.
Hapi i parë drejt njohjes së vetes është të dish se ti je i përbërë nga forma e
jashtme, e quajtur trup, dhe ekzistenca e brendshme e quajtur zemër ose
shpirt. Me “zemër”, nuk nënkuptoj atë copë muskuli të ndodhur në të majtë
të trupave tanë, por atë që përdor të gjithë aftësitë e tjera si instrumente
dhe shërbëtore të saj. Në të vërtetë, ajo nuk i përket botës së dukshme, por
asaj të padukshme, dhe ka ardhur në këtë botë si një udhëtar që viziton një
vend të huaj për të bërë tregti, për t’u kthyer sërish në tokën ku ka
prejardhjen. Është dija mbi këtë ekzistencë dhe cilësitë e saj që përbën
çelësin për të arritur dijen mbi Zotin.

Një ide mbi realitetin e zemrës ose shpirtit mund të arrihet duke mbyllur
sytë dhe harruar gjithçka përreth, përveç individualitetit. Kështu mund të
arrihet një përjetim i natyrës së pafundme të këtij individualiteti. Sidoqoftë,
hetimi i thellë dhe i imtësishëm mbi shpirtin është i ndaluar. Në Kur’an
shkruhet: “Nëse të pyesin për shpirtin, thuaj: ‘Shpirti është çështje që i
përket vetëm Zotit tim’.” Kaq është gjithçka dihet mbi të. Që është një
esencë e pandashme që i përket botës së urdhërimit hyjnor, dhe që nuk vjen
nga përjetësia, por është i krijuar. Dija ekzakte filozofike mbi shpirtin nuk
është një domosdoshmëri paraprake për të ecur në rrugën e religjionit, por
vjen si rezultat i vetëdisiplinimit dhe qëndrueshmërisë në këtë rrugë, siç
thuhet edhe në Kur’an: “Ata që përpiqen në rrugën tonë, ne do t’i
udhëzojmë në rrugën e drejtë.”

Për të vazhduar këtë betejë shpirtërore, për të cilën duhet zotëruar dija mbi
veten dhe mbi Zotin, trupi duhet të përfytyrohet si një mbretëri, shpirti si
mbreti i saj, ndërsa shqisat dhe aftësitë si batalionet e një ushtrie. Arsyeja
duhet të konsideruar si vezir (ose kryeministër), pasioni duhet konsideruar si
mbledhësi i të ardhurave, ndërsa zemërimi si oficeri i policisë. Nën
justifikimin e mbledhjes së të ardhurave, pasioni është vazhdimisht i prirë të
zgjerojë llogarinë e tij, ndërsa zemërimi është gjithmonë i prirë për nga
ashpërsia dhe egërsia ekstreme. Të dy këto, mbledhësi i të ardhurave dhe
oficeri i policisë, duhet të jenë të nënshtruar ndaj mbretit, por jo të vriten
apo të dëbohen, sepse ato kanë funksionet e tyre të nevojshme që duhet t’i
përmbushin. Nëse pasioni dhe zemërimi sundojnë arsyen, ajo që pason
është shkatërrimi i pashmangshëm i shpirtit. Një shpirt që lejon atësitë e tij
më të ulëta të sundojnë ato më të larta, është si ai që i dorëzon engjëllin
pushtetit të një qeni, apo që i dorëzon një musliman tiranisë dhe
padrejtësisë së një mosbesimtari. Kultivimi i cilësive djallëzore, kafshërore
apo engjëllore rezulton në prodhimin e karaktereve përkatës, që në Ditën e
Gjykimit do të manifestohen në forma të dukshme; epshorët si derra, të
egrit si qen dhe ujq, ndërsa të pastrit si engjëj. Qëllimi i disiplinës morale
është të purifikojë zemrën nga ndryshku i pasionit dhe zemërimi, derisa si
një pasqyrë e shkëlqyeshme, të reflektojë dritën e Zotit.

Dikush mund të kundërshtojë, “Nëse njeriu është krijuar me cilësi kafshërore


dhe djallëzore, por edhe engjëllore gjithashtu, si mund ta dimë që këto të
fundit përbëjnë esencën e tij të vërtetë, ndërsa të tjerat janë thjesht
aksidentale apo kalimtare?” Kësaj pyetje i përgjigjem duke thënë se esenca
e çdo krijese duhet kërkuar tek ajo që është më karakteristike dhe më e
lartë brenda saj. Kështu, kali dhe gomari janë të dyja kafshë që mbajnë
ngarkesa, por epërsia e kalit përkundër gomarit qëndron në faktin se ai
është përshtatur për t’u përdor në betejë. Nëse dështon në këtë detyre, ai
zhvlerësohet në rangun e kafshëve që shërbejnë për të mbajtur ngarkesa.
Ngjashëm edhe me njeriun: aftësia apo zotësia më e lartë e tij është
arsyeja, që i është përshtatur dhe i shërben për të medituar mbi Zotin. Nëse
ajo mbizotëron, kur të vdesë, ai do të lërë pas të gjitha prirjet drejt
pasioneve dhe zemëratave, duke u bërë i krahasueshëm dhe meritor për t’u
shoqëruar me engjëjt. Për sa i përket cilësive të tij thjesht shtazore, njeriu
është inferior në raport me shumë kafshë, por arsyeja e bën atë superior
mbi to, siç shkruhet edhe në Kur’an: “Njeriut ia kemi nënshtruar çdo gjë mbi
tokë.” Por nëse triumfojnë prirjet e ulëta, pas vdekjes ai do të mbetet me
sytë nga toka duke u përgjëruar për kënaqësitë tokësore.
Shpirti racional tek njeriu, gëlon nga mrekullitë, si në dije edhe në fuqi.
Përmes tij ai përvetëson dhe perfeksionon artet dhe shkencat, mund të
kalojë sa hap e mbyll sytë nga toka në parajsë dhe anasjelltas, si dhe mund
të eksplorojë qiejt dhe të llogarisë largësitë mes yjeve. Me anë të tij mund
zërë peshkun në det dhe zogjtë në qiell dhe mund të nënshtrojë kafshët në
shërbim të tij, si elefanti, deveja dhe kali. Pesë shqisat e tij janë si pesë dyer
që i hapen duke e lidhur me botën e jashtme; por, më e rëndësishme se kjo,
është se zemra e tij ka një dritare që hapet për t’i shfaqur botën e
padukshme të shpirtrave. Në gjendje gjumi, kur shtigjet e shqisave janë të
mbyllur, kjo dritare është e hapur dhe njeriu furnizohet me mbresa nga bota
e padukshme, dhe ndonjëherë me kumte që i përkasin të ardhmes. Zemra e
tij shndërrohet në një pasqyrë që reflekton atë që është gdhendur në Pllakat
e Fatit (Leuhi Mahfudh ose pllakat ku Zoti me dijen e tij ka caktuar fatin e
çdokujt). Megjithatë, edhe në gjumë, mendimet tokësore e turbullojnë këtë
pasqyrë, prandaj mbresat që ajo merr nuk janë të qarta. Sidoqoftë, pas
vdekjes, të tilla mendime zhduken dhe gjërat shihen në realitetin e tyre të
zbuluar, duke përmbushur kështu thënien kur’anore: “E kemi ngritur perden
nga ti, dhe e vërteta jote sot është e qartë.”

Hapja e dritares në zemër drejt botës së padukshme, ndodh në kushte që i


përafrohen frymëzimit (inspirimit) të profetëve, kur intuita lulëzon në
mendje, e patransmetuar nga ndonjë kanal shqisor. Sa më shumë që një
njeri pastron veten nga epshet fizike dhe e përqendron mendjen tek Zoti, aq
më i ndërgjegjshëm do të jetë për një intuitë të tillë. Ata që s’janë të
ndërgjegjshëm për të, nuk kanë të drejtë të mohojnë realitetin e saj.

Këto intuita nuk janë të kufizuara vetëm tek ata që kanë gradën profetike.
Njësoj siç hekuri, përmes lëmimit të vazhdueshëm mund të shndërrohet në
një pasqyrë, njësoj edhe çdo mendje njerëzore, përmes disiplinës së
mjaftueshme mund të shndërrohet në përfituese të mbresave të tilla. Ishte
pikërisht kjo e vërtetë që Profeti a.s kishte në mendje kur tha: “Çdo fëmijë
lind i pastër dhe me prirje të natyrshme drejt Islamit, por më pas prindërit e
tij e bëjnë hebre (në kuptimin e besimit), të krishterë apo idhujtar (adhurues
të yjeve). Çdo qenie njerëzore ka dëgjuar në thellësitë e ndërgjegjes së saj
pyetjen “A nuk jam unë Zoti yt?” dhe i është përgjigjur me “Po” kësaj
pyetjeje. Por disa zemra janë aq të mbuluara me ndryshk, sa nuk janë në
gjendje të japin reflektime të qarta, ndërsa ato të profetëve dhe eulijave (të
dashurve të Zotit), edhe pse janë njerëz me pasione si ne, janë ekstremisht
të ndjeshme ndaj çdo mbrese apo frymëzimi hyjnor.

Shpirti i njeriut mban gradën më të lartë mes krijesave, jo vetëm për shkak
të intuitës dhe dijës së përvetësuar, por gjithashtu për shkak të arsyes si
pushtet. Njësoj siç engjëjt mbizotërojnë ndaj fenomeneve të natyrës, shpirti
mbizotëron apo sundon përbërësit e trupit. Ata shpirtra që arrijnë një gradë
të veçantë pushteti, nuk sundojnë vetëm trupat e tyre, por edhe ato të të
tjerëve. Nëse ato i urojnë një të sëmuri shërim, i sëmuri shërohet, ose një
të shëndetshmi që të sëmuret, ai sëmuret. Ose nëse dëshirojnë praninë e
një personi, ai vjen tek ta. Në varësi të faktit nëse efektet e prodhuara janë
të mira apo të këqija, ato emërtohen mrekulli ose magji. Këto shpirtra
dallojnë në tre mënyra nga njerëzit e zakonshëm: (1) atë që të tjerët e
shikojnë vetëm në ëndrra, ata e shikojnë kur janë zgjuar; (2) ndërsa
vullnetet e të tjerëve ndikojnë vetëm mbi trupat e tyre, këta persona falë
pushtetit të vullnetit të tyre, mund të lëvizin dhe ndikojnë mbi trupat që janë
jashtë tyre; (3) dija që të tjerët e përfitojnë përmes të nxënit nga puna dhe
përvoja, atyre u vjen në mënyrë intuitave.

Këto tre mënyra, sigurisht, nuk janë të vetmet veçori që i dallojnë ata nga
njerëzit e zakonshëm, por janë të vetmet që mund të shquhen nga ne.
Njësoj siç askush nuk e njeh natyrën e vërtetë të Zotit përveç vetë Zotit, po
ashtu askush nuk e njeh natyrën e vërtetë të një profeti, përveç një profeti.
Kjo është një çështje për të cilën nuk nevojitet vramendje, sepse në
përditshmërinë tonë shikojmë se është e pamundur t’i shpjegosh bukurinë e
poezisë një personi, veshi i të cilit është i pandjeshëm ndaj kadencës dhe
ritmit, apo mrekullinë e ngjyrave një personi që është i verbër. Përtej
thjesht paaftësisë, ka edhe pengesa të tjera ndaj arritjes së të vërtetës
shpirtërore. Një nga këto është dija e përfituar nga burime të jashtme. Për
të përdorur një ilustrim, zemra mund të konceptohet si një pus, ndërsa 5
shqisat si burime që e furnizojnë vazhdimisht me ujë. Për të zbuluar
përmbajtjen e vërtetë të zemrës, këto burime duhet të ndalen për pak kohë,
kurdo qoftë, dhe mbetjet që kanë sjellë duhet të pastrohen nga pusi. Me
fjalë të tjera, nëse duam të arrijmë të vërtetën e pastër shpirtërore, duhet të
largojmë për pak kohë dijen që është përvetësuar nga proceset e jashtme
dhe që shpesh ngurtësohet në paragjykime dogmatike.

Një gabim me natyrë të kundërt bëhet nga njerëz të cekët, të cilët, duke
trumbetuar disa fraza që kanë dëgjuar nga mësuesit asketë (sufi),
kundërshtojnë të gjithë dijen. Kjo është sikur një person që nuk është
ekspert në alkimi të thotë, “Alkimia është më e mirë se ari”, duke refuzuar
arin që i ofrohet. Alkimia është më e mirë se ari, por alkimistët e vërtetë
janë shumë të rrallë, njësoj si aksetët (sufistët) e vërtetë. Ai që ka njohuri të
përcipta të asketizmit, nuk është superior ndaj një njeriu të ditur, njësoj siç
ai që ka provuar disa eksperimente në alkimi nuk ka asnjë arsye për të
përçmuar një të pasur.

Kushdo që do të thellohet sadopak në këtë çështje, do të kuptojë se lumturia


është pazgjidhshmërisht e lidhur me dijen mbi Zotin. Çdo aftësi apo zotësi e
jona përmbush atë për të cilën është krijuar: epshi i shërben përmbushjes
së dëshirave, zemërimi kënaqet duke marrë hak, syri duke parë objektet e
bukura, ndërsa veshi duke shijuar harmoninë e tingujve. Funksioni më i lartë
i shpirtit është perceptimi i të vërtetës; pikërisht duke bërë këtë ai gjen
kënaqësinë e tij të veçantë. Edhe në gjëra të papërfillshme, si të mësuarit e
shahut, kjo mbetet e vërtetë. Prandaj, sa më e lartë të jetë lënda e dijes së
përvetësuar, aq më e madhe është kënaqësia. Një person mund të
lumturohet nëse pritet personalisht nga një kryeministër, por si do të ndihej
nëse vetë mbreti do të zhvillonte një bisedë të ngushtë me të ku t’i tregonte
sekretet e shtetit!

Një astronom, që përmes dijes së tij mund të identifikojë yjet dhe të


përshkruajë orbitën e tyre, përjeton kënaqësi më të madhe nga dija e tij, se
lojtari i shahut nga e tija. Duke qenë se asgjë nuk është më e lartë se Zoti,
imagjinoni sa e jashtëzakonshme duhet të jetë kënaqësia që buron nga dija
e vërtetë mbi Të!

Një njeri tek i cili është shuar dëshira për këtë dije, është si një njeri të cilit i
ka humbur uria për ushqim të shëndetshëm, ose që parapëlqen të ushqehet
me baltë në vend të bukës. Nevojat trupore zhduken me vdekjen,
bashkërisht me organet që përdorin, por shpirti nuk vdes, duke ruajtur të
gjithë dijen që zotëron mbi Zotin: përkundrazi, e shton atë.

Një pjesë e rëndësishme e dijes tonë mbi Zotin buron nga studimi dhe
meditimi mbi trupat tanë, që na shpërfaq neve fuqinë, urtësinë dhe
dashurinë e Krijuesit. Fuqinë e tij, në faktin që nga një pikël uji Ai ka
ndërtuar skeletin e jashtëzakonshëm të njeriut; Urtësinë e tij që shpërfaqet
tek komplikimi dhe përshtatshmëria reciproke e pjesëve të trupit; dhe
dashurinë e Tij, duke na mundësuar jo vetëm ato organe që janë të
domosdoshëm për ekzistencën, si mëlçia, zemra dhe truri, por edhe ato që
nuk janë të domosdoshëm, si duart, këmbët, gjuha dhe sytë. Këtyre, Ai u
ka shtuar si dekorime dhe zbukurime, ngjyrën e errët të flokëve, të kuqen e
buzëve dhe harkun e vetullave.

Njeriu është konsideruar me të drejtë si një “mikrokozmos”, ose një botë më


vete, dhe struktura e trupit të tij duhet studiuar jo vetëm nga ata që
dëshirojnë të bëhen mjekë, por edhe nga ata që dëshirojnë të përvetësojnë
dije më të thella dhe më të mprehta mbi Zotin, njësoj siç studimi i
kuptimeve dhe nuancave të gjuhës së një poeme madhështore shpalos
gjithmonë e më shumë gjenialitetin e autorit të saj.

Thënë kjo, dija mbi shpirtin luan një rol shumë më të rëndësishëm në
orientimin drejt dijes mbi Zotin, në raport me dijen mbi trupin tonë dhe
funksionet e tij. Trupi mund të krahasohet me një kalë, ndërsa shpirti me
kalorësin e tij; trupi është krijuar për shpirtin, ndërsa shpirti për trupin. Nëse
një njeri nuk njeh shpirtin e tij, gjënë më të afërt me të, si mund të
pretendojë të njohë të tjerët? Është njësoj sikur një varfanjak që nuk
mundet të garantojë vaktin e tij, të pretendojë se është në gjendje të
ushqejë një qytet.

Në këtë kapitull, jemi përpjekur deri në një gradë të caktuar, të shtjellojmë


madhështinë e shpirtit të njeriut. Ai që e neglizhon atë dhe vuan pasojat e
ndryshkjes apo degjenerimit të tij, do të jetë padyshim i humbur në këtë
botë dhe në botën tjetër. Madhështia e vërtetë e njeriut qëndron tek
kapaciteti për progres të përjetshëm, përndryshe, në këtë sferë të
përkohshme ai është më i dobëti nga të gjithë: përjetues i urisë, etjes,
nxehtësisë, të ftohtit dhe dhimbjeve. Ato gjëra që i mundësojnë kënaqësi
më të madhe janë zakonisht më të dëmshmet për të, ndërsa ato gjëra nga
të cilat ka më shumë përfitim nuk mund të arrihen pa mund dhe vuajtje. Sa
i përket intelektit, një çakordim i lehtë në tru është i mjaftueshëm për ta
shkatërruar apo marrosur atë; sa i përket fuqisë, thumbi i një grenze është i
mjaftueshëm për ta shqetësuar dhe lënë pa gjumë; sa i përket
temperamentit të tij, mërzitet nga humbja e një qindarke; sa për bukurinë,
është asgjë më shumë se një lëndë pështjelluese e mbuluar me lëkurë të
hijshme. Në mungesë të larjes së vazhdueshme ai bëhet i neveritshëm dhe i
fëlliqur.

Vërtet, njeriu në këtë botë është tejmase i dobët dhe i përbuzshëm. Vetëm
në botën tjetër ai do të ketë vlerë, nëse përmes “alkimisë së lumturisë”
ngrihet nga radhët e bishave në atë të engjëjve. Përndryshe, gjendja e tij do
të jetë më e keqe se e shtazëve, që zhduken dhe shndërrohen në pluhur.
Për të, është e nevojshme, që ndërsa është i ndërgjegjshëm për epërsinë e
tij si kulmi i krijesave, të mësojë të njohë edhe pafuqinë e tij, sepse edhe ky
është një nga çelësat e dijes mbi Zotin.

You might also like