Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 22

Shthurja e politikës së jashtme të Kosovës

Marc Weller

Muajin e ardhshëm, Kosova do të shënojë dhjetëvjetorin e saj si shtet i pavarur. Arsye për të
kremtuar ka. Mbi të gjitha, territori që nuk ka dalje në det, me më pak se dy milionë banorë e
ka konsoliduar ekzistencën e vet.

Kjo, në vetvete, nuk është e arritur e vogël. Kosova e ka mbijetuar sfidën ligjore ndaj
ekzistencës së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe i ka bërë ballë një
fushate këmbëngulëse të Serbisë, prej së cilës u shkëput më 2008, për ta lënë të izoluar
ndërkombëtarisht.

Në vend se të vuajë nga izolimi ndërkombëtar, Kosova mund ta vërë theksin tek 114 njohjet
prej qeverive të tjera nëpër botë. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e këtij suksesi tani po vihet në
rrezik, shkaku i një politike gjithnjë e më të paparashikueshme dhe nacionaliste të jashtme, e
cila nuk i duhet Kosovës.

Krahas pozitës së saj të brishtë ndërkombëtare, Kosova do të vazhdojë të jetë e varur nga
ndihma e konsiderueshme financiare ndërkombëtare.

Arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale nuk kanë ecur shumë, krahasuar me shtetet e tjera
të rajonit. Papunësia ka mbetur tejet e lartë, duke i nxitur qytetarët me iniciativa dhe shtytje që
fatin e tyre ta kërkojnë jashtë. Zhvillimi i një komuniteti të ndershëm dhe të gjallërishëm të
biznesit po pengohet nga shembujt e korrupsionit dhe patronazhit politik, që shkon deri tek
dhënia e kontratave publike.

Pas luftës së NATO-s kundër Serbisë më 1999, Organizata e Kombeve të Bashkuara e


administroi këtë territor për gati një dekadë. Asokohe shumë lehtë mund të fajësoje
burokracinë ndërkombëtare dhe joefikasitetet për të këqijat e Kosovës. Që nga pavarësia, ky
opsion nuk është më dhe arsyet e dështimit duhet të kërkohen brenda.

Një burim i të këqijave për Kosovën qëndron tek tensioni i pazakonshëm midis jostabilitetit
politik dhe vazhdimësisë së marrëveshjeve ekzistuese. Zgjedhjet e kaluara në Kosovë rezultuan
me ngërç dhe koalicione të brishta. Arsye e pjesshme e kësaj është fakti se një numër i
konsiderueshëm i ulëseve në Parlamentin e vogël të Kosovës janë të rezervuara për
përfaqësuesit e pakicave, përfshirë në veçanti komunitetin serb. Ky konstelacion ia vështirëson
secilës prej partive që ta fitojë shumicën.

Sidoqoftë, me gjithë vështirësitë në formimin e koalicioneve qeverisëse, figurat politike në krye


të shtetit nuk kanë ndryshuar. Duket se ekziston një kastë e përhershme personazhesh,
shumica prej të cilëve vijnë nga koha e rezistencës ndaj shtypjes serbe në vitet nëntëdhjetë dhe
lufta e 1999-s.
Në këtë grup të përhershëm të liderëve dhe rivalëve për pushtet bëjnë pjesë Hashim Thaçi, ish-
lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që ka shërbyer
si kryeministër, e tani president, që nga pavarësia.

Tani, ai është lidhur me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetar i partisë rivale AAK dhe ish-
luftëtar i UÇK-së, që kishte qenë edhe më parë kryeministër për 100 ditë, para se të merrte
ftesën nga Haga më 2005, për t’u gjykuar për krime lufte. Pasi u shpall i pafajshëm, Haradinaj
rishtazi ishte ndaluar në Francë, në pajtim me një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga
Serbia, pak para se ta merrte postin e kryeministrit edhe një herë, në shtator të vitit të kaluar.

Për herë të parë në historinë e Kosovës pas pavarësisë, kjo lidhje ka rezultuar me një Qeveri të
dominuar prej partive politike të dala nga UÇK-ja, duke e përjashtuar ndikimin moderues të
partive të tjera, me bazë tek shoqëria civile.

LDK-ja, parti e liderit të ndjerë të rezistencës, Ibrahim Rugovës, është përzënë nga Qeveria nga
PDK-ja, e cila e braktisi koalicionin e mëparshëm, pas përpjekjes së dështuar në Parlamentin e
Kosovës për ratifikimin e një Marrëveshjeje kufitare me Malin e Zi fqinj, më 2015. Marrëveshja
do ta kishte konfirmuar vijën kufitare, në pajtim me marrëveshjen e ekspertëve të të dyja
palëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Megjithatë, nacionalistët e Kosovës pohuan se ajo do t’i
dorëzonte Malit të Zi qindra hektarë tokë të Kosovës.

BE-ja e kishte kushtëzuar liberalizimin e vizave me ratifikimin. Kjo mundësi e liberalizimit tani
është kthyer në një të ardhme të largët. Në kundërshtim me gjetjet e disa komisioneve të
ekspertëve ndërkombëtarë, një komision i Kosovës, i caktuar nga kryeministri i porsazgjedhur
rishtazi e mbrojti qëndrimin se vija kufitare ishte tërhequr gabimisht. Duke e shpërfillur
këshillën e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe duke nxitur kritikat e hapura
ndërkombëtare, vetë Haradinaj është duke u përkushtuar në përmbysjen e marrëveshjes.

Kjo mbase është kthesa më befasuese në politikën e Kosovës. Gjatë pjesës më të madhe të
periudhës pas pavarësisë, udhëheqja e Kosovës ka përcjellë me kujdes udhëzimet e ofruara nga
BE-ja dhe posaçërisht SHBA-ja, duke marrë një shteg të matur në raportet me jashtë. Në rastet
e rralla kur nuk i ka dëgjuar këshillat, dështimi shpesh ka ndodhur. Për shembull, fushata e
Kosovës për anëtarësim në UNESCO ishte ndërmarrë rrëmbyeshëm, me gjithë këshillat e
aleatëve të Kosovës, duke rezultuar me një dështim për pak, por sidoqoftë turpërues për
politikën e jashtme të Kosovës.

Gjatë muajit të kaluar, një numër i madh i veprimeve joracionale në fushën e politikës së
jashtme ka cenuar rëndë raportet e Kosovës me jashtë.

Gjatë vitit të kaluar, presidenti Thaçi e ka filluar procesin e transformimit të “Forcës së Sigurisë”
modeste të Kosovës me rreth 4.000 burra e gra, të përkushtuar për reagime në raste krizash,
për ta kthyer në ushtri të rregullt dhe me synim të shtimit të armatimit të saj në pajtim me këtë.
Projekti ka nxitur kundërshtimet e përfaqësuesve serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët
refuzuan ndryshimet e domosdoshme kushtetuese. Pasoi kundërshtimi ndërkombëtar.
Duke pasur parasysh telashet ekonomike dhe sociale të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për
zhvillimin e shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe arsimit, nisma për transformimin e Forcës së
Sigurisë dhe armatosjen e saj vështirë se duket e justifikueshme. Pa marrë parasysh se sa
miliona shpenzohen për një ushtri, ajo vështirë se mund të paraqet forcë zmbrapse bindëse
kundër Serbisë. Beogradi ka trashëguar arsenalin e ish-Jugosllavisë, që është përtërirë jashtë
mase nga aleatja e saj, Rusia. Siguria nuk mund të arrihet përmes një gare armatimi me një rival
të tillë të pabarabartë.

Megjithatë, ky hap ishte shkurtpamës në një aspekt më të rëndësishëm. Përpjekjet për krijimin
e një force të pavarur të armatosur, pa marrë parasysh se sa e vogël është, e cenojnë supozimin
se siguria e Kosovës garantohet nga NATO-ja – një garanci shumë më e madhe e sigurisë për
shtetin e vogël.

Pastaj është edhe çështja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Kosovës, të cilat janë
krijuar në Hagë. Dhomat funksionojnë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe formalisht janë pjesë e
sistemit ligjor të Kosovës. Megjithatë, ato janë në të vërtetë rezultat i presionit ndërkombëtar
për të siguruar drejtësi ndërkombëtare rreth akuzave të bëra në një raport të 2011-s të Këshillit
të Evropës, ku bëhen akuza për krime të rënda të luftës menjëherë pas luftës së viteve 1998-99
në Kosovë.

Krijimi i Dhomave të Specializuara ka qenë kundërthënës. Kosova ka qenë pjesë e fokusit dhe
veprimeve të prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, me seli në
Hagë. Edhe institucionet e saja kanë trajtuar kundërvajtjet gjatë luftës së 1998-99 dhe pas saj.

Serbia, në anën tjetër, ishte autorja e mizorive të mëdha, që rezultuan me 10.000 deri në
15.000 të vrarë, pjesa dërrmuese civilë në Kosovë. Fati i mbi një mijë kosovarëve ende nuk
dihet. Për më tepër, gjatë luftës, forcat serbe synuan të dëbojnë me dhunë pjesën më të madhe
të popullsisë.

Shumica në Kosovë e ndajnë ndjesinë e presidentit dhe kryeministrit se Prishtina u nxit pa të


drejtë prej bashkësisë ndërkombëtare që ta godasë veten, derisa Serbisë i është lejuar që ta
shpërfillë përgjegjësinë që ka. Ekziston, po ashtu, dyshimi tek ish-prijësit e UÇK-së se projekti
është shtyrë përpara në bashkëpunim me LDK-në e moderuar. Disa anëtarë të lartë të kësaj
partie ishin vrarë kah përfundimi i luftës – çështje këto që mund të ngrihen në Dhomat e
Specializuara.

Me nismë të anëtarëve të PDK-së, si dhe me përkrahjen e AAK-së së kryeministrit Ramush


Haradinaj dhe vëllait të tij Dautit, po ashtu deputet, Parlamenti i Kosovës në dhjetor tentoi që
ta nxjerrë Tribunalin nga binarët. Duke argumentuar se fokusi i tribunalit tek krimet që mund të
jenë kryer nga UÇK-ja është i jobalancuar, ata bënë thirrje për një seancë të befasishme të
Parlamentit, me qëllim të shfuqizimit të ligjit.
Duke pasur parasysh investimin e madh në krijimin e Dhomave të Specializuara për shumë muaj
dhe vetë pranimin e saj nga Kosova, një hap i tillë dukej i pamatur. Përballë thashethemeve për
publikimin e shpejtë të raundit të parë të aktakuzave, një hap i tillë, në një fazë të tillë të
vonshme, dukej se shërbente për interesa personale.

Ambasadori i SHBA-së paralajmëroi rreth izolimit të mundshëm të Kosovës si pasojë e këtij hapi.
Duke i dhënë goditje Zyrës së kryeministrit, autoritetet amerikane menjëherë ia refuzuan vizën
kryeministrit të Kosovës, kur ai kërkoi ta vizitojë SHBA-në. Këtë javë, ai iu mbajti një fjalim të
paprecedencë dhe kërcënues politikave të Kosovës, duke i paralajmëruar për pasoja të
paspecifikuara, po që se Parlamenti shfuqizon Dhomat në moment të fundit.

Britania e Madhe, që zakonisht është përkrahëse më e heshtur e Kosovës, u shpreh në mënyrë


dramatike rreth ‘tradhtisë’ që donte t’ia bënte Prishtina bashkësisë ndërkombëtare. Edhe
shtetet e tjera kanë filluar të rishikojnë programet e tyre për ndihma dhe partneritet me
Kosovën.

I papërkulur, presidenti i Kosovës i kontribuoi edhe më shumë armiqësimit ndërkombëtar mu


në atë moment, duke falur zyrtarisht tre ish-ushtarë të UÇK-së, që janë shpallur fajtorë për
vrasjet hakmarrëse më 2001 të një familjeje shqiptare, përfshirë fëmijët e tyre. Babai supozohej
se kishte qenë i lidhur më herët me autoritetet serbe.

Duke pasur parasysh telashet e brendshme, ekonomike të Kosovës, varësinë e saj nga ndihmat
financiare, politike dhe ushtarake, ashtu si edhe kërkesën e të rinjve për një integrim më të
ngushtë me Evropën Perëndimore, ky shpërthim i brendshëm i raporteve të jashtme të Kosovës
duket i pamatur. Derisa të moderuarit e Kosovës janë tejet të shqetësuar me këtë kahe të
ngjarjeve, alternativa nuk duket se kanë mbetur shumë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, i caktuar rishtazi, Behgjet Pacolli, një biznesmen i pasur që e kishte
mbajtur për një periudhë të shkurtër Presidencën e Kosovës më 2011 është duke bërë fushatë
të palodhshme për t’i shtuar njohjet. Sidoqoftë, nismat e tjera, përfshirë planin për ta lidhur
Mitrovicën veriore, të dominuar nga serbët, më ngushtë me Kosovën, kanë mbetur në hije të
veprimeve të kohëve të mëparshme të lojtarëve të mëdhenj tradicionalë në politikën e
Prishtinës. Po ashtu, fushat kryesore të politikës së jashtme, si çështja e kufijve të Kosovës dhe
çështjet e lidhura me krimet e luftës, mbesin nën kontroll të kryeministrit, respektivisht
presidentit.

LDK-ja, tani në opozitë, nuk ka ndikim, derisa po mundohet t’i shërojë plagët e marra, pas
dëbimit nga pushteti, vitin e kaluar. Opozita radikale në formën e Partisë Vetëvendosje, është e
ndarë nga brenda. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e saj do të favorizonte një raport më të
ashpër me partnerët tradicionalë të Kosovës, duke besuar se shteti ka pranuar shumë kushte
për shtetësinë e vet. Në të vërtetë, anëtarët më të përkushtuar besojnë në vizionin afatgjatë të
bashkimit të Kosovës me Shqipërinë – një skenar ankthi për shumicën e qeverive të rajonit.
Prandaj, duket sikur Kosova është duke ecur drejt fërkimeve të reja, përfshirë me aleatët e saj
më të ngushtë. Një gjë e tillë, megjithatë, është bukur e rrezikshme. Kosova është shtet i vogël
dhe i përballur me sfida të veçanta.

Shtetet e vogla mund t’i arrijnë synimet e veta vetëm përmes një diplomacie të matur dhe të
shkathtë, përmes krijimit të aleancave të interesit me shtetet e tjera, të mëdha ose të vogla,
ashtu si edhe përmes fuqizimit të raporteve historikisht miqësore me sponsorizuesit më të
fuqishëm. Kosova rrezikon të humbasë të gjitha këto sfera të ndikimit, derisa kapitali i saj i
kufizuar diplomatik po avullohet me shpejtësi.

Të këshillosh për kujdes në ushtrimin e politikës së jashtme të Kosovës nuk është njëjtë si të
thuash se Prishtina duhet ta respektojë secilën kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Është e
drejtë që të theksohet trajtimi i jobalancuar i Kosovës, posaçërisht kur krahasohet me
rehabilitimin e lehtë të Serbisë. Kosova, po ashtu, ka të drejtë të mbrojë argumentet për
interesat e veta.

Megjithatë, udhëheqja aktuale ka zgjedhur shënjestrat e gabuara për të shfaqur këmbëngulësi


të sajën. Çështja e kufijve, raportet etnike dhe Dhomat e Specializuara prekin në nerv të
bashkësisë ndërkombëtare. Që të gjitha janë çështje delikate ndërkombëtare, madje edhe tek
shtetet në rajonet shumë më pak të trazuara. Ato janë edhe më delikate në raport me Kosovën.
Ato nuk duhet vetëm të trajtohen, por të trajtohen me kujdes dhe në mënyrë delikate. Për më
tepër, në të gjitha këto raste, Kosova duket se është duke i refuzuar zotimet dhe marrëveshjet e
arritura vetë. Koha për shprehjen e shqetësimeve dhe ofrimin e alternativave ka qenë para se
të jepeshin zotimet. Zhbërja e këtyre zotimeve tani nuk është e mundur, pa e njollosur imazhin
e Kosovës në mënyra që nuk i shkojnë për shtati shtetit. Në vend të kësaj, vëmendja duhet të
përqendrohet kah menaxhimi i kujdesshëm i çështjeve në aspektet ku nuk mund të kthehen
mbrapshtë gjërat, duke u siguruar që të mos bëhen gabime të reja në periudhën e ardhme, të
rëndësishme për Kosovën.

Kjo është edhe më e rëndësishme, meqë ky viti dhe i ardhshmi do të jenë thelbësorë për
drejtimin e së ardhmes për Kosovën dhe Serbinë, përfshirë negociatat e ardhshme për
normalizimin e raporteve ndërmjet dyjave dhe raporteve më të afërta me BE-në. Nuk do të ketë
alternativë për Kosovën për krijimin e një konsensusi kombëtar për aspektet kyç të raporteve të
saj të brendshme nëse nuk dëshiron të përfundojë e izoluar përderisa Serbia i zhvillon raportet
e saj me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Pjesa e dytë: Pengesat e politikës së jashtme të Kosovës

Politika e re e Jashtme kategorike është rezultat i frustrimit me kufizimet e imponuara Kosovës


nga bashkësia ndërkombëtare. Pas periudhës së mbikëqyrjes formale nëpërmjet UNMIK-ut,
këto pengesa ende manifestohen në rolin e fuqishëm të ushtruar prej faktorëve
ndërkombëtarë, sidomos nga SHBA-ja dhe BE-ja, në lidhje me politikat e Brendshme të Kosovës.
Kjo ndërlidhet me atë që përjetohet si padrejtësia kundrejt Kosovës. Këtu përfshihet kërkesa se
duhet të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi para se BE-ja t’ia liberalizojë
vizat, këmbëngulësia se Kosova duhet të vazhdojë me projektin e pabaraspeshuar të Dhomave
të Specializuara për krime lufte në Kosovë, dhe domosdoshmërinë për të respektuar pengesat
që i vihen Kosovës në planin e paqes të Ahtisaarit pranuar para me deklaratën e pavarësisë.

Kërkesat shtesë të ndërkombëtarëve që ua zënë frymën Kosovës, politikanët dhe elementet,


ose publiku i lidh me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë me qëllim të
përparimit të procesit të normalizimit me Beogradin.

Këto presione sidomos duken të padrejta për kosovarët, veçanërisht kur dihet se kërkesa të tilla
nuk i janë bërë Beogradit. Megjithatë, Serbia ishte autore e gjenocidit në Bosnjë, nisi konfliktin
në Kroaci dhe mbajti represionin në Kosovë. Shkaktoi vdekjen e dhjetë mijë deri në
pesëmbëdhjetë mijë kosovarëve gjatë konfliktit të viteve 1998-99, duke i detyruar të
zhvendosej pothuajse gjysma e popullsisë. Prapëseprapë, Beogradi ka dështuar ta pranojë
përgjegjësinë e tij për vuajtjet e shkaktuara në rajon. Në të vërtetë në vend të kërkimfaljes,
vazhdon të mbajë kohë pas kohe fushatë agresive kundër shtetësisë së Kosovës dhe kundër
anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Krejt së fundi, ka pasur një propozim të presidentit të Serbisë, çka sugjeron se edhe Beogradi
duhet ta pranojë dhe të mësohet me të kaluarën dhe pasojat e saj. Sidoqoftë, këto vihen në
dyshim prej lëvizjeve shkatërruese. Kjo përfshiu nisjen e një treni drejt Kosovës, me simbole
provokuese nacionaliste serbe dhe me pretendimin se Kosova është përgjithnjë e Serbisë.

Për më tepër, Serbia nuk ia ka dalë t’i jetësojë zotimet e marra gjatë procesit të normalizimit
me Kosovën deri tani. Madje gjithnjë duket se është Kosova ajo që vihet në shënjestër të
kritikave ndërkombëtare dhe i kërkohen lëshime të reja ndaj Beogradit.

Pavarësisht kësaj të kaluare, është i kuptueshëm një nivel i caktuar mosdurimi me bashkësinë
ndërkombëtare, përfshirë aleatët e Kosovës. Sidoqoftë, politika e pjekur konsiston prej njohjes
së realitetit, përpirjes së acarimeve dhe formësimit me maturi të një kundërvënie të kalkuluar
nëpërmjet lidershipit shtetëror, e jo nëpërmjet veprimeve të çrregullta.

Hapi i parë në këtë proces është njohja e situatës së veçantë dhe speciale në të cilën është
Kosova. Është e qartë për ata që jetojnë në Kosovë se ka shumë sfida të përditshme të
ndërlidhura me situatën ekonomike dhe mbase edhe qorrsokakun politik. Sidoqoftë, frustrime
të tilla mund të përjetohen edhe në shtete të tjera.

Ajo që është më pak e dukshme kur jeton në Kosovë është situata unike, madje edhe dhjetë
vjet pas shtetësisë, është pozita e lëkundshme e shtetit brenda sistemit ndërkombëtar. Kosova
nuk është shtet si cilido shtet tjetër.

Kini parasysh rastin e katalonjasve. Fushata e tyre për pavarësi ishte zhvilluar kundër një
Qeverie evropiane perëndimore, me supozimin se pengohej në veprimet e veta prej
standardeve evropiane të të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Pavarësisht këtyre
përparësive, fushata e tyre për pavarësi ende nuk ia ka dalë mbanë. Preferenca ndërkombëtare
për ruajtjen e status quos, dhe uniteti territorial i shteteve ekzistuese ishin shumë të fuqishëm.
Madje edhe një shtet i moderuar, si Spanja, në fund nuk ishte frenuar nga bashkësia
ndërkombëtare kur ndërmori aksionin e vendosur për t’u munduar dhe shuar frymën e
pavarësisë.

Suksesi i Kosovës në arritjen e pavarësisë kundër dëshirave të Qeverisë qendrore në Beograd


është një rast unik dhe shumë i rrallë që shkon kundër frymës së rendit ndërkombëtar. Me pak
përjashtime që ia vlen të përmenden, kanë dështuar shumica e lëvizjeve për vetëvendosje që
operonin jashtë kontekstit kolonial, shpesh duke shkaktuar humbje jetësh dhe tragjedi në
proces. Rendi ndërkombëtar priret të privilegjojë stabilitetin territorial kundrejt vetëvendosjes
së popujve.

Kosova, si dy përjashtimet e fundit të Eritresë dhe Sudani Jugor, ia doli kundrejt pengesave për
shkak të përkushtimit të kahershëm dhe të pagabueshëm për pavarësisë së popullit dhe
liderëve të saj, dhe gatishmërisë së tyre për të përballuar vuajtjen me qëllim që të fitohej
shtetësia. Në rastin e Kosovës, teprimet e regjimit të Milosheviqit në ish-Jugosllavi gjithashtu
minuan pretendimin për unitet të vazhdueshëm të Republikës Federale Socialiste.

Sidoqoftë, suksesit eventual të fushatës së Kosovës për shtetësi, ende i duhen hapa absolutisht
të jashtëzakonshëm. Kërkoi përdorimin e forcave të NATO-s – lansimin e një lufte – kundër një
shteti sovran në kontinentin evropian. Këto rrethana as që mund të merreshin me mend gjatë
Luftës Civile dhe në vitet e pastajme të ankthshme në fillim të nëntëdhjetave.

Ky veprim ishte ndërmarrë kundër preferencës së shumicës së krerëve, madje edhe në


Perëndim, që kishin ruajtur marrëdhëniet me Serbinë qysh prej kohës së Luftës së Dytë
Botërore. Rrezikoi marrëdhëniet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, që doli se ishte aleatja kyç e
Serbisë në proces. Dhe ndau BE-në. Disa prej shteteve të saj anëtare ende nuk e kanë njohur
Kosovën, duke pasur parasysh shqetësimet që mund t’ua sjellë fryma e ndarjes.

Andaj u desh pothuajse një dekadë dhe miliarda (që u pranua se shkuan huq) të fondeve
ndërkombëtare për ofrimin e administrimit ndërkombëtar të Kosovës, derisa ishte përgatitur
terreni diplomatik për pavarësi. Madje edhe atëherë, doli se ishte jashtëzakonisht përçarës
procesi i statusit final të prirë prej Marti Ahtisaarit.

Pavarësia në mungesë të marrëveshjes nga Serbia, dhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mund të
rrumbullakohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me ato shtete që e përkrahën Kosovën prej
ndërhyrjes së NATO-së. Ato, dhe NATO-ja, ofruan ombrellën nën të cilën u krye me sukses ky
aksion i rrezikshëm që ishte kundër frymës së sistemit ndërkombëtar.

Prania e tyre e shtyri Serbinë ta kundërshtojë ndarjen nëpërmjet mjeteve demokratike, e jo


ushtarake. Fillimisht në formë të sfidimit të shtetësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare
të Drejtësisë – sfidë kjo që u rrëzua me mbështetje tejet të fuqishme ligjore dhe diplomatike
nga shtetet perëndimore. Kjo rezultoi me kërkesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që
Serbia të përqendrohet tani në procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e
marrëdhënieve me Kosovën, e jo në rrezikimin e ekzistencës së saj.

Sidoqoftë, Serbia ka vazhduar ta pengojë përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.


Ç’është e vërteta, Kosova ka siguruar rreth 114 njohje nga mesi e 194 apo diç më shumë
shteteve të tjera të botës. Kjo është shifër shumë më e madhe sesa synimi fillestar për sigurimin
e njohjeve nga më shumë se gjysma e popullatës globale të shteteve. Sido që të jetë, falë
marrëdhënieve të saj të afërta me Rusinë, Serbia ia ka dalë t’i pengojë përpjekjet e Kosovës për
të hyrë në Kombet e Bashkuara dhe në agjencitë e tjera të ndërlidhura. Ajo së fundmi e rrëzoi
aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, e cila shihej si pika më e lehtë e hyrjes në
sistemin e OKB-së, me shumicën më të ngushtë të votave, duke ia hedhur Kosovës në këtë
proces dhe i armiqësuar disa prej aleatëve të Prishtinës që kishin këshilluar kundër ndërmarrjes
së një hapi të tillë që në fillim.

Publikimi i korrespondencës konfidenciale amerikane nga “WikiLeaks” ka treguar se Serbia ka


qenë e interesuar të bëjë përpjekje për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën t’i tërheqin
njohjet, herë duke i përdorur financat dhe herë instrumentet e tjera në këtë proces.

Pozicioni i Serbisë është forcuar nga përkushtimi i Rusisë për t’u rishfaqur në skenën globale.
Kjo fushatë shkon prej veprimeve në Ukrainë deri në intervenimin në Siri. Serbia ka përfituar si
aleatja e vetme e afërt e presidentit Putin në epiqendër të Evropës. Kësisoj rezultoi marrëveshja
e rëndësishme që ka të bëjë me mbështetjen energjetike dhe ushtarake në mbrojtje. Dhe me
sigurimin e Beogradit se mund të vazhdojë të mbështetet në mbulimin diplomatik të Rusisë për
një të ardhme të papërcaktuar. Në të vërtetë, në fund të dhjetorit, presidenti Putin u pajtua
zyrtarisht që t’i qëndrojë përkrah Serbisë në çfarëdo negociata rreth Kosovës, duke premtuar
njëkohësisht të dërgojë në Beograd raketa moderne të mbrojtjes ajrore. Kjo gjë, nga ana tjetër,
e ka reduktuar efikasitetin e kërcënimit të Brukselit për ta ngadalësuar procesin e asocimit me
BE-në, si një mjet për të ndikuar mbi Beogradin. Marrëdhëniet e ngushta me Rusinë tani duket
se preferohen nga shumica në Beograd, në vend të integrimit të shpejt në BE. Serbia mund të
luajë edhe më vrullshëm sesa më herët me letrën e afërsisë për ta mundësuar anëtarësimin e
saj në BE. Befasisht, është BE-ja ajo që duhet t’i frikësohet “humbjes” së Serbisë, në vend se
Serbia t’i druajë humbjes së shansit për hyrje të hershme në BE.

Në përpjekjen për ringjalljen e flakës së ambicies së BE-së, Brukseli ka sugjeruar së fundmi se


Serbia është kandidati kryesor për raundin e ardhshëm të pranimit si anëtar, gjë kjo që ishte
paraparë rreth 2015-s. Të tjerët do të duhet të presin dukshëm më gjatë për një sinjal dhe
mund të duhet të jenë të kënaqur me çmimin e dytë të “procesit të Berlinit”, që ka për synim t’i
mbajë humbësit e mundshëm të Ballkanit në garë për angazhim në anëtarësim.

Serbia prandaj zë një pozitë të rëndësishme në lojën gjeopolitike ndërmjet Lindjes dhe
Perëndimit. Kosova jo lehtësisht mund ta thotë të njëjtën gjë për veten. Pozita e saj më pak e
favorshme mund të përkeqësohet në rast se e merr pamjen e një lojtari të çrregullt në politikat
e jashtme që nuk mund të mbështeten, siç ka ndodhur së fundmi.
Në të vërtetë, kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja mund të thuhet se në fakt është e lehtësuar se
Kosova ka kapërcyer vetë një numër të rëndësishëm pengesash në procesin e ndërtimit të
marrëdhënieve më të afërta me Prishtinën. Shumë shtete anëtare të BE-së do të pranonin
privatisht se nuk janë të interesuara ta shohin Kosovën, një entitet kryesisht mysliman në
nevojë konstante të ndihmave financiare, të mbërthyer nga korrupsioni dhe praktikat e tjera jo
të mira, si një anëtare të BE-së së shpejti.

Dështimi për ta ratifikuar Marrëveshjen kufitare me Malin e Zi e ka hequr presionin për


garantimin e udhëtimit pa viza – një koncesion ky që për shumë shtete perëndimore evropiane
shihej si një urë shumë e lartë për t’u kapërcyer. Një koncesion i tillë i ishte garantuar Ukrainës,
mbase në demonstrim të simpatisë për telashet e saj me Rusinë në rilindje. Sidoqoftë, duke i
pasur parasysh qëndrimet anti-imigracion përgjatë kontinentit, garantimi i udhëtimeve pa viza,
madje edhe për një shtet relativisht të vogël si Kosova, nuk është një akt i popullarizuar në këtë
periudhë kohore. Identiteti i saj kryesisht mysliman mund t’i ketë kontribuar kësaj. Kështu që,
është shumë më lehtë të fajësohet Kosova për dështimin në përmbushjen e kërkesave të
parapërcaktuara sesa të mbahet një premtim i tillë kaq jopopullor në vend.

Përveç çështjes kufitare me Malin e Zi, tentimi për zhbërjen e Dhomave të Specializuara për
krime lufte dhe veprimet e tjera të fundit përbëjnë një sfidë të madhe për misionin e BE-së në
Kosovë. Siç sugjeron edhe vetë emri i tij, EULEX-i krenohet për punën e bërë në fuqizimin e
sundimit të ligjit në Kosovë. Çdo veprim që duket se e rrezikon administratën e drejtësisë
kësisoj ofron arsye shtesë për t’i ngadalësuar apo shtyrë diskutimet për asocim me Brukselin.
Kjo gjë mund t’i ofrojë mbulim faktit se shumë shtete aktuale anëtare të BE-së janë gjithnjë e
më pak të interesuara të kenë në radhët e veta anëtare ekonomikisht të dobëta dhe shoqërisht
të paqëndrueshme.

Kosova, nga ana tjetër, do të ketë nevojë për vazhdimin e mbështetjes në ndihmat
domethënëse financiare që vijnë prej partnerëve të saj perëndimorë, njësoj siç popullata e saj
varet nga remitancat, të cilat shumë shqiptarë të Kosovës i kanë përdorur në ndërmarrjet,
punët dhe iniciativat e tyre për të gjeneruar sukses ekonomik në Perëndim. Alternativë ka pak.
Shqipëria padyshim se nuk është në pozitë të ofrojë ndihma të mëdha financiare.

Kështu që, Kosovës do t’i nevojitet ta sigurojë të ardhmen e vet ekonomike nëpërmjet tri
shtyllave. Këtu përfshihet integrimi më i thellë nën-rajonal dhe bashkëpunimi me fqinjët për ta
ndihmuar rritjen ekonomike. Së dyti, ekziston nevoja për ruajtjen e rrjedhës së asistencës
financiare nga SHBA-ja, BE-ja dhe shtetet e tjera kyç mike dhe për trimërimin e investimeve të
mëtutjeshme për këto pjesë. Së treti, duhet të provohet dhe të trimërohet investimi nga
partnerët jotradicionalë, në mesin e të cilëve mund të përfshihen Rusia dhe madje Kina, për t’u
dhënë një hise në suksesin e zhvillimit të Kosovës.

Asnjëra prej këtyre tri shtyllave nuk mund të zbatohet me sukses në rast se Kosova nuk e
portretizon veten si një shoqëri stabile, e përqendruar në zhvillim ekonomik dhe shëndetin
shoqëror të popullatës së vet, me të ofruar arsimim dhe fuqi punëtore të përkushtuar. Një
politikë e jashtme e rrezikshme dhe e çrregullt si dhe ndjenja e krenarisë së lënduar kombëtare
nuk do ta ndihmojnë në këtë synim.

Kjo është më se e vërtetë, duke qenë se shumë nga miqtë “tradicionalë” të Kosovës dhe
mbështetësit financiarë dhe diplomatikë e kanë përfituar këtë traditë vetëm pak kohësh, si
rezultat i pjesëmarrjes së tyre hezituese në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999. Në këtë
mes përfshihen Britania e Madhe dhe Franca. Në që të dyja këto shtete ende mbizotëron
ndjenja se miku tradicional dhe aleati, që daton qysh prej gjysmës së parë të shekullit 20,
gjithnjë ka qenë Serbia. Disa ndjejnë akoma keqardhje për humbjen e miqësisë me Serbinë dhe
ushqejnë simpati të madhe për Beogradin. Shteteve të tjera, si Italia dhe Greqia, u janë dhënë
stimuj të majmë ekonomikë për ruajtjen e marrëdhënieve më të ngrohta me Beogradin. Atyre
apo shtetasve të tyre u janë ofruar, dhe janë përqafuar me të dyja duart, mundësi të
rëndësishme investimi në infrastrukturë nga lidershipi serb.

Kosova, nga ana tjetër, ende nuk i ka shfrytëzuar mundësitë e saj për investime në aspektin e
shfrytëzimit të burimeve të saj të pasurive natyrore dhe të infrastrukturës në zhvillim, si një
mjet për t’i avancuar marrëdhëniet strategjike me shtetet.

Vendimet kyç në këtë fushë duket të jenë marrë, për arsye të tjera, nga disa prej politikanëve të
Kosovës që kërkojnë t’i avancojnë pozitat e tyre personale me një apo më shumë shtete apo
investues të huaj, në vend se të punojnë për interesa strategjike kombëtare. Kjo i ka shpenzuar
mundësitë për t’i ndërtuar dhe zhvilluar marrëdhëniet strategjike.

SHBA-ja, si mbështetësja më e rëndësishme e Kosovës, vazhdon të jetë e paparashikueshme


nën presidentin Trump. Ç’është e vërteta, SHBA-ja do të jetë e interesuar t’i korrë shpërblimet e
investimit të vet ushtarak dhe politik në Kosovë në të ardhmen. Mirëpo në fund të fundit,
interesat e saj në territor janë tejet të kufizuara, duke u zgjatur në çështjet e mbledhjes së të
dhënave të inteligjencës deri te luftimi i terrorizmit, narkotikëve dhe krimit. Ndjenja e saj e
përgjegjësisë historike, si dhe e miqësisë me Kosovën vazhdon të zbehet me çdo administratë
të re amerikane dhe me ndryshimin rrënjësor të personelit të lartë diplomatik. Kosova mund ta
ketë të vështirë ta ruajë vendin e vet në radarin e Shtëpisë së Bardhë përderisa nuk ia del të
shfaqet si një bazë plotësisht e besueshme për interesat amerikanë në Ballkanin Perëndimor.

Të gjitha këto sugjerojnë se Kosova do të duhej ta ushqente partneritetin e vet ekzistues dhe të
nisë t’i ndërtojë të rejat me rajonin fqinj, përfshirë shtetet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-
në, dhe me një mori aktorësh të rinj, në këtë mes Rusia dhe Kina. Kjo gjë kërkon përqendrim
dhe një lojë tejet të përkushtuar dhe të sofistikuar në fushën e interesave të këtyre aktorëve të
ndryshëm, për ta mbajtur baraspeshën me to.

Një parakusht për sukses në këtë lojë të vështirë është ai që Kosova të mos i trazojë aktorët. Si
një shtet me më pak se 2 milionë banorë, i vendosur në një fqinjësi të zorshme dhe ende goxha
armiqësore, dhe që ka pasur probleme të mëdha ekonomike dhe shoqërore që kërkojnë
mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare financiare, si dhe me mungesë të përfaqësimit në
institucionet kryesore ndërkombëtare, Kosova vazhdon të jetë në një pozitë skajshmërisht të
cenueshme, edhe pse kanë kaluar dhjetë vjet që prej pavarësimit. Kjo situatë mund të zgjasë.

Një fakt i tillë sjell pasoja për politikat e saj të jashtme. Këshilla e parë për Prishtinën duhet të
jetë që të mos i shkatërrojë apo rrezikojë marrëdhëniet ekzistuese. Ndonëse Kosova mund t’i
rezistojë ose ta durojë nevojën për të luajtur sipas doracakut ndërkombëtar të rregullave,
alternativë nuk ka.

Kjo përfshin tiparet unike të arkitekturës së Kosovës si shtet. Shtetësia e saj është e përcaktuar
me Marrëveshjen e Ahtisaarit. Derisa Beogradi nuk e ka nënshkruar, Kosova i është përkushtuar
zbatimit të saj, para së gjithash si një kusht për vetë shtetësinë e saj. Këtu përfshihen disa
kufizime për liritë e saj sovrane. Për shembull, Kosova ka premtuar ta ruajë pavarësinë e saj, e
jo t’i bashkohet një shteti tjetër, si Shqipëria.

Kosova ka bërë zotime të rëndësishme dhe i është përkushtuar punës për komunitetet e saj
etnike. Këtu përfshihet edhe komuniteti serb. Në fakt, Kosova ka zbatuar shumicën e këtyre
përkushtimeve në mënyrë mbresëlënëse. Përsëri, nuk do të duhej t’i rrezikonte të arriturat e
veta me veprime të nxituara dhe të paduruara.

Kosova mund të pretendojë se është e padrejtë të jetë subjekt i rregullave dhe përkushtimeve
të veçanta. Mirëpo, ç’është e vërteta, Kosova është në vetvete një rast tejet i veçantë. Ndryshe,
shtetësia e Kosovës nuk do të ishte e mundur. Rangimi i saj si i veçantë është çmimi që duhet
paguar për shtetësinë dhe ky nuk është një çmim tepër i lartë. Ky status special mund të
menaxhohet, po qe nevoja për ta bërë një gjë të tillë, edhe tash pas dhjetë vjetësh pavarësim,
është e kuptueshme.

Alternativa është që Kosova të shndërrohet nga një aset potencial në marrëdhëniet me


partnerët e saj në një kërcënim dhe pengesë. Disa politikanë kosovarë tanimë po argumentojnë
se Evropa Perëndimore do të duhej ta vazhdonte mbështetjen për Kosovën, për ta shmangur
kolapsin ekonomik që do ta kërcënonte stabilitetin e të gjithë rajonit.

Është më se e vërtetë se mbajtja e Kosovës gjallë do të vazhdojë të jetë një interes


ndërkombëtar, edhe në rast se Prishtina fillon t’i sfidojë kërkesat ndërkombëtare dhe ta ndjekë
një shteg më të njëanshëm në politikat e veta të jashtme. Mirëpo mbajtja gjallë nuk është e
mjaftueshme. Kosova dhe populli i saj meritojnë më mirë. Duke i pasur parasysh
cenueshmërinë dhe kompetencat e kufizuara të Kosovës, një e ardhme më e mirë mund të
arrihet vetëm me bashkëpunimin dhe partneritetin më të ngushtë me miqtë dhe aleatët
kryesorë. Kjo gjë kërkon durim dhe kompromis.

Durimi dhe kompromisi sidoqoftë nuk nënkuptojnë se Kosova duhet të ndjekë verbërisht çdo
gjë që ndonjëherë mund të kërkojë prej saj bashkësia ndërkombëtare. Në të vërtetë, për disa
çështje Kosova ka dështuar të mbrojë pozicionin e vet, siç duhej të kishte bërë, dhe është
shtyrë në veprime për të cilat vetëm mund të ndihet keqardhje. Marrëveshja për Dhomat e
Specializuara për krime të luftës ofron një shembull për këtë, ndërsa koncesionet në procesin e
normalizimit që janë bërë pa kompensime adekuate dhe të vendosura shërbejnë si mësime të
tjera. Sidoqoftë, meqë i ka bërë këto koncesione, Kosova tani duhet të jetojë me to. Për të
ardhmen, megjithatë, Kosova duhet të sigurojë që ta zhvillojë aftësinë e zbatimit të politikave
dukshëm më dinake të jashtme, të bazuara në një plan strategjik afatgjatë.

Si përmbledhje, është e dukshme se Kosova e ka merituar pavarësinë dhe sovranitetin e saj.


Sidoqoftë, rruga drejt lirisë është e gjatë dhe, mbase për befasi të disave, ajo ende nuk është
arritur plotësisht. Me qëllim të kapërcimit të sfidave me të cilat përballet, Kosova ka ende
nevojë të dëshmohet si një partner i besueshëm dhe stabil që mund të bëjë shumë më tepër
sesa të absorbojë pambarim sasi të mbështetjes ndërkombëtare. Ajo duhet ta dëshmojë
aftësinë e vet për të kontribuar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Duhet të demonstrojë se
është pjesë e koalicionit ndërkombëtar të përkushtuar në luftën kundër ekstremizmit dhe
terrorizmit. Dhe duhet të tregojë se e synon seriozisht shndërrimin në prioritet adresimin e
problemeve të veta të brendshme sociale dhe ekonomike, e jo t’i shpenzojë paratë dhe
energjitë në projektet prestigjioze të vlerave të pasigurta.

Pjesa III: Sfidat e politikave të jashtme të Kosovës gjatë viteve të ardhshme - kritike

Nevojat e politikave të jashtme të Kosovës më së miri mund të kuptohen si një sërë rrathësh
koncentrikë. Ato nisin me vetë territorin e Kosovës, vazhdojnë me marrëdhëniet me Serbinë
dhe rajonin fqinj dhe zgjaten deri te BE-ja, SHBA-ja dhe shtetet e tjera.

Zotimet e Ahtisaarit

Duke e pasur parasysh statusin e saj specifik ndërkombëtar, administrata e brendshme e


Kosovës ka implikime të politikave të jashtme. Ato ndërlidhen me zbatimin e përkushtimeve të
posaçme të bëra në lidhje me propozimin gjithëpërfshirës paqësor të Ahtisaarit.

Detyrimet e Ahtisaarit janë detyruese ndaj Kosovës, në bazë të shpalljes së saj të pavarësisë, e
cila e ndërlidh ushtrimin e sovranitetit me zbatimin e këtyre detyrimeve. Pranimi dhe njohja
ndërkombëtare e shtetësisë së Kosovës mund të ishin kushtëzuar nga një numër shtetesh me
këtë arsyetim. Këto përkushtime janë përfshirë po ashtu edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Kosova mund të tundohet të argumentojë se këto përkushtime janë bërë nën rrethana të
posaçme, tanimë plot një dekadë më parë. Këto rrethana nuk janë më. Mbrojtja në veçanti për
komunitetin serb, për shembull, më nuk është domosdoshmëri. Ndonjëherë argumentohet se
tanimë nuk ekziston ndonjë kërcënim specifik ndaj tyre. Prandaj, tanimë nuk ekziston nevoja
për t’iu bindur detyrimeve të bëra gjatë kohës kur një kërcënim i tillë mbase ka ekzistuar.

Vrasja kohët e fundit e politikanit të shquar serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, e ka minuar këtë
argument. Në çdo rast, çdo shfaqje e dëshirës për të dalë prej detyrimeve të Ahtisaarit për sa u
përket komuniteteve pakicë do ta dëmtonte rëndë besimin ndërkombëtar në Kosovë dhe do ta
vështirësonte edhe më tepër përfshirjen e saj në komunitetin e organizuar ndërkombëtar.
Të paktën për një të ardhme të parashikueshme, Kosova nuk ka opsion tjetër përpos që t’i
zbatojë zotimet e Ahtisaarit. Çdo debat në këtë aspekt është i panevojshëm dhe joproduktiv.
Kosova, në fakt, nuk mund t’i ndryshojë këto kushte të sovranitetit të vet të njëanshëm, të
paktën në këtë pikë. Për më tepër, nuk ka as kuptim që të ngrihen çështje të tilla, përveç për
kënaqjen e opinionit të brendshëm. Një veprim i tillë bart më vete edhe kosto, në aspektin e
profilit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe kjo ia ofron Beogradit një shkop me të cilin
do ta rrihte Kosovën, ndërkohë që ajo synon ta rregullojë statusin e vet ndërkombëtar.

Megjithatë ka hapësirë për përshtatje, kur bëhet fjalë për modalitetet e zbatimit. Kjo vlen
posaçërisht për dispozitat që ndërlidhen me komunitetin serb në Kosovë dhe trajtimin e Kishës
Ortodokse serbe. Njësoj siç serbët dhe përfaqësuesit e tjerë kanë të drejtë të insistojnë në
vazhdimin e të drejtave speciale dhe privilegjeve, ashtu edhe autoritetet e Kosovës kanë të
drejtë të insistojnë për administrimin e këtyre të drejtave dhe privilegjeve përbrenda kufijve të
rendit ligjor të Kosovës, dhe nëpërmjet mjeteve të institucioneve të Kosovës.

Por, ky proces mund të arrihet vetëm me butësi. Kërkon konsensusin e komuniteteve të


përfshira, të agjencive ndërkombëtare që ende merren me mbështetjen e zbatimit të
detyrimeve relevante dhe të autoriteteve të Kosovës.

Si hap i parë, Kosova duhet t’i identifikojë fushat ku është i domosdoshëm bashkëpunimi i tillë i
zgjeruar për zbatimin e detyrimeve të Ahtisaarit, dhe të artikulojë se si do ta parashihte
zbatimin më të mirë dhe më të balancuar të modaliteteve. Më pas mund të krijohet një task-
forcë e përbashkët, në të cilën do të mund të përfshiheshin të gjithë hisedarët, për ecjen
përpara drejt një zgjidhjeje të konsensusit për çdo çështje relevante. Ndryshimet në
legjislacionin e Kosovës mund më pas të arrihen në mënyrë që të pasqyrohen zgjidhjet që mund
të arrihen.

Një tjetër çështje e brendshme që ka dimensione të forta ndërkombëtare është, natyrisht,


Mitrovica dhe rajonet e saj veriore. Kjo çështje do të mund të adresohej më së miri në
kontekstin e negociatave të normalizimit, në të cilat përfshihet Serbia. Në anën tjetër, nuk
mund të sugjerohet se Serbia ka pretendim në territor apo se mbështetja e saj për
administratën paralele në këtë rajon është ligjore apo legjitime. Në teori, megjithatë, çështja do
të duhej adresuar nëpërmjet diskutimeve me përfaqësuesit lokalë serbë, në vend të
negociatave me Serbinë.

Në të vërtetë, Kosova mund të argumentojë se obligimi për zbatimin e dokumentit të Ahtisaarit


i bie palës serbe, kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës. Ndarja artificiale që iu imponua Kosovës,
siç dëshmohet me bllokadën në urën e Mitrovicës, dhe refuzimi për të vepruar përbrenda
rendit ligjor të Kosovës, nuk janë në pajtim me dispozitat e dokumentit të Ahtisaarit.

Në praktikë ka fare pak stimuj për popullatën lokale serbe që ajo ta pranojë një afrim të tillë,
meqë ata vazhdojnë të financohen në nivel rudimentar nga Serbia. Për më tepër, Beogradi
vazhdon ta mbajë kontrollin mbi partinë kryesore lokale serbe, Lista Sërpska.
Sidoqoftë, në aspektin afatgjatë rajoni dhe popullata e saj lokale mund t’i druajnë izolimit dhe
ngecjes ekonomike në të ardhmen, si shumë rajone të tjera që varen prej subvencioneve të
jashtme (për shembull, Republika Serbe në Bosnjë). Përkundrazi, Kosova mund të krijojë një
skemë që do të prodhonte shtysa financiare, fiskale dhe të tjera për riintegrim me anën jugore
të lumit, për të siguruar që shtysat ekonomike me kalimin e kohës t’i tejkalojnë përfitimet nga
subvencionet e Serbisë.

Kjo skemë do të ndryshonte prej përpjekjeve të mëhershme, të cilat thjesht kanë hapur rrugën
për derdhjen e papërgjegjshme të fondeve të BE-së dhe të Kosovës në xhepat e liderëve
nacionalistë serbë që shpesh punojnë për vetë interesat e tyre, pa e shtyrë përpara integrimin.

Projektet dhe aktivitetet do të duhej të kishin fokus të qartë në bashkëpunim dhe zhvillim të
përbashkët për Mitrovicën veriore dhe atë jugore, dhe për fuqizimin e liderëve lokalë të
vullnetshëm që t’i vënë interesat lokale përpara urdhrave të Beogradit.

Mjerisht, Oliver Ivanoviqi, i cili porsa është vrarë, e ka treguar një vullnet të tillë. Për ta penguar
mundësinë që Serbia të paraqesë pengesa në këtë aspekt, investimet për Mitrovicën do të
duhej të prezantoheshin si një projekt që do t’i sillte përfitime edhe Beogradit, duke e liruar atë
nga një barrë e rëndësishme financiare dhe të ofrohen mundësi për tregti dhe investime që do
t’i ndanin Kosova dhe Serbia. Kjo, nga ana tjetër, do të kërkonte mbi të gjitha përmirësimin e
marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, në aspektin e normalizimit.

Normalizimi dhe marrëdhëniet me BE-në

I dyti prej rrathëve koncentrikë që i përshkruan marrëdhëniet e jashtme të Kosovës ka të bëjë


me Serbinë. Procesi i normalizimit është natyrisht i përfshirë në procesin e stabilizimit, asociimit
dhe anëtarësimit të BE-së.

Për Kosovën, lidhja ndërmjet të dyjave është absolutisht jetike.

Kosova mund ta kompletojë synimin e vet për status të plotë ndërkombëtar vetëm atëherë kur
Serbia të ndryshojë pozicionin nga kundërshtari në partner ose, të paktën, në palë toleruese.
Kjo do ta zhbllokonte njohjen e Kosovës nga shtetet e mbetura anëtare të BE-së dhe do ta
lehtësonte qasjen për anëtarësim në OKB dhe organizatat e ndërlidhura ndërkombëtare,
bashkë me pjesëmarrjen në një gamë më të gjerë të traktateve shumëpalëshe.

Përveç dimensionit ndërkombëtar, normalizimi po ashtu do t’ua lehtësonte jetët qytetarëve të


Kosovës në aspektin e dokumentacioneve, komunikimit, pronave dhe çështjeve të tjera që
mbahen apo kontrollohen nga Serbia.

Për më tepër, ekzistojnë çështje të tjera bilaterale për Kosovën, siç është kthimi i artefakteve
kulturore të marra nga Kosova dhe zgjidhja e fatit të të zhdukurve gjatë konfliktit.
Këto interesa të palës kosovare zor se krahasohen me nevojat e rëndësishme kundërbalancuese
të palës serbe. Megjithatë, do të ishte e dobishme që të listohet çdo çështje apo interes, në
mënyrë që Serbia të mund të bashkëpunojë më mirë me Kosovën, përveç në çështjet e
mirënjohura të transportit dhe komunikimit.

Komuniteti i organizuar ndërkombëtar nuk ka kërkuar ndonjë çmim nga Serbia për kthimin e saj
në komunitetin ndërkombëtar pas dhunës dhe krimeve të kryera në emër të saj gjatë viteve’90.

Largimi i regjimit të Milosheviqit duket se pak a shumë e ka hequr çështjen e përgjegjësisë


serbe për vuajtjet e shkaktuara nga forcat e saj dhe të ndërlidhurit e tjerë me ta nga agjenda
ndërkombëtare.

Rrjedhimisht, çështja e anëtarësimit në BE mbetet një nga pikat e pakta të presionit që mund të
përdoren në raport me Serbinë, kur është në pyetje Kosova. Deri më tani, është përdorur
mantra që anëtarësimi në BE nuk mund të përparojë në raport me Serbinë, po qe se nuk arrihet
normalizimi me Kosovën.

Natyrisht, fuqia e tërheqjes së anëtarësimit në BE është zbehur në njëfarë mënyre gjatë viteve
të kaluara. Arsye e pjesërishme e kësaj është qëndrimi i ndryshuar i publikut serb karshi
anëtarësimit në BE dhe fakti se Rusia është duke ofruar stimuj për një orientim më të fortë nga
Lindja. Sidoqoftë, BE-ja dhe sponzorizimi prej saj i procesit të normalizimit mbetet pika e vetme,
kur është në pyetje Kosova.

Ekziston, sidoqoftë, njëfarë elementi shqetësues për Kosovën. Ky shqetësim ka të bëjë me


brishtësinë e lidhjes midis fatit të saj dhe çështjes së anëtarësimit potencial serb në BE. Duke e
pasur parasysh faktin se Serbia tashmë ka nisur negociatat për anëtarësim dhe do të hyjë në
bllok shumë para Kosovës, një lidhje e tillë tashmë ka nisur ta humbasë rëndësinë.

Në të vërtetë, është e mundur që këto dy çështje të shkëputen në tërësi. Një rrezik i tillë rritet,
teksa garantuesja kryesore për kushtëzimin e anëtarësimit serb dhe normalizimit të statusit të
Kosovës, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, përgatitet të largohet nga skena politike.
Britania e Madhe, një aleate e Kosovës në të kaluarën e afërt, është duke u larguar nga BE-ja.

Rëndësia që ka kjo lidhje për Kosovën e rrit në mënyrë të qartë peshën serbe në procesin e
normalizimit. Kjo gjë tashmë është përkthyer në një raport bukur asimetrik midis Serbisë dhe
Kosovës gjatë negociatave. Zakonisht, është Kosova ajo së cilës i bëhet presion nga BE-ja për të
arritur kompromise, në mënyrë që Brukseli të mund të pretendojë se procesi disi është duke
ecur përpara. Natyrisht, BE-ja është e preokupuar që perspektivën e anëtarësimit të njëmendtë
në BE të Serbisë ta mbajë reale.

BE-ja nuk do të jetë në gjendje ta ndalë në periudhë të pacaktuar aspiratën serbe për
anëtarësim, po qe se Serbia vazhdon ta dëshirojë një gjë të tillë, për shkak të nevojës së
Kosovës për realizimin e statusit të saj ndërkombëtar. Kosova ose do të duhet të anojë nga një
marrëveshje e madhe, përfundimtare, e cila Beogradit dhe Brukselit do t’ia lejonte të
pretendonte se normalizimi është arritur në një nivel të mjaftueshëm për lehtësimin e
anëtarësimit, ose mund të lihet anash, pa e trajtuar fare çështjen e statusit.

Negociatat për atë marrëveshje të madhe do të ndodhin gjatë një apo dy vjetëve në vijim.
Konstelacioni i interesave tregon se pozita e Kosovës mund të jetë e zbehtë, po qe se nuk ia del
të sigurojë garanci kategorike prej shteteve të fuqishme, si Gjermania, se anëtarësimi serb
vazhdon ta lypsë normalizimin – dhe normalizimi do të definohet ashtu si e konsideron të
nevojshëm Kosova. Një gjë e tillë kërkon mirëkuptim paraprak rreth asaj se çfarë nënkupton
normalizimi, derisa ky definicion duhet të përhapet sa më shumë në mesin e ndërmjetësuesve
në BE dhe të tjerëve, si SHBA-ja. Kosovës do t’i duhet të punojë shumë për ta përcaktuar dhe
ruajtur një mirëkuptim të tillë me këto shtete kryesore dhe Komisionin e BE-së gjatë procesit të
negociatave, kur presioni për të lëshuar pe rreth pozitës së Serbisë do të bëhet edhe më i fortë.

Natyrisht se disa elemente të normalizimit tashmë janë negociuar dhe disa marrëveshje janë
arritur. Deri më tani, këto marrëveshje e kanë favorizuar Serbinë. Për më tepër, Serbia i ka
zbatuar ato me hezitim të madh, por ka pasur raste kur nuk i ka zbatuar fare. Kosova në masë të
madhe i ka zbatuar ato dhe është munduar që ta theksojë këtë pabarazi. Megjithatë, Brukseli
nuk ka insistuar për zbatimin e barabartë nga të dyja palët.

Kosova do të duhet të punojë edhe më shumë për t’u lënë përshtypje aleatëve të saj më të
ngushtë brenda BE-së me forcën e argumentit, sa i përket këtij aspekti. Prej Kosovës nuk duhet
pritur që vazhdimisht të lëshojë pe dhe të zbatojë marrëveshjet rezultuese, me shpresën e
zbehtë se pala tjetër dikur do ta kompensojë kohën e humbur dhe të nisë zbatimin e zotimeve
të veta.

Çështja e krijimit të asociacionit të komunave serbe është një prej çështjeve kryesore ku
Kosova, në anën tjetër, është akuzuar për zvarritje.

Hezitimi i Kosovës është i kuptueshëm. Ka qenë shumë i vështirë tejkalimi i një ‘shteti paralel’
serb në Kosovë, me Serbinë që ka ofruar beneficione sociale, financiare dhe të tjera për serbët
që jetojnë në Kosovë dhe në enklavat apo komunat e caktuara. Lidhjet midis përfaqësuesve
politikë serbë dhe autoriteteve në Beograd kanë mbetur të theksuara. Krahas kësaj, si është
theksuar më lart, përpjekjet për riintegrimin e Mitrovicës Veriore, që vazhdon të mbetet
ekskluzivisht nën kontrollin serb, kanë dështuar.

Për më tepër, kërkesa për një strukturë të veçantë administrative për komunat serbe, që në
fund mund të merret si një entitet i unifikuar serb brenda Kosovës, është hedhur poshtë
vazhdimisht në të gjitha negociatat ndërkombëtare rreth Kosovës, përfshirë propozimin
gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.

Kosova mund të argumentojë se i ka përmbushur të gjitha elementet e atij dokumenti. Serbia e


ka refuzuar marrëveshjen dhe rrjedhimisht nuk ka ofruar koncesione. Sidoqoftë, në vend se të
dënohet për pengesat e shkaktuara, ajo po ftohet në një tavolinë tjetër bisedimesh – një
marrëveshje shtesë që kërkon koncesione të reja nga pala kosovare.
Megjithatë, është bukur vonë për të ofruar argumente të tilla. Në negociatat e mëparshme për
normalizim, Kosova në mënyrë të qartë është pajtuar për krijimin e asociacionit të komunave
serbe. Në vend se ta pengojë procesin e mëtejmë të normalizimit, për të cilin Kosova mbetet e
interesuar, ajo duhet ta paraqesë një interpretim bindës se çfarë përmban marrëveshja, si dhe
ta ofrojë një projekt për një asociacion të tillë, i cili i përmbush interesat e saj dhe e shmang
shpërbërjen e Kosovës si shtet.

Në të vërtetë, sa më shumë të shtyhet ky proces, aq më pak do të ketë Kosova mundësi ta


formësojë vetë asociacionin. Aktualisht, ajo ende mund të dizajnojë vizionin e saj për
asociacionin, në pajtim me kushtetutën aktuale dhe në pajtim me dokumentin e Ahtisaarit.

Në të vërtetë, Kosova mund ta përdorë dokumentin Ahtisaari, që përndryshe e frenon, për të


zbutur pretendimet e tepruara për një administratë të veçantë serbe përmes asociacionit të
komunave. Dokumenti Ahtisaari ofron një kornizë shumë më të kufizuar për asociacionin lokal
sesa ai që ka gjasa t’i imponohet Kosovës në një fazë të mëvonshme, gjatë fazës kulminante të
dialogut për normalizim. Kosova mund të insistojë në përmbushjen e kërkesës për krijimin e
asociacionit në pajtim me kushtetutën e saj, e cila, mbi të gjitha është krijesë e kërkesave
ndërkombëtare në formën e dokumentit Ahtisaari.

Për ta përmbledhur, Kosova duhet ta identifikojë platformën e saj për normalizim dhe të
sigurohet përmes diplomacisë përgatitore se e ka mbështetjen e aleatëve kryesorë
ndërkombëtar në betejën diplomatike që e pret. Për këtë gjë duhet një proces gjithëpërfshirës
dhe bukur kompleks i planifikimit dhe përgatitjes, me ndihmë të ekspertëve dhe me
konsensusin e partive të ndryshme dhe rivale politike në Kosovë.

Krijimi i një “ekipi uniteti”, që do të përbëhej nga përfaqësues të qeverisë, e madje edhe
opozitës, krahas ekspertëve, është përmendur tash më shumë se një vit. Megjithatë, ndasitë
rreth politikës së jashtme madje edhe brenda Qeverisë, midis presidentit, kryeministrit dhe
ministrit të Jashtëm, nuk janë sinjal i mirë për këtë proces të rëndë dhe që lyps angazhim. Në
vend të kësaj, do të mundë të autorizohej një ekip i përkushtuar ekspertësh, për përcaktimin e
pozicioneve të mundshme dhe propozimeve që mund të inkorporohen në proces, posa që fillon
ai.

Prandaj, është tejet e domosdoshme që udhëheqja kryesore të fokusohet në detyrën e krijimit


të një mekanizmi, që do t’ua mundësonte përgatitjen për procesin, për definimin e pozicioneve
që duhet të prezantohen dhe të mbrohen, ashtu si edhe për krijimin e mbështetjes
ndërkombëtare për këto pozicione. Ajo mund të dëshirojë të krijojë “trust truri” të ekspertëve
me përvojë dhe të besueshëm, në përkrahje të këtij procesi, për t’u siguruar se të paktën puna
e stafit mund të vazhdojë, madje edhe derisa figurat kryesore politike i trajtojnë modalitetet e
brendshme kosovare.

Stabiliteti subrajonal dhe integrimi rajonal


Duke e pasur parasysh se është shtet i vogël dhe se ka një rrugë të gjatë drejt anëtarësimit në
BE, Kosova do të varet prej strukturave funksionale të integrimit subrajonal, që ka të bëjë me
fqinjësinë e saj. Për një gjë të tillë do të duhet investim i konsiderueshëm i kapitalit diplomatik,
për të ndihmuar në aktivizimin e institucioneve ekzistuese të bashkëpunimit, gjenerimit të
infrastrukturës së përbashkët dhe heqjes së barrierave dhe pengesave për tregtinë e lirë dhe
bashkëpunimin.

Kjo detyrë e zgjimit të strukturave pjesërisht të fjetura të integrimit subrajonal në fqinjësinë e


Kosovës mund të duket disi më pak glamuroz, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për
zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Ky proces në të njëjtën kohë paraqet trampolinë drejt
integrimeve të mëtejme brenda sistemit evropian të tregtisë së lirë.

Natyrisht, për integrimin subrajonal duhet fuqizimi i besimit midis Kosovës dhe fqinjëve të saj.
Krahas çështjes së rëndë të normalizimit të raporteve me Serbinë, kjo e ngrit problemin e kufirit
me Malin e Zi.

Mali i Zi kishte qenë nën presion të konsiderueshëm për të arritur tek një marrëveshje, para se
ta siguronte anëtarësimin në NATO. Po të kishte dëshiruar Kosova, ajo do të kishte qenë koha
për të shtyrë përpara çfarëdo pretendimi për territor. Megjithatë, ish-komisionet kufitare të të
dyja palëve u shprehën bashkërisht në favor të marrëveshjes që u nënshkrua në Vjenë, më 26
gusht të vitit 2015.

Qeveria e Kosovës, me kryeministrin e saj të atëhershëm dhe presidentin, zyrtarisht dhe


vazhdimisht konfirmuan që vija kufitare e arritur me marrëveshje ishte kufiri i saktë, si në
aspektin historik, ashtu edhe atë ligjor. Një gjë e tillë u konfirmua prej një numri komitetesh
ndërkombëtare të ekspertëve, ashtu edhe nga qeveritë e jashtme, që rishikuan rezultatet.

Megjithatë, qeveria e Kosovës ra më 2016 rreth ratifikimit të marrëveshjes. Opozita, përfshirë


AAK-në e Ramush Haradinajt, që tani është në krye të Qeverisë, pretenduan se marrëveshja po
jepte territor të Kosovës. Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, e ka marrë përsipër sigurimin e
një marrëveshjeje të rishikuar me Malin e Zi.

Është për të ardhur keq sa shumë kohë është humbur për këtë çështje. Para anëtarësimit të
Malit të Zi në NATO, mund të kryhej ndonjë rivlerësim a revizion i marrëveshjes. Është e
vështirë të kuptohet pse Mali i Zi do të pajtohej për çfarëdo ndryshimi në dëm të vetin, duke
pasur parasysh se më nuk është nën presionin urgjent për ta përfunduar procesin. Në vend të
kësaj, presioni është mbi Kosovën. BE-ja ka deklaruar se nuk do të vazhdojë me procesin e
shumëdëshiruar të liberalizimit të vizave për Kosovën derisa të mos zgjidhet kjo çështje.

Sipas kushteve legale ndërkombëtare, është e zorshme të shihet se si Kosova mund ta sfidojë
vijën kufitare për të cilën është zotuar fuqishëm dhe vazhdimisht qeveria malaziase gjatë dy
vjetëve e gjysmë të fundit. Ndryshimi në Qeveri nuk ndryshon detyrimet legale ose
vlefshmërinë legale të pretendimeve të një shteti. Argumenti turfullues se Kosova do të bëjë
ndryshim në vijën kufitare, çfarëdo qoftë ai, shihet në fakt me të drejtë si kauzë për destabilitet
rajonal.

Mbetet të shihet nëse qeveria e Kosovës mund ta bindë Malin e Zi gjatë javëve të ardhme për
ta rihapur procesin.

Nëse nuk është e mundshme që të rishikohet marrëveshja (me Malin e Zi), Kosova do të mbyste
alternativën e orvatjes së bindjes së Qeverisë malaziase që të pajtohej për arbitrazh. Mandatari
i arbitrarëve do të ishte përcaktimi nëse vija kufitare e identifikuar në marrëveshje është apo jo
kufi i vërtetë, ose që të tërhiqet vijë e re kufitare.

Duke pasur parasysh deklaratat formale dhe të përsëritshme të ish-Qeverisë së Kosovës se


kufiri në fakt është i saktë, arbitrazhi, të vetmen mënyrë që arbitrazhi mund të heqë dorë prej
vijës së dakorduar do të ishte të mos bëheshin hesap kurrfarë deklarimesh prej autoriteteve të
Kosovës gjatë dhe pas procesit të demarkacionit, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Vjenës.

Marrëveshja për një proces të tillë do të kërkonte prej Malit të Zi të hiqte tashmë dorë prej
diçkaje. Do të ishte tregti me vijën kufitare tashmë të dakorduar në Marrëveshjen e Vjenës me
mundësinë e humbjes së territorit në fjalë në rast se trupi i arbitrazhit nxjerr përfundim të
ndryshëm. Përsëri, nuk është e qartë pse Mali i Zi do të duhej të bënte një sakrificë të tillë.
Supozojmë se do të faktonte kundërshtimin e rëndësishëm nga opinioni i brendshëm publik për
pranimin e ndryshimit të marrëveshjes.

Një qasje tjetër do të ishte eksplorimi i ndarjes së sovranitetit në dy zonat e kontestuara, duke
përcaktuar territorin e kontestuar për dy palët barabar. Një tjetër mundësi do të ishte
suspendimi i çështjes së sovranitetit në dy zonat e kontestuara. Një marrëveshje e rishikuar do
të mundë të shmangte çështjen e sovranitetit në linja të kontestuara dhe të vendosen ato nën
regjimin e administrimit të përbashkët, duke lënë pezull çështjen e zgjidhjes së sovranitetit për
më vonë.

Në fund, dhe mbase ka më së shumti mundësi, sovraniteti mund të mbetet siç është propozuar
në marrëveshjen ekzistuese. Kuvendi i Kosovës do të pranonte mbi të gjithë traktatin ekzistues.
Sidoqoftë, dy palët do të negocionin një protokoll shtesë. Ai instrument do të merrej parasysh
për çfarëdo përdorimi të zonave në fjalë prej kosovarëve dhe për sigurimin se detyrimet e
tanishme do të respektoheshin.

Kjo do të përfshinte aranzhime speciale për policim të butë kufitar, përjashtime taksash e
doganash, dhe një mekanizëm për përfshirjen e autoriteteve të Kosovës në licencimin e
gjuetisë, peshkatarisë dhe pyllëzimit. Mund të ketë edhe provizion për ndarjen e të hyrave,
nëse do të zbuloheshin ose eksploatoheshin pasuri të rëndësishme natyrore.

Me pak fjalë, nuk është e thënë se kërkohet zgjuarsi jashtënjerëzore për adresimin e çështjes
kufitare me Malin e Zi. Një gamë e gjerë opsionesh ekziston për zgjidhje dhe Kosova do të
këshillohej mirë që të përfitonte prej këtyre në interes të lejimit të procedimit më tej në rrugën
drejt integrimit nënrajonal dhe të BE-së.

Procesi i stabilizimit dhe asociimit për Kosovën nisi javën e kaluar me konkludimin e
marrëveshjes relevante me Brukselin. Arritja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, pavarësisht
hezitimeve të disa prej anëtarëve të BE-së kur vjen puna te Kosova, është arritje e rëndësishme.

Sidoqoftë, Kosova duhet ta ketë të qartë në mendjen e saj se integrimi në BE është prospekt
shumë i largët. Nuk ka asnjë mundësi që Kosova të hyjë bashkë me Serbinë, nëse Beogradi ende
vazhdon ta dëshirojë anëtarësimin. Rrjedhimisht, Kosova duhet të përqendrohet në arritjen e
përfitimeve të integrimit në rritje, njëherësh të punojë për anëtarësimin për një periudhë të
konsiderueshme.

Duke pasur parasysh këtë perspektivë të largët, Kosova duhet t’ia mbushë vetes mirë mendjen
se hapat e mëtejshëm drejt konvergjencës me standardet e BE-së janë zhvillim pozitiv në
vetvete. Në disa raste mund të jenë të dhimbshëm dhe të kushtueshëm. Sidoqoftë, edhe larg
kohë para anëtarësimit në BE, do ta fuqizojnë aftësinë e saj për të hyrë në tregjet e huaja, të
përmirësojë prodhimin dhe të rrisë cilësinë e jetës në Kosovë. Për më tepër, përfitimet, si
liberalizimi i vizave dhe qasja më e madhe në tregti, do të rriten me kalimin e kohës derisa
Kosova punon sipas standardeve evropiane dhe përmbush sa më shumë kriteret e kërkuara të
lidhura me anëtarësimin aktual.

Njohja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

Kosova ka investuar shumë në një politikë që josh sa më shumë njohje që është e mundshme.
Kjo politikë ka qenë arsyeshëm e suksesshme, duke marrë deri tani 114 njohje. Sidoqoftë, mund
të shtrohet pyetja sa të kuptimshme ishin disa prej këtyre njohjeve. Në vend se të vrapohet për
njohje të reja së paku prej vendeve të vogla ose mikroshteteve, sfida është tani që të ndërtohen
marrëdhënie aktuale me shtetet që e kanë njohur Kosovën. Kjo do ta ndihmonte pozicionin e
Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare në planin afatgjatë, dhe mund t’ua demonstrojë
gjithashtu shteteve të tjera përfitimet prej hyrjes në marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Në të vërtetë, një element i rëndësishëm i strategjisë së marrëdhënieve të jashtme të Kosovës


duhet të jetë përzgjedhja e fushave të politikës ndërkombëtare, ku, pavarësisht prej kapacitetit
të vogël dhe të kufizuar financiar, mund të japë kontribute të rëndësishme dhe të dukshme.
Këtu mund të përfshihen fusha të rëndësishme, si antiterrorizmi, ose fusha si artet dhe
shkencat, ku Kosova mund të ketë kompetenca ose talente të veçanta. Duhet të sigurohet që
çdo vit të mbahen në Kosovë një ose dy ngjarje të mëdha ndërkombëtare ndërqeveritare, duke
ia mundësuar të ketë rol si nikoqir ndërkombëtar njëherësh duke dëshmuar kontributin e saj.

Shtetet e vogla mund të ndjekin më së miri interesat e tyre ose nëpërmjet koalicioneve të
interesave, ose nëpërmjet aleancave. Në rastin e koalicioneve të interesit, shtete të ndryshme
bashkohen për të vepruar bashkërisht për një kauzë të përbashkët. Ta zëmë, grupi i shteteve të
vogla ishullore ia kanë dalë të formojnë një lobim shumë efikas në lidhje me ngritjen e nivelit të
detit, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë në anëtarësi në lidhje me çështje të tjera.

Kosova do të dëshirojë të gjejë fusha ose interes të përbashkët me të tjerët, dhe të përpiqet të
bëhet forcë organizuese e koalicioneve që i ndjekin bashkërisht këto interesa. Të gjithë anëtarët
e tjerë të koalicioneve të tilla do të priren të jenë shtete me qasje të plotë në organizata
ndërkombëtare, duke ndihmuar Kosovën të hyjë në orbitën e atyre trupave ndërkombëtarë të
specializuar. Fokusimi fillestar në bashkëpunim teknik dhe në organizata mund ta lehtësojnë
procesin.

Mënyra e dytë që shtetet e vogla të avancojnë interesat e veta është nëpërmjet aleatëve.
Aleatët janë të lidhur me interesa të përhershme të përbashkëta dhe me raporte historike.
Sidoqoftë, ndryshe prej koalicioneve të interesave, ndihma e aleatëve është e kufizuar në
interesa të përbashkëta specifike (ta zëmë, siguria) që i bashkojnë. Atmosfera e përgjithshme e
raporteve të ngushta dhe miqësore mundëson gjithashtu delegimin e aleatëve prej shteteve më
të vogla në lidhje me nevojat dhe interesat e veçanta të tyre, që mund të jenë të përbashkëta
në shumë sfera.

Andaj, aleatët e Kosovës kanë shprehur vullnetin të investojnë kapital diplomatik në përkrahje
të fushatës së Prishtinës për avancimin e statusit të saj diplomatik. Sidoqoftë, investimi i tillë
është burim i paçmuar. Mund të shteret nëse Kosova dështon të vërë bazat e reputacionit të saj
si partnere stabile dhe e besueshme, ose kur Kosova e çon në fund të pusit përkrahjen e tillë
për projekte që janë të shkruara të dështojnë.

Sa u përket organizatave ndërkombëtare, strategjia duhet të jetë e njëjtë. Është e qartë se


Kosova nuk do të jetë e zonja të bëhet anëtare e plotë e OKB-së, ndonjë institucioni të caktuar,
derisa të mos bëhet normalizimi me Serbinë dhe të mos hiqet pengesa e vetos ruse.

Në vend se të fokusohet në votat kur situata vazhdon të jetë e njëjtë dhe nuk ka asnjë fije
shprese, Kosovës do t’i hynte më fort në punë të përqendrohej në thelb. Duhet t’i dëshmojë
dëshirën dhe zotësinë e saj për t’i kontribuar avancimit të qëllimeve të organizatave
ndërkombëtare respektive, kërkojnë fusha bashkëpunimi, qofshin formale ose informate, dhe
ngadalë avancim të fushatës për anëtarësim. Ekziston gjithashtu edhe mundësia e anëtarit
monitorues në OKB, që do të lehtësonte bashkëpunimin edhe në mungesë të anëtarësimit të
plotë.

Kosova gëzon gjithashtu përparësi të madhe në New York, megjithëse ende nuk ka marrë
njohjen. Muaj pas muajsh, Këshilli i Sigurimit i OKB-së vlerëson situatën në Kosovë. Deri tani,
Prishtina i ka shfrytëzuar këto raste si instancë e mëtejshme e ndërhyrjes ndërkombëtare në
punët e saj dhe për tutelë të padrejtë. Ky është hutim thelbësor.

Duke pasur parasysh se nuk është anëtare e OKB-së, Kosova do të duhej ta shfrytëzonte
mundësinë për ta prezantuar veten në organin e saj më të lartë. Në vend se t’u kundërvihej
ankesave të Serbisë, ose ta mbronte veten në lidhje me ankesat e Përfaqësuesit Special të OKB-
së se ka munguar përparimi për këtë a atë çështje, Prishtina do të duhej shfrytëzuar
mjeshtërisht agjenda. Duhet të përdorë përfaqësimin e saj në këtë nivel të lartë, çdoherë për të
theksuar përparimin dhe arritjet, dhe kontributin jetës ndërkombëtare. Kjo mund të shtrihet
edhe në çështjen e antiterrorizmit, integrimit nënrajonal dhe rajonal dhe zhvillimit të
infrastrukturës së përbashkët, avancimeve të saj në fushën e rendit dhe ligjit, e të tjera.

Afërmendsh ekspozimet e tilla do të tingëllojnë tmerrshëm nëse Kosova minon pozicionin e saj
ndërkombëtar në lidhje me ato çështje nëpërmjet deklarimeve të çoroditura të politikës së
jashtme dhe nismave të ngjashme të para së fundi.

Një qasje proaktive në Këshillin e Sigurimit dhe në instancat e tjera ndërkombëtare ofron
gjithashtu mundësi për krijimin e raporteve me partnerë të rinj. Afërmendsh, është e qartë se
Rusia nuk do të detyrohet të ndryshojë pozicionin e saj për anëtarësimin e OKB-së derisa këtë
ta lejojë Serbia. Për më tepër, do të ishte urti të inkurajohej kontakti joformal me Rusinë në
përmasat e mundshme, dhe të zhvilloheshin raporte me Kinën. Mundësitë për investime,
bashkë me këmbimin kulturor, mund të ofrojnë rrugën fillestare drejt qëllimit final. Hapat e
vegjël mund të pasohen prej të mëdhenjve.

Qartazi, nismat e tilla duhet të baraspeshohen me hapa për rikthimin e besimit të përkrahjes së
aleatëve tradicionalë të Kosovës. Duke pasur parasysh madhësinë e kufizuar dhe pozicionin
ndërkombëtar të Kosovës, aleatët do të vazhdojnë të mbesin faktorë krucialë për avancimin e
pozicionit ndërkombëtar të saj.

Të gjitha këto shtigje dhe fusha do të jenë sfiduese dhe të vështira për Kosovën. Sidoqoftë, do
të jetë e mundshme të avancohen interesat e Kosovës dhe pozicioni ndërkombëtar i saj vetëm
nëse zhvillohet një strategji kombëtare që zbatohet në planin afatgjatë dhe me konsensus
kombëtar që duhet të shihet prej të gjithëve përtej procesit të përditshëm të kontestimit
politik.

(Autor është profesor i Ligjit Ndërkombëtar dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në


Universitetin e Cambridgit. Ai ka shërbyer si këshilltar kyç për Kosovën në Rambuje dhe
negociatat e Ahtisaarit rreth statusit të Kosovës. Pas asaj, ai ka qenë këshilltar i lartë ligjor dhe
për politika në shumë qeveri, në OKB dhe në Këshillin e Evropës. Ai është autor, redaktor apo
bashkëredaktor i rreth 25 librave, përfshirë librin “Shtetësia e kontestuar: Administrimi
ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi (Botimet Koha, 2009), që pati ndikim të madh në
vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në rastin e Kosovës. Autori u jep mirënjohje
komenteve të marra nga Adrian Zeqiti, drejtor ekzekutiv i ECMI Kosova. Qëndrimet e shprehura
në këtë vështrim janë të tijat dhe nuk i atribuohen asnjë qeverie, organizate apo institucioni)

You might also like