Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 7

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

UNIVERSITETI “ALEKSANDËR XHUVANI” ELBASAN

FAKULTETI EKONOMIK

DEGA: SHKENCA JURIDIKE NË SEKTORIN PUBLIK

LËNDA : E DREJTA E PUNES

VITI : III

VENDIM GJYKATE

PUNOI : PRANOI :

LIRI ÇELA MsC. AIDA LLOZANA


Nr.11241-00062-00-2009 i Regj. Themeltar

Nr.00-2012-2805 i Vendimit (547)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:

Ardian Dvorani Kryesues

Arjana Fullani Anëtare

Evelina Qirjako Anëtare

Medi Bici Anëtar

Andi Çeliku Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 27.11.2012 mori në shqyrtim çështjen civile, që u përket:

PADITËS: EDMOND HASA


TË PADITUR: DEGA E DOGANËS ELBASAN
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE TIRANË

OBJEKTI:
Detyrimin e anës së paditur t’i paguajë paditësit

dëmshpërblim për largim të padrejtë nga puna me pagën e një viti,

dëmshpërblim për vjetërsi në punë,

dëmshpërblim me pagën për periudhën e njoftimit të largimit nga puna.

Baza Ligjore: Nenet 143 e vijues, 146-155 të Kodit të Punës.


Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.175, datë 29.01.2007, ka vendosur:

Pranimin e kërkesë-padisë.

Detyrimin e anës së paditur, Degës së Doganës Elbasan, t’i paguajë paditësit


Edmond Hasa si dëmshpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit prej 2
muajsh pagë.

Detyrimin e anës së paditur, Degës së Doganës Elbasan t’i paguajë paditësit


Edmond Hasa si dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme dhe të
pajustifikuar të kontratës së punës pagën për 8 muaj.

Detyrimin e anës së paditur, Degës së Doganës Elbasan, t’i paguajë paditësit


Edmond Hasa si shpërblim për vjetërsinë në punë me pagën e një 15 ditëshi mbi
çdo vit punë të plotë të kryer prej paditësit pranë anës së paditur duke u marrë si
llogaritje paga prej 26.610 lekë në muaj.

Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2008-98 (216), datë 15.04.2008, ka


vendosur:

Lënien në fuqi të vendimit civil nr.175, datë 29.01.2007 të Gjykatës së Rrethit


Gjyqësor Elbasan.

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, në bazë të nenit 472 të Kodit të


Procedurës Civile, ka ushtruar rekurs pala e paditur, Dega e Doganës Elbasan, e cila kërkon
prishjen e këtij vendimi dhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan nr.175, datë
29.01.2007 e vendosjen e pushimit të gjykimit të çështjes;

- Nga provat që ndodhen në dosjen gjyqësore, largimi i nëpunësit është bërë konform
rregullave dhe afateve të parashikuar në ligj.
- Objekti i padisë ka të bëjë me një dëmshpërblim pasuror, ndaj, në bazë të nenit 65 e
vijim të K.Pr.Civile, gjykata duhet të përcaktonte dhe kërkonte pagimin e 1% të vlerës së
padisë, e cila rezulton e papaguar nga pala paditëse.
- Gjykata ka gabuar në ligj. Kontrata e punës është zgjidhur menjëherë, pasi paditësi ka
kryer shkelje të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të
interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, ndaj gjendemi në kushtet e zgjidhjes së
menjëhershme për shkaqe të justifikuara.
- Duke qenë se gjendemi përpara zgjidhjes së menjëhershme të justifikuar të
marrëdhënieve të punës gjykata nuk mund të dëmshpërblente paditësin me 8 paga.
- Në rastin e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës ndaj paditësit janë respektuar si
procedura dhe afati i njoftimit.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË


pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Dvorani; mbrojtjen e përfaqësuesit të palëve të
paditura, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Dega e Doganës Elbasan, juristen Ledjona
Dalipaj, që kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe atij të gjykatës së shkallës së parë
dhe pushimin e gjykimit të çështjes; dhe si e bisedoi çështjen në tërësi,

VËREN
Vendimi nr.216, datë 15.04.2008 i Gjykatës së Apelit Durrës është dhënë në zbatim të
drejtë të ligjit procedural e material, prandaj duhet të mbetet në fuqi.

Kolegjit Civil, nga shqyrtimi i çështjes dhe vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta, i
rezulton e pranuar si e vërtetuar prej tyre se nga data 25.12.2000 paditësi Edmond Hasa ka
qenë i punësuar si shofer në Degën e Doganës së Elbasanit.

Me urdhrin nr.4726/30 të datës 16.06.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave,


paditësi Edmond Hasa është larguar nga puna me motivin e ekzistencës së konfliktit të interesit
me ushtrimin e detyrës sepse përfshihet në rrethin e personave që ushtrojnë veprimtari
tregtare.

Në të tilla rrethana, sipas paditësit, marrëdhëniet e punës janë zgjidhur pa respektuar


procedurën dhe afatin e parashikuar nga Kodi i Punës, në kushtet e zgjidhjes së menjëhershme
e të pajustifikuar të kontratës së punës, në kushtet kur nuk qëndron motivi i konfliktit të
interesit, paditësi Edmond Hasa ka ngritur padi në gjykatë me objekt e shkak ligjor zgjidhjen e
kontratës së punës dhe përfitimin e dëmshpërblimeve përkatës sipas Kodit të Punës, duke
thirrur në cilësinë e palës së paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Degën e
Doganave Elbasan.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke marrë parasysh shkakun ligjor dhe objektin e
padisë, mbështetur në rrethanat e faktit të vërtetuara nga provat e debatuara dhe
administruara në gjykim, ka ardhur në përfundimin se padia duhet të pranohet.

Në thelb, gjykata e shkallës së parë arsyeton se, ndërprerja e marrëdhënieve të punës


është bërë në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar. Paditësi, si punëmarrës nuk ka
kryer ndonjë veprim në shkelje të detyrave kontraktuale dhe me faj sipas kontratës së punës
dhe Kodit të Punës. Madje as edhe motivi i konfliktit të interesit ku mbështetet zgjidhja e
kontratës së punës nuk u vërtetua në gjykim sepse palët e paditura nuk paraqitën asnjë provë
që të vërtetojë këtë pretendim.

Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, pala e paditur ka paraqitur ankim në


gjykatën e apelit.

Gjykata e Apelit Durrës, pasi ka shqyrtuar shkaqet e ngritura në ankimin e palës së


paditur, i ka vlerësuar ato si të pambështetura në ligj e në prova. Për rrjedhojë, ka ardhur në
përfundimin se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të mbetej në fuqi, duke parashtruar
në thelb arsyetim të njëjtë me gjykatën e shkallës së parë.

Kundër vendimit të gjykatës së apelit, pala e paditur ka paraqitur rekurs në Gjykatën e


Lartë. Në rekurs, ngrihen të njëjtat pretendime për vlerësim të gabuar të provave dhe zbatim të
gabuar të ligjit, të cilat i ishin parashtruar edhe gjykatës së apelit nëpërmjet ankimit ndaj
vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Në thelb, pretendohet se largimi nga detyra i paditësit
ishte e justifikuar për shkak se ka shkelur ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e
konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sepse duke qenë punonjës i
doganave ka ushtruar njëkohësisht veprimtari tregtare. Sipas Kodit të Punës dhe dispozitave
zbatuese të Kodit Doganor, largimi nga puna është i motivuar. Nisur nga objekti i padisë ku
kërkohet dëmshpërblim, paditësi duhet të paguante paraprakisht 1% të vlerës së këtij
dëmshpërblimi.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i gjykatës së apelit nuk ka vend që të
cenohet, prandaj duhet të mbetet në fuqi.

Kolegji Civil vëren se, në rrethanat e çështjes objekt gjykimi, gjykata e apelit, sikurse
edhe gjykata e shkallës së parë, me të drejtë kanë konkluduar që marrëdhënia e punës është
zgjidhur në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar në kuptim të nenit 153 dhe 155 të
Kodit të Punës. Neni 153 parashikon se:

“1. Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për
shkaqe të justifikuara.

2. Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas


parimit të mirëbesimit, t'i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të
punës.

3. Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të


kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet
kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me
faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit”.

Në interpretim dhe zbatim të dispozitave të sipërcituara, zgjidhja e menjëhershme e


kontratës së punës është e justifikuar vetëm nëse punëmarrësi ka shkelur detyrimet
kontraktuale me faj të tij. Në çështjen objekt gjykimi, nga ana e palës së paditur, pretendohet
se motivi i justifikuar i largimit të paditësit nga puna është rrethana që ai është në konflikt
interesi me detyrën meqenëse ushtron njëkohësisht edhe veprimtari tregtare. Kolegji Civil
vlerëson që, edhe nëse ky motiv do të pranohej si i vërtetuar, përsëri nuk përbën shkak të
justifikuar për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës, në kuptim të neneve 153 e 155
të Kodit të Punës, pra pa respektuar procedurën dhe afatin e njoftimit. Nuk përbën “faj” dhe
sjellje në “shkelje kontraktuale” rrethana që, disa vite pasi ishte i punësuar rregullisht, me
rregulla normative të mëvonshme ndryshojë kriteret e pranueshmërisë dhe pajtueshmërisë së
punëmarrësit me detyrën e tij. Punëdhënësi mund të veprojë sipas dispozitave në fuqi për të
mos lejuar këtë papajtueshmëri të personit me detyrën për shkak të veprimtarisë tjetër private
të tij, por kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për “shkelje” të kontratës së punës nga punëmarrësi.
Rrjedhimisht nuk është i justifikuar largimi i menjëhershëm nga puna i punëmarrësit pa
respektuar procedurën dhe afatet e njoftimit të parashikuara nga Kodi i Punës.

Në rrethanat e çështjes objekt gjykimi është vërtetuar që në kohën e marrjes në punë


nuk kanë ekzistuar rregulla normative të tilla që e vendosnin paditësin Edmond Hasa (shofer) në
konflikt interesi me detyrën e tij pranë palës së paditur. Këto rregulla normative janë vendosur
në një kohë të mëvonshme. Ato mund të gjejnë zbatim por pa cenuar të drejtat e tjera që ligji,
p.sh. Kodi i Punës, i garanton punëmarrësve në konflikt interesi. Prandaj, duke qenë se paditësi
nuk ka kryer vetë ndonjë veprim në shkelje të detyrave kontraktuale, largimi i tij nga puna
vlerësohet të jetë kryer në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar sipas neneve 153 dhe
155 të Kodit të Punës.

Sa më sipër është e mjaftueshme për të konfirmuar si të dhëna në zbatim të drejtë të


ligjit vendimet e gjykatës së apelit dhe gjykatës së shkallës së parë.

Gjithsesi, gjykatat e faktit kanë pranuar të vërtetuar edhe se, gjatë gjykimit, nga ana e
palëve të paditura, nuk u paraqit asnjë provë në mbështetje të pretendimit të tyre se largimi i
paditësit nga puna është bërë për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit të pozicionit të
tij si shofer i degës doganore me ushtrimin e një veprimtarie private prej tij.

Së fundi, nuk qëndron pretendimi se paditësi duhet të kishte parapaguar si taksë


gjyqësore vlerën prej 1% të dëmshpërblimit të kërkuar me anë të padisë. Kolegji Civil vëren se
ngatërrohet natyra e gjykimit. Në çështjen objekt gjykimi jemi përpara një mosmarrëveshje
lidhur me marrëdhëniet e punës, për të cilën paditësi ka parapaguar taksën përkatëse, dhe jo
para një padie për dëmshpërblim të dëmeve të tjera me natyrë kontraktore a
jashtëkontraktore.

Pjesa tjetër e shkaqeve të ngritura në rekurs lidhen me vlerësimin e provave nga


gjykatat më të ulëta, gjë që nuk bën pjesë në objektin e gjykimit të Gjykatës së Lartë, si gjykatë
ligji.

PËR KËTO ARSYE


Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “a” të nenit 485 të Kodit të
Procedurës Civile,

VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit nr.10-2008-98 (216), datë 15.04.2008 të Gjykatës së Apelit
Durrës.

Tiranë, më 27.11.2012

You might also like