Lufta e Bedrit (Vështrim Analitik)

You might also like

Download as doc, pdf, or txt
Download as doc, pdf, or txt
You are on page 1of 4

Dr.

Ziber Lata

PËRSIATJE NË LUFTËN E BEDRIT

Në mars të vitit 624, në vendin e quajtur Bedër u zhvillua beteja e parë mes
myslimanëve dhe politeistëve të Mekës. Kjo ngjarje ishte shumë vendimtare për
të ardhmen e myslimanëve, bile për mbarë njerëzimin, sepse disfata në këtë
betejë do t’i vendoste një pikëpyetje të madhe perspektivës së misionit të ri i cili
la gjurmë të pashlyeshme gjatë të gjithë epokave historike. Aty u ballafaquan 314
myslimanë, të kryesuar nga profeti Muhamed, me 1000 politeistë të armatosur
deri në dhëmb. Pas një ballafaqimi të ashpër mes dy taborëve, luftën e fitoi e
drejta.

Shtypjet, torturat dhe plaçkitja e pasurisë, i shtyu muhaxhirët që ta ndalin


karvanin tregtar dhe ta kthejnë pasurinë e tyre. Mirëpo, Ebu Sufjani arriti që të
shkëputet dhe të mbërrijë në Mekë më herët, ku e informoi parinë e Mekës se
myslimanët e kanë ndaluar karvanin dhe dëshirojnë t’ju sulmojnë. Edhe pse më
vonë u erdhi lajmi se karvani ka shpëtuar, ata vendosën që të organizojnë një
ushtri madhështore për ta hequr qafe njëherë e përgjithmonë Muhamedin a.s.
bashkë me shokët.

Ishin politeistët ata të cilët morën iniciativë për ta filluar këtë betejë, të cilët
kërkonin vetëm shkakun më të vogël për ta ndezur një luftë me myslimanët.
Urdhri për të dalë në Bedër nuk u lëshua nga Muhamedi a.s., por nga Ai i cili e
mbikëqyrte çdo hap të misionit të tij, bile profetit Muhamed vazhdimisht i
kërkohej nga shokët që sa më parë ta niste një luftë me mekasit, sepse u kishte
ardhur deri në majë të hundës, por ai nuk lejonte, derisa erdhi urdhri hyjnor dhe
lufta mbeti opsioni i vetëm i pashfrytëzuar. Gjithashtu, duhet potencuar se, jo
vetëm lufta e Bedrit, por të gjitha betejat e zhvilluara nga Muhamedi a.s., nuk
mëtonin të imponojnë besim apo pushtet, por ta çlirojnë dhe ta lënë të lirë njeriun
që të besojë atë që do vetë.

1
Islami është religjioni me të cilin përfundoi predikimi i misionit hyjnor në
Tokë. Duke e pasur në konsideratë faktin se islami është religjioni përmbyllës i
ciklit të profetëve dhe përfaqësuesi i të gjitha revelatave deri në ditën e fundit të
kësaj bote, tregon se Kurani dhe jeta profetike e Muhamedit a.s. duhet të jenë aq
elastike sa të jenë të lexueshme dhe aktuale për çdo periudhë kohore. Në mesin e
tyre është edhe Lufta e Bedrit, dimensione të së cilës vazhdojnë të reflektojnë në
shumë pore të jetës sonë dhe atë në të gjitha nivelet.

Profeti Muhamed a.s. qysh në fillim të misionit, kur e shpalosi platformën e


tij ideologjike dhe vepruese, për politeistët e Mekës ishte një absurd i
papranueshëm, prandaj iu kthyen bumerang dhe vazhdimisht përpiqeshin ta
pengojnë realizimin e këtij misioni. Kjo për shoqërinë e asaj kohe provokonte
paradigmën e të menduarit dhe të jetuarit të deriatëhershëm. Kuptohet, ishte e
vështirë puna trembëdhjetëvjeçare në Mekë, por aktiviteti ishte i vazhdueshëm
për ta ndryshuar këtë paradigmë të gabuar të shoqërisë së atëhershme. Të gjitha
përpjekjet gjatë periudhës mekase sadopak i dobësuan disa anë të paradigmës së
politeizmit, kurse Beteja e Bedrit përfundimisht e deklasoi atë formë të të jetuarit
dhe u bëri me dije se tani me seriozitetin më të madh po instalohet një paradigmë
e re, një rend i ri botëror i quajtur islam.

Beteja e zhvilluar në vendin e quajtur Bedër është ngjarje e cila ndryshoi


rrjedhën e botës, aspekte të së cilës janë të gjalla dhe identike me aspekte të
ndryshme bashkëkohore shumëdimensionale, dhe jo vetëm luftarake.

Çdokush që do të bënte një krahasim mes Luftës së Bedrit dhe luftërave


moderne do të bënte një krahasim të pavend. Beteja e Bedrit ishte revolucion i
altruizmit, arsimimit, moralit, etikës etj. Të gjitha luftërat që ndërmori i dërguari i
Zotit, mënyra, forma dhe rezultati i tyre, tregojnë se ai luftoi për t’u dhënë
mundësinë e jetës njerëzve dhe jo për t’i vrarë apo persekutuar ata.

Përsosmëria dhe superioriteti i vlerave islame reflekton në çdo ibadet (rit)


dhe në të gjitha aspektet e jetës së profetit Muhamed. Çdo segment i traditës
profetike përbën një mozaik të çmuar të tërësisë së vlerave islame, të cilin vetëm
të zotët e mendjes mund ta deshifrojnë.

2
Mjafton lufta e Bedrit që sot të kuptohet transparenca, liberalizmi dhe liria e
fjalës brenda mësimeve islame. Përderisa nëpër botë pandërprerë punohet për
lirinë e të shprehurit, trillohen propaganda të ndryshme islamofobe, duke e
paraqitur islamin si religjioni i cili e cenon të drejtën e të shprehurit dhe lirinë e
mendimit, Muhamdi a.s. edhe në kohë lufte pranonte sugjerimin e të tjerëve dhe
i konsultonte ata. Vetëm brenda kësaj lufte, në katër raste kyçe shihet interesimi i
Muhamedit a.s. për t’u konsultuar me shokët: kur e ndaluan karvanin, kur
vendosën të luftojnë në Bedër, kur morën pozicion në betejë dhe në fund me
robërit e luftës. Edhe pse ai ishte njeri i pagabueshëm, në të gjitha rastet u vendos
sipas mendimit të të tjerëve, ashtu që konsulta të merr vendin e një institucioni të
rëndësishëm në mësimet islame.

Fatkeqësisht dhe me çoroditje sot nëpër mediat botërore keqpërdoret dhe


keqinterpretohet një nga termat e shenjtë të leksikut islam, bile vazhdimisht
paraqitet si sinonim i terrorizmit. Ai është termi xhihad. Pa dashur t’i bëj analizë
etimologjike dhe leksikore termit në fjalë, drejtpërdrejt do të kyçem në ambientin
përgatitor të luftës së Bedrit, sepse ky ishte xhihadi i parë dhe modeli kryesor i
xhihadit për mbarë myslimanët, ku i Dërguari i Zotit i jep këto porosi: “O ju
njerëz, ju porosis me dhjetë gjëra dhe mbajini mend nga unë: Mos vritni gra, as fëmijë
dhe as pleq! Mos pritni pemë që prodhon fruta, mos prishni ndërtesa dhe mos therni dele
e deve, veçse për të ngrënë! Mos prisni asnjë hurme dhe as mos i digjni! Mos fshihni gjë
nga plaçka e luftës dhe mos dezertoni!”

Shumëdimensionaliteti dhe efekti i shumanshëm i misionit hyjnor të


kryesuar me profetin Muhamed arriti që luftën ta shndërrojë në një çerdhe të
mirëfilltë arsimore. Të gjithë robërit e luftës të cilët dinin shkrim dhe lexim, lirinë
e fitonin nëse të njëjtën ua mësonin dhjetë myslimanëve.

Burrat që e zhvilluan këtë luftë janë pishtarë të qëndrueshmërisë,


përkushtimit dhe flijues të idealeve. Ata nuk u thyen edhe përballë sfidave më të
vështira për t’i arritur objektivat dhe synimet e tyre altruiste.

Para delegimit të Muhamedit a.s., familjet arabe funksiononin në bazë të


parullës “Ndihmo vëllain tënd në të drejtë e të shtrembët!”, kurse në Bedër ky
koncept i gabuar u thye, aty u riformua kodi i ri familjar dhe shoqëror. Aty

3
luftonte e drejta me të padrejtën, etika me joetikën, sistemi me anarkinë etj. Në
Bedër u desh t’i ndajnë anët babai me djalin, sepse aty nuk ishte afërsia familjare
ajo që e përcaktonte se në cilën anë duhet rreshtuar, por ideali i pavdekshëm i cili
lindi me ardhjen e fesë islame.

Për dallim prej të tjerëve, ngjarjet dhe ndodhitë në të kaluarën islame


përkujtohen për të mësuar dhe për të thithur nektarin e pashtershëm të tyre.
Prandaj, sot jemi tubuar për ta kujtuar ngjarjen e Luftës Madhështore të Bedrit,
por më shumë për ta kujtuar krenarinë dhe dinjitetin të cilin myslimanët e
kthyen vetëm pas pesëmbëdhjetë vjetëve. Plot pesëmbëdhjetë vjet ishin të
nënshtruar, të shtypur dhe të distancuar, por në Bedër përfundimisht u kthye
krenaria e të qenët mysliman dhe njeri me plot të drejta sikur anëtarët tjerë të
shoqërisë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë ta përkujtojmë shkollën e Bedrit,
sepse në çdo cep të botës nëpërkëmbet, shkelet dhe përdhoset krenaria e njeriut.

Bedri përfaqëson simbolikën më të përkryer të zhveshjes nga interesi


personal dhe nepotizmi në favor të vlerave altruiste. Të gjithë luftëtarët e Bedrit
hoqën dorë nga pasuria, familja dhe kënaqësia e kësaj bote, që ne sot të jetojmë
në paqe dhe të njohim vlerat e njëri-tjetrit.

Është absurde që një individ të thirret në vlera dhe të festojë Bedrin duke
qenë i mishëruar brenda rrethit të interesit të padrejtë personal, familjar apo
kolektiv. Bedri është ngjarja e cila i mundësoi të Dërguarit që misionin e vet ta
përfunojë me këto fjalë: “Gjaku, pasuria, nderi dhe krenaria për njëri-tjetrin janë
të shenjta.”

Në fund, do të kisha dashur që fjalimin tim ta përfundoj me fjalët që profeti


Muhamed e përmbylli këtë luftë, i cili thoshte: “U kthyem prej një xhihadi të
vogël, për t’iu kthyer xhihadit të madh, luftës së jetës!” Këto fjalë na mësojnë se
misioni profetik i kryesuar nga Muhamdi a.s. nuk synon t’ia mësojë njerëzimit
parimet e luftës, por ta nxjerrë atë nga konflikti dhe ta edukojë që në çdo pore të
jetës të jetojë me dinjitet, paqe dhe krenari.

You might also like