Download as doc, pdf, or txt
Download as doc, pdf, or txt
You are on page 1of 4

Faqja 12/13 - SPECIALE Janar 7, 2003

DOSSIER

Dëshmia e 42-vjeçarit, Shpëtim Tufa, mbi krijimin e organizatës antikomuniste që kishte si


qëllim të sulmonte me armë burgun e Spaçit. Arrestimi i grupit pas dështimit të aksionit të parë

Dhjetor 1980, ja si u zbulua në Tiranë organizata "Dora e hekurt"

Dashnor Kaloçi

Pasi xhaxhai im. Ahmet Tufa, kishte biseduar për afro dy-tre vjet me rradhë me disa
persona nga familjet e prekura duke u folur atyre kundra regjimit komunist të Enver
Hoxhës, më zgjodhi mua dhe katër persona të tjerë si më të përshtatëshmit për të krijuar
organizatën antikomuniste që ai kishte menduar prej kohësh. Pasi krijoi bindje të plotë
tek të gjithë ne, aty nga mesi i dhjetorit i vitit 1980-të, ai na mblodhi në shtëpinë e tij që
ndodhej diku në katin e parë të një pallati në afërsi të fushës së druve në periferi të
Tiranës. Në shtëpinë e tij ne shkuam ditën dhe sipas porosisë që na kishte dhënë ai që
më përpara, kur hymë brenda u prezantuam me emra të rremë, pasi nuk kishim asnjë
njohje me njëri-tjetrin. Ahmeti na tha se sipas fjalës që i kishim dhënë, qëllimi i atij takimi
ishte për të formuar organizatën antikomuniste me emrin "Dora e hekurt".

Pasi e miratuam njëzëri krijimin e saj dhe Ahmetin si kryetar, u vendos që do të kryenim detyra
konkrete, ku ndër më kryesoret ishin: rrëmbimi i një makine shkrimi për shtypjen e trakteve dhe
hapja e një depoje armësh që ndodhej diku në periferi të Tiranës". Njeriu që flet dhe dëshmon
për herë të parë për "Gazetën", është 42-vjeçari Shpëtim Tufa nga Tirana, ish i burgosur politik
gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili rrëfen mbi krijimin e organizatës antikomuniste
"Dora e hekurt", në vitin 1980-të, ku ai ishte pjestar i saj. Po cili ishte ideatori dhe organizatori i
krijimit të asaj organizate dhe kush ishin personat e tjerë që morën pjesë në mbledhjen
themeluese? Si mundi të penetronte Sigurimi i Shtetit duke futur njeriun e tyre brenda rradhëve
të saj dhe si dështoi aksioni i parë për rrëmbimin e makinës së shkrimit në një nga zyrat e
Ndërrmarrjes "21 Dhjetori"? Si u bë e mundur arrestimi i të gjithë pjestarëve të asaj organizate
në një ditë dhe përse gjykata iu dha atyre dënimet maksimale?

Kush është Shpëtim Tufa


Shpëtim Tufa u lind në vitin 1961 në qytetin e Tiranës dhe origjina e hershme e familjes së tij
është nga fshati Zall-Herr që ndodhet në veri-lindje të kryeqytetit. Pas mbarimit të tetëvjeçares,
Shpëtimi bëri një vit shkollë në degën e minierave dhe më pas u detyrua të futej në punë për
arsye të gjëndjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhej familja e tij. Lidhur me këtë dhe të
kaluarën e familjes së tij, Shpëtimi dëshmon: "Një nga arsyet e tjera që më detyroi që të futesha
në punë dhe të vazhdoja shkollën e natës, ishte dhe ajo që unë nuk kisha asnjë shpresë për
ndonjë të drejtë studimi për në universitet, për shkak të biografisë familjare që kisha. Të parët e
familjes sime kishin qenë mbështetës të Monarkisë së Zogut dhe gjyshi im, Hajdar Tufa me
xhajën e tij, Ahmetin, njiheshin si miq të ngushtë të major Xhemal Herrit. Nisur nga ajo biografi e
familjes, babai im, Bedriu, kishte qenë i detyruar që të punonte si punëtor krahu, duke bërë lloj-
lloj punësh në zanate të ndryshme si bojaxhi, kaldaist, teknik etj. Aty nga viti 1966, babai së
bashku me një shokun e tij, vendosën të arratiseshin nga Shqipëria dhe shkuan deri në afërsi të
kufirit në fshatrat e Gjirokastrës, ku dhe u kapën nga rojet ushtarake. Pas kësaj babai u dënua
me dhjetë vjet burg politik, të cilin ai e vuajti në disa kampe të ndryshme dhe u lirua në vitin
1975 nga Spaçi. Në atë kohë që babai vuante dënimin në burg, u arrestua dhe u dënua me
gjashtë muaj, edhe i vëllai i tij, Ahmeti, gjatë kohës që ai kryente shërbimin e detyrueshëm
ushtarak në një nga repartet e punës. Të gjitha këto ndikuan që familja jonë të shihej me sy të
keq nga regjimi komunist në fuqi dhe ne ta na mbylleshin dyert për çdo gjë, duke e vështirësuar
së tepërmi gjëndjen tonë ekonomike. Kështu pasi unë mbarova shkollën e mesme natën, kisha
dëshirë që të vazhdoja kursin e shoferëve, por nuk më lejuan duke më treguar hapur biografinë
e familjes", kujton Shpëtim Tufa lidhur me origjinën e familjes së tij dhe peripecitë që e ndoqën
atë pas dënimit të babait dhe xhaxhajt.

Ideja e Ahmet Tufës për organizatën


Xhaxhai i Shpëtimit, Ahmet Tufa, i cili ishte vetëm katër vjet më i madh në moshë se ai, pas
lirimit nga burgu mundi që të fillonte punë si pënëtor llaçi në një nga kantieret e Ndërrmarjes së
Ndërtimit "21 Dhjetori" të Tiranës. Duke u robëtuar gjithë ditën në atë punë të vështirë e nisur
edhe nga biografia e familjes, ai kishte krijuar pakënaqësi të mëdha ndaj regjimit komunist në
fuqi. Ato pakënaqësi ai filloi t'i shprehte hapur me disa nga miqtë e shokët e tij më të ngushtë të
rrethit shoqëror dhe në atë kohë ai mendoi që të krijonte një organizatë antikomuniste, e cila do
të kryente veprime konkrete. Lidhur me këtë, Shpëtim Tufa dëshmon: "Idenë për krijimin e një
organizate antikomuniste, Ahmeti, e kristalizoi aty nga mesi i vitit 1980-të, por ai kishte kohë që
bisedonte me persona të ndryshëm të rrethit të tij shoqëror nga familjet e prekura, të cilëve iu
fliste për gjëndjen e vështirë në të cilën ndodheshin familjet e tyre. Ato biseda që kishin në thelb
pakënaqësitë ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, Ahmeti, i bënte vetëm për vetëm me ata
persona që ai kishte bindje të plotë që nuk mund ta denonconin. Ai iu thoshte atyre se si ata të
dy, në Shqipëri kishte me mijra të tjerë dhe ashtu në atë gjëndje mizarabeliteti nuk mund të
vazhdohej më. Si rrugëzgjidhje, Ahmeti, iu sugjeronte bashkëbiseduesëve të tij, që të
ndërgjegjësonin dhe persona të tjerë nga familjet e prekura, me qëllim që rrethi i tyre të
zgjerohej dhe duke u bashkuar mund të bëhej diçka. Ato biseda ai nisi që t'i bënte edhe me mua
aty nga mesi i vitit 1980-të, kur unë prisja që të thërritesha për të kryer shërbimin e detyruar
ushtarak", kujton Shpëtim Tufa për xhaxhanë e tij, Ahmetin, i cili bënte një propagandë
antikomuniste me persona nga familjet e prekura, me idenë për të krijuar një organizatë
antikomuniste.

Si u krijua "Dora e hekurt"


Idenë e tij për krijimin e organizatës "Dora e hekurt, Ahmet Tufa e bëri realitet në dhjetorin e vitit
1980-të. Lidhur me këtë, Shpëtimi dëshmon: "Pasi xhaxhai im. Ahmet Tufa, kishte biseduar për
afro dy-tre vjet me rradhë me disa persona nga familjet e prekura duke u folur atyre kundra
regjimit komunist të Enver Hoxhës, më zgjodhi mua dhe katër persona të tjerë, si më të
përshtatëshmit për të krijuar organizatën antikomuniste që ai kishte menduar prej kohësh.
Përveç meje, në grupin e personave që ai kishte menduar për krijimin e bërthamës së saj, bënin
pjesë dhe Fatamir Lakasi, dy vëllezërit, Gëzim dhe Agron Talo, si dhe një person tjetër i quajtur
I.L. Fatmiri që në atë kohë ishte 21 vjeç, ishte me origjinë nga Burreli dhe banonte në një shtëpi
private fare pranë Institutit Bujqësore në Kamëz. Atij i kishin pushkatur një vëlla dhe njëra nga
motrat e tij kishte bërë tre vjet burg për politikë. Ndërsa dy vëllezërit Talo, të cilët gjithashtu
rridhnin nga një familje e prekur politikisht, ishin me origjinë nga Korça dhe ata kishin banuar ca
vjet diku andej nga qyteti i Laçit. Në atë kohë Gëzimi ishte 24 vjeç dhe Agroni dy vjet më i vogël.
Në atë kohë ata ishin të papunë dhe Agroni kishte qenë i dënuar me gjashtë muaj burg. Personi
tjetër i grupit quhej I.L. dhe ai kishte kryer shërbimin ushtarak bashkë me Ahmetin. Aty nga mesi
i dhjetorit i vitit 1980-të, Ahmeti krijoi bindje të plotë dhe na mblodhi në shtëpinë e tij që ndodhej
diku në katin e parë të një pallati në afërsi të fushës së druve në periferi të Tiranës. Në shtëpinë
e tij ne shkuam ditën dhe sipas porosisë që na kishte dhënë ai që më përpara, kur hymë brenda
ne u prezantuam me emra të rremë, pasi në atë kohë ne nuk kishim asnjë njohje me njëri-tjetrin.
Nga ata persona unë kisha njohje vetëm me Fatmir Lakasin. Mbledhjen e hapi Ahmeti i cili na
tha po ato gjëra që na i kishte thënë të gjithëve në takimet që kishte bërë me ne veç e veç. Në
thelb të fjalës së tij ishte gjëndja e mjeruar në të cilën ndodhej vëndi ynë si rezultat i politikës së
regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kuptohet se për vetë formimin tonë të cunguar, ne nuk
mund të bënim analiza të plota intelektuale, por ajo që na bashkonte ishte urrejtja ndaj regjimit.
Pas fjalës së Ahmetit, folëm edhe ne të tjerët duke e mbështetur në të gjitha ato probleme që na
parashtroi ai dhe në fund ai na tha se sipas fjalës që i kishim dhënë, qëllimi i atij takimi ishte për
të formuar organizatën antikomuniste me emrin "Dora e hekurt". Pasi e miratuam njëzëri krijimin
e saj dhe Ahmetin si kryetar, u vendos që do të kryenim detyra konkrete, ku ndër më kryesoret
ishin: rrëmbimi i një makine shkrimi për shtypjen e trakteve, e cila ndodhej në një zyrë kantieri të
Ndërrmarjes së Ndërtimit "21 Dhjetori" që ndodhej ngjitur me murin e Kinostudios. Makina e
shkrimit do të na duhej për shtypjen e trakteve të organizatës sonë, (e cila mua ngarkua mua se
isha me shkollë të mesme) dhe vëndin e saktë të saj e dinte vetëm Ahmeti, pasi ai punonte atje
tek ai pallat. Ndërsa detyra e dytë që do të kryenim, ishte aksioni për hapjen e një depoje
armësh të çetave vullnetare që ndodhej diku në periferi të Tiranës, në fshatin Shkozë afër
repartit të Diagaçeve. Si pikë e tretë e mbledhjes u vendos që pas rrëmbimit të armëve dhe
fshehjes së tyre në shtëpinë e Fatmirit në Kamëz, ne do të mblidheshim përsëri në një takim
tjetër ku do të vendosnim që të sulmonim burgun e Spaçit. E gjithë mbledhja vazhdoi rreth një
orë e gjysëm dhe nga ne të gjashtë aty mungoi vetëm Gëzim Talo, i cili për një problem familjar
nuk mundi që të vinte dotë në orën e caktuar. Pas përfundimit të mbledhjes, unë u largova
bashkë me Fatmirin, kurse të tjerët u larguan veç e veç", kujton Shpëtim Tufa lidhur me
mbledhjen e bërë në shtëpinë e xhaxhait të tij për krijimin e organizatës antikomuniste që u
quajt me emrin "Dora e hekurt" dhe detyrat që do të kryenin ata.

Dështimi i aksionit dhe arrestimi i grupit


Po a mundi të kryente ajo organizatë ndonjë nga aksionet që planifikoi të bënte në atë kohë dhe
a kishte dijeni Sigurimi i Shtetit për krijimin e saj? Lidhur me këtë, Shpëtimi dëshmon: "Tre katër
ditë pas asaj mbledhje, ne vendosëm që të kryenim rrëmbimin e makinës së shkrimit, aksion i
cili do të kryhej nga Ahmeti, Agroni dhe I. L.-ja, kurse ne të tjerët do të ishim në mbështetje të
tyre duke kontrolluar vëndin. Kur shkuam në afërsi të pallatit ku ndodhej zyra me makinën e
shkrimit, pamë se aty lëviznin shumë persona të veshur me rroba pune (bluxhins) të reja, për të
cilët ne dyshuam se ishin njerëz të Sigurimit. Nisur nga ajo gjë, Ahmeti sugjeroi që të
tërhiqeshim pa e kryer aksionin, kurse I. L.-ja ngulte këmbë që aksioni duhej kryer me çdo
kusht. Por me insistimin e Ahmetit ne u tërhoqëm dhe u shpërndamë pa e kryer aksionin që
kishim menduar për rrëmbimin e makinës së shkrimit. Po atë ditë pas dështimit të atij aksioni,
ndodhi dhe arrestimi i grupit tonë. I pari u arrestua xhaxhai im, Ahmeti, në shtëpinë e tij dhe i
dyti u arrestova unë. Arrestimi im u krye në shtëpinë e Ahmetit, kur unë kisha vajtur për ta
pyetur në lidhje me dështimin e aksionit. Sapo hyra brënda, mua më kapën njerzit e Sigurimit të
cilët ishin duke kryer kontrollin e banesës. Ata më hodhën hekurat duke më thënë shprehjen e
zakonshme: në emër të popullit je i arrestuar. Pas arrestimit ata më lanë aty për disa minuta deri
sa erdhi makina e Degës që kishte shkuar për të më kapur mua në shtëpinë time që në atë
kohë ndodhej në Tiranën e re, tek pallatet "Moskate". Po kështu atë mbrëmje u arrestuan në
shtëpitë e tyre edhe Fatmir Lakasi me dy vëllezërit Talo. Pas arrestimit ne na dërguan në
burgun 313-të ku dhe na bënë hetuesinë që zgjati deri në muajin korrik të vitit 1981. Hetuesit
ngulnin këmbë të dinin se kush ishte koka e grupit tonë dhe deri ku shtrihej ai, pasi ata nuk
besonin se Ahmeti ishte organizatori kryesor i tij. Grupin tonë prej pesë vetash e nxorrën në gjyq
në muajin prill të vitit 1981dhe na na akuzuan vetëm për agjitacion e propagandë, duke na
dënuar nga pesë deri në dhjetë vjet. Por pas 10-15 ditësh ne na riarrestuan përsëri brenda në
burg dhe na kthyen përsëri në hetuesi ku na dhanë aktakuzën tjetër ku thuhej: Pjesmarrje në
një organizatë kundërevolucionare për përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë dhe agjitacion
e propagandë. Ne në fillim nuk e pranuam atë akuzë, por na vunë përpara një kasetofon ku
ishin të regjistruara të gjitha bisedat tona të bëra në shtëpinë e Ahmetit, atë ditë që ne kishim
formuar organizatën "Dora e hekurt". Pas asaj ne mësuam të vërtetën e asaj që kishte ngjarë
me ne. Regjistrimi i bisedave tona ishte bërë nga I.L.-ja që kishte qenë njeriu i futur nga Sigurimi
i Shtetit në rradhët tona dhe atë gjë ai e kishte realizuar me anën e një aparati inçizimi që e
kishte në mes të dy shisheve të qumshit në çantën që kishte me vete atë ditë. Po kështu dhe
insistimi i tij për të kryer me çdo kusht aksionin për rrëmbimin e makinës së shkrimit, ishte bërë
me qëllim që ne ta na kapnin me presh në duar. Me të gjitha këto që dispononte Sigurimi, ishte
e kotë mosparnimi i akuzës nga ana jonë. Gjyqi i dytë kundër nesh u zhvillua në muajin korrik të
atij viti dhe ai zgjati tre ditë me rradhë. Ahmeti si kryetar i organizatës u dënua me 25 vjet burg,
Fatmiri si nënkryetar me 22 vjet, unë me 18 dhe dy vëllezërit, Gëzimi me Agronin, me 17 dhe 15
vjet burg. Përveç kësaj gjykata na dha edhe nga pesë vjet internim pas burgut si dhe heqjen e
të drejtës elektorale për pesë vjet të tjera. Pas dënimeve tona na i internuan edhe familjet, ku
ajo e imja përfundoi në fshatin Bedat të Lushnjes" e mbyll dëshminë e tij, 42-vjeçari Shpëtim
Tufa nga Tirana, i cili së bashku me shokët e tjerë të organizatës antikomuniste "Dora e hekurt",
vuajti në burgjet e regjimit komunist deri në 17 marsin e vitit 1991, kur kishin filluar protestat
masive për shëmbjen e atij sistemi që i kishtë dënuar edhe ata.

You might also like