4 Antopologjia

You might also like

Download as doc, pdf, or txt
Download as doc, pdf, or txt
You are on page 1of 14

AN TROPOL OGJ IA

(Doktrina e Njeriut)

Pasqyra për kapitullin IV


ANTROPOLOGJIA

I. Njeriu në gjendjen e tij të ndershmërisë.


A. Origjina e tij.
B. Natyra e tij.
C. Ndërtimi i tij.
D. Gjendja ose pozita e tij.
E. Kryesia e tij.

II. Njeriu në gjendjen e tij të mëkatit.


A. Rënia e njeriut.
B. Bijtë e rënë të Adamit.

III. Njeriu në gjendjen e tij të hirit.


A. Qëndrimi i tij.
B. Gjendja e tij.
C. Dy natyrat e tij.

Kapitulli IV

ANTROPOLOGJIA

Fjala “antropologji” vjen nga fjala greke “anthropos” që do të thotë njeri.


Antropologjia është doktrina e njeriut. Ka mjaft përkufizime për njeriun, disa komike
dhe disa tragjike. Në këtë studim të antropologjisë ne do të shkojmë tek burimi i
vërtetë, Shkrimi i Shenjtë. Njeriu ka dëshiruar gjithmonë të dijë se kush është, nga
ka ardhur dhe ku është duke shkuar. Fjala e Shenjtë e Perëndisë e jep të vetmen
dëshmi të plotë.

I. NJERIU NË GJENDJEN E TIJ TË NDERSHMËRISË (PAFAJËSISË)

Me këtë ne nënkuptojmë njeriun në gjendjen e tij fillestare të pastërtisë—drejtësia e


tij.
A. Origjina e tij.
1. Negative.
a. Jo nga abiogjeneza. Kjo teori beson se nuk ka patur asnjë krijues të
njeriut, por që njeriu erdhi thjesht në jetë, pa ndonjë shkak dhe filloi të jetojë, duke
përmbushur edhe rimën e ninullës, që thotë:
Nga erdhe vogëlush i dashur?
Nga hiçi deri këtu kam ardhur!
Ky argument nuk ka nevojë për përgjigje, por, me qëllim që të përballemi me
kritikën, ne vetëm po theksojmë se, nëse diçka e tillë si abiogjeneza ishte e mundur,
nuk do të kishte asnjë fuqi që ta ndalonte që të ndodhte përsëri. Nuk ka asnjë
dëshmi të një ndodhie të dytë dhe, sigurisht, që nuk ndodhi kurrë as në rastin e
parë.
b. Jo nga evolucioni apo zhvillimet natyrore. Një përkufizim i shkurtër i
evolucionit është: “Ai proces me anë të cilit, nëpërmjet një lloj grumbullimi të
materies gjatë shumë epokave dhe prej shumë specieve, nga rastësia apo nga ligji,
shfaqet njeriu”. Ky koncept ka mbizotëruar për shumë vite, por mbështetësit e tij
janë në rënie. Shkenca moderne, siç është edhe antropologjia, po i kundërshton të
gjitha thëniet e këtij koncepti. Bibla shpall që njeriu është një krijesë e veçuar e
Perëndisë dhe që kafshët u krijuan në një kohë tjetër, krejtësisht veçmas nga njeriu.
Evolucioni na mëson që njeriu dhe kafshët kanë një origjinë të njëjtë, e cila ndahet si
në degë, në shumë specie të ndryshme. Për ta kundërshtuar këtë, ne përdorim
Shkrimin dhe arsyetimin njerëzor si më poshtë:
(1) Kundërshton Shkrimin. Shkrimet thonë: “Sipas llojit të tyre”
(Zanafilla 1:24). Kjo i mbërthen speciet në vetvete, duke i ndaluar të zhvillohen në
një specie krejt ndryshe.
(2) Nuk ka asnjë dëshmi të ndonjë kafshe që është bërë njeri. Me
siguri, në gjashtë mijë vite, në qoftë se evolucioni do të ishte i vërtetë, do të kishte
patur shembuj të tij edhe sot.
(3) Nuk ka asnjë dëshmi që hallka që mungon, është gjetur. Shumë të
ashtuquajtur libra historie japin piktura krijesash, të cilat i kanë quajtur si lidhja
(hallka) që mungon. Këto piktura janë fotografi vizatimesh dhe jo fotografi krijesash
të vërteta, përderisa asnjë nga këto nuk ka ekzistuar. Ne kemi mësuar që “lidhja
(hallka) që mungon”, është një krijesë mes njeriut dhe majmunit. Piktura e saj është
krejtësisht imagjinatë e një artisti, i cili mori një copë kockë apo dhëmb dhe ndërtoi
një njeri rreth saj. Kjo është thjesht si shprehja popullore “peshku në det, tigani në
zjarr”. Do të na pëlqente të përmendnim William Jennings Bryan 1[1] në lidhje me
“lidhjen (hallka) që mungon”: “Në qoftë se lidhja që mungon është gjetur, atëherë
pse po e kërkojnë akoma”?
(4) Nuk ka dëshmi që njeriu primitiv ndryshonte nga njeriu i sotshëm.
(5) Ka dëshmi që gjaku njerëzor është i njëjti gjak për të gjithë
(Veprat 17:26). Lufta e Dytë Botërore e ka vërtetuar këtë. Gjaku i një njeriu të
bardhë mund të vendoset në venat e një njeriu të zi, dhe e kundërta, dhe mund të
japë jetë. Transfuzionet e gjakut janë praktikuar vetëm gjatë njëqind viteve të
fundit, por Perëndia na e shfaqi këtë mijëra vite më parë.
(6) Ka një ndryshim të madh mes ndërtimit të njeriut dhe të kafshëve.
(a) Fizikisht. Njeriu është një krijesë me trup pingul, kurse
kafshët janë me katër këmbë.
(b) Nga ana intelektuale. Njeriu ka intelekt, ndërsa kafshët
kanë instinkte.
(c) Moralisht. Njeriu është e vetmja krijesë e Perëndisë që ka
cilësi morale.
(d) Frymërisht. Vetëm njeriu është krijuar me koncepte
frymërore. Vetëm ai, në dallim nga të gjitha krijesat, mund të adhurojë Perëndinë.
2. Pozitive. Njeriu është një krijesë e drejtpërdrejtë e Perëndisë. “Kështu Perëndia
krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai
krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27).
B. Natyra e tij.
1. Shëmbëllimi fillestar i njeriut. “Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas
shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne’” (Zanafilla 1:26a). “Cilido që derdh
1[1]
William Jennings Bryan (1860-1925) ishte avokat dhe udhëheqës politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili
fitoi një gjyq kundër John Thomas Scopes, mësues i shkencës që mësoi teorinë e evolucionit kundër ligjeve të
atëhershme që ndaluan mësimin e doktrinave kundër Biblës. Sot ligji amerikan ndalon mësimin e Biblës apo krijimit në
shumicën e shkollave shtetërore (shënim i përkthyesve).
gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka
krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij” (Zanafilla 9:6). Shihni gjithashtu 1
Korintasve 11:7 dhe Jakobi 3:9.
a. E parë në tre njësitë përbërëse të njeriut. “Atëherë Zoti Perëndi formoi
njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë
një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). “Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë
tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit
tonë Jezus Krisht” (1 Thesalonikasve 5:23).
b. E parë në natyrën intelektuale dhe morale të njeriut. “Mos gënjeni njeri
tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri,
që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi” (Kolosianëve 3:9-10).
Shihni për këtë edhe Efesianët 4:24.
c. E parë në shëmbëllimin fizik. Është e vërtetë që Perëndia është një Frymë
(Gjoni 4:24) dhe Perëndia është i padukshëm (Kolosianëve 1:15), por gjithmonë
Perëndia ka patur një formë në të cilën Ai e ka shfaqur Veten e Tij: “Sa për mua, për
hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të
zgjohem” (Psalmi 17:15). Shihni gjithashtu Filipianëve 2:6-7, Mark 15:12 dhe Gjoni
5:37.
Krishti nuk u formua në formën apo shëmbëlltyrën e Adamit, por Adami u bë në
formën dhe shëmbëlltyrën e Krishtit, që do të vinte: “por vdekja mbretëroi nga
Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të
ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte” (Romakëve
5:14).
2. Pafajësia fillestare e njeriut. Disa shpallin që Adami u krijua në shenjtëri ose në
drejtësi. Kjo nuk është krejt e saktë. Njeriu u krijua i përsosur jo në drejtësi, por në
pafajësi. Ka ndryshim të madh midis pafajësisë dhe drejtësisë. Pafajësia është
pastërti (të jesh pa mëkat) që nuk është vënë kurrë përballë provës. Drejtësia është
pafajësi që është provuar e sprovuar dhe që ka dalë fitimtare.
C. Ndërtimi i tij.
Siç do ta shohim, njeriu është i përbërë nga elemente tokësore (Zanafilla 2:7) dhe
frymërore (1 Thesalonikasve 5:23; Hebrenjve 4:12).
1. Trupi. Trupi i tij u bë nga toka. Kjo ishte pjesa e parë e njeriut që u formua.
“Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës
një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). Trupi paraqitet në
Shkrim si shtëpia e njeriut të brendshëm. “Aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi
prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur dhe shtypen si një tenjë” (Jobi 4:19).
Shihni edhe 2 Korintasve 5:1, 3-4. Procesi me anë të të cilit Perëndia e krijoi njeriun,
nuk është i njohur. Këtë ia lëmë Perëndisë. Njerëzit japin mendimet dhe hamendjet e
tyre, por ato mbeten vetëm hamendje. Fjala “pluhur” nuk do të thotë argjilë apo
pisllëk i vjetër, por lënda më cilësore e tokës.
a. Analiza vërteton burimin e njeriut. Analiza kimike moderne zbulon në
trupin e njeriut po ato elemente që janë edhe në tokë, poshtë këmbëve të njeriut, si:
natrium, karbon, hekur etj.
b. Toka mbështet ekzistencën e njeriut. Trupi mbahet nga ajo që rritet nga
toka. Është trupi i njeriut dhe jo fryma e tij që mbahet e ushqehet. Zija e bukës në
ditët e sotme ka vërtetuar që, nëse ushqimi hiqet, hiqet edhe jeta. Nëse vret
ushqimin, do të vrasësh njeriun.
c. Vdekja konkretizon elementet e njeriut. Me vdekjen, fillon prishja dhe trupi
i njeriut së shpejti kthehet në pluhur nga i cili ishte formuar (Zanafila 3:19).
2. Shpirti. “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e
hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zanafilla 2:7). Shihni
gjithashtu 1 Korintasve 15:45. Shpirti është mbajtësi i ndjenjave dhe orekseve.
Bimët, kafshët dhe njeriu kanë trupa. Kafshët dhe njeriu kanë shpirt, por vetëm
njeriu ka një frymë. Shpirti është jeta e ndërgjegjshme që është në njeriun dhe në
kafshën. Bimët kanë jetë, por kjo është jetë e pandërgjegjshme. Ka një ndryshim
midis shpirtrave të njerëzve dhe shpirtrave të kafshëve. Shpirti i kafshës është i
lidhur me trupin e saj, ndërsa shpirti i njeriut është i lidhur me frymën e tij. Shpirti i
kafshës vdes bashkë me kafshën, kurse shpirti i njeriut nuk vdes kurrë, sepse ai u
krijua “shpirt i gjallë” (1 Korintasve 15:45), si një shpirt që nuk do të vdiste kurrë.
Siç është theksuar, shpirti i njeriut është mbajtësi i ndjenjave dhe orekseve të tij dhe
Shkrimi i mëposhtëm do të nxjerrë në pah shkallët e secilës … Orekset: “Por sa herë
që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet,
simbas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri,
siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;” (Ligji i Përtërirë 12:15). Dëshirat: “Dhe
në qoftë se njeriu i thoshte: ‘Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të
duash’ ai përgjigjej: ‘Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë’”
(1 Samueli 2:16). Shihni gjithashtu Ligji i Përtërirë 12:20; Psalmi 107:18; Fjalët e
Urta 6:30; Isaia 29:8 dhe 1 Samueli 18:1. Urrejtjet: “Davidi tha atë ditë: ‘Kushdo që
i mund Jebusejtë, të arrijë deri në kanal dhe t’i zmprapsë çalamanët dhe të verbërit
që i urren Davidi’. Prandaj thonë: ‘I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi’”
(2 Samueli 5:8). Vajtimet: “Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe
pikëllohet për veten e tij” (Jobi 14:22). Trishtimi: “Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin
të trishtuar dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar” (2 Mbretërve 4:27b). “U
tha atyre: ‘Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe
rrini zgjuar’” (Marku 14:34). Ngazëllime: “Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti
im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka
mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një
nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj” (Isaia 61:10). Vuajtjet: “Atëherë i thonin
njëri-tjetrit: ‘Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e
shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi’”
(Zanafila 42:21).
Ku e merr njeriu shpirtin e tij?
a. Paraekzistenca. Kjo teori mëson që të gjithë shpirtrat që kanë qenë
ndonjëherë ose që do të jenë në botë, u krijuan në fillim. Në kohën e ngjizjes, ato
bashkohen me trupin. Kjo u mësua nga Platoni, por nuk u pranua kurrë nga kisha,
sepse ishte pa bazë në Shkrimin e Shenjtë.
b. Teoria e dyzet ditëve. Kjo teori shpall që pas dyzet ditësh nga ngjizja,
shpirti bashkohet me trupin. Katolicizmi romak e propozon këtë gjë. Nëse ky besim
është i vërtetë, atëherë Perëndia është krijuesi i shpirtrave mëkatarë.
c. Trashëgimia. Kjo është e vërteta që mbështetet në thënien se edhe shpirti,
edhe trupi janë të ardhur nga prindërit. “Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i
lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth”
(Zanafilla 5:3). Shihni gjithashtu Veprat 17:24-26.
3. Fryma. Këtu është pika ku njeriu ndryshon nga të gjitha krijesat e tjera. Tek
Hebrenjtë 12:9 Perëndia thuhet të jetë “Ati i frymërave”. Kjo nuk do të thotë Ati i
engjëjve, por i frymërave të njerëzve që janë bërë të përsosur. Nuk është thënë
kurrë që Perëndia të jetë Ati i shpirtrave. “Sepse, sikurse trupi pa frymën është i
vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:26). Kur një trup
vdes, shpirti shkon me frymën e njeriut. Shpirti dhe fryma mund të ndahen: “Sepse
fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy
tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave,
dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjve 4:12).
Megjithatë nuk ka asnjë provë biblike që ato janë ndarë ndonjëherë. Pasaniku tek
Luka 16 shkon në ferr dhe ai ka me vete si frymën, ashtu edhe shpirtin. Shihni edhe
Mateu 10:28.
Fryma e njeriut është mbajtësi i inteligjencës së tij. “Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh
gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu, asnjeri s’i njeh
gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë” (1 Korintasve 2:11). Kafshët nuk
zotërojnë inteligjencë. “Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e
të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen”
(Psalmi 32:9).
Fjala “frymë”, si në hebraisht, ashtu edhe në greqisht është përkthyer si
frymëmarrje dhe erë. Konteksti vendos për përkthimin. Materialistët thonë që fjala
për frymën duhet të jetë “frymëmarrje” dhe që, kur njeriu vdes, ai shuhet
përgjithmonë. Disa njerëz mendojnë që njeriu e humbi frymën që nga Rënia dhe e
rimerr frymën e tij në çastin e kthimit në besim. Kjo do ta bënte njeriun një qenie
dyshe, megjithatë kjo nuk ka asnjë bazë në Shkrimin e Shenjtë.
4. Zemra. Kur flasim për zemrën, nuk nënkuptojmë muskujt në trup, por mbajtësin e
ndërgjegjes. “Le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i
pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të
kulluar” (Hebrenjve 10:22). Shihni gjithashtu 1 Gjoni 3:19-20; Veprat 2:26; 5:3, 5;
Mateu 22:37. Paralajmërimi është që mund të ketë një rrëfim gojor, një njohuri pa
një besim zemre. “Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam
ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë
vepra të fuqishme në emrin tënd?’ Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju
kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi’” (Mateu
7:22-23).
D. Gjendja e tij.
Me këtë nënkuptojmë kushtin e njeriut në gjendjen e tij para se të binte.
1. Njohuria e tij. Ai kishte njohuri të menjëhershme, njohuri ndjesore. Ai nuk ishte
një foshnjë e rritur. Ai ua vuri emrin të gjitha kafshëve që erdhën nga dora e
Perëndisë. Do të duhej një njeri inteligjent për ta bërë këtë. “Dhe njeriu u vuri emra
tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u
gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të” (Zanafilla 2:20).
2. Përbashkësia e tij. Për njeriun ishte e mundur që të kishte bashkësi me Perëndinë.
“Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: ‘Ha bile lirisht nga çdo pemë e
kopshtit’” (Zanafilla 2:16). “Dhe Perëndia tha: ‘Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon
farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë;
kjo do t’ju shërbejë si ushqim’” (Zanafilla 1:29).
3. Shtëpia e tij. Kjo shtëpi ishte e vendosur në një kopësht. “Pastaj Zoti Perëndi
mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar”
(Zanafilla 2:8). Disa njerëz besojnë që njeriu primitiv ishte një njeri shpellash, por
kjo nuk është kështu, sepse ai ishte një njeri i kopshtit. Dëshmia e parë e njerëzve
që jetuan në shpella, flet për të përndjekurit dhe të çmendurit: “(bota nuk ishte e
denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva
të dheut” (Hebrenjve 11:38). “Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli
përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë” (Marku 5:2). Ky
kopsht nuk është quajtur Eden, por Kopshti në Eden. Fjala “Eden” do të thotë
rrafshinë ose rrafshnaltë. Armenia është pa dyshim vendi ku filloi njeriu.
4. Mikja e tij. “Për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të ... Pastaj
Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu”
(Zanafilla 2:20, 22). Fjalët “ndihmë e përshtatshme” nuk janë fjalë e përbërë, por dy
fjalë më vete, që do të thonë e përshtatshme për (diçka ose dikë). Eva ishte e
përshtatshme për Adamin. Disa që qeshin me këtë “histori të brinjës”, nuk mund të
na tregojnë se nga erdhi gruaja. Si mendoni ju, pse nuk e bëri Perëndia gruan nga
pluhuri? Për shkakun e thjeshtë që Perëndia nuk deshi që njeriu të ketë dy origjina.
Perëndia mund të krijojë një qenie njerëzore në katër mënyra:
1) Me anë të ngjizjes.
2) Pa ndihmën e një gruaje, si Evën.
3) Pa ndonjë burrë apo grua, si Adamin.
4) Pa ndonjë burrë, me anë të gruas, si Krishtin.
5. Puna e tij. “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm
dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi
zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë’” (Zanafilla 1:28). “Zoti Perëndi e
mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta
ruante” (Zanafilla 2:15). Kishte punë në kopësht, por jo punë me stërmundim.
Kishte punë, por jo një lloj pune që të rraskapit. Fjala “ruaj” në Zanafilla 2:15 është
përkthyer shumë mirë me fjalën “mbroj”. Nga kush do ta mbronte Adami kopshtin?
Nga kafshët e egra? Jo, sepse nuk kishte. Nga njerëzit e egjër? Jo, sespe Adami ishte
i vetmi njeri. Ai ishte vendosur që ta ruante kopshtin kundër shfaqjes së Djallit. Sa
herë që njeriu vendoset në një pozitë besimi, Perëndia gjithmonë jep një
paralajmërim të mjaftueshëm.
6. Ushqimi i tij. “Dhe Perëndia tha: ‘Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi
sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju
shërbejë si ushqim’” (Zanafilla 1:29). Njeriu i parë dhe kafsha e fushës ishin
vegjetarianë. Dietat e tyre nuk përfshinin fare mish. Njeriu nuk ishte mishngrënës,
siç besojnë evolucionistët.
7. Përgjegjësia e tij.
a. Të mbushë tokën me një rregull të ri—njeriu. “Dhe Perëndia i bekoi; dhe
Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e
nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që
lëviz mbi tokë’” (Zanafilla 1:28). Adami ishte njeriu i parë: “Kështu edhe është
shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që
jep jetë’” (1 Korintasve 15:45). Eva është nëna e gjithë qenieve njerëzore: “Dhe
burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve” (Zanafilla
3:20).
b. Të përmbahej për të mos ngrënë frutin. Ky frut ishte nga pema e njohjes
të së mirës dhe të së keqes. “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: ‘Ha
bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe
të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri’” (Zanafilla
2:16-17).
Ata ishin të lejuar të hanin ç’të donin, përderisa kishte bollëk. Ishte vetëm një pemë
që u ishte ndaluar atyre. Ne nuk e dimë se çfarë lloj fruti ishte. Nuk kishte gjë të
keqe me frutin. Ishte thjesht fakti që Perëndia e ndaloi. Perëndia donte që Adami
dhe Eva të kishin njohuri, por jo që ata ta fitonin me anë të mosbindjes. Mbani
mend, pra, që njeriu ishte vendosur për të ruajtur. Ai ishte paralajmëruar për
armikun, prandaj Satani nuk erdhi papritmas. Duke qenë kjo e vërtetë, pse lejoi
Perëndia që Adami dhe Eva t’i nënshtroheshin sulmit të Djallit? Prova vjen gjithmonë
përpara një bekimi. Njeriu gjithmonë duhet të provohet, përpara se të emërohet në
një pozitë.
E. Kryesia e tij.
E gjithë raca njerëzore vjen nga ai njeri i vetëm, Adami. Ashtu siç është kreu, ashtu
janë edhe pasardhësit.
1. Etnografia. Kjo është një degë e antropologjisë që e trajton njeriun gjeografikisht
dhe në mënyrë përshkruese, duke trajtuar nëndarjet e racave, shkaqet e migrimit
dhe çështje të tjera që janë të lidhura me këtë. Kjo shkencë i drejtohet një
mëmëdheu të përbashkët, që është Armenia.
2. Filologjia krahasuese. Kjo është shkencë e gjuhës dhe mendon që të gjithë
njerëzit vijnë nga e njëjta origjinë.
3. Psikologjia. Kjo është shkenca e mendjes që, gjithashtu, tregon se njeriu ka
ardhur nga një origjinë.
4. Fiziologjia. Është shkenca që merret me strukturën organike të trupit dhe shpall
që njeriu vjen nga i njëjti burim, një origjinë e përbashkët.

II. NJERIU NË GJENDJEN E TIJ TË MËKATIT

A. Rënia e njeriut.
Disa mund të thonë që rënia e njeriut është një fabul e vjetër, por, që të kuptojmë
që ai ka pësuar një rënie, mjafton vetëm të shikojmë njeriun dhe mund ta vëmë re
që punon fort për bukën e tij, dobësohet nga sëmundjet dhe vdes në mjerimin e tij.
“Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të
mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë
mëkatuan” (Romakëve 5:12).
1. Burimi i mëkatit. “Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që
Zoti Perëndi kishte krijuar dhe i tha gruas: ‘A ka thënë me të vërtetë Perëndia:
<<Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?>>’” (Zanafilla 3:1). “Por druaj se, ashtu
si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos
prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit” (2 Korintasve 11:3). Perëndia
nuk po flet për një bishë kur Ai përmend gjarpërin, por për një person. Vini re që
Shkrimi nuk thotë “më dinaku se ndonjë bishë tjetër e fushës” por lë jashtë fjalën
“tjetër” duke theksuar vetëm që ai është më dinak se ndonjë bishë. Kjo është thjesht
një shprehje e asaj që Perëndia mendon për djallin. Askund në Shkrime nuk thuhet
që djalli ishte në gjarprin, por thotë që gjarpri ishte djalli. “Ai e kapi dragoin,
gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet” (Zbulesa
20:2).
2. Natyra e mëkatit. “Atëherë gjarpri i tha gruas: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak; por
Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje
si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen’. Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për
t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta
bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj
që ishte me të, dhe hëngri edhe ai” (Zanafilla 3:4-6). Fruti ishte në rregull, ishte frut
i mirë, vetëm se Perëndia e ndalonte. Disa mund të thonë që ishte një gjë e vogël që
solli rënien e njeriut, por ne bëjmë pyetjen: “Sa hapa duhen për të rënë poshtë
rrëpirës?”
a. Ai e vuri në dyshim dashurinë e Perëndisë. Duke dyshuar dashurinë e
Perëndisë, njeriu mohoi mirësinë e Perëndisë, veproi në kundërshtim me Perëndinë
dhe u bë mëkatar. “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të
nxjerr në rrugët e vdekjes” (Fjalët e Urta 14:12). Shihni gjithashtu Isaia 55:6.
b. Ai e vuri në dyshim Fjalën e Perëndisë. Duke dyshuar Fjalën e Perëndisë,
njeriu mohoi të vërtetën e Tij; duke mohuar të vërtetën e Tij, ai veproi në
kundërshtim me Perëndinë dhe u bë kriminel. “Kush qëndron në të nuk mëkaton;
kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur” (1 Gjoni 3:4).
c. Ai vuri në dyshim autoritetin e Perëndisë. Duke dyshuar autoritetin e
Perëndisë, njeriu mohoi hyjninë e Perëndisë; duke mohuar hyjninë e Tij, ai u bë i
kundërt me Perëndinë. Kështu, ai u bë armiku i Perëndisë dhe një rebel në universin
e Perëndisë. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër
Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj
ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë” (Romakëve 8:7-8). Prova u
dha për të parë nëse njeriu do të qëndronte i vërtetë ndaj Perëndisë. Ai dështoi,
sepse dëshiroi të ishte një perëndi. Djalli vetë ra (Isaia 14), sepse ai deshi të ishte si
Shumë i Larti. Kjo solli rënien e tij, kështu, ai mbolli të njëjtën farë të ambicies së
keqe në Adamin dhe Evën për të parë nëse do të sillte rënien e tyre dhe e bëri një
gjë të tillë.
Disa mund të pyesin: “A ishte kjo e drejtë për ta?” Ata ishin paralajmëruar dhe u
vendosën roje kundër Satanit. Kishte vetëm një gjë të ndaluar në kopësht. Ata nuk
kishin nevojë për frutin, atyre nuk u mungonte gjë.
3. Pasojat e mëkatit.
a. Pasojat e menjëhershme mbi Evën.
(1) Turp. “Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin
turp prej kësaj … Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu
ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar” (Zanafilla 2:25, 3:7).
Perëndia vetë është i mbështjellur me një rrobë drite (Psalmi 104:2); dhe, kur Ai
bëri njeriun, e bëri atë në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij. Kështu, besojmë që
edhe njeriu ishte i veshur me një rrobë drite. Kur njeriu mëkatoi, kjo veshje humbi
dhe ai i bëri vetëvetes një mbulesë me gjethe fiku për të zënë vendin e asaj që
kishte humbur. Qysh atëherë, njeriu është përpjekur të veshë atë që Perëndia i ka
dhënë një herë, por ai nuk ka asgjë, përveç leckave të fëlliqura.
(2) Frikë. “Ai u përgjigj: ‘Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë
sepse isha lakuriq dhe u fsheha’” (Zanafilla 3:10). Njeriu ende mundohet të fshihet
prej Perëndisë.
(3) Ndarje nga Perëndia. Nuk ka asnjë dyshim që njeriu e humbi
natyrën e tij të përsosur dhe i dha fund bashkësisë me Perëndinë. Për njeriun e
pashpëtuar, nuk ekziston Atësia e Perëndisë dhe vëllazëria e njeriut.
(4) Dëbim nga kopshti. “Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun
nga Kopshti i Edenit, me qëllim që të punonte tokën prej nga kishte dalë. Kështu, ai
e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin
nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës” (Zanafilla
3:23-24).
(5) Humbi mbretërimin mbi krijimin. Në fillim Adami ishte me të
vërtetë mbretëruesi i të gjitha krijesave tokësore: “E bëre të mbretërojë mbi veprat
e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera,
madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër
shtigjet e detit” (Psalmi 8:6-8). Kjo nuk është e vërtetë për njeriun sot. Ai e ka
humbur atë mbretërim. Krishti do t’ia kthejë këtë njeriut kur të vijë përsëri
(Hebrenjve 2 dhe Isaia 11).
b. Pasojat e thella mbi pasardhjen e Adamit.
(1) Fryma është errësuar. “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos
ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të
errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që
është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre” (Efesianëve 4:17-18). Dhoma e errët
e të kuptuarit do të mbetet e errësuar, derisa Fryma e Shenjtë të vijë për të
ndriçuar.
(2) Shpirti është i poshtëruar dhe i çoroditur. “Ata (jobesimtarë), duke
u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me
lakmi të pangopur” (Efesianëve 4:19). Shihni gjithashtu Jeremia 17:9.
(3) Trupi pëson sëmundje dhe vdekje. “Me shpresë që vetë krijesa të
çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë”
(Romakëve 8:21).
4. Efektet mbi mëkatin.
a. Shprehja e menjëhershme e gjykimit të Perëndisë.
(1) Mbi gjarprin. “Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: ‘Me qenë se bëre
këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të
ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të
shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do
të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj’” (Zanafila
3:14-15). Satani në gjithë madhështinë e tij trajtohet si një gjarpër. Kjo është një
figurë letrare, sepse e dimë që gjarpërinjtë nuk hanë pluhur. Dekreti i Perëndisë mbi
gjarprin që ai do të hante pluhur të gjithë ditët e jetës së tij, shfaqi përbuzjen që Ai
kishte për Djallin.
(2) Mbi gruan. “Gruas i tha: ‘Unë do të shumëzoj në masë të madhe
vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të
drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty’” (Zanafilla 3:16).
(3) Mbi krijimin. “Pastaj i tha Adamit: ‘Me qenë se dëgjove zërin e
gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: <<Mos
ha prej saj>>, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj
me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe
ti do të hash barin e fushave’” (Zanafilla 3:17-18).
(4) Mbi njeriun. “Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të
rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të
rikthehesh’” (Zanafilla 3:19). Shihni dhe Zanafilla 5:29.
b. Shprehja e ardhshme e gjykimit të Perëndisë. “Kurse për frikacakët dhe të
pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe
idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me
zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21:8).
5. Premtimi për mëkatarin. “‘Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas,
midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të
plagosësh thembrën e farës së saj” (Zanafilla 3:15). Në kohën kur njeriu mëkatoi,
Perëndia premtoi një Shpengimtar. Fara e gruas nuk mund të jetë askush tjetër,
përveç Jezus Krishtit. “Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej
lëkure dhe i veshi” (Zanafilla 3:21). Kur ata e kuptuan lakuriqësinë e tyre, e mbuluan
veten me mbulesa me gjethe fiku. Perëndia, në vend të kësaj, i veshi me lëkurë
kafshësh. Sa për mbulesën e lakuriqësisë së tyre, gjethet e fikut ishin njësoj si
lëkura e kafshëve, megjithatë duhej derdhur gjak, “sespe pa derdhje gjaku nuk ka
falje mëkatesh”. Ata duhej të mbuloheshin me atë që u ther për mëkatet e tyre.
Ashtu edhe mëkatari sot duhet të vishet me drejtësinë e Atij që vdiq për të.
B. Bijtë e rënë të Adamit.
1. Qëndrimi i tyre.
a. Në Adamin. “Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu
erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë
vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:21-
22). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:45, 47 dhe Romakëve 5:12-21. Ka vetëm dy
njerëz përfaqësues në botë: njeriu i parë dhe njeriu i dytë, Adami i parë dhe Adami i
fundit. Të gjithë njerëzit lindin në Adamin; të gjithë të rilindurit janë në Krishtin.
b. Ndaj mëkatit dhe fajit. “E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E
kemi treguar në fakt që më përpara se si judenjtë ashtu edhe grekët janë të gjithë
nën mëkat, siç është shkruar: ‘Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një’” (Romakëve
3:9-10). Shihni gjithashtu Romakëve 3:19.
2. Gjendja e tyre. Me anë të gjendjes së tyre nënkuptojmë kushtin e tyre frymëror,
që do të thotë mungesë e drejtësisë në jetën e tyre frymërore.
a. Mëkatar nga natyra. “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi dhe nëna ime më
ka lindur në mëkat” (Psalmi 51:5). Shihni për këtë edhe Efesianëve 2:3; Zanafilla
6:5; Jeremia 17:9; Romakëve 8:9 dhe Galatasve 5:19-21.
b. Mëkatar në praktikë. “Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë,
endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në
smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin. Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë,
Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit” (Titi 3:2-3). Shihni gjithashtu
Romakëve 3:23; Kolosianëve 1:21 dhe Psalmi 14:1-3.
c. I humbur në mëkat. “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë
atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Shihni gjithashtu Isaia 53:6 dhe 2 Korintasve
4:3-4.
d. Frymërisht i vdekur. “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje
dhe në mëkate, … edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin
(ju jeni të shpëtuar me anë të hirit)” (Efesianëve 2:1, 5). Piktura e Perëndisë për një
mëkatar është një njeri i vdekur, një njeri me të gjitha organet e lëvizjes, por pa
lëvizje. Ashtu edhe mëkatari nuk mund të lëvizë në gjërat e Perëndisë.
e. Nën zemërimin e Perëndisë. “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga
qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi”
(Romakëve 1:18). Shihni gjithashtu Gjoni 3:36.
f. Pret për vdekjen. “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin
vetëm një herë dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).
g. I sigurt për ferrin. “Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e
jetës, u flak në liqenin e zjarrit” (Zbulesa 20:15). Shihni edhe Zbulesa 21:8.

III. NJERIU NË GJENDJEN E TIJ TË HIRIT

A. Qëndrimi i tij.
1. Në Krishtin. “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të
ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). Shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:21, 45,
47 dhe Romakëve 5:12-21.
2. I përsosjes. “Duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezus
Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, në të cilin kemi shpengimin me anë të
gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij” (Efesianëve 1:4, 6). Nuk
ka asnjë fajësim kundër Kreut dhe, ndërsa është kështu, nuk mund të ketë asnjë
fajësim për Trupin.
B. Gjendja e tij.
Me këtë nënkuptojmë gjendjen e tij frymërore. Kjo ndryshon nga jeta e jobesimtarit.
Në jetën e besimtarit është e pranishme drejtësia e Zotit Jezus Krisht.
1. Një krijesë e re. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re;
gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17).
Shihni gjithashtu 2 Pjetri 1: 4; Galatasve 6:15 dhe Gjoni 3:16. Ripërtëritja është një
rikrijim. Vetëm Perëndia mund të krijojë; vetëm Perëndia mund të rikrijojë.
2. I shpëtuar. “Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave
tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara
fillimit të kohëve” (2 Timoteu 1:9). Shihni edhe Efesianëve 2:8-9.
3. Vdekje për mëkat. “Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin,
por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:11). “Ai vet i
barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të
rrojmë për drejtësi dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetri 2:24).
4. Fëmijë i Perëndisë. “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen
bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). “Sepse të gjithë ju
jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezus Krishti” (Galatasve 3:26).
5. Nën pëlqimin e Perëndisë. “I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezus Krisht,
që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin” (Efesianëve 1:3).
Shihni gjithashtu Romakëve 5:2.
6. Pret Perëndinë dhe lavdinë. “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe
presim Shpëtimtarin, Zotin Jezus Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të
përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që
t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:20-21).
7. I sigurt për parajsën. “Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do
të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen” (2
Timoteu 4:18). Shihni edhe 1 Pjetri 1:4.
C. Dy natyrat e tij.
“Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe
këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi”
(Galatasve 5:17). Ky Shkrim nuk mund të përshkruante askënd tjetër, përveç njeriut
të shpëtuar. Mëkatari ka vetëm një natyrë; një bir i Perëndisë ka dy natyra. Çdo
besimtar i vërtetë ka përjetuar betejën pë të cilën flet Pali. Kjo betejë është e
shfaqur nga shtëpia e Abrahamit. Ai kishte dy djem, Ismaeli, i madhi, dhe Isaku, më
i riu. Ismaeli qëndron si i linduri në mish, kurse Isaku si i linduri nga Fryma. Problemi
filloi kur Isaku erdhi në shtëpi. Problemi hyn në jetën e një të krishteri kur Krishti
hyn brenda.
1. Përshkrimi i natyrës së vjetër
a. Emra dhe karakteristika.
(1) Mishi. “Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma
është frymë” (Gjoni 3:6). Shihni gjithashtu Romakëve 7:18, 23 dhe 8:9. Me fjalën
“mish” nuk nënkuptojmë muskuj apo kocka që janë pjesë e trupit njerëzor, por më
tepër natyrën mishore që të gjithë e kanë që nga lindja. Nuk jemi ne në mish, mishi
është në ne. Asnjërit nuk i ka lindur ndonjëherë një foshnjë e parënë në mëkat. “Në
fakt unë e di se në mua, domëthënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë”
(Romakëve 7:18a). Shihni gjithashtu Gjoni 3:63 dhe Romakëve 8:8. Nuk ka njeri që
lind me një shkëndijë hyjnore brenda tij.
(2) Njeriu natyror. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të
Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato
gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Kështu është njeriu nga natyra, nga lindja
natyrore.
(3) Njeriu i vjetër. “Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua
me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më
mëkatit” (Romakëve 6:6). Shihni për këtë edhe Efesianët 4:22 dhe Kolosianët 3:9.
Ky është njeriu i vjetër, ashtu siç ishim edhe ne dikur: të shthurur, plot dëshira dhe
lakmi të këqija.
(4) Njeriu i jashtëm. “Prandaj nuk na lëshon zemra, por, edhe pse
njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë”
(2 Korintasve 4:16).
(5) Zemra. “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin
mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë,
ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të
gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut” (Marku 7:21-23).
Dëgjojmë shumë për njerëz që e kanë ndryshuar zemrën, por kjo është e pamundur,
sepse vetëm Perëndia mund të japë një zemër të re.
(6) Mendja mishërore. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është
armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk
mundet” (Romakëve 8:7).
(7) Mëkati. “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati
hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë
njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:12). Fjala “mëkat” ka lidhje me
natyrën e rënë të njeriut, ndërsa fjala “mëkatet” ka të bëjë me veprime të kësaj
natyre.
b. Karakteri dhe fundi.
(1) Është një natyrë e Adamit. Kjo do të thotë që Adami ra dhe, si
rrjedhim, fëmijët e tij janë bij të rënë të një ati të rënë.
(2) Është një natyrë e trashëguar. Ne marrim natyrën tonë të rënë nga
Adami.
(3) Është një natyrë e keqe. Kapitulli i tetë i Romakëve na mëson për
këtë pikë.
(4) Është një natyrë e pandryshueshme. “Ç’ka lindur nga mishi është
mish” (Gjoni 3:6a). Edhe natyra e tij e rënë mbetet në njeriun për aq gjatë sa ai
jeton. Kjo do të zhduket vetëm në ringjalljen e të vdekurve në Krishtin dhe në
transformimin e atyre që janë të gjallë në Krishtin, në shfaqjen e Tij të dytë.
(5) Fundi i tij është vdekja. “Sepse paga e mëkatit është vdekja”
(Romakëve 6:23a). Shihni gjithashtu Romakëve 8:5-13.
2. Përshkrimi i natyrës së re.
a. Emrat dhe karakteristikat e saj.
(1) Frymë. “Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga
Fryma është frymë” (Gjoni 3:6).
(2) Natyrë hyjnore. “Na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë
të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar
prishjes që është në botë për shkak të lakmisë” (2 Pjetri 1:4). Shihni edhe 1 Gjoni
3:9 dhe 5:18-19.
(3) Njeriu i ri. “Të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në
drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:24). Shihni gjithashtu
Kolosianëve 3:10 dhe 2 Korintasve 5:17.
(4) Njeriu i brendshëm. “Edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në
shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë” (2 Korintasve 4:16). “Në fakt
unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm” (Romakëve
7:22). Shihni gjithashtu Efesianëve 3:16.
(5) Mendja e tij. “I falemnderit Perëndisë me anë të Jezus Krishtit,
Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin,
ligjit të mëkatit” (Romakëve 7:25).
b. Karakteri dhe fundi i saj.
(1) Është një natyrë në Krishtin.
(2) Është një natyrë e kumtuar.
(3) Është një natyrë e shenjtë.
(4) Është një natyrë e pandryshueshme.
(5) Është një natyrë jo e humbur.
Vargjet 1 dhe 2 tek 1 Gjoni 2 flasin për lidhjen e shenjtorit me Atin. Edhe kur
shenjtori mëkaton, është një çështje familjare.
(6) Fundi i tij është ringjallja dhe rrëmbimi. “Ja, unë po ju them një të
fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një
moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria,
të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup
që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë …
Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezus Krisht” (1
Korintasve 15:51-53, 57).
3. Konflikti midis dy natyrave.
a. Përvoja e besimtarit. Çdo fëmijë i Perëndisë ka dy natyra; njeriu i
pashpëtuar ka vetëm një natyrë. Natyra e vjetër nuk mund të zhduket aq kohë sa
besimtari jeton në mish, prandaj kemi luftë mes natyrës së re dhe të vjetrës. “Sepse
mishi ka dëshira kundër Frymës dhe Fryma ka dëshira kundër mishit dhe këto janë
të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi” (Galatasve 5:17).
Romakëve 7:15-25 është një shembull tjetër i mrekullueshëm që ilustron këtë të
vërtetë. Megjithatë dikush mund të thotë që këto vargje shfaqin konfliktin në jetën e
Palit para se ai të shpëtohej, por një varg në këtë pjesë tregon shumë qartë që ky
konflikt, i përshkruar në një mënyrë kaq të gjallë, ndodhi pasi ai ishte shpëtuar: “Në
fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm” (Romakëve
7:22). Asnjë njeri i pashpëtuar nuk kënaqet kurrë në ligjin e Perëndisë. Gjithashtu,
vetëm njeriu i shpëtuar e ka njeriun e brendshëm, që është natyra e re.
b. Përgjegjësia e besimtarit.
(1) Në lidhje me natyrën e vjetër.
(a) Pranoje vlerësimin e Perëndisë për të. “Duke ditur këtë: se
njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që
ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga
mëkati. Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me
të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka
më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e përgjithmonë;
por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të
vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë”
(Romakëve 6:6-11). Duhet theksuar e vërteta, që nuk thuhet kurrë, që njeriu i
vjetër është i kryqëzuar në besimtarin, por është i kryqëzuar me Krishtin. Është një
realitet! Pranoje! Nuk është çështje ndjenjash, por besimi. E gjithë kjo e vërtetë
është sipas mendimit të Perëndisë. Sa për mendimin e besimtarit, ai e di që natyra e
vjetër, njeriu i vjetër, nuk është i vdekur; ai është shumë i gjallë. Shkrimi thotë:
“Konsiderojeni veten të vdekur për mëkatin”. Nëse natyra e vjetër do të ishte e
vdekur, besimtari nuk do të duhej ta konsideronte veten të tillë!
(b) Mos i bëj asnjë përkujdesje mishit. “Por vishuni me Zotin
Jezus Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë” (Romakëve
13:14). Me fjalë të tjera: mos e ushqeni mishin. Le të tretet në uri.
(c) Bëni që të vdesë mishi. “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët
tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe
lakminë, që është idhujtari” (Kolosianëve 3:5). Një shprehje mjaft e goditur është “i
vritni gjymtyrët tuaja”. Fjalët “gati për të vdekur” (Hebrenjtë 11:12) janë e njëjta
terminologji.
(d) Kurrë mos u mundoni ta përmirësoni. “As mos i jepni
gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te
Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për
Perëndinë” (Romakëve 6:13).
(e) Zhvisheni. “Që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së
mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës”
(Efesianëve 4:22). E njëjta fjalë është përkthyer si “i vunë … te këmbët” tek Veprat e
Apostujve 7:58.
(2) Në lidhje me natyrën e tij të re.
(a) Ta konsiderojmë veten si të gjallë. “Kështu edhe ju,
konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus
Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:11).
(b) Ecim në risinë e jetës. “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar
në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim
në to” (Efesianëve 2:10). Shihni gjithashtu Romakëve 6:14 dhe 7:6.
(c) Ta ushqejmë e ta përtërijmë. “Posi foshnja të sapolindura,
të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij” (1 Pjetri
2:2). Duhet ta ushqejmë natyrën e re me anë të shpalosjes së Fjalës dhe jo nga
nxitja e njeriut. Ne kemi dy natyra dhe është mirë të marrim parasysh që ushqimi
për njërën do të lërë pa ushqim tjetrën. Është individi i krishterë që duhet të
vendosë se cili njeri, i riu apo i vjetri, do të ushqehet. Ai nuk mund t’i ushqejë të dy
në të njëjtën kohë.
(d) Vishni njeriun e ri. “Dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar
sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës” (Efesianëve 4:24).
(e) Mbështetu për fuqi tek Fryma që banon brenda. “Dhe mos e
trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit”
(Efesianëve 4:30). “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në
forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10). “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për
Frymën time”, thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6b).

You might also like