Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 2

Ironia

Ç’është e vërteta, loja mund të përfundojë keq, dhe Sokrati ka vdekur nga kjo ; sepse ndërgjegja
moderne nuk i ngacmon ashtu pa u ndëshkuar krijesat e përbindshme që terrorizonin ndërgjegjen
e vjetër. Megjithatë, fryma e ironisë është pikërisht fryma e shkrehjes, dhe ajo përfiton nga
qetësimi më i vogël për ta rifilluar sërish lojën. Kështu, gjatë historisë së vet, mendimi ka
përshkuar disa oaze ironie ; këto janë epokat e « jetës skolastike » dhe talljeve të lira ku mendimi
merr frymë sërish dhe çlirohet nga sistemet e ngurta që e shtypnin ; brezat e ironistëve ndërrohen
me breza tepër seriozë, ashtu si në jetën individuale, tragjikja ndërrohet me moskokëçarjen.
Shfaqja e Sokratit në fund të shekullit të V-të p.e.s, përfaqëson kështu këtë ironi të parë të
adoleshencës e cila pason tek ne periudhën e frikave dhe rrëmbimeve të rinisë. Ironia sokratike
është një ironi pyetësore ; me pyetjet e veta, Sokrati shpërbën kozmogonitë masive të Jonianëve
dhe monizmin mbytës të Parmenidit. Le të shënojmë fillimisht se Sokrati është një sofist, ashtu si
Prometeu një titan ; por ai është një sofist që ka « përfunduar keq », një sofist që tallet edhe me
sofistikën, edhe me shkencën e meteorëve. Në thelb, fryma e humanizmit dhe debatit që fryn tek
këta sharlatanë, është vetë fryma e Sokratit ; Xhorxhias, duke argumentuar në favor të
mosqenies, përpiqet të na mashtrojë, ashtu si dhe Abderitani Protagoras, i cili është një virtuoz i
« antilogjisë ». Për shembull, ashtu si Sokrati, Sofistët e pranojnë karakterin e mësueshëm të
virtytit, por për arsye aq të dyshimta sa Sokrati i Protagoras duket sikur thotë se ky virtyt është i
papërcjellshëm ; sepse ai kërkon shkencën dhe jo kleçka apo receta. Ajo çfarë Sokrati iu qorton
tregtarëve orvietanë (ashtu si më vonë Auguste Comte ndaj Saint-Simon), është se ata e kanë
vënë parmendën para qeve, se improvizojnë aty ku do të duhej analizuar, dhe se shkurt, kanë
rënë në përafërsitë e rëndomta të probabilizmit. Sofistit, me sofist : Sokrati çjerr maskën e këtij
sherri (debati), dhe mashtrimin e këtij « arrivizmi » ; Sokrati i bën shoshë me pyetje tregtarët e
fjalive të bukura, dhe ndjen një ngazëllim të vërtetë tinzak kur ua shpon tepritë e tyre të
elokuencës, kur ua shfryn tollumbacet e mbushura plot me një dije të kotë. Sokrati është
ndërgjegja e Athinasve, njëherësh ndërgjegja e tyre e qetë dhe ajo e rënduar ; domethënë, në
funksionet e tij, gjejmë dy rrjedhojat e ndryshme të ironisë, sipas asaj që kjo na çliron nga frikat
tona apo na privon nga bindjet që kemi. Nga njëra anë, Sokrati i zbavit Athinasit ; Schelling e
krahason me Dionisin, zotin e ri falë të cilit qielli i shkretë i Uranosit do të mbushet me këngë
dhe zhurma. Nga ana tjetër, Parmenidi është Kronosi i filozofisë, që gëlltit, qysh në zanafillë,
veçantitë konkrete, shumësinë, lëvizshmërinë, tjetërsinë. Sokrati, me natyrë dioniziake, e vë në
lojë këtë unitet të pangopur, këtë parim kronian që rëndonte mbi larminë e hareshme të
dallimeve ; Sokrati ka diçka prej sharlatani, xhongluesi, qenieje gëtike ; ai e deh qytetin e vjetër
të fortë e të ngurtë, themelon më në fund një dije njerëzore, të flatruar, të hollë e të zgjuar, në
fushën e së cilës do të ushtrohet analiza e Aristotelit. Kështu, mbi Athinasit fryn një erë
çmendurie ; demoni i dialektikës i cyt të rinjtë në sheshe dhe kryqëzime ; Alqibiadi lëshohet në
gjithfarë fjalësh të çuditshme për të tërhequr vëmendjen e qytetit… Eshtë Sokrati, njeriu
demonik, ai që i tremb qytetarët, që i deh me dialektikë dhe ide të mprehta ; tani e tutje, në Greqi
ka vend për mendime të shkathta dhe të lira, për kritikë pjellore. « Kur të dëgjoj ty, i thotë
Alqibiadi në tavolinën e poetit Agaton, më rreh zemra më shumë se nga vallja e
koribantëve… » ; dhe ai e krahason Sokratin herë me një silen, e herë me satirën Marsias, që janë
qenie dioniziane. Por gjithashtu, Sokrati është i vetmi njeri që mund ta bëjë Alqibiadin të skuqet ;
i vetmi që e bën të kuptojë se të jetosh ashtu siç bën ai, s’ia vlen të jetosh fare. Gjithçka duket e
papërfillshme në krahasim me nderimin e mrekullueshëm dhe prekës që Alqibiadi i bën Sokratit
në fund të Gostia të Platonit. Alqibiadi është ca i pirë, thjesht aq sa duhet për të folur në tërë
lirshmërinë e shtytjes së parë. « Pra më duhet t’i largohem atij duke i mbyllur veshët ashtu si për
sirenat… Ai është i vetmi që zgjon tek unë një ndjesi për të cilën askush s’do të më besonte të
aftë : për turpin përballë një njeriu tjetër ; … dhe them se shpesh do të doja që të mos ekzistonte
fare.

You might also like