Professional Documents
Culture Documents
Ali Pashë Tepelena
Ali Pashë Tepelena
Prejardhja
Lindi në Beçisht, në një familje feudale të mesme, pasardhës të një dervishi tregtar
me prejardhje nga Horasani sipas traditës familjare. Dervishi quhej Nazif dhe u
vendos në një teqe halvetish në Tepelenë, ku pas gjasave arriti të gëzojë ndikim ndër
banorët e viseve. I biri, Mustafa beu (Muço) arriti të futej në radhën e dyerve të fisme
shqiptare duke u martuar me një vajzë çalamane të bejlerëve të Këlcyrës.
Pas Muço beut, ishte Myftar beu (Samiu e quan Ali Pashë me gradë miri miran)[1] që
fitoi pozitën më të lartë duke u caktuar dizdar (kështjellar) i Tepelenës; dhe më pas ra
rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit.[2] Një nga tre djemtë e Myftar
beut,[1] Veli beu muar për grua Esmiha hanëmin nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të
njiheshin si Zenelbejllinjtë,[2] çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë.[1]
Biografia
I ati u vra kur Aliu qe nëntë apo dhjetë vjeç dhe u rrit nga e ëma.[3] Familja Tepelena, tashmë e
përfaqësuar nga dy të mitur, ra në grindje me Kardhiqin, fshat i lirë, se kush do të ishte këmborë për
disa fshatra përreth Karjanit dhe sidomos fshatin Kakos, të drejtë që prej brezash ishte ushtruar
Tepelenët. I pari i Kardhiqit, Demir agë Dosti po e mëtonte tashmë këtë të drejtë për vete.
Më 1752 hanko Esmihaja me të bijën udhëtuan drejt Karjanit që të vilnin taksën e këmborës që
Tepelenët e vilnin si përfaqësues vendorë të Portës së Lartë. Kardhiqiotët i bënë pritë në kthim në
një grykëmali, i morën Esmihanë me të bijën me vete në Kardhiq, i detyruan të kthenin të ardhurat e
paligjshme disavjeçare nga kjo taksë dhe iu bënë të qartë që mos ta pretendonin më në të ardhmen.
Esmiha hanëmi e bëri këtë lëshim kundrejt kardhiqiotëve, por ushqeu hakmarrje tek i biri. Aliu iu dha
jetës së komitit me trimat e vet deri kur më 1763 i kërkoi dorën Hanko pashës (e shoqja e pashës), e
bija e Ahmet pashë Ngurzës. Por Hankoja nuk e pranoi kërkesën e tij dhe më 1766 u martua me
Ibrahim pashë Vlorën.
1812-1822
Orvatjet e Ali Pashë Tepelenës për të krijuar në vitet 1812-1819 një besëlidhje me sundimtarët
feudalë të Shqipërisë së Veriut e sidomos me Bushatllinjtë me qëllim që të përballonin bashkërisht
politikën centraliste të filluar nga Sulltan Mahmuti II, nuk dhanë rezultat. Rivaliteti midis Vezirit të
Janinës dhe atij të Shkodrës e shpuri Mustafa Pashë Bushatlliun të merrte haptazi anën e Portës,
kur kjo filloi të mente masa ushtarake kundër qeveritarit të Janinës, që ishte bërë tashmë tepër i
rrezikshëm dhe po tregonte haptazi synimet e tij për t'u bërë i pavarur nga Porta. Në vitet 1820-
1822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë
Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur
zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë. Ai ndihmoi për këtë qëllim edhe lëvizjet çlirimtare të
popujve ballkanas e sidomos kryengritjen e popullit grek, së cilës i dha ndihmë të madhe si në vitet e
përgatitjes, ashtu edhe gjatë vitit të parë të zhvillimit të saj. Por aleanca luftarake e lidhur me
kryengritësit grekë të Etolisë e Akarnanisë nuk mundi të zhvillohej më tej, ajo u sabotua nga krerët e
kësaj lëvizjeje.
Megjithëse forcat e Ali Pashë Tepelenës në këto kushte u ndodhën vetëm përballë ushtrive osmane
që u dërguan kundër Pashallëkut të Janinës, Ali Pashë Tepelena i bëri ballë rrethimit për një vit e
gjysmë. I braktisur më në fund edhe nga të bijtë dhe sundimtarë të tjerë krahinorë, Ali Pashë
Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në një ishull të Liqenit të Janinës, u vra
më në fund me të pabesë.
Politika e Ali Pashë Tepelenës që synonte autonominë dhe bashkimin e krahinave shqiptare nën
sundimin e pashallëkut të Janinës, më në fund dhe lufta e tij e hapur kundër sulltanit, e thelluan më
tej hendekun midis shqiptarëve dhe sundimtarëve osmanë dhe ndihmuan për të përgatitur truallin
për një etapë të re më të lartë të lëvizjes çlirimtare antiosmane të popullit shqiptar për Rilindjen
Kombëtare.