Professional Documents
Culture Documents
Puna Me Faktet Dhe Konceptet
Puna Me Faktet Dhe Konceptet
Gjeografia, lëndë për edukimin botëkuptimor e profesional. Puna me faktet dhe konceptet
gjeografike
Në orën e parë të mësimit të gjeografisë, nga mësuesi kërkohet, të thotë se ç’është gjeografia. Për
arsimtarët e matematikës, të fizikës ose të biologjisë, për shembull, nuk paraqet asnjë vështirësi
përkufizimi i shkencave në fjalë, sepse objekti i studimit të këtyre shkencave është i përcaktuar
qartë. Ndërkohë, arsimtari i gjeografisë duhet të përpëlitet, sepse nuk ekziston një përkufizim i
shkurtër i gjeografisë, së paku jo i tillë, që ta pranonte shumica e gjeografëve. Përkufizimet e
shkurtra, si ato “gjeografia është shkenca e gjeosistemeve” ose “gjeografia është shkenca e
landshtafeve”, nuk kanë kurrfarë kuptimi për fëmijët dhe nuk i sjellin asnjë dobi mësuesit të
gjeografisë.
Me planetin tonë, nga këndvështrime të ndryshme, merren shumë disiplina shkencore, qëllimi i
të cilave është studimi i gjithanshëm i Tokës: gjeologjia, gjeofizika, gjeokimia, gjeodezia dhe, në
fund, gjeografia. Secila prej këtyre disiplinave shkencore ka fushën e përcaktuar qartë të studimit
të Tokës si objekt kryesor i studimeve të veta.
Vetë fjala gjeografi do të thotë përshkrim i tokës, d.m.th. gjeografia është konsideruar fillimisht,
si shkenca që merret në përshkrimin e Tokës, ose me vizatimin e Tokës, siç e ka konceptuar, për
shembull, Ptolemeu. Zhvillimi gradual sasior dhe cilësor i gjeografisë solli diferencimet e saj të
brendshme, por edhe zhvendosjen e pjesëve të fushave të saj të studimit në fushat e tjera, sot
disiplina të pavarura shkencore.
Sot, gjeografia është shkencë e pavarur në kufirin midis shkencave natyrore, shoqërore dhe
teknike. Është e pamundur të jepet një përkufizim njëkuptimësh i gjeografisë edhe për arsye,
sepse ekzistojnë shumë përkufizime të ndryshme. Me dallime më të mëdha apo më të vogla,
midis tyre mund të veçohen pikat e mëposhtme të përbashkëta:
Gjeografia është shkencë, sepse studion realitetin dhe arrin tek njohuritë e reja;
Gjeografia studion vetëm një pjesë të planetit tonë;
Gjeografia merret me studimin e shtrirjes territoriale të dukurive të caktuara në Tokë dhe me
studimin e zhvillimit të tyre në kohë;
Gjeografia studion lidhjet midis objekteve në Tokë dhe përpiqet të zbulojë ligjësitë që
përcaktojnë shtrirjen e këtyre objekteve në Tokë;
Gjeografia merret si me objektet dhe dukuritë natyrore, ashtu edhe me njeriun, me veprimtarinë
dhe ndikimin e tij mbi natyrën.
Në bazë të të gjitha këtyre që u përmendën, gjeografia mund të përkufizohet, si shkenca që
merret me studimin e marrëdhënieve midis sistemit të mjedisit natyror dhe sistemit të shoqërisë
njerëzore në hapësirë dhe në kohë, ose si shkenca që merret me studimin e gjeosistemeve dhe
ndarjen e tyre në hapësirë e në kohë.
Mbështjellësi gjeografik
Mbështjellësi gjeografik i Tokës është objekt studimi i gjeografisë. Pra, gjeografia, sikurse edhe
çdo shkencë tjetër, ka objektin e vet të studimit. Respektivisht, dy ose më shumë shkenca nuk
mund të kenë të njëjtin objekt studimi. Në të vërtetë, midis gjeografëve ekzistojnë dallime të
dukshme në mendimet, se cili është objekti i studimit të kësaj shkence. Ndërkohë, këto dallime
janë më shumë të natyrës terminologjike, d.m.th. gjeografët nuk pajtohen përgjithësisht për atë,
se si duhet quajtur objekti i studimit të shkencës së tyre, ndërsa më pak me atë, se ç’gjë në thelb
studion ose duhet të studiojë gjeografia, respektivisht sistemi i shkencave gjeografike.
Në gjeografinë klasike, për objektin e studimit të shkencës së gjeografisë, është përdorur termi
sipërfaqja e Tokës. Dhe menjëherë ka pasuar shpjegimi, se nuk është fjala për sipërfaqen në
kuptimin matematikor (hapësirën dydimensionale me gjërësi dhe gjatësi), por për shtresën
sipërfaqësore tredimensionale të Tokës; pra, për mbështjellësin sferik, i cili, përveç gjerësisë dhe
gjatësisë, ka edhe lartësinë, përkatësisht trashësinë-forcë. Duhet thënë, se një konceptim i tillë i
sipërfaqes së Tokës përfaqëson në thelb objektin e studimit të gjeografisë. Sipas kësaj, termi
tradicional sipërfaqja e Tokës, është plotësisht adekuat për objektin e studimit të gjeografisë. Por,
ai është braktisur në botë dhe, gjithsesi s’duhet ripërtërirë.
Profesori S.Ileshiq thotë: “Gjeografia është bërë shkenca për sipërfaqen sferike të Tokës
(gjeosferën) dhe për pjesët e saj të veçanta (zonat dhe rajonet)”. Pra, objekt i studimit të
gjeografisë është sfera sipërfaqësore e Tokës. Por, atë nuk mund ta quajmë gjeosferë, sepse kemi
disa gjeosfera.
Mbështjellësi gjeografik i Tokës është termi më i shpeshtë që përdoret në literaturën gjeografike
sovjetike për objektin e studimit të gjeografisë. Konceptin mbështjellës gjeografik i Tokës e ka
futur dhe trajtuar imtësisht akademiku gjeograf sovjetik A. A. Grigoriev në vitin 1937. Ai
përfaqëson sferën sipërfaqësore më të ndërlikuar të planetit tonë, e cila, për nga përbërja dhe për
nga ndërtimi, dallohet nga të gjitha sferat e tjera të Tokës. Mbështjellësi gjeografik i Tokës është
formuar dhe zhvillohet nën ndikimin e forcave të brendshme tokësore (telure), të forcave të
jashtme diellore (solare) dhe të forcave kozmike në përgjithësi. Në të kontaktojnë, ndërthuren
(gërshetohen me njëra tjetrën) dhe zhvillohen me ndikimet më të ngushta reciproke atmosfera,
hidrosfera, litosfera dhe biosfera, duke formuar një tërësi unike të pandashme. Trashësia-forcë e
këtij mbështjellësi është 20-30 km; nga sipërfaqja fizike e Tokës shkon në thellësi afro 11 km (në
oqeane), ndërsa në lartësi 9-18 km (kufiri i sipërm i troposferës).
Komponentët përbërës të veçantë të pjesës së mbështjellësit gjeografik (atmosfera, hidrosfera,
litosfera dhe bisofera) studiohen nga shumë shkenca. Por, si tërësi të veçantë natyroro-historike
dhe si vendbanim të qenies njerëzore, mbështjellësin gjeografik të Tokës e studion vetëm një
shkencë; gjeografia. Pra, gjeografia ka objektin e vet të studimit, i cili nuk përputhet me objektin
e studimit të shkencave të tjera për Tokën.
Pikërisht, për arsyen se gjeografia studion atë gjeosferë, në të cilën ka lindur dhe është zhvilluar
jeta, për emrin e objektit të studimit të shkencës gjeografike, janë propozuar dhe përdorur edhe
termat: biosferë, biogjeosferë (gr. bio = jetë, genos = lindje). Por, shihet qartë, se këto terma
tregojnë më shumë aspektin biologjik sesa atë gjeografik të studimit dhe, si të tillë, nuk janë të
përshtatshëm për emërtimin e objektit të studimit të gjeografisë. Si sfera, në të cilën është
shfaqur dhe është zhvilluar shoqëria njerëzore, ka mendime se duhet quajtur antropogjeosferë
dhe antropogjenosferë (gr. antropos = njeri). Njeriu dhe ekzistenca e tij në Tokë (sipas studimeve
më të reja prej më shumë se 2 milionë vjet), paraqet faktorin dhe dukurinë jashtëzakonisht të
rëndësishme në historinë e mbështjellësit sipërfaqësor të planetit tonë. Pikërisht për këtë arsye,
periudha më e re në historinë gjeologjike të Tokës është quajtur antropogjene. Ndërkohë,
mbështjellësi gjeografik i Tokës është formuar, diferencuar dhe zhvilluar si një sferë e veçantë në
planetin tonë, shumë më parë sesa të shfaqej njeriu.
Shpesh, për objektin e studimit të gjeografisë, përdoret termi mjedis gjeografik. Por, ky term nuk
është i përshtatshëm për disa arsye. E para, kur themi “mjedis”, pason gjithmonë pyetja “mjedisi
i ç’gjëje?” Përveç kësaj, koncepti mjedis gjeografik është një hapësirë mjaft relative dhe e
papërcaktuar. Zakonisht, mendohet se mjedisi gjeografik është pjesë e mbështjellësit sipërfaqësor
të Tokës, në të cilin ndjehet ndikimi i njeriut, d.m.th. mjedisi natyror i cili, më pak apo më
shumë, është ndryshuar nga puna e njeriut. Pra, ky është mjedisi që e rrethon njeriun dhe në të
cilin zhvillohet veprimtaria materiale e shpirtërore e njeriut. I konceptuar kështu, është e qartë se
mjedisi, me zhvillimin teknologjik dhe fizik të njerëzimit, është zgjeruar dhe zgjerohet
vazhdimisht edhe sot, ndërsa me mbështjellësin gjeografik nuk ndodh kështu. Sipas kësaj,
mjedisi gjeografik, në një të ardhme të afërt apo të largët, do të “përputhet” me mbështjellësin
gjeografik të Tokës. Megjithatë, ndikimi i njeriut (satelitët kozmikë, shkuarja e njerëzve në Hënë
etj.) ndjehet tashmë në një masë të madhe edhe jashtë mbështjellësit gjeografik të Tokës.
Në literaturën gjeografike franceze, për objektin e studimit të gjeografisë përdoret shpesh termi
peizazh, kurse në atë gjermane landshaft. Termi landshaft është familjarizuar edhe në literaturën
gjeografike sovjetike. Bile, sipas disa gjeografëve sovjetikë, për objektin e studimit të gjeografisë
përdoret termi mbështjellësi i landshaftit (landshaftna oboloçka) ose sfera e landshaftit. Sfera e
landshaftit, për disa gjeografë sovjetikë, është e njëjta gjë si mbështjellësi gjeografik i Tokës,
kurse për disa të tjerë (për shembull F. Miljkova) përfaqëson shtresën sipërfaqësore shumë të
hollë të planetit tonë me trashësi vetëm 5 deri 150 m. Në përgjithësi në gjeografi, është debatuar
shumë për konceptin dhe termin landshaft. Por, është mbetur mjaft larg nga mendimi i
përbashkët dhe i pranuar nga të gjithë. Kjo, me siguri, edhe për arsye se landshaft dhe peizazh
janë sinonime (kanë të njëjtin kuptim), kështu që tek ato nuk do të ndalemi. Në një përkthim të
lirë, ato mund të formulohen si “pamja e tokës”,”ajo që formon tokën”, “ajo që shihet (në tokë)”,
por përdoren edhe në kuptimin pjesë.
Ekzistojnë edhe terma të tjerë, me të cilët emërtohet objekti i studimit të gjeografisë. Ato nuk do
i përmendim këtu. Do të flasim vetëm për njerin; epigjeosferë. Këtë term e ka propozuar në vitin
1965 gjeografi sovjetik A. G. Isaçenko. Me të nënkuptohet hapësira që i përgjigjet termit
mbështjellësi gjeografik i Tokës. Por, është më i shkurtri, më i thjeshti, ndërsa është nxjerrë nga
fjalët greqisht, sikurse edhe shumë terma të gjeografisë (epi = mbi, në kuptimin mbi sipërfaqe, i
jashtëm). Pra, epigjeosfera është “mbështjellësi i jashtëm i Tokës”. Ky term i përshtatet objektit
real të studimit të gjeografisë, sepse “sfera sipërfaqësore e Tokës” është e jashtme, si në raport
me forcat e brendshme tokësore (telure), ashtu dhe në raport me forcat kozmike diellore (solare)
dhe me energjinë nën të cilat ajo zhvillohet. Termi epigjeosferë është pranuar mjaft mirë dhe
shpejt në Bashkimin Sovjetik. Është e vërtetë, ai akoma nuk ka hyrë në literaturën shkollore (në
Tekstet mësimore).
Sigurisht, është e dëshirueshme dhe e nevojshme të kemi një term unik për objektin e studimit të
gjeografisë.
Mendojmë se tani, më i përshtatshmi, më i ploti dhe më i sakti është termi mbështjellësi
gjeografik i Tokës, i cili përfaqëson sferën sipërfaqësore (të jashtme) të planetit tonë (me kufij të
caktuar) dhe në të cilin ekziston bashkëveprimi shumë intensiv i komponentëve të tij,
përkatësisht i elementeve abiotike (fiziko-gjeografike) dhe biotike, sikurse edhe ai i komponentit
njeri. Përveç kësaj, mbështjellësi gjeografik i Tokës duhet kuptuar si gjeosistem të rangut më të
lartë, i cili studion gjithë sistemin e shkencave gjeografike. Detyra e gjeografisë është pikërisht
ajo që thotë prof. S. Ileshiq, “t’i përshkruajë dhe t’i shpjegojë të gjitha ato dukuri që me lidhje
vartësie dhe funksionale reciproke kanë krijuar realitetin e sotëm hapësinor”.
Këto janë teza të shkëlqyera, të cilat mund t’u jepen nxënësve me detyrë që ata vetë, të përpiqen
t’i shpjegojnë. Shpjegimet e mësipërme mund të jenë edhe me humor, pse jo!
Puna me konceptet
Konceptet janë një nga format e pasqyrimit të botës materiale në vetëdijen tonë. Ato
përfaqësojnë vetitë më të përgjtishme dhe më thelbësore të objekteve dhe dukurive gjeografike,
konceptet gjeografike janë dy llojesh: të përgjithshme dhe të përveçme. Konceptet e
përgjithshme përfshijnë dukuri apo objekte gjeografike që hyjnë në një grup dhe që kanë
emërtim të njëjtë si p.sh. lumë, mal, kodër, mot, etj. Konceptet e përveçme tregojnë vetëm një
objekt apo dukuri gjeografikë që ka emërtim të vetëm si p.sh. Lumi Drino, Mali Gramoz, etj.
Formimi i konceptetve të përgjithshme bëhet duke ndjekur vetëm një rrugë: rrugën inductive dhe
atë deduktive. Rruga induktive përdoret në klasat e ulëta të shkollës 9-vjeçare dhe karakterizohet
nga puna e mësuesit dhe e nxënësve për vëzhgimin e objektit gjeografik, për përgjithësimin e
vetive të tij dhe nxjerrjen e përkufizimit të konceptit. Në këtë proces, mësuesi vlerëson disa
momente, si:
a) vëzhgimi i objektit apo i dukurive gjeografike në natyrë, tabllo, maket, hartë, etj.
b) Përcaktimi i veçorive kryesore të këtij objekti.
c) Përgjithësimi i tyre.
d) Nxjerrja e përkufizimit të konceptit.
e) Zbatimi i konceptit në praktikë. P.sh për të formuar konceptitn ‘lumë’ në fillim nxënësit një
lumë në natyrë apo në një tabllo në klasë; më pas analizojnë veçoritë e tij; bëhet përgjithësimi
dhe përcaktimi i konceptit ‘lumë’ dhe në fund aktivitetet praktike për të gjetur në hartë një lumë
apo për të modeluar një të tillë në arkën e rërës apo në sheshin gjeografik.
Rruga deduktive konsiston në kalimin nga e përgjithshmja te e veçanta dhe kjo përdoret kryesisht
në shkollën e mesme. Në përdorimin e kësaj rruge mësuesi ka parasysh këto momente: së pari,
jepet përkufizimi i konceptit, së dyti, konkretizohet koncepti në objekte të ndryshme duke
ndaluar veçoritë e tyre dhe në fund përgjithësohet me ushtrime të ndryshme.
Puna për formimin e konceptetve nuk mbaron me kaq. Ajo quhet e përfunduar kur mësuesi njeh
shkallën e përvetësimit nga nxënësit. Një koncept është i përvetësuar vetëm atëherë kur nxënësit
njohin logjikisht vetitë më të përgjthshme e më thelbësore të objektit apo dukurisë që përfaqëson
konceptin dhe kur ata janë në gjendje që konceptet t’i përdorin në mënyrë të pavarur në praktikë.
Për të kontrolluar përvetësimin e një koncepti të caktuar nga nxënësit, mësuesi ka parasysh të
paktën dy momente kryesore: e para, duke kërkuar nga nxënësit që ata të përsëritin veçoritë më
themelore të konceptit të ri. Por kjo nuk mjafton se ata mund t’i dinë përmendsh ato, ndaj puna
vazhdon me etapën e dytë që konsiston në vënien para nxënësve të detyrave për të parë
praktikisht se sa ata e kanë përvetësuar përmbajtjen e këtij koncepti. Të tilla detyra mund të
jepen si në rubrikat e punës së udhëhequr e të pavarur siç janë bërja e skicave, tabelave, figurave
etj ashtu dhe gjatë ekskursioneve në natyrë.
Puna me konceptet gjeografike është punë e vazhdueshme që bën mësuesi gjatë gjithë orës së
mësimit, madje do të thoshim edhe para saj. Gjatë përgatitjes për orën e mësimit ai nxjerr nga
tema e re konceptet e reja dhe planifikon mënyrat dhe mjetet që do të përdorë për t’ua shpjeguar
ato nxënësve. Në orën e mësimit, gjatë përpunimit të materialit të ri mësimor, ai ndalet tek çdo
koncept i ri dhe duke përdorur rrugë të ndryshme ua sqaron ato nxënësve. Sqarimi i tij
shoqërohet me skica, demonstrim mjetesh, shënime në dërrasën e zezë, etj.
Nxënësit shënojnë në fletoren e tyre konceptin e ri dhe shpjegimin e tij. Në punën me tekstin
mësuesi ndalet veçanërisht tek konceptet e reja, të cilat ua tregon nxënësve, i nënvizon dhe i
përgatit ata për t’i përvetësuar, të njëjtën gjë bën edhe gjatë kontrollit, ku zbulimi i shkallës së
përvetësimit të koncepteve gjeografike është një nga detyrat kryesore të këtij momenti.