Download as doc, pdf, or txt
Download as doc, pdf, or txt
You are on page 1of 9

Nr.56550-00145-00-2011 i Regj.

Themeltar
Nr.00-2013-987 i Vendimit (197)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:

Aleksandër Muskaj Kryesues


Edmond Islamaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar

në datën 12.06.2013 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale me palë:

KËRKUES: PROKURORIA PRANË GJYKATËS PËR


KRIME TË RËNDA TIRANË, përfaqësuar
nga prokurori pranë Gjykatës së Lartë,
Artur Selmani.
KUNDËR:
TË GJYKUARIT: NEXHAT KOÇI, i mbrojtur nga
av. Ilir Haznedari

A K U Z U A R:
Për veprat penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”,
në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal,”
të parashikuara si të tilla në nenet 298, paragrafi i parë
në lidhje me nenet 333/a dhe 28/4 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me vendimin nr.40, datë
12.11.2010, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi, për kryerjen e veprës penale
të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i
Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 vjet e 6 muaj burgim e 6.000.000 lekë
gjobë.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të
pandehurit Nexhat Koçi me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe 4.000.000 lekë gjobë.
 
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.61, datë 24.12.2010, ka
vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.40, datë 12.11.2010 të Gjykatës për Krime të Rënda
si më poshtë: Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi për kryerjen e
veprës penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni
333/a/2 i Kodit Penal e dënimin e tij me 2 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi, për kryerjen e veprës penale
të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim fitimi, në kuadër të

1
grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 298/2 dhe 334/1 i Kodit
Penal dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim e 6.000.000 lekë gjobë.
Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55/1 te Kodit Penal e dënon me një dënim
të vetëm prej 9 vjet e 6.000.000 lekë gjobë.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale e dënon përfundimisht të pandehurin
Nexhat Koçi me 6 vjet burgim dhe 4.000.000 lekë gjobë.

Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs i gjykuari Nexhat Koçi nëpërmjet mbrojtësit
Av.Ilir Haznedari, me anën e të cilit ka kërkuar: “Prishjen e vendimit penal nr.61, datë
24.12.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit
penal nr.40, datë 12.11.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime te Rënda Tiranë”.

KOLEGJI PENAL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ


pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; dëgjoi prokurorin pranë Gjykatës
së Lartë Artur Selmani, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.61, datë 24.12.2010 të
Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë; dëgjoi mbrojtësin e të gjykuarit Nexhat Koçi,
av. Ilir Haznedari, i cili kërkoi prishjen e vendimit nr.61, datë 24.12.2010 të Gjykatës së
Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 12.11.2010 të
Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime te Rënda Tiranë; dhe, si shqyrtoi në tërësi çështjen,

VЁREN
Se vendimi penal nr.61, datë 24.12.2010 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda
Tiranë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural e atij material penal e për pasojë
do të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi nr.40, datë 12.11.2010 i Gjykatës së Shkallës së
Parë për Krime të Rënda Tiranë.
A. Rrethanat e faktit.
1. I gjykuari Nexhat Koçi, ka qenë i punësuar si kapiten i peshkarexhës “Realdo 1”, me
pronar të dënuarin Sherif Vrioni dhe ka pasur lidhje shoqërore dhe me shtetasit
Skënder Toska (ish-kapiten i kësaj anije), si dhe Anton Kabali e Gentian Kadillari
(marinarë në këtë anije peshkimi, persona të dënuar për këtë vepër penale) dhe
Nazmi Tatani (edhe ky i dënuar për këtë vepër penale).
2. Më datën 14.06.2006, i dënuari Sherif Vrioni i ka propozuar të dënuarit Skënder
Toska që të punonte me peshkarexhën e tij dhe ky, duke qenë se anija ku ishte i
punësuar nuk punonte ka pranuar propozimin e të dënuarit Sherif. Më datë
15.06.2006, të dënuarit janë takuar me njëri-tjetrin dhe kanë rënë në marrëveshje që,
Skënder Toska me cilësinë e kapitenit të peshkarexhës do të dilte për peshkim dhe në
afërsi të bregdetit të fshatit Rrushkull, do të transportonte me peshkarexhë rreth 30
persona, transportim i cili do të bëhej deri tek anija “Tiber”, që i priste në det të
hapur e nëpërmjet saj ato do te dërgoheshin drejt brigjeve italiane. I dënuari Sherif, i
ka premtuar të dënuarit Skënder se për punën që do të kryente do të shpërblehej, por
pa ia caktuar shumën e parave dhe të njëjtën marrëveshje ka bërë edhe me të dënuarit
Anton Kabali dhe Gentian Kadillari, të cilët kanë qenë të punësuar si marinarë.
3. Më datë 16.06.2006, rreth orës 1100, ekuipazhi i peshkarexhës dhe konkretisht të
dënuarit Skënder Toska, Anton Kabali, Gentian Kadillari, pasi kanë kryer formalitetet
janë nisur për peshkim, ku fillimisht kanë peshkuar përballë qytetit të Durrësit, e më
pas kanë vazhduar përballë fshatit Rrushkull. Rreth orës 1830 i dënuari Sherif Vrioni
ka komunikuar me të dënuarin Skënder Toska dhe pasi ka marrë koordinatat për
vendndodhjen e peshkarexhës e ka porositur që të qëndronte në pritje pasi do t’i

2
dërgonte klandestinët. Pikërisht, rreth orës 2230 peshkarexha është drejtuar në afërsi të
bregdetit të fshatit Rrushkull dhe ndërkohë aty kanë shkuar edhe 2 varka të vogla tip
motoskafë, me shtetasit që kërkonin të largoheshin për në Itali. Këta persona pasi
kanë hipur në peshkarexhë janë nisur për në drejtim të anijes “Tiber” që po priste në
det të hapur. Por, pasi kanë lundruar për rreth 13 milje, peshkarexha “Realdo 1”, ka
pësuar një defekt në sistemin e drejtimit (grupin e timonit) dhe për këtë shkak të
pandehurit janë detyruar të ktheheshin në kalatën lindore të portit të Durrësit. Për këtë
është lajmëruar në telefon i dënuari Sherif Vrioni. I dënuari Skënder Toska ka punuar
si kapiten me peshkarexhën “Realdo 1” edhe një ditë tjetër (17.06.2006) dhe më pas
është larguar, ndërkohë pas kësaj datë peshkarexhën e ka drejtuar si kapiten i gjykuari
Nexhat Koçi.
4. I njëjti mekanizëm ka ndodhur edhe më datë 07.07.2006, ku i gjykuari Nexhat Koçi
ka rënë në marrëveshje me të dënuarin Nazmi Tatani për të ndihmuar në kalimin e
paligjshëm të kufirit disa banorë të Rrethit të Kavajës, kundrejt shumës prej 3500
euro për person, shpërblim i cili do të ndahej mes tyre. Më datë 07.07.2006 është bërë
nisja e peshkarexhës nga Porti Detar Durrës dhe ka qëndruar në pritje për të vajtur
klandestinët, me transportimin e të cilëve është marrë i dënuari Nazmi Tatani, i cili ka
bërë transportin e shtetasve Alfons Muça, Albert Hallulli, Julian Sinameta, Olltion
Hallulli, Orges Muça dhe Dorian Koçi nga Kavaja për në Durrës.
5. Këto shtetas, së bashku me 23 shtetas të tjerë banorë të Rretheve Vlorë, Librazhd dhe
Durrës, janë transportuar me varka nga bregdeti për tek peshkarexha e cila drejtohej
nga i gjykuari Nexhat Koçi (kapiteni i saj), si dhe nga të dënuarit Anton Kabali dhe
Gentian Kadillari. Ekuipazhi i kësaj peshkarexhe i ka transportuar shtetasit e
mësipërm disa milje në det të hapur deri tek anija “Tibër”, e cila ka bërë
transportimin e mëtejshëm për në brigjet italiane, ndërsa peshkarexha është kthyer për
në Durrës.
6. Në kohën që anija “Tiber”, ka arritur në brigjet e Barit - Itali, autoritetet policore
kanë ushtruar kontrollin e anijes dhe kanë konstatuar se në brendësi të saj ndodheshin
shtetasit shqiptarë: Denis Nerjaku, Ervis Mehmeti, Edmond Cipa, Artur Çeloaliaj,
Kastriot Allushi, Gazmend Vangjeli, Orges Kasa, Rudian Hekuri, Afrim Zika, Bledar
Mema, Festim Xhahysa, Dorian Koçi, Alfons Muça, Julian Sinameta, Olltion Hallulli,
Albert Hallulli, Orges Muça dhe Leonard Bello,..etj., të cilët kishin kaluar kufirin në
mënyrë të paligjshme dhe më pas i kanë kthyer në Portin e Durrësit. Ndërsa, rreth 12
persona të tjerë kanë arritur që të largohen nga anija “Tiber”, para kontrollit policor
dhe janë futur në territorin e shtetit italian.
7. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës më datë 13.07.2006 ka
regjistruar procedimin penal me nr.652, për veprën penale të “Dhënie ndihmë për
kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit
Gentian Kadillari, Anton Kabali, Skënder Toska, Sherif Vrioni, Nexhat Koçi e Nazmi
Tatani, parashikuar nga neni 298/3 i K.Penal, si dhe për veprën penale të “Kalimit të
paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve
Julian Sinameta, Rudian Hekuri, etj.
B. Procedurat gjyqësore.
8. Më datën 31.01.2007 i është dërguar për gjykim Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës
çështja penale nr.652/1 e vitit 2007, ndaj të gjykuarve Sherif Vrioni, Skënder Toska,
Nexhat Koçi, Nazmi Tatani, Anton Kabali dhe Gentian Kadillari (pasi për të
gjykuarin e akuzuar për kalim të paligjshëm të kufirit, çështja është veçuar e dërguar
për gjykim më vete). Në zbatim të nenit 93/1/2 të K.Pr.Penale, gjykata ka veçuar

3
çështjen penale në ngarkim të të gjykuarve Nexhat Koçi dhe Sherif Vrioni dhe ka
vazhduar gjykimin për të gjykuarin Skënder Toska, Nazmi Tatani, Anton Kabali e
Gentian Kadillari.
9. Gjatë gjykimit të shtetasve Nexhat Koçi e Sherif Vrioni, me datë 17.07.2007, Gjykata
e Shkallës së Parë Durrës, mbështetur ne nenet 93/2, 354 dhe 404 të K.Pr.Penale ka
pranuar kërkesën për veçimin e gjykimit për të gjykuarin Nexhat Koçi si dhe ka
vazhduar gjykimin ndaj të gjykuarit Sherif Vrioni, i cili ka kërkuar gjykim të
shkurtuar, pasi çmon se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. 
Pas përfundimit të gjykimit ndaj të gjykuarit Sherif Vrioni, gjykata me vendimin
nr.592, datë 14.11.2007 e ka deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të
“Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe, në bazë të nenit 298/3 të Kodit
Penal e në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj
burgim e 4 milion lekë gjobë. Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në fuqi këtë vendim
dhe ndërkohë, ka aplikuar nenin 59 të Kodit Penal, duke u vënë i gjykuari në provë
për një afat prej 4 vjet kohë.
10. Pas gjykimit në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, i gjykuari Nexhat
Koçi është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të “Ndihmës për kalim të
paligjshëm të kufirit” parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal dhe është dënuar me 6
vjet burgim dhe 6 milion lekë gjobë. Mbi ankimin e prokurorit (për ashpërsim të
masës së dënimit) dhe të gjykuarit (për masë të butë dënimi) Gjykata e Apelit Durrës,
me vendimin nr.10-2010-537, datë 14.06.2010, ka prishur vendimin e Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Durrës dhe e ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e
Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me arsyetimin se “...rrethana e
bashkëpunimit të të pandehurit Nexhat Koçi është e përputhur me “bashkëpunimin e
veçantë”, parashikuar nga neni 28 i K.Penal, pikërisht në formën e “grupit të
strukturuar kriminal”, parashikuar nga pika 4 e këtij neni e për pasojë, fakti penal
duhej të cilësohej ndryshe nga ç’ka përcaktuar gjykata e shkallës së parë”. 
11. Në seancën gjyqësore të datës 17.09.2010, konform nenit 373 të K.Pr.Penale
prokurori i komunikoi të gjykuarit Nexhat Koçi akuzën e re, atë të “Ndihmë për
kalim të paligjshëm të kufirit”, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të
strukturuar kriminal, të parashikuara si të tilla në nenet 298, paragrafi i parë në
lidhje me nenet 333/a dhe 28/4 të Kodit Penal. I gjykuari dhe mbrojtësi i tij, në bazë
të nenit 403 të K.Pr.Penale, kërkuan gjykim të shkurtuar dhe gjykata, duke çmuar që
çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet si dhe faktin që të gjithë të
bashkëpandehurit e tjerë të këtij procedimi penal janë gjykuar në formën e gjykimit të
shkurtuar, pranoi kërkesën.
12. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me vendimin nr.40, datë
12.11.2010 ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi për kryerjen
e veprës penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni
298/3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 vjet e 6 muaj burgim e 6.000.000 lekë
gjobë.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit
Nexhat Koçi me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe 4.000.000 lekë gjobë”.
13. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.61, datë 24.12.2010 ka
vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.40, datë 12.11.2010 të Gjykatës për Krime të
Rënda si më poshtë: Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi për kryerjen e
veprës penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i
Kodit Penal e dënimin e tij me 2 vjet burgim.

4
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nexhat Koçi, për kryerjen e veprës penale të
“Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim fitimi, në kuadër të grupit të
strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 298/2 dhe 334/1 i Kodit Penal dhe
dënimin e tij me 8 vjet burgim e 6.000.000 lekë gjobë.
Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55/1 të Kodit Penal, e dënon me një dënim të
vetëm prej 9 vjet e 6.000.000 lekë gjobë.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale e dënon përfundimisht të pandehurin Nexhat
Koçi me 6 vjet burgim dhe 4.000.000 lekë gjobë”.
14. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs i gjykuari Nexhat Koçi, nëpërmjet
mbrojtësit Av.Ilir Haznedari, me anën e të cilit ka kërkuar: “Prishjen e vendimit penal
nr.61, datë 24.12.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe lënien në
fuqi të vendimit penal nr.40, datë 12.11.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë për
Krime të Rënda Tiranë”.
15. Në shkaqet e rekursit të paraqitur nga i gjykuari veçohen:
Gjykata e apelit ka zbatuar gabim ligjin.
Ajo, ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, konstatoi një formë
të veçante bashkëpunimi, atë të “Grupit të strukturuar kriminal”, ndërkohë që të
tjerët janë deklaruar fajtorë e dënuar për bashkëpunim të thjeshtë, parashikuar nga
neni 25 i K.Penal.
I gjykuari është ndodhur para faktit të kryer kur në anije janë imbarkuar
klandestinët, të cilët ishin marrë vesh me pronarin e anijes.
Edhe po të pranojmë bashkëpunimin, ai është i thjeshtë, fakt i pranuar dhe nga
gjykata e shkallës së parë.
Ky rast është trajtuar më parë si nga Gjykata e Rrethit dhe ajo e Apelit Durrës për
bashkëtëpandehurit e tjerë dhe pas shqyrtimit të provave nuk ka rezultuar se
ndodhemi para një bashkëpunimi të veçantë.
Këto gjykata kanë konkluduar se marrëveshja ka qenë e rastësishme, e çastit dhe jo e
paramenduar apo e realizuar më parë.
Ndërkohë që të gjithë të akuzuarit në këtë procedim penal janë gjykuar e dënuar me
bashkëpunim të thjeshtë, vetëm i gjykuari Nexhat Koçi dënohet për bashkëpunim të
veçantë. 
C. Arsyetimi ligjor i vendimeve të gjykatave.
16. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, mes të tjerave, ka arsyetuar se:
.. Në vlerësim të provave konkluduhet se i pandehuri Nexhat Koçi ka konsumuar
veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim të
thjeshtë, dhe jo të kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar si
të tilla në nenet 298, paragrafi i parë në lidhje me nenet 333/a dhe 28/4 të Kodit
Penal.
Në kryerjen e veprës penale kanë marrë pjesë pesë ose më shumë persona (Nexhat
Koçi, etj.). Të dënuarit Sherif Vrioni, Anton Kabali, Gentian Kadillari e Nazmi
Tatani kanë rënë dakord më tepër se një herë (konkretisht në datat 16.06.2006 dhe
07.07.2006) për kryerjen e kësaj vepre me qëllim për të realizuar fitim material.
Të bashkëpandehurit në këtë procedim kanë bashkëpunuar mes tyre duke e
paramenduar dhe përllogaritur për të kryer secili prej tyre në momentin e duhur,
veprimin që më parë kishte marrë përsipër dhe nuk janë formuar rastësisht.
I pandehuri Nexhat Koçi, para kryerjes se veprës penale të datës 07.07.2006, ka bërë
marrëveshje bashkëpunimi me të dënuarit e tjerë, por jo me të dënuarin Skënder

5
Toska, ku propozimin për marrëveshje dhe rolin e organizatorit e ka bërë i dënuari
Sherif Vrioni.
Ekzistenca e marrëveshjes së bashkëpunimit para kryerjes së veprës penale si dhe
pjesëmarrja e disa personave provon faktin se i pandehuri Nexhat e ka kryer veprën
në bashkëpunim, por implikimi i tij vetëm në një episod hedh poshtë akuzën se ky i
pandehur e ka kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të
strukturuar kriminal.
17. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë në vendimin e saj, mes të tjerave, ka
arsyetuar se: ... Marrëveshja e grupit të ekuipazhit si dhe Sherif Vrionit ka qenë jo
rastësore. Personat pjesëmarrës në kryerje të krimit kanë qenë Sherif Vrioni që ka
vënë në dispozicion peshkarexhën, Nexhat Koçi, Anton Kabali e Gentian Kadillari që
kanë përdorur këtë peshkarexhë dhe Nazmi Tatani që ka vënë në dispozicion për
transport rrugor makinën e tij, gjë që vërteton një grup që bëjnë pjesë minimalisht
pesë persona; se i pandehuri me pjesëmarrësit e tjerë në krim është marrë vesh për
kryerjen e veprës penale së paku një herë; se veprën e ka kryer përkundrejt
shpërblimit pra për të realizuar përfitim material në vlerë monetare; se
bashkëpunimi i tyre është i paramenduar dhe i parallogaritur për të kryer secili prej
tyre në momentin e duhur veprimin që më parë kishte marrë përsipër të kryente, pra
nuk janë formuar rastësisht…
…Nga deklarimet e Skënder Toska, Anton Kabali e Gentian Kadillari arrihet të
provohet e vërteta se, me datë 14.06.2006 Sherif Vrioni po krijonte grupin e
personave me qëllim për të kryer veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm
të kufirit”, duke vënë në dispozicion peshkarexhën e tij. Gjithashtu provohet se
sikurse më datë 07.07.2006 edhe më datë 16.06.2006 ka qenë anija “Tiber” që priste
peshkarexhën në det për të transportuar klandestinët, që tregon marrëveshjen e
bashkëpunimit në një lidhje të qëndrueshme, dijeninë e secilit prej tyre që bën pjesë
në një grup dhe që me pjesëmarrjen e tij jep kontribut në realizimin e veprës
penale….
D. Në lidhje me rekursin e ushtruar.
18. Shkaqet e parashtruara në rekurs nga ana e të gjykuarit Nexhat Koçi, pasi u analizuan
nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, kanë rezultuar të bazuara në ligj (Neni 432 i
Kodit të Procedurës Penale) dhe si të tilla, do të pranohen.
19. Përsa i përket kualifikimit ligjor të ndryshëm, që Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
i ka bërë veprës penale në lidhje me formën e bashkëpunimit midis të gjykuarve, duke
konkluduar se bashkëpunimi midis këtyre të gjykuarve për kryerjen e veprës penale të
“Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” është kryer në kuadrin e grupit të
strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, Kolegji Penal i
Gjykatës së Lartë vlerëson se ky konkluzion i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda
nuk gjen mbështetje në aktet e administruara dhe është nxjerrë në zbatim të gabuar të
ligjit material penal.
20. Gjykata e apelit duke deklaruar fajtor të gjykuarin Nexhat Koçi se ka kryer veprën
penale në formën e veçante të bashkëpunimit, atë të “Grupit te strukturuar kriminal”
mbështetur në nenin 334/1 të Kodit Penal, nuk ka marrë parasysh faktin se që të
ndodhemi para kësaj figure vepre penale duhet të provohen njëherësh disa elemente të
veçantë të bashkëpunimit në këtë formë të lartë të tij dhe konkretisht:
21. Neni 28 i Kodit Penal, paragrafi 4 rregullon “Format e veçanta të bashkëpunimit”
duke cilësuar se: …4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë

6
bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a
më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jo materiale.
Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e
nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash,
organizim dhe strukturim të zhvilluar.
5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë
të armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen
sipas parashikimeve të pjesës së posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera
penale të veçanta.
6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur
ose grupit të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të
kryera prej tyre, në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.
22. Në referim të dispozitës së cituar më lart, për të qenë para kryerjes së veprës apo
veprave penale nga ana e grupit të strukturuar kriminal kërkohet që të ekzistojnë
njëkohësisht të gjitha kushtet e përshkruara në përmbajtjen e saj. Ballafaquar me
provat e administruara ne gjykimin konkret në ngarkim të shtetasit Nexhat Koçi vihen
re se janë mbi tre persona që kanë bashkëpunuar, për qëllim fitimi ekonomik, nuk
kanë ndonjë anëtarësi të qëndrueshme, por nuk provohet elementi thelbësor i kësaj
figure që është “mos formimi rastësisht”..
23. Ekzistenca e një strukture të caktuar e bashkëpunimit në rastin e grupit të strukturuar
kriminal do të thotë që, pjesëmarrësit në grupin e strukturuar kriminal kanë një
drejtues apo krijues, kanë një ose disa anëtarë që veprojnë si shtytës, si ndihmës dhe
një ose disa anëtarë që veprojnë si ekzekutorë apo bashkë ekzekutorë.
24. Megjithëse sipas paragrafit të dytë, pika 4 të nenit 28 të K.Penal, përcaktohet se grupi
i strukturuar kriminal nuk dallohet për një organizim dhe strukturim të zhvilluar, kjo
nuk nënkupton se grupi i strukturuar kriminal nuk ka fare strukturë apo organizim,
pasi në të kundërtën nuk do të ishte formë e veçantë e më e lartë bashkëpunimi, pra
nuk do të quhej grup i strukturuar kriminal, por do të quhej bashkëpunim i thjeshtë.
25. Në rastin tonë në gjykim, nuk është vërtetuar që të ketë ekzistuar një organizim dhe
strukturim i caktuar dhe ndarja e roleve të krijuesit, shtytësit dhe ekzekutorët në këtë
grup. Nuk mund të ketë grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave prej tij pa
një krijues dhe drejtues dhe pa një organizim dhe strukturim të caktuar sado minimal.
Ekzistenca e një strukture dhe një organizimi për kryerjen e veprës penale, tek grupi i
strukturuar kriminal, është një nga elementët kryesorë që e dallon këtë formë
bashkëpunimi të veçantë nga bashkëpunimi i thjeshtë.
26. Nga ana tjetër, bashkëpunimi për kryerjen e një ose disa veprave në rastin e grupit të
strukturuar kriminal duhet të jetë i planifikuar, ose i paramenduar më parë se të
kryhen veprat penale, pasi sipas paragrafit të dytë, pika e 4 e nenit 28 të K.Penal,
grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një ose disa veprave nuk formohet
rastësisht.
27. Gjithashtu, në bashkëpunimin për kryerjen e një ose disa veprave penale në rastin e
grupit të strukturuar kriminal duhet të ketë një ndarje detyrash sado elementare. Pa
pasur një ndarje detyrash dhe rolesh midis bashkëpunëtorëve për kryerjen e veprës
penale nuk mund të jemi para grupit të strukturuar kriminal, por para formave të tjera
të bashkëpunimit.
28. Në rastin konkret, nga analiza e rrethanave të faktit dhe anës objektive të kësaj figure
vepre penale, ka rezultuar se të gjithë bashkëtëgjykuarit janë mbledhur (formuar)

7
rastësisht në kryerjen e transportit të shtetasve të ndryshëm me qëllim fitimi, jashtë
kufijve të vendit.
29. Kolegji Penal e gjen të drejtë e të bazuar në ligj e prova vendimin dhe konkluzionin e
gjykatës se faktit se: “Ekzistenca e marrëveshjes së bashkëpunimit para kryerjes së
veprës penale si dhe pjesëmarrja e disa personave provon faktin se i pandehuri
Nexhat Koçi e ka kryer veprën në bashkëpunim, por implikimi i tij vetëm në një
episod hedh poshtë akuzën se ky i pandehur e ka kryer në formën e veçantë të
bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”.
30. Që të ekzistojë vepra penale dhe autori të përgjigjet për kryerjen e kësaj vepre, ligji
ynë procedural e ai material penal si dhe doktrina juridike kërkojnë që të ekzistojnë
në të njëjtën kohë të katër elementët e saj dhe konkretisht subjekti dhe ana subjektive,
objekti dhe ana objektive. Mungesa qoftë edhe e njërit prej elementeve të sipërcituara
pas sjell detyrimisht mungesën e veprës penale.
31. Kolegji Penal i Gjykatës se Lartë konstaton se në veprimet e të gjykuarit Nexhat
Koçi, duke kaluar dhe dyshimet në favor të të gjykuarit, mungojnë dy elementë të
figurës së veprës penale e konkretisht ana subjektive dhe ana objektive e në këto
rrethana nuk janë të pranishëm elementët e figurës së veprës penale të “Grupit të
strukturuar kriminal” bazuar në nenet 334/1 të K.Penal
32. Veç sa sipër, rezulton e provuar se po për këtë akuzë, pra të “Ndihmës për kalim të
paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i K.Penal, me vendimin nr.228,
datë 07.05.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës i cili ka marrë formë të prerë
me vendimin nr.408, datë 13.11.2007 të Gjykatës së Apelit Durrës, janë deklaruar
fajtorë dhe dënuar bashkëpunëtorët Nazmi Tatani, Skënder Toska, Gentian Kadillari
dhe Anton Kabali. Të gjykuarit kanë qenë në një procedim të lidhur, ku fakti kriminal
për të cilin ndodhet në gjykim shtetasi Nexhat Koçi, në këto vendime gjyqësore të
formës së prerë, si dhe në vendimin e veçantë për të gjykuarin Sherif Vrioni (vendimi
nr.592, datë 14.11.2007 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës lënë fuqi me vendimin
nr.202, datë 12.05.2009 të Gjykatës së Apelit Durrës), është pranuar bashkëpunimi i
thjeshtë dhe jo si grup i strukturuar kriminal. As ky fakt i rëndësishëm nuk është
mbajtur parasysh nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në argumentimin e saj për
ndryshimin që i ka bërë vendimit të Gjykatës së Faktit për Krime të Rënda Tiranë.
33. Në vështrim të sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se i gjykuari
Nexhat Koçi në veprimtarinë e tij kriminale, ndonëse ka vepruar në bashkëpunim me
bashkëtëgjykuarit e tjerë, nuk ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale
parashikuar nga neni 334 të K.Penal, pra nuk ka vepruar në përbërje të “Grupit të
strukturuar kriminal”, e për rrjedhojë vlerësohet në zbatim të gabuar të ligjit
konkluzioni i arritur nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë se i gjykuari
Nexhat Koçi ka konsumuar plus edhe elementët e figurës së veprës penale të “Grupit
të strukturuar kriminal”, bazuar në nenet 334/1 të K.Penal.
34. Siç është argumentuar më sipër në pjesën përshkruese-arsyetuese të këtij vendimi,
nga gjykimi i çështjes në gjykatën e faktit, ka rezultuar ndryshe. Mirëpo zbatimi i
gabuar i ligjit nga ana e gjykatës së apelit e bën procesin të parregullt e në të tilla
rrethana vendimi do të prishet.
E. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes.
35. Duke pasur parasysh gjithë sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë ka zbatuar gabim ligjin material dhe
procedural penal, kur ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së
Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe duke deklaruar fajtor e dënuar të gjykuarin

8
Nexhat Koçi edhe për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal” sipas nenit
334/1 të K.Penal.
36. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e gjen zgjidhjen e çështjes, në zbatimin e nenit 441
shkronja “d” të Kodit të Procedurës Penale, duke e prishur vendimin e Gjykatës së
Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së
Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

PЁR KЁTO ARSYE


Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441, paragrafi parë,
shkronja “d” të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI
Prishjen e vendimit nr.61, datë 24.12.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda
Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 12.11.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë
për Krime të Rënda Tiranë.
Urdhërohet prokurori pranë Gjykatës së Lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Tiranë, më 12.06.2013

You might also like