Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 4

E DREJTË SOCIALE E PUNËS

TEMA :
PARIMET E PËRGJITHSHME TË SIGURIMEVE
SHOQËRORE.

PUNOI:
ARJOLA CANA
GRUPI 17
VITI I TRETË
Katër parimet bazë të koordinimit në fushën e sigurimeve shoqërore Legjislacioni koordinues
mbështetet në katër parime themelore, që synojnë të mbrojnë sigurimin shoqëror të migruesve
dhe të korrigjojnë problemet e krijuara nga territorialiteti dhe diversiteti i sistemeve kombëtare të
sigurimeve shoqërore. Këto katër parime janë :

1. Barazia në trajtim
Ky parim nuk i lejon shtetet t’i trajtojnë shtetasit e huaj ndryshe nga vendasit. Në të kundërt, do
ketë diskriminim, i cili do jetë i drejtpërdrejtë apo i tërthortë. Diskriminimi i drejtpërdrejtë bëhet
kur një rregull apo një normë kombëtare i trajton hapur shtetasit e një vendi dhe jo shtetasit në
mënyrë të ndryshme. Është rasti për shembull kur mbulimi i një skeme të veçantë sigurimi
shoqëror rezervohet vetëm për shtetasit e vendit. Diskriminimi i tërthortë përputhet me një
gjendje të tillë kur një rregull apo një normë kombëtare duket à priori si neutrale, ndërkohë që ka
në të vërtetë një efekt më të ashpër tek jo shtetasit sesa tek shtetasit e vendit. Kërkesa në bazë të
së cilës kompensimet familjare do derdhen vetëm për fëmijët e lindur në territorin e një shteti
është në këtë rast një shembull tipik. Rrjedhimisht, shtetasi i një vendi fëmija i të cilit ka lindur
në një shtet tjetër nuk do marrë asnjë të ardhur. Megjithëse ky rregull duket paraprakisht sikur
zbatohet si për vendasit ashtu dhe për të huajt, në realitet, një shtetas i huaj ka shumë më tepër
mundësi për të patur fëmijë të lindur jashtë vendit. Norma e caktuar në këtë rast ka pasoja shumë
më tepër tek të huajt sesa tek vendasit : ajo është diskriminuese në mënyrë të tërthortë.

2. Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm


Problemet që shkaktohen nga konfliktet ligjore pozitive e negative mund të shmangen nëse
parashikohet shprehimisht që, në çdo rrethanë, gjen zbatim vetëm legjislacioni i një shteti, dhe
duke përcaktuar me këtë rast një rregull apo një sistem rregullash për ta bërë këtë legjislacion të
zbatueshëm. Me përcaktimin e legjislacionit të zbatueshëm, migruesit do t’i duhet të derdhë
kontributet e veta dhe do gëzojë përfitime në bazë të këtij legjislacioni. Legjislacioni i
zbatueshëm mund të përcaktohet në shumë mënyra. Metoda e zakontë është të zbatohet
legjislacioni i shtetit të punësimit (lex loci laboris), megjithëse mund të zgjidhet edhe
legjislacioni i shtetit të vendbanimit. Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm jo gjithnjë është
gjë e lehtë, dhe shpesh janë të domosdoshme rregulla të veçanta për të zgjidhur raste më të
ndërlikuara që mund të shfaqen në kuadrin e migrimeve. Kështu, në të shumtën e rasteve
nevojiten rregulla të posaçme për punonjësit e sektorit të transporteve, që “punojnë” për këtë
arsye në shumë vende. Në këtë rrethanë, legjislacioni i zbatueshëm shpesh është ai i vendit ku
ndërmarrja ka vendosur qendrën e saj sociale. Marinarët përgjithësisht mbulohen nga
legjislacioni i flamurit. Rregulla të veçanta zbatohen gjithashtu për personat që punojnë në më
shumë se një shtet, apo për ata që kanë status punonjësi të vetpunësuar në një vend dhe status
rrogtari në një vend tjetër. Rregullat e përcaktimit të legjislacionit të zbatueshëm mund të
ndryshojnë nga njëri lloj i përfitimit tek tjetri, por përgjithësisht, duhet të zbatohet një dhe i njëjti
legjislacion për të njëjtin person, për të njëjtën punë apo për të njëjtën veprimtari ekonomike.
Kështu, përfitimet në të mira materiale, sikurse përkujdesjet mjekësore, mund të trajtohen
ndryshe nga përfitimet në të holla, siç janë për shembull raportet mjekësore apo pensionet e
pleqërisë.
3. Ruajtja e të drejtave të arritura
Sikurse e përmendëm më lart, personat që migrojnë në një tjetër shtet, rrezikojnë të humbasin të
drejtat që kanë arritur gjatë periudhës së banimit apo punësimit në vendin e tyre të origjinës. Për
personat që kanë qenë të punësuar në vendin e tyre të origjinës për 15 apo 20 vjet, pasojat mund
të jenë dramatike. Parimi bazë i ruajtjes të së drejtave të arritura parashikon që periudhat e
banimit, punësimit apo të çdo aktiviteti tjetër ekonomik të realizuara në një shtet duhet të njihen
po ashtu edhe nga shtetet e tjera. Kjo shumë e përgjithshme e periudhave të banimit, punësimit
apo veprimtarisë ekonomike quhet “totalizim”. Kështu, shteti A kërkon 20 vjet banim para se një
person të pretendojë për derdhjen e një pensioni pleqërie, ndërkohë që shteti B kërkon 15 vjet
punësim dhe shteti C 10 vjet veprimtari ekonomike. Dikush që ka jetuar dhe punuar 10 vjet në
shtetin A, 8 vjet në shtetin B dhe 3 vjet në shtetin C nuk ka se si të pretendojë në këtë rast për
pension pleqërie, duke e parë veten të përjashtuar nga çdo sistem kombëtar. Por, nëse parimi i
totalizimit vihet në zbatim, personi në fjalë mund të përligjë fare mirë 21 vjetët e
punësim/banimit dhe të jetë kështu brenda rregullave të çdonjërit prej këtyre tre vendeve.
Periudhat e banimit, punësimit dhe veprimtarisë ekonomike jo vetëm që lejojnë të përcaktohen të
drejtat e një personi për përfitim, por ato shpesh merren parasysh edhe në përllogaritjen e shumës
së këtij përfitimi. Sistemet e sigurimeve shoqërore funksionojnë sipas një ekuilibri kombëtar
shumë të brishtë midis shumave që derdhen në formë përfitimesh dhe shumës që arrihet nga
kontributet. Nëse ky parim i totalizimit do zbatohej drejtpërdrejt në proçesin e përllogaritjes së
përfitimit, ai do të shkaktonte në këtë rast pabarazi serioze. Megjithëse problemi shtrohet më pak
për përfitimet afatshkurtra, siç janë raportet mjekësore, përsëri ai mund të bëhet i mprehtë për
përfitimet afatgjata në rast invaliditeti a pleqëria. Le të marrim shembullin e një njeriu që banon
e punon për 15 vjet në shtetin A ku paguan taksë vendqëndrimi, e destinuar për të mbuluar kostot
e sigurimit të tij shoqëror. Nëse ky person vendos të shkoj në shtetin B, ku punon edhe 10 vjet
para se të dalë në pension e të kërkojë një pension pleqërie, nuk do të ishte e drejtë që shteti B t’i
derdhte pension të barabartë me atë të një individi që ka punuar 25 vjet në po këtë shtet B.
Rrjedhimisht, shteti A do ketë përfituar 15 vjet kontribute, pa bërë kurrfarë derdhjeje, ndërkohë
që shteti B është i detyruar të derdhë një përfitim afatgjatë kur në fakt ka vjelur kontribute vetëm
për 10 vjet. Kjo padrejtësi shmanget në sajë të rregullit të “pro rata temporis”, sipas së cilës, çdo
shtet jep pension përllogaritur për aq kohë sa përfituesi i pensionit ka derdhur kontribute/taksa në
atë shtet. Kështu, në shembullin që morëm, shteti A do japë pension në bazë të 15 vjetëve të
banimit në të, dhe shteti B një pension që i takon 10 vjetëve punë. I interesuari do marrë dy
pensione, një për çdo shtet.

4. Eksportimi i përfitimeve
Ky parim zbatohet kryesisht për përfitimet afatgjata, si pensionet e pleqërisë apo pensionet e
invaliditetit, që i paguhen një personi për tërë jetën apo për një periudhë relativisht të gjatë. Nëse
një person ka përfituar tashmë pension pleqërie, legjislacioni kombëtar mund t’i japë fund
dhënies së këtij pensioni nëse përfituesi largohet nga vendi. Do kishim në këtë rast një padrejtësi
të rëndë për këdo që dëshiron apo është i detyruar të vendoset jashtë vendit për arsye familjare.
Parimi i eksportimit të përfitimeve parashikon që nëse personi, i cili përfiton apo mund të
përfitojë një nga pagesat e mbuluara nga instrumenti koordinues, vendoset në një shtet tjetër,
përfitimi që i takon duhet të jepet nga shteti i origjinës. Sasia e përfitimit nuk duhet të pakësohet,
as të përshtatet thjesht me arsyetimin se është ndryshuar vendbanim. Parimi i eksportimit të
përfitimeve zbatohet gjithashtu për përfitime afatshkurtra, si alokacionet për papunësi : personat
në kërkim të një pune në një shtet tjetër do të vazhdojnë të marrin përfitimet që kanë pasur në
vendin e tyre të origjinës. Edhe përfitimet në të mira materiale mund të eksportohen, për
shembull një trajtim mjekësor do të vazhdojë të sigurohet në një shtet tjetër me shpenzimet e
vendit të origjinës së pacientit. Kjo mundësi merr rëndësi të veçantë kur një person sëmuret gjatë
pushimeve të tij, por mund të zbatohet gjithashtu për këdo, kur gjendja e tij shëndetësore kërkon
një ndërhyrje të veçantë që nuk praktikohet në vendin e tij të origjinës.

Bibliografia

“Koordinimi i sigurimeve shoqërore në Këshillin e Evropës” Udhëzues …..Raport i hartuar nga


Jason Nickless dhe Helmut Siedl

You might also like