Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 6

PROFETI ISMAIL (A.S.

Përgatitjet për rrugë kishin mbaruar. Tre udhëtarët e shenjtë, profeti Ibrahim,
gruaja e tij Haxheri dhe Ismaili i vogël, pasi kishin kapërcyer vendin e tyre, ishin
drejtuar nga një vend i panjohur nëpër shkretëtirën arabe. Ky udhëtim e kishte
një mister, kjo ishte e qartë, po çfarë ishte ai?

Një mëngjes, Ibrahimi kishte dalë përballë Sarës dhe Haxherit. Ismaili ende nuk
ecte dot, po luante këmbadoras e u buzëqeshte gjithë atyre që i afroheshin. Kurse
Ibrahimi ishte tepër serioz atë ditë. Kuptohej se ishte diçka shumë e rëndësishme
ajo që do thoshte. Iu drejtua Haxherit dhe i tha të niste menjëherë përgatitjet për
udhëtim. Dy gratë ishin stepur. Po ku do shkonin? Pse?

Kur panë çehren e profetit aq serioze dhe aq të zhytur në mendime, dy gratë


hoqën dorë prej pyetjeve. Ai asnjëherë nuk vepronte sipas kokës së vet. Patjetër
që do të kishte marrë ndonjë urdhër hyjnor, të cilin po e zbatonte.

Sara e nderuar i përcolli udhëtarët mes lotëve e urimeve. Kurse Ismaili nuk
kuptonte asgjë se ç’bëhej, ndërsa i tundte dorën nënës së tij të dytë.

Kaluan ditë, muaj. Tre udhëtarët kapërcyen male, kodra, shkretëtira, lumenj… Më
në fund kishin arritur në shkretëtirën arabe. Ibrahimi (a.s.) zbriti nga krahët
Ismailin dhe e vuri mbi rërën e nxehtë. Ndërsa përbrenda i shkonin e i vinin
tallaze, vështroi brenda syve të Ismailit. Ai qeshte… Me gjithë vapën përvëluese,
diellin djegës mbi kokë, kodrave pa fund me rërë, ai qeshte. Ai profet i lartë mezi
do ta mbante veten atë çast për të mos u shkrehur në lotë. Ishte gjëja më me
vlerë që kishte, ishte djali i tij i vetëm. Vështroi fëmijën për herë të fundit, pastaj u
kthye dhe nisi të largohej.

E rraskapitur nga lodhja, Haxheri u shastis kur pa se Ibrahimi i la aty vetëm e po


largohej. Ku po shkonte ai? Me kë do t’i linte ata dy në këtë shkretëtirë pa fund e
pa anë? Çfarë do të hanin, çfarë do të pinin? Kush do t’i mbronte nga kafshët e
egra, nga nata e tmerrshme e shkretëtirës?

Kërceu nga vendi dhe i shkoi pas Ibrahimit, duke i thirrur me një zë të përvajshëm:

– O zotëria ynë! Ku po shkon duke na lënë ne vetëm këtu?


Zëri i saj humbi e u tret në zbrazëtinë e shkretëtirës. I dërguari i mëshirshëm ecte
pa kthyer as kokën… Ndërsa përbrenda i shkumonin tallaze, furtuna, vullkane…
Haxheri la vetëm vogëlushin e saj dhe vazhdoi të rendte pas Ibrahimit. E thirri
sërish:

Zotëri… Ibrahim…

Pastaj heshti papritur. Po i kuptonte të gjitha. Patjetër që kjo punë ishte urdhër i
Zotit. Sa herë që Ibrahimi kishte ngelur në mëdyshje mes ndjenjave të veta dhe
urdhrave hyjnorë, gjithmonë kishte zbatuar urdhrat e Zotit. E kishte kuptuar e
nderuara Haxher si qëndronte puna. E larta, e bindura, e përkushtuara Haxher, që
ishte edhe grua, edhe nënë profeti…

Thërriti sërish:

– Zoti të ka urdhëruar të na lësh këtu?

Po, Zoti e kishte urdhëruar. Atëherë përballë këtij urdhri, bindja e saj ishte e
pafund. Qoftë e dhimbshme, e zorshme, plot vuajtje, zbatimi i urdhrave të Tij ka
kënaqësinë më të papërshkrueshme.

Tanimë Haxheri po i kuptonte furtunat që shpërthenin brenda Ibrahimit (a.s.), po


e kuptonte fare mirë seriozitetin dhe qëllimin e tij në këtë udhëtim. Po e ndiente
zemrën e tij copë, si rënkonte nga dhembja e pashprehur.

Vendosi ta qetësonte.

– Shko! Mos mendo, as mos u shqetëso aspak për ne. Zoti na mjafton… Ai do
kujdeset më së miri për ne.

Ismaili e ndoqi me sy të atin derisa humbi pas një kodre, tej. Kur e kuptoi se i ati
ishte larguar për fare, ia dha të qarit. Edhe babai pas kodrës qante ndërkohë.
Kurse nëna, mezi merrte frymë nga lotët.

Profeti Ibrahim (a.s.) ndaloi, u ul përdhé, ngriti duart drejt qiellit dhe nisi të lutej
me një zë të përvajshëm.
– O Zoti im, kam lënë copat e zemrës sime në një shkretëtirë ku nuk ka as
gjurmë jete, asgjë. Zoti im… Të lutem, ndihmoji Ti, ruaji Ti…

Ismaili, kur pa se e ëma u kthye sërish pranë tij, nisi sërish të qeshte i lumturuar.
Haxheri e puthi, e shtrëngoi fort, e lau me lotët e saj dhe e vendosi sërish në rërën
e kuqërremtë.

Në shkretëtirë, ujë do të thotë jetë. Kurse etja është vdekje. Për një kohë të
shkurtër, uji që kishin me vete u mbaroi. Ismaili nisi të qante prej etjes. E
nderuara Haxher, u ngrit dhe filloi të kërkonte për ujë. Mendoi se mos ndoshta
gjente ndonjë oaz në mes të asaj shkretëtire fare të thatë. Tej, pa një kodër. Kodra
Safa. Vrapoi dhe që nga maja e saj rroku me sy horizontet. Kërkoi një pemë, një
pus a një njeri. Asgjëkundi nuk pa asgjë të gjallë. Nga Safa vrapoi në kodrën Merve
që ishte përballë. Përveç reve të mjegullta që nxirrte rëra e djegur e shkretëtirës,
asgjë tjetër nuk i zuri syri nënës së lodhur. Veç rërë, rërë, diell…

Ismaili (a.s.) ndiqte duke qarë vrapimin e nënës së vet nga kodra në kodër. Buzët e
vogëlushit ishin shkrumbuar nga etja. Shtatë herë Haxheri, nëna e Ismailit, shkoi
dhe erdhi nga maja në majë. Nga Safa në Merve. Prandaj dhe pelegrinët
myslimanë, kur shkojnë në haxh, shtatë herë shkojnë e vijnë nga Safa në Merve.
Për të nderuar mëmën Haxher, për të kujtuar vështirësitë me të cilat ajo është
përballur dhe durimin e saj të madh.

Hapat e Haxherit ishin të lodhur tashmë. Edhe ajo ishte rraskapitur. Etja ia kishte
plasur buzën. Çdo anë digjej, kurse shkretëtira përvëluese i tregonte rrugën e
vdekjes krijesave të mbetura. Ujë nuk kishte, veç lotëve të Haxherit, që nuk qante
për vete, por për fëmijën e saj.

Cila zemër, cili sy mund t’i rezistonte një pamjeje të tillë?

Zoti i shihte të gjitha. Se mos ka gjë që Ai nuk e di, nuk e sheh? A nuk është Ai
Krijuesi i mirëfilltë i mëshirës në zemrat e njerëzve e në engjëjt? Gjithë ndjenjat e
tyre të mira a nuk e kanë burimin te Ai?

Gjithë dhembshuria e mirësia e krijesave nuk është veç një pikë në oqeanin e Tij
të mëshirës. Patjetër që këtu kishte një arsye misterioze. Zoti donte që gjithë kjo
ndodhi të përkujtohej, të tregohej, të qëndisej në faqet e historisë së njerëzimit
dhe jo vetëm të mos harrohej, por të mbijetonte për shekuj me radhë. Historia e
një nëne dhe e një biri, e një profeti të madh e të bindur, që ndodhte në një
shkretëtirë, larg njerëzimit e larg botës, nuk mund të harrohej lehtë. Mrekullia
hyjnore duhej të shihej e të dëshmohej nga të gjithë. Shkretëtirat do dëshmonin
forcën e më të madhit, më të pushtetshmit.

Nga ajo tokë e vdekur, nga ajo rërë e thatë shpërtheu uji. A nuk ishte i
Plotfuqishmi Ai që i mbronte? Ai, që i mjaftonte forca për gjithçka, brenda dhe
jashtë kufirit të shkaqeve.

Nëna e lodhur dhe e rraskapitur po kthehej me hapa të këputur pranë të birit.


Nuk dinte ç’të bënte. Po kur pa vogëlushin e saj duke luajtur e duke u freskuar me
ujin që rridhte pa pushim, nuk diti ç’të bënte prej gëzimit e habisë.

Profeti Ibrahim (a.s.) ia kishte besuar Zotit (xh.sh.) dy njerëzit e tij më të dashur
dhe Zoti i kishte ndihmuar.

Nënë e bir pinë ujë sa u ngopën. Pastaj e rrethuan burimin dhe e quajtën
Zemzem.

Zemzemi solli jetën e gjallërinë në atë zonë. Shumë shpejt, nga toka e ujitur mbiu
bar. Anekënd u mbush me blerim. Mes ferrit të shkretëtirës lindi një parajsë e
vogël. Njerëzit që morën vesh për ujin e blerimin atje, vrapuan menjëherë dhe
kështu u hodhën themelet e një qyteti në mes të shkretëtirës.

Profeti Ibrahim (a.s.) kishte vendosur të shkonte t’i vizitonte nënë e bir. Por kur
shkoi dhe pa një qytet të ri në shkretëtirën ku i kishte lënë u çudit së tepërmi.
Vërtet ai ishte një profet dhe kishte një besim të palëkundshëm te Zoti, e dinte
shumë mirë se familja e tij do mbrohej e ndihmohej nga Ai, por blerimi dhe
gjallëria në mes të shkretëtirës, në atë vend ku ai kishte lënë veç diell përvëlues e
rërë që të digjte, e bënë të mahnitej e të falënderonte me shpirt Zotin e tij.

Ndërkohë koha kalonte. Ismaili ishte rritur, ishte bërë një djalosh dymbëdhjetë-
trembëdhjetë vjeçar që shquhej për sjellje e bukuri. Ibrahimi e donte shumë djalin
e tij të vetëm dhe falënderonte Zotin për vetitë e tij të mira.
Profeti Muhamed (a.s.) thotë një fjalë: “Zoti, njeriun që e do, e provon
vazhdimisht. Më të rëndin e provimeve e kanë të Dërguarit.”

Një mëngjes… Ibrahimi (a.s.) mori birin e tij Ismailin dhe dolën të ecnin pak. Duhej
t’i thoshte atij diçka shumë të rëndësishme. Atë natë kishte parë një ëndërr të
cilën duhej t’ia shpjegonte të birit. Në fytyrë kishte po atë seriozitet kur mori
përballë vetes Ismailin, e pa në sy dhe i tha.

“Biri im. Mbrëmë kam parë në ëndërr se duhet të të sakrifikoj ty…”

Ismaili e dinte shumë mirë se ëndrrat janë një lloj shpalljeje, mesazhi nga Zoti për
profetët. Pa të atin në sy dhe iu përgjigj:

“I dashur baba! Bëj atë që të është urdhëruar, mos u shqetëso! Në më lejoftë Zoti,
mua do më gjesh nga ata që durojnë!”

Baba e bir u ndanë që të takoheshin më vonë. Rrugës Ismailit (a.s.) i doli para
shejtani.

– A je çmendur? Ku po shkon, yt atë do të të vrasë!

Ismaili mori ca gurë nga toka dhe nisi të gjuante me ta shejtanin. Ai u fsheh, por
pas pak i doli sërish para duke i thënë të njëjtat gjëra. Ismaili e përzuri prapë dhe
e gjuajti me gurë. Kjo është arsyeja që pelegrinët që shkojnë për haxh gjuajnë
shejtanin me gurë duke e larguar kështu atë nga rruga e tyre e përkushtimit dhe
duke kujtuar atë profet të madh me shpirt besimi e sakrifice. Shejtani nuk e mundi
dot Ismailin (a.s.), nuk arriti t’ia prishte mendjen. I poshtëruar e i turpëruar
përballë tij, u largua për të gjetur viktima të tjera për veten e tij, se një të Dërguar
nuk e mashtronte dot.

Pas pak, profeti Ibrahim (a.s.) qëndronte mbi kokën e birit të tij të vetëm, të
shtrirë si kurban përtokë. Në dorë mbante një thikë të mprehur mirë. Gjithësia
kishte mbajtur frymën e i ndiqte këta dy njerëz të përkushtuar në kulm se ç’bënin.
Sprova ishte tepër e ashpër…

Ibrahimi po mbështeste thikën, kur një zë jehoi anekënd… Një zë qiellor që


mbushi gjithësinë:
“O Ibrahim! Ti e mbajte fjalën dhe e vërtetove përkushtimin e sinqeritetin tënd.
Në vend të Ismailit, ther këtë dash të ardhur nga xheneti.”

Profeti Ibrahim, Ismaili, morën frymë të lehtësuar. Dy njerëz të mëdhenj e kishin


kapërcyer me sukses sprovën e tyre. Qielli e toka ishin në festë. Zoti e shpalli atë
ditë, festë për gjithë njerëzimin, festë që na gëzon me atmosferën e saj edhe sot
dhe na kujton përkushtimin e besnikërinë e dy profetëve. Shkaku që therim
kurban në Bajramin e kurbanit, është pikërisht kjo ngjarje.

Pas kësaj ngjarjeje kaluan vite. Ismaili (a.s.) u martua, u bë me fëmijë. Qyteti
përreth Zemzemit sa vinte e zhvillohej më tepër. Populli adhuronte Zotin në
mënyrën që i mësonte Ismaili dhe vazhdonte jetën mes qetësisë e begatisë.

Dhe një ditë… Ibrahimi (a.s.) kishte ardhur sërish të vizitonte djalin. E mori atë dhe
dolën së bashku të ecnin prapë. Por këtë herë fytyra i qeshte. Zoti u kishte
urdhëruar ndërtimin e Qabes. Atë vend të shenjtë, qendrën e botës dhe
gjithësisë, dritën e qenies, që do nderohej e do vizitohej gjatë gjithë historisë së
njerëzimit me respektin e përkushtimin më të madh.

You might also like