Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 6

ANALIZË “FAUSTI”

PJESA HYRËSE
Titulli:Fausti. Titulli i veprës është njëherësh edhe emri i personazhit kryesor, prandaj përsëritet
shpesh gjatë zhvillimit të ngjarjeve. Vepra është e strukturuar në dy pjesë dhe në këtë punim do
analizohet vepra e plotë.
Autori:Johan Volfgang Gëte (1749-1832), mëi madhi poet e shkrimtar gjerman. Studioi drejtësi,
por ishte njohës shumë i mire i arteve, shkencave dhe gjuhëve të huaja. Shquhej për zgjuarsi,
vullnet të fortë e këmbëngulje për të përvetësuar dijet. Pati një jetë të trazuar, me humbje të
bashkëshortes e të birit dhe siç pohon ai, edhe me vuajtje të Sizifit: “Kam ngjitur gjithë jetën një
gur që pastaj shkiste tatëpjetë dhe unë duhej ta ngjitja përsëri nga e para.” Ai luftoi gjithë jetën
për një botë më të mirë dhe për ideale më të lartë. Të gjitha këto reflektohen te personazhi i tij,
Fausti dhe te idetë që përcjell vepra me të njëjtin titull.
Veprat kryesore: Gëte ka lëvruar shumë gjini e lloje letrare. Përmendim këtu: dramat (“Gëci i
Berlihingenit”, “Ifigjenia në Tauridë” etj), romanet (“Vuajtjet e djaloshit Vertër” dhe “Vilhem
Majster”), vëllimet poetike (“Lirika”, “Divani perëndimor-lindor” etj), tragjeditë (“Fausti”) etj.
Është marrë dhe me botime shkencore, revista dhe me teatër.
Tematikat: Ndër temat kryesore që ka trajtuar Gëtë, përmendim: raporti i njeriut me ndjenjat;
Drejtimi letrar:Romantizmi gjerman
Lloji letrar:Vepra cilësohet nga vetë Gëte si tragjedi, mirëpo, duke qenë se , një nga parimet
kryesore të romantizmit ishte përzierja e gjinive dhe llojeve letrare,vëmë re se vepa i ngjan më
tepër një poeme epikeme dialogë që i kapërcejnë kufijtë e skenës teatrore dhe me një trajtim
thellësisht filozofik, duke e transformuar në një epope kombëtare madhështore.Ajo ngjan me
poemën filozofike e simbolike, me një dramë misteri, me një tragjedi antike, me dramën qytetare
e romanin, si dhe me poezinë lirike.
Koha e shkrimit të veprës:vepra u shkrua mes viteve 1788-1832.U botua pas vdekjes së Gëtes
me 1832.
Konteksti historik dhe letrar: Vepra u shkrua në kohën e lëvizjes “Stuhi dhe vrull”, lëvizje kjo
që synonte bashkimin e Gjermanisë së copëzuar në rreth 300 principata, ringjalljen e moralit të
popullit nëpërmjet zhvillimit të kulturës, artit e filozofisë dhe emancipimin e vrullshëm të
shoqërisë. Në këto kushte, vepra reflekton vrullin filozofik dhe moralin e kohës. Kjo lëvizje i
parapriu romantizmit gjerman, parimet e te cilit, mishërohen dhe në veprën “Fausti”.
PJESA ANALITIKE
Legjenda: Vepra “Fausti” është frymëzuar nga legjenda e doktor Faustit, që lindi në shek. XV-
XVI. Sipas legjendës, Fausti ishte një mjek shëtitës, që zotëronte dije të shumta, përfshirë këtu
dhe magjinë. Ai kishte bërë pakt me djallin. Për këtë personazh legjendar kanë shkruar shumë
shkrimtarë dhe është vënë shpesh në skenë në formën e dramë.Por çfarë e bën të veçantë Faustin
e Gëtes? Gëte e solli këtë legjendë në formën e vet, duke i dhënë thellësi e pikëpamje të reja,
duke i veshur ide, botëkuptime e filozofi të një periudhe të tërë dhe duke përshkruar gjithçka, nga
skëterra te qielli (njësoj si Dante).

1
Struktura: Vepra është e strukturuar në dy pjesë: pjesa e parë ndahet në 25 skena (ku secila prej
tyre ka nga një titull), ndërsa pjesa e dytë përbëhet prej 5 aktesh. Për nga kompozicioni kjo
vepër është ndërtuar në ngjashmëri me modelin e kronikave shekspiriane.
Në pjesën e parë ka mjaft personazhe biblike, kurse në pjesën e dytë këta ia lënë vendin
personazheve nga mitologjia antike, gjithashtu ka dhe shumë personazhe episodike.
Tema qendrore: marrëveshja që Fausti bën me djallin, duke i dorëzuar atij shpirtin e tij, në
këmbim të aftësisë për të kuptuar çdo aspekt të natyrës e të dijes njerëzore dhe për të gjetur
lumturinë.
Motivet: dashuria për Margaritën, dashuria për të bukurën e simbolizuar nga Helena e Trojeës,
kërkimi e gjetja e së vërtetës, ngritja shpirtërore përmes dijes dhe përsosja përmes dashurisë,
kërkimi i kuptimit të jetës, kërkimi i kënaqësisë së jetës te puna, paraja, lufta, bukuria e
Antikitetit etj.
Rrëfimi: Rrëfimi ndodh në dy planë:
1.Në njërin plan paraqiten skena nga jeta e rëndomtë njerëzore.
2.Në planin tjetër zhvillohen skena të një bote fantastike, plot me figura mitike.
Simbolikat: do të synojë të zbulojë përmasat e natyrës, e botës, e kozmosit, e qenies, e njeriut
dhe të shoqërisë.
-Zoti, Mefistofeli, kryeengjëjt e të tjera personazhe kanë kuptime simbolike dhe janë shprehje e
forcave të natyrës dhe të shoqërisë
-Po kështu edhe ferri dhe parajsa janë simbole të fatkeqësisë dhe të lumturisë së njeriut në tokë.
Subjekti:Tragjedia fillon me vargjet “Kushtrim”, ku paraqiten dallgëzimet e brendshme që e
shtyjnë poetin të krijojë. Më pas në “Paraloja në teatër”, nëpërmjet dialogut të drejtorit të teatrit,
poetit dhe gastorit përcillen vlera estetike që duhet të mishërohen në çdo vepër artistike
dramatike. Në “Prologu në qiell”, Zoti
dhe djalli, Mefistofeli, janë përfshirë në një diskutim të zjarrtë filozofik mbi vendin e njeriut në
gjithësi. Mefistofeli i thotë Zotit se Fausti kërkon të bëjë të pamundurën, por përherë mbetet i
pakënaqur. Ai premton se do ta largojë fare lehtë Faustin nga kjo rrugë dhe Zoti e lejon që ai ta
vërë në provë, i bindur për të kundërtën.
Pjesa e parë:Edhe pse gjithë jetën e tij Fausti ia kushton shkencës, filozofisë,
drejtësisë,mjekësisë, teologjisë e alkimisë, i mërzitur dhe i zhgënjyer kupton se dituria e tij nuk
vlen për asgjë përballë detit të madh të të fshehtave të pazbuluara në natyrë, prandaj jepet pas
magjisë. Megjithatë, ai nuk arrin ta mposhtë krejtësisht dëshpërimin dhe në një moment vendos
të çlirohet nga brengat e jetës duke u helmuar. Gotën me helm ia largojnë nga buzët kambanat e
Pashkës, sepse i sjellin ndërmend kujtime të lumtura të fëmijërisë. Dyzimi torturues mes “shpirtit
soditës” dhe “shpirtit vepronjës” vazhdon të brengosë shpirtin e tij, e bën atë të vuajë dhe të mos
i gëzohet së bukurës dhe të mirave që jeta i ka dhënë. Teksa kthehet natën në kabinetin e tij,
Mefistofeli (djalli) i shndërruar në një qen të zi, e ndjek Faustin deri brenda në kabinet dhe i
shfaqet atij duke u transformuar tashmë si qenie njerëzore.Mefistofeli e lë të besojë Faustin se ai
kishte zënë rob vetë djallin dhe tashmë ai do të ishte shërbëtor i tij dhe i premton që do ta bëjë të
lumtur, nëse Fausti pranon që t’i shërbejë në botën tjetër. Fausti i thotë Mefistofelit t’ia marrë
shpirtin po e gjeti ndonjëherë të shtrirë në shtrat nga përtacia ose po e gjeti në kulmin e
lumturisë. Propozimet e Mefistofelit për t’u zhytur në veprimtari aktive e në gjithë gëzimet e
jetës bëhen joshëse për Faustin. Ata lidhin një pakt dhe Fausti e nënshkruan kontratën me gjak.
Marrëveshja do të zgjaste derisa Fausti të kënaqej dhe do të qetësohej nga qëllimi i arritur.
Pas marrëveshjes, Mefistofeli e shoqëron Faustin në gjithë shtegtimet e tij. Fausti i Gëtes rimerr,
në kushtet e reja dhe në frymë bashkëkohore, udhëtimin aventuror të Uliksit dhe udhëtimin

2
shpirtëror të Dantes. Ky udhëtim, i përsëritur në vende e kohë të ndryshme, tregon se çdo epokë
ka nevojë të ndërmarrë udhëtimin e saj e të ketë në krye një prijës udhërrëfyes. Simbolika e
udhëtimit përcillet nga njëra epokë në tjetrën për të mbërritur te Fausti, i cili do të synojë të
zbulojë përmasat e natyrës, botës, kozmosit, qenies, njeriut e shoqërisë.
Në filim, Mefistofeli e shpie Faustin nëpër pijetore e në dëfrime neveritëse që përshkruhen në
skenën “Taverna e Auerbahut”, por Fausti përbuz çdo gjë. Në kuzhinën e shtrigave, teksa provon
të pijë një lëng magjik që do t’i kthejë rininë, Fausti sheh në pasqyrë fytyrën e një femre shumë
të bukur, Helenës. Është ndjenja e zjarrtë e dashurisë, jo magjia banale e shtrigave, që ringjall tek
ai forcën e bukurinë e rinisë.Rastësisht në një festë fshati Fausti njihet me Margariten, një vajzë e
padjallëzuar dhe e përulur, e bukur dhe modeste. Ai mahnitet nga pastërtia shpirtërore e vajzës
dhe me ndihmen e Mefistofelit bën çdo gjë që ajo të bjerë në dashuri me të. Në skenat
“Ndajnatëherë”, “Në kopsht” dhe “Kopshti i Martës”, të cilat janë skenat më të bukura të pjesës
së parë të “Faustit”, me vargje ku mbizotëron lirizmi dhe ndjenja, Margarita (apo Greta, siç e
quan Fausti), me zemrën e përvëluar nga dashuria, shqetësohet që i dashuri i saj nuk ështëi
krishterë dhe ajo çka e tmerron më tepër është prania dhe shoqërimi i Henrikut me Mefistofelin.
Ajo e ndjen që ka diçka djallëzore e të keqe te kjo qenie, “pranë tij as mund të lutem”- thotë
vajza. Vajza i jepet e tëra Faustit, i cili e ka bërë për vete me shpirt e me mendje, por me të fituar
dashurinë e saj, ai largohet. Jeta e Margaritës shkatërrohet, nëna dhe i vëllai vdesin. Margarita
lutet në kishë që t’i falen mëkatet, por shpirtrat e akuzojnë për vrasjen e së ëmës. Shpirti i lig qëi
shfaqet në kishë, i lë të kuptojë vajzës së ka ngelur shtatzënë. Epshi e mund Faustin. Mefistofeli
e shpie larg në viset e shkreta, në malet Harc. Në skenën satanike “Nata e Valpurgës” Fausti, tek
vallëzon me shtrigat, i bëhet sikur sheh gjithkund fytyrën e Gretës dhe, edhe pse ende s’e di ç’ka
ndodhur me të në të vërtetë, ai parasheh mynxyrën e vajzës së dashur dhe greminën para së cilës
qëndron dhe vetë. NëNatën e Valpurgës, Fausti prek botën mitike e magjike të Mesjetës, me
zjarre, mjegulla, shtriga, fantazma. Ky është mjedisi i zakonshëm ku jeton Mefistofeli. Fausti
ndjehet i huaj në të. Nata e Valpurgut, në fakt, mund të mendohet prej lexuesitmë tepër si një
periudhë e gjatë simbolike, në të cilën Mefistofeli përpiqet me çdo mënyrë ta bëjë Faustin ta
harrojë Margaritën. Ndërkohë, gjatë këtij kapërcimi kohor, i parrëfyer nga Gëteja, Greta lind
foshnjen, e mbyt në lumë, pastaj ‘endet për një kohë të gjatë”, arrestohet, gjykohet si vrasëse e
foshnjes dhe dënohet me vdekje.
Fausti, kur e merr vesh, përpiqet ta shpëtojë duke e nxjerrë fshehtas, së bashku me Mefistofelin,
nga burgu, por Greta e përbuz shpëtimin e saj me ndihmën e djallit, më mirë pranon të vdesë prej
sëpatës së xhelatit. Kështu në shpirtin e Faustit mbetet përgjithmonë hija e pendesës dhe ai
përpiqet ta lajë të keqen që i bëri vajzës, jo duke qarë, por duke punuar me vetëmohim për të
mirën e njerëzimit.
Pjesa e dytë: Kjo pjesë është shkruar ndryshe nga e para, pasi ndihet në të ndikimi i letërsisë
klasike, por ideja themelore e veprës ruhet dhe mishërohet me një larmi mjetesh të shprehjes
artistike. Në këtë pjesë përdoret gjerësisht figuracioni mitologjik. Paraloja që zhvillohet në vise
të bukura shërben si urë lidhëse mes dy pjesëve.
Akti I- Fausti kalon një krizë morale të thellë duke humbur Margaritën. I rraskapitur nga dhimbja
fle në mes të një livadhi, një mjedis që premton ngjallje të vullnetit dhe ripërtëritje të forcave
fizike e shpirtërore. Ai zgjohet nga shpirtrat e zgjimit, elfët, që simbolizojnë gëzimin e jetës, të
cilët e grishin të bëjëvepra të mëdha e të arrijë përsosjen morale.
Fausti bëhet këshilltar i perandorit dhe shpëton shtetin e tijnga një krizë financiare me anë të
futjes në përdorim të kartmonedhave, të shpikura nga Mefistofeli. “Skena e Maskaradës” është
një skenë e mbushur me motive mitologjike e simbolike. Fausti me Mefistofelin organizojnë një

3
maskaradë ku marrin pjesë shumë njerëz veshur me kostume alegorike: Pluti, zoti i nëndheut;
Parkat, perëndeshat që tjerrin fatin e njeriut; Furitë, perëndeshat e hakmarrjes etj. Zjarri që
shpërthen gjatë maskaradës simbolizon revolucionin. Gëteja, i cili nuk e simpatizonte
revolucionin, e quan atë një pasojë të pashmangshme të abuzimeve e shpërdorimeve të
despotizmit. Ai paralajmëron rrëzimin e monarkëve që nuk nxjerrin mësime nga historia.
Kartmonedhat, e shpikura nga Mefistofeli, nxisin instiktet grabitqare të njerëzve të afërt të
perandorit. Secili ëndërron për luks, për dëfrime, kënaqësi dhe askujt nuk i shkon në mendje se
mirëqenia e vërtetë krijohet me punë.
Akti II- Me kërkesë të perandorit, Fausti, me anë të një magjie, zbret në “Botën e Nënave” dhe
fton të vijë prej të vdekurve, në pallatin perandorak, vetë Helenën e Trojës. Ai mbetet i mahnitur
përpara bukurisë së jashtëzakonshme të Helenës. Ajo është simbol i bukurisë që nuk vdes.
Faustit të entuziazmuar i duket se tani ka kapur kuptimin e jetës: të vihet në shërbim të së
Bukurës.
Por Helena zhduket dhe Fausti shkon në Greqi që ta gjejë.
Akti III- Me ndihmën e Mefistofelit, Fausti bëhet mbret i Spartës dhe martohet me Helenën. Prej
kësaj martese lind një djalë, Euforionin, i cili ishte guximtar e , njëkohësisht, i ndjeshëm, por ai
vdes shpejt. Helena e kupton se “lumturia dhe bukuria s’mund të rrinë bashkë për një kohë të
gjatë”, prandaj zhduket, tashmë përgjithnjë.
Akti IV- Pas vdekjes së Euforionit e zhdukjes së Helenës, Mefistofeli e gjen Faustin në majën e
një mali të lartëduke u menduar. Fausti, para së gjithash, është njeri që kërkon të vërtetën. Më në
fund ai e gjen lumturinë dhe kuptimin e jetës, jo në luftë për lumturinë vetjake, por në luftë për
lumturinë e shoqërisë, të njerëzimit. Ai e kupton se është e pamundur lumturia vetjake, kur të
tjerët nuk janë të lumtur. Duke u nisur nga ky parim, ai e ndien vetën të forte për ndërmarrje
guximtare. Ai kërkon të matet me forcat e natyrës dhe t’i nënshtrojë ato.
Akti V- Fausti tani jepet i tëri pas punës. Edhe pse i verbuar, Fausti bën përpjekje titanike dhe ia
arrin që bregdeti, i cili ishte shkretëtirë, të kthehet në një kopësht parajse. Ai than moçale, ngre
diga, limane e qytete të lulëzuara, toka të reja ku miliona njerëz mund të jetojnë e të punojnë të
lirë e të lumtur. Ka arritur kështu të rrokë Veprën për të cilën ëndërroi, punoi, krijoi e jetoi, të
rrokë Majën, i lumtur që ia doli mbanë të gjejë të përmbushur kuptimin e jetës. “E meriton jetën
dhe lirinë, vetëm ai që e fiton me përpjekje dhe luftë”, përfundon urtësisht Fausti.
Pas këtyre fjalëve, Fausti vdes. Mefistofeli thërret djajtë që ta marrin shpirtin e Faustit për ta çuar
në ferr. Ata mundohen të përgënjeshtrojnë thelbin e moralit të Faustit, duke vënë përballë tij
filozofinë e pesimizmit dhe nihilizmit. “Gjithçka, gjithçka do të zhduket!”, po dëbohen nga një
turmë engjëjsh, të cilët, duke kënduar himnin e lumturisë, e shpien shpirtin e Faustit në qiell.
Mefistofeli e humb përfundimisht bastin e tij me Zotin dhe Gëteja e përfundon veprën e tij të
madhe duke i thurur lavdi arsyes dhe dashurisë së njeriut, që mundi çdo gjë.
Personazhet kryesore: Fausti, Mefistofeli dhe Margarita
Fausti: personifikim i shpirtit të ri, bashkëkohor, shprehës i aspiratave dhe forcave krijuese të
njeriut. Atë e mundon mendimi se i ka kaluar jeta pa gëzime dhe nuk u ka dhënë njerëzve idetë
më të mira, me të cilat ata do të kishin mundur të bënin një jetë më të mirë materiale dhe më të
përkryer shpirtërore. Asnjëherënuk ështëi qetë, gjithnjë në lëvizje, në kërkim, që të prodhojë
diçka, sepse, sipas tij, në themel të krijimit të botës nuk qëndron fjala, siç shkruhet në “Bibël”,
por vepra. Për të vepruar, njeriu duhet të jetëi motivuar. Sipas Faustit, motivimiështë lufta e të
kundërtave, siç është për të lufta kundër Mefistofelit, simbolit të shkatërrimit. Fausti arrin në
përfunfimin se,i dobishëm është ai njeri, i cili nuk mbështetet vetëm mbi arsyen, mbi shkencën,

4
por edhe mbi dashurinë, mbi ndjenjën, sepse kjo e dyta e ndihmon më shumë njeriun për ta
përjetuar natyrën dhe jetën. Përpjekjen për të rrokur lartësi të reja, drejt absolutes dhe
pafundësisë, Fausti e paguan me vuajtje të pandërprera. Atë e shohim gjithnjë në veprim, në
kërkim të kënaqësisë, në kërkim të së bukurës dhe të së vërtetës. Siç thotë në fund të veprës:
“Veprimi është gjithçka, lavdia asgje”.Ai mbërrin gjithnjë aty ku synon, por kurrë nuk kënaqet
me atë që mbërrin dhe vazhdon përpara derisa gjen kuptimin e jetës. Në vend të luftës e të
shkatërrimit, ai zgjedh paqen dhe dashurinë; në vend të së shëmtuarës e të neveritshmes, zgjedh
të bukurën; në vend të pesimizmit e pasivitetit, zgjedh optimizmin dhe të qenit aktiv, derisa
mbyll sytë duke përjetuar minutën më të lumtur të jetës së tij: çastin kur parandien se do të jetë i
përjetshëm nëpërmjet veprës së tij.
Mefistofeli: I lindur nga fantazia popullore, Mefistofeli është bartës i një ideje të thellë
filozofike. Ai mishëron frymën e mohimit e të shkatërrimit. Mefistofeli i përbuz njerëzit, për
pasojë dhe Faustin, por ai ka kuptuar se forca e njeriut përbëhet nga arsyeja dhe dijet e tij, ndaj
Fausti mund të bjerë në duart e tij vetëm nëse ai i minon arsyen. Kështu Mefistofeli ngrihet me të
gjitha forcat e veta kundër veprimtarisë mendore të njerëzve, sepse vetëm mendja i bën ata “të
përngjashëm me Zotin”. Ai përpiqet tëmbjellë në shpirtin e Faustit farën e dyshimit dhe të
shkatërrimit. Ai e këshillon nxënësin e tij të kërkojë kënaqësinë, kotësinë, të jepet pas qejfeve
dhe dëfrimeve, sepse vetëm kështu Fausti mund t’i humbasë tiparet e tij më të mira, ëndrrat dhe
aspiratat e tij.
Mefistofeli tallet me filozofinë dhe dëshirat e larta të Faustit. E shoqëron atë me qeshjen e tij
djallëzore në rrugën e dyshimeve e të lëkundjeve dhe demaskon veprimet e njerëzimit. Ai nuk e
pohon të mirën, të bukurën, humanen. Por me kritikën që u bën formave të vjetëruara të jetës dhe
gabimeve të njerëzve, hap rrugën për idetë e reja e luan, në këtë pikëpamje, rol pozitiv. Është
përplasja me Mefistofelin ajo që e bën Faustin veprues.
Mefistofeli e shfaq veten si “mik i njeriut”, por një mik tinzar, cinik, një këshilltar i keq, që bën
lojë të dyfishtë. Parë në këtë këndvështrim, Mefistofeli nuk është aspak tipi i një demoni. Ai
ështëi ekuilibruar dhe nuk e trondisin as pasionet dhe as dyshimet. Ai as nuk urren dhe as nuk
dashuron. Shpesh në fjalët e tij ka shumë gjëra të vërteta. Ai tallet me Faustin humanitar, që merr
më qafë Margaritën dhe i shkatërron jetën, por kjo tallje tingëllon e vërtetë dhe kaq e hidhur edhe
për të, që është zot i shkatërrimit. Mefistofeli është simbol i tipit të njeriut të lodhur nga soditja e
gjatë e së keqes dhe që ka humbur besimin në parimet e mira të botës. Veçoritë e tij, si:
mizantropia e pesimizmi, indifirentizmi e përbuzja e botës dhe e çdo gjëje, dalin në pah në
përballjen më Margaritën, e cila kthehet në simbol të dashurisë.
Në një plan tjetër, Mefistofeli është shok rruge i yni, vetja jonë djallëzore. Djalli i Gëtes është
mendja inteligjente, e ngritur në lartësinë e simbolit metafizik, faktor negativ e thelbësor, i aftë të
krijojë kontradikta pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të njëmendtë. Si i tillë ai ka vendin e vet
në harmoninë e përgjithshme të botës.
Margarita: Është personazhi mëpoetiki Gëtes. Një vajzë e thjeshtë, e ndjeshme, e përulur dhe
me një shpirt të pastër. Bota e saj nuk është shumë e gjerë: një kishë, një arë, një rrugë fshati,
orendi të pakta shtëpiake. Ajo është edukuar në frymën fetare, me rregulla të rrepta dhe punon
nga mëngjesi në mëngjesin tjetër, por pa u çliruar nga barra e varfërisë. Ajo i jepet e tëra Faustit,
bukuroshit të panjohur, i cili e bëri për vete sidomos me mençurinë e tij. Margarita është
personifikim i dashurisë. Ajo ushqen dashuri për çdo gjë e për çdo njeri, por besimi naiv e
dashuria që fal e marrin më qafë jo vetëm atë, por dhe nënën, vëllanë e foshnjën e saj. Nëpërmjet
figurës së Margaritës, Gëteja përcjell idenë se dashuria nuk duhet të jetë vetëm pasive, por aktive
dhe e vullnetshme, që e kundërshton të keqën. Dashuria është ndërtuese vetëm kur udhëhiqet nga

5
arsyeja. Margarita është personifikim i jetës patriarkale të Gjermanisë së kohës. Tek ajo mplekset
dashuria dhe dhimbja, çmenduria dhe adhurimi, dëlirësia dhe ndrojtja, thjeshtësia e karakterit
dhe morali i pastër, butësia dhe pafajësia, vajza që njeh vetëm lumturinë e jetës intime e të vatrës
familjare. Janë këto të fundit që e bëjnë Faustin të mos mjaftohet vetëm me dashurinë e
Margaritës.
Me cilësitë më të larta e të bukura të saj, Margarita shpërndan terrin e mjegullën mefistofeliane
dhe i ndriçon shpirtin Faustit. Ajo ngrihet në simbol të humanizmit dhe shpëtimit të shpirtrave.
Gëtja do ta quajë “e përjetshmja femërore”.
Hapësira: Hapësira në vepër duket e pafundme, sepse e çon lexuesin nga njëri skaj i botës në
tjetrin, nga njëra botë tek tjetra: herë në mjedisin fantastik të shtrigave në malin e Harcit, herë në
bodrumet e Auerbahut në Lajpcig, herë në dhomën e Margaritës dhe herë në burgun e errët ku
dergjet vajza mëkatare.
Koha: Koha është e papërcaktuar. Fausti duket se fillimisht i përket periudhës së Mesjetës, por
idetë e tij janë ide bashkëkohore, iluministe. Më pas ai “humbet” në kohë, duke rendur edhe drejt
Antikitetit grek. Gjithashtu dhe koha e brendshme është e pacaktuar. Autori i flet të gjitha
kohërave. Kështu vepra duket se synon të jetë e pakohëshme dhe e gjithkohëshme, duke rrokur
kështu, universalen.
Stili: Stili i veprës ështëi larmishëm: filozofik e madhështor në monologë, i gjallë në kuvendime,
muzikë e vërtetë në këngët korale. Monologët e Faustit janë modele analizash psikologjike dhe
filozofike.Vepra pohon madhështinë dhe gjenialitetin e mendjes dhe të shpirtit njerëzor.

PJESA MBYLLËSE
Mesazhi: Kuptimi dhe shijen e jetës mund ta gjejmë te puna dhe veprimtaria me vlerë shoqërore,
ndërsa arsyeja dhe dashuria njerëzore mundin çdo të keqe.
Vepra përcjell mesazhe humaniste dhe universale.
-Fausti e gjen kuptimin dhe shijen e jetës te puna dhe veprimtaria me vlerë shoqërore.
-Mund të thuhet se ideja e punës si burim i të mirave materiale përbën një prej
elementeve kryesore të kulturës tradicionale jetësore edhe të kombit tonë.
-“Fausti” i Gëtes vjen kështu si një përforcim i vlerës parësore që ka puna e frymëzuar nga
vlerat shoqërore në përparimin e çdo kombi dhe të të gjithë njerëzimit.
-Gjithashtu ideja se arsyeja dhe dashuria njerëzore mundin çdo të keqe, tingëllon një
mesazh kuptimplotë e optimist për çdo brez lexuesish.
-Besimin në vlerat humane të njeriut.
-Mesazhin e paqes dhe drejtësisë.
Përgjigjja e lexuesit:Në botën e sotme,të karakterizuar nga individualizmi, dukja në vend të
përmbajtjes, etja për famë e pasuri në vend të asaj për dije, duket se janë tema që mund të gjejnë
lidhje të ngushtë me veprën. Gjithashtu, përballja e gjithëkohshme e njeriut me të mirën e të
keqen, me demonët e tij dhe njeriu në kërkim të lumturisë , të cilën mund ta ketë gjithë kohës
shumë pranë, janë elemente të tjera që na bëjnë ta kuptojmë e ndjejmë veprën si bashkëkohore.

You might also like