Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 2

TERMAT DHE KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR PROVIMET TELC

1. REGJISTRIMI DHE PAGESA E TARIFËS


1.1 Regjistrimi për kryerjen e provimit telc mund të kryhet në DEKRA Akademie sh.p.k., e cila në bazë të marrëveshjes së lidhur me telc
gGmbH është licencuar si qendër testimi për gjuhën gjermane. DEKRA Akademie sh.p.k. këtu e më poshtë do të quhet Qendra e
Provimit.
1.2 Për kryerjen e regjistrimit në provimin telc personi që do t'i nënshtrohet provimit (këtu e më poshtë do të quhet Pjesëmarrës) duhet
të plotësojë Formularin e Regjistrimit. Formulari i Regjistrimit mund të shkarkohet nga faqja e internetit të Qendrës së Provimit
(www.dekra.al) ose mund të plotësohet pranë një prej pikave të ushtrimit të aktivitetit të DEKRA Akademie sh.p.k..
Formulari i Regjistrimit dërgohet me e-mail në adresën e Sekretarisë së Qendrës së Provimit (telc.albania@dekra.com) ose dorëzohet
fizikisht pranë kësaj Sekretarie.
1.3 Me nënshkrimin e Formularit të Regjistrimit, Pjesëmarrësi konfirmon se është vënë në dijeni dhe pranon Termat dhe Kushtet e
Përgjithshme të Qendrës së Provimit, si edhe Termat dhe Kushtet e Përgjithshme dhe Rregullat e Provimit të telc gGmbH (në vijim,
Rregulloret e Provimit). Këto të fundit mund të përditësohen nga ana e telc gGmbH dhe gjenden në faqen e internetit në versionin e
tyre aktual: www.telc.net. Për regjistrimin, lidhjen dhe ekzekutimin e kontratës vlejnë rregullat dhe kushtet e Qendrës së Provimit. Kjo
përmendet shprehimisht në çastin e regjistrimit.
1.4 Brenda 7 (shtatë) ditëve nga dërgimi me e-mail apo dorëzimi i Formularit të Regjistrimit, Sekretaria e Qendrës së Provimit njofton
me e-mail Pjesëmarrësin për konfirmimin e regjistrimit dhe datën e provimit, si dhe i dërgon Faturën Tatimore, me të cilën Pjesëmarrësi
kryen pagesën në bankë. Fatura konsiderohet e pranuar nga Pjesëmarrësi me marrjen e saj në postën elektronike.
1.5 Pagesa e tarifës kryhet brenda 5 (pesë) ditëve pune nga lëshimi i Faturës. Nëse pagesa nuk është kryer brenda këtij afati, Qendra
e Provimit nuk siguron rezervimin e vendit të provimit për datën e përcaktuar në konfirmimin e regjistrimit.
1.6 Detajet për zhvillimin e provimit do t'u përcillen të interesuarve me e-mail jo më vonë se 1 (një) javë përpara datës së provimit.
1.7 Pjesëmarrësi nuk mund të futet në provim nëse nuk ka paguar tarifën e provimit, përveç rasteve përjashtimore. Pagesa e tarifës
duhet të jetë e plotë sipas përcaktimit në Faturën Tatimore dhe Pjesëmarrësi përballon të gjitha komisionet bankare apo kosto të tjera
të zbatueshme.

2. TARIFA E ZAKONSHME DHE TARIFAT E REDUKTUARA


2.1 Tarifat e provimit miratohen nga Qendra e Provimit dhe përcaktohen në Formularin e Regjistrimit.
2.2 Qendra e Provimit mund të miratojë tarifa të reduktuara për Pjesëmarrësit që kanë ndjekur kurse apo janë pjesë e projekteve të
veçanta pranë Qendrës së Provimit apo për kategori të tjera të caktuara.

3. MOSPARAQITJA NË PROVIM
3.1 Pjesëmarrësit kanë të drejtë të tërhiqen nga dhënia e provimit por nuk kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e tarifës së paguar për
provimin. Në rast se tërheqja nga provimi bëhet përpara fillimit të tij, provimi konsiderohet si jo i dhënë. Në rast se tërheqja nga provimi
bëhet pas fillimit të tij, provimi konsiderohet si jo i kaluar.
3.2 Pjesëmarrësi mund t'i kërkojë Qendrës së Provimit ndryshimin e datës së provimit vetëm për arsye shëndetësore. Në këtë rast,
Pjesëmarrësi ose një person i ngarkuar prej tij duhet të paraqesë raportin shëndetësor përkatës pranë Qendrës së Provimit brenda
orës 16:00 të ditës së provimit. Në çdo rast, Qendra e Provimit mban një tarifë administrative në vlerën e 50% të tarifës së provimit.
Pjesëmarrësi mund të regjistrohet për një datë tjetër provimi jo më vonë se 4 (katër) muaj nga data e provimit të parë pasi të ketë
paguar 50% të tarifës së provimit.

4. PËRMBAJTJA DHE FORMATI I PROVIMIT


Përmbajtja dhe formati i provimeve telc është i përcaktuar nga telc gGmbH (www.telc.net).

5. REZULTATET E PROVIMIT DHE CERTIFIKATA TELC


5.1 Qendra e Provimit njofton Pjesëmarrësit përmes e-mailit për rezultatin e provimit. Si rregull, rezultati njoftohet brenda 7 (shtatë)
javëve nga data e provimit.
5.2 Të gjithë Pjesëmarrësit që kanë kaluar me sukses provimin marrin certifikatën telc. Si rregull, Pjesëmarrësi që ka kaluar me sukses
provimin mund të tërheqë certifikatën telc brenda 9 (nëntë) javëve nga data e provimit.
5.3 Përpara lëshimit të certifikatës Pjesëmarrësit, Sekretaria e Qendrës së Provimit verifikon që Pjesëmarrësi nuk ka detyrime të
pashlyera kundrejt Qendrës së Provimit.
5.4 Pjesëmarrësit që nuk kanë kaluar provimin me sukses marrin fletën e rezultateve, ku përcaktohen pikët që ai/ ajo ka marrë për çdo
seksion të provimit.

6. RISHIKIMI I TEZËS SË PROVIMIT


6.1 Pas kryerjes së provimit, Pjesëmarrësi mund të kërkojë rishikimin e rezultateve të provimit. Kërkesa për rishikimin e rezultateve të
provimit bëhet kundrejt pagesës së tarifës prej EUR 40. Rishikimi përfshin kontrollin e tezës së provimit nga Pjesëmarrësi.
6.2 Kërkesa për rishikim duhet të bëhet me shkrim dhe t’i drejtohet einspruch@telc.net, brenda 6 (gjashtë) javëve nga marrja e
rezultateve të provimit. Pjesëmarrësi duhet të japë dhënat e tij/ saj të sakta, të njëjta me ato të dhëna në Formularin e Regjistrimit.
Pjesëmarrësi merr konfirmim që kërkesa e tij/ saj është marrë brenda 3 (tre) ditëve nga paraqitja e kërkesës dhe merr përgjigje
përfundimtare brenda 4 (katër) javëve. Kërkesa duhet të jetë mjaftueshëm e justifikuar, pasi telc gGmbH mund të refuzojë kërkesa të
paarsyetuara. Pas kryerjes së rishikimit, ne rast se ka ndryshime në rezultat, telc gGmbH i lëshon Pjesëmarrësit një certifikatë të re ose
fletën e rezultateve të ndryshuara.

7. RREGULLAT E ZHVILLIMIT TË PROVIMIT


7.1 Qendra e Provimit cakton një koordinator, i cili është përgjegjës për të siguruar kryerjen e provimit në përputhje me Rregulloret e
Provimit. Të paktën një mbikëqyrës garanton zhvillimin e rregullt të provimit dhe të pushimeve të parashikuara.
7.2 Të gjithë Pjesëmarrësve u caktohen vendet e tyre me një distancë prej të paktën 1.50 metra.
1
7.3 Mbikëqyrësit fillojnë provimin duke shpjeguar formalitetet dhe procedurat e zhvillimit të provimit. Mbikëqyrësit janë të autorizuar të
përgjigjen vetëm përpara fillimit të provimit dhe përsa lidhet me aspektet organizative të tij.
7.4 Pjesëmarrësi mund të mbajë në tavolinë vetëm tezën e provimit, fletët e përgjigjeve, lapsa, goma dhe fletët për mbajtjen e
shënimeve (fletët me vulën e qendrës së provimit). Mbikëqyrësit mbledhin të gjitha sendet e tjera personale të Pjesëmarrësve (si pallto,
çanta, pajisje elektronike, orët e dorës, etj,) përpara se të fillojë provimi dhe i kthejnë ato pasi përfundimit të tij. Këto sende vendosen
dhe ruhen të sigurta në një mjedis jashtë klasës së provimit.
7.5 Pjesëmarrësit që paraqiten pas fillimit të provimit nuk lejohen të marrin pjesë në provim.
7.6 Gjatë zhvillimit të provimit Pjesëmarrësit lejohen të dalin nga klasa vetëm një nga një dhe në kushte të kontrolluara.
7.7 Mbikëqyrësi dhe vlerësuesi i provimit me gojë njoftojnë paraprakisht Pjesëmarrësit për orën dhe klasën e provimit me gojë. Ky
provim zhvillohet në grupe me dy Pjesëmarrës, ndarja e të cilëve bëhet nga koordinatori.

8. VERIFIKIMI I IDENTITETIT
8.1 Përpara hyrjes në klasën e provimit, mbikëqyrësi siguron identifikimin e të gjithë Pjesëmarrësve nëpërmjet një dokumenti zyrtar
identifikimi (pasaportë e vlefshme), në mënyrë që emrat dhe të dhënat personale të mund të kontrollohen në raport me listën e
regjistrimit të Pjesëmarrësve. Identiteti i secilit Pjesëmarrës verifikohet edhe një herë pas pushimit dhe përpara provimit me gojë.
8.2 Përpara fillimit të provimit, Qendra e Provimit rezervon të drejtën e fotografimit të Pjesëmarrësve. Gjatë provimit, Pjesëmarrësi
mban dokumentin e identifikimit në tavolinën e tij, në mënyrë që mbikëqyrësi të kontrollojë se të dhënat personale në fletën e
përgjigjeve përputhen me të dhënat në pasaportë.

9. MASAT PËR SHKELJE TË RREGULLAVE TË PROVIMIT


9.1 Sanksionohet çdo shkelje e Rregulloreve të Provimit, veçanërisht ato që rrezikojnë procedurën e provimit, si dhe objektivitetin dhe
reputacionin e tij.
9.2 Mbikëqyrësi dhe koordinatori marrin masa për të siguruar që çdo Pjesëmarrës të përfundojë provimin pa ndihmën e të tjerëve ose
të ndonjë mënyre të padrejtë. Një Pjesëmarrës konsiderohet se ka mashtruar nëse ai/ ajo pretendon se i është përgjigjur vetë pyetjeve
të provimit, por në fakt ka përdorur ndihma të paautorizuara. Thjesht posedimi i ndihmave të paautorizuara mjafton që të konsiderohet
se Pjesëmarrësi ka mashtruar. Ndihmat e paautorizuara përfshijnë, por pa u kufizuar në to, shënime personale, materiale të printuara si
fjalorë, pajisje dhe mjete që mund të përdoren për të ruajtur, shfaqur ose transmetuar informacione (p.sh. celularë, pajisje si orët dhe
syzet me funksione regjistrimi ose rishikimi audio dhe/ ose funksione transmetimi, etj.), edhe nëse nuk është gjetur ndonjë informacion
në këto pajisje. Në raste serioze të mashtrimit ose mashtrimit në tentativë, Qendra e Provimit përjashton Pjesëmarrësin menjëherë nga
provimi dhe ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga provimet e ardhshme. Në këtë rast, provimi i tij nuk vlerësohet. Për çdo përpjekje
mashtrimi mbikëqyrësi mban një evidencë të detajuar, e cila i bashkangjitet të dhënave të provimit.

10. MBROJTJA E TË DHËNAVE DHE KONFIDENCIALITETI


10.1 Qendra e Provimit do të ruajë dhe përdorë informacionin e dhënë nga Pjesëmarrësi për regjistrimin në provimin telc, si dhe
informacionin lidhur me kryerjen e provimit. Përpunimi i këtyre informacioneve bazohet në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave
personale në Shqipëri. Çdo Pjesëmarrës ka të drejtë të kërkojë një kopje të informacionit që Qendra e Provimit disponon për të dhe të
kërkojë korrigjimin e çdo pasaktësie në atë informacion. Për informacion të detajuar, Pjesëmarrësit mund t'i referohen seksionit të
privatësisë në faqen e internetit: https://dekra.al/politika-e-privatesise/. Çdo person i përfshirë në kryerjen e provimit është i detyruar të
ruajë konfidencialitetin e informacionit.
10.2 Me pëlqimin e Pjesëmarrësit, të shprehur në Formularin e Regjistrimit, Qendra e Provimit dhe telc gGmbH do të përdorin të dhënat
e tij për qëllime të studimit të tregut ose të marketingut dhe të reklamave. Me qëllim lëshimin e dublikatave, Qendra e Provimit do të
përcjellë në telc gGmbH të dhënat e provimeve të Pjesëmarrësve, të cilat do të ruhen në arkivin qendror të provimeve (maksimumi për
10 vjet).
10.3 Pjesëmarrësi pranon fiksimin e imazhit të tij/ saj në fotografi dhe/ ose për të qenë subjekt i regjistrimeve audio-vizuale, të cilat, së
bashku me rezultatet e provimit, Qendra e Provimit dhe telc gGmbH mund t'i përdorin në kuadër të kërkesave për verifikim apo
hetimeve. Të dhënat e Pjesëmarrësit nuk përdoren nga Qendra e Provimit ose telc gGmbH për qëllime të tjera përveç atyre të
përcaktuara në Rregulloret e Provimit, si dhe në Formularin e Regjistrimit. Pjesëmarrësi ka të drejtë të anulojë në çdo kohë miratimin
për përdorimin e të dhënave të tij nga Qendra e Provimit për qëllime të studimit të tregut, të marketingut apo të reklamave.
10.4 Provimet telc nuk janë publike. Vlerësuesit e provimit mund të marrin pjesë në një vlerësim, me kusht që të mos i kenë dhënë
mësim Pjesëmarrësve që do të vlerësojnë në gjashtë muajt e fundit.
10.5 Gjatë zhvillimit të provimit nuk lejohet filmimi, regjistrimi në video, regjistrimi audio ose fotografimi nga Pjesëmarrësi.

11. PËRGJEGJËSIA E QENDRËS SË PROVIMIT


11.1 Qendra e Provimit nuk mban përgjegjësi për mosofrimin e shërbimeve të saj të ndikuara nga forcat madhore (p.sh. në rast
katastrofash natyrore, zjarri, përmbytjesh, lufte, ndërprerjes së energjisë elektrike, urdhri nga institucionet shtetërore dhe në të gjitha
rrethanat e tjera, të cilat janë jashtë kontrollit të palëve në marrëveshje).
11.2 Qendra e Provimit nuk mban përgjegjësi nëse nuk është i mundur respektimit i afatit të daljes së rezultateve apo lëshimit të
certifikatës për shkaqe që lidhen me vonesa të postës apo të korrigjimit të provimeve apo prodhimit të certifikatave nga telc gGmbH.

12. DISPOZITA TË FUNDIT


12.1 Këto Rregullore të Provimit hyjnë në fuqi më datë 1 Nëntor 2021 dhe vlejnë për Pjesëmarrësit që do të kryejnë provimin pas kësaj
date.
12.2 Këto Rregullore të Provimit do të rregullohen, interpretohen dhe zbatohen në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e
Shqipërisë.
12.3 Të gjitha mosmarrëveshjet që mund të lindin në lidhje me interpretimin apo zbatimin e Rregulloreve të Provimit, palët do të
përpiqen t’i zgjidhin me mirëkuptim, në të kundërt, kompetente për zgjidhjen e tyre do të jetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

You might also like