Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 8

Titulli: Aleancat dhe koalicionet e shoqërisë civile

Autorë: Blerjana Bino, Gentian Elezi, Konsulentë të Menaxhimit të Njohurive


Saimir Musta, LevizAlbania

Qershor 2022

Përmbledhje
Ky artikull analizon tematikën e aleancave dhe koalicioneve vendore në kontekstin e shoqërisë
civile në Shqipëri. Tema e trajtuar përbën një element interesant në kuadrin e formateve dhe
instrumenteve të bashkëpunimit, e prandaj fokusi i artikullit është kryesisht tek karakteristikat
dhe sfidat që paraqet kjo sferë. Duke eksploruar edhe konceptet e eksperiencat e mëparshme,
analizohen elementë si formati dhe strukturimi i bashkëpunimit, komunikimi, gjithëpërfshirja dhe
koordinimi, ruajtja e identitetit dhe profilit të organizatave, si dhe dimensioni i ndikimit tek
politikëbërësit. Artikulli mbyllet me disa rekomandime që i adresohen donatorëve dhe
organizatave të shoqërisë civile, si aspekte kyçe për t'u adresuar në praktikat e ngritjes së
aleancave apo koalicioneve me organizatat e shoqërisë civile.

Hyrje
Qëllimi i këtij artikulli është të analizojë tiparet kryesore të bashkëpunimit dhe aleancave në
sferën e shoqërisë civile, duke u ndalur edhe tek konteksti shqiptar dhe eksperienca e
LevizAlbania (LA). Ndërtimi i lidhjeve të reja midis aktorëve të shoqërisë civile njihet në
literature si instrument i dobishëm dhe efikas në shumë drejtime, sidomos për disa fusha që kanë
në thelb angazhimin qytetar, si mjedisi. Për këtë arsye, pas më shumë se dy dekadash aktivizmi
dhe pune në komunitet të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, është e rëndësishme të
kuptojmë pak më shumë mbi dimensionet e këtij bashkëpunimi, përfitimet dhe impaktin që sjell,
si dhe sfidat që paraqet. Për këtë tematikë, LA organizoi edhe një aktivitet të hapur në datë 23
Maj në Korçë, ku më shumë se 50 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe
aleancave të ndryshme me fokus sidomos mjedisin, u mblodhën dhe diskutuan mbi sfidat dhe
idetë e përbashkëta për të inkurajuar më tej bashkëpunimin. Disa nga komentet dhe
rekomandimet e atij aktiviteti janë të reflektuara edhe në këtë artikull.
Fillimisht, artikulli shpjegon konceptin e aleancave në kuadër të shoqërisë civile, duke u ndalur
tek përkufizimet kryesore dhe tiparet e kontekstin në të cilat zhvillohen e kanë më shumë sukses.
Më pas, analiza vazhdon me kontekstin shqiptar duke radhitur disa nga sfidat e paraqitura nga
organizatat dhe aleancat e ndryshme, si dhe nga të dhënat e mbledhura. Konkretisht, kjo pjese do
të trajtojë edhe eksperiencën e LA në këtë kontekst, si dhe gjetjet mbi projektet e zbatuara duke
mbështetur aleancat.

1
Në përfundim, do të diskutohet mbi mësimet e nxjerra dhe rekomandimet për të ardhmen, duke u
fokusuar sidomos tek stadi aktual i zhvillimit të koalicioneve në Shqipëri dhe përvoja e LA me
mbështetjen e dhënë ndaj tyre.

Konceptimi i aleancave në sferën e shoqërisë civile


Format e organizimit të përbashkët dhe të bashkëpunimit në sferën e shoqërisë civile janë të
shumëllojshme. Megjithatë, praktika ka regjistruar kryesisht tre formate të rëndësishme: rrjetet,
koalicionet dhe aleancat.
Rrjetet përbëhen nga individë ose organizata që ndajnë informacione, ide dhe burime për të
përmbushur qëllimet individuale ose grupore. Rrjetëzimi është një proces i marrjes së burimeve
dhe ndërtimit të fuqisë duke përdorur ose krijuar lidhje midis dy ose më shumë individëve,
grupeve ose organizatave. Rrjetet priren të jenë fleksibël dhe bëjnë bashkë grupe me një interes
ose shqetësim i përbashkët për të shkëmbyer informacione dhe ide.
Koalicionet janë grupe njerëzish ose organizatash që punojnë së bashku për të ndjekur një qëllim
të vetëm. Koalicionet shpesh kanë një strukturë më të formalizuar me anëtarët që kanë një
angazhim afatgjatë e që ndajnë përgjegjësitë dhe burimet. Qëndrueshmëria e tyre përcakton edhe
impaktin që kanë në shoqëri dhe në marrjen e vendimeve. Sa herë që është nevoja, organizatat
kërkojnë të bashkohen me një koalicion për të forcuar ndikimin e advokimit të tyre.
Nga ana tjetër, aleancat në përgjithësi përfshijnë marrëdhënie afatshkurtra midis anëtarëve dhe
janë të fokusuara në një objektiv specifik. Duke qenë të kufizuara në kohë dhe qëllime, aleancat
priren të jenë më pak kërkuese dhe konsumuese për anëtarët. Aleancat janë më pak të
përhershme se koalicionet, por ndajnë shpesh të njëjtat qasje dhe përfitime.
Më konkretisht, grupimi dhe bashkëpunimi i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve në
aleancë sjell përfitime si:
- Rritje e impaktit të aksioneve të tyre
- Rritja e aksesit tek politikëbërësit dhe zgjerimi i kontakteve
- Rritja e besueshmërisë publike
- Rritja e vizibilitetit dhe përmirësim i imazhit
- Mundësi më të mira për të zgjeruar mbështetjen publike
- Mundësi për të forcuar shoqërinë civile në tërësi
- Organizatat kanë fusha të ndryshme ekspertize dhe plotëzojnë njëra tjetrën, etj.
Edhe koalicionet kanë disa përfitime të dukshme. Ndërtimi i një koalicioni të gjerë rrit shancet
për sukses dhe ka ndikim tek vendimmarrësit duke treguar se një aksion ka mbështetje të gjerë
sociale për ndryshimin e dëshiruar të politikave. Vendimmarrësit kanë gjithashtu më shumë gjasa
t'u kushtojnë vëmendje koalicioneve - dhe aleancave - pasi ato sjellin një zë më të fortë në
tryezën e vendimmarrjes. Këto përfitime shtohen edhe më shume në kontekste të vështira, ku

2
nevoja për të shfrytëzuar sa më shumë burimet e pakta njerëzore dhe financiare dhe për të
shmangur dyfishimin e përpjekjeve ndërmjet organizatave që punojnë për çështje të ngjashme,
është edhe më e madhe. Puna në koalicione gjithashtu ofron një mënyrë të koordinuar për
organizatat për të krijuar dhe mbajtur partneritete strategjike me aktorë të jashtëm. Është më e
lehtë për një qeveri të lidhet me një koalicion si një partner i vetëm që përfaqëson gamën e
aktorëve të shoqërisë civile për një çështje sesa të gjejë se me kë të ndërveprojë nga një mori
organizatash, duke harxhuar kohë, energji dhe burime.
Në të gjitha këto forma bashkëpunimi, rëndësia e komunikimit është themelore. Mbajtja e
rrjedhës së komunikimit dhe përditësimi me informacion është një aspekt thelbësor i punës së
aleancave dhe koalicioneve. Këto formate bashkëpunimi të shoqërisë civile kanë një histori të
gjatë, por kanë pasur një përhapje të konsiderueshme në dekadat e fundit. Një faktor kyç në
shfaqjen e aleancave dhe koalicioneve të gjera gjithmonë, sidomos pas viteve 1990, është
evolucioni dramatik i teknologjisë së komunikimit. Bashkëpunimi masiv i mundësuar nga aftësia
për t'u dërguar me email të njëjtin mesazh qindra e mijëra njerëzve, ka ndryshuar dinamikën e
fushatave të aleancave dhe koalicioneve. E ka bërë më të lehtë për zërat individualë që për një
çështje të caktuar të ofrojnë një zë të unifikuar, të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet, të
planifikojnë së bashku, të përshtaten dhe të ushtrojnë ndikim maksimal mbi vendimet që merren
si në nivel kombëtar, ashtu edhe atë vendor.

Eksperienca dhe mësimet e nxjerra

Eksperienca e shoqërisë civile në Shqipëri me formatet e ndryshme të bashkëpunimit ka qenë e


shumëllojshme dhe ka patur luhatje ndër vite. Duke marrë shkas edhe nga përvoja dhe praktikat e
mëparshme, LA ka bërë përpjekje domethënëse për të nxitur dhe strukturuar bashkëpunime për
qëllime të përbashkëta. Qasja e LA ka qenë favorizimit i krijimit të aleancave dhe
bashkëpunimeve në këtë kontekst, duke stimuluar edhe një ndërlidhje sa më organike midis
terrenit (grassroot) dhe qendrës (think-tanks). Pavarësisht sfidave dhe vështirësive, kjo qasje ka
prodhuar disa rezultate pozitive ndër vite, ku përafërsisht janë mbështetur 36 projekte me
bashkëpunime midis aktorëve të ndryshëm, nga 194 1 që është totali i projekteve të zbatuara nga
organizata.
Në zbatimin e 36 projekteve me partneritet, janë përfshirë rreth 90 organizata (me veprimtari
respective dhe buxhet të përcaktuar).
Megjithatë, edhe sfidat nuk kanë munguar. Më konkretisht, niveli i formalizimit të
bashkëpunimit dhe procedurat për të vendosur për bashkëpunimet kanë patur perceptime të

1
LevizAlbania prej vitit 2016 ka mbështetur 300 projekte, nga të cilat 194 projekte janë zbatuar nga organizata të
shoqërisë civile (OJF) dhe xx nga individë dhe grupe informale

3
ndryshme në mesin e organizatave, bazuar në madhësi, mision, si dhe formë organizimi,
eksperienca, pritshmëri shumë të ndryshme në lidhje me procedurat, etc. Nga njëra anë, këto
standarde janë të nevojshme për të siguruar mbarëvajtje, përqëndrim, e rezultate, megjithatë, nga
ana tjetër, mungesa e kapaciteteve dhe e eksperiencës, si dhe koha dhe energjia e nevojshme për
aspektet formale, mund të perceptohet shpesh si barrë. Për shembull, aleancat dhe koalicionet që
bazohen në aktivistë dhe ekspertë në fusha specifike, nuk duhet të merren si të mirëqena se të
gjithë kanë të njëjtin të kuptuar mbi organizimin e punës së përbashkët. Kjo bëhet edhe më e
dukshme kur natyra e anëtarëve të aleancës është e ndryshme, siç mund të jenë edhe rastet e
nismave për mbrojtjen e mjedisit, ku shumëllojshmëria e aktivistëve shkon nga organizata të
mëdha (think-tank) e deri tek aktivistët e thjeshtë në komunitet. Ky element, sjell një sfidë
domethënëse nga pikëpamja e ekuilibrit që kërkon mes fleksibilitetit dhe strukturimit të punës
me procedura të ngurta dhe rregulla të formalizuara.

Ashtu siç u përmend në seksionin e mëparshëm mbi konceptet teorike dhe eksperiencat e
përgjithshme mbi aleancat dhe koalicionet, edhe në rastin e Shqipërisë, bien në sy çështjet e
besimit dhe të komunikimit. Ndërsa koalicionet e aleancat krijohen dhe zhvillohen, rezulton se
është besimi midis individëve dhe organizatave të përfshira dhe rrjedha e komunikimit që do ta
kthejë një grup organizatash në një forcë të fuqishme për ndryshimin e politikave. Besimi mund
të zhvillohet nga komunikimi cilësor, veçanërisht nga komunikimi efektiv përballë
mosmarrëveshjeve dhe tensioneve. Sfida e veçantë për aleancat dhe koalicionet e shoqërisë civile
është se nuk ka rregulla apo praktika fikse lidhur me mënyrën se si këto dinamika duhet të
adresohen apo zgjidhen. Tensione të tilla mund të jenë shumë të vlefshme, duke kërkuar një
shqyrtim të hollësishëm të pozicioneve të politikave, strategjive dhe mënyrave të punës, por ato
gjithashtu mund të krijojnë probleme të mëdha nëse nuk trajtohen në mënyrë efektive. Ato mund
të çojnë në mungesë të bashkëpunimit ose në fiktivitet të aleancës, çka do të dobësonte fuqinë
vepruese të tyre. Edhe praktika në Shqipëri ka treguar që aleancat janë më të suksesshme nëse
kanë një organizim të mirë të komunikimit dhe një besim të ndërsjellë midis tyre.

Një sfidë tjetër që hasin organizatat e shoqërisë civile kur vihen përballë dilemës së aleancës,
është edhe frika nga dobësimi i identitetit dhe profilit të organizatës. Pavarësisht vetëdijes se
aksionet e përbashkëta rrisin fuqinë e ndikimit tek politikëbërësit, perceptimi i shkrirjes në një
bashkësi të madhe e të larmishme rrezikon të ndryshojë imazhin e një organizate të caktuar dhe
pozicionimin e saj përkundrejtë një fushe specifike. Në një aleancë ekziston nevoja për të rënë
dakord për mesazhe të qarta dhe qëndrim të përbashkët. Për të bërë këtë, është e rëndësishme të
shihet qartë ndarja e detyrave si dhe profilizimi dhe ekspertiza e secilit, në mënyrë që të ketë
dukshmëri të qartë të secilës organizatë, pa rrezikuar identitetin e tyre, duke kontribuar ndërkohë

4
fuqishëm në kauzën e përbashkët. Mungesa e këtyre elementeve mund të shkaktojë keqkuptime
dhe mosmarrëveshje, edhe në kontekstin shqiptar, duke fragmentarizuar aksionin e shoqërisë
civile, edhe në raste kur kanë objektiva dhe kauza specifike të përbashkëta.

Një problematikë tjetër e hasur dhe e sjellë në vëmendje nga organizatat e shoqërisë civile në
Shqipëri, është se në disa raste aleancat dominohen nga një organizatë e madhe dhe e fortë, e cila
"rekruton" të tjerat për qëllimet e veta. Kjo praktikë mund të ulë hapësirën për organizatat e
vogla dhe mund të mos kenë shumë zë në marrjen e vendimeve strategjike brenda aleancës, duke
pritur më shumë nga organizata lider që ka "know-how" e duke mos zhvilluar kapacitetet e veta.
Nga ana tjetër, aleanca dhe koalicionet kanë nevojë për organizim dhe strukturë, që të jenë
efikase. Gjithashtu, asocimi me organizata të mëdha dhe marrja pjesë në shumë aktivitete ku nuk
do kishin patur akses po të ishin vetëm, mund të sjellë disa përfitime shtesë edhe për organizatat
e vogla apo vendore. Sidomos në fushën e mjedisit, bashkimi dhe bashkëpunimi transversal dhe i
gjithanshëm bëhet element kyç për rritjen e potencialit ndikues tek politikëbërësit.
Në kontekstin e Shqipërisë, një element i rëndësishëm që vihet re në ngritjen e aleancave dhe
koalicioneve, është mungesa e theksuar e përfshirjes së botës akademike. Duhet theksuar se në
rastin e LA, mospërfshirja e universiteteve si grantmarrës vjen prej shkakut të statusit qe ato kanë
(duke mos qenë organizata të shoqërisë civile dhe jo fitimprurëse). Përveç rasteve sporadike apo
fushatave të mëdha advokuese, mungon një bashkëpunim sistematik (apo krijimi i aleancave dhe
koalicioneve) me këto struktura të rëndësishme të mendimit dhe analizës, të cilat mund të ofrojnë
kontribut domethënës në kauza specifike. Ky vëzhgim kërkon një analizë më të thelluar për të
kuptuar edhe pengesat e mundshme dhe tiparet përkatëse, por konstatimi i mungesës së
universiteteve në aleanca dhe koalicione është një faktor me peshë e që duhet theksuar në
diskutimin e gjerë mbi këtë temë.
Nga eksperienca e LevizAlbania me grantdhënien për kauzat e demokracisë vendore është
inkurajuar krijimi i aleancave dhe partneriteteve mes organizatave që në vitin 2017, me thirrjen e
parë “UPSCALE”2.
LëvizAlbania ka në synimet e saj të ketë shtrirje të gjërë dhe të mbështesë nisma nga sa më
shumë njësi dhe komunitete, sado të veçuara dhe rurale të jenë.
Qasja e pasjes së nismave vendore larg nga Tirana, të ndërmara nga organizata të reja, të vogla,
që hyjnë përgjithësisht brenda cilësimit “Grass Root” sjell sjell me vete edhe problematika në
kapacitetet zbatuese dhe eksperiencën në menaxhimin e projekteve. Nga ana tjetër, OSHC-të e

2
Një nga drejtimet e thirrjes nr. 4 për grante iniciuar nga LevizAlbania ku u synua krijimi i “Vijueshmërisë”. Kjo
thirrje ju drejtua të gjithë grantmarrësve të LevizAlbania, të cilët ishin mbështetur në thirrjet e mëparshme për
aplikime 1, 2 dhe 3. Qëllimi i drejtimit për vijueshmërinë kishte në themel të tij objektivin për të mbështetur
projekte të cilat kanë qenë të suksesshme në ndërhyrjet e tyre dhe kanë dhënë rezultate konkrete në forcimin e
demokracisë vendore, rritjen e transparencës, llogaridhënies, pjesëmarrjes, përfshirjes në vendimmarrjet vendore.

5
konsoliduara që veprojnë kryesisht në kryeqytet dhe qytetet e mëdha, e gjejnë të vështirë
penetrimin në zonat rurale dhe të izoluara jo vetëm për shkak të largësisë fizike, por edhe nga
mosnjohja e problematikave dhe veçorive të komuniteteve.
Si përgjigje ndaj këtyre dy çështjeve, të vëzhguar në zbatim, LevizAlbania ka rikonceptuar
kriteret e përzgjedhjes së granteve, nga njëra anë duke kushtëzuar - në fazën e dytë - dhënien e
granteve për organizata të bazuara në nivel lokal (partneri lider i zbatimit të projektit të jetë
veprues në një nga Bashkitë e Qarkut ku do të zhvillohen aktivitetet e projektit të propozuar) dhe
nga ana tjetër duke i dhënë përparësi partneritetit mes organizatave lokale (grass root) dhe
organizatave më të konsoliduara. Mbajtja e kontaktit në vijimësi me LevizAlbania dhe
pjesëmarrja e vazhdueshme në veprimtari trajnuese, këshilluese dhe udhëheqëse të LevizAlbania
ka krijuar mjedisin dhe rrethanat e përshtatshme për këto organizata vendore që të rrisin
kapacitet e tyre, duke pasur gjithashtu edhe një urë kontakti me një organizatë me eksperiencë.
Analiza e rasteve të evidentuara si më pak të suksesëshme ka treguar se një ndër aspektet e
vëshguara si më domethënëse në mos arritjen e rezultateve është mungesa e natyrshmërisë së
mardhënies së vendosur. Pavarësisht pasjes së një natyre afatshkurtër dhe me angazhim në
zbatimin e vetëm një nisme të përbashkët, faktorë të tillë si profilizimi i ndryshëm i fushave të
veprimtarisë, ndryshimet e mëdha në eksperiencë ose bërja pjesë në mënyrë të sforcuar në një
partneritet kanë pasur ndikim domethënës në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Përfundime dhe rekomandimet për të ardhmen

Stimulimi i organizimit të aktorëve të shoqërisë civile dhe bashkëpunimit të tyre rreth kauzave të
përbashkëta paraqet disa avantazhe, por ngre edhe disa pikëpyetje.
Në radhë të parë, komuniteti i donatorëve duhet të ketë parasysh sidomos vendosjen e
barazpeshës mes kërkesës dhe ofertës. Qasja e tepruar top-down (p.sh. imponimi i bashkëpunimit
midis organizatave që nuk kanë eksperiencë bashkëpunimi) duhet të moderohet, duke u
përkujdesur që të përfshihen disa kritere shtesë që ndihmojnë në ndërtimin sa më organik të një
aleance apo koalicioni. Përndryshe rrezikojmë të kemi rezultatin klasik të "box-ticking", me një
përfshirje jo të integruar të të gjithë anëtarëve të aleancës dhe me një objektiv të papërmbushur
plotësisht. Nga ana tjetër, kjo praktikë nuk mund të lihet vetëm në dorë të "frymëzimit" nga
poshtë (bottom-up), duke qenë se shoqëria shqiptare reflekton ende probleme strukturore nga e
shkuara për sa i përket angazhimit dhe aktivizmit shoqëror. Pra, qasja stimuluese dhe ngritje e
fuqizimi i kapaciteteve për organizatat me karakter vendor, duhet forcuar dhe orientuar drejt
bashkëpunimit.
Fokusi dhe orientimi i aleancave duhet të jetë tek impakti, pra ndikimi që ato kanë në kauzën apo
objektivin final. Theksohet kjo sepse ndodh që qasja vendore ndaj mbështetjes së projekteve

6
barazpeshon misionin e organizatës me vendndodhjen, duke favorizuar ndonjëherë të dytën, për
të rritur autorësinë e ndërhyrjes. Së pari, siç u theksua më lart, autorësia jo patjetër mbetet tek
partnerët vendorë, pasi kjo lidhet shumë me formatin si është ndërtuar aleanca dhe si është
strukturuar bashkëpunimi. Së dyti, misioni i një organizate mund të jetë karburant shumë më i
dobishëm se sa përkatësia gjeografike. Për këtë arsye, në ndërtimin e aleancave dhe koalicioneve
në të ardhmen, duhet patur parasysh një barazpeshë midis këtyre komponentëve, për të mos
përjashtuar nga bashkëpunimet kontribues të mundshëm, duke favorizuar organizata vendore por
me eksperiencë dhe impakt të ulët.
Një element tjetër në ndërtimin e aleancave, sidomos në fushën e mbrojtjes së mjedisit, është
edhe angazhimi dhe përfshirja e komuniteteve të prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sugjerohet
që kudo që është e mundur, aleancat apo koalicionet të drejtohen pikërisht nga përfaqësues të
këtyre komuniteteve dhe jo nga organizata të tjera. Kjo qasje rrit potencialin e aleancës për të
zgjeruar përfshirjen, duke krijuar më shumë besim dhe njohje edhe nga komunitete të tjera.
Edhe pse, siç u tha më lart, nuk ka receta standarde për formatet e bashkëpunimit, ka disa kritere
që janë të domosdoshëm. Një koordinim i mirë është kyç në çdo formë bashkëpunimi. Aksione
apo mesazhe të formuluara qartë e te bazuara në vlerat dhe interesat e përbashkëta, duhet të jenë
të koordinuara saktë, sidomos në raport me aktorët politikëbërës apo të jashtëm. Kjo lidhet
ngushtë edhe me rëndësinë e komunikimit për të cilën është folur në këtë artikull.
Gjithëpërfshirja (nga terreni e deri tek bota akademike), dëgjimi i zërave të anëtarëve të aleancës,
nxitja e ndjenjës së përkatësisë dhe promovimi i ndjeshmërive të gjithësecilit duhet gjithashtu të
jenë në termat e ngritjes së një aleance të suksesshme. Qasja praktike e parashtrimit të
objektivave duke kërkuar që të tjerët ta ndjekin, pa diskutuar me anëtarët, mund të rezultojë në
dështim apo dobësim të aksionit të përbashkët, duke vënë në diskutim edhe besueshmërinë. Për
këtë, aleancat duhet të kujdesen edhe për të përfshirë drejtëpërdrejtë anëtarët në veprimtaritë dhe
punët e përbashkëta, duke ndarë detyrat dhe duke përdorur aftësitë e secilit në dobi të objektivit.
Kjo qasje rrit edhe besimin, i cili nuk duhet nënvlerësuar për rëndësinë që ka në këto lloje
bashkëpunimesh. Sidomos kur organizatat apo individët kanë punuar ngushtë me njëri tjetrin
edhe në kauza të mëparshme, ata duhet të vihen në qendër të koordinimit dhe organizimit të
punës së përbashkët, për shkak të besimit që kanë krijuar.

Rreth LevizAlbania
LevizAlbania është projekti i Demokracisë Lokale i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe
Bashkëpunim (SDC) i zbatuar nga një konsorcium i (i) Fondacionit Shoqëria e Hapur për
Shqipërinë (OSFA), (ii) Partnerëve Shqipëri dhe (iii) Co-Plan. Që nga viti 2015, LA ka
kontribuar në rritjen e demokracisë lokale, përmes granteve për Organizatat Jofitimprurëse
(OJF), grupet informale dhe individëve, duke mbështetur kërkesën e tyre për qeverisje vendore

7
transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike efikase. Projekti mbështet ndërtimin e
koalicioneve për të nxitur ndryshime strukturore dhe sistematike në nivel lokal dhe kombëtar dhe
për të promovuar praktikat pozitive në mbështetje të demokracisë lokale.

Sistemi i Menaxhimit të Njohurive dhe Platforma e Angazhimit Qytetar


Platforma për Menaxhimin e Njohurive dhe Angazhimin Qytetar të Lëviz Albania ka si qëllim
mbledhjen, strukturimin dhe kapitalizimin e gjithë kontributit dhe arritjeve të LA në 6 vitet e
fundit. Në të njëjtën kohë, ky ushtrim shqyrton sfidat me të cilat përballet Lëviz Albania në
arritjen e objektivave të saj, por edhe sfidat e grantmarrësve dhe kontekstin më të gjerë të
demokracisë lokale. Menaxhimi i njohurive analizon proceset e brendshme dhe të jashtme të LA
si dhe koncepton ngritjen e mekanizmave bazuar në nevojat e identifikuara. Kjo qasje e zgjedhur
synon të përmirësojë efektivitetin e projekteve të reja dhe do të rrënjos një kulturë të përdorimit
sistematik dhe të strukturuar të njohurive të marra, duke përdorur instrumentet dhe mekanizmat
(platformën) e ngritura. Sistemi i Menaxhimit të Njohurisë dhe Platforma e Angazhimit Qytetar
kontribuon në rritjen e efektivitetit të ndërhyrjeve dhe mundëson një analizë të thellë dhe pasqyrë
të sfidave për mbështetjen e demokracisë lokale dhe angazhimit qytetar. Ekspertët e angazhuar
për këtë nga LevizAlbania (renditje alfabetike): Blerjana Bino dhe Gentian Elezi.

You might also like