Mosha e Votimit PDF

You might also like

Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 5

TEMA: Ulja e moshës së votimit në Shqipëri nga 18 vjeç në 16 vjeç nxit

pjesëmarrjen e të rinjve në politikbërje

Çdo individ ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kjo e drejtë është e saksionuar edhe në
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në kapitullin e tretë për liritë dhe të drejtat
politike, thuhet: “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e
zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Pra, ligjvënësi e ka përcaktuar edhe
kufirin dysheme të moshës 18 vjeç për të marrë pjesë në procesin e votimit, duke e privuar
nga e drejta dhe përgjegjësia çdo individ nuk ka mbushur moshën 18-vjeç ditën e zhvillimit
të zgjedhjeve vendore apo të përgjithshme. Të njëjtën gjë e thotë edhe Kodi Zgjedhor, ku
në nenin nr. 3, tek parimet e përgjithshme thotë: “Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur
moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe,
bindjeje politike, besimi, aftësie fizike osegjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe
të zgjidhet, në përputhje me rregullat eparashikuara në këtë Kod”.
Ulja e moshës së zgjedhësve ka qenë në qendër të debateve në shumë vende të botës.
Tashmë, disa vende kanë miratuar uljen e moshës për të votuar në moshën 16 vjeç, apo 17
vjeç. Shumica e tyre kanë vendosur një kufi moshe 18 vjeç, por ka edhe vende që nuk ju
japin të drejtë shtetasve të tyre për të zgjedhur pa mbushur moshën 20 (si Kameruni) apo
21 vjeç (si Singapori, Libani apo Tonga).
Austria u bë vendi i parë në botë i cili në vitin 2007 e mitatoi me ligj të drejtën e votës në
moshën 16 vjeç. Islanda e ka aprovuar në vitin 2007, ndërsa Gjermania në vitin 2021, pas
një marrëveshje mes partive politike në vend. Mes shteteve europiane që kanë miratuar
uljen e moshës së votuesve 16 vjeç janë edhe Malta dhe Uellsi.
Greqia, vendi ynë fqinj, e ka ulur moshën e votuesve në 17 vjeç në vitin 2019. Mes vendeve
fqinje ku votojnë 16-vjeçarët janë edhe Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.
Estonia i ka dhënë të drejtë kësaj moshe për të votuar vetëm në zgjedhjet lokale. Edhe
Gjermania ka bërë të njëjtën gjë për zgjedhjet vendore në disa lande.
Një debat i tillë po zhvillohet aktualisht edhe në vende si Belgjika apo Irlanda.
Brazili i ka miratuar me kushtetutë të drejtën e votës për 16-vjeçarët që në vitin 1988.
Kanadaja vazhdon debatet për këtë çështje që në vitin 1980, dhe ndonëse janë ndërmarrë
disa nisma ligjore, asnjëra prej tyre nuk është miratuar deri në vitin 2021 që të ulet mosha
në këtë prag. Edhe Argjentina dhe Kuba kanë ulur moshën e votuesit.

1
Përsa i përket votimeve në nivel lokal apo përfshirje në referendume, ka një qëndrim më të
hapur thuajse në të gjithë vendet e Europës dhe Amerikës së Veriut.
Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, si dhe politikanët progresistë po kërkojnë të
drejtën e votës për personat 16 vjeç për të gjithë të rinjtë në Europë. Sipas tyre, të rinjtë
kanë kapacitetin për të marrë vendime të informuara dhe për të marrë përgjegjësinë për
zgjedhjet e tyre.
Edhe në Shqipëri ka pasur propozime apo debate por nuk ka ende një diskutim të gjerë, me
përfshirje masive në debate edhe të rinjve të kësaj grup-moshe. Disa organizata të shoqërisë
civile në Shqipëri ndërmorën një peticion në vitin 2018 për të ulur moshën e votuesve edhe
në Shqipëri, të cilën ia adresuan Kuvendit të Shqipërisë dhe partive politike. Edhe ndonjë
subjekt politik thjeshtë e ka ngritur si ide apo propozim që 10 vite më parë për të ulur
moshën e zgjedhësve.
Të njëjtën gjë e ka propozuar Lëvizja “Vetvendosja” në Kosovë, duke parë moshën e re të
popullsisë së vendit.
Të rinjtë në Shqipëri përbëjnë rreth 1/3 e popullsisë më aktive dhe si të tillë kanë një rol
thelbësor në jetën politike dhe demokratike të vendit.
Sot ka rritje të aftësive njohëse edhe për shkak të aksesit në informacion falë përdorimit të
teknologjisë, por edhe falë përmirësimit të cilësisë së arsimit përmes ndryshimeve në
kurrikulat shkollore, mundësive për të lëvizur, rritjes ekonomike në vend, etj. Madje, në
shumë raste, të rinjtë e kësaj moshe kanë shumë më shumë akses në informacion sesa
prindërit e tyre. Të gjitha këto u japin potencialisht mundësi të rinjve nën moshën 18 vjeç
për të qenë më të informuar për sistemin politik, të drejtat dhe liritë themelore të individit
si dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Por, të rinjtë kanë tendenca të shohin pjesëmarrjen politike si një proces formal që ushtrohet
përmes procesit të votimit. Kjo lidhet edhe me të kuptuarit e vendimmarrjes nga të rinjtë si
një proces i përzgjedhjes dhe delegimit; përzgjedhja e vendimmarrësve nga vetë populli
dhe delegimi i fuqisë për të marrë vendime në të mirë të tyre ndaj këtyre të përzgjedhurve.
Përveç votës si një mënyrë për të qenë pjesë e procesve politike, të rinjtë nuk janë të
informuar se si qytetarët mund të marrin pjesë në vendimmarrje në mënyra të tjera. Pra,
votimi mbetet si akti i vetëm përmes të cilët shumë të rinjë besojnë se është mënyra se si
ndikohet vendimmarrja në çdo nivel. Ndërsa të rinjtë që nuk kanë të drejtë vote, priren që
të mos e shohin vetën si pjesëmarrës në proceset vendimmarrëse në bashkitë e tyre. Të
rinjtë që kanë votuar ndikohen nga faktorë të shumtë në vendimin e tyre për të votuar për
një subjekt apo person të caktuar, paçka se edhe ata kanë skeptikë nga pro.

2
Edhe bashkësia e të rinjve që kanë të drejtën e votës janë skeptikë ndaj proceseve
zgjedhore. Sipas sondazheve, 21% e të rinjve që morën pjesë në zgjedhjet e fundit
mendojnë se vota e tyre nuk u numërua drejt, 48.1% kanë besim të procesi i numërimit
ndërsa 30.9% e tyre nuk i janë përgjigjur pyetjes. Kjo ka ulur ndjeshëm pjesëmarrjen e të
rinjëve me të drejtë vote në proceset zgjedhore, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e
tjera europiane.
Një nga mënyrat për t’i krijuar mundësi rinisë për të kontribuar në demokratizimin e vendit
dhe në zhvillimet politike është e drejta e zgjedhjes, paçka se edhe këtu ka skeptikë.
Por, a janë sot të rinjtë të aftë të marrin përgjegjësi të tilla politike për të zgjedhur?
Më poshtë po ndajmë argumentet që parashtruan në peticionin e tyre organizata si ANYN
dhe CRCA/ECPAT drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjitha partive politike
parlamentare për të ulur moshën e votimit në 16 vjeç:
1. Ulja e moshës së votimit fuqizon demokracinë.
2. Adoleshentët dhe të rinjtë kanë të njëjtat përgjegjësi si të të rriturit, por u mohohen
të njëjtat të drejta.
3. Në Shqipëri, ligji dënon penalisht çdo person mbi moshën 14 vjeç, ndërkohë, ne nuk
ju njohim të drejtën e votimit në moshën 16 vjeç.
4. Sot ligji i jep të drejtë çdo adoleshenti që ka mbushur moshën 14 vjeç të kryejë
marrëdhënie seksuale me dëshirë, ndërkohë që e konsideron të paaftë për të votuar
dhe për të vendosur për vetën dhe interesat e tij.
5. Adoleshentët dhe të rinjtë paguajnë taksa dhe zbatojnë ligjet njësoj si çdo qytetar
tjetër i rritur. Ata duhet të gëzojnë të drejtën e votës!
6. Politikanët do t’u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të adoleshentëve dhe të
të rinjve, nëse ata do të mund të votojnë.
7. Adoleshentët do të kenë një mundësi unike në jetën e tyre, sepse do të marrin
përgjegjësi për të vendosur për të ardhmen dhe interesat e tyre.
8. Të rriturit sot vendosin për çështjet dhe të drejtat e adoleshentëve, pse të mos
vendosin ata për veten e tyre?!
Përkundër idesë për mbështetjen e të rinjve në moshën 16 vjeç për të marrë pjesë në
zgjedhje, ka edhe kundërshtarë, të cilët e argumentojnë me fakte nga më të ndryshmet:
Efekti në Pjesëmarrje. Një proces zgjedhor me shumë pjesëmarrje, është më cilësor dhe më
i besueshëm në rezultatet që prodhon. Por, shihet se të rinjtë janë gjithnjë e më pak të
interesuar për të marrë pjesë në zgjedhje. Ka pak prova se ulja e moshës së votimit do të
çonte në një rritje të pjesëmarrjes në votime tek moshat 16-18 vjeç. Moshat 18-24 vjeç
kanë regjistruar vazhdimisht përqindjet më të ulëta të pjesëmarrjes në çdo grupmoshë me

3
një diferencë të madhe. Argumentohet se ulja e moshës së votimit në 16 vjeç thjeshtë do të
rriste këtë pabarazi moshe nga pjesëmarrja dhe për këtë arsye rrezikonte të shtonte krizën
e legjitimitetit demokratik në vend që ta lehtësonte atë.
Niveli i Njohurive Politike. Ndërkohë që ka një sërë të rinjsh të interesuar politikisht, të
ditur dhe të angazhuar, shumica e studimeve kanë treguar se në përgjithësi të rinjtë kanë
një interes dhe njohuri shumë të ulët për politikën. Si rezultat, ekziston një shqetësim nëse
shumica e 16-vjeçarëve do të kishin njohuritë e nevojshme, apo vullnetin për të marrë
njohuritë e nevojshme, në mënyrë që të jepnin një votë kuptimplotë.
Çështjet e moshës dhe përgjegjësive në përgjithësi. Ka shumë aktivitete në të cilat moshat
16-18 vjeç nuk mund të marrin pjesë dhe për këtë arsye është e diskutueshme nëse ata
mund të klasifikohen vërtetë si të rritur të plotë. Për shembull, 16-vjeçarët në Britani nuk
mund të drejtojnë ligjërisht, u ndalohet të pijnë cigare, të pijnë alkool ose të marrin një
hipotekë. Përveç kësaj, deri në moshën 18 vjeçare mbeten disa aktivitete të cilat zyrtarisht
kërkojnë që individët të marrin pëlqimin prindëror. Është argumentuar gjithashtu se në
moshën 16-vjeçare shumë individë mund të jenë ende nën ndikimin e drejtpërdrejtë
disproporcional nga prindërit e tyre dhe për këtë arsye mund të mos jetë e mundur të
garantohet se ata do të bëjnë një zgjedhje të pavarur kur hedhin votën në kuti. Në realitete
politike si Shqipëria, ka fenomene të votimit familjar, apo që zgjedhësit ndikohen nga
sjellja në familje.
Përzgjedhja e kësaj teme për debat do të mundësonte që vetë të rinjtë të sjellin optikën e
tyre pro dhe kundër idesë për të reduktuar moshën në 16 vjeç. Vetë ata duhet të jenë
protagonistë për të garantuar një të drejtë të tillë, në kuadrin e përgjegjësisë që ata kanë për
të kontribuar në një shoqëri demokratike. Nëse kjo nuk do të vijë si kërkesë e të rinjëve të
kësaj grup-moshe për të marrë pjesë më shumë në proceset politike dhe për të zgjedhur, -
do të ishte e panatyrshme që kjo të ndërmerrej nga grupime të tjera si iniciativë. Pjesë e
këtij debati mund të ishte edhe mosha e përfshirjes së të rinjëve në formacionet politike
shqiptare, përfshirë edhe forumet rinore, si dhe mosha dysheme e të rinjëve për tu zgjedhur,
pra për të marrë përgjegjësi si përfaqësues apo drejtues të institucioneve publike në
Shqipëri.
BURIMET
1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
2. Kodi Zgjedhor
3. Voting at 16 - Consequences on youth participation at local and regional level

4
Congress of Local and Regional Authorities of the Council of Europe
https://rm.coe.int/en-vote-at-16-a6-web-collection-elections-
democratiques/1680a8781c?fbclid=IwAR11W1eCmUx38C9p9-n4wzt7hgDq1UB-
yGZ2lezBcPkZRyfcv0mTIdMx6uQ
4. MANUAL PËR REFORMËN ELEKTORALE NJË GUIDË PËR RRITJEN E
PJESËMARRJES SË TË RINJVE NË PROCESET ZGJEDHORE DHE
VENDIMMARRËSE
https://krk.al/wp-content/uploads/2021/05/MANUAL-PER-REFORMEN-
ELEKTORALE.pdf?fbclid=IwAR2BYyl33sNxelifKPa6xWscbI3EsGbGkiEXUNCPYhv
0ZR1HIOTVK2jLcv8
5. Sjellja votuese e të rinjve në zgjedhjet parlamentare 25 Prill 2021
https://qq.com.al/wp-content/uploads/2021/05/Sondazh-Sjellja-votuese-e-te-rinjve-FInal-
1-Maj-2021.pdf?fbclid=IwAR21XEcUTH-7F-1zMngs5-YGjnlwJyqy-h9NXx1s5-w-
jDduwS8FIyjH0xU
6. PETICION - Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN dhe CRCA/ECPAT
Shqipëri, në kuadër të reformës zgjedhore për uljen e moshës për të votuar në 16 vjeç
https://www.crca.al/sq/fushata/voto-per-16/
7. European Youth Forum: Vote at 16
https://www.youthforum.org/topics/vote-at-16

You might also like