Ali Pasha i njohur edhe si Ali pashë Janina ose Ali pashë Tepelenjoti (1741[1] ose 1743[2] - 24
janar 1822) qe një sundimtar i fuqishëm fisnik shqiptar i Perandorisë Osmane me tendenca autonomiste që shndërroi Ejaletin e Janinës në pashallëk.
Prejardhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pinjoll i derë së fisme të Hysove, qe gjyshi i tij Myftar beu (Samiu e quan Ali Pashë me gradë miri miran)[1] që fitoi pozitën më të lartë duke u caktuar dizdar (kështjellar) i Tepelenës; dhe më pas ra rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit.[2] Një nga tre djemtë e Myftar beut,[1] Veli beu mori për grua Esmiha hanëmin nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të njiheshin si Zenelbejllinjtë,[2] çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë.[1]
Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Rinia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit] I ati u vra kur Aliu qe nëntë apo dhjetë vjeç dhe u rrit nga e ëma.[3] Familja Tepelena, tashmë e përfaqësuar nga dy të mitur, ra në grindje me Kardhiqin, fshat i lirë, se kush do të ishte këmborë për disa fshatra përreth Karjanit dhe sidomos fshatin Kakos, të drejtë që prej brezash ishte ushtruar Tepelenët. I pari i Kardhiqit, Demir agë Dosti po e mëtonte tashmë këtë të drejtë për vete. Më 1752 hanko Esmihaja me të bijën udhëtuan drejt Karjanit që të vilnin taksën e këmborës që Tepelenët e vilnin si përfaqësues vendorë të Portës së Lartë. Kardhiqiotët i bënë pritë në kthim në një grykëmali, i morën Esmihanë me të bijën me vete në Kardhiq, i detyruan të kthenin të ardhurat e paligjshme disavjeçare nga kjo taksë dhe iu bënë të qartë që mos ta pretendonin më në të ardhmen. Esmiha hanëmi e bëri këtë lëshim kundrejt kardhiqiotëve, por ushqeu hakmarrje tek i biri. Aliu iu dha jetës së komitit me trimat e vet deri kur më 1763 i kërkoi dorën Hanko pashës (e shoqja e pashës), e bija e Ahmet pashë Ngurzës. Por Hankoja nuk e pranoi kërkesën e tij dhe më 1766 u martua me Ibrahim pashë Vlorën. Dy vjet më pas Aliu u martua me të bijën e sanxhakbeut të Delvinës, Kapllan Asllanpashalliut, Ymi Gylsym hanëmin. Pas varjes së vjehrrit dhe ngadhënjimit si i tretë në rivalitetin e dyerve të Kokajve dhe Selimaj-Hajdaragaj-Dostëve, iu dha posti i kajmekamit të bejlerbeut të Rumelisë dhe mori titullin e pashait me një tujë në krye të Sanxhakut të Delvinës. Pas luftës së Perandorisë Osmane me Rusinë më 1787, ku mori pjesë me pasuesit e vet nën komandën e Vezirit të Madh, Jusuf Pashës, Ali Pasha u shqua në luftime. Arsye për të cilën, pas traktatit të paqes u emërua sanxhakbej i Tërhallës dhe derbahat naziri (kryembikëqyrës i qafëmaleve dhe rrugëve të Rumelisë); kësodore pastroi rrugët nga cubat duke i marrë si pasues të vet dhe duke u fuqizuar e pasuruar gjithnjë e më tepër.[4]