Bindja se një komb ngrihet mbi vlerat e së shkuarës shkon ne
sinkron të plotë me sensin tonë te superioritetit inferior, aq sa mund te thuhet se deri diku e tillë bindje na identifikon. është pak a shumë si një pasaportë e marrë pa shumë mundim, për dikë e merituar e për dikë e pamerituar, për dikë e dëshiruar me gjithë forcën e për dikë tjetër thjesht kalimtare. E ndërsa hija e së shkuarës ka zënë vendin e piedestalit në publicitetin ndaj botës, e tashmja ështe shfarrosur nga pluhuri i harresës, nga vepra e indiferentizmit, nga tendenca për të bërë përsosmërisht detyrat e gjithkujt veçse të vetvetes. Përpos kësaj, mozaiku i një prej katundeve të strukur të botës ia del hera herës të ndriçohet nga dëshira e pashpjegueshme për të ndryshuar, për të imituar, për të adaptuar me pangopësi gjithçka që mund të huazohet, gjithçka që është produkt i një tjetër fryme. Të kapur peng nga dëshira për një arratisje të vazhdueshme virtuale, mëngjeset katundare me ëndrra evropiane, zgjohen me përtacine dhe menfregizmin e çdo mëhalle ku ka kohë për gjithçka dhe për asgjë. Zgjohen të ngadaltë dhe pa kurrfarë nxitimi për të kapur rendin e ditës, përsa kohë axhenda e çdo dite është nje kopje identike e asaj së ditës paraardhëse: pak vemendje, pak fjalë, dy ankesa dhe shumë dëshirë e avulluar brenda njëzet e katër orëve. E dehur nga dëshira e ethshme për progres, të provokohet keqardhje për veten ndërsa e sheh imazhin tënd krejt të huaj mes një turme që ikën pa drejtim, si një fëmijë i lënë ne mëshirë të fatit pa askënd që të mund t'i mësoje hapat e parë. E paradoksi nis pikërisht këtu, se si një katund i ngritur mbi monotoninë varfëruese dhe mbi ëndrrat në diell arrin të jetë atraktiv dhe joshës në mënyrën me spontane të mundshme. Pangopësia e tij për ndryshim, në kontrast të plotë me motivimin individual të banorëve, krijon atë që ekonomistët do ta quanin: output racional, ku secili me minimumin e mundimit merr kënaqsitë maksimale të ditës. Analiza vazhdon me pyetjen: cilat janë standardet e kënaqsisë te aktorëve të këtij katundi. Besojeni ose jo, aty mund të gjesh një mozaik ekstremitetesh të standardëve, ose e shprehur më thjesht në gjuhën e tyre: ka nga ata fodullë që “e vrasin lart”, ka dhe nga ata të cilët s'kanë shumë pretendime dhe e përputhin kulmin e kënaqsisë thjesht me një kafe, dy thashetheme, e herë pas here ndonjë grindje e vogël për politikë. Pavarësisht sipërfaqjes së reduktuar aty çdokush njeh çdokënd, dhe secili di në detaje të përditshmem, të shkuarën dhe projektet e gjithkujt. Janë aq pak sa urrehen dhe duhen çdo ditë, përplasen dhe gjykohen pa rezerva, lëvdohen dhe adhurohen deri ne joshje. Thjeshtësia e tyre merr hera herës kulmet e kompleksitetit dhe aty secili luan përsosmerisht rolin e katundarit që ka veshur për pak orë kostumin e luksit mbi te mbathurat e grisura. Sërish spontanisht kthehen në kllounë të ftuar në festën e hipokrizisë, një festë kjo e organizuar në katundin ku të gjithë njihen deri në detaje e megjithatë të gjithë joshen nga dëshira për t'u lyer me pak truk evropiani. Se ç'është truku i evropianit as ata nuk e dinë, madje edhe kur kam tentuar t'i pyes përgjigja ka qenë sa absurde aq edhe konfuze: “evropiani nuk ështe shqiptar dhe kaq...do të thotë të emancipohesh , a kupton, s'është ndonjë gjë abstrakte, thjesht të kesh më shumë kulturë ...”. Dhe unë përfshihesha tërësisht në të tillë konkluzion që mishëronte një konfuzion fare të qartë, e merrja si definicion të pashkruar dhe kuptoja se nuk mund të isha evropiane përsa kohë isha shqiptare. I pari mbetej nje qëllim në vetvete, i dyti mbetej fat i paracaktuar, i cili sipas definicionit të lartpërmendur nuk dukej të ishte dhe aq favorizues. Kështu që rrjedhimisht pika iniciale e axhendës sime ditore ishte, sa më shpejt, sa më natyrshëm dhe domosdoshmërisht evropiane. Kam përshtypjen se në një moment ose në një tjëtër diku edhe ti ke pasur të shkruar një plan të tillë në axhendën tënde, e megjithatë nuk e di nëse ti e ke urryer ndonjëhërë të tillë qëllim absurd sepse unë po. Ne rrjedhen e kesaj analize tërësisht objektive, do të përpiqem të të shpjegoj se sa objektiva të tjera më dobiprurëse, më fisnike, më të natyrshme e më njerëzore, eleminonte një rregull i tillë i axhendës së katundit tim, së katundit tënd. Evropa duhej të ishte diçka për të cilën luftonim si të marrë, si skllevër të bindur të një rebelizmi të përdalë. Sepse luftonim pa ditur të luftonim, ulërisnim për ndryshim duke dashuruar marrëzisht monotoninë, kërkonim progresin duke lidhur pakt të heshtur me regresin, përqafonim vizionin e demokracisë duke adhuruar tempullin e ndryshkur të komunizmit. Kjo ndodhte në katundin ku lashtësia kishte kryer misionin e saj hyjnësisht, ku e shkuara kishte shkruar mbi fletët e zverdhura tentativa modernizimi, e ku sërish e shkuara kishte prangosur më pas iluministët e katundit të humbur duke ndërtuar piedestalet e meskinitetit dhe parazitizmit politik. Kjo ndodhte ne katundin ku e tashmja vraponte prej së keqes dhe sërish kapej prej leckash nga e keqja, ku liria i druhej frikës dhe frika shpesh e shtynte këdo ne marrëzi. Ky ishte katundi ku kushdo ëndërronte arratisjen, por pa mundur të thante lotët e një dashurie te dhembsur, të vuajtur, të sakrifikuar deri në flijim. Aty kushdo që ikte linte diçka pas... Ai katund mbartte një hije të ëmbël frymëzimi. Midis zhgënjimit aty çuditërisht nuhasje shpresë. E njihnin me emrin Shqipëri dhe bëmat e saj kishin krijuar mitin e së pamundurës, të zhgënjimit, të padrejtësisë, të pangopësisë, të krimit dhe makabritetit, mitin e flijimit pa motiv, mitin e xhunglës. E çuditërisht aty gjeje humanë që bridhnin nëpër rrugët e harruara me kandilët e shpresës.
Jehona e simfonisë së stonuar “Shqipëria duhet të jetë në
Evropë”, është shiringa me të cilën i zhysin në kllapi, ndërsa strategët e politikës katundare nuk e shtruan kurrë pyetjen: “Sa vlera i jep Shqipëria Evropës?”. Jam e sigurt se do të gjenin me mijëra përgjigje krejt të natyrshme, përgjigje që dalin nga skemat groteske të zyrave, pergjigje që thuren mbi bazën e vlerave njerëzore, mbi bazën e historisë, kulturës, traditave dhe të përditshmes.Ajo që kupton teksa përpiqesh të transkriptosh mekanizmin e jetës së ketij katunfi, është fakti se propaganda e letrave nuk ka qenë kurrë e besueshme për realitetin, prandaj imazhi i “Shqipërisë-shtet” nuk do të përputhet kurrë me portretin e “Shqipërisë-vend” dhe ndryshimet mes të dyjave janë shëmbëlltyrë e një karvani të tërë kontrastesh. “Shqipëria-shtet” është një organizëm me frymëmarrje të drejtuar, është një trup në gjendje kome të cilin e copëtojnë paturpësisht duke përfituar nga mungesa e ndjenjave. Flet me zërin e një turme borgjezësh të zhveshur nga çdo vlerë njerëzore që ashtu si është me tubat e oksigjenit nëpër këmbë, e ulin në sallat zyrtare me njërën këmbë në varr. Aty ka një detyrë të mirëpërcaktuar. Të lypë mbështetje, të zhvishet nga çdo rreckë dinjiteti në emër të prestigjit ndërkombëtar. E ndërsa e veshtron ashtu të ngjall pesimizëm, pafuqi, të venit shpresat dhe të injekton instiktivisht ndjesinë e inferioritetit. është një nga ato sekonda ku gjurmët e identitetit veniten nga shija e neverisë. Ky imazh i stisur lufton çdo sekondë me imazhin e “Shqipërisë-vend” që nuk njeh as bluza të bardha, as aparatura. Është shpirt i lirë dhe njeh vetëm frymën që Zoti i ka dhënë. Nuk njeh paterica se ecën ashtu si koha e ka mësuar, herë vrapon e herë ndalet të pushojë nga pak. I vetofrohet kujtdo që kërkon ta njohë. Është si ajo qenia qe ka brenda të ëmblën dhe të kripurën, prandaj rezulton një ndërthurje e kompletuar e natyrshmërisë! “Shqipëria-vend” është ajo që delegojnë me qindra shqiptarë, ajo që prezantojnë pa komplekse në sytë e kujtdo që nuk e ka njohur kurrë më parë. Ky identitet i saj i jep çdo shqiptari pasaportën diplomatike duke i lejuar te jetë ambasador i thjeshtësisë, veçantisë, detajeve dhe përditshmërisë së saj. Nuk ka nevojë për një protokoll që ta përfaqsosh, mjafton të ndjekësh rregullat e natyrshmërisë dhe vetvetiu thuret mozaiku që merr identitet në artizanatin e botës! I. Divorci që shijon dhe dhemb
“Shteti ёshtё njё organizёm qё jeton me shpirtin e trupave
tanё!” Kёshtu u tha Macchiavelli italianёve dhe Jean Bodin francezёve. “Eshtё dikush qё lindi me kёmishën qё ne thurёm duke zhveshur trupat tanё nga çdo e drejtё!”
Tё pёrkthyera nё shqip kёto fraza duken ndoshta krejt
diplomatike, tё akullta dhe tё panjohura pёr ne shqiptarёt qё nuk patёm as Bodin, as Macchiavelli dhe as mendimin e thellё tё Hobbes qё citoi pёr mbarё njerёzimin: “Njeriu ёshtё ujku pёr njeriun!” Ne patёm vetёm Kadare qё pёrplaste nё muret e diktaturёs mendimet e hapura dhe armike pёr kohёn. Nuk patёm teoricienё, por poetё fare tё thjeshtё si Agolli qё na nguliti nё mendje imazhin e pelegrinit tё vonuar e na la shijen e melankolisё nё hapat e sё pёrditshmes. Realisht, fletёt shqip i kanё shkruar poetё e shkrimtarё besnikё tё prapambetjes apo rebelё tё kohёs qё iu pёrkushtuan frymёzimit, pakёnaqsive apo thjesht copёzave tё kujtimeve. Megjithatё sinqeriteti gёrryen dhe kёrkon ta respektosh, prandaj e vёrteta ёshtё se mungesa më evidente e Shqipërisë së ditëve të ashtuquajtura moderne, është mosprania e dikujt që të mund të na zgjonte nga kllapia e dehjes dhe tё na jepte nё duar timonin e shoqёrisё. Ne na dhanё vetёm prangat, çelësat e tё cilave i kёrkojmё nё turma, duke u pёrplasur me njёri-tjetrin e duke kёrkuar ashtu kuturu njё lider. Fillesa e problematikave të Shqipërisë i ka rrënjët në nje defekt gjenetik të saj, të shkruar në mënyrë të detajuar në ADN-në e shqiptarit. E kam fjalën për sindromën e dëshirës për t'u kapur fort pas mashtrimit që shijon, pas asaj që duket jo reale, pas asaj që lehtëson teorikisht vështirësitë e së përdithshmes. Na mundon lufta njerëzore, na rraskapit gara dhe na josh aq ëmbëlsisht premtimi për shpëtim. Nëse do të arsyetoja në mënyrë racionale, nuk besoj se kjo është sindromë vetëm e jona. është pasojë e faktit të të jetuarit përherë në kufijtë e skëterrës. Fataliteti i kombeve të lëna në harresë është firmosur në momentin kur i kanë besuar verbërisht Jezusëve politikë, shpëtimtarëve që nuk njohin skenar tjetër veç propagnadës dhe kur mendjet janë të zhytyra në errësirë propaganda shitet si dritë rilindjeje. Të tillë popuj ekzaltohen nga fjalimet elektrizsuese të broçkullave politike pa pasur durim për t'i zbërthyer gjakfohtësisht përrallat e ëmbla të pseudo politikave. Dhe pseudo politika është krejtësisht e legjitimuar aty ku mungon serioziteti ndaj vendimarrjes, aty ku varfëria shet trupin në këmbim të rreckave dhe shpirtin në këmbim të kafshatës. Mjerimi migjenian, i hap derën erërave të regjimeve që ngrenë themelet e diktaturave, e mjerimit migjenian, i shtohet mjerimi intelektual, karakteristikë evidente e një populli me shifra të larta analfabetizmi. Popuj të tillë, të cilët uria u fshin kujtesën dhe dhimbja e stomakut u zbeh arsyen besojnë pa kushte te premtimi, edhe kur ky i fundit ështe thjesht flluskë sapuni që shuan me ajër të ndotur urinë e pashtershme të të varfrit, të atij që fle dhe zgjohet me ëndrrën për mbijetesë. Dhe të tilla atribute nuk i janë veshur vetëm shqiptarit, por çdo populli që ka njollosur faqet e historisë me eksperienca politike diktatoriale unikale në llojin e tyre, Popujve që kanë brohoritur nën ekstazën e skozofrenisë per patologjikët politikë, për ata që ia dedikuan karrierën urrejtjes ndaj qenies njerëzore, për ata që mohuan Zotin dhe përqafuan pavdekshmërisht djallin. Dhe në listën e të tille popujve jemi padyshim ne. Ne, që për pesëdhjetë vite rikthyem në kujtesën e botës skllavërinë e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Ne që besuam tek filozofia politike më mediokre e historisë politike botërore, ne që iu dorëzuam komunizmit. Dhe kjo si rezultat i dominancës së mediokritetit mbi arsyen dhe dijen. Komunizmi ynë nuk ishte një imitim i pastër i komunizmit lindor përpos tentativave bolshevike e jugosllave për të injektuar dhe drejtuar rrënjosjen, krijimin dhe ecurinë e komunizmit në Shqipëri. E megjithate nuk dilte nga skemat klasike të së kuqes flakërimë. Ishte strategjikisht i njëjti. Zhvillimi i kësaj filozofie politike ecte në paralelizëm të plotë me reduktimin dhe regresin e koshiencës shoqërore. Progresi komunist sinjifikonte regres intelektual, padituri, shkonte në sinkron me skëterrën e mendimit dhe inercinë për të reaguar. Ngrihej mbi kontraditën midis barazisë ekonomike dhe ndarjes klasore, Por, mbi të gjitha ngrihej mbi dëshirën për të shtypur si molë e të mulatur dijen, aftësinë, diferencen e merituar ekonomike, finsikërinë breznore dhe meritokracinë individuale. Duke qenë se ky libër konsiston në nje analize të përgjithshme politike, nuk synon përsëritjen e fakteve dhe periudhave historike, por synon pershfaqjen e përgjigjeve subjektive dhe krejtësisht personale mbi aspektet politike të diktaturës dhe post-dikatuturës në Shqipëri, do te doja ta evitoja shpjegimin unilateral të komunizmit, duke u ndalur, te raporti interaktiv dhe reciprok i shqiptarëve me filozofinë politike komuniste, sa ata e duan dhe sa e urrejnë, sa e adhuruan dhe sa e përçmuan, sa e kanë harruar dhe sa e kujtojnë me një nostalgji që mishëron njëkohësisht dhimbje dhe mall. Kam besuar përherë se shqiptarët e deshën komunizmin. E deshën deri në kufijtë e pasionit dhe u dashuruan pas asaj që komunizmi përfaqsonte. Do të thoja se kjo dashuri e gjen justifikimin në atë që komunizmi predikonte, në premtimin për të injektuar barazinë mes të pasurit dhe të varfrit, duke e shpjeguar të tillë diferencë jo si rezultat të punës dhe aftësive të gjithsecilit, por si mëkat, si krim shoqeror dhe njerëzor, e kështu ia doli të shitej si praktika politike që do i jepte fund të tillë diskriminimi social. Logjikisht dhe me një arsyetim fare të thjeshtë, kupton se si u zgjua kërshëria dhe superioriteti tek i varfri, tek ai që as nuk kishte trashëguar e as nuk kishte lëvizur gurë për të përmirësuar sado pak mbijetesën. Në çdo epokë, ai e sheh filozofinë dhe praktikën komuniste si drejtësinë e shumëpritur që do të dënojë deri ne ekstrem vëllain e tij, komshiun, mikun apo të njohurin që ka ditur ta ndërtojë të përditshmen ndryshe. E nëse mbrëmë fjeti i uritur, i paditur, i rraskapitur, nësoj do të flejë edhe sonte, por me një ndryshim fare të thjeshtë, i lumtur. I lumtur se nuk është më vetëm në varfërinë e tij, në urinë e tij, në errësirën e tij, edhe pse vështire të mos jetë më vetëm në injorancën dhe analfabetizmin e tij. Shqiptarët e panë komunizmin si vegël hakmarrjeje ndaj fisnikut, ndaj atij që kishte ditur të iluminonte shpirtin dhe mendjen, si hakmarrje ndaj atij që kishte bërë pakt me diturinë dhe kishte gdhendur në axhendën e tij plane afatgjata dhe perspektivë të lartë për një të ardhme kuptimplotë. E kishin parë si drita e shpresës për të rikthyer mirëqënien sociale pa u dashur asnjë lloj kontributi individual. Komunizmi simbolizonte kolektivitet dhe kolektiviteti është streha më e rehatshme e atij që i trembet individualizmit, është shpëtimi i kujtdo që jeton me frikën e paaftësisë individuale. Kolektivizmi ishte shpëtimi heroik për këdo që mizerinë e vet ia shiste padrejtësive sociale. Komunizmi në Shqipëri firmosi atë që kishte firmosur në shumë shtete të tjera, supremacinë e shoqërisë mbi individin dhe në binomin shoqëri-individ, vendosi të dytin në shërbim të të parit. Rezultati direkt dhe i pashmangshëm i kësaj mënyre të organizimit shoqëror do të ishte parazitizmi i legjitimuar i parazitëve dhe shfrytëzimi i palimituar i të aftëve. Ndërsa pasojat më të përgjithshme ne spektrin e qeverisjes do të ishin uniformiteti ekonomik, moral dhe psikologjik. Shijes pozitive që premtonte komunizmi, i shtohej edhe periudha në të cilën kjo frymë e mykur politike filloi aktivitetin, pas lufta e dytë botërore. Rrëmujërat në rajon dhe situata botërore kishin sjellë edhe në veshët e shqiptarëve zërat për mobilizim nacional dhe nacionalizmi njihet botërisht si instrumenti më efikas për mobilizimin e masave, (megjithëse kjo mbetet për diskutim në aktualitetin politik të ditëve të sotme). Konteksti në të cilin komunizmi erdhi e rriti absolutisht pritshmërinë për një mbështetje të gjerë nga masat e popullit. Afirmimin absolut të tij dhe kohëzgjatjen galopante do ta shpjegoja me arsyetimin e sipër përmendur. Raportin e shqiptarëve me komunizmin nuk do ta cilësoja kurrsesi të çalë apo jo kompakt, përkundrazi e konsideroj me bindje një raport të ngritur mbi një dashuri të verbër, të paparsye, të sëmurë. Ajo që i joshi më shumë shqiptarët ishte mundësia për ta kthyer të pamundurën në të mundur, mundësia për t'i dhënë prestigj shoqëror dhe superioritet zyrtar teneqexhiut, marangozit apo kujtdo zanati tjetër që nuk kuzhtëzohej nga nodnjë kriter apo standard si fisnikëror ashtu edhe intelektual. Gjithë lufta shoqërore konsistonte në shfarrosjen e diferencës në origjinë, familje, edukim, intelekt dhe mirëqënie, prandaj uniformizmi ishte jastëku i ëndrrave për shumicën që brohoriti çmendurisht trokitjen e skëterrës më të thellë në historinë e kombit shqiptar. Dashuria pas liderit politik duke që e kthen imazhin e tij në mit legjendar, është sindromë që mishëroi hapur debulesën flagrante jo vetëm të shqiptarëve, por të disa popujve të tjerë të cilët, ne mungesë të plotë te vetedijes i dhanë timonin e së nesërmes skizofrenëve që predikonin filozofi politike të ngritura mbi asburdin. Ndoshta prandaj portreti enverian u kthye në prioritet individual dhe shoqëror, për një arsye fare të thjeshtë; ai predikontë injorancë, ai fliste me gjuhën e te humburit, të paarsimuarit, me gjuhën e punëtorit të baltosur që zorr se mund të shkruajë dy gërmat e para të emrit të tij, ai iu afrua përsosmerisht nivelit shoqëror të asokohe dhe u kthye ne shpëtim të atyre që ndiheshin dhe ishin si ai. Ishte simbol i individit të dështuar që trillonte gjithçka prej hiçit, duke nisur nga aktivizimi i tij hipotetik ne Francë e deri te eksperiencat inekzistente te rinisë. Ai ishte shembull i dështimit insistent dhe konstant që e kthen poshtërimin e kultit të tij shoqëror në patologji për t'u evidentuar. Të tillë individë jetojnë në rrethin virtual të vetmisë dhe e shohin botën si teatër tragjik i ndërtuar mbi monologun e protagonistit të vetëm kundër antagonistëve. Protagonisti ishte ai, antagonisti, kushdo që e rrethonte, prindi, vëllai, miku, e dashura, kolegu, i panjohuri. Nëse ka portrete që historia duhet t'i skedojë si elementet më të rrezikshme të një epoke shoqërore janë pikërisht të dështuarit, ata të cilët kanë provuar qindra herë shijen e refuzimit, të talljes, të përbuzjes, të shmangies dhe përçmimit. Ata projektojnë në trurin e tyre skenarët më të frikshëm të kinematografisë së realitetit dhe vendosin në dispozicion edhe vetë shpirtin për realizimin e tyre. Me pak fjalë, diktatorin Hoxha, vështirë se mund ta klasifikoje në ndonjë kategori shoqërore përpara shkëlqimit të tij diktatorial. Nuk ishte punëtor i thjeshtë i dobishëm të paktën per veten, nuk shquhej as si student produktiv apo i dalluar, ashtu sikurse nuk evidentohej as si intelektual, madje dhe në ato që tentonte të shkruante, kuptoje sa flagrant dhe i frikshëm ishte mediokriteti i tij intelektual. E megjithatë asnjë nga këto nuk i duhej për t'u kthyer në atë që ishte, në patologjik politik, në tutor të popullit, në diktatorin më të egër të rajonit e ndoshta më gjerë. Të vetmen armë të domosdoshme për të realizuar figurën e tij ai e zotëronte mjeshtërisht: aftësinë propaganduese. Ishte mjeshtër i niveleve emblematike të mashtrimit, të pikturimit verbal të një realiteti inekzistent. Prova më interesante në këtë aspekt janë shkrimet e tij mbi jetën studentore ne Francë. Ai tregon për pjesëmarrje të tij në mbledhje inekzistente, madje sajon edhe fjalimet, qendrimet apo mënyrën se si kishte reaguar në të tilla aktivitete studentore. Të thuash broçkulla është diçka e zakontë, sindromë e një pjese të konsiderueshme të jetës politike dhe sociale, por t'i besosh broçkullat që thua, është mjeshtëri më vete. Dhe ai i besonte. I besonte ashtu si sot ka pretendentë të rëndësishëm te skenës politike shqiptare që besojnë në mënyrë inerte idiotësitë e fjalimeve të mashtrimit. Propaganda e Hoxhës dhe padituria mendore e reflektuar në fjalimet mediokre që mbante, tërhoqi masën e popullit, u mirëprit dhe jo çuditërisht zgjoi shpresë, thithi besim dhe gjeti një shtrat të ngrohtë tek të pashpresët, te të paditurit, te ata që nuk reshtën së kërkuari dritën në portretin e përdhosur të një individi të dështuar deri në ato momente glorioze. Ajo që më së shumti zgjon interesin analitik nuk është arsyeja e triumfit diktatorial, aspekt i cili ka qenë subjekt i analizave politike dhe historike, aq sa është kurioziteti mbi lidhjen dhe marrëdhënien e shqiptarëve me ideologjinë komuniste dhe me çdo parim individual që ajo përfaqson. E tillë marrëdhënie nuk do të mund të transkriptohej më pastër se sa përmes një vëzhgimi pas në kohë, një vëzhgimi që merr spunto nga e tashmja për të përkthyer kauza të së shkuarës. Lidhja e shqiptarit me komunizmin është në një farë sensi e ndryshme nga marrëdhënia universale e popullit me ideologjinë komuniste, për arsyen e thjeshtë se në një popullsi të reduktuar, uniteti është një objektiv më lehtësisht i arritshëm krahasuar me shtete që kanë një eksponent të konsiderueshëm demografik. Kjo nënkupton se një numër i vogel demografik lehtëson forcimin e pushtetit dhe rrit dukshëm shkallën e besueshmërisë së zgjedhësve ndaj të pushtetshmit. Pasojë direkte e këtij aspekti është karakteri ekstremisht konformist i shoqërisë shqiptare i nxitur më së shumti nga homogjenizmi që karakterizon shtetet e vogla si në sipërfaqje ashtu edhe në popullsi. Triumfi i diktaturave fle pikërisht tek indikatori i konformizmit social, tek zbehja e sensit të kundërshtimit dhe tek presioni i papërballueshëm mbi individin që beson, mendon dhe vepron ndryshe. Konformizmi i lartë shkon në paralelizëm të plotë me sensin e dobët të kubdërshtimit, të reagimit dhe te manifestimit protestues. Dy aspekteve të sipërpërmendura u shtohet një i tretë, ai që shoqëritë perëndimore e kane eleminuar me kohë nga axhenda e përditshmëirsë së tyre sociale dhe politike, sensi i lartë i gjykimit. Gjykim i pakursyer, radikal dhe përherë unanim ndaj anti-konformistit. Kombinimi natyror i këtyre aspekteve lehtësoi tmerrësisht shume radikalizimin e komunizmit dhe aftësinë e tij për të zaptuar me një siguri të pakërcenueshme çdo cep të territorit zyrtar te shtetit shqiptar. Pra, karakteristika e parë e marrëdhënies së shqiptarëve me këtë filozofi të mykur politike ishte dashuria thuajse unanime ndaj parimeve denigruese që përfaqsonte. Të kundërshtoje dështakët që ngrinin lart parimet sovjetike, ishte paralelisht tradhëti ndaj kombit mëmë, por nësëe një idiotësi e tillë ekzistonte kudo ku kishte mbirë fara e komunizmit, ne Shqipëri gjykimi ishte më kolektiv sepse vetë kolektiviteti ishte më i reduktuar në numër e per pasojë, “tradhtari” behej me famoz, gjykimi ndaj tij merrte një formë të theksuar unanimiteti dhe mbështetja ndaj partisë më e hekurt e me baza më të palekundshme. Njohjet reciproke lehtësonin zgjerimin dhe radikalizimin e besimit ndaj partisë. Indiferenca ishte luks, ndërsa kundërshtimi krim politik. Në gjykimin tim personal, si indiferenca ashtu edhe kundërshtimi përpara se të ishin viktima të ekzekutuara të gjyqit politik, ishin të burgosur të përjetshëm të gjyqit shoqëror, ishin subjekte të përçmuara të një gjykimi të pa sens. Motorri që vinte ne funksion këtë rreth vicioz me dy protagonistë, partinë dhe shoqërinë, nuk ndryshonte nga motorri ne fuqi në shtetet e tjera: frika dhe terrori i skajshëm. Megjithatë edhe ne këtë aspekt ka një tjetër element që shpjegon jetëgjatësinë e filozofisë komuniste ne Shqipëri. Te ne, sensi i reagimit ishte dhe është në një fazë krejtësisht infantile. Ky fakt forconte frikën, e bënte atë më terrorizuese, e trefishonte legjitimitetin e krimeve politike duke e kthyer krimin komunist ne nevojë politike dhe në funksion të vendit. Rënia e komunizmit, ka qenë me pak fjalë, fundi i një beteje të gjatë të terrorit me forcën reaguese dhe do të thoja se ajo që e dallon fundin e komunizmit në Shqipëri me fundin e komunizmit në të tjera vende lindore është fakti se ne këtë vend, komunizmi nuk ra sepse forca reaguese e shoqrisë triumfoi heroikisht mbi frikën, por sepse mekanizmi i dështuar dhe antinjerëzor komunist u konsumua si një trup kanceroz që fillon te brejë kockën e vet. Përpos asaj c'ka ishte, marrëdhënia Shqipëri-komunizëm merr një profil më kuriozues kur studiohet jo më në drejtimin e tashme - e shkuar, por e tashme - e tashme. Këtu, arsyetimi i nxitur nga dinamikat politike mbi njëzete e pesë vjeçare, shpërfaq një profil të miksuar të raportit dashuri nën dritën e urrejtjes. Urrejtje për atë ç'ka ishte dhe dashuri për atë ç'ka e kundërta e tij nuk solli. është një dashuri e ngritur mbi imazhe të përgjakura, mbi mëkate të pashlyera ende, mbi çrrenjosje të dinjitetit njerëzor, mbi humbjet e thella shpirtërore, morale dhe intelektuale. E përpos gjithçkaje, kujtimi i tij reflektohet më së shumti te mungesa e një të djathte denjësisht të djathtë, tek triumfi i dëshpëruar i një të majte që propagandon luftën ndaj mirëqënies, tek fakti se shqiptarët ende besojnë fuqishëm tek e ashtuquajtura politikisht: votë e përkatësisë, të votosh në mënyrën më inerte të mundshme, bazuar në atë që yt gjysh e yt atë kanë votuar. Kjo sindromë përkthehet në mungesë sinkronizimi me realitetin, në refuzim të së tashmes dhe në mosnjohje të dinamikave botërore. Pakënaqsia e theksuar ndaj aktualitetit politik, bën që herë pas here, publikisht ose privatisht, në nivel lokal ose qëndror të dëgjohen pasthirrma përkujtimore të kohës më të errët të historise së Shqipërisë. Ky është motivi, pse flas për një dhimbje që shijon, sepse mungesa e reagimit dhe dorëzimi ndaj realitetit zgjon herë pas here deshirën e dhimbshme për t'u kthyer pas në kohë, jo tërësisht, por tek ato aspekte që disa i konsiderojnë më pozitive se sot. Dhe kjo është shenja klasike e një shoqërie në kufijtë e radikales, ku sensi demokratik është i mposhtur nga primitivizmi revolucionar, ku gjithsesi, te paktën në nivel teorik, besohet ende se ndryshimet vijnë vetëm me metodat e hershme të përmbysjes, të plaçkitjes, të aktit revolucionar. Kjo është sindroma klasike e një vendi të klasifikuar nga statistikat botërore të shkencave politike si “semi-demokratik.” Një pozicionim i tillë përkthehet si vend në tranzicion të vazhdueshëm demokartik, ose më thjesht, vend i cili ka një pasion të adhurueshëm për pozitivizmin qe sjell demokracia dhe vizionet e saj, por ende i dhimbset rehatia dhe skamja e pasur e epokës së hershme komuniste. Semi-demokraci, do te thote një vend ku beteja vazhdon, ku palët janë ende në ringun e përleshjes, por pa e nadrë mirë mendjen se për cilin krah iu rreh zemra fort. Ka aspekte të së shkuarës që i urrejnë thellësisht, por ka aspekte të së tashmes që nuk knë aftësinë t'i përballojnë dot. Ka kujtime të së shkuarës që u ngjallin lotët e vuajtjes, por ka padrejtësi të së tashmes që u provokojnë lotë. E pra, kjo është semidemokracia, një derë gjysmë e hapur ndaj perëndimit, një flirtim i dyfishtë, një tradhëti e pakonkretizuar, por gjithsesi e pamoralshme, e lodhshme. Aty ku mikpritja ndaj demokracisë nuk është e konkretizuar, risku për të mos u shkëputur nga praktikat dhe zakonet e së shkuarës është më i lartë. Kjo do të thotë se ndonjëherë, nostalgjia për të djeshmen është rrjedhojë e pavullnetshme e mungesës së orientimit drejt të nesërmes. Nëse do ta reduktoja opinionin tim rreth raportit të shqiptarëve me komunizmin në një fjali të vetme, do ta cilësoja ne gjuhën letrare si marrëdhënie komplekse e ngritur mbi urrejtjen dhe nostalgjinë paradoksale. Urrejtje për atë ç'ka solli, për vrasjen multidimensionale të trupit, shpirtit dhe mendjes, për anti-shqiptarizmin, për ligësinë universale që ajo praktikë politike aplikonte. Frikë ndaj urrejtjes për qenine njerëzore që ai sistem ushqente. E ky burim mllefi që zorr se fshihet nga kujtesa si e viktimave ashtu edhe e të privilegjuarëve, balancohet pjesërisht nga një nostalgji e heshtur e një pjese jo të papërfillshme të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit. Tendencialisht kjo pjesë e popullsisë përfshin moshat e treta dhe deri diku ato të mesme, të cilat e kanë të vështirë përshatjen me dinamikat e lirisë në çdo kuptim të fjalës. Përpos ketij aspekti, ka një tjetër faktor, që në bindjen time provokon mall të heshtur për të djeshmen politike, paaftësia për të përballuar denjësisht egërsinë e nje realiteti që pretendon meritokraci. Në momentin kur liria, aftësia, inteligjenca, pasuria, ambicia dhe vizioni perceptohen si kërcënuese për më të dobëtin, ky i fundit instiktivisht kthehet në predikues te kujtimit të politikave të shkuara, që të paktën teorikisht propagandonin barazi dhe përkrahje për të varfrin, të shqtypurin, të paaftin. Faktori që e zbut frikën e rikthimit pas në kohë është ajo pjesë e popullsisë e perbërë nga shtresa e mesme dhe ajo në moshë të re, të cilët ose janë dëshmitarë të kontrastit ekstrem mes dy periudhave politike para dhe pas '90, ose nuk e kanë njohur kurrë errësirën makabre të epokës së lidershipit komunist. Këta të fundit, janë pretendëntët kryesorë për të ndihmuar në përforcimin dhe suksesin e demokracisë, si sistemi më pozitiv politiko-social në rang global të paktën aktualisht. Një paradoks në vetvete i shoqërisë sonë, është përplasja pënguese mes dëshirës frikës. Dëshirë e palimituar për atë që liria premton, adhurim deri në ekstazë për inekzistencën e kufijve shoqërorë, socialë, intelektualë. Etje e pangopur për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e hedhura në tablonë e aktualitetit. Antagonisti i kësaj liste ndjenjash është një dhe unik në llojin e tij, paaftësia për të menaxhuar dhe përballuar denjësisht egërsinë e një sistemi socio-politik të ngritur rrënjësisht mbi bazat e meritokracisë, paaftësia për t'u pajtuar me një praktikë të thjeshtë, që në sistemin elektoral amerikan quhet “the winner takes all”, ose “fituesi i merr të gjitha”. E aplikuar kjo metodë në aktualitetin e gjerë të përditshmërisë sociale dhe politike, do të thotë se nuk ka mjaftueshëm vend për atë që nuk ka gjetur të paktën një drejtim triumfi në tërësinë e gjerë të fushave të jetës. Një radikalizëm i tillë i botës perëndimore, ku meritokracia hap dhe mbyll dyert e suksesit nuk është i lehte për t'u pranuar nga kushdo. Logjikisht, ata të cilët e konsiderojnë ekstremizëm të djathtë të tillë arsyetim, tentojnë të propagandojnë politikat e majta, derisa padashur përfundojnë në ekstremin tjetër politik. Kështu gjykimi negativ kundrejt të sotmes fshin negativitetet e së shkuarës dhe ngacmon në kujtesë një lloj nostalgjie për atë çka ajo kohë politike kishte pozitive (sigurisht nëse hipotetikisht pranoj se gjeje ndonjë pozitivitet). Ajo që mbart vlera në fund të këtij diskursi subjektiv mbi raportin tonë me të shkuarën politike, është fakti se përpos dilemave sporadike, e nesërmja ngrihet mbi dashurinë e paçmuar për lirinë, prosperitetin, barazinë mes individëve, mbi meritokracinë intelektuale e profesionale. Përpos zhgenjimeve të pareshtura të një realiteti që në shumicën e rasteve ngrihet mbi premtimet provizore, investimi mbi veten, mbi fëmijën dhe mbi familjen, e shtyn çdo individ drejt gërrmimit të pareshtur të mundësive. Virtyt i rëndësishëm është fakti se liria, është pranuar si kusht i panegociueshëm. është pranuar në tërësinë e dimensioneve të saj, si supremaci absolute që zëvendëson sensin biologjik të oksigjenit. Të tjera vende, simotra të Shqipërisë përsa i përket dimensionit të politikës komuniste, kanë treguar se divorci me të shkuarën është dëshpërimisht i dëshiruar, ashtu sikurse kanë vërtetuar se i përqafojnë parimet e demokracisë perëndimore si “kushtetutë” e pazëvendësueshme e lirive dhe prioriteteve të individit. Megjithatë vendosmëria e aspiratave demokratike e humbet herë pas here imunitetin e saj nga sinjale politike që kthejnë pas në kohë, nga akte ilegjitime që bien ndesh me atë çka demokracia në vetvete përfaqson. Se sa këto sinjale ia dalin ta devijojnë progresin drejt vlerave të perëndimit, kjo mbetet relative ne shtete te ndryshme dhe varet plotësisht nga forca e rrenjëve të sistemit demokratik. Demokracitë e brishta ose semi-demokracitë, janë shembuj evidentë të luhatjeve politike që sinjalizojnë devijime dhe regres flagrant. Të tilla evente politike janë ato që ushqejnë skepticizëm, frikë dhe dëshirrë për të rendur vetë, individualisht dhe privatisht drejt vendeve ku demokracia dhe virtytet e saj janë ngritur mbi themele të hekurta. Ky është profili që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare ka zgjedhur në tri dekadat e fudit.
Nje Personazh I Shumefishte, Nje Personalittet Plot Maska, Nje Nga Figurat Me Komplekse Dhe Me Moderne Te Historise... Dhe Te Mendosh Se Nuk Ka Jetuar Por Ka Ekzistuar Te Secili Prej Nesh.