Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 4

Prof. Dr.

Shyqyri Hysi

Qëndimi i gazetës DRITA të Gjirokastrës për zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri mars-prill
1921. Botohet në DITA me rastin e 100 vjetorit

Zgjdhjet e para pluraliste parlamentare në Shqipëri janë zhvilluar gjatë periudhës mars – prill të
vitit 1921. Ato filluan në 5 mars dhe Këshilli Kombëtar (Parlamenti) me 78 deputetë u mblodh
më 21 prill 1921.

Këto zgjedhje u zhvilluan me “votim të tërthortë” sikurse përcaktonin nenet 2 dhe 23 të ligjit mbi
zgjedhjet. Ato përfunduan me zgjedhjen e Mustafa Krujës dhe Rexhep Mitrovicës si deputetë të
Bunës. Në gazetën “Drita” të asaj kohe shkruhej: “Zgjedhjet e Deputetëve të Bunës muarën funt
me z. Mustafa Kruja dhe z.Rexhep Mitrovica. Të sipërpërmendurtit, tok me ata të Shkodrës
arrijnë në Tiranë më 13.6.1921”.

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare ishte domosdoshmëri sepse: Në ato moment Shqipëria kishte
nevojë për demokratizimin e jetës së vendit në rrafshin politik, legjislativ, ekonomik dhe
shoqëror. Këshilli Kombëtar i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes duhet t’ia linte vendin një
organi legjislativ.(parlamentit). Ky parlament duhej të zgjidhej nga populli nëpërmjet votës së
lirë e demokratike. Shqipëria kishte nevojë për institucione legjitime. Në zgjedhje duhet të
përfshiheshin të gjitha shtresat shoqërore, e gjithë hapësira politike e shtetit shqiptar në kufijtë e
1913-s.

Zgjedhjet do t’i jepnin legjitimitet organeve legjislative, ekzekutive dhe gjykatave. Ato do të
shuanin edhe disa divergjenca që lindën midis krerëve të kohës. Në realitetin e ri të frymës
kombëtare që mbizotëronte në vend, zgjedhjet do t’u jepnin mundësi shtresave dhe individëve të
provonin reputacionin e tyre drejtpërdrejt në popull.

Shqipërisë i mungonte një kushtetutë e plotë. Rolin e kushtetutës e luante Statuti i Kongresit të
Lushnjes 1920. Gazeta “Drita” shkruante: “Me qënë se Shteti Shqiptar nuk ka një kushtetutë të
tij, është i shtrënguar të sbatojë (zbatojë) pikërisht LIGJIN OTOMAN që ka në veprime sipër me
gjithë që nga ndonjëherë nuk është i dobishëm në administratën e vendit. Për këtë gjë populli
kërkon të merren masa duke thirrur për një Asamble – Kostituente që të vendoset prej
shqiptarëve një Kano për shqiptarët, sipas kohës së sotme dhe siç e do përparimi i botës së
qytetruar”.

Më tej gazeta shkruante: “Kushtetua Turke nuk durohet më në kuris të shqiptarit… Të mblidhet
sa më shpejt Asambleja Kostituente”. Për këtë problem ishte shprehur edhe Kongresi i Lushnjes,
sipas të cilit: “Këshilli Kombëtar do t’i linte vendin Asambles Kushtetuese”.

Pothuajse të gjitha gazetat që botoheshin në atë periudhë në Shqipëri u përfshinë në atë fushatë
elektorale. Midis gazetave përmendim: ”Drita”, “Koha”, “Shkumbini”, “Gazeta e Korçës”,
“Taraboshi”, “Dielli”, “Omonia”, “Fjala e Lirë”, “Besa Shqiptare” etj.
Qeveria, më 14 nëntor 1920 kishte deklaruar ligjin e zgjedhjeve për “Asamble Kushtetuese”.
Kundër tij u ngritën: “Disa anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputet, ish ministra të Qeverisë së
Durrësit, disa element filoitalian dhe element turbullues që dëshironin zgjjatjen e krizës
shqiptare, si dhe disa figura të kohës që kërkonin të përfitonin nga zgjedhjet”, – shkruan Drita.

E ndodhur nën presion Qeveria e Sulejman Delvinës dha dorëheqje. Qeveria Vrioni që pasoi u
zotua se “…do të hartonte një projekt ligj për zgjedhje, jo për Asamble Kushtetuese”. Ky
projektligj, u miratua nga Këshilli i Lartë më 14 dhjetor 1920, sepse Këshilli Kombëtar ishte
vetshpërndarë. Por, edhe këtë herë dolën në skenë probleme të tjera. Presioni i jashtëm dhe i
brendshëm bënë që ligji i zgjedhjeve të kishte një shtesë. Qeveria Vrioni dhe Këshilli i Lartë
“lejuan komunitetet fetare të dilnin me lista të veçanta deputetësh”.

Më në fund, zgjedhjet u zhvilluan me dy shkallë. Për çdo 500 votues, një zgjedhës. Për çdo 12
000 banorë, një deputet. Që të merrje pjesë në zgjedhje duhej të ishe shtetas shqiptar prej gjashtë
muajsh dhe të kishe mbushur moshën 20 vjeçare. Ndërsa zgjedhësit e dytë duhet të ishin në
moshën 25 vjeçare. Sipas nenit 25 të Ligjit të Zgjedhjeve, e drejta e votës u mohohej ushtarakëve
dhe grave.

Më 3 janar 1921 “Drita” përcolli opinionin e saj mbi ligjin e zgjedhjeve. Ajo shkruante: “Ligji i
zgjedhjeve na erdhi, por mjerisht nuk na kënaqi aspak. E para se qeveria nuk po çan kryet për
asamble. Dhe e dyta se ligji është fare primitiv, e kështu jemi sigur se edhe Parlamenti i ri do
përbëhet prej sulltanëve si dhe të parëve, me ndryshimin që sallat e para ishin me domate të
papjekura, dhe e dyta do të jetë me lakëra, d-m-th hiq sallatë, vër sallatë. Natyrisht ç’mund të
pres njeriu prej një deputeti prej nga i cili qeveria s’kërkon asnjë kalitet (kualitet), përveç se të
dij të vërë firmën në procesverbalet e mbledhjeve”.

Megjithëse klasa politike shqiptare ishte e grupuar sipas shtresave dhe interesave të kohës, në
këto zgjedhje nuk u regjistruan parti të mirëfillta politike. Duhet të theksojmë se nuk kishte parti
politike, por rrymat dhe grupimet politike ishin presente.

Në 10 tetor 1920 rreth Fan Nolit ishte formuar “Partia Popullore” dhe më 21 nëntor 1920 rreth
Mehdi Frashërit (në vitin 1922 kryesonte Hoxhë Kadriu) ishte formuar “Partia
Përparimtare”. Duke përfituar nga shtesa e ligjit për zgjedhjet (janar 1921), elementi ortodoks i
prefektures së Gjirokastrës u organizua në një grup politik me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhje.
Iniciator ishte Petro Harito, “i cili u përpoq me xhan hak”, sikurse shkruante gazeta “Drita”.

Në këto zgjedhje morën pjesë edhe individë të veçantë. Kështu psh. Sulejman Luzati deklaroi se
nuk ishte pjesë e ndonjë grupi që konkuronin në zgjedhje. Në telegramin dërguar gazetës “Drita”,
3 mars 1921 ai deklaronte: “Unë s’jam i bashkuar me no një grup. Jam i pa anëshëm”.

Në faqet e “Dritës” shpalosën programet, idetë dhe mendimet për zgjedhjet disa kandidat për
deputetë, ndër të cilët edhe Bahri Omari me shkrimin: “Disa përflitje për kandidaturat dhe për
zgjedhësit”. Bahriu, pasi shpjegon se ç’është kostitucionalizmi dhe se ç’janë programet e
deputetëve dhe të partive thekson: “Jam një anëtar i nxeht i një mbledhje kostitucionale… Sot
për sot jam partisan mbretërie kostitucionale, se Shqipëria s’munt të hedh çapa më të gjera nga
shoqet e saja ballkanike”.
Gazeta “Drita” kishte drejtor dhe botues në atë kohë Veli Hashorvën, që drejtonte organizatën
atdhetaro-kulturore “Opinga” dhe mbështeste nacionalistët. Në nr. 26 të saj “Drita” konfirmon
se: “Mësojmë gjysëm zyrtarisht se kanditatët e parlamentit në Gjirokastër janë Myfyt Bej
Libohova, Ali Koka, Ali Bej Këlsyra, S.Abazi, Petro Poga, Vasil Dilo dhe Bahri Omari”.

Duke botuar një deklaratë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare ajo shkruante: “Deputet e rinjë duhet
të jenë simboli i patriotizmit të vërtet jo si z. Myfyt, i cili në Vlorë thosh i mbështetur në
bajonetat e huaja guximisht se nderi i tij është më i math se nderi i gjithë Shqipërisë, që Kongresi
i Lushnjes është një kongres rrebelësh,.e shumë e shumë të tjera. Pra përkrahja e njerëzve si ai
dhe e shokëve si aji është tradhëti për të gjithë ju dhe Prefekturën e Gjirokastrës e për
Shqipërinë”.

Në zgjedhjet e 1921 Myfyt Beu krijoi një grup me mbështetësit e tij, të cilët ishin: Fejzi Bej
Alizoti, Mehmet Konica, Zenel Gjon Leka, Ali Koka, Kasneci, Kiço Koçi, Petro Poga dhe Kiço
Konomi. Ndërsa emrin e gjashtë të grupit, gazeta s’e kishte mësuar ende. Zenel Gjin Leka dha
dorëheqje dhe në vend të tij u zgjodh Ismail Effendi Ninati.

Zgjedhjet përfunduan ditën e shtunë më 26 mars 1921. Këtë ditë “Drita” e konsideron të shenjtë.
Gazeta me anë të shkrimit: “Përfundimi i zgjedhjeve”, theksonte: “Pas katër muaj përpjekjesh
muari fund seleksioni i deputetëve të Gjirokastrës me mundjen’ e z. Myfyt Libohova dhe me
fitimin e grupit popullor”.

Gazeta në nr. 29 të saj nëpërmjet shkrimit “Jo fjalë te arat, po të vërteta” shkruan: “Kështu pra
nisi Drita të godisi Myfyt Ben në artikujt e saj 25-26 dhe nuk është çudi që për së afërmi të
përsëritë ato që janë thënë shumë hërë se ky grabiti gjithë metallet e Shqipërisë, i shiti Italisë
Vlorën, tradhëtoi interesat e Shqipërisë me marrëveshjen e Romës, fillo-Italian i shquar,
kundërshtar i mbledhjes së Lushnjes etj”. Po aty ajo sillte në kujtesën e lexuesëve se: “Vetëm
Myfyt Beu ishte ay që e quan Çerçiz Topullin hajdut, dhe Avni Rustemin katil”.

Zgjedhjet e viti 1921 në Prefekturën e Gjirokastrës u mundua t’i manipulonte edhe propaganda
greke. Gazeta “Nea Imera” e datës 28 janar 1921 kishte deklaruar se: “Koferenca e Paqes kishte
ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipërinë e Jugut”. Për përgênjeshtirimin e këtij lajmi,
qeveria shqiptare autorizoi Prefekturën e Gjirokastrës, e cila nxori një qarkore të posaçme për
këtë problem. Gazeta “Drita” botoi një shkrim me titullin: “Qarkore e Prefekturës së
Gjirokastrës, 4 shkurt 1921”.

Më 17 shkurt korrespondenti i “Dritës” nga Përmeti shkruante: “Sgjedhjet muar funt. Esheref
Frashëri, Peci, Pandeli Çali, Sejfi Vllamasi, Loni Kristo, Sejfi Vllamasi, Banush Hamiti, Tefik
Panariti, , Pandeli Vangjeli, Tefik Mbroja Kristo Qirka”. Në nr. 37 të saj “Drita” shkruan:
“Delvina, Libohova dhe Tepelena fillojnë zgjedhjet. Kazat’ e tjera mbaruan. Kudo triumfojnë
kundërshtarët e Myfyt Beut”.

Faza e parë e zgjedhjeve mbaroi. Pyetjes kush duhet të fitojë zgjedhjet gazeta i përgjigjet se “…
këtë duhet ta zgjidhin zgjedhësit e dytë”. Zgjedhjet e dyta përfunduan më 26 mars 1921 me
fitoren e Grupit Popullor. “Drita” shkruan: “Votat që fituan të dy grupet përmblidhen kështu. D.
Kacimbra 157, Leonidha Frashëri 152, Metat Frashëri 151, Sulejman Delvina 154, Koço Tasi
148, Ali Këlsura 137, M. Maksuti (Mustafa SH. H) 137, Bahri Omari 132, Stavro Vinjau 139,
Petro Harito 131, Agathi Xhitomi 120, Vasil Dilo 98, Myfit Libohova 67, Ali Koka 41, Fejzi
Alizoti 40, Ismail Ninati 34, Jani Dilo 60, Kasneci 48, Kiço Koçi 47, K. Konomi 32, Mehmet
Konica 39, Petro Poga 56, Vasil Rusi 36. Njëmbëdhjet të parët u zgjodhën për deputet, t’tjerët
humbnë. Indipedentët muarën nga pak vota ”.

Mirëpo një javë pasi kishin dalë rezultatet zyrtare, gazeta i pasqyron ato me disa ndryshime, si
vijon: “U informuam zyrtarisht se shuma e votive që muarën deputetët nga Gjirokastra
përmblidhet kështu: Koço Tasi 163, D. Kacimba 157, Sulejman Delvina 154, Leonidha Frashëri
152, Mitat Frashëri 151, S. Vinjau 139, M. Maksuti 137, Ali Klisura 137, Bahri Omari 132, Petro
Harito 131, Agathi Xhitomi 120”.

Gjirokastra i përcolli bijtë e saj për në parlamentin e parë pluralist me një ceremoni festive
spontane. Spontane, sepse Javer Hrushidi që ishte Kryetari i Bashkisë nuk pranoi ta organizojë
atë. Indiferenca buronte nga fakti që nuk fitoi Mufyt Beu. Sikurse shkruan gazeta: “Mjerisht
Javer Beu nuk ishte… Kryekatundari nuk kishte për t’ardh, as që i pëlqeu të vinte. U kuptua, se
Ai po vajtonte fatin’ e zi të efendiut të tij, mbate zin’ e mundjes së Myfytit”.

Gazeta “Drita” pasqyron pjesëmarrjen masive të qytetarëve të Gjirokastrës në atë ceremoni.


Populli i përcolli deputetët e tij: Petro Harito, Lonidha Frashëri, Bahri Omari, dhe Agathi
Xhitomin deri poshtë ku prisnin deputetët e Delvinës dhe Tepelenës. Atje u organizua një miting
spontan me popullin, nxënsit e shkollave, ushtrinë dhe deputetët e zgjedhur. Atje “foli Bahri
Omari, Veli Harshova dhe majori Ismail Haki Kuçi”.

Parlamenti i ri bëri të mundur që Statuti i Lushnjes të zgjerohej në vitin 1922 me amendamente


dhe u konsiderua një kushtetut e mirfilltë. Këto amendamente bënë të mundur, që Këshilli
Kombëtar të sanksionohej si parlament fuqiplotë. Legjislatura e Këshillit Kombëtar(parlamentit
1922) të dal nga zgjedhjet e mars – prillit 1921 zgjati deri më 30 shtator 1923. Punimet e tij u
mbyllën dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja parlamentare në dhjetor 1923.

Po e mbyllim këtë shkrim me sentencën e Veli Harshovës: “Koha ikën, dhe duke shkuar
ndryshon, ribën dhe shkel ç’do gjë me çapin e saj të pa-vdekshëm”.

You might also like