Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 1

Shko në...

Historia e profetit Isa a.s


Ndërkohë që dy profetët Zekeria dhe Jahja a.s
u vranë, jetonte një profet i tretë, i cili sapo
ishte dërguar si i tillë, profeti Isa a.s. Kur u
vranë Jahja dhe Zekeria a.s, profeti Isa a.s sapo
i kishte kaluar të tridhjetat.
Ai njihet ndryshe dhe me emrin Mesi. Këtë ai
e mori për shkak të udhëtimeve të shumta. Ai
nuk kishte shtëpi dhe vend të tijin. Gjithashtu,
thuhet se u quajt Mesi, për shkak se kur lindi,
nëna e tij e leu me vaj.

Lidhur me lindjen e tij, thotë Zoti në Kuran:


“Dhe trego (o Muhamed) në Libër për
Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në
një vend në lindje, duke e fshehur veten nga
ata. – ajo jetonte në lindje të Jeruzalemit, larg
syve të njerëzve. Ajo nuk lejonte askënd ta
vizitojë dhe nuk vizitonte askënd. Të afërmit
ia dërgonin ushqimin pranë derës dhe ajo e
merrte më pas, ashtu siç merrte furnizim edhe
nga vetë Zoti. Vetëm Zekeria a.s kishte të
drejtë ta vizitojë. Në moshën pesëmbëdhjetë
vjeçare, asaj i shfaqet Xhibrili a.s në dhomën
ku ishte izoluar dhe adhuronte Zotin – Ne i
dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si
një njeri i plotë. – ishte një njeri i hijshëm dhe
pa asnjë të metë – Ajo i tha:“Unë kërkoj që të
më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i
frikësohesh Allahut. – nëse beson dhe i
frikësohesh Zotit, mos më prek me dorë – Ai
tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i
dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë
të pastër.”Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë,
kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk
jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është!
Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë.
Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe
mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e
kryer.” (Merjem, 16-21)

Sipas transmetimeve të sakta, Xhibrili a.s i


fryu Merjemes tek e çara e jakës nga pjesa e
kraharorit, frymë e cila i depërtoi brenda dhe
në çast ajo mbeti shtatzanë.
“Ajo mbeti me barrë.” (Merjem, 22)
Merjemja a.s vazhdoi e mbyllur në faltoren e
saj, larg syve të njerëzve, derisa filloi të ndjejë
se ka ardhur koha të lindë. Atëherë ajo doli
nga faltorja dhe eci një distancë të
konsiderueshme, derisa mbërriti në Betlehem.
“..u tërhoq me të në një vend të largët.”
(Merjem, 22)
Pak para se të mbërrijë në Betlehem, asaj i
fillojnë dhimbjen e lindjes. Ajo qëndron dhe
mbështetet tek një trung i tharë palme aty
pranë. Thotë Zoti në Kuran duke përshkruar
këtë moment:”Dhembjet e lindjes e detyruan
atë që të shkonte te trungu i një palme.” –
Merjemeje a.s ishte shumë e frikësuar për këtë
që po i ndodhte. Vallë si do të kthehej tek
njerëzit e saj me një fëmijë?! çfarë do të thonin
njerëzit kur ta shihnin? Fjalët e mëposhtme,
tregojnë më qartë frikën e saj nga skandali që
mund t’i ndodhte – Ajo tha: “Ah, sikur të
kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha
harruar krejt!” (Merjem, 23)

Në një moment, ajo dëgjon një zë që e thërret


nga poshtë. Disa mendojnë se ai zë ishte i
djalit të saj të porsalindur Isait a.s. Kurse disa
të tjerë mendojnë se ishte zëri i Xhibrilit a.s i
cili buronte nga nëntoka.
“Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se
Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!”
(Merjem, 24)
Me të hedhur shikimin poshtë, ajo dalloi një
burim uji. Edhe kjo ishte një mrekulli që Zoti
ia jepte për ta qetësuar. Një mrekulli tjetër në
ato çaste ishte dhe vetë trungu i palmës, i cili
siç thamë ishte i tharë, pa gjethe dhe fruta.
“Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty
hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. ”
(Merjem, 25-26)
Me ta shkundur trungun e palmës, menjëherë
filluan të bien hurma (arabie) të freskëta. Këto
mrekulli e qetësuan Merjemen a.s, pasi u
sigurua se gjithçka që po i ndodhte ishte sipas
një plani hyjnor. Zëri e urdhëroi që të mos
flasë kur të kthehet tek njerëzit e saj, por me
shenja t’ju tregojë se agjëron.
“Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj:“Unë jam
betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të
agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.”
(Merjem, 26)
Pasi u çlodh dhe u qetësua, ajo u kthye tek
njerëzit e saj me foshnjen në krahë.
“Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur
fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë
diçka të turpshme! O motra e Harunit!”
(Merjem, 27-28)

Thuhet që Merjemeja a.s kishte një vëlla me


emrin Harun, për këtë ata e thirrën si motra e
Harunit. Kjo ceket dhe në një hadith të saktë,
kur profeti Muhamed a.s dërgon një nga
shokët e tij tek të krishterët e Nexhranit. Ndër
të tjera, ai u lexoi edhe ajetet e lartpërmendura.
Kur të krishterët i dëgjuan, i thanë:”Si thonë se
Merjemeja ka qenë motra e Harunit, ndërkohë
që Haruni ka jetuar në kohën e Musait?!”
Sahabi kur u kthye tek Profeti a.s, ia përcolli
këtë pyetje. Ai u përgjigj:”Po a nuk e dinin se
njerëzit e asaj kohe u vinin fëmijëve emrat e
profetëve të mëparshëm?!” Pra, Haruni nuk
ishte profeti, vëllai i Musait a.s.

Një mendim tjetër lidhur me këtë, është se


ashtu si Haruni a.s shquhej për adhurimin e
shumtë, edhe Merjemeja a.s shquhej për diçka
të tillë. Prej këtu, njerëzit e quanin motra e
Harunit a.s.
“Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote
nuk ka qenë grua e shthurur.” (Merjem, 28)
Si është e mundur që ti vajza e dy prindërve të
ndershëm, të bësh një vepër të tillë?!
Merjemeja a.s nuk u ktheu përgjigje, por u
bënte me shenjë drejt djalit që mbante në
krahë.
“Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si
t’i flasim ne fëmijës që është në djep?”
(Merjem, 29)

Njerëzit i kuptuan shenjat e saj, por nuk


kuptonin si mund të flasin me një foshnje të
porsalindur. Atëherë ndodh mrekullia tjetër, ku
Isai a.s i porsalindur flet. Të gjithë njerëzit
filluan të dëgjojnë gojëhapur.
“Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut.
Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë
profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të
jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap
zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj
nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe
të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi
mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që
do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!”
(Merjem, 30-33)
Allahu i lartësuar komenton më poshtë lidhur
me këto fjalë:
“Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është
fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe
diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë
dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos
diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo
bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im
dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo
është udha e drejtë”.” (Merjem, 34-36)

E tillë ishte lindja e profetit Isa a.s, i cili ishte


vetëm profet dhe i dërguar i Zotit dhe asgjë më
shumë. Duke u përgjigjur pretendimeve të
krishterëve se Isai a.s ishte bir i Zotit, Zoti
thotë në Kuran:”Pa dyshim, janë jobesimtarë
ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i
Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O
bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti
im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron
tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia
ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë
Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. Pa
dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu
është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot
të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga
ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi
i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm.
Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e
t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe
Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes, është
vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar
të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë.
Që të dy, hanin ushqim. – Kësisoj nuk mund të
jetë zot, pasi Zoti i vërtetë nuk ka nevojë të
ushqehet – Shiko si ua shpjegojmë atyre
shpalljet tona dhe shih si largohen nga e
Vërteta! Thuaju (o Muhamed): “Si mundet
vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që
nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as
dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo
gjë?!” (Maide, 72-76)
“Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket
Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në
pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë
nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke
ngritur lart madhështinë Tij!” (Isra, 111)

Zoti i vërtetë nuk ka nevojë për ndihmës dhe


ortakë. Një ndër suret ku të krishterëve u jepet
përgjigje mbi natyrën e vërtetë të Zotit –
kësisoj hedh poshtë dhe pretendimet e tyre mbi
trininë – është surja Ihlas. Thotë Zoti në këtë
sure:
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet
gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk
është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë
(a i krahasueshëm) me Atë!” (Ihlas, 1-4)

Në një hadith të transmetuar nga imam


Buhariu, transmetohet se i dërguari i Allahut
a.s, citon një thënie të shenjtë të Zotit:”Më
ofendoi biri i Ademit dhe nuk kishte përse ta
bëjë këtë. Ai pretendon se Unë kam fëmijë,
ndërkohë që Unë jam i Vetmi të cilit i
përgjërohet çdo krijesë për ndihmë. Unë as
kam lindur dhe as nuk jam lindur prej kujt dhe
askush nuk është i barabartë me Mua.”
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të
transmetuar nga imam Buhariu:”Askush nuk
është më i durueshëm për një akuzë që ka
dëgjuar, seç është Zoti. Atij i atribojnë fëmijë,
kurse Ai vazhdon t’i furnizojë dhe t’u falë
shëndet.”

Edhe pse foshnja ai porsalindur u foli, ata nuk


e besuan, madje e akuzuan për marrëdhënie
jashtëmartesore. Që atëherë dhe deri ditët e
sotme, hebrenjtë e konsiderojnë Merjemen a.s
si grua të përdalë. Ndërkohë që Isain a.s e
quajtën djalin e një gruaje të përdalë. Thotë
Zoti i lartësuar mbi këtë fakt:
“(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të
tyre (ndaj Isait a.s.), për shkak të shpifjeve të
mëdha që thanë kundër Merjemes.” (Nisa,
156)
Nuk ka asgjë për t’u habitur nëse Zoti krijon
dikë pa baba, ndërkohë që ka krijuar më parë
Ademin a.s pa baba dhe pa nënë. Këtë e
përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:”Rasti i
Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e
krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe
ai u bë.” (Al Imran, 59)
Ekuivalente me këtë shpifje, është pretendimi i
të krishterëve se Isai a.s ishte biri i Zotit.
“Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”.
Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt
gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa
s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar,
ngaqë ata i veshin një bir të
Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon
(madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë
një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në
Tokë e që të mos vijë si rob para të
Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë
gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të
gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e
Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.”
(Merjem, 88-95)
Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën në formën më
të përsosur, mos e ka të pamundur të krijojë
një njeri me nënë dhe pa baba?!
“Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si
mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka
bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është
i Dijshëm për çdo gjë.” (Maide, 101)
“Thuaju (o Muhamed): “Sikur i
Gjithëmëshirshmi të kishte bir, Unë do të isha
i pari që do ta adhuroja atë!” (Zuhruf, 81)
Zoti i lartësuar e mohon kategorikisht
mundësinë e të pasurit fëmijë. Ai deklaron se
sikur Isai a.s të ishte djali i Tij, Ai do të ishte i
pari që do e adhuronte atë.

Isai a.s mes Benu Israilëve

Isai a.s u rrit në Betlehem dhe që i ri shquhej


për dije dhe urtësi. Për herë të parë, ai foli kur
ishte i porsalindur, pastaj do të heshtë. Vetëm
pasi të mbushë moshën e përshtatshme, ai do
të fillojë të flasë sërish.
Me kalimin e viteve, Benu Israilët filluan ta
shohin me dyshim Isain a.s. Shumë prej tyre
filluan të përhapin fjalë se shkatërrimi i Benu
Israilëve do të vijë pikërisht nga duart e këtij
djaloshi.
Nëna e tij, e ndërgjegjshme për marifetet e
popullit të saj, e mbronte siç mbron një nënë
fëmijën e saj. Shpesh herë, ajo e nxirrte jashtë
qytetit për ta mbajtur sa më larg njerëzve. Për
siguri të jetës së birit të saj, ajo e la
Betlehemin dhe u vendos në Jeruzalem, mbi
një kodër ku kishte ujë dhe fruta për ushqim.
Thotë Zoti në Kuran:”Ne e bëmë birin e
Merjemes dhe nënën e tij mrekulli për
njerëzimin dhe i strehuam rrëzë një kodre të
qetë me burime uji.” (Muminun, 50)

Isai a.s profet

Isai a.s nuk u obligua me misionin e


pejgamberit veçse pasi mbushi tridhetë vitet.
Në këtë moshë, Zoti i lartësuar i shpalli
Ungjillin dhe e zgjodhi profet. Atëherë ai filloi
t’i ftojë njerëzit në adhurimin e një Zoti të
vetëm.
“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të
birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që
kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij
Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si
përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në
Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i
frikësohen Allahut.” (Maide, 46)
Të gjithë interpretuesit e Kuranit janë të
mendimit se Isait a.s iu shpall Ungjilli vetëm
pasi kishte mbushur të tridhjetat.
Bashkë me Ungjillin, Isait a.s iu dhanë dhe
disa mrekulli, si fakte se ishte i dërguari i Zotit
tek Benu Israilët.
“dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e
Izraelit” (Al Imran, 49)
Të gjithë profetët, dërgoheshin tek popujt e
tyre. Vetëm profeti Muhamed a.s u dërgua për
mbarë njerëzimin, madje edhe për xhindët. Siç
thamë, Zoti e pajisi me disa mrekulli që
faktonin profecinë e tij. Thotë Zoti në Kuran:
“…dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e
Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë
prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë
time): bëj për ju diçka prej balte në formë
shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo
bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur
dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me
lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë
ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha
këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të
vërtetë.” (Al Imran, 49)

Isai a.s ishte i aftë që një statujë zogu prej


balte t’i jepte jetë me lejen dhe vullnetin e
Zotit. Po ashtu, ai mund t’i kthente shikimin
një personi që kishte lindur i verbër. Ai
shëronte lebrozët me një të prekur, sikur të
mos kishin qenë të sëmurë. Veç këtyre
mrekullive, Isai a.s dinte se çfarë kishte gatuar
secili në shtëpinë e tij dhe çfarë ushqimesh
kishin magazinuar. Mrekullia më e madhe që
posedonte Isai a.s, ishte ngjallja e të vdekurve.
Gjatë jetës së tij, ai ngjalli katër të vdekur.
“Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar
Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj
disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. – Zoti ua
kishte ndaluar disa ushqime Benu Israilëve si
ndëshkim. Tashmë ishte koha që ky ndëshkim
të anullohej -Ju kam sjellë një provë nga Zoti
juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe
bindmuni! Me të vërtetë, Allahu është Zoti im
dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është
rruga e drejtë!” (Al Imran, 50-51)
Megjithë këto mrekulli, Benu Israilët nuk e
besonin si profet dhe të dërguar të Zotit dhe
vazhdonin në kokëfortësinë e tyre. E çfarë
mund të kërkonin më shumë se kaq si provë?!
“Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha:
“Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e
Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne
jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e
besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i)
jemi nënshtruar(Atij).” (Al Imran, 52)
Ishin pikërisht nxënësit dhe shoqëruesit e Isait
a.s ata që i premtuan ndihmë dhe mbështjetje.
“O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut,
ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i
Merjemes: “Kush janë ndihmësit e mi për
çështjen e Allahut?” Dishepujt u përgjigjën:
“Ne jemi ndihmësit e Allahut! Kështu, një
pjesë nga bijtë e Izraelit e besoi, kurse pjesa
tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam
besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata
dolën ngadhënjimtarë.” (Saf, 14)

Numri i nxënësve dhe dishepujve të Isait a.s që


e besuan ndërkohë që gjithë njerëzit e
përgënjeshtruan, ishte dymbëdhjetë. Më vonë,
siç ceket dhe në ajet, Zoti e bëri të triumfojë
fenë e krishterë mbi atë hebraike.
Kurse disa interpretues të Kuranit thonë:”Pas
Isait a.s, njerëzit u ndanë në tre grupe. Një
grup thanë se Mesia ishte vetë Zoti. Një grup
thanë se ai ishte biri i Zotit dhe grupi i tretë
besuan se ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Tek
grupi i tretë hynin monoteistët e krishterë dhe
atyre iu bashkangjit umeti i Muhamed
Mustafasë a.s. Ngadhnjimi që ceket në fund të
ajetit të mësipërm është ngadhnjimi i umetit të
Muhamedit a.s.”
Edhe pse besuan në profecinë e Isait a.s,
dishepujt kishin pasiguri dhe ishin të lëkundur.
“dhe se si kur i urdhërova dishepujt:
“Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!” – ata u
përgjigjën: “Ne besojmë, prandaj dëshmo se
Ty të jemi dorëzuar!” (Maide, 111)
Edhe pse ishin besimtarë dhe e dëshmonin
këtë para Isait a.s, ata vazhdonin të lëkundur,
gjë e cila duket në kërkesën e çuditshme që i
drejtuan Isait a.s. Thotë Zoti në Kuran:
“Kujto kur dishepujt thanë: “O Isa, i biri i
Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një
sofër prej qielli?” Ai tha: “Kini frikë Allahun,
nëse jeni besimtarë të vërtetë!” – A akoma
vazhdoni në mosbesim?! -“Ne dëshirojmë të
hamë nga ajo – thanë ata –, me qëllim që të na
qetësohen zemrat dhe ta dimë se na ke thënë të
vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë”. – Në
një hadith, thuhet se Isai a.s u vesh me rroba
leshi dhe iu përgjërua Zotit që ta zbresë këtë
sofër sipas kërkesës së dishepujve – “O Allah,
o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes –
Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për
ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë
mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je
Dhuruesi më i mirë!”Allahu u përgjigj: “Unë
do t’jua zbres sofrën. Por cilindo nga ju që nuk
beson pas kësaj, do ta dënoj ashtu siç nuk kam
dënuar askënd në botë”. (Maide, 111-116)

Zoti i paralajmëroi, se nëse sofra do të zbriste


nga qielli dhe do kishte njerëz që nuk do të
besonin dhe do të lëkundeshin, – ashtu siç
kishte ngjarë më parë me popullin e Salihut –
këta njerëz do të ndëshkoheshin si askush
tjetër më parë. Kështu, sofra e kërkuar zbriti
nga xheneti siç e kërkuan. Ajo u vendos mbi
tokë dhe dishepujt hëngrën nga ushqimet e saj.
Kjo bëri që të qëndrojnë në besim dhe të mos
përgënjeshtrojnë. Vetëm njëri prej tyre do e
tradhëtojë Isain a.s, siç do ta shohim më pas.
Duke qenë se njerëzit i shihnin dhe i
transmetonin mrekullitë e Isait a.s, murgjërit
hebrenj u frikësuan se mos feja e tyre shuhet
dhe vendin e saj e zë feja e Isait a.s. Ata do të
humbisnin njëkohësisht si pushtetin fetar,
ashtu dhe atë politik. Kështu, ata thurrën një
komplot kundër Isait a.s, vajtën tek mbreti
romak i asaj zone dhe filluan t’i flasin mbi
Isain a.s. Ata i thanë se Isai a.s pretendon se
është mbreti i çifutëve dhe se synon fronin e tij
mbretëror. I frikësuar nga humbja e pushtetit,
mbreti urdhëroi ushtarët ta gjenin Isain a.s ku
të ishte dhe ta kryqëzonin. Asokohe ishte
traditë që kushdo që dënohej me vdekje,
mbërthehej me gozhda mbi një kryq dhe lihej
të vdesë. Gozhdët i viheshin në dy duart, në
kraharo dhe në dy këmbët. I dënuari vdiste
brenda dy ditësh nga dita e kryqëzimit.
Diçka e tillë ndodhte tre vite pasi Zoti e kishte
dërguar si profet tek hebrenjtë.

Ngritja e Isait a.s në qiell

Rrëfenjat izraelite lidhur me ngritjen e Isait a.s


në qiell janë të panumërta. Nga transmetimet e
sakta lidhur me këtë çështje, nuk kam gjetur
veçse një transmetim Nesaiut sipas kritereve të
imam Muslimit. Të gjithë rrëfenjat izraelite
unë nuk i kam marrë për bazë, pasi është e
vështirë të dallosh të vërtetën nga e
shtrembëta. Lidhur me këtë çështje, jam
mjaftuar me atë që transmeton Abdullah Ibnu
Abasi i cili thotë:”Kur deshi Zoti ta ngrejë
Isain në qiell, ai qëndroi mes dishepujve të tij
në shtëpi, numri i të cilëve ishte dymbëdhjetë.
Ai hyri mes tyre me flokët që i kullonin ujë
dhe u tha:”Është njëri prej jush, që do të më
përgënjeshtrojë dymbëdhjetë herë, pasi ka
besuar.” Pas pak u tha:”Cili prej jush pranon të
marrë imazhin tim dhe të vritet në vendin tim?
Ai që do e bëjë këtë, do të jetë përbri meje (në
xhenet).” Në çast brofën më i riu ndër
dishepujt, por Isai a.s e uli dhe nuk e pranoi
për shkak të moshës. Isai a.s u drejtohet sërish
dishepujve me fjalët:”Kush prej jush pranon të
flijohet në vendin tim?” Të gjithë heshtën,
përveç djaloshit të ri i cili tha:”Unë.” Isai a.s i
tha:”Ti do të jesh atëherë.” dhe në çast
djaloshit iu dha pamja e Isait a.s. Isai a.s u
ngrit në qiell nëpërmjet baxhës së tavanit,
ndërkohë që dishepujt e ndiqnin me sy. Kur
erdhën ushtarët e mbretit, morën djaloshin që
kishte pamjen e Isait a.s, e vranë dhe pastaj e
kryqëzuan.”

Ushtarët arrestuan dhe dishepujt, të cilët


pranuan se ishin shokët dhe dishepujt e Isait
a.s, përveç njërit që e mohoi këtë fakt.
Ushtarët e lanë të lirë këtë person, por lajmet
ishin të sigurta se edhe ai ishte dishepull i Isait
a.s. Atëherë e arrestuan përsëri dhe ai u betua
se nuk ishte dishepull i Isait a.s. Dëshmitarët
vinin e shkonin me dëshmi se ai ishte
dishepulli i Isait a.s. Kur dëgjoi për këtë, ai u
arratis. Sa herë që e kapnin dhe hetonin, ai e
mohonte faktin se kishte qenë dishepull. Kjo
vazhdoi dymbëdhjetë herë.
Më vonë, hebrenjtë iu frikësuan trazirave që
mund të ndodhnin nëse do të vazhdonin me
persekutimin e të gjithë atyre që i kishin
besuar Isait a.s, prandaj i lanë të qetë, me
kusht që të mos e propogandojnë fenë. Kështu,
dishepujt u detyruan të propogandojnë në
fshehtësi. Krishterimi vazhdoi të përhapej në
fshehtësi për dyqind e dyzet vite me radhë.
Krishterimi triumfoi vetëm kur u përqafua nga
Kostandini, perandori romak. Ai u bë i
krishter, por arriti të fusë shumë paganizma të
trashëguara nga feja e tij e parë. Për dyqind e
dyzet vite, të krishterët jetuan në monoteizëm
të pastër. Ishte Konstandini ai që e përzieu
krishterimin me paganizma dhe ishte ai që i
zgjidhte muërgjërit dhe peshkopët sipas
interesit. Që atëherë krishterimi filloi
devijimin.

Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Të krishterët u


ndanë në tre grupe: Njëri grup tha:”Mes nesh
ishte vetë Zoti, i cili qëndroi sa deshi dhe u
ngjit në qiell. – këta njihen si Jakobinjtë –
Grupi i dytë thanë:”Mes nesh ishte biri i Zotit,
i cili qëndroi sa deshi dhe u ngjit në qiell –
Këta janë Nestorianët, të cilët përfaqësojnë
shumicën e të krishterëve – Grupi i tretë
thanë:”Mes nesh ishte robi i Zotit dhe i
dërguari i Tij. Ai qëndroi sa deshi dhe pastaj
Zoti e ngriti në qiell. – Këta janë myslimanët.”
Edhe sot e kësaj dite, ekziston një sekt i
krishterë të cilët quhen Unitarian, të cilët
besojnë se Isai a.s (Jezusi) ishte profet dhe i
dërguar i Zotit. Ata kanë kishat e tyre dhe
Ungjillin i cili nuk përmban paganizma. Ky
ungjill njihet me emrin Ungjilli i Barnapas.
Gjatë qëndrimit tim në Amerikë, i kam parë
vetë unitarianët dhe kishat e tyre. Veçse duhet
të theksoj se numri i tyre është shumë i vogël.
Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Dy grupet e para
triumfuan mbi grupin e tretë dhe e mbytën
zërin e tyre. Zëri i drejtë i islamit vazhdoi i
mbytur, derisa Zoti dërgoi Muhamedin a.s. Ky
është dhe interpretimi i ajetit:”Prandaj Ne i
forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe
ata dolën ngadhënjimtarë.” (Saf, 14)
Thotë Zoti i lartësuar:”dhe për fjalët e tyre:
“Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e
Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as
e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është
dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij,
– pasi menduan se e vranë Isain a.s, u zbulua
se njëri nga dishepujt mungonte. Ata thanë:”
Nëse kemi vrarë Isain, ku është filan
dishepull? Dhe nëse kemi vrarë dishepullin, ku
është vetë Isai? – me siguri që gjenden në
dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për
të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të
vërtetë, nuk e kanë vrarë. por, Allahu e ka
ngritur pranë Vetes. Allahu është i
Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” (Nisa,
158-159)

Ngritja në qiell e profetit Isa a.s, është


shenjë e Ditës së Kiametit

Një ndodhi të tillë të pazakontë, Zoti i


lartësuar e ka shënjestruar si sinjal i afrimit të
Ditës së Kiametit. Thotë Zoti në Kuran mbi
këtë fakt:”Në të vërtetë, Isai është shenjë e
Orës (së Kiametit), në ardhjen e të cilës mos
dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është
rruga e drejtë!” (Zuhruf, 61)
Kështu u ngrit në qielli profeti Isa a.s, i cili
vazhdon të jetë i gjallë dhe vetëm pak kohë
para se të ndodhë Kiameti do të kthehet sërish
në tokë. Ai do të kthehet për të vrarë
Dexhallin. Thotë profeti Muhamed a.s në një
hadith të transmetuar nga imam Ahmedi dhe
Ebu Daudi:”Profetët janë vëllezër të një babai,
i përkasin një feje dhe kanë nëna të ndryshme.
Unë jam njeriu më i afërt me Isain birin e
Merjemes, sepse mes tij dhe meje nuk ka asnjë
profet tjetër. Ai do të kthehet dhe nëse e
shihni, besojeni. Ai është as i gjatë dhe as i
shkurtër, me fytyrë të bardhë që anon nga e
skuqura, flokët i duken sikur i kullojnë ujë,
edhe pse nuk i ka të lagura. Ai do të zbresë tek
minareja e bardhë e xhamisë në Damask. Ai
do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, anullon
taksat, shfuqizon të gjithë fetë përveç islamit.
Në kohën e tij, Zoti do vrasë dhe Dexhallin.
Toka do të përfshihet nga drejtësia, saqë
devetë do të kullosin me luanët, lopët me tigrat
dhe delet me ujqërit, kurse fëmijët do të luajnë
me gjarpërinjtë pa e dëmtuar njëri-tjetrin. Ai
do të qëndrojë në tokë për dyzet ditë, pastaj do
të vdesë.”
Siç thamë, Isai a.s nuk ka vdekur, por jeton i
gjallë në qiell. Ai do të vdesë pas zbritjes në
kohën e Dexhallit. Do të jenë myslimanët ata
që do i falin xhenazen dhe do e varrosin.
“Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën
që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në
ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)

Isai a.s Ditën e Gjykimit

Ditën kur të gjithë njerëzit do të ringjallen,


Zoti i lartësuar do i kërkojë Isait a.s sqarim
mbi faktin që njerëzit e konsideronin atë si bir
të Zotit. Kjo ceket në Kuran, ku Zoti i lartësuar
thotë:
“Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e
Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai
që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe
nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të
thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua
nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk
kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë
ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di
çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë
ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të
fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër,
përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni
Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë
dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis
tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe
mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo
gjë.” (Maide, 116-117)
O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në
besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të
vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes,
është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij,
të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt
(i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të
dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”!
Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu
është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! Ai
është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij
është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.
Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë.
Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte
rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm. Ata
që e shpërfillin dhe e nënçmojnë me arrogancë
adhurimin ndaj Tij, Allahu do t’i sjellë të
gjithë para Vetes.” (Nisa, 171-172)
Profeti Isa a.s ishte profet i nderuar, i cili u
pasua nga profeti dhe i dërguari më i mirë i
Zotit, nga vula e profetëve, Muhamed
Mustafaja a.s.

E lusim Zotin ta pranojë këtë mund dhe ta


shënojë në regjistrin e veprave tona të mira! E
lusim Zotin që të ndjekim gjurmët e profetëve
në ftesë, vepra, devocion dhe përkushtim!

You might also like