Pyetje Dhe Kazuse Per Veprimet Juridike

You might also like

Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 7

Përshkrimi i temës

Veprimi juridik mbetet një nga temat më të rëndësishme që do të trajtohet në programin e së drejtës
civile. Forma e veprimit juridik mbetet një nga pikat e nxehta për tu diskutuar. Po ashtu, kjo temë do të
trajtojë edhe veprimet juridike me kusht dhe afat dhe të përbashkëtat dhe dallimet midis tyre. Një vend të
veçantë do të zërë trajtimi i veprimeve juridike absolutisht të pavlefshme dhe veprimeve juridike
relativisht të pavlefshme. Si dhe dallimet midis dy pavlefshmërive. Elementet e së drejtës materiale dhe
procedurale që lidhen me padinë për zgjidhjen e pasojave të pavlefshmërisë absolute dhe padinë për
zgjidhjen e pasojave të pavlefshmërisë relative.

Struktura e organizimit të mësimit:


JAVA e 6

Çështjet kryesore të mësimit:


- Përcaktime të përgjithshme të veprimit juridik.
- Fakti juridik si ngjarje natyrore.
- Fakti juridik si një shfaqje e vullnetit të njeriut.
- Përmbajtja e veprimit juridik. Veprimet juridike të njëanshme dhe të dyanshme.
- Veprimet juridike me kundërshpërblim dhe pa kundërshpërblim.
- Veprimet juridike konsensuale dhe reale.
- Veprimet juridike shkakësore dhe veprimet juridike abstrakte.
- Forma e veprimit juridik. Analiza dhe zbatimi praktik i neneve nga 79-ta deri te neni 83 i KC-së.
- Probleme të përgjithshme të formës së veprimit juridik.
- Veshja e veprimit juridik me formën e kërkuar nga ligji.
- Kryerja e veprimeve juridike nga persona që kanë sëmundje apo të meta fizike.
- Veprimet juridike me kusht dhe afat. Analiza dhe zbatimi praktik i neneve 84-91 të KC-së.
- Përkufizimi i veprimit juridik me kusht, probleme teorike dhe praktike.
- Dallimet midis kushtit dhe afatit.
- Dallimi midis kushtit dhe barrës në veprimin juridik.
- Kushti si element plotësues dhe i ligjshëm i veprimit juridik.
- Kushti pezullues dhe kushti zgjidhës.
- Kushti pozitiv dhe kushti negativ.
- Afati i veprimit juridik, probleme teorike dhe praktike.
- Probleme të efektshmërisë së fillimit dhe të mbarimit të veprimit juridik me afat.
- Probleme të afatit pezullues dhe zgjidhës.
- Përcaktimi i afatit.
Pyetje vetëstudimore:
1. Për veprimin juridik sipas përcaktimit të bërë në Kodin Civil, është e rëndësishme, që të përcaktohet
momenti i shfaqjes së vullnetit, të personave fizikë dhe juridikë, pa ekzistencën e të cilit, nuk mund të
ketë veprim juridik. Cili është ky moment sipas përcaktimit teorik dhe atij praktik?
2. Përveç elementit të shfaqjes së vullnetit, thelbësor është edhe qëllimi (shkaku) i veprimit juridik, pa
këto dy elemente veprimi juridik nuk mund të ekzistojë. Jepni kuptimin praktik të qëllimit (shkakut)
në një veprim juridik.
3. Jepni kuptimin praktik të formës, objektit (që formon lëndën e veprimit juridik) si dhe elementin e
dorëzimit të sendit, në veprimet juridike të njëanshme ashtu edhe në veprimet juridike të dyanshme.
4. Jepni kuptimin praktik të dallimeve që ekzistojnë ndërmjet akteve administrative të nxjerra nga
organet e administratës shtetërore dhe pushtetit lokal, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë së tyre,
në dallim nga veprimet juridike.
5. Jepni kuptimin praktik të dallimit që ekziston midis shfaqjes së vullnetit në veprimet e kryera nga ana
e organeve të personave juridikë, nga ajo e shfaqjes së vullnetit në veprimet juridike nga personat
fizikë dhe juridikë të përcaktuar nga e drejta civile.
6. Si mund të përcaktohet në kuptimin praktik fakti juridik si ngjarje natyre dhe si një ngjarje humane?
7. Cilat janë dispozitat e Kodit Civil që përcaktojnë veprimet juridike të njëanshme dhe cilat janë
karakteristikat e tyre në kuptim të formës dhe përmbajtjes së veprimit juridik?
8. Cilat janë dispozitat e Kodit Civil që përcaktojnë kontratat tipike me kundërshpërblim dhe pa
kundërshpërblim? Çfarë rëndësie praktike ka përcaktimi i saktë i këtyre karakteristikave?
9. A është kontrata e shitjes së pasurive të paluajtshme një veprim juridik formal konsesual apo formal
real? Jepni bazën ligjore të përcaktimit të këtij veprimi juridik sipas rastit.
10. Në cilat lloje veprimesh juridike (kontrata) sipas Kodit Civil kërkohet dorëzimi i sendit dhe cili është
kuptimi praktik i kësaj karakteristike të veprimit juridik?
11. Cila është rëndësia praktike e dallimit midis veprimeve juridike shkakësore dhe abstrakte? Cilat janë
dispozitat që rregullojnë veprimet juridike abstrakte? Ilustrojeni me raste praktike.
12. Cilat janë veprimet juridike sipas Kodit Civil që kërkojnë veshjen me një formë të caktuar të tij?
13. Pse nevojitet në kuptimin praktik respektimi i formës së veprimit juridik për efekt vlefshmërie apo
provueshmërie?
14. Në analizë të nenit 82 të Kodi Civil, kryerja e veprimeve juridike që realizohen nga subjekte të cilat
kanë probleme të sëmundjeve mendore a përbën shkak juridik pavlefshmërie dhe e çfarë lloji është
ajo?
15. Përcaktoni dispozitat e Kodit Civil të cilat ju japin kuptimin e elementeve dhe karakteristikave
praktike të veprimeve juridike me kusht dhe me afat.
16. Cili është dallimi midis kushtit dhe barrës në një veprim juridik?
17. Cili është kuptimi praktik dhe më tej dallimi, midis kushtit si element përbërës i veprimit juridik dhe
kushtit si element plotësues/rastësor i tij?
18. Përcaktoni në një kuptim praktik (kontratë ose veprim juridik i njëanshëm) ekzistencën e kushtit
pozitiv dhe atij negativ. Më tej përcaktoni se cili është dallimi midis tyre.
19. Si duhet kuptuar praktikisht që ashtu si kushti dhe afati të dy kanë në thelb një funksion, i cili
konsiderohet si: “funksion praktik i shkaqeve të paefektshmërisë së veprimit juridik”?

Ushtrime, debat, punë e pavarur në grup:


- Diskutim/debat/ushtrim dhe prezantim me gojë me temë:
Dihet që veprimi juridik me kusht duhet të prodhojë pasojat juridike të dëshiruara nga palët pjesëmarrëse
në të, dhe gjithashtu duhet kuptuar i tillë, që këto të fundit të mos e dinë nëse do të vijë rrethana apo do të
ndodhë ngjarja, nga e cila varet ardhja ose pushimi i pasojës së veprimit juridik me kusht.
Në rast se rrethana apo ngjarja, e cila përbën kushtin e veprimit juridik, ka ardhur ose nuk ka më mundësi
që të vijë në çastin e kryerjes së veprimit juridik me kusht, a mundet kjo që të përbëjë shkak për
pavlefshmërinë e veprimit juridik edhe sikur palët të pretendojnë përpara jush si gjyqtarë këtë: “se nuk
kanë ditur asgjë për ekzistencën ose jo të kushtit”.
Në rolin e gjyqtarit të shkallës së parë jepni kuptimin praktik të këtij elementi që është afati, si një ngjarje
juridike në kontratën e sipërmarrjes.
- Diskutim/debat/ushtrim dhe prezantim me gojë me temë:
Në kontratën e sipërmarrjes së ndërtimit që ndeshet shpesh në qarkullimin juridik civil, një nga elementet
thelbësore është përcaktimi i afatit të përfundimit të veprës, që në thelb kufizon në kohë efektet e vetë
kontratës. Afati i përcaktuar në këtë rast (konsiderojmë që sipërmarrësi është pajisur rregullisht me lejet
përkatëse dhe ka filluar realizmin e veprës), është një ngjarje e sigurt, pasi është i lidhur me datën e
përcaktuar nga palët në veprimin juridik, që është edhe data e përfundimit të veprës.
Në rolin e gjyqtarit të shkallës së parë jepni kuptimin praktik të këtij elementi që është afati, si një ngjarje
juridike në kontratën e sipërmarrjes.

Rasti praktik nr. 1


Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shprehen se: “më datën 23.11.1972, GJ.V ka bërë para noterit
një testament, me këtë përmbajtje: në shenjë mirënjohje, respekti e dashurie ndaj vajzës O.GJ për
afeksionin e interesimin e vazhdueshëm që ka treguar, me vullnetin e lirë e të plotë, pas vdekjes, i lë në
pronësi një shtëpi banimi që e kam në pronësi e posedim, të ndodhur në lagjen nr.3, Pogradec,
…………..e përbërë nga bodrume poshtë, me dy dhoma të mëdha e dy të vogla dhe me oborr para e
mbrapa, me kusht që në të, të banojë djali i saj, nipi im i quajtur K.T”……… Në testament disponohet më
tej se “me rastin e bërjes së këtij testamenti, unë përjashtoj si trashëgimtare time ligjore mbi këtë shtëpi
vajzën time V. LL.”

Pyetje:
Në rolin e gjyqtarit të shkallës së parë jepni mendimin tuaj në lidhje me këto pyetje:
1. A është i rëndësishëm përcaktimi i llojit të trashëgimisë testamentare në këtë rast?
2. Pse është i rëndësishëm fakti i përcaktimit të saktë të vullnetit të shprehur nga testatori sipas
përmbajtjes së testamentit, pra i faktit se çfarë ka dashur të arrijë (testatori) me këtë shfaqje vullneti
nëpërmjet veprimit juridik të testamentit?

Rasti praktik nr. 2


Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, ka prishur vendimin e gjykatës së apelit dhe e ka kthyer çështjen për
rigjykim me arsyetimin se: “certifikata e vdekjes është prova thelbësore që duhet të administrojë gjykata,
për të arritur në konkluzionin se ka vend për çeljen e dëshmisë së trashëgimnisë apo jo”.

Pyetje:
Në rolin e gjyqtarit të shkallës së parë lind nevoja t’u jepni përgjigje këtyre pyetjeve:
1. A është ajo (vdekja) një nga ato ngjarje natyrore (fakt juridik), të pavarura nga vullneti i njeriut, me
vërtetimin e të cilit, shkaktohen pasojat juridike?
2. Pse ka rëndësi në këtë rast përcaktimi i vdekjes si një ngjarje humane për t’i dhënë zgjidhje rastit në
fjalë?
3. Vërtetimi i kohës së vdekjes dhe vendit të çeljes së trashëgimit, është thelbësor për të përcaktuar se
cili ligj do të zbatohet për të rregulluar pasojat juridike që passjell çelja e trashëgimisë?
4. A është i drejtë konkluzioni i mësipërm i gjykatës?

Rasti praktik nr. 3


Në qarkullimin juridik civil, ndeshim shpesh kontrata qiraje ose enfiteoze, të lidhura gjatë ushtrimit të
aktiviteteve tregtare, nga ana e subjekteve të ndryshme, në prona të marra me qira ose me enfiteoz e nga
shteti. Këto kontrata mund të lidhen, për shkak të marrëdhënieve të posaçme dhe natyrës së veprimtarisë
tregtare që do të zhvillohet në sendet e marra me qira ose enfiteoze, në një datë të caktuar p.sh. në datën 1
janar 2006 dhe duke u përcaktuar në kontratë si afat i fillimit të efekteve të saj (fillimit të pasojave
juridike të kontratës) data 1 qershor 206.

Pyetje:
1. Nisur nga ky shembull, mund të themi se në veprimin juridik me afat, afati i kryerjes së veprimit
juridik (kontratës së enfiteozës ose qirasë), nuk përputhet në kohë, me fillimin e efekteve (pasojave) të
dëshiruara nga palët në kontratë.
Jepni mendimin tuaj duke e arsyetuar atë.

Rasti praktik nr. 4


Në kontratën e sipërmarrjes së ndërtimit që ndeshet shpesh në qarkullimin juridik civil, një nga elementet
thelbësore është përcaktimi i afatit të përfundimit të veprës, që në thelb kufizon në kohë efektet e vetë
kontratës. Konsiderojmë që sipërmarrësi është pajisur rregullisht me lejet përkatëse dhe ka filluar
realizmin e veprës.
Pyetje:
1. Afati i përcaktuar në këtë rast është një ngjarje e sigurt?
2. Jepni mendimin tuaj duke e arsyetuar atë.

Çështjet kryesore të mësimit:

- Përcaktime të përgjithshme të pavlefshmërisë së veprimit juridik.


- Veprimet juridike të pavlefshme. Analiza e nenit 92 të KC-së.
- Veprimet juridike që vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit.
- Veprimet juridike që kryhen për të mashtruar ligjin.
- Veprimet juridike që kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç.
- Veprimet juridike që bëhen me marrëveshje të palëve pa pasur qëllim që të sjellin pasoja juridike
(fiktive ose të simuluara).
- Përcaktime të përgjithshme të veprimeve juridike që shpallen të pavlefshme.
- Veprimet juridike të kryera nga të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e kanë kryer
pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit.
- Veprimet juridike të kryera nga personat, të cilët për shkak të një sëmundje psikike ose zhvillimi
mendor u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, kur veprimin juridik e kanë kryer pa
pëlqimin e kujdestarit.
- Personat, të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e
veprimeve të tyre, megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar.
- Personi që ka kryer veprimin juridik duke qenë i mashtruar, i kanosur, në lajthim ose për shkak të
nevojës së madhe.
- Anulimi i veprimeve juridike pas vdekjes së personit përkatës.
- Veprimet juridike relativisht të pavlefshme. Analizë e nenit 94 të KC-së.
- Dallimet midis dy pavlefshmërive të mësipërme.

Pyetje vetëstudimore:
1. Cili është dallimi midis pasojave që vijnë nga pavlefshmëria e kontratave si veprime juridike, ose
“defektet gjenetike” (të lindura) të aktit juridik me pasojat juridike që vijnë nga “mosfunksionimi” i
veprimit juridik (kontratës) si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve?
2. Si duhet kuptuar nga këndvështrimi praktik, që vullneti i shprehur nga palët në veprimin juridik,
duhet të përmbajë vullnetin e pavesuar të personave që marrin pjesë në veprimin juridik?
3. Si duhet kuptuar praktikisht fakti juridik që vullneti i shprehur i palëve pjesëmarrëse në veprimin
juridik, duhet të vishet me formën e kërkuar nga ligji?
4. Cila është pasoja praktike e faktit që vullneti i shprehur nga palët në një veprim juridik duhet të jetë,
jo vetëm vullneti i vërtetë dhe i pavesuar, por nuk duhet të vijë në kundërshtim me ligjin?
5. A është e vërtetë konsiderata doktrinale që, rastet kryesore të pavlefshmërisë së veprimit juridik,
përcaktohen nga veset e vullnetit?
6. Si duhet kuptuar praktikisht kundërligjshmëria e një veprimi juridik?
7. Cila është ndarja sipas kuptimit teorik e frymës që i karakterizon normat juridike në qarkullimin
civil?
8. A është i vërtetë fakti që, një veprim juridik i kryer nga palët, do të jetë i pavlefshëm, jo vetëm kur ai
është kryer në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit, si një akt i nxjerrë nga parlamenti,
por dhe kur vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të një akti normativ të nxjerrë nga
Këshilli i Ministrave?
9. Në kuptim të përcaktimit të bërë në nenin 92/a të Kodit Civil, për të përcaktuar që një veprim juridik
është i pavlefshëm, a do të mjaftonte vetëm konstatimi i faktit nga ana e gjyqtarit të çështjes, që
përmbajtja e tij vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të normës juridike?
10. Cila është e përbashkëta që konstatohet në kategoritë e veprimeve juridike absolutisht të pavlefshme
të përcaktuara në nenin 92/a dhe 92/b të Kodit Civil?
11. Pse veprimet juridike të cilat kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç, në kuptim të nenit
92/c të Kodit Civil, konsiderohen si veprime juridike të pavlefshme?
12. Në kategorinë e veprimeve juridike të pavlefshme që bëhen me marrëveshje të palëve, pa pasur për
qëllim që të sjellin pasoja juridike hyjnë edhe veprimet juridike fiktive ose të simuluara (neni 92/ç i
Kodit Civil). Cili është dallimi teorik dhe praktik midis tyre?
13. Kategoria e veprimeve juridike që shpallen të pavlefshme (relativisht të pavlefshme), a janë të
vlefshme? Cili është momenti që ato bëhen ta pavlefshme?
14. Sipas kriterit të nenit 94/c të Kodit Civil, si rregull procesi i të provuarit do t’i nënshtrohet rregullave
të Kodit të Procedurës Civile. Cilat janë provat që gjykata duhet të marrë në konsideratë?
15. Cila është karakteristika e mashtrimit sipas nenit 94/ç, pa ekzistencën e të cilit ky veprim juridik nuk
do të ishte kryer?
16. Cili është dallimi midis mashtrimit në të drejtën civile nga mashtrimi në të drejtën penale?
17. Cili është dallimi esencial me pasoja praktike midis veprimeve juridike të pavlefshme me veprimet
juridike që shpallen të pavlefshme?

Rasti praktik nr. 1


Personi A i ka shitur një pasuri të paluajtshme mikut të ngushtë B. Veprimi juridik është realizuar në
formën që parashikon ligji dhe plotësohen kriteret e vlefshmërisë sipas Vendimit Unifikues nr. 5/2009 të
KB-së së GJL-së.
Rezulton se në një datë të mëparshme nga shitja, ai ka pasur një marrëdhënie kredie me një bankë të
nivelit të dytë. Ai disa herë ka pasur probleme në pagimin e kredisë në afat derisa kjo është bërë shumë
shqetësuese për bankën dhe e ka çuar rastin në ekzekutim të detyrueshëm.

Pyetjet që shtrohen për zgjidhje:


1. A është i vlefshëm veprimi juridik i shitjes midis A-së dhe B-së?
2. Në rast se jo çfarë lloj pavlefshmërie është?
3. Jepni sipas rastit dispozitivin e vendimit.

Rasti praktik nr. 2


Personi A, në kuadrin e mashtrimit (ky element konsiderohet i provuar) ka hartuar një veprim juridik
testamentar duke ia lënë pasurinë e tij personit që ka kryer këto veprime mashtrimi, personit B. Personi C
i cili është trashëgimtar ligjor i personit A, bie në dijeni të këtij fakti (mashtrimit) pas vdekjes së personit
A dhe e çon çështjen në gjykatë duke kërkuar kthimin e pasurisë trashëgimore që mbahet nga personi B,
për shkak të testamentit të pavlefshëm.

Çështjet që shtrohen për zgjidhje:


1. Cila është natyra e këtij gjykimi?
2. Çfarë lloj pavlefshmërie kemi në këtë rast?
3. A është ngritur drejt objekti i kërkimit?
4. Nisur nga padia e ngritur jepni dispozitivin e vendimit.

Çështjet kryesore të mësimit:


- Padia për zgjidhjen e pasojave të pavlefshmërisë absolute.
- Legjitimimi aktiv dhe legjitimimi pasiv.
- Objekti dhe shkaku ligjor i padisë.
- Dispozitivi i vendimit gjyqësor.
- Analiza e nenit 106 të KC-së.
Pyetje vetëstudimore:
1. Cila është natyra juridike e një konflikti që rrjedh nga pavlefshmëria absolute e veprimit juridik?
2. A mund të ngrihet një padi me objekt deklarimin e pavlefshmërisë absolute të veprimit juridik?
3. Cila është baza ligjore në një konflikt gjyqësor që rrjedh nga zgjidhja e pasojave të veprimit juridik
absolutisht të pavlefshëm?
4. Cili është rrethi i personave që legjitimohen në ngritjen e padisë me këtë shkak pavlefshmërie?
5. A mund të bëhet i vlefshëm, me një veprim juridik të mëvonshëm (ky i fundit i vlefshëm) një veprim
juridik absolutisht i pavlefshëm?
6. Çfarë duhet të shprehë gjykata në dispozitivin e vendimit?
7. Cili është kuptimi i restitucionit të njëanshëm dhe të dyanshëm në kuptim të nenit 106 të KC-së? A
mund të përbëjë neni 106 bazën ligjore për një konflikt me natyrë dhe shkak ligjor pavlefshmërinë
absolute të veprimit juridik?

Rasti praktik nr. 1


Personi A i ka shitur pasurinë e tij të paluajtshme, një shtëpi banimi, personit B, duke mos qenë pronar,
për shkak se mendonte që vendimi i komisionit të kthimit të pronave që i kishte kthyer pronën ishte i
vlefshëm.
Shitja është bërë në formë noteriale dhe i plotëson të gjitha elementet e vlefshmërisë së një veprimi
juridik edhe nga pikëpamja e përmbajtjes.
Në një datë të mëvonshme pas shitjes së pasurisë, në një vendim të dytë, komisioni e anulon vendimin e
parë për shkak se personi A nuk është pronar, por prona në fjalë i takon personit C.
Këtij të fundit blerësi B i kundrejton posedimin e sendit prej 3 vjetësh dhe regjistrimin në zyrat përkatëse
të kadastrës.
Pas tratativash çështja vjen në gjykatë dhe personi A kërkon: a) pavlefshmërinë absolute të kontratës së
shitjes midis A-së dhe B-së; dhe b) lirimin e dorëzimin e sendit.

Çështjet që shtrohen për zgjidhje:


1. Çfarë natyre juridike ka ky gjykim?
2. A është ngritur drejt objekti i padisë?
3. Çfarë pavlefshmërie kemi në këtë rast: relative apo absolute apo asnjërën dhe as tjetrën?
4. Jepni dispozitivin e vendimit.

Rasti praktik nr. 2


Personi A, duke marrë dhe firmën e personin B, të cilin e ka bashkëpronar në një pasuri të paluajtshme,
bashkëpronësi kjo në pjesë ideale, ia shesin këtë pasuri personit C. Shitja është bërë në mashtrim të ligjës,
por në formën e kërkuar nga ligji dhe në dukje kjo vlen edhe për përmbajtjen e saj. Personi B bie në dijeni
të këtij fakti dhe i drejtohet gjykatës me padi duke kërkuar kthimin e sendit nga personi B për shkak se ai
nuk e ka blerë dhe nuk është bërë asnjëherë pronar i sendit të paluajtshëm, pasi veprimi juridik është bërë
në mashtrim të ligjës në kuptim të nenit 92/b të KC-së.
Rezulton që si A-ja dhe B-ja janë në keqbesim. Ndërsa C-ja është në mirëbesim.

Çështjet që shtrohen për zgjidhje:


1. Çfarë natyre juridike ka konflikti në fjalë?
2. A është ndërtuar drejt objekti i padisë?
3. A mund të aplikojë gjykata kërkesat e nenit 106/2?
4. Jepni objektin e padisë.

Çështjet kryesore të mësimit:


- Padia për zgjidhjen e pasojave të pavlefshmërisë relative.
- Legjitimimi aktiv dhe legjitimimi pasiv.
- Objekti dhe shkaku ligjor i padisë.
- Dispozitivi i vendimit gjyqësor.
- Parashkrimi i padisë. Analiza e neneve 104 e vijues të KC-së.

Pyetjet vetëstudimore:
1. Cila është natyra juridike e një konflikti që rrjedh nga pavlefshmëria relative e veprimit juridik?
2. Cili është kërkimi i padisë në konfliktet me natyrë juridike që kanë për shkak pavlefshmërinë relative
të veprimit juridik?
3. Cila është baza ligjore në një konflikt gjyqësor që rrjedh nga zgjidhja e pasojave të veprimit juridik
relativisht të pavlefshëm?
4. Cili është rrethi i personave që legjitimohen në ngritjen e padisë me këtë shkak pavlefshmërie?
5. Kur një veprim juridik relativisht i pavlefshëm mund të bëhet i vlefshëm?
6. Cili do të ishte dispozitivi i vendimit në këto konflikte?

Rasti praktik nr. 1


Personi A në moshën 14 vjeçare bën shitjen e një pasurie të paluajtshme pa marrë pëlqimin e prindit të tij
C, personit B. Ky i fundit bie në dijeni të këtij fakti në krye të 4 vjetëve dhe pas tratativës me personin A,
i kërkon atij që ta përsërisin veprimin e shitjes. Ky i fundit pranon dhe realizojnë një veprim të dytë shitje
që në formë dhe përmbajtje është i vlefshëm. Rezulton se në kohën e shitjes së dytë personi A kishte
mbushur 18 vjeç.
Personi C i drejtohet gjykatës me padi, anulimin e veprimit juridik të shitjes së parë dhe konstatimin e
pavlefshmërisë së shitjes së dytë, si dhe kthimin e sendit.

Pyetjet që shtrohen për zgjidhje:


1. Çfarë natyre juridike ka konflikti?
2. A është e vlefshme shitja e parë?
3. Po shitja e dytë?
4. Jepni dispozitivin e vendimit.

Rasti praktik nr. 2


Personi A është debitor i personit B dhe me qëllim që të dëmtojë kreditorin e tij B, ia shet pasurinë e tij
personit C, ky i fundit është në dijeni të këtij qëllimi. Personi C ia shet këtë pasuri një personi të tretë D-
së, para se kreditori i tij, personi B, të ngrejë padinë për deklarimin e kësaj shitje si të pavlefshëm. Personi
D nuk ka pasur dijeni për marrëveshjen midis A-së dhe C-së.
Për këtë qëllim ai padit në gjyq personin C dhe personin D, duke kërkuar jo vetëm anulimin e veprimeve
juridike si të pavlefshme, por edhe kthimin e sendit nga poseduesi që është personi D.

Çështjet që shtrohen për zgjidhje:


1. Çfarë natyre juridike ka konflikti?
2. A është i vlefshëm veprimi juridik i kryer midis A-së dhe C-së?
3. Çfarë lloj pavlefshmërie kemi në këtë rast?
4. A është ndërtuar drejt kërkimi i ngritur nga B-ja?
5. A preken të drejtat e fituara nga personi D?
6. Jepni dispozitivin e vendimit.

You might also like