Download as docx, pdf, or txt
Download as docx, pdf, or txt
You are on page 1of 1

“Poeti i mjerimit”, Migjeni ka qenë zëri më besnik dhe më i ndërgjegjësuar i kohës kur

njeriut të thjeshtë, fshatarit e punëtorit shqiptar, iu ishte rrezikuar qenia, kur apoteoza e
perëndive ishte strukur në kokrrën e misrit, kur malësori që ishte përballuar me uraganin
shkatërrimtar të robërisë, po vdiste urie.

Edhe sot krijimet kuptimplote të tij fuqishëm lëshojnë alarmin dhe çjerrin maskat e
shfrytëzuesve të veshur me petkun politik dhe të stolisur me hipokrizitë e premtimeve të
shumta.

Secila poezi, skicë, rrëfim a novelë e shkruar nga Migjeni, është e goditur, për faktin se ai
ka arritur që me vizionin e tij krijues të shkruajë për të gjitha plagët sociale të të shqiptarit
të kohës.

Migjeni ishte realist. Ishte intelektuali, që rrezatonte me filozofinë e tij, sepse ishte shumë
më i emancipuar se rrethi intelektual i kohës ku jetoi dhe krijoi. Ai kishte përhapur idetë
dhe mendimet e tij realiste mbi botën, njerëzit dhe problemet e shoqërisë shqiptare.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e
thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror. Për shkrimtarin kishte rëndësi
të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve të popullit.
Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të
nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në greminë të jetës, të mjerë që nuk u
kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Migjeni përshkroi një tablo të gjallë
dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara. Migjeni
fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli.
Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi
moralin hipokrit që karakterizonte marrëdhëniet e tyre.

Dhe për herë të parë Migjeni vendos në piedestal femrën, si heroinë e krijimeve të tij, por
jo në një mënyrë të thjeshtë. Tregon atë anën ku edhe femrës për të luftuar kundër
mjerimit i duhet të bëjë gjithçka për të mbijetuar duke shkuar aq larg sa të shkelë me
këmbë nderin e saj, dinjitetin dhe familjen.

E në fund të ditës a kanë vërtet rëndësi vlerat, morali e gjithçka tjetër që na indoktrinohet
që në vegjëli kur ti je duke vdekur çdo ditë nga pak, kur shikon sa të lumtur jetojnë ata që
janë të pasur ndërkohë që ti mezi po shtyn ditët, kur sheh fëmijën tënd të venitet para
syve të tu sepse s’ka pasur gjë për të ngrënë dhe s’ka pirë ilaçet se s’kishte mundësi t’ia
blinte kush, a kanë vërtet rëndësi ato vlera? E pikërisht për shkak të paragjykimeve të
kësaj shoqërie gjakpirëse që është gjithmonë gati të të sulmojë në momentet e tua më të
vështira, ato vlera janë të rëndësishme.

You might also like