Gjuha Shqipe

You might also like

Download as odt, pdf, or txt
Download as odt, pdf, or txt
You are on page 1of 5

PROJEKT

LENDA:GJUHE SHQIPE

Historiku i gjuhës shqipe në


familjen e gjuhëve
indoevropiane
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indo-iranike, greqishtja,
gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje
gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën prej gjuhëve të sotme indoevropiane.
Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjuhësore indoevropiane, u arrit të
përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike
krahasuese.
Ishte sidomos merita e njërit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur
gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen
gjuhësore indoevropiane. F. Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë botuar në Berlin në vitin
1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në
gjuhë lindore ose dhe në gjuhë perëndimore, shqipja
shkon me gjuhët lindore bashkë me gjuhët indo-
iranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.

Origjina
Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga
problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore.
Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose
trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e
origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe
gjuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.
Teza e origjinës ilire te shqiptarëve është mbështetur nga albanologu i mirënjohur austriak Johannas
Georges von Hahn në veprën e tij “Albanesische Stidien”, publikuar më 1854.
Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë
sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e
origjinës dhe të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga këto argumente themelore, janë:
1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana
tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në
trojet e sotme.
2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si
ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të
sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë
kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.
4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar
dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore
nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.

Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe


Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në
shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ai
që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Është
një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont
premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një
qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i
Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i
Skënderbeut.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është
Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari
gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim
pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit,
duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje
dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri
prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi.“Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në
gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri
ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka
dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.

Dialektet e gjuhës shqipe


Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose
toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që
kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior
(gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njeri me
tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në
leksik, nga të cilët më kryesorët janë: dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i i
jugut, vetëm zanore gojore; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me togun ue (grua – grue);
togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër – votër); â-së hundore të theksuar të
gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë – nënë).

Shqipja standarde
Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar
(gjuha standarde), si varianti më i përpunuar i
gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i
gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por
përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në
shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.Në
programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës
amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një
vend qendror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në
Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe
zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në
formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi
variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për
drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut,
sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut .

Studimet për gjuhën shqipe


Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh
vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të
veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor
edhe një filozof i madh, siç ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së
gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një
histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një
bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën
dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e
ilirëve të lashtë.

Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarde


Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve
sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore,
janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjetër janë zhvillime te
mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që
përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema
bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar
në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë
të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r,
s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh,
th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të
palëvizshëm gjatë fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen
e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e
shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish
(mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një
kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishëm. Shqipja ka një sistem të pasur formash mënyrore dhe
kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë
evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore,
urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhshme
ndërtohet në mënyrë analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me
foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).

Përhapja e gjuhës shqipe


Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset
shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja
flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të
mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë, si në Paris,
Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.

Eqrem Çabej (1908-1980)


Studiuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një
nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare. Pasi bëri
studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e
larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar
indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në
atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet
’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një
gjysmëshekulli, duke lënë një trashëgimi të pasur shkencore.
Eqrem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë
evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare.
Eqrem Çabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës,
në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë
dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.

You might also like