Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 18

Kapitulli I : STRUKTURA DHE FUNKSIONI I PROTEINAVE

1.1. Proteinat – të dhëna të përgjithshme mbi rëndësinë dhe funksionet e


tyre
Emërtimi ¨proteinë¨ u përdor për herë të parë nga Jöns J. Berzelius në vitin 1838 për të
nënvizuar rëndësinë e kësaj klase biomolekulash. Termi e merr origjinën nga fjala greke
proteios që do të thotë ¨i rangut të parë¨. Proteinat janë polimerët primarë strukturalë dhe
funksionalë në sistemet e gjalla. Ato janë makromolekulat më të përhapura në qelizat e gjalla;
gjenden në të gjitha qelizat dhe në çdo pjesë të qelizës.
Në qelizë, ekzistojnë me mijëra proteina të ndryshme, secila e koduar nga një gen specifik dhe
me një funksion të veçantë. Proteinat janë produktet finale më të rëndësishme të rrugëve të
informacionit. Ato mund të konsiderohen si instrumentat molekulare të prodhuara nga
shprehja e informacionit gjenetik.
Proteinat kanë funksione të ndryshme, disa prej të cilave po i rendisim më poshtë:
1. Kataliza enzimatike: Pothuaj të gjitha reaksionet kimike në sistemet biologjike katalizohen
nga makromolekula specifike të quajtura ENZIMA. Disa nga këto reaksione janë mjaft të
thjeshta (p.sh. hidratimi i CO2), dhe disa mjaft të komplikuara (p.sh. replikimi i ADN).
Enzimat kanë një fuqi të madhe katalitike (shih kapitullin 2). Deri ne ditët e sotme janë zbuluar
dhe identifikuar me mijëra enzima, pothuaj të gjitha me natyrë proteinike. Duke qenë
katalizatorët kryesorë të reaksioneve në sistemet biologjike, proteinat luajnë rol unik në
përcaktimin e profilit të transformimeve kimike në sistemet biologjike.
2. Funksioni transportues dhe rezervë: Molekulat e vogla dhe jonet transportohen të lidhura
me proteina specifike. Në plazmë gjenden ¨transportues¨ të tillë si hemoglobina (transporton
oksigjenin), transferrina (transporton jonet e hekurit), lipoproteinat (transportues të lipideve)
etj. Tipe të tjera proteinash transporti gjenden në membranat plazmatike dhe intraqelizore. Ato
janë përshtatur për fiksimin dhe transportimin përmes membranës të glukozës, aminoacideve
ose molekulave të tjera. Proteina të tjera janë të specializuara në ruajtjen dhe depozitimin
intraqelizor të lëndëve të ndryshme si p.sh. ferritina, molekulë që shërben si depo intraqelizore
e hekurit.
3. Lëvizja e koordinuar: Disa proteina i japin qelizave dhe organizmave aftësinë për t’u
kontraktuar, për të modifikuar formën ose për të lëvizur. P.sh. kontraktimi muskular realizohet
nga lëvizjet rrëshqitëse të dy tipe filamentesh me natyrë proteinike, aktina dhe miozina. Në
shkallë mikroskopike, lëvizje të koordinuara të tillasi zhvendosja e kromozomeve gjatë
mitozës dhe propulsioni i spermatozoideve përmes flageleve realizohet nga struktura
kontraktile të ndërtuara prej proteinash.
4. Suporti mekanik: Disa proteina i japin strukturave biologjike fortësi ose i sigurojnë
mbrojtje mekanike. Kështu p.sh. rezistenca elastike e fuqishme e lekurës dhe kockave i
detyrohet pranisë së kolagjenit që është një proteinë fibroze.
5. Mbrojtja imune: Antikorpet janë proteina specifike që njohin, fiksojnë dhe neutralizojnë
substancat e huaja si viruset, bakteriet dhe qelizat e organizmave të tjera. Proteinat luajnë rol
vital për të dalluar atë ç’ka është e organizmit nga ajo që është e huaj për të.
6. Prodhimi dhe transmetimi i impulsit nervor: Përgjigja e qelizave nervore ndaj stimujve
specifikë ndërmjetësohet nga proteinat receptore (p.sh. rodopsina është proteinë fotoreceptore
e vendosur tek formacionet shkopinj të retinës). Molekulat receptore që mund të eksitohen
nga molekula të vogla specifike si p.sh. acetilkolina, janë përgjegjëse të transmetimit të
impulsit nervor në nivelin e sinapseve pra në nivelin e lidhjes midis neuroneve.
7. Kontrolli i rritjes dhe diferencimit: Shprehja sekuenciale e kontrolluar e informacionit
gjenetik është esenciale për rritjen dhe diferencimin e qelizave. Në një moment të dhënë
shprehet vetëm një fraksion i vogël i genomit. Tek bakteriet, proteinat represore janë elemente
kontrolli të rëndësishme që ¨reduktojnë¨ në heshtje segmente specifike të ADN. Në
organizmat e lartë, rritja dhe diferencimi kontrollohen nga faktorët e rritjes proteinike. Në një
organizëm multiqelizor, aktivitetet e ndryshme qelizore koordinohen nga hormone shumë prej
të cilave janë proteina (p.sh. TSH, insulina, glukagoni etj.). Si përfundim mund të themi se
proteinat shërbejnë si rregullatore që kontrollojnë fluksin e energjisë dhe të materies në
qelizat e gjalla.

1.2. Aminoacidet (aa), njësia ndërtimore e proteinave. Klasifikimi dhe vetitë


e aminoacideve
Proteinat sintetizohen si polimerë të aminoacideve të cilët lidhen në sekuenca lineare dhe më
pas fitojnë strukturë komplekse tridimensionale që lidhet direkt me funksionin e tyre. Sot janë
identifikuar rreth 300 aminoacide të ndryshme të pranishme në subjektet shtazore, bimët apo
sistemet mikrobiale. Vetëm 20 prej këtyre aminoacideve kodohen nga ADN dhe gjenden në
përbërje të proteinave. Disa proteina përmbajnë dhe aminoacide të modifikuar apo grupe
kimike jo proteinike të quajtura grupe prostetike.
Aminoacidet – janë nënnjësi monomere, relativisht të thjeshta që konsiderohen si çelësi për
studimin e strukturës së proteinave të ndryshme. Të gjitha proteinat ndërtohen nga i njëjti
ansambël prej 20 aminoacidesh të lidhura në mënyrë kovalente, në sekuenca lineare
karakteristike. Meqenëse secili prej këtyre 20 aminoacideve ka një grup lateral të dallueshëm
që përcakton vetitë e tij kimike, ky grup prej 20 molekulash prekursore mund të konsiderohet
si alfabet falë të cilit mund të deshifrojmë strukturën proteinike. Këto 20 aminoacide shpesh
emërtohen aminoacide normale, standart ose primare për t’i dalluar nga aminoacidet e tjerë
që ndodhen në përbërje të proteinave si dhe nga aminoacidet joproteinike. Karakteristika
dalluese strukturore e aminoacideve që hyjnë në përbërje të proteinave është se ato janë alfa
(α) aminoacide.
Struktura e një α-aminoacidi (fig.1)
Në qendër të strukturës së një alfa aminoacidi ndodhet atomi i karbonit alfa (Cα - karboni që
ndodhet pranë grupit karboksil) me të cilin janë të lidhur:
1. Një grup aminë
2. Një grup karboksil
3. Një atom hidrogjeni
4. Një grup karakteristik R, që konsiderohet si varg lateral ose radikal
20 tipet e vargjeve laterale ndryshojnë nga njëri tjetri nga dimensionet, forma, ngarkesa,
kapaciteti për të formuar lidhje hidrogjenore dhe reaktiviteti kimik.

Figura 1: Struktura e përgjithshme e një α-aminoacidi

Forma e pajonizuar Forma jonike dipolare

Vendosja tetrahedrike e katër grupeve të ndryshme rreth karbonit α i jep aminoacidit aktivitet
optik. Nga ky rregull bën përjashtim vetëm glicina. Stereoizomerët e aminoacideve paraqiten
njëri kundrejt tjetrit si imazhe në pasqyrë. Ato nuk mund të mbivendosen (fig.2). Klasifikimi
dhe emërtimi i stereoizomerëve bazohet në konfiguracionin absolut (komponim referent –
gliceraldehida).
Aminoacidet që marrin pjesë në ndërtimin e molekulave proteinike janë L-stereoizomerë.
D-aminoacide janë gjetur vetëm në peptidet e vogla të pareteve bakteriale dhe në disa peptide
me natyrë antibiotike (sintetizohen në rrugë enzimatike joribozomale). Strukturat
karakteristike tridimensionale të proteinave që diktojnë aktivitetin e ndryshëm biologjik,
kërkojnë që të gjithë aminoacidet përbërës të jenë të një serie.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 2


Kapaciteti i qelizave për të sintetizuar në menyrë specifike L-stereoizomerë reflekton një
nga vetitë e jashtëzakonshme të enzimave.

Figura 2: Stereoizomeria e aminoacideve

(a) (b) (c)


a. Stereoizomerët e gliceraldehidës
b. Stereoizomerët L dhe D të alaninës të paraqitura me formulat në perspektivë (lidhjet në formë koni
projektohen jashtë planit letrës ndërsa lidhjet me vijë të ndërprerë projektohen nën të)
c. Stereoizomerët L dhe D të alaninës të paraqitura me formulat në projeksion (lidhjet horizontale
projektohen jashtë planit letrës ndërsa lidhjet vertikale projektohen nën të)

Aminoacidet në solucion me pH neutral gjenden kryesisht në formën dipolare ose zwitterion


(emër gjerman për të treguar jonet hibride). Në formën dipolare të një aminoacidi, funksioni
aminë është i protonuar (NH3+) kurse ai karboksil është i disociuar (COO-) (shih figurën 1).

Të gjithë aminoacidet kanë emra të zakonshëm të cilët në ndonjë rast e marrin origjinën nga
produkti ku janë izoluar për herë të parë: p.sh. asparagina-asparagus, acidi glutaminik-gluten,
tirozina-djathi etj. Veç emrit, aminoacidet kanë dhe një shkurtim me tre gërma dhe një simbol
me një gërmë që bëjnë pjesë në fjalorin e biokimistit (p.sh. Alanina – Ala – A)

Klasifikimi kimik i aminoacideve


Njohja e vetive kimike të aminoacideve standart është esenciale për të kuptuar pjesën më të
madhe të biokimisë. Kjo mund të thjeshtohet duke i grupuar aminoacidet në kategori sipas
vetive të grupit R e në veçanti sipas polaritetit të tij. Polariteti i grupeve R varion nga një
gjendje totalisht polare ose hidrofobe në një gjendje shumë polare ose hidrofile. Sipas
polaritetit të tyre, aminoacidet i grupojmë në katër kategori kryesore:
1. Aminoacide me radikal R jopolar (hidrofob)
2. Aminoacide me radikal R polar asnjanës (pa ngarkesë elektrike)
3. Aminoacide me radikal R të ngarkuar pozitivisht (bazike)
4. Aminoacide me radikal R të ngarkuar negativisht (acide)
Brenda secilës kategori, aminoacidet ndryshojnë përsa i përket polaritetit, masës dhe formës
së grupit R. Më poshtë po japim një përshkrim të katër grupeve të përmendura më sipër duke
u ndalur në natyrën kimike të grupeve R (figura 3).

Aminoacidet me radikal R jopolar (hidrofob)


Në këtë grup futen tetë aminoacide, pesë prej të cilëve kanë grup R hidrokarbur alifatik
(hidrofob), dy kanë unazë aromatike dhe një përmban squfur.
Grupet R voluminoze të alaninës (Ala), valinës (Val), leucinës (Leu), izoleucinës (Ile), me
format e tyre të vecanta janë të rëndësishme për të prodhuar bashkëveprime hidrofobe në
brendësi të strukturave proteinike. Dimensionet dhe format e ndryshme të këtyre vargjeve
laterale hidrokarbure, i lejojnë ato të mblidhen për të formuar struktura kompakte me pak
hapësira ndërmjet. Prolina (Pro) ndryshon nga katër aminoacidet e mësipërme pasi grupi R i
saj lidhet nga njëra anë me grupin aminik dhe nga ana tjetër me Cα. Si rezultat formohet një
strukturë ciklike rigide, që influencon në mënyrë të konsiderueshme në arkitekturën
proteinike. Prolina zotëron në fakt një funksion aminë sekondar, pra është iminoacid. Ky grup
aminë sekondar ka një konformacion rigid që redukton në këtë nivel fleksibilitetin struktural
të proteinës.
Fenilalanina (Phe) dhe Triptofani (Trp) kane vargje laterale aromatike. Fenilalanina ka një
unazë fenol te lidhur me një grup metilen kurse triptofani ka një grup indol. Këto grupe

Prof. Asc. Etleva Refatllari 3


voluminoze hidrofobe, krijojnë bashkëveprime të fuqishme sidomos kur grupet aromatike
vendosen njëri sipër tjetrit.
Tek metionina (Met), atomi i squfurit angazhohet në një lidhje tioetere (-S-CH3).

Aminoacidet me radikal R polar asnjanës (pa ngarkesë elektrike)


Në këtë grup futen shtatë aminoacide, radikalet e të cilëve janë më të tretshëm në ujë (hidrofil)
sepse përmbajnë grupe funksionale që formojnë lidhje hidrogjenore me ujin.
Polariteti i serinës (Ser), treoninës (Thr) dhe tirozinës (Tyr), i detyrohet pranisë së grupit
hidroksil (-OH) ne vargun lateral R.
Polariteti i asparaginës (Asn) dhe glutamines (Gln), i detyrohet pranisë në vargun lateral te
funksionit amid ndërsa polariteti i cisteinës (Cys) lidhet me praninë në vargun lateral të saj
të grupit sulfhidrik ose tiol (-SH). Grupi tiol i cisteinës dhe hidroksifenolik i tirozinës i
lëshojnë protonet më lehtë se grupet polare të aminoacideve të tjerë të këtij grupi. Megjithatë,
në pH 7 këto aminoacide janë shumë pak të disociuar.
Në këtë grup bën pjesë dhe glicina (Gly), radikali i së cilës eshte një atom hidrogjeni. Ndryshe
nga aminoacidet e tjetra, glicina nuk ka izomerë optikë. Prania e saj në molekulën proteinike
i jep kësaj të fundit fleksibilitet të lartë struktural për shkak të përmasave të vogla të radikalit.
Grupi sulfhidril i cisteinës është shumë reaktiv. Ai luan rol të veçantë në arkitekturën e disa
proteinave duke formuar ura kovalente disulfure. Nga oksidimi i dy cisteinave, formohet
cistina, një aminoacid dimerik.

Treonina (aa i grupit të dytë) dhe izoleucina (aa i grupit të parë) kanë dy qendra asimetrie.

Aminoacide me radikal R të ngarkuar pozitivisht (bazike)


Në këtë grup futen aminoacidet, grupi R i të cilave ka ngarkesë neto positive në pH 7. Ato
janë:
− Lizina (Lys) – ka një grup të dytë aminë të vendosur në pozicionin ε të vargut R
− Arginina (Arg) – ka grupin guanidik bazik në radikal
− Histidina (His) – ka grupi imidazol në radikal
Vargjet laterale të lizinës dhe argininës janë më të gjatët në 20 aminoacidet standart. Grupi
imidazol i histidinës ka veti bazike të dobëta. Histidina mund të jetë e ngarkuar ose pa
ngarkesë në varësi të mjedisit lokal. Për këtë arsye histidina gjendet shpesh në qendrat aktive
të enzimave ku unaza imidazol mund të kalojë lehtë nga njëra gjendje në tjetrën për të
katalizuar formimin ose këputjen e lidhjeve.

Aminoacide me radikal R të ngarkuar negativisht (acide)


Në këtë grup futen aminoacidet që kanë varg lateral acid. Ato janë acidi aspartik (Asp) dhe
acidi glutaminik (Glu). Për këto dy aminoacide përdorim zakonisht emërtimet aspartat dhe
glutamat për të insistuar në faktin se R e tyre janë të ngarkuar negativisht në pH fiziologjik.
Asparagina dhe glutamina të përmendura në grupin e dytë janë në fakt derivate amide të
aspartatit dhe glutamatit. Në mjedis acid ose bazik ato hidrolizohen lehtë në pararendësit e
tyre.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 4


Figura 3: Klasifikimi i aminoacideve
Struktura Emërtimi Karakteristikat pK1 pK2 pKR
kimike të R
Aminoacide me radikal R jopolar (hidrofob)
Alanina R hidrokarbur alifatik
2.3 9.7
Ala

Valina R hidrokarbur alifatik


2.3 9.6
Val

Leucina R hidrokarbur alifatik


2.4 9.6
Leu

Izoleucina R hidrokarbur alifatik


2.4 9.7
Ile

Prolina R hidrokarbur alifatik


Iminoacid 2.0 10.6
Pro

Metionina R përmban squfur (S)


2.3 9.2
Met

Fenilalanina R – grup aromatic


1.8 9.1
Phe

Triptofani R – grup aromatic


2.4 9.4
Trp

Aminoacide me radikal R polar asnjanës (pa ngarkesë elektrike)


Serina R përmban grup
–OH 2.2 9.2
Ser
Treonina R përmban grup
–OH 2.6 10.4
Thr

Prof. Asc. Etleva Refatllari 5


Tirozina R përmban grup
–OH (hidroksifenolik) 2.2 9.1 10.1
Tyr
R – grup aromatic

Asparagina R përmban funksion


amid 2.0 8.8
Asn – CO – NH2

Glutamina R përmban funksion


amid 2.2 9.1
Gln – CO – NH2

Glicina R – është një atom H


2.3 9.6
Gly

Cisteina R përmban grup tiol –


SH 1.7 10.8 8.3
Cys

Aminoacide me radikal R të ngarkuar pozitivisht (bazike)


Lizina R përmban grup amine
– NH3 2.2 9.0 10.5
Lys

Histidina R përmban grup


imidazol 1.8 9.2 6.0
His

Arginina R përmban grup


guanidik 2.2 9.0 12.5
Arg

Aminoacide me radikal R të ngarkuar negativisht (acide)


Aspartat R përmban grup
karboksil – COOH 2.1 9.8 3.9
Asp

Prof. Asc. Etleva Refatllari 6


Glutamat R përmban grup
karboksil – COOH 2.2 9.7 4.3
Glu

Aminoacidet e rrallë të proteinave


Aa e rrallë të proteinave janë derivate të aminoacideve standarte që formohen nga reaksione
modifikimi kimik të aa standart, që ndodhin pas përfundimit të sintezës së vargut proteinik.
Asnjë prej tyre nuk hyn në strukturën proteinike gjatë sintezës ribozomale (Përjashtim
selenocisteina).

Modifikimet lidhen me funksionin e specializuar të proteinave. Më poshtë po rendisim disa


shembuj modifikimi kimik :
− Acetilimi – grupet N-fundore të shumë proteinave acetilohen duke i bërë ato më rezistente
ndaj degradimit.
− Hidroksilimi – Hidroksiprolina, Hidroksilizina gjenden në mol. e kolagjenit. Grupet OH
të shtuara stabilizojnë fibrat e kolagjenit. Domethënia biologjike e këtyre modifikimeve
është evidente në skorbut (deficiti i vit C shoqërohet me hidroksilim të pamjaftueshëm).
− Fosforilimi – Aminoacidet që kanë grup OH në radikal mund të fosforilohen në proteina.
Fosfoserina, Fosfotirozina, Fosfotreonina gjenden në një seri proteinash me funksion
rregullator (fosforilimi është i kthyeshëm).
− Derivate të tjerë:
• Desmozina – molekulë mjaft e ndërlikuar, derivat i katër mbetjeve lizinë; gjendet tek
proteina fibroze elastinë.
• γ-karboksiglutamati – gjendet në molekulën e protrombinës dhe disa proteina që
fiksojnë kalciumin.
• Selenocisteina – ka strukturë identike me serinën por përmban selenium në vend të
oksigjenit. Gjendet tek enzima glutation peroksidazë.

Aminoacidet joproteinike
Në qeliza gjenden dhe rreth 300 aminoacide të tjera me funksione të ndryshme por që nuk
ndodhen në përbërje të proteinave. Ndërmjet tyre përmendim ornitinënë dhe citrulinën,
intermediarë të rëndësishëm në biosintezën e argininës dhe në ciklin e uresë.

Vetitë acido bazike të aminoacideve


Njohja e vetive acido bazike të aminoacideve ka rëndësi të madhe për të kuptuar vetitë fizike
e biologjike të proteinave. Përpara se të shpjegojmë sjelljen e aminoacideve në mjedis me
vlera të ndryshme pH, le të kujtojmë disa përkufizime:
• Acid – dhurues protonesh Acid = Bazë + H+
• Bazë – marrës protonesh
• pH – përqëndrimi i joneve H+
• pK – pH në të cilin grupi acid është ½ i disociuar. Mat tendencën e grupit për të lëshuar protonin
• Fuqia tampone – aftësia e ciftit acid-bazë për t‘i rezistuar ndryshimeve të pH

Prof. Asc. Etleva Refatllari 7


• Kurba e titrimit – jep ndryshimin e pH në funksion të ekuivalentëve OH- të shtuar. Gjatë titrimit,
cdo molekulë bazë e shtuar provokon eliminimin e një protoni. Cdo kurbë ka një pikë infleksioni
(ndërron drejtimin) që i korrespondon pK së acidit. Në afërsi të kësaj vlere pH, shtimi i sasive të
mëdha OH provokon vetëm ndryshime të vogla pH. Rreth vlerave të pK aminoacidi shfaq veti
tampone.
• Ekuilibri i jonizimit të një acidi të dobët HA↔ H+ + A-
• Ekuacioni Henderson-Hasselbalch pH = pK + log [A-] / [HA]

Në solucion ujor, aa sillet si jon dipolar; reagon ose si acid ose si bazë.
a)Acid – dhurues protoni b) Baze – kapës protoni

Gjatë titrimit të një aa monoaminomonokarboksilik clirimi i protoneve ndodh sipas rendit të


mëposhtëm:

Kurba e titrimit të një aminoacidi monoaminomonokarboksilik paraqitet me dy etapa të


dallueshme. Secila prej tyre i korrespondon eliminimit të një protoni. Figura e mëposhtme jep
shembullin e kurbës së titrimit të glicinës.

− Në fillim të kurbës (pH i ulur) aa është teresisht i protonuar ( NH3+, COOH) dhe ka ngarkese
pozitive.
− Gjate titrimit shtojme OH ne solucion; Grupet acide fillojne te clirojne protonet. I pari leshon
protonin grupi COOH.
− Ne vleren e pH=pK1 (pK1= pK e grupit karboksil) gjysma e grupeve COOH ne solucion jane te
protonuar (COOH) ndersa gjysma tjeter te disociuar (COO-).
− Ne vleren e pH=pI grupi karboksil eshte i teri i deprotonuar (COO-). Ne kete vlere pH aa paraqitet
pa ngarkese.
− Pas pI, fillon te disociohet gupi aminik.
− Ne vleren e pH=pK2 (pK2=pK e grupit aminik) gjysma e grupeve NH3 ne solucion jane te protonuar
(NH3+) ndersa gjysma tjeter te disociuar (NH2). Mbi vleren e pK2 i gjithe grupi aminik do te
disociohet (NH2).
Nga kurba e titrimit marrim disa informacione të rëndësishme:
− Gjejmë pK e secilit grup:
• pK1=pKαCOOH
• pK2=pKNH2
− Konstatojme se grupi COOH i Gly është më acid se ai i acideve organike si ac. acetik. Ky
efekt provokohet nga pozicionimi shumë afër i grupit aminik; ngarkesa pozitive e këtij të
fundit e bën më të jonizueshëm grupin alfa karboksil.
− Konstatojme qe aa ka dy zona tampone që korrespondojnë me zonat e sheshta të kurbës
rreth vlerave të pK.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 8


− Gjejmë pI (pikën izoelektrike të aminoacidit) dhe relacionin që ekziston midis ngarkesës
neto të aa dhe pH të solucionit. pI=1/2 (pK1 + pK2)
Aminoacidet ndryshojnë nga njëri tjetri nga vetitë e tyre acidobazike. Të gjithë aminoacidet
që nuk kanë grupe të jonizueshme në radikal, kanë kurba titrimi të ngjashme me glicinën.
Vlerat e pK1 gjenden rreth pH 1.8 – 2.4 dhe vlerat e pK2 gjenden rreth pH 8.8 – 11.
Aminoacidet me radikal (R) të jonizueshëm, kanë kurba titrimi më komplekse. Ato kanë
kurba titrimi me tre etapa dhe tre pK (shtohet pKR = pK e radikalit). Stadi i tretë i jonizimit
që i takon radikalit, fuzionohet me stadin e parë (për aa acide) ose të dytë (për aa bazike).
Histidina ka një kurbë karakteristike; pKR e grupit imidazol ndodhet ndërmjet pK1 dhe pK2.
His është i vetmi aa me fuqi tampone në pH fiziologjik (pKR = 6; më afer pH fiziologjik). Të
gjithë aminoacidet e tjerë kanë vlera pK shumë larg pH 7 (shih tabelën e klasifikimit) ndaj
nuk janë tamponë në kushte fiziologjike.
Llogaritja e pikës izoelektrike për aminoacidet me radikal të ngarkuar bëhet sipas formulave
të mëposhtme:
pI aa acide = ½ (pK1 + pKR)
pI aa bazike = ½ (pK2 + pKR)
Në përfundim mund të themi se: të gjithë aa janë të ngarkuar pozitivisht nën pikën
izoelektrike dhe negativisht në vlera pH mbi pikën izoelektrike; madhesia e ngarkeses se aa
është proporcionale me diferencen midis pH të solucionit dhe pI së aa.

Spektri i absorbimit të aminoacideve


Aa me unazë aromatike në strukturë (Trp, Tyr dhe shumë pak Phe) absorbojnë në λ 280nm.

Reaksionet kimike karakteristike të aminoacideve


Reaksionet kimike në të cilat marrin pjesë aminoacidet kanë lidhje me grupet funksionale
karakteristike të tyre. Grupet aminë të aminoacideve mund të acetilohen ndërsa ato karboksile
mund të esterifikohen. Reaksioni më i rëndësishëm është reaksioni i ninhidrinës i cili përdoret
për detektimin dhe matjen sasiore të sasive shumë të vogla të aminoacideve. Kur aminoacidet
ngrohen në prani të ninhidrinës, japin një produkt me ngjyrë të purpurt (bën përjashtim prolina
që jep ngjyrë të verdhë). Intensiteti i ngjyrimit do të jetë proporcional me përqëndrimin e
aminoacideve.

1.3. Organizimi strukturor i molekules proteinike

Peptidet dhe proteinat janë polimerë të aminoacideve. Nuk ka ndonjë ndarje të qartë në
përkufizimin e këtyre dy termave. Shpesh i përdorim si sinonime të njëri tjetrit. Përgjithësisht
termi polipeptid përdoret për struktura që kanë peshë molekulare më të vogël se 10000 Da
ndërsa për struktura më të mëdha përdoret emërtimi proteina. Aktiviteti biologjik nuk lidhet
me numrin e aminoacideve. Hormoni TRH i hipotalamusit ka vetëm 3 aminoacide (është
tripeptid) dhe ka aktivitet te dallueshëm biologjik. Proteinat në përgjithësi kanë nga 50 deri në
2000 aminoacide.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 9


Struktura primare e proteinave
Struktura primare e proteinave është radhitja e aminoacideve në një varg linear. Aminoacidet
lidhen me njëri tjetrin me lidhje peptidike duke formuar një varg të padegëzuar. Lidhja
peptidike është lidhja kovalente që krijohet midis dy aminoacideve të njëpasnjëshëm në varg.
Në formimin e lidhjes marrin pjesë grupi karboksil i aminoacidit të parë dhe grupi aminik i
aminoacidit të dytë. Gjatë reaksionit të kondensimit midis këtyre dy grupeve largohet një
molekulë ujë. Reaksioni kërkon energji. Figura e mëposhtme tregon reaksionin e formimit të
një lidhjeje peptidike dhe karakteristikat e saj.

Karakteristikat e lidhjes peptidike jane:


1. Lidhja peptidike eshte nje lidhje amide (C-C-N-C)
2. Eshte me e shkurter se lidhja C-N e thjeshte (0.132nm kundrejt 0.146nm).
3. Eshte nje lidhje rigide dhe planare.
4. Atomet shoqeruese te lidhjes vendosen ne te njejtin plan.
5. Oksigjeni i grupit karbonil dhe hidrogjeni i amidit jane ne pozicion trans.
6. Lidhja peptidike nuk rrotullohet dhe ka karakter te pjesshem te lidhjes dyfishe.
Njësitë aminoacidike në brendësi të vargut polipeptidik emërtohen mbetje të aminoacideve.
Aminoacidi që vendoset i pari në radhë ka të lirë grupin alfa aminik dhe emërtohet aminoacid
azot fundor (N-fundor), ndërsa aminoacidi i fundit në radhë ka të lirë grupin karboksil dhe
emërtohet karbon fundor (C-fundor). Në një sekuencë aminoacidesh , i pari në radhë shkruhet
aminoacidi azot fundor. Një peptid mund ta shkruajmë duke shfrytëzuar inicialet me tre gërma
të aminoacideve. Kështu në peptidin Asp-Arg-Val-Tyr-Ile-His-Pro-Phe-His-Leu
aminoacidi i parë (N-fundor) është acidi aspartik (Asp) ndërsa i fundit (C-fundor) leucina
(Leu). Ky peptid me 10 aminoacide është hormoni angiotensinë me efekte të fuqishme në
presionin e gjakut.
Përbërja në aminoacide e një molekule proteinike, ka efekte të rëndësishme në vetitë fizike
dhe kimike të proteinave. Proteinat e pasura në aminoacide me radikale hidrofobe janë
relativisht të patretshme në ujë por janë më të tretshme në membranat biologjike. Proteinat e
pasura në aminoacide polare janë më të tretshme në ujë. Balanca midis mbetjeve të radikaleve
acide dhe bazike në një proteinë përcakton pikën izoelektrike të saj. Studimi i sekuencës është
dhe pjesë e patologjisë molekulare (shih hemoglobinën).
Shembull:Struktura primare e insulinës humane ngjan me insulinat e specieve të tjera; mbetjet e
aminoacideve janë pothuaj identike në të gjitha pozicionet me përjashtim të pozicioneve A8, A9, A10,
B30. Megjithë diferencat në këto pozicione, funksioni biologjik është i njëjtë. Me sa duket këto
aminoacide nuk janë vendimtare për funksionin e insulinës por janë pjesë e identitetit të species. Për
këtë arsye ndonjëherë trajtimi me insulinë të derrit apo të kaut mund të nxisë përgjigje alergjike tek
njeriu (rezistencë ndaj insulinës, Ac antiinsulinike), pasi kjo proteinë e një specie tjetër falë
ndryshimeve në sekuencën e aminoacideve që përmendëm më sipër perceptohet si e huaj për
organizmin.

Struktura sekondare
Struktura sekondare e proteinave i referohet strukturës lokale të proteinave dhe ka të bëjë me
raportet hapësinore që krijohen midis aminoacideve që ndodhen afër njëri tjetrit në sekuencën
lineare. Pas krijimit të strukturës primare, vargu polipeptidik tenton të paloset. Si bëhet e
mundur palosja tridimensionale kur lidhja peptidike e vendosur midis aminoacideve është një
lidhje e ngurtë? Eshtë vërtetuar se dy planet e lidhjeve peptidike fqinjë mund të zhvendosen
njëri kundrejt tjetrit si në figurë. Lidhjet N – Cα dhe C – Cα mund të rrotullohen me kënde
Prof. Asc. Etleva Refatllari 10
respektivisht φ(fi) dhe ψ(psi). Zhvendosja e planeve krijon mundësine e bashkëveprimeve
lokale të strukturës sekondare.

Lidhja kimike që stabilizon strukturën sekondare ështe lidhja hidrogjenore e vendosur midis
oksigjenit (të lidhur me C) të njërës lidhje peptidike me hidrogjenin (e lidhur me azotin) e
lidhjes peptidike fqinjë. Njihen dy tipe të strukturës sekondare, helika alfa dhe struktura beta
e fletës së palosur.
Helika alfa ka pamjen e një spirali në të cilin radikalet e aminoacideve pozicionohen jashtë
aksit të tij. Lidhja hidrogjenore vendoset midis lidhjeve peptidike të aminoacidit të parë dhe
të katërt. Në çdo tur të helikës ndodhen 3,6 aminoacide. Helika alfa ka hap të djathtë. Ka një
seri faktorësh që mund të destabilizojnë helikën alfa si prania e aminoacidit prolinë (krijon
përthyerje, kënd), vendosja pranë njeri tjetrit (gjatë rrotullimit në helikë) e radikaleve me
dimensione të mëdha ose ngarkesë elektrike të njëjtë të cilët tentojnë të shtyjnë njëri tjetrin
etj. Helika alfa është strukturë mjaft e përhapur në natyrë. Ajo është strukturë dominuese në
keratinat alfa. Rreth ¼ e aminoacideve në proteinat globulare formon gjithashtu helikë alfa.
Figura e meposhtme paraqet skematikisht heliken alfa.

Struktura beta, ndryshe nga helika alfa paraqitet si një strukturë e shtrirë e palosur në trajtë
zig-zak (lidhjet C-C janë tetrahedrale dhe nuk lejojnë konfiguracionin planar). Lidhjet
hidrogjenore vendosen midis lidhjeve peptidike të vargjeve që ndodhen përballë njëri tjetrit
(shih figurën). Nëse këto vargje kanë të njëjtin drejtim (të dy N→C ose të dy C→N) struktura
quhet paralele, ndërsa nëse kanë drejtim të kundërt (njëri N→C, tjetri C→N) struktura quhet
antiparalele. Në vendet ku vargu kryesor ndërron drejtim, shfaqet i ashtuquajturi kënd beta.
Në këtë zonë ndodhen më shpesh aminoacidet glicinë dhe prolinë.

Str. antiparalele Str. paralele

Superstrukturat sekondare – modeli i kolagjeni


Kolagjenet përbëjnë rreth 25% të proteinave tek organizmat vertebrore. Në inde të ndryshme,
gjenden lloje të ndryshme kolagjenesh që organizohen nga pikpamja hapësinore dhe

Prof. Asc. Etleva Refatllari 11


strukturale në mënyrë specifike sipas funksionit të indit. Kështu, kockat dhe dhëmbët
përbëhen nga kolagjen kryesisht i tipit të parë dhe një agregat
fosfati kalçik. Kolagjeni i kornesë organizohet në mënyrë të tillë
që krijon një strukturë pothuaj kristaline dhe transparente.
Kolagjeni i lëkurës ka konformacion të shtrirë që i lejon
tërheqjen në të gjitha drejtimet. Në vazat e gjakut, fibrat e
kolagjenit organizohen në trajtë rrjetash helikoidale dhe shumë
elastike.
Kolagjenet janë:
• Familje proteinash fibroze që gjenden në të gjithë
organizmat multiqelizore
• Paraqitet në trajtën e fibrave të patretshme me rezistencë të lartë në tërheqje
• Elementi kryesor i lëkurës, kockave, tendineve, kartilagove, pareteve të vazave të
gjakut, dhëmbëve
• Në indet e maturuara ka rol struktural ndërsa në indet në zhvillim, vec rolit struktural
ka dhe rol drejtues
TIPI PERBERJA SHPERNDARJA
I [α1 (I)]2 α2 (1) Lëkurë, tendine, kocka, korne
II [α1 (II)]3 Kartilago, disk intervertebror, c.vitreum
III [α1 (III)]3 Lëkurë (fetus), sistem kardiovaskular
IV [α1 (IV)]2 α2 (IV) Membrana bazale
V [α1 (V)]2 α2 (V) Placentë, lëkurë

Njësia strukturale kolagjenit është molekula e tropokolagjenit. Tropokolagjeni është:


• superhelikë e trefishtë (285kD)
• ka formë shkopi (H=3000Å,φ=15Å)
• përbëhet nga 3 vargje polipeptidike të të njejtit dimension
• është shumë rezistente ( fija me φ=1mm mban deri 10kg)
• konformacioni i vargut të veçuar është HELIKE (sens i djathtë) (fig a)
• 3 helika rrotullohen rreth njëra tjetrës për të formuar një kabëll rigid
(sensi i kundërt) (fig a dhe b)
Helika e kolagjenit eshte më e shtrirë se helika alfa. Ajo stabilizohet nga repulsioni (shtytja)
i unazave të Pro. Lidhjet hidrogjenore vendosen midis 3 vargjeve që formojnë superhelikën.
NH amide të mbetjeve glicinë të vendosura gjatë aksit central të helikës së trefishtë formojnë
ura hidrogjenore me CO amide të mbetjeve (kryesisht Pro) të vargut fqinjë.
Përbërja aminoacidike në molekulën e kolagjenit
Gly- glicina
• 1/3 e aa në molekulën e kolagjenit (Hb 5%)
• Ze pak vend dhe nuk pengon shoqërimin e disa vargjeve polipeptidike (i vetmi aa që mund
të vendoset në brendësi)
• Mutacioni i një mbetje Gly = sëmundje
Pro-prolina
• 13% e aa në molekulën e kolagjenit
• Repulsioni sterik i unazave pirolidon të mbetjeve Pro stabilizon helikën e kolagjenit
Derivatet Hyp (4-hidroksiprolina) dhe Hyl (5-hidroksilizina)
• Modifikimi kryhet në mbetjet Pro dhe Lys të vendosura në skajin amine të Gly

Prof. Asc. Etleva Refatllari 12


• Enzimat (prolilhidroksilaza, lysilhidroksilaza) janë dioksigjenaza që kërkojnë O2,
vitaminën C dhe α-ketoglutarat
• Grupet OH të Hyp marrin pjesë në krijimin e rrjetës së lidhjeve hidrogjenore që
stabilizojnë helikën e trefishtë
• Hyl lidh në mënyrë kovalente njësi glucidike (para formimit të helikës)
• Lidhjet e kryqëzuara jane lidhje kovalente të veçanta qe vendosen midis fibrave te
tropokolagjenit pingul me boshtin gjatësor të tyre. Në formimin e tyre marrin pjesë Hyl
dhe Lys.

Struktura terciare
Struktura terciare është niveli më i lartë i organizimit për proteinat që kanë vetëm një varg
polipeptidik. Ajo ka të bëjë me raportet hapësinore që krijohen midis aminoacideve që
ndodhen larg njëri tjetrit në sekuencën primare. Struktura terciare e proteinës është në fakt,
struktura tridimensionale e plotë e molekulës proteinike pas palosjes. Ndryshe e quajmë
konformacion të proteinës. Secila proteinë ka një konformacion të veçantë me funksion
biologjik specifik që e quajmë konformacioni nativ i proteinës.
Lidhjet që stabilizojnë strukturën terciare janë lidhje që vendosen midis grupeve R të
aminoacideve:
− Lidhja hidrogjenore – lidhje direksionale (H mes dy atomesh)
− Lidhjet elektrostatike – bashkëveprime midis grupeve të ngarkuara
− Lidhjet hidrofobe – molekula ose grupe jopolare tentojnë të agregohen në mjedis ujor
− Forcat e Van der Wals – forca jospecifike tërheqëse që identifikohen kur distanca mes
dy atomeve është 3-4Å
− Urat disulfure – lidhje kovalente që krijohet nga kondensimi i mbetjeve –SH të dy
molekulave cisteinë; formohet në këtë mënyrë derivati cistinë.
Si realizohet palosja tredimensionale dhe përse proteinat shfaqen vetëm me një strukturë
terciare, konformacionin nativ? Në fakt mundësitë e bashkëveprimeve midis radikaleve të
aminoacideve në një molekulë proteinike janë të shumta. P.sh. nëse në një proteinë ndodhen
një mbetje Arg, një Lys dhe një Asp, ky i fundit mund të lidhet qoftë me Arg qoftë me Lys.
Megjithatë në proteinën native mund të jetë e pranishme vetëm njëra lidhje. Eshtë vërtetuar
eksperimentalisht se informacioni për palosjen tridimensionale të molekulës proteinike është
në strukturën primare, pra në radhitjen e aminoacideve. Eshtë kjo radhitje e përcaktuar
gjenetikisht që bën të mundur parashikimin e bashkëveprimeve të mundura dhe të pamundura
midis radikaleve dhe rrjedhimisht parashikon strukturën terciare dhe funksionin e proteinës.
Nga ana tjetër është vërtetuar se konformacioni nativ është struktura më e qëndrueshme nga
pikpamja termodinamike. Denatyrimi është një proces që shoqërohet me prishjen e strukturës
tridimensionale të proteinës, humbjen e funksionit por pa dëmtim të strukturës primare
(lidhjes peptidike).
Akoma sot, për një pjesë proteinash nuk është i qartë mekanizmi molekular i kalimit nga
struktura primare në atë sekondare dhe terciare. Megjithatë janë propozuar dy modele të cilat
janë vërtetuar për një sërë proteinash. Modeli i parë quhet modeli hierarkik sipas të cilit pas
krijimit të strukturës primare ndodhin bashkëveprimet lokale që krijojnë segmente të
strukturës terciare dhe më pas ndodhin bashkëveprimet në distancë midis radikaleve të
mbetjeve të aminoacideve të largët për krijimin e strukturës terciare. Modeli i dytë quhet
ndryshe dhe modeli i kolapsit spontan pasi sipas këtij modeli, pas krijimit të strukturës
primare, vargu proteinik bie menjëherë në konformacionin me energji minimale që është
struktura terciare.

Struktura kuaternare
Struktura kuaternare e proteinave është niveli më i lartë i organizimit për proteina që kanë më
shumë se një varg polipeptidik. Ajo i referohet vendosjes hapësinore dhe bashkeveprimeve të

Prof. Asc. Etleva Refatllari 13


polipeptideve ose nënnjësive në brendësi të një proteine. Stabilizohet nga të njëjtat lidhje që
stabilizojne strukturën terciare me përjashtim të urave disulfure.
Hemoglobina është proteinë me strukturë kuaternare pasi ka katër vargje polipeptidike.
Ndërsa insulina është molekulë me strukturë terciare. Ajo prodhohet si një varg i vetëm
proteinik, paloset në strukturë terciare duke formuar dhe ura disulfure specifike. Gjatë
aktivizimit funksional të insulinës, prej vargut të plotë shkeputet një segment që quhet peptidi
C duke e lënë vargun me dy peptide, përkatësisht A dhe B.
Figura e mëposhtme përmbledh 4 nivelet e organizimit të molekulave proteinike.

1.4. Proteinat e transportit te oksigjenit; mioglobina(Mb), hemoglobina(Hb)


Hemoglobina dhe mioglobina janë molekula që sigurojnë transportin e O2 (O2 eshte gaz i
patretshëm në ujë). Mb gjendet ne muskul dhe siguron rezervën e O2. Ajo lehtëson
transportin e O2 në qelizën muskulare. Hb gjendet ne eritrocite (RBC). Nje eritrocit mban
deri 640milion molekula Hb. Ajo transporton O2 nga pulmonet në inde dhe CO2 nga indet në
pulmone.

Mioglobina Hemoglobina

Struktura e Mioglobines
Mioglobina eshte nje hemoproteinë. Ajo paraqitet si molekulë kompakte në brendësi te te
ciles ka pothuajse vetëm mbetje te aminoacideve apolare. Keto mbetje formojne nje xhep
hidrofob ku vendoset grupi prostetik. Grupi prostetik i mioglobines eshte HEMI, nje
protoporfirinë qe ka ne qender atomin e hekurit (Fe). Hekuri tek mioglobina dhe tek
hemoglobina mund te jete dy valent Fe2+, dhe formon ferroMb ose ferroHb (lidh O2), ose tre
valent Fe3+, dhe formon ferriMb ose ferriH.
Mioglobina ka vetem nje varg polipeptidik te quajtur Globine. Vargu i mioglobines ka 153
aminoacide te cilat formojne 8 segmente α-heliksi. 78% e molekules se mioglobines eshte e
organizuar si alfa helike. Keto segmente emertohen me germat e alfabetit A, B, C, D, E, F, G,
dhe H. Emërtimi i aminoacideve ne varg mund të bëhet sipas sekuencës, pra vendosjes ne varg
(p.sh. His 93) ose sipas pozicionit në segment (p.sh. His F8). Emërtimi i këndeve bazohet ne
segmentet qe formojne kendin, p.sh. AB (kendi midis segmentit A dhe B), CD, EF etj.
Lidhja e O2
Atomi i hekurit (Fe), ka 6 lidhje koordinative:
• 4 lidhje angazhohen me atomet e azotit (N) e unazave pirrole te protopotfirines
• 1 lidhje atomi i hekurit e ka His F8 qe quhet dhe His proksimale.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 14


• 1 lidhje mund te vendoset me O2 duke formuar oksiMb, me H2O (dhe formon ferriMb)
ose mund te mbetet bosh si tek deoksiMb.
Lidhja me Histidinen proksimale eshte i vetmi vend ku hemi lidhet me vargun peptidik te
globines. Hemi paraqitet si nje plan i sheshte. Vendi i lidhjes së O2 ndodhet në anën tjetër të
planit të hemit në raport me His F8. Ne anen ku lidhet oksigjeni ndodhet nje molekule tjeter
histidine , His E7 ose distale e cila kufizon hapesiren e lidhjes duke penguar fiksimin ne kete
vend te gazeve te demshme si monoksidi i karbonit, CO etj. Lidhja e O2 është e kthyeshme
dhe influencohet nga struktura proteinike; kurba e disocimit të oksi Mb është hiperbolë.

Struktura e hemoglobines
Hemoglobina (Hb) përbëhet nga pjesa proteinike e quajtur globinë dhe grupi prostetik, Hemi.
Hemi dhe Globina prodhohen në zona të ndryshme të qelizës përmes procesesh të
sinkronizuara. Hemi sintetizohet ne mitokondre ndersa globina ne poliribozom.
Cdo Hb ka 4 vargje globinike 2 e nga 2 të ngjashëm. Hb ndryshojnë nga tipi i vargjeve
globinike Njihen 6 vargje globinike funksionale të koduar nga:
Kromozomi 11 (krahu i shkurtër) – β,γ,δ,ε.
Kromozomi 16 (krahu i shkurtër) – α , ζ
Sinteza e globinës fillon në javën e tretë të jetës intrauterine. Vargjet ε(epsilon) dhe ζ(zeta),
nuk prodhohet me pas muajit te trete te jetes intrauterine.
Ne periudhen fetale prodhohen kryesisht vargjet α (alfa)
dhe γ(gama), ndersa pas lindjes prodhohen kryesisht
vargjet α (alfa), δ(delta) dhe β(beta). Nga kombinimi i
vargjeve te permendura me siper formohen ne periudha te
ndryshme hemoglobinat:
• HbF, hemoglobina fetale qe perbehet nga dy
vargje alfa dhe dy gama, α2γ2
• HbA, hemoglobina kryesore adulte qe perbehet
nga dy vargje alfa dhe dy beta, α2β2
• HbA2, hemoglobina minore adulte qe perbehet
nga dy vargje alfa dhe dy delta, α2δ2
Pas muajit te gjashte te jetes, ne gjakun normal duhet te kete:
• HbA rreth 97%
• HbA2 me pak se 3.4%
• HbF me pak se 1%

Hemoglobina A, HbA
HbA eshte hemoglobina kryesore adulte qe ndertohet nga 4 vargje polipeptidike 2α (141aa),
2β (146aa). Struktura terciare e secilit varg te hemoglobines ngjan me vargun e mioglobines;
Konformacioni eshte i njejte. Në secilin varg, ashtu si tek mioglobina krijohet nje xhep
hidrofob midis segmenteve E dhe F. Ne kete xhep vendoset grupi prostetik, hemi. Lidhjet e
hekurit tek nje varg i hemoglobines jane te njejta me lidhjet e pershkruara tek mioglobina.
Hemoglobina eshte nje proteine me strukture kuaternare. Vargjet alfa dhe beta te
hemoglobines bashkeveprojne me njeri tjetrin ne siperfaqet e kontaktit midis tyre. Radikalet
e aminoacideve bashkeveprojne me lidhje te dobeta me te rendesishmet prej te cilave jane
lidhjet “kripore“ (lidhje midis radikaleve te jonizuara – shih figuren e meposhtme).

Prof. Asc. Etleva Refatllari 15


Lidhja e oksigjenit me hemoglobinen dhe faktoret qe ndikojne ne te

Kurba e Mb eshte hiperbole; Kurba e Hb eshte sigmoide


Lidhja e oksigjenit tek hemoglobina njihet si proces oksigjenimi, jo oksidimi pasi oksigjeni
nuk modifikon kimikisht hemoglobinen. Nje molekule Hb lidh deri 4 molekula O2.
Kurba e fiksimit të O2 tek hemoglobina eshte sigmoide dhe shpreh bashkeveprimin kooperativ
midis nennjesive gjate fiksimit te oksigjenit. Hb ka dy gjendje konformacionale:
• Gjendja R(e relaksuar) me afinitet te lartë për O2. Tek hemoglobina ne gjendjen R,
mungojnë lidhjet kripore midis vargjeve.
• Gjendja T(e tendosur) me afinitet te ulët për O2. Ne kete konformacion jane të pranishme
urat kripore midis vargjeve.
Gjatë oksigjenimit, molekula e oksigjenit qe lidhet me atomin e hekurit e terheq kete te fundit
duke e zhvendosur. Fe “zhytet“ në planin e hemit dhe tërheq gjatë zhvendosjes His F8. Me
His F8 zhvendoset i gjithe vargu peptidik. Kjo zhvendosje ben qe te këputen urat kripore midis
vargjeve. Ekuilibri kalon nga T në R, pra vargu fqinje e kap me lehte oksigjenin.

Pozicioni normal i kurbës varet nga pH, [CO2] në RBC, struktura e Hb dhe përqëndrimi i 2,3
DPG (2.3difosfogliceratit). Faktoret qe rrisin afinitetin e Hb per oksigjenin (O2 clirohet me
veshtiresi) jane:
• Përqëndrimi i ulët i 2,3 DPG
• HbF (nuk njeh DPG si efektor)
Faktoret qe ulin afinitetin e Hb per oksigjenin (clirim më i lehtë i O2) jane:
• [2,3 DPG] i lartë (ul afinitetin e Hb per O2)
• Rritja e përqëndrimit të H+ (ulja e pH)
• Rritja e përqëndrimit të CO2
• HbS
2,3 DPG lidhet në një kavitet që ndodhet midis dy nënnjesive beta të HbA dhe stabilizon
gjendjen me afinitet të ulur të Hb për O2 (deoksiHb – konformacionin T).
Veprimi i H+ dhe CO2 njihet si efekti Bohr. Protonet dhe dioksidi i karbonit kur lidhen tek
hemoglobina, favorizojnë clirimin e O2. H+ lidhet me mbetjet aminoacideve acide ndersa CO2
lidhet si karbamat me grupin N fundor të vargjeve të globinës.
Ne inde gjate metabolizmit qelizor prodhohen jone hidrogjen dhe dioksid karboni. Ato
difuzojne ne eritrocit dhe lidhen me Hb ne menyre te pavarur nga oksigjeni. Por pasi lidhen,
ato induktojne ndryshime te konformacionit te hemoglobines duke ulur afinitetin e saj per
oksigjenin. Keshtu hemoglobina e cliron oksigjenin ne inde duke siguruar ushqimin e tyre me
oksigjen.

Prof. Asc. Etleva Refatllari 16


Hb fetale (HbF) nuk e njeh DPG si efektor (nuk ka varg beta). Për pasojë, HbF ka afinitet më
të lartë për O2 se HbA. Në nivel të placentës, O2 kalon nga gjaku i nënës(HbA) tek gjaku i
fëmijës(HbF). Por prania e HbF në jetën adulte shoqërohet me mosoksigjenim të mirë të
indeve pasi HbF e kap lehtë O2 por e cliron me vështirësi në inde).

Patologjia molekulare e hemoglobines


Patologjite molekulare te hemoglobines mund te permblidhen ne sindromat talasemike dhe
hemoglobinopatite.
Me termin Talasemi kuptojme defektin e sintezës së vargjeve të globinës; mungesë totale
ose e pjesshme e njërit varg. Ne varesi te vargut qe mungon talasemite ndahen ne:
Alfa talasemi – mosprodhim i vargut alfa. Ne mungese te alternativave te tjera ne format
homozigote prodhohet Hb Barts (β4) e cila eshte e papajtueshme me jeten.
Beta talasemi – mosprodhim i vargut beta. Ne format homozigote te njohura si Talasemia
Major ose anemia Cooley, ne vend te vargut beta prodhohet vargu gama pra HbF. Pacientet
vuajne nga mosoksigjenimi i mire i indeve, dhe kerkojne trajtim gjithe jeten me transfuzion
dhe preparate qe eliminojne hekurin. Bartesi i talasemise eshte nje individ me shendet normal
qe ne gjakun komplet ka te dhena per anemi hipokrome mikrocitare ( RBC normal ose te
shtuara, HB e ulur, MCV dhe MCH e ulur). Elektroforeza e hemoglobines eshte testi qe
konfirmon diagnozen e bartesit permes identifikimit te perqendrimit te larte te HbA2. Beta
talasemia në Shqipëri eshte e perhapur me nje frekuence te bartshmerise nga 4-11%.
Hemoglobinopatite jane semundje qe shkaktohen nga mutacione pikëzore (zevendesim i
vetem nje aminoacidi ne varg). Ne keto raste kemi defekt në sintezën e vargut polipeptidik.
Shembujt e meposhtem ilustrojne disa nga format me te shpeshta te hemoglobinopative:
• HbS (Glu zevendesohet nga Val ne pozicionin 6 te vargut beta
• HbM (metHb Fe+++ ) – homozigoti eshte letal (His F8 – Tyr; nuk fikson oksigjenin)

Lexim: Metodat e studimit të proteinave plazmatike ne laborator


Proteina totale plazmatike shpreh sasinë totale të proteinave që qarkullojnë në plazëm. Dozimi
realizohet me Metodën e Biuretit – metodë kolorimetrike; jonet e Ca2+(të pranishme në reagent), në
mjedis alkalin bashkëveprojnë me lidhjet peptidike (karakteristike të proteinave) duke krijuar
komponime me ngjyrë blu në vjollcë. Intensiteti i ngjyrës i matur në spektrofotometër (λ 630nm) do
të jetë proporcional me përqëndrimin e proteinave në kampion.
Vlerat referente: 6 – 8 g/dL
Indikacionet për dozimin e proteinës totale dhe albuminës në plazëm janë:
− Investigimi i edemës – që mund të shkaktohet nga hipoalbuminemia. Sindromi nefrotik dhe
cirroza hepatike janë dy patologji që mund të shkaktojnë hipoalbuminemi; të dy këto situata klinike
kanë një paraqitje elektroforetike specifike. Sindromi nefrotik shoqërohet me proteinuri.
− Ndryshimet e hidratimit – Ndryshimet e proteinës totale plazmatike dhe albuminës të verifikuara
në periudha të shkurtëra kohe i dedikohen ndryshimeve të hidratimit ose ndryshimeve të
permeabilitetit vaskular.
− Investigimi i statusit nutritiv – Në malnutricion kemi hipoalbuminemi
− Investigimi i sindromave mielomatoze dhe makroglobulinemisë – Elektroforeza e serumit
detekton paraproteinat, ndërsa elektroforeza e proteinave të urinës detekton praninë e proteinës
Bence-Jones.
− Vlerësimi i përqëndrimit në dukje anormal të substancave që qarkullojnë të lidhura me proteinat
(Ca total, Ca i jonizuar; SHBG; ferritinë-transferinë) – Shtimi i përqëndrimit të proteinave
transportuese mund të shoqërohet me shtim total të përqëndrimit të molekulave që ato
transportojnë, p.sh. hormone. Në këtë rast duhet marrë në konsideratë fakti se fraksioni aktiv i
këtyre substancave është përgjithësisht fraksioni i lirë i cili mund të pësojë ulje.
− Investigimi i hipogamaglobulinemisë – imunodeficienca e fituar (p;sh. AIDS)

Elektroforeza e proteinave është metodë specifike që i ndan proteinat plazmatike bazuar në


diferencat në ngarkesën elektrike dhe madhësinë e grimcës. Kjo metodë identifikon 5 fraksione
proteinike madhore; në secilin fraksion mund të gjendet më shumë se një proteinë:

Prof. Asc. Etleva Refatllari 17


1. Albumina
2. Alfa1 globulina (alfa1-antitripsinë , alfa1-antikimotripsinë etj)
3. Alfa2 globulina (alfa2-makroglobulina, haptoglobina, ceruloplazmina)
4. Beta globulina (transferina, komponenti C3 i komplementit)
5. Gama globulina (imunoglobulinat IgM, IgG, IgA, IgE, IgD)
Identifikimi dhe vlerësimi sasior i bandave që bëhen të dukshme pas ngjyrimit realizohet me
densitometër. Densitometri është aplikim specifik i spektrofotometrit. Matet absorbanca e secilës
gjurmë dhe përkthehet në përqindje kundrejt absorbancës totale.Vlerat normale të elektroforezës së
proteinës janë:
Albumina 56 – 68 %
α1 globulina 2 – 4 %
α2 globulina 6 – 11 %
β globulina 8 – 14 %
γ globulina 9 – 18 %
Në figurat e mëposhtme paraqitet skema e vendosjes së kampionit në elektroforezë (a), zonat e
përftuara pas ndarjes dhe ngjyrimit (b), dhe grafiku i përftuar pas kalimit në densitometër (c).
-a- -b- -c-

Situatat me te zakonshme klinike ne te cilat kerkohet ekzaminimi elektroforetik dhe rezultati i pritshem
jane:
− Malnutricioni - ndryshime homogjene ne gjithe fraksionet
− Faza akute inflamatore – rriten fraksionet alfa1 dhe alfa2
− Gjendjet kronike inflamatore – rritje difuze e gamaglobulinave; nese ka komponente aktivizimi
shoqerohet me rritjen e alfa1 dhe alfa2
− Cirroza hepatike – reduktim i albumines dhe alfa1; shtim i gamaglobulinave; fuzioni beta-gama
− Sindromi nefrotik – Ne fazat e hershme mund te shfaqet vetem me hipoalbuminemi; tipike ulja
e albumines, alfa1, ndonjehere e gamaglobulinave dhe shtim i alfa2.
− Deficiti kongenital i alfa1-antitripsines
− Anomali te tjera si hipogamaglobulinemi ose mieloma multiple

Pyetje teorike :
1. C’jane proteinat? Pershkruaj shkurtimisht funksionet kryesore te kesaj klase biomolekulash.
2. Shkruaj strukturen e pergjithshme te nje alfa aminoacidi dhe rendit karakteristikat kryesore kimike
te tyre (izomeria optike, jonizimi, absorbimi ne zonen ultraviolet, reaksionet kimike).
3. Si klasifikohen aminoacidet? Shkruaj strukturat, emertimet dhe shkurtimet me tre germa te 20
aminoacideve standart. Grupoi sipas klasave dhe vecorive te radikaleve.
4. Aminoacidet e rralle te proteinave, si formohen, rendesia e tyre.
5. Si llogaritet pika izoelektrike e aminoacideve? Si paraqitet i ngarkuar aminoacidi ne solucione me
pH te ndryshem ose te barabarte me piken izoelektrike ?
6. Struktura primare e proteinave, perkufizimi dhe pershkrimi i saj
7. Si formohet lidhja peptidike, reaksioni. Karakteristikat e lidhjes peptidike
8. Struktura sekondare, perkufizimi dhe variantet e saj
9. Struktura terciare dhe kuaternare e nje proteine, cilat jane lidhjet kimike qe i stabilizojne.
10. Struktura e mioglobines, organizimi i vargut globinik, hemi dhe lidhjet e atomit te hekurit
11. Struktura e hemoglobines, hemoglobina A
12. Lidhja e oksigjenit me Hb dhe faktoret qe ndikojne ne afinitetin e hemoglobines per oksigjen

Prof. Asc. Etleva Refatllari 18

You might also like