Download as pdf or txt
Download as pdf or txt
You are on page 1of 3

Pml.nr.

53/2019

NË EMER TË POPULLIT

GJYKATA SUPREME E KOSOVËS - kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Nesrin Lushta,


kryetare e kolegjit, Valdete Daka dhe Agimi Maliqi, anëtarë, me bashkëpunëtorin
profesional, Bujar Balaj në cilësinë e procesmbajtësit, në çështjen penale kundër të
dënuarit A.M. nga fshati Ll., komuna e P., për shkak të veprës penale lëndim i rëndë
trupor nga neni 189 par.5 lidhur me par.1 të KPK-së, duke vendosur përkitazi me
kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit ushtruar kundër
aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për krime të rënda
PKR.nr.186/2018 datë 20.09.2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës
PAKR.nr.520/2018 datë 21.11.2018, në seance e kolegjit të mbajtur më 7 mars 2019
morri ketë:

A K T GJ Y K I M

Refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësit të të


dënuarit A.M., ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë –
Departamenti për krime të rënda PKR.nr.186/2018 datë 20.09.2018 dhe aktgjykimit të
Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.520/2018 datë 21.11.2018.

A rsyetim

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për krime të


rënda PKR.nr.186/2018 e datës 20.09.2018, i dënuari A.M. është shpallur fajtorë për
shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor nga nenin 189 par.5 lidhur me par.1 të
KPK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 ( një ) viti në të
cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 18.06.2018
deri më datë 20.09.2018. Të dënuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues
konfiskimi i shufrës metalike si mjet me të cilin është kryer vepra penale ndërsa është
obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguaj shumën prej 20 €,
në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 € si dhe në emër të fondit për
kompensim të viktimave shumën prej 50 €, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga
dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. I dëmtuari K.B. për realizimin e kërkesë pasurore
juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Në procedurën ankimore Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktgjykimin
PAKR.nr.520/2018 e datës 21.11.2018, ka refuzuar si të pabazuara ankesat ndërsa
aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar.
Kundër këtyre aktgjykimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur
mbrojtësi i të dënuarit, avokati B.C. nga P., për shkak të shkeljeve esenciale të
dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që
aktgjykimet të ndryshohen ose të anulohen dhe çështja të kthehet në rivendosje në
gjykatën e shkallës së parë.
Prokurori i Shtetit të Kosovës, me shkresën KMLP.II.nr 40/2019 e datës 15.02.2019
ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e
mbrojtësit të dënuarit.
Gjykata supreme e Kosovës shqyrtoi shkresat e çështjes konform dispozitës së
nenit 435 par.1 lidhur me nenin 436 par.1 të KPPK-së dhe pasi vlerësoi pretendimet
nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë konstatoi se:
Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e pa bazuar.
Në kërkesë mbrojtësi i të dënuari avokati B.C., pretendon se aktgjykimet janë të
përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat konsistojnë
në faktin se Gjykata e Apelit me rastin e shqyrtimit të ankesës nuk ka marr si rrethana
lehtësuese për të dënuarin faktin se pala e dëmtuar ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet
ankesë së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe njëkohësisht ka bërë edhe shkeljen
e ligjit penal pasi që i dënuari në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë i
moshës 20 vjeçare dhe ka mundur të aplikoj një masë nga neni 7 i Kodit të Drejtësisë
për të Mitur. Më tutje në kërkesë potencohet se gjykata e shkallës së parë nuk ka qenë
në dijeni për shumë rrethana tjera lehtësuese përveç atyre të cilat i ka vlerësuar gjatë
matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit duke i listuar të njëjtat.
Gjykata Supreme duke shqyrtuar pretendimet nga kërkesa gjeti se kërkesa si e tillë
është konfuze dhe nuk i përmban arsyet për të cilat është paraqitur, respektivisht nuk
potencon se cilat janë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat
janë të përfshira aktgjykimet e kundërshtuara. Megjithatë kjo gjykatë nga referati gjeti se
pretendohet se aktgjykimet janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të
procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 të KPPK-së, sepse nuk përmbajnë
arsyetim ligjor lidhur me vendimin mbi dënimin dhe vlerësimin e rrethanave mbi bazën e
të cilave është marrë vendimi mbi sanksionin penal nga gjykata e shkallës së parë dhe
me rastin e vendosjes sipas ankesës nga ana e gjykatës së shkallës së dytë. Kjo
gjykatë gjen se të dy gjykatat kanë dhënë arsye të mjaftueshme ligjore lidhur me
vlerësimin e rrethanave në bazë të cilave është marrë vendimi mbi dënimin e po ashtu
edhe gjykata e shkallës së dytë ka arsyetuar të gjitha pretendimet ankimore e në
veçanti pretendimet lidhur me vlerësimin e rrethanave lehtësuese të cekura në ankesë
,arsye të cilat i pranon si të drejta edhe kjo gjykatë. Për më tepër, në ankesë të
paraqitur kundër aktgjykimit të shkallës së parë, i dënuari duke e ankimuar vendimin
mbi dënimin potencon rrethana tjera lehtësuese të cilat janë vlerësuar nga gjykata e
shkallës së parë, andaj ankesa e tij është refuzuar.
Gjykata Supreme konstatoi se konform dispozitës së nenit 385 par.5 të KPPK-së,
kur është fjala për vendimit mbi dënimit shkelje e ligjit penal konsiderohet kur në
marrjen e vendimit të dënimit, dënimit alternativ, vërejtjes gjyqësore ose në marrjen e
vendimit për masën e detyrueshme për rehabilitim apo për konfiskim të pasurisë
pasurore të fituar me vepër penale, gjykata ka tejkaluar kompetencat e veta ligjore.
Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë ka shqiptuar dënimin e paraparë për
këtë vepër penale, ndërsa duhet të theksohet se është në diskrecionin e gjykatës
vlerësimi i rrethanave në çdo rast konkret e përveç kësaj janë dhënë arsye ligjore të
cilat kanë ndikuar në shqiptimin e dënimit si dhe të njëjtat arsye kanë qenë të pranuara
për gjykatën e shkallës së dytë e cila e ka aprovuar dënimin e shqiptuar, prandaj as në
këtë drejtim nuk ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sa i përket pretendimit se i dënuari në momentin e kryerjes së veprës penale ka
qenë i moshës 20 vjeçare dhe ka mundur të aplikoj një masë nga neni 7 i Kodit të
drejtësisë për të Mitur (KDM), kjo gjykatë gjen se në kohën e kryerjes së veprës penale i
dënuari ka qenë i moshës madhore pra nuk ka qenë i mitur dhe ndaj tij nuk kanë
mundur të zbatohen dispozitat të cilat vlejnë për të miturit, ndërsa nëse mbrojtësi ka
dashur ti referohet nenit 11 të KDM, kjo gjykatë gjen se kjo dispozitë parasheh se “në
procedurën gjyqësore të zbatuar ndaj madhorit i cili nuk ka arritur moshën 21 vjeçare
për vepër të kryer si madhor i ri (mosha në mes 18-21 vjet), gjykata mund t’i shqiptoj
masë ose dënim në pajtim me nenin 11 të KDM, nëse çmon se qëllimi që do të arrihej
me shqiptimin e burgimit gjithashtu do të arrihej edhe me shqiptimin e masës ose
dënimit ,duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, mendimin
e ekspertit lidhur me zhvillimin psikologjik të madhorit të ri dhe interesat e tij më të mirë”.
Pra është gjykata gjykuese ajo e cila vlerëson aplikimin e kësaj dispozite e cila është
opcionale e jo obliguese.
Meqenëse, kjo gjykatë gjeti se aktgjykimet nuk janë të përfshira me shkelje
esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara dhe ndaj të dënuarit A.M.
nuk është shkelur ligji penal në dëm të tij, refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë,
e në pajtim me dispozitën e nenit 437 të KPPK-së dhe vendosi si në dispozitiv të këtij
aktgjykimi.

GJYKATA SUPREME E KOSOVËS - PRISHTINË


Pml.nr.53/2019, më 7 mars 2019

Procesmbajtësi, Kryetare e kolegjit,


Bujar Balaj Nesrin Lushta

You might also like